Në Kosovë sot do të mbajë mot me diell dhe vranësira të herëpashershme, derisa priten edhe reshje shiu në zonat malore.
Temperaturën minimale për ditën e sotme e ka shënuar Peja me 12 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 30 gradë Celsius.
Edhe dita e nesërme pritet të jetë me kushte të njëjta atmosferike.
Temperaturën minimale, për ditën e nesërme do ta mbajë qyteti i Gjakovës me 11 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 25 gradë Celsius.
Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me diell dhe kthjellime. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 14 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Gjirokastër me 37 gradë Celsius. /atvlive.tv/
Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:
14 vrasje janë të raportuara në Polici vetëm brenda shtatë muajve.
Të fundit janë ato në dy lokale, një në Prishtinë e tjetra në Klinë.
Për këto incidente me armë, njohësit e sigurisë po kërkojnë shkarkime në Polici.
“Pra nga rasti në Bon Vivant duhet të merren veprime të shkarkimeve në nivelin e drejtorisë rajonale të Policisë së Kosovës, në aspektin menaxherial do të duhet të kemi dorëheqje. Po njëkohësisht do të duhet të jepet përgjegjësi e parë, ministrit të Punëve të Brendshme, i cili duhet të bëjë një hap mbrapa duke mundësuar të kemi një riorganizim institucional në kuadër të MPB-së”, tha Drizan Shala, ekspert i sigurisë.
Shifra e regjistruar për vrasje, sipas sociologut Jeton Brajshori, është e lartë dhe shqetësuese.
“Këto vrasje janë shumë shqetësuese, sepse kanë filluar të bëhen përditshmëri dhe në një shoqëri me krizë kur fillon të bëhet dhuna normalitet dhe përditshmëri, atëherë normalisht që e ardhmja do të jetë e zymtë për rininë tonë”, tha Jeton Brajshori, sociolog.
Brajshori tregon edhe disa nga shkaqet që mund të dërgojnë deri në kryerjen e këtij akti.
“Shkaqet janë problemet e ndryshme për arsye se ka probleme që trashëgohen më herët, kanë bërë probleme më herët, vazhdojnë në rrugë, vazhdojnë në lokale, siç e kemi parë rastin në Klinë, problemi është bartur nga Zvicra në Kosovë, këto janë shkaqet që trashëgohen dhe fatkeqësisht organet e drejtësisë nuk kanë arritur t’i parandalojnë me kohë”, tha Brajshori.
Megjithatë, Policia e Kosovës, gjatë periudhës janar – korrik të këtij viti, ka konfiskuar 636 armë, ndërkaq numri i municionit të konfiskuar është 9.531. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:
Një ditë pas vrasjes në Klinë, personi që dyshohet se kreu këtë vepër penale, Tush Frroku vazhdon të jetë në arrati.
Policia i ra në gjurmë deri në fshatin e tij të lindjes, Kosh të Istogut, ku edhe i dyshuari e la veturën që ia mori një qytetari nën kërcënim të armës.
Për gjetjen e tij, Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunim nga qytetarët duke e publikuar edhe fotografinë e tij, ndërsa Prokuroria Themelore e Pejës ka angazhuar edhe dronë.
Motivet e vrasjes, sipas Policisë, ende nuk dihen. Viktima dhe i dyshuari ishin familjarë.
Lokali në qendër të Klinës ku ndodhi rasti ishte i mbyllur të martën.
Rreth orës 16:40, të hënën, dyshohet se 48-vjeçari Frrokaj pasi futet në lokal, gjuan me armë në drejtim të viktimës dhe largohet nga vendi i ngjarjes.
Viktima nuk kishe arritur t’iu mbijetojë plagëve të marra dhe vdekja e A.P. u konstatua në Spitalin e Pejës. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:
Për mungesën e një rregulloreje për orarin e kujdestarisë së barnatoreve në kryeqytet është mbajtur diskutim publik.
Drejtoria e Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës së bashku me anëtarë të grupit punues dhe drejtues të farmacive, kanë diskutuar për të gjetur një zgjidhje në lidhje me rregullimin e orarit të kujdestarisë edhe gjatë vikendeve.
