ATV

Category: Lajme

  • Ulet çmimi i naftës

    Ulet çmimi i naftës

    Çmimet e naftës pësuan një rënie të lehtë të hënën nga nivelet e çmimeve maksimale të arritura të premten.

    Standardi ndërkombëtar i naftës së papërpunuar Brent, u tregtua me 86,07 dollarë për fuçi, një ulje prej 0,19% nga çmimi i së premtes prej 86,24 dollarë për fuçi.

    Standardi amerikan West Texas Intermediate (WTI) tregtohej në të njëjtën kohë me 82,66 dollarë për fuçi, 0,19% më pak nga mbyllja e sesionit të së premtes prej 82,82 dollarë për fuçi, raporton agjencia Anadolu.

    Rritja e çmimeve të naftës të premten u nxit nga shqetësimet për mungesën e furnizimit pas njoftimeve për frenim të furnizimit nga Arabia Saudite dhe Rusia.

    Faktorët si ritmi i ngadaltë i rimëkëmbjes ekonomike të Kinës dhe pasiguritë lidhur me atë se sa Arabia Saudite dhe Rusia do të reduktonin prodhimin dhe eksportet në përgjigje të kushteve globale të stokut të papërpunuar po ndikojnë në lëvizjen e tregut të naftës.

    Investitorët do të monitorojnë raportet e ardhshme nga OPEC (Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës) dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, të cilat do të paraqesin informacion mbi gjendjen e tregut të naftës, statistika mbi ofertën dhe kërkesën dhe parashikimet e tregut.

  • Arrestohet një 52-vjeçar në Vushtrri, i dyshuar për armëmbajtje pa leje

    Arrestohet një 52-vjeçar në Vushtrri, i dyshuar për armëmbajtje pa leje

    Policia e Kosovës në Vushtrri ka arrestuar një person të dyshuar për armëmbajtje pa leje. I dyshuari 52 – vjeçar mban inicialet B.B dhe është arrestuar në rrugën “Faruk Beqiri”.

    Sipas Policisë, arrestimi është bërë rreth orës 03:00 derisa një patrulluese në një pikë kontrolli ka ndaluar veturën me targa vendore e cila drejtohej nga i dyshuari.

    Gjatë kontrollit, të dyshuarit i janë gjetur dhe konfiskuar një armë me 15 fishekë, një shufër metali, një palë dorëza, një kapelë maskë e zezë dhe një mjet i mprehtë.

    “Lidhur me rastin, në cilësi të të dyshuarit është intervistuar B.B., 52 vjeçar, shtetas i Republikës së Kosovës, ndërsa pas intervistimit me urdhër të prokurorit të rastit të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

  • ​Balla: Do të bëjmë çmos që gjaku i dëshmorëve të mos tradhtohet nga policia

    ​Balla: Do të bëjmë çmos që gjaku i dëshmorëve të mos tradhtohet nga policia

    Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka kryer homazhe në nder të policëve të rënë në krye të detyrës.

    Përmes një postimi në Facebook, Balla ka përkujtuar 20-vjetorin e ndarjes nga jeta të komisar Gani Malushit, i cili u ekzekutua me breshëri plumbash në vitin 2003.

    “Sot 20 vite më parë Policia e Shtetit humbi një nga oficerët e saj më të mirë, për nga përgjegjësitë e vështira që mori mbi supe dhe standardin e ndershmërisë dhe profesionalizmit që ai vendosi me punën e tij. Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit do t’i jenë gjithmonë mirënjohës Komisar Gani Malushit, Dëshmor i Atdheut, për gjithçka ai bëri për rivendosjen e shtetit dhe të ligjit në Tropojë, Berat, Librazhd, Krujë, Kukës etj”, tha Balla.

    Balla shprehu mirënjohjen ndaj tij dhe dëshmorëve të tjerë, ndërsa premton se do të bëjë gjithçka që gjaku i tyre të mos tradhtohet më kurrë nga brenda Policisë së Shtetit.

    “Po sot 14 vite më parë, po në Durrës, ranë në krye të detyrës katër dëshmorët e Atdheut: Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj, dhe Sajmir Duçkollari, të cilëve jemi gjithashtu mirënjohës dhe do të bëjmë gjithçka që gjaku i tyre të mos tradhtohet më kurrë nga brenda Policisë së Shtetit”, vijoi ministri.

