ATV

Category: Lajme

  • “Çfarë po kërkon BE-ja më shumë?”: Qeveria reagon pas deklarimeve të Stanos për veriun

    “Çfarë po kërkon BE-ja më shumë?”: Qeveria reagon pas deklarimeve të Stanos për veriun

    Qeveria e Kosovës konsideron se janë plotësuar tri kërkesat e BE-së që dalin nga marrëveshja e Bratislavës midis zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi dhe emisarit të BE-së Miroslav Lajçak, për de-eskalimin e situatës në veri.

    Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, tha se Qeveria ka përmbushur fillimisht dy hapat e parë duke tërhequr 50% të Policisë në dhe rreth komunave në veri të vendit.

    Ndërsa, hapi i tretë është drejtë përmbushjes, pasi Qeveria ka themeluar grupin punues përgjegjës për hartimin e udhëzimin administrativ që mundëson zgjedhjet e parakohshme.

    “Qeveria e Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga zëvendëskryeministri i saj, Besnik Bislimi ka arritur një marrëveshje në Bratislavë me emisarin e BE-së, Miroslav Lajcak mbi hapat e zbatimit të deklaratës së 3 qershorit të BE-së për deeskalim të situatës në katër komunat në veri. Prej atij momenti, Republika e Kosovës ka përmbushur pikën e parë të atij dakordimi me rastin e uljes prej 25% të pranisë së pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në dhe përreth ndërtesave komunale. Si rezultat i zbatimit të pikës së dytë, e cila parasheh vlerësimin e përbashkët të situatës së sigurisë, javën e kaluar numri i policëve në dhe përreth ndërtesave komunale është ulur edhe për 25% tjera. Ndërkaq në kuadër të pikës së tretë të dakordimit të Bratislavës, ne tashmë kemi themeluar grupin punues përgjegjës për hartimin e udhëzimin administrativ që mundëson zgjedhjet e parakohshme’’ tha zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

    Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka parashtruar pyetje në drejtim të BE-së se çfarë po kërkon më shumë nga Kosova. Ndërsa, për Serbinë tha se nuk ka bërë asgjë për de-eskalimin e situatës në veri.

    “Pra Kosova po respekton dakordimin me BE-në. Një pyetje me rendësi që duhet të ngritët është se çfarë ka bërë Serbia për deeskalimin e situatës nga çka i është kërkuar fillimisht nga vetë BE. Kjo së bashku me pyetjen se çfarë po kërkon më shumë BE-ja nga Kosova, është më së miri t’i parashtrohet BE-së. Ne kemi thënë që masat ndaj Kosovës kanë qenë të padrejta dhe presim që ato të largohen sa më parë, sidomos pas progresit në zbatimin e marrëveshjes së Brastislavës por edhe pas përmirësimit të situatës në terren” tha zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu. Ky reagim i Qeverisë vjen pasi BE-ja e ka mirëpritur tërheqjen e 50% të Policisë nga komunat veriore, por BE-ja ka kërkuar hapat të tjerë nga Qeveria për de-eskalimin e situatës në veri. “BE-ja mirëpret njoftimin e fundit nga Qeveria e Kosovës për një reduktim të mëtejshëm prej 25% të pranisë së policisë brenda dhe përreth ndërtesave komunale në veri të Kosovës. Këto janë hapa në drejtimin e duhur, por nevojiten hapa të mëtejshëm” thuhet në përgjigjen e BE-së.

  • Diskriminimi nga shteti serb: Rreth 8 mijë shqiptarëve në Luginë u pasivizohen adresat

    Diskriminimi nga shteti serb: Rreth 8 mijë shqiptarëve në Luginë u pasivizohen adresat

    Rreth 8 mijë banorëve shqiptarë në Luginën e Preshevës u janë pasivizuar adresat, një masë e shtetit serb që po u pamundëson shqiptarëve pajisjen me dokumente pas skadimit të tyre.

    Kjo është një nga mënyrat e presionit për largimin e shqiptarëve nga Serbia, duke u pamundësuar edhe qasje në pronat e tyre

    Nexhat Ibrahimi, banor i fshatit Shoshajë në Komunën e Preshevës, tha për RTK se ka disa javë që ka mbetur pa dokumente të Serbisë, pasi atij i është pasivizuar adresa në shtëpinë ku jeton.

