ATV

Category: Lajme

  • Hovenier: E falënderoj Mehajn për partneritetin tonë të ngushtë gjatë mandatit të tij

    Hovenier: E falënderoj Mehajn për partneritetin tonë të ngushtë gjatë mandatit të tij

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, e ka falënderuar tashmë ish-ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehajn për bashkëpunimin e ngushtë.

    Hovenier, i ka uruar Mehajt më të mirat në të ardhmen.

    “E shfrytëzojë mundësinë për të falënderuar ish-ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehajn, për shërbimin e tij, bashkëpunimin dhe partneritetin tonë të ngushtë gjatë mandatit të tij. Duke ia uruar të gjitha të mirat në objektivat e tij të ardhshëm”, shkroi Hovenier.

    Kujtojmë, Ejup Maqedonci, është ministri i sapo emëruar i Mbrojtjes, pasi Mehaj dha dorëheqje, për siç tha ai, për arsye familjare.

  • Kurti mirëpret letrën e politikanëve perëndimorë ndaj Kosovës: E mirëseardhur pas veprimeve agresive të Serbisë

    Kurti mirëpret letrën e politikanëve perëndimorë ndaj Kosovës: E mirëseardhur pas veprimeve agresive të Serbisë

    Kryeministri Albin Kurti ka falënderuar politikanët nga Europa dhe SHBA për letrën e dërguar në Bruksel, Ëashington dhe Londër, përmes së cilës kërkohet qasje e barabartë ndaj Kosovës dhe Serbisë dhe ku ankohen për anim kah Beogradi.

    Kurti i ka falënderuar me emra tre nga më kryesorit e kësaj letre, si dhe të gjithë nënshkruesit e tjerë. Ai ka përmendur edhe kërcënimin që vjen nga Serbia.

    “Faleminderit Alicia Kearns [deputete britanike], Senatorit [amerikan] Bob Menendez dhe Michael Roth [Kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Bundestagut gjerman], si dhe pjesa tjetër e kryetarëve të komisioneve të punëve të jashtme dhe parlamentarëve të lartë të cilët kanë bërë thirrje për solidaritet me Kosovën dhe një qasje ndaj rajonit më të vëmendshme ndaj kërcënimit që vjen nga qëndrimi dhe veprimet agresive të Serbisë”, ka shkruar Kurti në Twitter.

    Më 7 gusht, dhjetëra politikanë nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara i dërguan një letër shefit të diplomacisë të bllokut evropian, Josep Borrell, kryediplomatit amerikan, Antony Blinken, dhe atij britanik James Cleverly. Përmes kësaj letre, ata kërkuan ndryshim të qasjes ndaj Kosovës dhe Serbisë.

    Deputetja britanike, Alicia Kearns, që publikoi letrën, tha se atë e kanë nënshkruar dhjetë kryetarë të komiteteve për punë të jashtme dhe 56 deputetë.

    “Qasja aktuale nuk po funksionon. Ne kërkojmë nga komuniteti ndërkombëtar që të mësojë nga e kaluara jonë dhe të sigurohemi që ne nuk do të miratojmë politika për Ballkanin që anojnë nga Beogradi. Ne po ashtu u kërkojmë që të shqyrtoni mundësinë e miratimit të një politike të diplomacisë parandaluese për të shmangur përshkallëzim të mëtejmë të situatës së sigurisë dhe asaj politike në veri të Kosovës, me balancë dhe proporcionalitet në çdo deklaratë dhe çdo ndëshkim apo sanksion që ndërmerret, dhe që ata të cilët respektojnë sundimin e ligjit dhe demokracinë të mos ndëshkohen”, u tha ndër të tjera në letër.

  • Bie sërish euro

    Bie sërish euro

    Ekspertët e tregut të këmbimit valutor theksojnë se tashmë duhet pritur disa ditë për të parë tendencën dhe efektin e ndërhyrjes së fundit.Por megjithatë pritshmëritë mbeten të zbehta në një kohë që jemi në pikun e sezonit turistik.

