ATV

Category: Lajme

  • FMN: Nëse masat e BE-së mbesin gjatë në fuqi do të jenë pengesë për zhvillimin ekonomik

    FMN: Nëse masat e BE-së mbesin gjatë në fuqi do të jenë pengesë për zhvillimin ekonomik

    Një ekip i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), nën udhëheqjen e Gabriel Di Bella ka realizuar një vizitë stafi në Prishtinë, nga 31 korriku deri më 4 gusht 2023 për të diskutuar lidhur me zhvillimet e fundit makroekonomike dhe zhvillime të tjera, përfshirë progresin në zbatimin e Marrëveshjes parandaluese Stand-By (SBA) dhe Instrumentit të Reziliencës dhe Qëndrueshmërisë (RSF).

    Pas përmbylljes së vizitës, Di Bella ka thënë se në kontekstin sfidues global, kushtet makroekonomike në Kosovë për vitin 2023 deri më tani kanë mbetur të favorshme, duke shtuar se inflacioni vazhdon të shënojë rënie dhe deficiti i llogarisë rrjedhëse ka filluar të ngushtohet.

    “Të hyrat fiskale vazhdojnë të rriten me ritëm të qëndrueshëm, ka filluar të rritet zbatimi i programit të investimeve publike dhe rezervat fiskale kanë mbetur në nivele të duhura. Megjithatë, paqëndrueshmëria e ngritur në nivel global dhe tensionet në Kosovën veriore mbeten rreziqe perspektive të cilat, nëse materializohen, mund t’i rëndojnë sfidat e politikave.”, është shprehur ai.

    Bella ka folur për masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, për të cilat është shprehur se mund të bëhen pengesë për investimet e huaja direkte dhe zhvillimin ekonomik.

    “Në veçanti, zhvillimet e kohëve të fundit në katër komunat veriore çuan në masa të përkohshme dhe të kthyeshme nga disa donatorë dhe partnerë tradicionalë që kufizojnë bashkëpunimin e ri ekonomik dhe financiar. Përderisa, nëse hiqen në afat të shkurtër, nuk pritet që këto masa të kenë ndikim në perspektivën ekonomike, ato mund të bëhen pengesë për investimet e huaja direkte dhe zhvillimin ekonomik në përgjithësi nëse vazhdojnë të qëndrojnë për një kohë më të gjatë.”, ka shtuar tutje ai.

    Gjatë vizitës, ekipi i FMN-së ka diskutuar për zhvillimet e fundit makroekonomike dhe të politikave, si dhe progresin me projektbuxhetin për vitin 2024. Ekipi gjithashtu ka vlerësuar progresin e shënuar në përmbushjen e angazhimeve kryesore në kuadër të programeve të mbështetura nga fondi.

  • Vrasja në Runik, gazetari i ATV-së sjell detajet e fundit nga vendi i ngjarjes

    Vrasja në Runik, gazetari i ATV-së sjell detajet e fundit nga vendi i ngjarjes

    Në fshatin Runik të Komunës së Skenderajt, ku sot gjatë orëve të hershme të mëngjesit, përkatësisht në orën 01:21, një person ka mbetur i vdekur dhe tre të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri.

    Këtë e ka konfirmuar për ATV-në zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, i cili tha se dy të dyshuarit ishin të maskuar, të cilët ishin futur brenda në lokal dhe kishin shtënë me armë zjarri në drejtim të njerëzve të cilët ishin brenda këtij lokali, ku si pasojë mbet i vdekur një 39-vjeçar dhe tre të tjerë mbeten të plagosur.