    Edhe përfaqësuesi i shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë Shaip Kamberi, këto veprime të institucioneve serbe karshi shqiptarëve në Luginë i quan tendencë të shtetit për zvogëlimin e popullsisë shqiptare, teksa thotë se ekziston frika nga forcimi politik etnik shqiptar në këto treva.

    Kryetari i Bujanocit, Nagip Afiri tha se nuk kanë statistika zyrtare për pasivizimin e adresave, por nga të dhënat e mbledhura jo zyrtarisht vetëm në Komunën e Bujanocit, janë pasivizuar afro 2 mijë adresa të banorëve shqiptarë.

    Nga këshilli për të drejtat e njeriut në Luginën e Preshevës , thanë se pasivizimi i adresave është zbatim selektiv i ligjit për vendbanime .

    Pasivizimi i adresave të banorëve shqiptarë në Luginë, është një ndër pabarazitë që po u shkaktohet banorëve shqiptarë. Shumë nga ta, përmes pasivizimit që Serbia e bën duke zbatuar ligjin njëanshëm, po mbesin pa qasje në pronat e tyre.

  • Rashiq: Shumë shpejt do të hiqet vendimi për ndalimin e mallrave serbe

    Rashiq: Shumë shpejt do të hiqet vendimi për ndalimin e mallrave serbe

    Ministri për Komunitete dhe Kthim Nenad Rashiq, thotë se ka marrë informacion nga kryeministri Albin Kurti se vendimi për ndalimin e importit të mallrave serbe në Kosovë së shpejti do të hiqet.

    Ai për RTK2, nuk ka specifikuar datë konkrete për heqjen e masave. “Mendoj se do të ndodhë së shpejti, me faktin se po lutem që të mos ketë ndonjë komplikim shtesë, që të mos bie në plan të dytë sepse është tani. gjëja e parë në agjendë”, tha Rashiq.

    Ministri për Komunitete dhe Kthim Nenad Rashiq foli për gjendjen në veri, qëndrimin e institucioneve ndaj komuniteteve jo-shumicë dhe kthimit.

  • Operacioni ‘Goditja’: Pas ngjarjeve tragjike aktivizohet policia, arrestohen 14 persona dhe konfiskohen 19 armë

    Operacioni ‘Goditja’: Pas ngjarjeve tragjike aktivizohet policia, arrestohen 14 persona dhe konfiskohen 19 armë

    Policia e Kosovës njofton se ka vazhduar zbatimi i urdhrit operativ “Goditja”, ku gjatë dy netëve të fundit janë arrestuar 14 persona dhe janë konfiskuar 19 armë të ndryshme.

    Sipas PK-së, patrullimet policore janë bërë kryesisht në qendra urbane, në pjesën ku ka më shumë lokale e bare nate.

    “Gjatë dy ditëve (netëve) të zbatimit të Urdhrit Operativ ‘GODITJA’, i cili si qëllim kishte shtimin e aktiviteteve/patrullimeve policore, kryesisht në qendra urbane, në ato pjesë ku ka më shumë lokale, kafiteri, bare nate, e më shumë qytetarë që vizitojnë ato, janë evidentuar këto aktivitet dhe arritur këto të dhëna”, njofton Policia.

    Aty thuhet se të dhënat e regjistruara janë gjatë zbatimit të urdhrit operativ më 8 dhe 9 gusht.

    “Me 8 e 9 gusht 2023, gjatë realizimit të detyrave që rrjedhin nga urdhri në fjalë, në tërë vendin janë regjistruar këto të dhëna: Janë angazhuar 823 patrulla policore (të njësive të ndryshme policore), janë vendosur e realizuar 871 Pika për Kontrollin e Automjeteve (PKA), janë realizuar 331 pika kontrolli me radar ose alkootest, janë kontrolluar 4848 vetura, janë kontrolluar 102 lokale të ndryshme, janë konfiskuar 19 armë të ndryshme, janë arrestuar 14 persona të kërkuar me urdhëresë nga gjykatat dhe aktivitete tjera që lidhen me ofrimin e sigurisë etj”, njofton Policia.

  • Avokati i një të akuzuari për krime lufte kërkon nga kryeministri Kurti të dëshmojë

    Avokati i një të akuzuari për krime lufte kërkon nga kryeministri Kurti të dëshmojë

    Përgatiti: Arbnora Luta

    Mbrojtja e Dragisha Millenkoviqit, i cili është duke u hetuar nga Prokuroria Speciale si i dyshuar për krime lufte në burgun e Prishtinës dhe të Lipjanit ka dorëzuar një kërkesë në Qeverinë e Kosovës.