    Po ashtu, Balla theksoi qëndrimin e tij për të pastruar brenda Policisë së Shtetit lidhjet me krimin.

    “Prej ditës së parë në krye të Ministrisë së Brendshme kam kërkuar dhe do të bëj gjithçka të pastroj brenda Policisë së Shtetit fijet e rrjedhjes tek krimi të informacioneve sensitive të punës dhe aksioneve policore. Ky është për mua një karshillëk poshtërues për gjakun e dëshmorëve të Policisë së Shtetit dhe për çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë. Përveçse është edhe shembulli më i keq dhe më demotivues, për punonjësit e Policisë në vartësinë e drejtorëve dhe shefave, që tradhtojnë shokët dhe misionin e Policisë së Shtetit,” shkruan Balla.

  • Nga 2019-ta tetë burra u dënuan me burgim të përjetshëm, ende asnjë dënim s’ka marrë epilog përfundimtar

    Nga 2019-ta tetë burra u dënuan me burgim të përjetshëm, ende asnjë dënim s’ka marrë epilog përfundimtar

    Gjykatat e Republikës së Kosovës, brenda viteve 2019-2023, kanë shpallur tetë aktgjykime me burgim të përjetshëm ndaj tetë personave, ku asnjë dënim i shqiptuar i kësaj natyre nuk ka marrë epilog.

    Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës dënimi me burgim të përjetshëm shqiptohet për veprat penale më të rënda të kryera në rrethana rënduese ose për veprat penale që kanë shkaktuar pasoja shumë të rënda.

    Sipas Kodit, burgimi i përjetshëm nuk mund t’i shqiptohet personit i cili në kohën e kryerjes së veprës penale nuk i ka mbushë njëzetenjë vjet dhe personit i cili në kohën e kryerjes së veprës penale ka pasur aftësi esenciale të zvogëluara mendore.

    Këtë dënim maksimal, gjykatat e Kosovës e kanë shqiptuar ndaj të akuzuarve Shefki Spahiu, Bajram Velija, Pjetër Ndrecaj, Trimor Lalinovci, Naser Pajazitaj, Gani Kriezi, Nuhi Mavroqani dhe Dardan Krivaqa, që të gjithë të akuzuar për vrasje të rëndë,  raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Dënimet me burgim të përjetshëm në Kosovë të shqiptuar ndaj të akuzuarve të lartcekur, asnjëherë nuk kanë arritur të marrin epilog. Të gjitha aktgjykimet e shpallura me këtë dënim maksimal nuk kanë marrë vendimin e formës së prerë, pasi të njëjtat janë shfuqizuar nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme e Kosovës.

    Supremja ka liruar nga akuza njëri nga rastet kur ky dënim është shqiptuar, kurse në rastet tjera nga Apeli dhe Supremja dënimi është zbutur në 25-30 vite burgim.

    Vrasja e punëtorit J.A nga ish-polici Shefki Spahiu në një kazino në Suharekë

    Punëtori i kazinosë në Suharekë, J.A, nga ish-polici Shefki Spahiu ishte qëlluar nga një distancë 1 metër në pjesën ballore të kokës, duke shkaktuar vdekjen e të njëjtit.

    Për këtë, Gjykata Themelore në Prizren më 24 shtator 2020, Spahiun e kishte shpallur fajtor dhe e kishte dënuar me burgim të përjetshëm.

    Ndërsa më 2 prill 2021, Gjykata e Apelit e kishte refuzuar ankesën e mbrojtjes së Spahiut dhe kishte vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë.

    Mirëpo, dënimin me burgim të përjetshëm e kishte ndryshuar Gjykata Supreme e Kosovës, e cila ndaj Spahiut kishte shqiptuar dënimin prej 25 vitesh.

    Sipas Supremes, gjykata e shkallës së parë me rastin e vendosjes për llojin dhe lartësinë e dënimit ka marrë për bazë vetëm rrethanat rënduese dhe disa prej tyre gabimisht i ka cilësuar si të tilla. E njëjta kishte  vlerësuar se nuk bëhet fjalë për rrethana veçanërisht të rënda nën të cilat është kryer vepra penale e vrasjes së rëndë.

