ATV

Category: Lajme

  • Vdekje e dyshimtë në Gjilan

    Vdekje e dyshimtë në Gjilan

    Një person është gjetur i shtrirë në rrugë në Gjilan, më pas nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e tij. Rasti në polici është hapur si “vdekje e dyshimtë”.

    Me urdhër të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

    Njoftimi i plotë i policisë:

    VDEKJE E DYSHIMTË/Gjilan 08.08.2023 – 15:53. Është raportuar se është hasur i shtrirë në rrugë një person, njësitë relevante policore dhe një ekip mjekësor kanë dalur në vendin e ngjarjes. Personi i lënduar është dërguar në qendrën emergjente në Gjilan ku nga mjeku përgjegjës është konstatuar se viktima mashkull kosovar është pa shenja jete. Me urdhër të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Rasti vazhdon të hetohet.

  • Sulmohet fizikisht një i burgosur në Dubravë

    Sulmohet fizikisht një i burgosur në Dubravë

    Një i burgosur në Burgun e Dubravës ka njoftuar policinë se është sulmuar fizikisht nga një i burgosur tjetër.

    Deri te sulmi dyshohet se ka ardhur si pasojë e një mosmarrëveshje pasi që i dyshuari dhe viktima kanë qenë në vuajtje të dënimit.

    Rasti është duke u hetuar.

    “Burgu i Dubravës 07.08.2023 – 18:10. Viktima mashkull  kosovar ka raportuar është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull  kosovar. Deri te sulmi dyshohet se ka ardhur si pasojë e një mosmarrëveshje pasi që i dyshuari dhe viktima kanë qenë në vuajtje të dënimit. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit, rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Protestojnë punëtorët e sigurimit fizik të KEK-ut, kërkojnë kthimin në kuadër të Korporatës

    Protestojnë punëtorët e sigurimit fizik të KEK-ut, kërkojnë kthimin në kuadër të Korporatës

    Punëtorët e sigurimit fizik të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) kanë protestuar për shkak të mospërmbushjes së premtimit nga pushteti për kthimin e tyre në kuadër të KEK-ut, raporton Ekonomia Online.

    Ata e kanë nisur protestën nga Sheshi “Zahir Pajaziti” në drejtim të Qeverisë.

    Në pankarta që kanë mbajtur në duar shkruante: “Qeveri më parë kur ishit në opozitë na thatë se kemi të drejtë, po sot!”, “Ne nuk jemi të privatizuar, jemi të huazuar për 2+1 vite!” etj.

  • Deri në një orë pritje në Merdarë për të dal nga Kosova

    Deri në një orë pritje në Merdarë për të dal nga Kosova

    Ardhja e mërgimtarëve gjatë verës në Kosovë, sjell edhe fluks tek pikat kufitare.

    Më të ngarkuarat zakonisht në këtë kohë janë ato pika që lidhin Kosovën me Serbinë.

    Sipas Qendres Kombëtare për Menaxhim Kufitar të Ministrisë së Punëve të Brendshme, pritjet më të gjata janë në Merdare.

    Aty bashkatdhetarëve iu bie të presin deri në 15 minuta për të dal nga Kosova, derisa për të hyrë nga e njëjta pikë kufitare pritjet janë deri në 60 minuta, derisa kolona është 50 metra, përcjell Klankosova.tv

    Ndërkaq, te Dheu i Bardhë pritjet në dalje janë deri në 30 minuta, kurse për të hyrë deri në 10 minuta, ndërsa kolona është 200 metra.

    Në pikat tjera kufitare tokësore, situata duket se është më e qetë, me pritje-daljet nuk shkojnë më shumë se pesë minuta.

  • Në parandalim të rasteve kriminale, Policia fillon së zbatuari planin operativ “Goditja”

    Në parandalim të rasteve kriminale, Policia fillon së zbatuari planin operativ “Goditja”

    Policia e Kosovës, me qëllim të shtimit të masave të sigurisë, respektivisht ruajtjen e rendit e qetësisë publike, ka hartuar dhe që mbrëmë ka filluar së zbatuari një plan operativ i cili do të shtrihet në tërë vendin, bëhet e ditur në komunikatën për media.

    Detyrat që parashihen të realizohen gjatë zbatimit të planit operativ “Goditja”, janë shtimi i aktiviteteve/patrullimeve policore, kryesisht në qendra urbane, në ato pjesë ku ka më shumë lokale, kafiteri, bare nate, e më shumë qytetarë që vizitojnë ato.

    Bëhet e ditur se, Policia do të ketë bashkëpunim me organet e drejtësisë në koordinim të aktiviteteve dhe trajtimin e rasteve eventuale që mund të iniciohen gjatë zbatimit të këtij plani.

    Policia do të trajtojë në aspektin policor çdo informatë nga qytetarët dhe informatat inteligjente, me qëllim të parandalimit të rasteve e akteve kriminale. Do të shtohen kontrollet policore ndaj personave e automjeteve me qëllim të gjetjes dhe konfiskimit të gjërave të ndaluara me theks të veçantë armëve dhe mjetet tjera të rrezikshme për jetën.

    Policia, duke e pasur parasysh se suksesi i operacioneve policore, varet nga bashkëpunimi me qytetarët, fton të gjithë qytetarët që për çdo gjë të dyshimtë që vërejnë të lajmërojnë policinë sepse çdo informatë e dhënë me kohë, mund të parandalojë një akt kriminal ku mund të rrezikohet jeta dhe siguria publike.

