ATV

Category: Lajme

  • Nga nesër nis zvogëlimi i policëve për 25% nga objektet komunale në veri

    Nga nesër nis zvogëlimi i policëve për 25% nga objektet komunale në veri

    Nga nesër do të fillojë zvogëlimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për 25%, në dhe përreth objekteve komunale në veri. Kështu ka informuar sot Policia, me ç’rast është bërë e ditur se vendimi ka ardhur pas vlerësimit nga Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i.

    Sipas vlerësimit, situata e sigurisë në dhe rreth objekteve të komunave veriore vlerësohet se është e mirë.

    “Policia e Kosovës në vazhdën e realizmit të detyrave dhe autorizimeve të saja kushtetuese dhe ligjore në interes të sigurisë publike në vend, si dhe me qëllim të zbatimit të dakordimeve të arritura në Bratisllavë me 10 korrik 2023, në mes të Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës, saktësisht hapit dy të këtij dakordimi, me këtë rast është mbajtur takimi punues mes Policisë së Kosovës, EULEX dhe KFOR për vlerësim të situatës së sigurisë, në dhe përreth ndërtesave komunale të komunave veriore. Sipas vlerësimit të përbashkët, nga Policia e Kosovës, EULEX dhe KFOR, situata e sigurisë në dhe rreth objekteve të komunave veriore vlerësohet se është e mirë.”, është bërë e ditur në komunikatë.

    Po ashtu, është potencuar se ekipet e Policisë së Kosovës, bashkë me EULEX dhe KFOR, do të vijojnë koordinimin dhe do të ndërmarrin veprimet e nevojshme sipas vlerësimit të rregullt të situatës së sigurisë në dhe përreth objekteve komunale, në komunat veriore të Republikës se Kosovës.

  • Në muajin qershor shitjet me pakicë ranë për 0.2% në vlerë, dhe 0.7% në vëllim

    Në muajin qershor shitjet me pakicë ranë për 0.2% në vlerë, dhe 0.7% në vëllim

    Shitjet italiane me pakicë ranë për 0.2 për qind në terma të vlerës dhe 0.7 për qind në vëllim në muajin qershor krahasuar me muajin maj, theksuan të enjten nga Istat.

    Agjencia Kombëtare e Statistikave bëri të ditur se shitjet me pakicë u rritën me 3.6 pwr qind në terma të vlerës në raport me muajin qershor të vitit 2022, por ranë për 3.5 për qind në vëllim.

    Të dhënat nga viti në vit japin një tregues të ndikimit që ka kriza e kostos së jetesës tek konsumatorët italianë, të cilët paguajnë më shumë për të marrë më pak./ANSA/

  • Fundoset jahti më i famshëm në botë, ‘Cujo’ e përdorur nga Princesha Diana

    Fundoset jahti më i famshëm në botë, ‘Cujo’ e përdorur nga Princesha Diana

    Jahti më i famshëm në botë ‘Cujo’ e përdorur nga Princesha Diana dhe Dodi Fayed gjatë festës së fundit para vdekjes së tyre fundoset pasi ‘goditi një objekt’ në rivierën franceze

    Jahti motorik i famshëm i përdorur nga Princesha Diana dhe i dashuri i saj Dodi Fayed në pushimet e tyre të fundit verore në jug të Francës para vdekjes së tyre është fundosur në fund të detit.

    Cujo, dikur gjithashtu i preferuari i superyjeve të Hollivudit, u zhduk nën valët e Mesdheut pasi goditi një objekt të paidentifikuar rreth 18 milje larg Beaulieu-sur-Mer, në Rivierën Franceze, të shtunën.

    Shtatë persona në bord u shpëtuan pas aksidentit, por anija përfundoi në një thellësi prej pothuajse 2500 metrash, tha policia lokale.

    “Kapitani i “Cujo” lëshoi një sinjal ‘SOS”, tha një oficer. “Anija e tij po fundosej për shkak të një rrjedhjeje.

    Anijet e shpëtimit u dërguan nga Antibes dhe, pasi u siguruan që të gjithë ishin të sigurt, policët zbuluan një rrjedhje të konsiderueshme uji në anën e djathtë të anijes.

    “Pronari i saj kishte aktivizuar pompat dhe i kishte mbajtur motorët të ndezur, por kjo nuk e ndaloi fundosjen e anijes”, shkruan Daily Mail.

    Njësia e shpëtimit mbërriti gjithashtu, por nuk mundën ta shpëtonin anijen nga fundosja.