    Bajram Velija vrau bashkëshorten me 14 plumba në Prizren

    Ngjarja e 6 gushtit 2020 kishte tronditur qytetin e Prizrenit, kur Bajram Velija kishte shtënë 15 herë në drejtim të bashkëshortes së tij, V.A-V. duke e goditur të njëjtën 14 herë në pjesë të ndryshme të trupit. Pas kryerjes së këtij veprimi, i njëjti trupin e të ndjerës e kishte mbuluar me një fustan të saj duke pritur ardhjen e Policisë.

    Gjykata Themelore në Prizren, më 1 tetor 2021, ndaj të akuzuarit Velija ka marrë vendim me burgim të përjetshëm.

    Ndërsa, Apeli me aprovimin e ankesës së mbrojtjes, dënimin me burgim të përjetshëm e kishte zbutur në 25 vite burgim

    Të njëjtin vendim, e ka vërtetuar Gjykata Supreme e Kosovës, në aktgjykimin e së cilës thuhej se Apeli ka arsyetuar mjaftueshëm zbutjen e dënimit.

     Vrasja e gruas dhe vajzës në Gjakovë nga Pjetër Ndrecaj

    Pjetër Ndrecaj akuzohej se më 7 gusht 2018, në Gjakovë, kishte qëlluar me armë bashkëshorten, V.N dhe vajzën e tij, K.N., ku të njëjtat nga plagët e marra kanë ndërruar jetë në shtëpinë e familjes së viktimës V.N.

    Në seancën e 31 tetorit 2018, Ndrecaj kishte pranuar fajësinë, me ç’rast ai kishte deklaruar se vajzën e tij nëntë vjeçare e ka vrarë në mënyrë aksidentale.

    Gjykata Themelore në Gjakovë, më 2 nëntor 2018, Ndrecajn e kishte dënuar me 24 vite burgim për vrasje të  dyfishtë dhe me dy vjet burgim për armëmbajtje pa leje. Mirëpo, Gjykata e Apelit në mars të vitit 2019, kishte ndryshuar dënimin e Themelores duke i shqiptuar dënim me burgim të përjetshëm.

    Kundër vendimit të Apelit, ankesë kishte parashtruar mbrojtësi i të akuzuarit Ndrecaj në Gjykatën Supreme e cila me aprovimin e ankesës rastin e kishte kthyer në rigjykim.

    Në rigjykim, më 10 shkurt 2020, Gjykata e Gjakovës, Ndrecajn e kishte dënuar me 24 vite e gjashtë muaj burgim. Për herë të dytë, Gjykata e Apelit kishte ndryshuar vendimin e Themelores, e cila kishte ashpërsuar dënimin, ku nga 24 vite e gjashtë muaj, Ndrecajn e kishte dënuar me 30 vite burgim.

    Trimor Lalinovci e kishte vrarë dhe djegur trupin e shokut të tij në Ferizaj

    Trimor Lanilovci më 18 dhjetor 2019 kishte vrarë Sh.B. në fshatin Surqinë të Ferizajt duke e qëlluar në pjesën e pasme të kokës dhe trupin e të ndjerit e kishte hudhur në një përrockë në fshatin Kishnapole të Komunës së Gjilanit. E gjithë kjo kishte ndodhur, pasi që Lanilovci ditën kritike nuk kishte mundur të sigurojë pagesën prej 14 mijë euro për parcelën që kishte blerë nga i ndjeri Bytyqi në shumën prej 157 mijë euro.

    Në gjykimin e zhvilluar pranë Gjykatës Themelore në Ferizaj, në shqyrtimin fillestar, Lalinovci kishte pranuar fajësinë për veprën penale vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

    Për të njëjtin, gjykata e shkallës së parë, më 26 tetor 2020 kishte shqiptuar dënimin me burgim të përjetshëm.

    Këtë dënim, e kishte ndryshuar Gjykata e Apelit, e cila dënimin me burgim të përjetshëm e kishte shëndrruar në dënim me burgim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.

    Sipas shkallës së dytë, dënimi më burgim të përjetshëm, është dënim i ashpër, duke pasur parasysh rrethanat posaçërisht lehtësuese, si pranimi i fajësisë, mosha e re e të akuzuarit si dhe keqardhja e shprehur nga ana e tij.