    Policia mbetet e përkushtuar në kryerjen e detyrave me profesionalizëm dhe integritet me qëllim të arritjes së qëllimeve strategjike dhe ofrimit të një shërbimi sa më efikas për qytetarët dhe vendin.

  • Qeveria e Kosovës mban mbledhjen e radhës

    Qeveria e Kosovës mban mbledhjen e radhës

    Qeveria e Kosovës të mërkurën e nëntë gushtit do të mbajë mbledhjen e radhës.

    Mbledhja pritet të fillojë nga ora 10:00.

    Në rend dite do të jenë 12 pika, ku në mesin e tyre shqyrtimi i propozim-vendimit për ndryshimin dhe plotësimin e programit legjislativ të qeverisë së Kosovës për vitin 2023, shqyrtimi i projekt-rregullores për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive.

  • LDK thërret konferencë me media

    LDK thërret konferencë me media

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka thirrur sot konferencë për medie.

    Në njoftim për media thuhet se konferenca fillon në orën 10:30 në selinë qendrore të LDK-së.

    Nuk dihet arsyeja e mbajtjes së kësaj konference.

  • KRU “Prishtina” fillon shkyçjen nga rrjeti i ujësjellësit të konsumatorëve borxhlinj në Fushë-Kosovë

    KRU “Prishtina” fillon shkyçjen nga rrjeti i ujësjellësit të konsumatorëve borxhlinj në Fushë-Kosovë

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” sot do të nis një aksion në Fushë Kosovë.

    Në këtë aksion sipas KRU “Prishtina”, do të bëhet shkyçja e borxhlinjve të mëdhenj.

    Po ashtu nga shërbimet e ujit do të shkyçen edhe konsumatorët ilegalë.

    Aksion nis nga ora 10:30.

  • PDK-ja thërret konferencë për media

    PDK-ja thërret konferencë për media

    Partia Demokratike e Kosovës, ka thirrur sot konferencë për media.

    Në njoftim thuhet se konferenca do të mbahet në selinë qendrore të PDK-së në ora 11:00.

    Nuk dihet arsyeja e mbajtjes së kësaj konference.

  • Vuçiq: Ukraina do të humbë gjithçka, nëse e njeh Kosovën

    Vuçiq: Ukraina do të humbë gjithçka, nëse e njeh Kosovën

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Ukraina “do të humbë brenda ditës gjithçka që ka në dorë”, nëse e njeh pavarësinë e Kosovës.

    Ai pretendon se Ukraina do ta humbte plotësisht besueshmërinë e vet politike brenda ditës.

    “Pas kësaj, si mund të thotë Ukraina se i përmbahet ligjit ndërkombëtar? Jam i bindur se [presidenti i Ukrainës Volodymyr] Zelensky nuk do ta hedhë këtë aty”, tha Vuçiq më 8 gusht, shkruan rel.

    Ukraina është duke u përballur me një agresion rus që nga shkurti 2022, kur Moska e nisi pushtimin e saj. Në vitin 2014, Rusia e aneksoi gadishullin ukrainas, Krimenë.

    Ndonëse nuk ka vendosur sanksione ndaj agresionit rus atje, ai shtoi se Ukraina është mike e Serbisë, dhe se nuk ka telashe në marrëdhëniet mes dy vendeve, transmeton KosovaPress.

    Vuçiqi i bëri këto komente gjatë një konference të përbashkët për media me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq, në Beograd, ku iu përgjigjën pyetjeve rreth një letre të deputetëve nga vendet e Bashkimit Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara, të cilët kërkuan masa më të rrepta ndaj Serbisë.

    Më 7 gusht, dhjetëra politikanë nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara ia dërguan një letër zyrtarëve të lartë të BE-së dhe Uashingtonit, duke iu kërkuar ta ndryshonin qasjen ndaj Kosovës dhe Serbisë.

    Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Beogradi dhe Prishtina janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve.

    Vuçiq tha se letra e deputetëve evropianë dhe amerikanë “nuk është kundër meje, por kundër Serbisë.”

    “Unë jam krenar që Alicia Kearns dhe Bob Menendez më sulmojnë mua, por jam krenar edhe kur e shoh se emrat që ishin më parë nuk janë më aty”, shtoi Vuçiq.

    Ambasadori i Ukrainës në Serbi, Volodymyr Tolkach, tha të martën se në shoqërinë ukrainase po rriten zërat gjithnjë e më shumë për njohjen e pavarësisë së Kosovës, dhe se një numër i caktuar i deputetëve në Parlamentin e Ukrainës po e përkrahin qëndrimin për njohjen e mundshme të Kosovës.

    Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e shpallur në shkurt 2008.

    “Qëndrimi i Ukrainës është parimor dhe i qëndrueshëm – Ukraina e respekton integritetin territorial të Serbisë”, thuhet në komunikatën e ambasadorit Tolkach.

    Por, Toklach tha se lidershipi i Kosovës “ka marrë qëndrim të qartë për dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës, posaçërisht duke e sanksionuar agresorin”.

    Ai e pranoi se nuk është befasi se zërat po rriten gjithnjë e më shumë në shoqërinë ukrainase në përkrahje të njohjes së pavarësisë së Kosovës.

    “Ukraina, si vend demokratik i cili e respekton lirinë e fjalës, nuk mund ta kufizojë shprehjen e mendimit të politikanëve të tjerë, të rrethit profesional apo publikut”, theksoi ai.