ATV

Category: Lajme

  • Fluks i lartë i pacientëve në kujdesin parësor shëndetësor

    Fluks i lartë i pacientëve në kujdesin parësor shëndetësor

    Përgatiti: Sara Shehu

    Si pasojë e ndryshimit të temperaturave, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, është rritur numri i pacientëve.

    Sipas Kryeshefit të qendrës, Valdet Hashani, pacientët më së shpeshti kanë nevojë për infuzione.

    “Për shkak të ndryshimit të këtyre temperaturave, ngritjes dhe uljes së temperaturave të përnjëhershme, kemi shumëzimin ose ndryshimin e infeksioneve, qoftë bakteriale ose virale, me çka u rrit edhe numri i pacientëve, të cilët kërkonin ndihmë shëndetësore. Me këtë u rrit edhe dhënia e infuzioneve, në qendrën tonë, ku QKMF-ja në bashkëpunim me Drejtorinë Komunale të Shëndetësisë, kanë shpenzuar një sasi të mjaftueshme të mjeteve pikërisht për shkak të infuzioneve ose terapisë parainterale për rehidrimin e pacientëve… Në këto ditë ku është freskët vërehet që është rritë numri i gastroenteriteve, meqë edhe dhënia e infuzioneve në qendrat tona është rritur për 10 ose 20 për qind”, tha Hashani.

    Hashani tha se në fluksin e lartë të pacientëve, ka ndikuar edhe ardhja e mërgimtarëve.

    “Fillimisht ju e dini që vera erdhi me pak vonesë dhe temperaturat ishin shumë të ulëta, për një moment të caktuar, brenda dy-tri javëve të fundit, patëm një fluks, një temperaturë të madhe, pra ngritje të temperaturave, të cilat i arrijnë 40-gradëshin, të cilat ishin shumë të vështira për pacientët, sidomos tek ata të cilët ishin me sëmundje kronike, dhe fëmijët. Por, jo vetëm ata, ishte faktikisht rraskapitëse edhe për gjithë popullatën… Rritja e këtij fluksi u ngrit edhe me ardhjen e bashkatdhetarëve tanë, edhe me rritjen e gastroenteriteve”, tha Hashani.

    Sfidë për pacientët të cilët kërkojnë mjekim është se një pjesë e stafit janë nëpër pushime, ndërkohë që kujdesi parësor shëndetësor ofron shërbime për mbi 700 mijë qytetarë.

    Ndryshe, kryeshefi i QKMF-së paralajmëroi se prej javës së ardhshme, do të ketë rritje të kërkesave për shërbime shëndetësore, meqenëse, sipas tij, do të ketë rritje të temperaturave. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Një i vrarë e tre të plagosur në Runik të Skenderajt

    Një i vrarë e tre të plagosur në Runik të Skenderajt

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Një person është vrarë dhe tre janë plagosur kur dy persona të maskuar, hynë në këtë lokal në fshatin Runik të Skenderajt, në orët e para të mëngjesit. Të dyshuarit për kryerjen e kësaj vepre penale, sipas Policisë, janë në arrati.

    “Rreth orës 01:21, të datës 10 gusht 2023, Policia ka marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në një kafene, në fshatin Runikë të Skenderajt. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe ekipi mjekësor. Bazuar në hetimet fillestare, nga arma e zjarrit lëndime kanë pësuar katër persona, njëri nga të lënduarit viktima N. L., 39 vjeç, ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa, tre persona të tjerë të lënduar (po ashtu nga arma e zjarrit) janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK”, thuhet në njoftimin e Policisë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

    Hetuesit e Sektorit Rajonal janë duke punuar intensivisht për identifikimin dhe arrestimit e kryesit/ve, të veprës dhe zbardhjen e kësaj vepre penale.”

    Ndërkaq, viktima N.L. është 39 vjeç. Sipas dëshmitarëve, ai mbeti i vdekur nga plumbat e një kallashnikovi, që u shkrep brenda lokalit, ku ndodheshin rreth 12 persona.

    Tre të plagosurit nga të shtënat po marrin trajtim në Qendrën Klinike Universitare. Avdush Bajgora, shef në Qendrën Emergjente tha se të tre janë jashtë rrezikut për jetë por njërit i është amputuar këmba.