    Gazetari i ATV-së, Kastriot Tahiri, nga vendi i ngjarjes tregon se trupi i pajetë, me vendim të prokurorit është dërguar për në mjekësinë ligjore, ndërsa të lënduarit po trajtohen në QKUK, ku njëri prej tyre po trajtohet në Qendrën e Mjekësisë Intensive, sepse të njëjtit i është dashur t’i amputohet këmba, ndërsa dy të tjerët po vazhdojnë trajtimin në Klinikën e Ortopedisë, ku deri më tani mësohet se gjendja e tyre është stabile dhe janë jashtë rrezikut për jetë. /atvlive.tv

    Lajmet e orës 11:00 në ATV i gjeni në videon më poshtë:

  • Tre të vrarë në më pak se një javë nëpër lokale në Kosovë, katër të dyshuar në arrati

    Tre të vrarë në më pak se një javë nëpër lokale në Kosovë, katër të dyshuar në arrati

    Që nga 4 gushti 2023, janë shënuar tri raste të vrasjeve të cilat kanë ndodhur në lokale në Prishtinë, Klinë dhe Skenderaj.

    Vrasja e parë përgjatë këtyre ditëve ndodhi në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë më 4 gusht, ku përveç vrasjes së një personi, shumë të tjerë mbetën të plagosur nga gërvishtjet e xhamave dhe gjësendeve të tjera aty, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Tre të dyshuarve për përfshirje në rastin “Bon Vivant”, Andi Pajaziti, Hisni Gecaj dhe Gëzim Zakuti, Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh (secilit veç e veç). Ndërsa, i dyshuari i katërt për përfshirje në këtë rast, Dukagjin Nikollaj, gjendet në arrati.

    Në vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të dyshuarve thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se pas një përleshjeje fizike në mes të pandehurve Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti në njërën anë, me të pandehurit Dukagjin Nikollaj dhe tani të ndjerin K.R dhe personit të paidentifikuar deri më tani në anën tjetër, me dashje që ta privojnë nga jeta njëri-tjetrin, fillimisht janë përleshur fizikisht, e më pas janë shkrepur edhe armët, ku si pasojë e ka ndërruar jetë K.R.

    Vrasja e dytë ka ndodhur më 7 gusht 2023, në një lokal qytetin e Klinës, ku fillimisht ishte plagosur një person i cili më pas kishte vdekur nga plagët e marra.

    Personi i cili dyshohet se e ka kryer veprën penale është Tush Frroku, e i cili është në arrati. Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmë edhe nga qytetarët për gjetjen e tij, pasi që është shpallur në kërkim. I dyshuari Frroku, në të kaluarën ka kryer edhe vepra tjera penale.

    Përmes një përgjigje dhënë për “Betimi për Drejtësi”, Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se Frroku është akuzuar edhe për dy vepra tjera penale dhe se ndaj tij kishte procedurë edhe për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

    Në vitin 2012, Prokuroria Themelore e Pejës kishte ngritur aktakuzë ndaj Frrokut për veprën penale “Armëmbajtje paleje”. Po ashtu, ndaj tij ishte ngritur edhe aktakuzë për veprën penale “Vjedhje e shërbimeve”. Kurse, në vitin 2016, sipas Prokurorisë ndaj të dyshuarit Frroku, ka pasur procedurë të zhvilluar për veprën penale “Përdorimi armës apo mjetit të rrezikshëm”.

    Vrasja e fundit ndodhi në orët e para të ditës së sotme në një lokal në Runik të Skenderajt, ku mbeti i vrarë një 39-vjeçar, ndërsa tre të tjerë të plagosur. Të plagosurit janë duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

    Sipas Policisë, dyshohet se dy persona të maskuar kanë hyrë në lokal, kanë shtënë me armë zjarri, ku mbeti i vdekur një person e u plagosën tre të tjerë.

    Të dyshuarit e rastit në Skenderaj, ashtu sikurse të dyshuarit Nikollaj dhe Frroku, gjenden në arrati./BetimipërDrejtësi

  • Vrasja e tretë brenda një jave në Kosovë

    Vrasja e tretë brenda një jave në Kosovë

    Një 39-vjeçar ka vdekur të enjten në Skenderaj si pasojë e të shënave me armë zjarri, ka njoftuar Policia e Kosovës.

    Përmes një komunikate për media, Policia ka thënë se vrasja ka ndodhur në fshatin Runikë të Skendarajt dhe përveç viktimës, në vend të ngjarjes janë plagosur edhe tre persona tjerë.