    Naser Pajazitaj akuzohej se kishte privuar nga jeta 24-vjeçaren, D.P., Supremja e liroi nga akuza

    Sipas aktit akuzues, më 9 nëntor 2015, në bjeshkët e Strellcit, Komuna Deçan, e pikërisht në vendin e quajtur te “Kroni i Lajthisë”, Pajazitaj akuzohej se me armë në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta viktimën D.P. nga po i njëjti fshat.

    Ky rast kishte marrë epilog dy herë në Gjykatën Themelore në Pejë, ku pas gjykimit të parë Pajazitaj ishte shpallur i pafajshëm, kurse pas gjykimit të dytë, ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm. Por, në të dy rastet, aktgjykimet ishin anuluar nga Gjykata e Apelit, përkatësisht Gjykata Supreme dhe lënda ishte kthyer në rigjykim.

    Më 23 qershor 2022, Gjykata Themelore në Ferizaj, në rigjykim e ka dënuar me dënim të përjetshëm Naser Pajazitajn, i akuzuar për vrasjen e D.P në nëntor të 2015-ës.

    Mirëpo, të njëjtin më 6 prill 2023, Gjykata Supreme e Kosovës e ka liruar nga akuza. Sipas arsyetimit të aktgjykimit të Supremes, nuk është provuar fajësia se i dënuari Pajazitaj ka kryer veprën për të cilën akuzohej.

    Nuhi Mavroqani kishte vrarë bashkëshorten e tij, S.M me shufër metalike

    Nuhi Mavroqani, nga Gjykata Themelore e Gjilanit më 4 dhjetor 2020 ishte dënuar me burgim të përjetshëm për akuzën për vrasje të rëndë, mirëpo Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim.

    Në rigjykim, gjykata e shkallës së parë e kishte dënuar me 25 vite burgim të akuzuarin Mavroqani, ndërsa të njëjtin vendim më 16 shkurt 2022 e ka vërtetuar Gjykata e Apelit.

    Gani Kriezi ka vrarë dhe djegur trupin e vëllait të tij në fshatin Bërnjak të Rahovecit

    Gani Kriezi kishte privuar nga jeta vëllain e tij, B.K., në shtëpinë e të ndjerit e cila gjendet larg shtëpisë së tij rreth 40 metra. I njëjti kishte shtënë me armë 3-4 herë në drejtim të ndjerit duke e goditur me predha në gjoks duke e lënë të vdekur në vend. Sipas aktit akuzues, Kriezi e kishte marrë kufomën dhe duke e tërhequr zvarrë me një batanije, e vendos në oborr të shtëpisë dhe e mbulon me materiale të ndryshme si: dru, plastika, thasë letre, dërrasa, letër të zezë, e gjëra tjera, të cilat më pas i ndez duke krijuar një zjarr të madhe i cili qëndron i ndezur 2-3 ditë dhe më pas mbeturinat se bashku me disa mbetje kockore të tani të ndjerit i hedh jashtë shtëpisë në një vend deri tani të pa identifikuar më qëllim për t’i zhdukur gjurmët krimit.

    Për këto veprime, Gjykata Themelore në Gjakovë më 8 shkurt të këtij viti ka shpallur aktgjykim dënues duke e dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

    Kundër këtij aktgjykimi, palët e kanë të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit.

     Dardan Krivaqa u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjes e M.O.

    18 vjeçarja M.O. u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt.

    Sipas aktakuzës, Dardan Krivaqa akuzohet se më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale dhe e kishte abuzuar e maltretuar në forma të ndryshme.

    Gjykata Themelore në Ferizaj, pas 9 seancave të zhvilluara, të akuzuarin Krivaqa më 4 gusht 2023 e ka dënuar me burgim të përjetshëm.

    Kundër këtij aktgjykimi, palët e kanë të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit.

  • Rama: Xhamia e Plumbit në Shkodër do të jetë një destinacion atraktiv turistik

    Rama: Xhamia e Plumbit në Shkodër do të jetë një destinacion atraktiv turistik

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se është duke u renovuar Xhamia e Plumbit në Shkodër.

    Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se ky objekt fetar do të jetë një destinacion turistik, me këtë gjë Rama u ka uruar të gjithëve javë të mbarë.

    “Mirëmëngjes dhe nga kantieri i punës në Xhaminë e Plumbit, për kthimin e këtij tempulli jo vetëm besimtarëve, por edhe Shkodrës, si një tjetër destinacion atraktiv turistik, ju uroj një javë të mbarë”, ka shkruar Rama.