    “Rastet i kemi trashëguar nga ndërrimi i natës, gjithsej momentalisht në reanimacion janë dy pacientë të lënduar me armë zjarri në ekstremitetet e poshtme dhe një pacient është në mjekim intensiv. Pacientët kanë pësuar lëndime si rezultat i goditjes me armë zjarri, janë bërë të gjitha ekzaminimet imazherike, analizat laboratorike dhe gjendja e pacientëve është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë, përkundër lëndimeve të rënda që i kanë pësuar”, tha shefi i Qendrës Emergjente, Avdush Bajgora.

    Derisa autoritetet njoftuan se janë duke punuar në identifikimin dhe arrestimin e fajtorëve për këtë vrasje, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ngjarjen në fshatin Runik e cilësoi si vrasje të rëndë.

    Ngjarja në Runik e çon në tre numrin e vrasjeve të raportuara në javën e fundit në Kosovë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Deri në tri orë pritje për të dalë nga Kosova

    Deri në tri orë pritje për të dalë nga Kosova

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Mërgimtarët që tashmë janë nisur drejt vendeve ku jetojnë për të dalë nga Kosova detyrohen të presin me orë të tëra. Deri në 1 kilometër ishte kolona gjatë ditës në drejtim të daljes së kufirit në Merdar. Pritjet për ta kaluar atë ishin deri në 3 orë.

    Me një gjë të tillë po presin të përballen edhe në kufijtë e shteteve tjera.

    Gjendje përafërsisht e njëjtë ishte edhe në dalje të kufirit në Jarinjë. Sipas qendrës për menaxhim kufitar, në mesditë pritjet ishin deri në 2 orë, e në Mutivodë deri në 1 orë.

    Ndërkohë, me pritje shumë të gjata nuk u përballën ata që zgjodhën pikën kufitare Dheu i Bardhë e Muçibabë. Pritjet në mesditë ishin mesatarisht 25 minuta në dalje të kufirit në Muçibabë e 20 minuta tek Dheu i Bardhë.

    Derisa ata që po hyjnë në Kosovë përmes kufirit, Dheu i Bardhë, kanë pritur deri në 1 orë e gjysmë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Arrestohet një person i kërkuar në Kaçanik

    Arrestohet një person i kërkuar në Kaçanik

    Një person i kërkuar u arrestua sot në Kaçanik.

    Policia informoi se i dyshuari A.P ishte i kërkuar në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Ferizaj për veprat penale “Kanosje” dhe “Dhunë në familje” me dënim burgimi prej tetë muaj e gjysmë burgim.

    “Sot, në ora 12:50 në fshatin Gërlic e Epërme të Kaçanikut, policët e stacionit në Kaçanik kanë ndaluar e më pas kanë arrestuar personin e kërkuar me urdhëresë të gjykatës , A.P (M/K), i moshës 30 vjeçar. Pas kompletimit të dokumentacionit, i njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit.”, është bërë e ditur në njoftim.

    Policia ka fton qytetarët për bashkëpunim, sa herë që kanë informacione për personat e kërkuar nga organet e rendit, të njoftojnë menjëherë stacionin e policisë më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë” dhe në numrat kujdestarë: 192 ,0290/326-250 & 0290/322-406.

  • ​Policia e Kosovës parandaloi një rast të kontrabandës me mallra në veri të vendit

    ​Policia e Kosovës parandaloi një rast të kontrabandës me mallra në veri të vendit

    Policia Kufitare, në kuadër të luftës për parandalim dhe luftim të veprave të kundërligjshme ka intensifikuar kontrollet taktike dhe operacionale në terren, ku si rezultat i kësaj është identifikuar një rast i kontrabandës me mallra në veri të vendit.

    Njësia policore gjatë patrullimit në zonën kufitar, përkatësisht në liqenin e Ujmanit, ka vërejtur një mjet lundrues (barkë), të cilën e kanë përcjellë dhe kanë identifikuar vendin e ndaljes.