“Ne jemi të kënaqur që kemi arritur që këtë dokument me afru deri në këtë diskutim publik. Mbas disa takimeve me qytetarë të Prishtinës, kam parë se është një shqetësim që asnjë barnatore private nuk kujdestaron gjatë natës në kryeqytet. Prishtina ka disa institucione shëndetësore e ka QMF, andaj një mungesë e tillë është e pajustifikueshme. Ka pasur dilema për këtë se a duhet të bëhet kjo rregullore apo jo. Por më pas kemi krijuar grupin punues për këtë çështje. Tani kjo draft-rregullore do të dërgohet në ansamble të komunës dhe të shohim se a do të miratohet”, tha drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Izet Sadiku.
Njëri nga anëtarët e grupit punues, Fidan Reçica, ka folur edhe për orarin që barnatoret duhet ta mbajnë gjatë festave zyrtare.
“Ndryshimi më i madh që i ka ndodhë rregullores është se çdo barnatore do të ketë kujdestari obligative. Orari është mendu prej orës 22 deri në mëngjes. Po ashtu në vikende dhe festa do të ketë barnatore që do të kujdestarojnë duke punuar. Është menduar të jenë 5 kujdestari, por ende nuk dihet saktë për numrin e tyre”, tha Reçica.
Kur rregullorja të miratohet, në rast se orari nuk respektohet nga farmacitë, ato do të gjobiten.
“Në këtë rregullore janë paraparë edhe gjobat. Ka mundësi që mos me u respektu orari nga barnatoret kujdestare, por së bashku me inspeksionin e komunës do të bashkëpunojmë për t’i gjobitur ata që nuk e respektojnë këtë rregullore e cila ka me qenë obligative”, tha Florina Berisha, anëtare e Grupit Punues.
Në bazë të rregullores aktuale, orari i punës së barnatoreve është nga ora 7 deri në orën 22. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:
Ende nuk ka reagim zyrtar nga Bashkimi Evropian lidhur me thirrjen e ligjvënësve evropianë dhe amerikanë për ta ndryshuar qasjen ndaj Kosovës dhe Serbisë.
Zyrtarë të BE-së nuk u përgjigjën lidhur me shqetësimet e ligjvënësve për mungesën e presionit ndaj Serbisë dhe rrezikun e rrëshqitjes drejt një politike për Ballkanin, të përqendruar në Beograd.
Duke e falënderuar për, siç shkroi, “ekspozimin e agjendës destruktive dhe destabilizuese të Serbisë”, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti përshëndetën iniciativën e udhëhequr nga kryetarja e Komitetit për Politikë të Jashtme e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns.
“Mirënjohëse ndaj të gjithë nënshkruesve për mbështetjen e plotë për sovranitetin e Kosovës dhe demokracinë. Së bashku, ne mund t’i ruajmë vlerat që ndajmë dhe të forcojmë demokracinë”, ka shkruar Osmani.
“Faleminderit Alicia Kearns, Senator Menendez, Michael Roth dhe pjesës tjetër të kryetarëve të komisioneve për politikë të jashtme dhe parlamentarëve të lartë, të cilët thirrën për solidaritet me Kosovën dhe një qasje ndaj rajonit me më shumë vëmendje ndaj kërcënimit që vjen nga qëndrimi dhe veprimet agresive të Serbisë”, ka shkruar Kurti.
Falënderim për ligjvënësit evropianë dhe amerikanë pati edhe kreu i partisë opozitare AAK, Ramush Haradinaj.
“Arritjet e deritanishme si shtet i kemi falë ndihmës dhe bashkërendimit me aleatët tanë, me ShBA-në në veçanti. Ky akt është vulë e asaj se Kosova është euro-atlantike dhe se ky përkushtim do të jetë i përhershëm”, ka shkruar Haradinaj.
Në një kundër-reagim, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabic, tha se mirëpret letrën pasi, sipas saj, ajo është dëshmi që Kurti ka mbështetje dhe inkurajim të plotë për minimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkan. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:
Ejup Maqedonci është ministër i ri i Mbrojtjes, pas dorëheqjes së Armend Mehajt nga kjo pozitë.
Me kërkesë të Mehajt për, siç u tha, “arsye familjare”, kryeministri Albin Kurti e liroi atë nga detyra dhe e emëroi Maqedoncin.
“Ministrin Mehaj e falënderova për punën e pandërprerë, kontributin mbresëlënës, bashkëpunimin e rregullt dhe angazhimin e tij shembullor nga dita e parë e marrjes së detyrës. Ministër të ri të Mbrojtjes emërova Ejup Maqedoncin, me të cilin kemi bashkëpunuar deri më tani në funksione të tjera. Ministrit Maqedonci i uroj punë të mbarë në avancimin e mbrojtjes dhe sigurisë, në zhvillimin dhe ndërtimin e ushtrisë sonë”, ka shkruar Kurti.