    Avokati i Millenkoviqit, Dejan Vasiq, ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që në cilësinë e dëshmitarit të mbrojtjes të intervistohet për këtë rast.

    Duke përmendur faktin se Kurti, në kohën kur i dyshuari Millenkoviq ka punuar në burgun e Prishtinës, ka qenë i arrestuar, Vasiq thotë që dëshmia e kryeministrit është shumë e rëndësishme për klientin e tij.

    “Kam dorëzuar kërkesën me të cilën lus që kryeministri në cilësinë e qytetarit të dëgjohet në Prokurorinë Speciale në lëndën e Dragisha Millenkoviqit nga Graçanica, lidhur me ngjarjet në burgun e qarkut të Prishtinës, sa ishte i mbyllur aty”, tha Vasiq.

    Sipas Vasiqit, klienti i tij, madje, i ka dërguar libra kryeministrit Kurti sa ishte i burgosur në burgun, ku sipas Prokurorisë, Millenkoviq dyshohet se rrahu e keqtrajtoi civilë shqiptarë.

    “Jam i sigurt që do ta shqyrtojnë kërkesën e të mos refuzojnë. Ai do të dëgjohej si qytetar bazuar në funksionin e tij. Jam i sigurt që ai do të përgjigjet sinqerisht. Nga biseda me klientin tim jam i sigurt që do t’i kujtojë ngjarjet, pres që kjo të ndodhë sepse nuk mendoj se ekziston ndonjë nevojë për pompozitet. Thjesht ky dëgjim do t’i ndihmojë prokurorisë të zbuloje të vërtetën. Kishim bashkëpunim të mirë me prokurorin e kësaj lënde”, tha Vasiq.

    ATV-ja ka pyetur në Zyrën e Kryeministrit për media, për një qëndrim rreth kërkesës së Vasiq, por nuk ka marrë një përgjigje.

    Ndërkohë, sipas Prokurorisë Speciale, Dragisha Millenkoviq, i cili u arrestua në qershor të këtij viti, dyshohet se gjatë periudhës së luftës në vitin 1999, në cilësinë e personit zyrtar në burgun e Prishtinës dhe atë të Lipjanit ka kryer krime lufte ndaj popullatës civile.

    Ai dyshohet se pasi që janë transferuar të burgosurit nga burgu i Dubravës në këto dy burgje, i ka detyruar ata të kalojnë përmes një kordoni, duke i goditur me shkop, grushte dhe shqelma. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Raporti i IPK-së për shqyrtimin e lëndëve ndaj policëve

    Raporti i IPK-së për shqyrtimin e lëndëve ndaj policëve

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Departamenti i inspektimeve në Inspektoratin Policor ka publikuar Raportin e inspektimit për Shqyrtimin e lëndëve për shkelje disiplinore dhe shqiptimi i masave ndaj punonjësve të Policisë së Kosovës nga Komisioni i Brendshëm Disiplinor.

    Rezultatet e raportit për vitin 2022, i kanë vënë në pah disa probleme, posaçërisht me mungesë të stafit të Komisionit të Brendshëm Disiplinor.

    “Janë identifikuar dobësi që kërkojnë trajtim, duke përfshirë burimet e pamjaftueshme nga radhët e personelit të përhershëm, për të përballuar numrin e madh të lëndëve, aspektet teknike dhe kohore në përzgjedhjen dhe vazhdimin e mandateve të anëtarëve të përkohshëm zëvendësues, respektimin e parimit të përfshirjes në panele të anëtarëve nga komunitetet jo shumicë, apo të gjinisë femërore varësisht prej specifikave të rasteve”, thuhet në raportin e IPK-së.

    Kështu, në mënyrë që të rritet efikasiteti, raporti që u përpilua nga dy inspektorë, jep gjashtë rekomandime.

    “IPK-ja i rekomandon kryesuesit të Komisionit të Brendshëm Disiplinor, që të analizojë gjendjen sasiore me burime njerëzore dhe në koordinim me Zyrën e Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm për Resurse, të shqyrtojë mundësitë e shtimit të numrit të anëtarëve të përhershëm, duke konsideruar numrin aktual si të pamjaftueshëm për të përballuar ngarkesën e punës”, thuhet në raport.