    “Njësitë policore, me të arritur në lokacion, në mes të rrugës kanë hasur në një veturë të braktisur, me targa të Serbisë. Vetura e braktisur, dyshohet se ishte ngarkuar me mallin që ndodhej në barkë. Gjatë kontrollit në veturë janë gjetur dhe sekuestruar mallra të ndryshme, si: telefona mobil (19 copë), cigare (830 pako) të llojeve të ndryshme, çanta, veshmbathje, mjete shkollore (lapsa, fletore, ngjyra, gërshërë etj), lodra për fëmijë, kozmetikë”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

    Rasti do të trajtohet nga njësitet përkatëse policore të Drejtorisë Rajonale Policore Kufitare-Veri në koordinim me organet e drejtësisë dhe Doganën e Kosovës.

  • ​Rriten pagat e mësimdhënësve për 15% në Bullgari

    ​Rriten pagat e mësimdhënësve për 15% në Bullgari

    Në Bullgari rriten për 15 për qind pagat e mësimdhënësve sipas aneksit të Marrëveshjes Kolektive të Punës për sistemin arsimor parashkollor dhe shkollor, të nënshkruar të enjten nga ministri i Arsimit dhe Shkencës Galin Tzokov dhe partnerët socialë. Rritja e pagës hyn në fuqi në mënyrë retroaktive nga 1 janari i vitit 2023, tha Ministria e Arsimit në një njoftim për shtyp.

    “Në këtë mënyrë, qeveria garanton prioritetin kombëtar për ruajtjen e nivelit të pagave të mësimdhënësve në 125% të pagës mesatare në vend”, tha Prof. Tzokov. Sipas tij, zgjidhjet më të mira për sistemin arsimor mund të gjenden vetëm përmes dialogut të mirë dhe konstruktiv me partnerët socialë. Ministri u shpreh i kënaqur që me buxhetin e shtetit garantohen si pagat e punonjësve të arsimit ashtu edhe vazhdimi i rinovimit dhe modernizimit të shkollave dhe konvikteve në të gjithë vendin.

    Me aneksin e nënshkruar, paga bazë mujore minimale për mësimdhënësit bëhet 1709 BGN. E njëjta gjë do të jetë për të gjithë specialistët e tjerë pedagogjikë – mësimdhënësit, edukatorët, logopedët, psikologët, këshilltarët pedagogjikë etj.

    Paga bazë minimale për mësimdhënësit e vjetër dhe edukatorët e vjetër do të bëhet 1763 BGN dhe për mësimdhënësit kryesorë dhe drejtuesit e arsimit – 1831 BGN. Drejtorët do të marrin të paktën 2,082 BGN në muaj dhe zëvendësdrejtorët – 1,926 BGN.

    524 milionë BGN nga buxheti i shtetit janë ndarë për rritjen e pagave të mësimdhënësit.

    Aneksi i Marrëveshjes Kolektive të Punës u nënshkrua nga Ministri i Arsimit Tzokov, presidentja e Sindikatës Bullgare të Mësimdhënësve me Konfederatën e Sindikatave të Pavarura në Bullgari (CITUB), Yanka Takeva, kreu i Sindikatës së Arsimit me Konfederatën e Punës të Podkrepës, Julian Petrov, kreu i Sindikatës së Pavarur të Mësimdhënësve me CITUB, Asparuh Tomov./BTA-KosovaPress/

  • IPK kërkon suspendimin e një rreshteri në veri

    IPK kërkon suspendimin e një rreshteri në veri

    Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) njofton se dje (e mërkurë) si rezultat i veprimeve hetimore ka parashtruar kërkesë drejtorit rajonal të Policisë Kufitare Veriu për suspendim në kohëzgjatje deri në tri ditë (3) ndaj një zyrtarit policor me gradën rreshter, i cili shërben në Stacionin Policor për Mbikëqyrje Kufitare Leposaviq – Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare Veriu.

    Kjo kërkesë, sipas IPK është nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i Pozitës apo Autoritetit Zyrtar” nga neni 414 i KPRK-së.