  • Sllovenia në luftë me katastrofën më të rëndë natyrore

    Sllovenia në luftë me katastrofën më të rëndë natyrore

    Pas përmbytjeve të mëdha në Slloveni ky vend ka kërkuar ndihmën e NATO-s dhe BE. Sllovenisë i duhen helikopterë të rëndë ushtarakë me një aftësi mbajtëse 5 tonë për transporte dhe 200 ushtarë për detyra të mbrojtjes nga katastrofa dhe shpëtimi. Nga BE Sllovenia kërkon 30 ekskavatorë shpëtimi dhe 30 makineri speciale për kontrollin e ujërave dhe inxhinierë.

    Ndërkohë kanë filluar evakuimet pas shkatërrimit të një dige në lumin Mur. 500 vetë duhet të largoheshin me shpejtësi nga fshati Bistricë, raportuan mediat lokale. Por edhe zona të tjera janë të rrezikuara thuhet nga autoriteti i mbrojtjes së katastrofave natyrore.

    Kjo është katastrofa më e madhe natyrore në historinë e shtetit të ri ballkanik, të pavarësuar në vitin 1991 nga ish-Jugosllavia. Kryeministri slloven, Robert Golob e vlerësoi dëmin në më shumë se 500 milionë euro. Më së shumti është dëmtuar infrastruktura e rrugëve, ajo energjitike si edhe disa qindra ndërtesa. Shumë fshatra sllovenë janë izoluar pas katastrofës. Forcat e shpëtimit dërgojnë ushqime me helikopterë. Lagështia e lartë e tokës rrit probabilitetin e rrëshqitjeve të tokës, sipas Shërbimit Gjeologjik të Sllovenisë. Edhe në Austri kërcënojnë rrëshqitje masive të dherave në shpate malore pas shirave të mëdha. Më të prekura nga moti i keq janë Kärnten dhe Steiermark./DW

  • Kina publikon dokumentar për aftësinë e ushtrisë për të sulmuar Tajvanin

    Kina publikon dokumentar për aftësinë e ushtrisë për të sulmuar Tajvanin

    Kina ka publikuar një dokumentar të ri lidhur me gatishmërinë e ushtrisë së saj për të sulmuar Tajvanin. Në këtë dokumentar janë shfaqur ushtarët duke bërë betimin për të dhënë jetën e tyre nëse është e nevojshme, përderisa Pekini vazhdon të ashpërsojë retorikën ndaj ishullit vetëqeverisës.

    “Ndjekja e ëndrrave”, një dokumentar me tetë pjesë, u transmetua nga transmetuesi shtetëror CCTV më herët gjatë kësaj jave për të shënuar 96-vjetorin e Ushtrisë Popullore Çlirimtare. Në të u shfaqën stërvitjet ushtarake dhe dëshmitë e dhjetëra ushtarëve, disa prej të cilëve shprehën vullnetin e tyre për të vdekur në një sulm të mundshëm kundër Tajvanit.

    Kina pretendon se Tajvani – një demokraci vetëqeverisëse – është pjesë e territorit të saj dhe do të pushtohet edhe me forcë, nëse është e nevojshme.

    Media shtetërore dhe ushtria kineze shpesh publikojnë materiale propaganduese, duke shfaqur modernizimin e ushtrisë, por edhe stërvitjet ushtarake.

    Këto materiale përdoren për të rritur nacionalizmin kinez dhe për të shfaqur besimin e ushtrisë kundër Tajvanit, dhe në mënyrë implicite, raportet e ishullit me Shtetet e Bashkuara.

    SHBA-ja nuk e njeh Tajvanin si shtet sovran, por është zotuar se do ta ndihmojë ishullin që të mbrojë veten në rast të një pushtimi.

    Muajin e kaluar, Shtëpia e Bardhë njoftoi për një paketë të ndihmës ushtarake për Tajvanin në vlerë prej 345 milionë dollarësh. Ky vendim u kritikua nga Pekini.

    Dokumentari “Ndjekja e Ëndrrave” shfaqi, mes tjerash, stërvitjet ushtarake të quajtura “Shpata e Përbashkët”, në të cilat u simuluan goditjet precize ndaj Tajvanit. Këto stërvitje u mbajtën në prill rreth ishullit vetëqeverisës pasi presidentja tajvaneze, Tsai Ing-wen, vizitoi SHBA-në.