    Gjatë gushtit shënohen fluksi më i madh i turistëve të huaj por edhe i emigrantëve shqiptar që vijnë në Shqipëri duke shtuar ndjeshëm fluksin e eurove që janë në treg.

    Në total parashikohet që përgjatë vitit 2023 të blihen rreth 300 milionë euro ndërsa më herët ishte planifikuar një fashë prej 160-220 milionë eurosh nga tregu i brendshëm me qëllim rritjen e rezerves.

    Analizat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se arsyet e forcimit të kursit të këmbimit të lekut në tregun e brendshëm valutor lidhen me ecurinë ekonomike të vendit, shtimin e investimeve të huaja dhe blerjen e pasurive të paluajtshme nga të huajt./abcnews.al

  • ​Ministri i ri i Mbrojtjes: Kam nisur një kapitull të ri por me të njëjtat synime

    ​Ministri i ri i Mbrojtjes: Kam nisur një kapitull të ri por me të njëjtat synime

    Ministri i ri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se e ka filluar një kapitull të ri si ushtarak por mbetët brenda së njëjtës shtëpi e me të njëjtat synime, që sipas tij janë forcimi i vazhdueshëm i ushtrisë dhe anëtarësimi në NATO.

    Maqedonci i cili uniformën e ushtarit e ka veshur 25 vjet më parë, ka thënë se ndjehet i nderuar që është vendosur në krye të ministrisë që i bën politikat e mbrojtjes dhe të zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Ky është reagimi i ministrit Maqedonci:

    Sot paradite, jam emëruar Ministër i Mbrojtjes nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti!

    Pasi e ka liruar nga detyra ministrin e deritanishëm Armend Mehajn, në një takim të përbashkët edhe me Komandantin e FSK-së Gjenerallejtënant Bashkim Jasharin, Kryeministri Albin Kurti më ka ngarkuar mua me detyrën e Ministrit në Ministrinë e Mbrojtjes të Kosovës. Me këtë rast, dua ta falënderoj Kryeministrin Kurti për besimin dhe mbështetjen e deritanishme dhe të mëtutjeshme ndaj meje!

    Jam i nderuar dhe i privilegjuar të vihem në krye të dikasterit qeveritar që i bën politikat e mbrojtjes dhe të zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, trashëgimtares së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Që nga 18 marsi i vitit 1998 kur e kam veshur uniformën e UÇK-së dhe deri më 10 korrik 2023 kur jam demobilizuar nga FSK-ja, jam përpjekur me tërë kapacitetet dhe qenien time fillimisht për lirinë e Kosovës dhe deri sot për ndërtimin e ushtrisë së saj. Në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës jam në shtëpinë time, andaj ishte aq i natyrshëm pranim dorëzimi i detyrës sot në mesditë nga ish-Ministri Armend Mehaj në prani të Komandantit të FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jasharit. E falënderoj ish-Ministrin Mehaj për bashkëpunimin veçanërisht në periudhën e fundit.
    Pas 25 vitesh me uniformë, nga sot ka nisur një kapitull i ri për mua si ushtarak, por që mbetet brenda të njëjtës shtëpi dhe me të njëjtat synime: forcimin e vazhdueshëm të ushtrisë së Kosovës dhe anëtarësimin e shtetit tonë në NATO, krah partnerëve tanë dhe veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Ju falënderoj të gjithëve për urimet që më keni dërguar. Shumë punë na presin përpara, bashkë me Kryeministrin Albin Kurtin, me Komandantin Bashkim Jasharin dhe me institucionet e Republikës së Kosovës.

  • Zhvillimet politike e të sigurisë – senatori Jack Reed në Kosovë, takohet me Osmanin

    Zhvillimet politike e të sigurisë – senatori Jack Reed në Kosovë, takohet me Osmanin

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim një delegacion të kongresit të kryesuar nga Senatori Jack Reed, raporton Ekonomia Online. Në këtë takim mediet janë lejuar që të marrin pamje vetëm në fillim të takimit.