    30,5 për qind e lëndëve ndaj zyrtarëve policorë, janë mbyllur me masë të shqiptuar, sipas rekomandimit. Në 25,8 për qind të tyre, është ulur masa e kategorisë së shkeljes. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Rrjedhje e ujit, njësia B2 ndal prodhimin përkohësisht

    Rrjedhje e ujit, njësia B2 ndal prodhimin përkohësisht

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Aktualisht, Korporata Energjetike e Kosovës është duke prodhuar energji elektrike me më pak se 30% të kapacitetit të përgjithshëm, pasi asnjëra nga dy njësitë e Termocentralit Kosova B nuk është në prodhim.

    Derisa njësia B1 është në remont të rregullt, njësia B2, e cila ka kryer më herët remontin, ndali përkohësisht prodhimin për shkak të një problemi.

    Duke njoftuar se ndalja u bë për të parandaluar ndonjë avari eventuale, në KEK njoftuan se kjo njësi, e cila ka kapacitet prej 260 megavatë/orë energji elektrike, pritet të rinisë prodhimin para fundjavës.

    “Tri njësi kanë qenë në operim: njësia B2 e Kosovës B, si dhe dy njësi të Kosova A, A3 dhe A5. Njësia B2 është ndalë për shkak të rrjedhjeve të ujit, sot në orët e para të mëngjesit, dhe pritet të riparohet dhe të kthehet në prodhim nesër”, tha zëdhënësi i KEK-ut, Skender Bucolli.

    Deri në kthimin në prodhimin, KEK-u do të importojë energjinë e nevojshme për t’i mbuluar nevojat e brendshme – sipas kontratës me KEDS-in.

    “Nuk ka mungesë të energjisë elektrike, sepse KEK-u është duke kontraktuar energji aq sa kapaciteti i njësisë B2, deri në rikthimin e saj në prodhim. Dy njësitë e Kosovës A, së bashku, janë duke prodhuar 260 megavatë. Ndërsa, 260 megavatë të tjera KEK-u i siguron përmes kontraktimit. Në total janë kapaciteti në dispozicion është 520 megavatë orë”, tha Bucolli.

    Kapaciteti i përgjithshëm prodhues i dy termocentraleve është pak më shumë se 900 megavatë/orë energji elektrike – dy njësi të Kosovës B nga 260 megavatë secila dhe tri të Kosovës A nga 130 megavatë secila.

    Programi për Zbatimin e Strategjisë së Energjisë parasheh investime në vlerë 415 milionë euro, nga ky vit e deri më 2025, për rehabilitimin e njësive prodhuese në dy termocentralet. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Të paktën 36 persona të vdekur nga zjarret në Havai

    Të paktën 36 persona të vdekur nga zjarret në Havai

    Përgatiti: Teuta Arifaj

    Mijëra banorë të Havait janë detyruar të largohen nga shtëpitë në Maui, pasi zjarret u përhapën në gjithë ishullin, duke shkatërruar pjesë të qyteteve të vjetra me shekuj.

    Rreth 40 persona deri më tani kanë vdekur, si pasojë e zjarrit ndryshe më vdekjeprurësi në disa dekada në territorin amerikan. Zjarret janë përhapur për shkak të erës së fuqishme e nxitur nga një uragan në afërsi.

    Ekipet e kërkim-shpëtimit janë duke kërkuar për shumë persona të zhdukur.

    Zjarri u përhap befas, sipas autoriteteve, duke lënë shkatërrim pas vetes. Ekipet e zjarrfikësve u shpërndanë në disa zona të ishullit, derisa shumë njerëz shpëtim gjetën në ujin e oqeanit.

    Sipas zyrtarëve, rreth 300 struktura u dëmtuan ose u shkatërruan tërësisht dhe dhjetëra persona u lënduan. Ndërkaq, pesë qendra evakuimi janë hapur në Maui, por zyrtarët kanë thënë se të gjitha janë të mbingarkuara me njerëz.

    Prefekti i qytetit Maui, Richard Bisses, tha se ishulli po sfidohet si kurrë më parë.

    Teksa zjarret ende nuk janë shuar turistët janë këshilluar të qëndrojnë larg. Rreth 11.000 vizitorë fluturuan nga Maui të mërkurën, me të paktën 1.500 të tjerë që pritet të largohen të enjten, sipas Ed Sniffen, drejtor i transportit shtetëror.