Në një përgjigje për ATV-në Qeveria njoftoi se arsyet e dorëheqjes lidhen me shëndetin e bashkëshortes së Armend Mehajt.
Në njoftimin e tij, tashmë ish-ministri shkroi gjerë e gjatë për ato që i vlerëson punë të mira dhe suksese në mandatin e tij 870 ditësh, si dhe për synimin për anëtarësim në NATO.
“Në këtë pikë, dua ta falënderoj veçanërisht Kryeministrin e Republikës së Kosovës Albin Kurtin, për besimin e plotë dhe mbështetjen e vazhdueshme që më ka dhënë nga dita a parë e deri sot. Jam i sigurt që Kryeministri Kurti duke e emëruar Ejup Maqedoncin në detyrën e Ministrit të Mbrojtjes, e ka zgjedhur njeriun e duhur për këtë detyrë: një person profesionist, patriot dhe të dëshmuar”, ka shkruar Mehaj.
Më 2021, ish-ushtaraku Mehaj u kthye nga Norvegjia për të marrë detyrën e ministrit të Mbrojtjes së Kosovës.
Ministri i ri, Ejup Maqedonci, ka më shumë se 25 vjet në shërbim – fillimisht në UÇK, pastaj TMK dhe në FSK.
Më 1998, pas sulmit ndaj familjes Jashari në Prekaz, ai la Zvicrën dhe udhëtoi drejt Shqipërisë ku kreu stërvitjet para se t’i bashkohej Ushtrisë Çlirimtare të
Kosovës.
Ejup Maqedonci, i njohur ndryshe si “Uki”, ishte komandat i Batalionit të Parë të Brigadës 153 në Zonës Operative të Llapit.
Pas luftës ai shërbeu në Trupat Mbrojtëse të Kosovës – si komandat i Batalionit të Kërkim Shpëtimit.
Pas transformimit të TMK-së, nga viti 2009, ai vazhdoi shërbimin në FSK – duke udhëhequr Brigadën e Reagimit të Shpejtë dhe duke arritur deri në gradën e kolonelit.
Ai avancoi edukimin ushtarak në nivelin master dy kolegje në Amerikë: Kolegjin e Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm të SHBA-së, si dhe në Kolegjin e Luftës.
Nga vitit 2021, ai shërbeu si oficer-këshilltar i kryeministrit Albin Kurti – ndërsa më 2023 u nderua me “Medaljen e Karrierës”.
Ministri Maqedonci është 46 vjeç, është i martuar dhe ka tre fëmijë. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:
Në orët e hershme të mëngjesit, kjo shtëpi prapa meje këtu në Lagjen e Spitalit në Prishtinë, është kapluar nga zjarri.
Reagimi i parë për t’i shpëtuar anëtarët e familjes nga Prishtina ishte nga fqinjët.
“Kur e kemi pa zjarrin veç i kam kapur fëmijët edhe jemi largu…”, tha Milaim Canolli, fqinj.
Më pas në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe zjarrfikësit, të cilët kanë arritur ta lokalizojnë dhe ta shuajnë zjarrin.
“Kemi marrë informatën, kemi dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, kemi arritë me fikë zjarrin se shtëpitë këtu janë shumë afër njëra me tjetrën, nuk ka pasë viktima…”, tha komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, Malë Gashi.
Megjithatë, ky nuk është rasti i parë që shtëpitë në këtë lagje përfshihen nga zjarri.
“M’ka ndodh rasti edhe mu para disa muajve…”, tha Enver Fetahi, fqinj.
Dyshimet e para për zjarrin lidhen me rrjetin elektrik, për çka në vendngjarje dolën edhe ekipet e KEDS-it.
Mirëpo, pavarësisht kësaj, hetimet për shkakun e zjarrit po vazhdojnë. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:
Që nga janari, Bujar Avdiu, që banon në lagjen “Bair” të komunës së Mitrovicës, as gjumin nuk e bën rehat në shtëpinë e tij.
Ai çdo ditë frikësohet që dheu do të rrëshqasë sërish, e muret e shtëpisë do t’ia zënë fëmijët.
“Kjo ka ndodhë prej vërshimeve, jemi shumë në rrezik, problem shpija më ka flejt. Edhe është shumë rrezik se janë do çamje mrena. Rrezik shumë. A keni mendu me shku diku tjetër? Kemi mendu, po s’kemi ku se komuna nuk na ka bo zgjidhje”, tha Bujar Avdiu, banor.