    Ata është thënë se po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

    “Nga hetimet e para dhe këqyrja e vendit të ngjarjes, dyshohet se dy persona të dyshuar e të maskuar kanë hyrë brenda në kafiteri, kanë shtënë me armë dhe janë larguar në drejtim të panjohur. Në cilësi të provave materiale, në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar disa gëzhoja”, ka thënë Policia.

    Autoritetet është thënë se janë duke punuar në identifikimin dhe arrestimin e fajtorëve për këtë vrasje.

    Ky rast e çon në tre numrin e vrasjeve të raportuara në javën e fundit në Kosovë.

  • ​36 persona humbën jetën nga zjarret e furishme në Hawai

    ​36 persona humbën jetën nga zjarret e furishme në Hawai

    Të paktën 36 persona kanë vdekur nga zjarret në të gjithë qarkun Maui në Hawaii, thonë zyrtarët.

    Zjarret janë ndezur nga erërat e forta nga uragani Dora, duke shkatërruar qindra ndërtesa dhe duke djegur disa zona, raporton BBC.

    Mijëra njerëz janë detyruar të evakuojnë shtëpitë e tyre në ishullin Maui dhe është shpallur një gjendje e jashtëzakonshme.

    Një operacion i madh kërkim-shpëtimi është duke u zhvilluar dhe helikopterët kanë hedhur ujë mbi zjarret nga lart.

  • Prokuroria jep detaje për vrasjen në Skenderaj

    Prokuroria jep detaje për vrasjen në Skenderaj

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë ende nuk ka arritur t’i identifikojë dy persona të dyshuar për vrasjen në Skenderaj. Kjo pasi që të njëjtit kanë qenë të maskuar.

    Kështu ka bërë të ditur për Nacionalen zëdhënësi i Prokurorisë në Mitrovicë, Valon Preteni.

    “Prokurorja ka qëndruar 3-4 orë në vendin e ngjarjes. Ajo çka dihet është se një person ka mbetur i vrarë, dy persona të dyshuar kanë qenë me maska sipas dëshmitarëve. Ende nuk janë identifikuar personat pasi që kanë qenë me maska, mirëpo jemi duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore”, ka thënë Preteni.

    Si pasojë e të shtënave me armë zjarri në Runik të Skënderajt një person ka mbetur i vrarë e tre të tjerë janë lënduar. Njëri prej tyre rëndë.

  • Nënkryetari i Mitrovicës:  Paguam miliona euro  borxhe të trashëguara, situata është menaxhuar

    Nënkryetari i Mitrovicës: Paguam miliona euro borxhe të trashëguara, situata është menaxhuar

    Nënkryetari i Komunës në Mitrovicë të Jugut, Arian Tahiri, gjatë një interviste për KosovaPress, ka bërë të ditur se viti i kaluar për Komunën e Mitrovicës ka qenë sfidues për shkak të obligimeve financiare të trashëguara, ku si pasojë është dashur të paguhen mbi 6 milionë euro borxhe, ndërsa tani thotë se situata është menaxhuar dhe se kjo Komunë është duke operuar me buxhetin pa ngarkesa.

    Sipas tij, sfidë e tanishme mbetet realizimi i të hyrave nga Drejtoria e Urbanizmit, për çka shpreson se edhe kjo gjendje do të tejkalohet shpejt, pas finalizimit të procesit të hartave zonale.

    Në lidhje me zërat se mandatin e ardhshëm Tahiri mund të jetë kandidat për kryetar komune nga radhët e PDK-së, 29-vjeçari nuk ka dashur të flasë shumë, duke thënë se është nderi më i madh që mund ta ketë ndonjëherë në jetën e tij, mundësia që në moshën e tij t’i shërbejë qytetit dhe qytetarëve të Mitrovicës.

    “Vitin e kaluar kemi arritur që të paguajmë mbi 6 milionë euro borxhe të trashëguara dhe këtë vit jemi pa obligime dhe jemi duke promovuar me buxhetin të cilin e kemi pa ngarkesa dhe duke i realizuar pagesat në kohë për të gjithë operatorët… Pra, viti i parë ka qenë sfidues për shkak të obligimeve, ndërsa tash veç është menaxhuar, është rregulluar, janë paguar dhe tani nuk ka komplikime dhe probleme të natyrës çfarë kemi pasur vitin e kaluar… Tash është një sfidë tek realizimit i të hyrave nga Drejtoria e Urbanizmit, mirëpo pasi të finalizohet procesi i hartave zonale, pres që të shpërthehet edhe ajo pjesë dhe do të performohet në mënyrë të shkëlqyeshme”, thotë ai.