    Jack Reed, i cili është kryetari i Komitetit të Senatit për Shërbimet e Armatosura në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është duke zhvilluar vizitë zyrtare në Ballkanin Perëndimor, ai në Kosovë dhe rajon gjendet për të parë nga afër zhvillimet e sigurisë dhe politikës dhe ndikimin e tyre në sigurinë kombëtare të Amerikës.

    Senatori do të takohet me diplomatë dhe përfaqësues ushtarakë amerikanë, si dhe do të zhvillojë bisedime me liderë të huaj të rangut të lartë për të diskutuar marrëdhëniet ShBA-Kosovë, situatën e sigurisë dhe marrëdhëniet dypalëshe të Amerikës me partnerët e tjerë në rajon.

    Reed planifikon të takohet me ushtarët e Rhode Island në terren për t’i falënderuar ata për shërbimin e tyre në mbështetje të misionit paqeruajtës ndërkombëtar të NATO-s, KFOR. Ky do të jetë udhëtimi i tretë i senatorit Reed në Kosovë.

    Pos Kosovës, Reed do të jetë edhe në vende të tjera të rajonit. Ai do të ndalojë gjithashtu në Komandën Evropiane të SHBA-së dhe në Komandën e Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë për t’u takuar me udhëheqësit ushtarakë dhe për të diskutuar luftën e Rusisë në Ukrainë dhe përpjekjet ndërkombëtare për të pajisur dhe trajnuar njësitë ushtarake të guximshme ukrainase ndërsa luftojnë për të mbrojtur sovranitetin e tyre.

    Ai do të shqyrtojë gjithashtu programet e bashkëpunimit të sigurisë së SHBA-së me partnerët dhe aleatët në të gjithë Evropën dhe përpjekjet e vazhdueshme të NATO-s për t’iu përgjigjur ndryshimeve drastike në peizazhin e sigurisë evropiane.

    Në çdo ndalesë të udhëtimit, senatori Reed planifikon të bëjë të qartë mbështetjen e Amerikës për demokracinë, diplomacinë, të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe përpjekjet kundër korrupsionit.

  • Vrasja në Klinë, prokuroria: Janë aktivizuar edhe dronë për gjetjen e të dyshuarit

    Vrasja në Klinë, prokuroria: Janë aktivizuar edhe dronë për gjetjen e të dyshuarit

    Një person është vrarë gjatë së hënës në Klinë.

    Lidhur me rastin janë deklaruar nga Prokuroria Themelore e Pejës.

    Zëdhënësi Shkodran Nikçi, tha për Klan Kosovën, ka treguar se si ka ndodhur ngjarja.

    “Fillimisht i dyshuari, e ka ftuar jashtë lokalit viktimën, pastaj viktima është futur brenda. I dyshuari ka hyrë dhe ka qëlluar me armë zjarr shtatë herë”, tha ai.

    Sipas organit të akuzës, nuk ka raste të raportuara më herët se kanë pasur mosmarrëveshje.

    “I dyshuari ishte i akuzuar edhe për raste të tjera më parë. Ndërsa janë aktivizuar edhe dronë për të gjetur lokacionin e të dyshuarit”. theksoi Nikçi për Klan Kosova.

    Zëdhënësi shtoi se viktima dhe të dyshuarit janë familjlar mes vete.

    “Viktima ishte i martuar me motren e të akuzuarit. Ndërsa edhe ky i fundit, ishte i martuar me motrën e viktimës”, theksoi ai.

    Ende nuk dihen motivet e këtij rasti.