    Zyrtarët përgatitën Qendrën e Konventës në Havai në Honolulu, për të pranuar mijëra të zhvendosur. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Kryeministri beson se peticioni është forma më e mirë për zgjedhjet në veri

    Kryeministri beson se peticioni është forma më e mirë për zgjedhjet në veri

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Peticioni në katër komunat veriore, po shihet si forma më e mirë për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, sipas kryeministrit Albin Kurti. Kryeministri shpreson që të mos përsëritet situata kur serbët i bojkotuan zgjedhjet e 23 prillit.

    “Ne mendojmë se mënyra e duhur për këtë është duke shfrytëzuar nenin 72 të Ligjit për vetëqeverisje lokale, i cili parasheh mundësinë e 20 për qind të trupit elektoral që të dalin dhe shprehin vullnetin e tyre për t’i ndërprerë mandatin e kryetarëve aktualë. Jemi të hapur për këtë. Është krijuar edhe një grup punues që do të bëjë rregullimin e çështjeve teknike administrative të dispozitave të këtij neni dhe këtij ligji”, tha Kurti.

    Megjithatë, këtë ide nuk e përkrah kryetari i Zubin Potokut. Izmir Zeqiri mendon se kryetarët duhet të japin dorëheqje.

    Kurse, kryeministri Albin Kurti mes tjerash, kërkoi nga Bashkimi Evropian, largimin e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, pasi që, sipas tij, deeskalimi në veri ka ndodhur.

    “Sa i përket masave që janë marrë ndaj nesh, ne konsiderojmë se nuk janë fer. Janë pjesë e asimetrisë në raporte dhe sa më parë që të përfundojnë aq më mirë. Ne po bëjmë krejt çfarë mundemi dhe dimë, por do të duhej që edhe partnerët dhe aleatët tanë evropian sa më parë të përmirësojnë qëndrimin e tyre ndaj Kosovës. Pasi një Republikë demokratike dhe progresiste siç është Kosova, meriton të ndihmohet me krejt çka munden ata dhe jo të ketë masa ndëshkuese”, tha Kurti.

    Teksa Bashkimi Evropian ka kërkuar datë për mbajtjen e zgjedhjeve, Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, ka themeluar Grupin Punues për hartimin e Udhëzimit Administrativ, për caktimin e procedurave për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave në veri. Ky udhëzim, duhet të jetë gati deri më 1 shtator. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Kurti viziton Maqedoninë e Veriut, rruga Tetovë – Prizren temë diskutimi

    Kurti viziton Maqedoninë e Veriut, rruga Tetovë – Prizren temë diskutimi

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Ishte njëri nga premtimet e kryeministrit Albin Kurti në kohë fushate. Madje, rrugën Tetovë – Prizren e kishte paralajmëruar edhe zëvendësministri Hysen Durmishi. Por, puna në terren nuk ka filluar ende, teksa nga Qeveria shpalosen detaje për fazën e projektit.

    “Pas nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet dy qeverive, ne kemi vazhduar me fazën tjetër të këtij projekti që është formimi i komisionit ndërshtetëror që udhëhiqet nga dy zëvendësministrat respektivë të Infrastrukturës, Hysen Durmishi dhe Bekim Rexhepi. Komisioni i përbashkët ka përzgjedhur variantin e që është varianti me tunelin 6.4 km”, tha zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

    Aktualisht, dy Qeveritë janë para nënshkrimit të marrëveshjes financiare për hartimin e projektit kryesor për këtë tunel që parashihet të ndërtohet bashkërisht.

    “Rrugën në pjesën e Kosovës e projektojmë dhe e ndërtojmë ne, kurse rrugën në territorin e Maqedonisë së Veriut e projekton dhe e ndërton Maqedonia e Veriut. Kosova ka bërë hapat parë në këtë drejtim, duke finalizuar hartimin e projektit kryesor nga dalja e tunelit e deri në kyçjen në autostradën “Ibrahim Rugova”, tha Kryeziu.

    Ndërkaq, pikërisht ky aks rrugor do të jetë temë diskutimi në vizitën që Kryeministri Albin Kurti të premten do ta zhvillojë në Maqedoni të Veriut.

    Kurti do të marrë pjesë në inaugurimin e rrugës së re që lidh fshatin Sellcë dhe fshatin Vicë që parashihet të rrisë kapacitetet e turizmit malor dhe do të përafrojë Tetovën me Prizrenin.

    Me ndërtimin e këtij aksi, rruga Tetovë-Prizren, nga rreth 3 orë sa është aktualisht, do të mund të kalohet vetëm për 30 minuta. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: