ATV

Category: Lajme

  • Shiu prishi planet e pushuesve në fundjavë, parashikimi i motit për ditët e ardhshme

    Shiu prishi planet e pushuesve në fundjavë, parashikimi i motit për ditët e ardhshme

    Meteorologu Akil Osmani ka bërë parashikimin e motit për ditët e ardhshme.

    Reshjet e shiut që përjetuam gjatë fundjavës duket se do t’ia lënë vendin motit të ngrohtë të gushtit.

    Sipas meteorologut duke filluar nga dita e martë do të kemi një ngritje graduale të temperaturave, duke bërë që në zonat e ulëta maksimumet të shkojnë deri në 38 gradë celcius.

    Ai tha se pushuesit në bregdet nuk duhet të shqetësohen, pasi temperaturat do të shkojnë deri në 34 gradë celcius dhe moti do të jetë i qëndrueshëm.

    “Pushuesit duhet të jenë të qetë pasi ata që kanë zgjedhur bregdetin, pavarësisht se dita e sotme ka sjellë temperature disi të freskëta me maksimume rreth vlerave 27 dhe 28 gradë celcius. Themi të freskëta duke i krahasuar me temperaturat që përjetuam disa ditë më parë, pasi këto janë temperatura normale për muajin e gushtit. Duke filluar nga dita e martë të kemi ngritje graduale të temperaturave të ajrit duke bërë që maksimumet në rang territori të ngrihen deri në 37 gradë celcius madje në disa zona të izoluara dhe me 38 gradë celcius, këto në qytetet e zonës së ulët.

    Përgjatë vijës bregdetare temperaturat do të shënojnë dhe 34 gradë celcius. Ata që duan të shijojnë temperatura më të freskëta, duhet të frekuentojnë zonat malore ku temperaturat do të shkojnë në 31 gradë celciu”, tha Osmani në Euronews Albania.

  • Aksion policor në një banesë në Mitrovicë të Veriut

    Aksion policor në një banesë në Mitrovicë të Veriut

    Policia e Kosovës po kryen një operacion në një banesë në lagjen “Tre Rrokaqiejt” në Mitrovicë të Veriut, në bazë të informacioneve se aty ka laborator droge.

    Zëvendësdrejtori rajonal për veriun, Veton Elshani, tha se gjatë aksionit janë konfiskuar edhe armë.

    “Kemi nisur aksionin në bazë të informacionit se aty mund të ketë laborator droge. Kemi gjetur pajisje për laborator [droge], për kriptovaluta, shok-bomba, armë, municione”, tha Elshani për Radion Evropa e Lirë.

    Ekipit të REL-it nuk i është lejuar që t’i afrohet ndërtesës ku po kryet aksioni. Gazetarëve të REL-it u është thënë se bëhet fjalë për një banesë private.

    Kjo nuk është hera e parë që Policia e Kosovës kryen aksione kundër drogës, apo kundër kriptovalutave në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

    Në shkurt të këtij viti policia zbuloi tre laboratorë droge në Mitrovicë të Veriut.

    Po ashtu, në maj të vitit të kaluar, policia kishte shkatërruar dy laboratorë droge në Izvor, afër kufirit me Serbinë, ku ishin gjetur edhe sasi të mëdha të bimëve narkotike, të llojit marihuanë. Në prill të atij viti, ishte shkatërruar një laborator droge në Zveçan dhe ishin arrestuar katër serbë.

    Autoritetet e rendit gjithashtu kanë kryer disa aksione në Kosovë – përfshirë në veri – kundër mihjes së kriptovalutave.

  • Propaganda serbo-ruse falsifikon edhe viktimat boshnjake si ato shqiptare

    Propaganda serbo-ruse falsifikon edhe viktimat boshnjake si ato shqiptare

    Ashtu sikurse ngjau me gruan simbol të eksodit të Kosovës, nënën Sherife Luta, të cilën serbët u munduan ta paraqisnin para botës si refugjate serbe, njëjtë ndodhi me boshnjaken Nermina Mujkiq.