    “Ky rast në koordinim me Prokurorin e Shtetit është duke u trajtuar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

  • ​Qytetarët në Portugali të lumtur me vetëm 4 ditë punë në javë

    ​Qytetarët në Portugali të lumtur me vetëm 4 ditë punë në javë

    Rreth dy muaj pas fillimit të pilot projektit të javës katërditore të punës, Sekretari i Shtetit për Punën, po bën një vlerësim pozitiv të projektit, duke thënë ai ka indikacione se punëtorët dhe organizatat janë të kënaqur.

    Bilanci përfundimtar i përvojës që mbulon 39 kompani dhe rreth 1000 punëtorë, e cila filloi më 5 qershor, do të bëhet vetëm në fund të gjashtë muajve të projektit, por sekretari i Shtetit për Punën, Miguel Fontes, i cili po vizitonte një nga kompanitë pjesëmarrëse, Crioestaminal, në Cantanhede, tha për Lusën se ai kishte, për momentin, “indikacione pozitive” nga pjesëmarrësit.

    “Informacioni që na vjen është shumë pozitiv, në të cilin personat që po punojnë katër ditë në javë janë veçanërisht të kënaqur me këtë mundësi, ata mendojnë se cilësia e punës dhe e jetës së tyre është përmirësuar”, tha ministri, raporton Lusa.

    Sipas Miguel Fontes, përvoja në këto kompani mund të tregojë se, me javën katërditore të punës, “ulen mungesat në punë, rritet niveli i atraktivitetit të këtyre kompanive”, duke u bërë kështu më konkurruese.

    “Nga këndvështrimi i organizatave, ajo që na dëshmojnë është se kjo i ka detyruar të ridizajnojnë proceset e punës, të riorganizojnë metodologjitë e punës, por që tani për tani nuk mendojnë se ka ndonjë rezultat më pak pozitiv për shkak se i janë bashkuar projektit të javës katërditore”, ka shtuar ai, duke theksuar megjithatë se “është ende herët” për një vlerësim përfundimtar.

    Pilot projekti filloi më 5 qershor, me 39 kompani dhe rreth 1,000 punëtorë që iu bashkuan nismës.

    Projekti synon të vlerësojë zbatimin e javës katërditore, me uljen përkatëse të numrit të orëve të punës, pa ulur pagën dhe ka për qëllim punëdhënësit dhe punonjësit që dëshirojnë të bashkohen vullnetarisht, sipas urdhëresës së publikuar në Diario da Republica, gazeta zyrtare e qeverisë.

    Parashikohet që subjektet që regjistrohen në programin pilot do të vlerësohen para, gjatë dhe pas programit, nëpërmjet treguesve që lidhen me kompaninë, si produktiviteti dhe kostot e ndërmjetme, si dhe me punëtorët, përfshirë shëndetin dhe mirëqenien.

    IEFP – Instituti i punësimit dhe trajnimit profesional merr përsipër kostot dhe shpenzimet që lidhen me zhvillimin e programit pilot deri në një shumë të përgjithshme maksimale prej 350,000 euro.

  • Babai i argjentinases që u vra në Kosovë: Janë gjetur informata të rëndësishme për shkakun

    Babai i argjentinases që u vra në Kosovë: Janë gjetur informata të rëndësishme për shkakun

    Drejtësia në Kosovë vijon hetimet për rrethanat në të cilat humbi jetën 27-vjeçarja argjentinase në Fushë Kosovë.

    I dashuri i saj, Endrit Nika, është ende në paraburgim, pasi dyshohet për vrasje

    Facundo Urdangaray, babai i María Clara Urdangaray, 27-vjeçares argjentinase që vdiq në Kosovë pasi u rrëzua nga kati i gjashtë i një hoteli në Fushë Kosovë derisa ishte me të dashurin e saj, dha detaje të reja për ecurinë e hetimeve dhe gjithashtu raportoi se familja e saj ende po lufton për të riatdhesuar trupin e të resë.

    Burri shpjegoi se mjekësia ligjore gjeti lëndime që nuk përputhen me rënien nga lartësia, pra ato ishin të mëparshme.

    Edhe pse ende nevojitet më shumë ekspertizë, kjo do ta komplikonte Endrit Nikën, të dashurin e saj zviceran nga Kosova, i cili ndodhet në paraburgim në Kosovë, pasi rasti po hetohet si një femicid i mundshëm.