    Në dokumentar janë shfaqur edhe tri anijembajtëse kineze duke lundruar me disa luftanije të tjera.

    Ushtria kineze muajve të fundit ka dërguar luftanije në Ngushticën e Tajvanit, që janë parë si kërcënim ndaj Tajvanit. Po ashtu, ushtria ka kaluar vijën ndarëse në këtë ngushticë dhe zonën joformale të demarkacionit mes dy shteteve, shpesh për të kundërshtuar ndërveprimet mes Tajvanit dhe SHBA-së.

  • Dënohet me gjashtë muaj burgim mërgimtari i akuzuar për kanosjen e deputetes Ganimete Musliu

    Dënohet me gjashtë muaj burgim mërgimtari i akuzuar për kanosjen e deputetes Ganimete Musliu

    Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Driton Maloku, duke e dënuar me gjashtë muaj burgim, pasi i njëjti e kishte pranuar fajësinë se ka kanosur deputeten e Kuvendit të Kosovës, Ganimete Musliu.

    Aktgjykmi ndaj të akuzuarit Maloku, u shpall të hënën nga gjykatësi Driton Berisha, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Gjykatësi Berisha tha se dënimi me burgim ndaj Malokut, mund të zëvendësohet në dënim me gjobë në shumën prej 5 mijë euro, me pëlqim të të akuzuarit.

    Dënimi me burgim do të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh pasi që aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.

    I akuzuari obligohet që të paguajë edhe shpenzimet procedurale aq sa do të llogariten nga gjykata, si dhe shumën prej 50 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 20 euro të tjera për fondin e kompensimit të viktmave të krimit.

    E dëmtuara Ganimete Musliu, për realizimin e kërkesës pasurore-juridike është udhëzuar në kontest civil.

    Palët e pakënaqura kundër këtij aktgjykimi kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh.

    Sipas aktakuzës së përpiluar më 18 maj 2023, thuhet se më 23 dhjetor 2022 rreth orës 17:16, derisa e dëmtuara Ganimete Musliu ishte në veturën e saj në lagjen e “Spitalit” në Prishtinë, i akuzuari Driton Maloku përmes telefonit mobil e kanos të dëmtuarën Ganimete Musliu në cilësinë e deputetes së Kuvendit të Kosovës me fjalë “A je ti Ganimetja, ty duhet me te zhduk” e pas disa minutash rreth orës 17:35 i dërgon një mesazh përmes telefonit mobil me tekstin “Përshëndetje Ganimete, Aje tu ma kry qat pun me shti qat personin ne pun per qka je pagu a po i kthen qato 20,000.00 euro qe mi ke mar për me kry pun”, me çka tek e dëmtuara Ganimete Musliu ka shkaktuar ndjenjën e frikës, ankthit dhe pasigurisë për jetën dhe trupin e sajë.

    Me këtë, i akuzuari Maloku ngarkohej se ka kryer veprën penale kanosja nga neni 181, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Dënimi maksimal për këtë vepër penale parashihet pesë vite burgim.

  • Zbulohet identiteti i 19-vjeçarit shqiptar që u mbyt në det pasi hyri ta shpëtojë të dashuren

    Zbulohet identiteti i 19-vjeçarit shqiptar që u mbyt në det pasi hyri ta shpëtojë të dashuren

    Një 19-vjeçari ka vdekur në Itali pasi u mbyt në det.

    Ngjarja tragjike ndodhi gjatë së dieles, derisa ky vendosi që ta kalonte kohën me të dashurën e tij.

    I riu hyri në deti për ta shpëtuar, por nuk arriti të dilte nga aty.

    Mediat italiane raportuan për identitetin e shqiptarit.

    Bëhet fjalë për Anxhelo Carën.

    Ngjarja e rëndë ndodhi në plazhin në Baia Verde.

  • Kush është Endrit Nika, i akuzuari për vrasjen e të dashurës argjentinase në hotelin e Fushë Kosovës

    Kush është Endrit Nika, i akuzuari për vrasjen e të dashurës argjentinase në hotelin e Fushë Kosovës

    Vazhdon raportimi i mediave spanjolle për mënyrën e vdekjes së argjentinases Maria Clara Urdangaray 27 vjeçe, e cila dyshohet se vra nga partneri i saj kosovar javën e kaluar në Fushë Kosovë.