Vërshimet që ndodhën në janar të këtij viti, bënë që shumë shtëpi të kësaj lagje të dëmtohen e disa të tjera të plasariten.
“Mu shpija më ka flejt, problemi është prej shiu, rrezik është boll se çdo ditë po i nijmë do kërsima, e për qeta është problem me banu këtu”, tha Muharrem Selmani, banor.
“Dheu po rrëshqet, kemi telashe se kanë nisë me lëviz edhe shpijat. Nuk mundemi me banu këtu. Komuna na ka thanë që nuk kanë nevojë me mbulu koston që me ndalu këtë fatkeqësi. Po këtu toka po lëviz saherë që po bien shi”, tha Besim Hasani, banor.
Por këta banorë të paktën edhe këtë vit do të përballen me këtë frikë pasi që komuna tek vitin e ardhshëm planifikon të marrë masa.
Behar Maxhuni, drejtor i emergjencave në këtë komunë, thotë se komuna nuk ka kapacitete për të ndërtuar shtëpi për secilin banor, e për këtë ai kërkoi ndihmë edhe nga shoqatat humanitare.
“Për shkak të reshjeve ka ardhur deri te rrëshqitja e dheut, fillimisht kanë qenë katër shtëpi, të cilave ua kemi dhënë nga një ndihmë solide 2500 euro. Ne nuk kemi kapacitete më shumë se t’ua paguajmë qiranë, pritet për vitin e ardhshëm, të ndahet buxheti. Familjarët të cilët kanë troje ose blejnë pritet t’iu ndërtohet ndonjë shtëpi nga shoqatat humanitare, në këtë raste si ajo e Halil Kastratit”, tha drejtori i Emergjencave në Komunën e Mitrovicës, Bahtir Maxhuni.
Ndërkaq, në këtë lagje që nga janari 7 shtëpi janë rrënuar tërësisht, 11 prej tyre janë të pabanueshme. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:
85 infermierë të rinj kanë filluar punën këtë të martë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Mirëpo, kjo shifër e të punësuarve, sipas Odës së Infermierëve, nuk është e mjaftueshme për t’i plotësuar nevojat e QKUK-së.
Në një përgjigje me shkrim, kryetarja e Odës së Infermierëve, Nexhmije Gori, ka thënë se me numrin aktual të infermierëve nuk mund të pritet efikasitet në punë.
“Nga biseda me kryeinfermierët e klinikave, shumica deklarohen se infermierët e sapopranuar nuk janë të mjaftueshëm për të plotësuar mungesën e nevojave nëpër reparte. Shumica deklarohen se me këtë numër të infermierëve nuk mund të pritet një punë efikase, duke pasur parasysh se mungesa e infermierëve është e madhe ngase ende nuk është plotësuar numri i infermierëve që kanë dalë në pension, kanë lëshuar punën, janë nëpër pushime të lehonisë, kanë dalë jashtë vendit etj., por shpresojmë që të ketë konkurse tjera sa më shpejt që të jetë e mundur”, thuhet në reagimin e sipas Odës së Infermierëve.
Anëtarë të Odës së Infermierëve thonë se edhe përzgjedhja e tyre nuk është bërë në mënyrë të drejtë.
Për mungesën e infermierëve dhe vështirësitë që kanë disa klinika, të gatshëm u treguan të flasin edhe disa drejtorë e kryeinfermierë të klinikave të caktuara në QKUK, por të cilët nuk u lejuan nga SHSKUK-ja, të flasin para kamerave.
SHSKUK-ja autorizoi të flasin dy drejtorë nga klinikat që kishin marrë numër më të madh të infermierëve.
Nga 85 infermierët e pranuar së fundmi, 70 janë me kualifikim bachelor dhe 15 me shkollim të mesëm. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:
Arsyeja pse Armend Mehaj dha dorëheqje nga pozita ministrit të Mbrojtjes, është se gruaja e tij është diagnostifikuar me një sëmundje të rrallë!
Kështu ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
“Ministri Armend Mehaj ka kërkuar lirim nga detyra për shkaqe familjare. Gruaja e tij është diagnostifikuar me një sëmundje të rrallë dhe për çka i duhet tretman dhe kujdes në një qytet tjetër nga ai i Oslos”, ka thënë Kryeziu.
Tutje, ai ka treguar se çifti i ka tri vajza të moshës së mitur dhe ministri Mehaj ka kërkuar që të ndodhet pranë familjes në këtë kohë.