    “Ata kanë gjetur shenja në trupin e vajzës sime se ka pasur lëndime të mëparshme. Mavijosje në krahët e saj. Kur një person bie nga një lartësi e tillë, ai ka lëndime të caktuara, por nëse ju shtrëngojnë fort krahët, ato lëndime nuk janë prej rënies,” shpjegoi Urdangaray për Radio 221 në Argjentinë.

    Nga ana tjetër, babai i së resë ka insistuar në kërkesën e tij që -pas ekspertizës përkatëse- të riatdhesojnë trupin e Klarës.

    Prindërit e María Clara Urdangaray ngritën një fushatë për të mbledhur fondet e nevojshme, por ata duhej të bllokonin llogarinë bankare.

    “Filluan të më hynin para që nuk mund t’i justifikoja, që nuk mund t’i faturoja dhe hynin para. Kështu që më duhej të bllokoja llogarinë”, tha ai për mediat argjentinase.

    Urdangaray tregoi gjithashtu se sa do të kushtonte riatdhesimi, sipas asaj që u informua.

    “Ndoshta dikush nga shteti argjentinas merr përgjegjësinë për këtë. Flitet nga 4000 deri në 8000 euro. As unë nuk e di cila është e vërteta, një gjë të thonë dhe një tjetër del, nuk e di saktësisht sa”, tha ai.

  • Lajmi i fundit nga QKUK, kjo është gjendja e të plagosurve në Runik të Skenderajt

    Lajmi i fundit nga QKUK, kjo është gjendja e të plagosurve në Runik të Skenderajt

    Tre personat e plagosur në Runik të Skenderajt janë dërguar në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ndërsa njëri prej tyre është në kujdes intensiv.

    Avdush Bajgora nga Emergjenca e QKUK-së, tha se njëri nga të plagosurit do të vazhdojë trajtimin jashtë vendit.

    Ai bëri të ditur se lëndimet kanë qenë serioze, ndërsa sipas tij parametrat e pacientëve të pranuar në reanimacion janë stabile.

    “Në qendrën emergjente kanë kërkuar ndihmë tre pacientë si rezultat i lëndimit me armë zjarri nga të cilët njëri i është nënshtruar intervenimit kirurgjikal dhe ndodhet në mjekim intensiv, njëri nga pacientët është dërguar në Klinikën e Ortopedisë ndërsa njëri pritet se do të vazhdojë trajtimin jashtë vendit. Lëndimet kanë qenë serioze ndërsa sa i përket paramertrave vitale flas gjithmonë për pacientët të cilët kanë qenë në reanimacion, parametrat janë stabile, ndërsa lëndimet janë serioze”, tha Bajgora.

    Specialisti anesteziolog në repartin intensiv, Betim Merdiu, tha se gjendja e njërit nga të plagosurit është e rëndë, duke treguar se këmba e tij është e amputuar poshtë gjurit.

    “Në orën e mëngjesit është sjellë një pacient nga salla e kirurgjisë urgjente, gjerësisht si pasojë e lëndimeve të marra nga armët e zjarrit, është punuar nga ekipa kujdestare nga mjeku ortoped dhe kirurg vaskular, kirurg plastik dhe nga ekipa e anestezionit. Në mjekimin intensiv pacienti trajtohet me produkte te gjakut si pasojë e shokut hemorragjik, gjendja e pacientit vazhdon të jetë e rënduar, është bërë amputimi nën gjurin e këmbës si pasojë e plagëve të ndërmarra, është bërë intervenimi kirurgjik. Për momentin gjendja është e rënduar, pacienti i gjinisë mashkull mosha 31 vjeçare. Në mjekimin intensiv është pranuar vetëm një pacient prej plagëve të marra dhe si pasojë e përkeqësimit të gjendjes”, tha ai.

    Vrasja e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në një kafiteri në fshatin Runik të Skenderajt, ku ka mbetur i vrarë një person dhe tre të tjerë janë plagosur.

    Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, ka bërë të ditur për KosovaPress se ngjarja ka ndodhur rreth orës 1:21.

    Siç tha ai, njëri nga të lënduarit, viktima N. L 39-vjeçar, ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa, tre të plagosurit janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK./kp