  • Bërnabiq për letrën e perëndimorëve: Dëshmi se Kurti gëzon mbështetje për minimin e paqes

    Bërnabiq për letrën e perëndimorëve: Dëshmi se Kurti gëzon mbështetje për minimin e paqes

    Kryeministrja serbe Ana Bërnabiq, i “është përgjigjur” letrës së deputetëve të BE-së dhe SHBA që kërkojnë masa më të ashpra ndaj Serbisë, duke thënë se ajo është e mirëseardhur pasi është “provë e gjallë” që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me të vërtetë gëzon mbështetje dhe inkurajim të plotë “për minimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkan”.

    Disa dhjetëra deputetë evropianë dhe amerikanë kanë dërguar një letër të përbashkët zyrtarëve të SHBA, Evropës dhe Britanisë së Madhe duke kërkuar që të rishqyrtojnë politikën ndaj Kosovës dhe Serbisë.

    Letra është nënshkruar nga kryetarët e komisioneve të politikës së jashtme të parlamenteve të 10 vendeve, si dhe 56 deputetë të tjerë nga shumë vende, si dhe nga anëtarët e Parlamentit Evropian, mes tyre edhe nga kryetarja e Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamenti britanik, Alicia Kearns, dhe kryetari i komisionit të politikës së jashtme të parlamentit gjerman, Michael Roth.

    Në letër shprehet shqetësimi për politikën aktuale të BE-së, SHBA dhe Britanisë së Madhe ndaj Serbisë dhe Kosovës dhe kërkohet që ajo të rishqyrtohet.

    Bërnabiq ka shkruar sot në Twitter (i riemërtuar X) se letra është “më se e mirëpritur” sepse ofron “provë të gjallë” se Kurti me të vërtetë gëzon mbështetje dhe inkurajim të plotë “për minimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkan”, transmeton Paparaci.

    “Shmangia e zbatimit të marrëveshjeve të arritura (si Marrëveshja e Brukselit me refuzimin e themelimit të Asociacionit për më shumë se 10 vjet, ashtu edhe Marrëveshja e Ohrit që kërkon zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit) dhe cenimi i të drejtave themelore të njeriut të serbëve në Kosovë”, ka shkruar Brnabiq.

    Ajo ka shtuar se “gjithçka që kushdo duhet të dijë për demokracinë dhe sundimin e ligjit në Kosovë është se që nga fillimi i këtij viti, pjesëtarët e “Aparatit të Sigurisë së Kosovës” kanë qëlluar gjashtë serbë dhe se askush nuk është përgjigjur për këtë”.

    “Shembulli më i mrekullueshëm i (mungesës) së besueshmërisë dhe objektivitetit të atyre që e nisën këtë letër është se Alisha Cairns arriti të ishte një nga individët e paktë, deklaratat publike të të cilës e ka demantuar KFOR-i”, ka pretenduar Bërnabiq.

    Ajo përmend se KFOR-i e ka “përgënjeshtruar” Cairns kur ajo kishte zbuluar se Kisha Ortodokse Serbe është duke kontrabanduar armë në Kosovë, mirëpo nuk tregon se KFOR-i ka deklaruar se në momentin e kontrollit “nuk ka gjetur armë në veturën e ndihmës së shpejtë”, për të cilën dyshohet se ka transportuar armët e kontrabanduar nga Serbia dhe më pas ato janë fshehur nëpër kisha ortodokse.

    “Pavarësisht kësaj deklarate “të qartë” të KFOR-it, Cairns vazhdon “t’i thotë këto gënjeshtra” edhe në këtë letër”, ka përfunduar Ana Bërnabiq, shprehjen e nervozizmit të saj.

  • Numri i të vdekurve nga rrëshqitja e dheut në Shovi të Gjeorgjisë ka shkuar në 19

    Numri i të vdekurve nga rrëshqitja e dheut në Shovi të Gjeorgjisë ka shkuar në 19

    Numri i të vdekurve nga rrëshqitja e dheut që goditi qytetin turistik Shovi në malet e Gjeorgjisë javën e kaluar ka shkuar në 19, tha të martën kreu i Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave të vendit.

    Temur Mghebishvili tha se trupi i një gruaje tjetër u gjet gjatë operacioneve të kërkim-shpëtimit, duke rritur kështu numrin e të vdekurve.

    Përpjekjet e kërkim-shpëtimit vazhduan pandërprerë gjatë gjithë orarit, shtoi ai.

    Shovi, rreth 140 kilometra (85 milje) në veriperëndim të kryeqytetit Tbilisi, është një vend i njohur turistik.

    Zyrtarët thanë se rrëshqitja e dheut u shkaktua nga reshjet e dendura, të rënduara nga erozioni në zonë. /AA/

  • Reagon Hoti pas përfundimit të seancës për kanosjen ndaj tij

    Reagon Hoti pas përfundimit të seancës për kanosjen ndaj tij

    Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka dënuar me 2 mijë euro gjobë të akuzuarin Reshat Sadiku, mërgimtar me banim në Gjermani, i akuzuar për kanosjen e deputetit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti.

    Pas dënimit ka reaguar deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, i cili tha se “partia që tani është në pushtet për vite me radhë e ka ushqyer këtë gjuhë përçarëse, fyese, denigruese dhe kërcënuese”.

    Ai tha se e ka pranuar marrëveshjen që mërgimtari të kontriboj në njërën nga organizatat bamirëse në vend.

    “Pranova marrëveshjen që ka bërë prokuroria dhe avokati i të pandehurit me kushtin që i njëjti të kontriboj në njërën nga organizatat bamirëse në vend”, u shpreh Hoti.

    Tutje ai tha se i bën thirrje të gjithë atyre që bëhen pjesë e kësaj fushate linçuese të ndalojnë sepse do të përballen vetëm me ligjin.

    Postimi i tij i plotë:

    Gjuha e urrejtjes që po përdoret tash e shumë vite nëpër rrjete sociale dhe gjithandej është shqetësuese. Partia që tani është në pushtet për vite me radhë e ka ushqyer këtë gjuhë përçarëse, fyese, denigruese dhe kërcënuese.

    Ndihem i obliguar për të informuar të gjithë opinionin publik për rastin që sot është mbajtur seanca gjyqësore lidhur me kanosjen që më është bërë muaj më parë. Sot, është mbajtur seanca lidhur me rastin në fjalë dhe gjykata vendosi për dënimin e të akuzuarit për këtë vepër. Pranova marrëveshjen që ka bërë prokuroria dhe avokati i të pandehurit me kushtin që i njëjti të kontriboj në njërën nga organizatat bamirëse në vend.

    Kërcënimi i bërë nuk është personal por si zyrtar i shtetit për qëndrimet politike që kam si deputet dhe ish-Kryeministër. Prandaj, i bëj thirrje të gjithë atyre që bëhen pjesë e kësaj fushate linçuese të ndalojnë sepse do të përballen vetëm me ligjin, sepse qëndrimet për të vërtetën e bazuar në fakte dhe kauza për të mirën e vendit dhe popullit, nuk do të mund ta ndalin me kërcënime dhe me asgjë tjetër.

    Republika e Kosovës është e përhershme dhe do ta mbrojmë nga çdo kërcënim për ta sulmuar atë.

    Falënderoj policinë dhe gjykatën për punën e tyre dhe përkushtimin për të sjellë drejtësi.

    Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe popullin tonë!

  • ​Kurti priti në takim lamtumirës shefin e zyrës diplomatike të Belgjikës në Kosovë

    ​Kurti priti në takim lamtumirës shefin e zyrës diplomatike të Belgjikës në Kosovë

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, priti në takim lamtumirës, shefin e Zyrës Diplomatike të Mbretërisë së Belgjikës në Kosovë, Julien Sassel.

    Sipas komunikatës së Qeverisë, Kurti e falënderoi diplomatin Sassel për kontributin e tij aktiv dhe bashkëpunimin e ngushtë në forcimin dhe thellimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës.

    Zyra Diplomatike e Belgjikës së shpejti do të ngritët në nivel të Ambasadës së Belgjikës në Kosovë. /KP