    Sipas tij, tashmë zonat strategjike në Mitrovicë kanë marrë drejtim pozitiv.

    “Është e rëndësishme të theksohet se i kemi dhënë drejtim pozitiv zonave strategjike çdo herë duke gërshetuar kërkesat dhe interesat e qytetarëve, që të krijohen horizonte dhe perspektivë e qytetit të Mitrovicës, si te banimi kolektiv edhe te banimi individual, të ruhen zonat e gjelbëruara, që të promovohen hapësirat publike që në të ardhmen të krijohen sa më shumë, në mënyrë që qyteti i Mitrovicës të jetë sa më i bukur, ku jeta mund të zhvillohet me mirëqenie të plotë, si dhe të promovohen të mirat natyrore të cilat këtij qyteti ia ka falë Zoti”, thotë Tahiri.

    Duke theksuar se viti 2023 është një vit i mbarë për Komunën e Mitrovicës, Tahiri përmend projekte të shumta infrastrukturore që janë në zhvillim e sipër, për të cilat tha se përveç që do të jenë vlerë shtesë për qytetin, do ta përmirësojnë dukshëm edhe jetën e vetë qytetarëve.

    “Jemi në fillim të projektit të sheshit të qytetit i cili ka tri pozicione, pra po flasim për sheshin ‘Adem Jashari’, ku do të vendoset shtatorja e komandantit legjendar dhe do të rregullohen pjesët përcjellëse përreth… Pozicioni i dytë brenda sheshit është sheshi ‘Mehë Uka’… dhe më pas do të jetë edhe sheshi ‘Isa Boletini’… vazhdimi i punimeve në lumin Ibër, një projekt i lënë në gjysmë…gjithashtu jemi në procedurë për shkollën e muzikës, është një projekt brilant dhe i shkëlqyeshëm, shumë modern… për bibliotekën e qytetit… është projekt poashtu i rëndësishëm QKMF-ja, punimet janë duke vazhduar me intensitet shumë të lartë, personalisht jam shumë i kënaqur me punët të cilat janë duke u bërë. Aty jemi në bashkëfinancim me shoqatën ‘Jetimat e Ballkanit’ dhe hoxhën Halil Kastrati… do të jetë QKMF-ja më e avansuar në Ballkan”, thekson Tahiri.

    Ai premton se të gjitha këto projekte do të përfundojnë deri në vitin 2025.

    Tahiri thotë se masat e BE-së ndaj vendit, nuk e kanë prekur Mitrovicën, edhe pse ka përmendur një projekt për trajtimin e ujërave të zeza që është duke u zhvilluar në kuadër të programit të BE-së, për të cilin thekson se nuk është ndërprerë.

    Ka ndodhur një vonesë, shton ai, sa i përket ndërtimit të ambulantës së re në Lagjen ‘Ilirida’ në Mitrovicë, e cila është dashur të realizohet në bazë të një memorandumi të nënshkruar mes Komunës dhe një shoqate nga Katari, por kjo vonesë ka ndodhur për shkak të tensioneve të fundit në veri dhe jo si rezultat i masave të BE-së.

    “Këto projekte krejt pres që të përfundojnë brenda mandatit tonë. Pra një pjesë e tyre do të përfundojë këtë vit, një pjesë vitin e ardhshëm dhe pjesa tjetër do të përfundojë në vitin 2025… Komuna e Mitrovicës e ka një projekt me IBAD-në, për trajtimin e ujërave të zeza… Kontrata me konsulentin është nënshkruar më herët sesa BE-ja të vendosë masat, dhe deri tani sa kam informacion nuk kam parë që ky projekt është ndalur si rezultat i atyre masave, por projekti është duke vazhduar… Projekte tjera nuk ka pasur në Komunën e Mitrovicës të cilat janë lidhur drejtpërdret nga BE-ja’. Ajo që ka ndodhur si rezultat i gjendjes në qytetin e Mitrovicës për shkak të tensioneve në pjesën veriore dhe që na ka penalizuar, është se ne kemi nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me shoqatën e Katarit për një ambulantë të re në Lagjen ‘Iliridë’… dhe është vonuar fillimi i punimeve për shkak të situatës, mirëpo ne jemi në komunikim me ta dhe përfundimisht ata do të vinë dhe do të fillojë ndërtimi i kësaj ambulante”, vijon Tahiri.