  • Propaganda ruse në Serbi, studimi: Falë Vuçiqit janë përqafuar pozicione rusofile e kundër SHBA

    Propaganda ruse në Serbi, studimi: Falë Vuçiqit janë përqafuar pozicione rusofile e kundër SHBA

    Një studim i ri tregon se si mediat e kontrolluara nga Rusia manipulojnë me sukses formimin e opinioneve në vendet e Evropës Lindore dhe Jug-Lindore, por sidomos në Serbi.

    “Epërsia ruse e medias në pjesën më të mëdha të Ballkanit” përbën një kërcënim serioz për sigurinë e Evropës – këtë sugjeron një studim i Fondacionit Friedrich Naumann i publikuar këtë të enjte.

    “Sistemi i klientelës së Putinit”, i bazuar në shërbimin sekret, oligarkët besnikë, mediat e kontrolluara dhe një sistem gjyqësor që është në linjë të tyre, funksionon si “një plagjiaturë e perfeksionuar” në Serbi dhe vendet fqinje.

    Në Serbi, nën sundimin e presidentit Aleksandër Vuçiq dhe me ndihmën e mediave private që ai kontrollon, “me shumë pak përjashtime, mediat më të njohura të vendit përfaqësojnë pozicionet rusofile dhe demonizojnë SHBA-në, BE-në dhe NATO-n”, vazhdon studimi.

    Turmat pro Moskës reflektohen në shifra: Megjithëse Serbia ka negociuar me BE-në për më shumë se dhjetë vjet, më shumë se gjysma e të gjithë qytetarëve do të votonin kundër BE në një referendum eventual, raportoi Top News.

    Rreth 45 për qind e të gjithë të anketuarve e quajtën Vladimir Putin si politikanin më të mirë në botë nga këndvështrimi i tyre, i ndjekur – në një distancë të konsiderueshme nga presidenti kinez, Xi Jinping.

  • LDK: Për tri vjet, Qeveria Kurti shkeli kushtetutën 5 herë

    LDK: Për tri vjet, Qeveria Kurti shkeli kushtetutën 5 herë

    Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një reagimi ka thënë se Qeveria e Kosovës në këto tre vjet mandat të saj ka shkelur hiq më pak se pesë herë Kushtetutën e Kosovës

    Partia që drejtohet nga Lumir Abdixhiku, ka numëruar secilin rast veç e veç, ku ministra të Qeverisë Kurti kanë shkelur organin më të lartë juridik në vend.

    “Për tre vjet qeverisje, partia në pushtet ka shkelur 5 herë Kushtetutën, derisa janë edhe disa ligje që janë në pritje të vendimit nga Gjykata Kushtetuese. Këto shkelje tregojnë më së miri mospërkushtimin e kësaj Qeverie për shtetin e së drejtës’, thuhet në reagimin e LDK-së ndër të tjera.

  • Gjykata Kushtetuese e rrëzon Ligjin për Zyrtarët Publikë

    Gjykata Kushtetuese e rrëzon Ligjin për Zyrtarët Publikë

    Gjykata Kushtetuese i ka shpallur të pranueshme ankesat e deputetëve të PDK-së dhe të LDK-së kundër Ligjit për Zyrtarët Publikë.

    Kolegji i gjyqtarëve të Gjykatës ka vendosur njëzëri që Ligji për Zyrtarët Publikë nuk është në përputhshmëri me dy paragrafin 1 të nenit 3, Barazia para Ligjit, të Kushtetutës së Kosovës.

    Megjithatë, gjykata po ashtu ka vendosur që procedura e ndjekur për miratimin e Ligjit nuk ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën.

    “Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, ka vendosur lidhur me kërkesat e bashkuara, në rastin KO 216/22, me parashtrues: Isak Shabani dhe dhjetë (10) deputetë të tjerë dhe KO 220/22, me parashtrues: Arben Gashi dhe nëntë (9) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të parashtruara në Gjykatën Kushtetuese bazuar në përcaktimet e paragrafit 5 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së neneve 9 (Kriteret e përgjithshme për pranimin në detyrë të zyrtares/it publik), 12 (Qeveria e Republikës së Kosovës), 46 (Emërimi dhe mandati në pozitat e nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues) dhe 99 (Dispozitat kalimtare) të Ligjit Nr.08/L-197 për Zyrtarët Publikë”, thuhet në vendim.