    Fotografia e Mujkiq u keqpërdorë nga presidenti i “Republikës Srpska” në Bosnje e Hercegovinë, Milorad Dodik, i cili tha se Nermina, atëbotë foshnje, ishte gjoja viktimë e krimeve të kroatëve.

    Por, një gjë të tillë e demantoi “instraga.ba” duke publikuar një fotografi të boshnjakes Nermia Mujkiq, e cila kishte shkruar “Kjo jam unë”.

    Instraga ka publikuar një artikull ku shpjegohet se si ekspozoi foshnja e luftës nga Zhepa fabrikën e gënjeshtrave të Vuçiqit dhe Dodikut.

    Aty jepet një narrativë që demanton tërësisht pretendimet e Dodikut.

    “Prijedori është vendi i Tomashicas. Vendi ku u kryen krimet e ndërmarrjes së përbashkët kriminale të zyrtarëve më të lartë të Republikës Srpska. Vend kampi. Vendi ku u krye gjenocidi, i cili nuk u gjykua vetëm për arsye politike. Nuk kishte “stuhi” në Prijedor. Prijedori ishte Omarska dhe Keratermi. Nuk kishte refugjatë nga Prijedori. Nga Prijedori dolën të dëbuarit. Me faktin se disa të dëbuar u pushkatuan nga pas dhe u shtynë në humnerën e Korićanski stijene. Ky ishte Prijedor në gjysmën e parë të viteve nëntëdhjetë. Kurse sot është vetëm një vend gënjeshtrash.

    “Fakti që nuk e mban mend momentin kur është bërë fotografia nuk do të thotë se Nermina Mujkiq nuk e di se kush është dhe nga është. Nuk do të thotë se ajo nuk e di që nëna e saj Sabina është dëbuar nga Zhepa. Kjo nuk do të thotë se ajo nuk mund ta njohë nënën e saj.

    “Nermina Mujkiq, foshnja e dëbuar nga Zhepa, e mposhti “Olujen” nga Prijedori vetëm me një fjali. Dhe Aleksandar Vuçiqin e Milorad Dodikun. Dhe një fabrikë e plotë gënjeshtrash në të dy anët e Drinës.

    “Kjo jam unë, në krahët e mamasë sime.

    “Dhe ajo nuk duhet të kishte thënë asgjë më shumë. Ajo tha gjithçka për veten dhe regjimet në Beograd dhe Banja Lluka.

    “Ajo quhet Nermina Mujkiq. Nëna e saj është Sabina Mukiq. Është nga Zhepa. Ajo u dëbua në korrik 1995. Ajo nuk është serbe. Ajo është boshnjake. Nuk është nga Kroacia, është nga Podrinja boshnjake. Ajo nuk është viktimë e krimeve kroate. Ajo është viktimë e krimeve serbe. Ashtu si mijëra boshnjakë të tjerë nga Prijedori, ku u shënua përvjetori i ‘Stuhisë’ kroate”, shkruan Instraga mes tjerash.

    Lidhur me këtë ka reaguar drejtori i Institutit Octopus, Agim Musliu, i cili ka thënë se shtrembërimi i së vërtetës duke i paraqitur viktimat e shkaktuara nga ta si viktima serbe është metodë serbe dhe ruse.

    “Kjo është metodë ruse dhe serbe. Viktimat e shkaktuara prej tyre, duke u konvertuar si viktima serbe. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me këtë foto nga Kosova”, ka shkruar Musliu në Twitter.

    Kujtojmë se, dy vjet më parë, Ambasada ruse në Afrikën e Jugut, keqpërdori fotografinë e nënës Sherife Luta, duke i ndërruar kombësinë në përpjekje për të shtrembëruar të vërtetën.

    Fotografia e saj u manipulua dhe u përdorë në tweetin propagandues të Ambasadës ruse, në përvjetorin e bombardimeve të NATO-s, për çka pati shkruar KosovaPress.

  • “Financial Times”: Humbjet e kompanive evropiane për shkak të luftës arrijnë në 100 miliardë euro

    “Financial Times”: Humbjet e kompanive evropiane për shkak të luftës arrijnë në 100 miliardë euro

    Humbjet e kompanive evropiane në tregun rus arrijnë në të paktën 100 miliardë euro që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

    Këto shifra janë raportuar nga Financial Times, pas një sondazhi të raporteve vjetore dhe pasqyrat financiare të vitit 2023 për të paktën 600 grupe evropiane.

    Sipas raportit rreth 176 kompani rezultojnë se janë drejt mbylljes. Ndërkohë lufta në Ukrainë ka arritur në ditën e saj të 530. Moska vazhdon të kryejë sulme të reja në të gjithë Ukrainën me raketa dhe me dronë.

    Si pasojë e sulmeve ministri ukrainas Kuleba i ka bërë thirrje Perëndimit që të mbështesë vendin me armë.

  • Policia bën “kërdinë” në Prishtinë, rreth 452 masa në ditë për kundërvajtje në trafik

    Policia bën “kërdinë” në Prishtinë, rreth 452 masa në ditë për kundërvajtje në trafik

    Policia në rajonin e Prishtinës ka njoftuar se vetëm në muajin korrikka shqiptuar 14,009 masa administrative për kundërvajtje të ndryshme në trafikun rrugor. Që në ditë i bie rreth 452 masa.

    Për tejkalim i shpejtësisë janë shqiptuar 4082 gjoba, për parking të parregullt 3019 gjoba, për përdorim të telefonit gjatë ngasjes 1172 gjoba, për mospërdorim i rripit të sigurisë 907 gjoba, për drejtim të mjetit pa patentë shofer 321 gjoba, për xhamat të errët dhe vendosja e foljes ose materialit tjetër 285 gjoba, për skadim të afatit të regjistrimit të automjetit 280 gjoba, për tejkalim në vijë të plotë 48 gjoba, për drejtimi të motoçikletës pa patentë shofer 25 gjoba, motoçikleta të larguara nga komunikacioni 18, për drejtim të motoçikletës pa regjistrim 14 gjoba, për drejtim të automjetit nën ndikimin e alkoolit 5 gjoba ndërsa të tjera 3851.

    Për kundërvajtjet më të rënda janë shqiptuar edhe: 24 masa administrative, shqiptimi i masës mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik – marrja e përkohshme e patentë shoferit. 112 masa administrative, vazhdim i masës mbrojtëse. Dhe 72 masa administrative, shqiptimi i masave mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik, marrja e përkohshme e patentë shoferit të huaj.

    “Me gjithë faktin se policia në vazhdimësi është angazhuar në kontrollin për zbatimin e rregullave të trafikut nga të gjithë shfrytëzuesit e rrugës duke synuar uljen e numrit të kundërvajtjeve në trafik dhe ngjarjeve aksidentale, është parë e nevojshme që krahas kontrolleve të strukturave të policisë të punohet edhe në drejtim të ndërgjegjësimit të qytetarëve për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor”, njoftoi policia.

    Policia e rajonit të Prishtinës thotë se do të vazhdojë me aktivitete të shtuara, me synim parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor, ndërkaq ftojmë të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor që të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe të shtojnë kujdesin.

  • Këshilltarja e Kurtit thotë se u ndalua mbi një orë nga policia serbe në kufi

    Këshilltarja e Kurtit thotë se u ndalua mbi një orë nga policia serbe në kufi

    Ardita Sinani, këshilltarja politike e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është ndaluar nga policia serbe për mbi një orë në vendkalimin kufitar Muçibabë.

    Sinani ka thënë se nuk ka marrë asnjë sqarim për arsyen e ndalimit ndërsa ka theksuar se ky rast do të jetë shtyje më e madhe për të folur me zë të lartë për diskriminim shtetëror serb ndaj shqiptarëve.

    Derisa ka njoftuar për rastin, Sinani ka shkruar se “kjo mbase mund të jetë kostoja e të qenurit Këshilltare Politike e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, por sigurisht nuk do të jetë mjeti me të cilin do të heshtet zëri për të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës”.

    Ky është shkrimi i saj në Facebook:

    Sot, rreth orës 10:00 në vendkalimin kufitar me Republikën e Kosovës, në Muçibabë, jam ndaluar nga policia kufitare serbe për mbi një orë.

    Arsyetimi i vetëm që mu dha nga policët kufitarë të Serbisë “Kemi urdhër për ndalimin tuaj dhe nuk mund të të lejojmë ta kalosh kufirin pa marrë pëlqim nga baza”.

    Asnjë sqarim shtesë për arsyen, apo se kush është baza që duhet pyetur dhe marrë leje për të kaluar kufirin.

    Kjo mbase mund të jetë kostoja e të qenurit Këshilltare Politike e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, por sigurisht nuk do të jet mjeti me të cilin do të heshtet zëri për të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

    Ky rast, sigurisht do të jetë vetëm shtytje edhe më e madhe për të folur me zë edhe më të lartë për diskriminimin shtetërorë serb ndaj shqiptarëve.

    E ndalimi nga policia në kufi, është vetëm njëra ndër to, e që është edhe metodë e vjetër politike e shtypjes e etërve politik të udhëheqësve aktual të Serbisë.

  • “Der Spiegel” analizë për Vuçiqin: Zjarrëvënës i Ballkanit, e luan kartën e Kosovës për pushtet

    “Der Spiegel” analizë për Vuçiqin: Zjarrëvënës i Ballkanit, e luan kartën e Kosovës për pushtet

    Gazeta prestigjioze gjermane “Der Spiegel” i ka kushtuar një artikull tejet të gjatë e të detajuar Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të cilin e quan “zjarrëvënësin” e mundshëm të rajonit të Ballkanit Perëndimor, duke analizuar mënyrën se si ai e luan politikën në mes të Perëndimit dhe Lindjes, Brukselit e Uashingtonit në njërën anë, dhe Moskës dhe Pekinit në anën tjetër.

    “Der Spiegel” i kushton rëndësi të veçantë edhe veprimeve që Beogradi zyrtar ndërmerrë në raport me Kosovën, teksa zgjerohet edhe në ngjarjen e rëndë të 29 majit ku protestues të dhunshëm “besnikë ndaj Vuçiqit” sulmojnë Misioni Paqeruajtës të NATO’s, ku mëse 90 prej tyre u lënduan. Më tej, vazhdon gazeta gjermane, Vuçiq e “përdor kartën e Kosovës”, për të qëndruar dhe rritur pushtetin e tij – si brenda vendit të vet, ashtu edhe jashtë.

    “Kosova është nyja gordiane në pëlhurën evropiane dhe karta më e madhe e Aleksnadar Vuçiqit në lojën e pokerit për pushtet dhe pozitë në Ballkan. Legjione diplomatësh të lartë në emër të Brukselit dhe Uashingtonit kanë dështuar në zgjidhjen e problemit. Vuçiqit as që i shkon ndërmend të shes letrën e tij të pazarit nën vlerë”, shkruan gazeta gjermane.

    “Në përgjithësi gjërat kanë dalur jashtë kontrollit në rajon. Në fund të majit ushtarë të forcës mbrojtëse të KFOR’it u përshkuan nga minoretit serb i Kosovës që i qëndron besnik Vuçiqit”.

    Për Presidentin e Serbisë, autori i gazetës gjermane tregon se si ai e “e advokon veten si mbrojtës të të gjithë serbëve, përfshirë ato në Bosnje-Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kosovë”.

    “Kisha e fuqishme Ortodokse Serbe ka rol qëndror në kalkulimet e tij. Ajo i mban të lidhur mes vete 15 milionë serbë ortodoksë anembanë botës me kthetër të hekurtë”, thuhet më tej.

  • Policia e Prishtinës shqiptoi mbi 14 mijë gjoba për kundërvajtje në trafik gjatë korrikut

    Policia e Prishtinës shqiptoi mbi 14 mijë gjoba për kundërvajtje në trafik gjatë korrikut

    Policia e rajonit të Prishtinës njofton se vetëm për muajin korrik ka shqiptuar 14,009 masa administrative për kundërvajtje të ndryshme në trafikun rrugor.

    Me theks të veçantë:

    – Tejkalim i shpejtësisë, 4082 gjoba.

    – Parking i parregullt, 3019 gjoba.

    – Përdorimi i telefonit gjatë ngasjes, 1172 gjoba.

    – Mos përdorimi i rripit të sigurisë, 907 gjoba.

    – Drejtimi i mjetit pa patentë shofer , 321 gjoba.

    – Xhamat e errët , vendosja e foljes ose materialit tjetër, 285 gjoba.

    – Skadimi i afatit të regjistrimit të automjetit, 280 gjoba.

    – Tejkalim në vijë të plotë, 48 gjoba.

    – Drejtimi i motoçikletës -pa patentë shofer, 25 gjoba.

    – Motoçikleta të larguara nga komunikacioni 18.

    – Drejtimi i motoçikletës -pa regjistrim, 14 gjoba.

    – Drejtimi i automjetit nën ndikimin e alkoolit, 5 gjoba.

    – Të tjera , 3851.

    Për kundërvajtjet më të rënda janë shqiptuar edhe;

    – 124 masa administrative, shqiptimi i masës mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit

    me veprim motorik– marrja e përkohshme e patentë shoferit.

    – 112 masa administrative, vazhdim i masës mbrojtëse.

    – 72 masa administrative, shqiptimi i masave mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik, marrja e përkohshme e patentë shoferit të huaj.

    “Policia e rajonit të Prishtinës do të vazhdojë me aktivitete të shtuara, me synim parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor, ndërkaq ftojmë të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor që të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe të shtojnë kujdesin”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • “Bon Vivanti” nuk hapet për klientët, pas vrasjes së të premtes

    “Bon Vivanti” nuk hapet për klientët, pas vrasjes së të premtes

    Lokali i njohur e shumë i frekuentuar në kryeqytet “Bon Vivant”, të hënën nuk është hapur për klientët, raporton Ekonomia Online. Pas përleshjes së të premtes ku mbeti i vrarë një person lokali, nuk ka pranuar mysafirë, që janë të shumtë.

    Përderisa është raportuar se mbrëmë ka pasur të shtëna me armë zjarri në afërsi të Klinikës ku po trajtohet Andi Pajaziti “italiani”, i dyshuari për përfshirjen në incidentin në lokalin “Bon Vivant”, të premten mbrëma, ku u vra një person dhe u plagosën 17 të tjerë.

    Drejtori i Klinikës së Ortopedisë, Gani Jashanica i tha Ekonomia Online, se ka marrë informacione jo zyrtare se ka pasur të shtëna e shtim të forcave policore, por që në Klinikë nuk ka ndodhur asgjë.

    Të dielën, Gjykata Themelore e Prishtinës, ua ka caktuar nga një muaj paraburgim tre të dyshuarve që ishin të përfshirë në incident.

    Njëri nga të dyshuarit Dukagjin Nikolla, i cili është në kërkim edhe nga FBI, është ende në arrati. Nga përplasja në “Bon Vivant” një person ka mbetur i vdekur dhe 17 të tjerë janë lënduar.

  • Deçan: Burri dhe gruaja vdesin në të njëjten ditë

    Deçan: Burri dhe gruaja vdesin në të njëjten ditë

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Dubovik të Deçanit. Një çift bashkëshortor, burrë dhe grua kanë vdekur brenda të njëjtës.

    Gruaja me inicialet Gj.B, ka vdekur në Bjeshkët e Deçanit. E pak orë më pas ka vdekur edhe burri, S.B.

    Kjo u konfirmua nga një banor i fshatit Dubovik.

    “Ata kanë qenë në Bjeshkë. Vdekjet kanë qenë natyrale. Gruaja ka pësuar infarkt. Burri është munduar t’i dal në ndihmë gruas, duke shkuar tek disa fqinj ka pësuar sulm”, tha ai për Klankosova.tv

    “Burri ka qenë edhe i sëmurë. Para një kohe ka pasur sulm në tru”, theksoi ai.

    Varrimi i tyre bëhet sot në ora 17:00.