  • Gjilan, humb jetën gruaja që ra në bunar

    Gjilan, humb jetën gruaja që ra në bunar

    Një grua ka vdekur të mërkurën në Gjilan, pasi ka rënë në bunar.

    “Ankuesi mashkull kosovar ka njoftuar se gruaja e tij ka rënë në një bunar. Njësitë policore kanë bërë sigurimin e vendit të ngjarjes. Në lidhje me rastin janë njoftuar njësiti i Zjarrfikësve te cilët e kanë nxjerr trupin e pa jetë nga bunari.”, ka bërë të ditur Policia.

    Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

    Rasti vazhdon të hetohet.

    Rasti është cilësuar si “Vdekje e dyshimtë”./KP

  • Sherr në familje, një grua ankohet se burri ia dëmtoi pasaportën me vizë amerikane dhe ai mori veturën

    Sherr në familje, një grua ankohet se burri ia dëmtoi pasaportën me vizë amerikane dhe ai mori veturën

    Një grua në Fushë-Kosovë është ankuar se bashkëshorti i saj ia ka dëmtuar pasaportën dhe ID të lëshuara nga shteti Amerikan, po ashtu i dyshuari pa pëlqimin e saj ia ka marrë veturën e saj me targa të huaja dhe ia ka ndaluar që të ketë qasje në kartelat bankare, të cilat i kanë të përbashkëta.

    Në raportin 24-orësh të Policisë thuhet se rasti ka ndodhur të enjten e kaluar, derisa në lidhje me këtë rast është konsultuar prokurori i shtetit dhe rasti po vazhdon të hetohet nga njësitë relevante.

    Rasti është iniciuar si “Dhunë në familje”.

     

  • Gjermani dënohet me burgim të përjetshëm për vrasjen e kosovarit

    Gjermani dënohet me burgim të përjetshëm për vrasjen e kosovarit

    Një gjerman është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e një kosovari.

    Vendimi u mor të martën nga Gjykata e Freiburgut.

    Vrasja ka ndodhur në muajin janar në Freiburg-Betzenhausen , shkruajnë mediat gjermane përcjell Klankosova.tv

    Gjermani e kishte qëlluar në gjoks me armë zjarri kosovarin, i cili ishte i dashuri i ish-gruas së tij.

    Ngjarja e rëndë ndodhi në përballë banesës së gruas në Freiburg.

    Ndërkaq viktima vdiq në spital dhe u varros disa ditë më vonë në Kosovë.

    Në seancën gjyqësore ishin të pranishëm edhe familjarët e kosovarit, të cilët duartrokitën kur gjykata vendosi dënimin burg përjetë.

    Pas vendimit, avokati i të akuzuarit tha se do të ankohet.

    30-vjeçari gjerman dënimin e dëgjoi në heshtje, ndërkaq pasi kryetari i trupit gjykues e lexoi vendimin dhe arsyetimin e dënimit, ai u shtri përtokë dhe qante.

    Raportohet se i akuzuar kishte shkuar me veturë tek banesa e ish-gruas.

    Ai donte të shihte vajzën e tyre tetëvjeçare.

    Papritur ai ka nxjerrë revolen dhe e kishte qëlluar në kraharor (kosovarin), partnerin e ish-bashkëshortes së tij.

    Banorët e asaj lagje kanë pasur kritika për ekipet e shpëtimit.

    Thuhet se ata kanë mbërritur tek i plagosuri gjysmë orë pas policisë, por që këto akuza u mohuan nga autoritetet.