    “Gjykata (i) njëzëri ka vendosur që të deklarojë kërkesat e pranueshme; dhe (ii) me shtatë (7) vota për dhe një (1) kundër, të konstatojë që procedura e ndjekur për miratimin e Ligjit të kontestuar nuk është në kundërshtim me nenet 77 [Komisionet] dhe 78 [Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ndërsa, në lidhje me përmbajtjen e Ligjit të kontestuar, Gjykata, njëzëri ka vendosur që (i) kriteri i “përshtatshmërisë’ i përcaktuar në paragrafët 2 dhe 5 të nenit 9 (Kriteret e përgjithshme për pranimin në detyrë të zyrtares/it publik) të Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 3 [Barazia para Ligjit] dhe paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës; (ii) formulimi “si dhe mbikëqyrë implementimin e tyre” i pikës 1.1 të paragrafit 1 dhe paragrafi 2 i nenit 12 (Qeveria e Republikës së Kosovës) dhe nën-paragrafët 1.1, 1.2, 1.5 dhe 1.9 të paragrafit 1 dhe paragrafët 3, 4 dhe 5 të nenit 13 (Ministria përgjegjëse për administratë publike) të Ligjit të kontestuar nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushteteve] dhe paragrafin 2 të nenit 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetutës; (iii) formulimi “në rastet e parapara sipas këtij ligji” i paragrafit 3 të nenit 27 (E drejta për informim për marrëdhënien e punës dhe e drejta e ankesës) të Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me nenet 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojta Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës; (iv) paragrafi 6 i nenit 27 (E drejta për informim për marrëdhënien e punës dhe e drejta e ankesës) dhe paragrafët 3 dhe 4 të nenit 88 (E drejta për ankesë e nëpunëses/it të shërbimit publik) të Ligjit të kontestuar nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushteteve], nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe nenin 54 [Mbrojta Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës; (v) paragrafi 6 i nenit 67 (Lista e pritjes) të Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 3 [Barazia para Ligjit] dhe paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës; (vi) paragrafët 1, 2, 3, 4, 5, 6 dhe 7 të nenit 99 (Dispozitat kalimtare) të Ligjit të kontestuar nuk janë në përputhshmëri me paragrafët 1 dhe 2 të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 1 (Mbrojtja e Pronës) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe (vii) paragrafi 2 i nenit 104 (Shfuqizimi) të Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 3 [Barazia para Ligjit], paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushteteve] dhe paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës; ndërsa (viii) me shtatë (7) vota për dhe një (1) kundër që neni 46 (Emërimi dhe mandati në pozitat e nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues) i Ligjit të kontestuar nuk është në kundërshtim me paragrafin 2 të nenit 19 [Zbatimi i së Drejtës Ndërkombëtare] dhe nenin 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetutës”, thuhet në vendim.

  • PSD-ja me aksion para Qeverisë në mbrojtje të gazetarëve

    PSD-ja me aksion para Qeverisë në mbrojtje të gazetarëve

    Partia Socialdemokrate ka mbajtur të enjten aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë, duke i vendosur kamera e mikrofon në kafaz, që simbolizon mbështetje për gazetarët, raporton Ekonomia Online.

    Sipas PSD-së kryemisnitri Albin Kurti i do mediet e mbyllura, të kufizuara, të disiplinuara, të varura dhe pa imagjinatë.

    “Sulmi ndaj mediave është me paramendim. Caku që pushteti aktual ka vënë merr me vete krejt çka i del përpara, deri në mbërritje. Të paktën këtë e dëshiron. E kësaj nuk i shpëtojnë dot as mediat, siç nuk i shpëtuan as mësimdhënësit, as sindikatat, as tregimi për UÇK-në. E gjithë shoqëria është në shënjestër. Një vetëdije e re po tentohet të mbjellët, dhe kjo përmes falsifikimeve”.

    “Tutje, antikorrupsioni është lidhur me antikombëtarizimin. Se kjo dhezë, apo jo? Ta ushqejmë nacionalizmin, siç bëri me veriun e vendit. Pushteti na bëri sinonime, sepse propaganda nuk guxon të ketë hapësira të pambuluara shpjegimi. Ka përgjigje për çdo gjë. Ajo thotë: ata që nuk e duan vendin, na e vodhën, sepse veç një antikombëtar vjedh. Ky moral i hekurt është grusht për këdo që analizon e kritikon”.

    “Prandaj sulmohen mediat. Dhe nuk ka nisur dje. Fillimisht duke abstenuar në emisione, tutje përzgjodhi RTK-në, të cilës ia kontrollon bordin (por doli veprim i paligjshëm shkarkimi i bordit të kaluar), deri tek mbyllja që filloi me Klan Kosovën. Në një rend autoritar çështjet teknike janë çdo here edhe politike. Pyetja shtrohet: çka iu duhen mediat? E po, propaganda nuk është vetëm transmetim lajmesh, ajo interpreton ato sipas versionit zyrtar. Dhe me këtë vdes pluraliteti”.

  • Shefi i EULEX-it: Policia Speciale e Kosovës është reduktuar ndjeshëm në veri, ne e kemi shtuar praninë

    Shefi i EULEX-it: Policia Speciale e Kosovës është reduktuar ndjeshëm në veri, ne e kemi shtuar praninë

    Shefi i EULEX-it, Giovani Pietro Barbano, ka dhënë një intervistë pas takimit me komandantin e KFOR-it dhe drejtorin e Policisë së Kosovës lidhur me situatën në veri dhe fillimin e largimit të policisë nga objektet e komunave atje, duke konsideruar se prania e policisë speciale në veri është reduktuar dukshëm.

    Ai ka thënë se EULEX e ka mirëpritur lajmin për reduktimin e policisë në veri të vendit.

    “Misioni e mirëpriti njoftimin e policisë së Kosovës dhe autoriteteve të Kosovës për reduktimin e pranisë policore pranë objekteve komunale në veri të Kosovës për 25 për qind dhe ne presim që të ndihmojmë në uljen e mëtutjeshme të kësaj prezence edhe për 25 për qind të tjera. Barbano në një intervistë për Euronews Serbia.

    Ai konsideron se procesi ka filluar.

    “Aktualisht jemi të angazhuar me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in për të përcaktuar aspektet teknike të modaliteteve me të cilat do të kryhen këto vlerësime të sigurisë. Por ne mund të konsiderojmë se procesi ka filluar”, thekson ai, duke shtuar se “ka janë tregues të mirë”.

    I pyetur nëse plani evropian nënkupton tërheqjen e plotë të forcave speciale nga veriu i Kosovës, Barbano përgjigjet:

    “Sipas vlerësimit tonë, prania e Policisë Speciale të Kosovës në veri është zvogëluar jashtëzakonisht dhe ky ishte hapi i parë i ndërmarrë nga autoritetet në Prishtinë. EULEX-i ka shtuar praninë edhe në veri – tani keni patrullat e dukshme që synojnë plotësoni boshllëkun e krijuar pas shkarkimit të policëve serbë nga puna në fund të majit 2023”.

    Barbano thotë se vlerësimi i tanishëm i EULEX-it është se situata është “shumë më stabile dhe paqësore”, prandaj vazhdon ta monitorojë situatën.

    Tutje ai është shprehur se EULEX-i është i përkushtuar për respektimin e të drejtave të njeriut të të gjithë qytetarëve dhe i monitoron me kujdes rastet më të ndjeshme, veçanërisht në veri – por jo vetëm atje.

  • Çitaku: Korrupsioni dhe skandalet kanë mbuluar Qeverinë Kurti, prokuroria të hetojë të gjitha rastet

    Çitaku: Korrupsioni dhe skandalet kanë mbuluar Qeverinë Kurti, prokuroria të hetojë të gjitha rastet

    Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, në një konference për medie, ka denoncuar korrupsionin dhe aferat e njëpasnjëshme të Qeverisë, të cilat kanë prekur shumicën e sektorëve dhe institucioneve.

    Çitaku tha se është e pakuptueshme mbrojtja e Qeverisë dhe Kryeministrit ndaj këtyre aferave, derisa i ka bërë thirrje prokurorisë që të hetojnë secilin rast të raportuar nga mediat.

    “Siç e keni parë gjatë kësaj kohe, çdo ditë po pasurohet albumi i korrupsionit të kësaj Qeverie. Raportimet e mediave, po tregojnë që eksponentë të partisë-shtet, nuk kanë lënë asnjë sektor pa shtrirë rrjetin e korrupsionit, përfshirë edhe në gjërat më esenciale: Rrymë, grurë e vaj. Dje, pamë edhe raportimet për abuzim të fondeve që janë të paraparave për komunitete dhe rastësisht na doli që personat që kanë përfituar, të jenë familjarë të ministrave të kësaj Qeveri. Shumë prej tyre nuk e kishin as idenë më të vogël se për çka kanë përfituar ato fonde. Përballë krejt kësaj situate, më skandaloze se aferat, kanë qenë reagimet e Kryeministrit Kurti dhe eksponentëve të Qeverisë. Në rastin më të mirë ka pasur indiferencë dhe shpërfillje – derisa – në rastin më të keq, ka pasur një mbrojtje të pashpjegueshme të akterëve të përfshirë në korrupsion dhe një sulm histerik kundër prokurorisë dhe mediave. Ftojmë institucionet e rendit, policinë dhe prokurorinë, që urgjentisht të hetojnë të gjitha aferat e kësaj Qeverie dhe të mos lejojnë prishjen dhe humbjen e provave: Sikur që kanë humbur vajin dhe grurin!”, theksoi ajo.

    Nënkryetarja Çitaku tha se Qeveria Kurti nuk i ka shpallur luftë korrupsionit, por gazetarëve të cilët po i zbulojnë rastet korruptive dhe rendit e ligjit, që po i hetojnë ato.

    “Ambasadori Martin Berishaj vazhdon të jetë në detyrë, përkundër fakteve të shpalosura të cilat e lidhin me shpërdorimin e miliona eurove. Nagip Krasniqi, i dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, mik i Kryeministrit Kurti, përkundër arrestimit të tij ai është vetëm i pezulluar nga detyra, por jo edhe i përjashtuar. Rozeta Hajdari, e cila ka blerë grurë prej kompanive të ndërtimit, e gruri nuk ka ardhë asnjëherë në Kosovë, vazhdon të mbetet ne detyrë. Pesë ministra, zëvendësministra e shumë zyrtarë të tjerë, në shumë institucione, sot janë nën hetime nga Task-Forca Anti-Korrupsion në Policinë e Kosovës. Asnjë llogaridhënie deri më tash, përkundrazi, kjo Qeveri nuk i ka shpallur luftë korrupsionit, por gazetarëve, të cilët po e zbulojnë korrupsionin dhe rendit e ligjit, të cilët po e hetojnë atë”, shtoi ajo.

    Çitaku theksoi se audio-incizimet e publikuara në media kanë shpërfaqur presionin e madh që po u bëhet administratës publike dhe shërbyesve civilë nga zyrtarët shtetërorë, për ta shkelur ligjin.

    “Çdo ditë e më shumë, po rrënohet aura e epërsisë morale, të cilën VV ia kishte mveshur vetes, si parti me duar të pastra. Faktet po tregojnë që këto kanë qenë vetëm fraza boshe. Audio-incizimet po tregojnë edhe për presionin e madh që po u bëhet administratës publike dhe shërbyesve civilë, jo për ta respektuar ligjin, por për ta shkelur atë. Derisa aferat po shtohen, keqpërdorimet e detyrës zyrtare po prekin të gjitha institucionet e kësaj Qeverie, fatkeqësisht, janë qytetarët të cilët po i vuajnë pasojat. Rritja e çmimeve, papunësia dhe varfëria, janë tri problemet me të mëdha me të cilat po ballafaqohen qytetarët tanë sot! Në vend të zgjidhjeve, kjo Qeveri ka ofruar vetëm cikle të pafundme të krizave dhe skandaleve. Edhe një herë, po e ripërsëris thirrjen për institucionet e hetuesisë dhe drejtësisë që të veprojnë”, përfundoi Çitaku.

  • Dënohen dy serbët që sulmuan KFOR-in, Policinë dhe mediet

    Dënohen dy serbët që sulmuan KFOR-in, Policinë dhe mediet

    Sinisha Jevtiq dhe Ivan Sekuliq u dënuan me nga gjashtë muaj burg i cila u është zëvendësuar me dënim me gjobë prej 7 mijë eurove, për sulmin ndaj 30 pjesëtarëve të KFOR-it, policisë e mediave.

    Atyre po ashtu ju shqiptuan dënime plotësuese, “dëbimi tyre nga territori i Kosovës dhe ndalim për tre vjet për të hyrë në Republikën e Kosovës.”

    Pala mbrojtëse deklaroi se nuk do të paraqesin ankesë, dhe pranuan qysh sot t’i paguajnë dënimet e parapara me aktgjykimin e shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Vesel Latifi.

    Po ashtu, Ivan Sekuliq për veprën penale “armëmbajtje pa leje” gjykata i shqiptoi gjobë në shumë prej 2,000 eurosh, me një dënim unik prej 9 mijë eurove. Ata dje kanë pranuar fajësinë në gjykatë!