    Vajza ndodhej me pushime në Kosovë me partnerin e saj kur humbi jetën pasi u rrëzua nga kati i gjashtë i një hoteli.

    Fillimisht u raportua për një rënie nga ballkoni, por më vonë doli krejt diçka tjetër. Të premten policia e Kosovës arrestoi partnerin e viktimës, Endrit Nika, 31-vjeçari kosovar me dokumente zvicerane.

    E gjithë ngjarja ka ndodhur në orët e para të së martës së kaluar në një ndërtesë në Fushë Kosovë, ku María Clara ndante dhomën me Endrit Nikën, raporton Gazeta Express.

    Dyshohet se mes tyre ka pasur një debat para rënies së gruas së re.

    Edhe pse María Clara u transferua me shpejtësi në Qendrën Klinike të Universitetit të Kosovës, ajo nuk arriti të mbijetojë për shkak të lëndimeve të rënda që la rënia.

    “Është një femicid”

    Si nëna ashtu edhe babai i viktimës e morën vesh se çfarë ndodhi kur një shoqe e María Clara-s që jeton në Spanjë e pa lajmin në rrjetet sociale dhe u tha atyre. Po atë ditë, prindërit e saj raportuan se djali me të cilin ajo jetonte, e kishte vrarë.

    “Vajza ime kishte folur me mamanë e saj dhe e kishte përshkruar të dashurin si një femëror dhe shumë xheloz. Është një femicide, jam i bindur,” tha Facundo Urdangaray, babai i María Clara.

    “Ata u grindën pas festës së vëllait, ai do të kishte rënë në mendje nga droga dhe alkooli dhe do ta shtynte nga ballkoni. Ishte shumë e rëndë dhe foshnja ime vdiq në spital.”

    Të premten policia ka urdhëruar arrestimin e Nikës

    Kush është i dyshuari për vrasjen e Maria Klarës?

    Endrit Nika, arkitekt, është 31 vjeç dhe në rrjetet e tij sociale ishte adhurues i futbollit -sidomos i Barcelonës-, i armëve dhe i jetës së mirë. Burri ndau disa foto gjatë netëve jashtë me miqtë dhe mund të shihet në disa nga postimet e tij duke udhëtuar nëpër Evropë dhe në makina

    Maria Clara, e cila kishte jetuar në Evropë për nëntë muaj, e takoi atë në një udhëtim dhe ata shpejt u transferuan në Zvicër.

    “Ajo na dërgoi video të dasmës në të cilën ishte. Ajo dukej mirë, e lumtur,” tha Facundo Urdangaray, babai i gruas së vrarë.

    A ishin fejuar?

    Në orët e fundit tërhoqi vëmendjen përshkrimi kurioz i shpërndarë si nga i dyshuari kryesor për vrasje, po ashtu edhe nga Klara në rrjetet e tyre sociale.

    Si Endriti ashtu edhe Klara kishin në përshkrimet e tyre një unazë fejese me emrin dhe inicialin e partnerit.

    E gazeta zvicerane Blick shkruan se Endriti donte që në dasmën e vëllait ta kishte edhe të dashurën me të cilën ishte lidhur për më shumë se 4 muaj. Për këtë qëllim, Endrit Nika nga Drenasi, sipas mediave zvicerane, e kishe futur të dashurën argjentinase ilegalisht në Kosovë duke e fshehur në bagazhin e veturës.

    Cifti ishin dehur në një festë që ishte mbajtur para dasmës. Aty dyshohet të jenë grindur keq, duke e goditur edhe njëri-tjetrin. Madje, raportohet se edhe i dyshuari ka pasur disa lëndime në gjoks.

    “Të dy thuhet se kanë qenë të dehur në festën para dasmës, sipas burimeve familjare. Kur janë grindur, dyshohet se kanë sulmuar njëri-tjetrin. Burri ka pësuar lëndime edhe në gjoks”, thuhet në raportimin e mediave zvicerane.

    “Pas katër muajsh lidhje, çifti kanë udhëtuar së bashku drejt Kosovës, ku do të martohej vëllai i të arrestuarit. I riu mësohet se e kishte futur ilegalisht të dashurën e tij në Kosovë, duke e fshehur në bagazh”, thuhet në raportimet e mediave zvicerane.