ATV

Category: Lajme

  • Pse ka më shumë mushkonja këtë vit? OBSh e shqetësuar për sëmundjet e shkaktuara prej tyre

    Pse ka më shumë mushkonja këtë vit? OBSh e shqetësuar për sëmundjet e shkaktuara prej tyre

    Mushkonjat janë insektet më të bezdisshme dhe më të frikshme gjatë stinës së verës. Ditën, natën, jashtë apo brenda, këto insekte të vogla janë gjithnjë e më të pranishme në zonat tona dhe paraqesin një rrezik real për shëndetin e njeriut.

    Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ndikimi i sëmundjeve të shkaktuara nga mushkonjat po rritet globalisht. Kjo është veçanërisht shqetësuese për Evropën, ku kombinimi i globalizimit dhe ndryshimeve klimatike çon në përhapjen e vektorëve të rinj të aftë për të transmetuar sëmundje si Dengue, Zika ose Chikungunya.

    Në të vërtetë, vendet mesdhetare ndër të tjera, kanë përjetuar disa shpërthime të këtyre arboviruseve (viruse të transmetuara nga mushkonjat, rriqrat dhe artropodët e tjerë) vitet e fundit. Për më tepër, arboviruset e tjerë si  Virusi i Nilit Perëndimor tani konsiderohen të rrënjosur në Evropë, me një numër të lartë të rasteve njerëzore çdo vit, veçanërisht në vendet e Evropës Jugore.

    Rritja e aktivitetit të mushkonjave në Evropë është shkaktuar nga ndryshimet klimatike.

    “Normalisht, gjatë muajve më të ftohtë, speciet e mushkonjave të zakonshme në vendet e Evropës Jugore shkojnë në letargji, duke adoptuar ‘një fazë rezistence’. Kjo situatë po ndryshon dhe ne tani po shohim aktivitet të mushkonjave gjatë gjithë vitit, i cili barazohet me rritjen e pickimit të mushkonjave dhe rritjen e rreziqeve për shëndetin publik”, thotë ” thotë Rubén Bueno Mari, drejtor teknik i Rentokil Initial për kontrollin e vektorëve në Evropë dhe president i Shoqatës Evropiane të Kontrollit të Mushkonjave.

    Megjithatë, faktorët në themel të kësaj situate janë të ndryshëm dhe kompleks.

    “Vektorë të rinj kanë mbërritur në Evropë në dekadat e fundit dhe tani kanë zënë rrënjë në kontinentin tonë,” thotë Dr  Ruben Bueno Mari . Mushkonja  tigër aziatike  (e quajtur shkencërisht Aedes albopictus) është tani e pranishme në më shumë se 20 vende evropiane dhe është një nga bartësit kryesorë të etheve Dengue në mbarë botën.

    Përveç mushkonjave tigër aziatike, mushkonja të tjera pushtuese janë regjistruar kohët e fundit në Evropë dhe po shkaktojnë shqetësime të konsiderueshme në shumë zona. Në vitin 2022, Qendra Evropiane për Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) mori gjithsej 18,526 raporte të reja të mushkonjave pushtuese në nivel administrativ rajonal, që përfaqëson një rritje prej 250% krahasuar me vitin 2021 .

    Kjo shifër tregon qartë ndikimin në rritje të këtyre insekteve në Evropë dhe tregon se sa është në rritje problemi i mushkonjave pushtuese.

    Çfarë mund të bëhet për të reduktuar rreziqet?

    Reduktimi i rreziqeve nga mushkonjat është zakonisht një përgjegjësi e përbashkët midis qeverive lokale dhe rajonale që punojnë së bashku për të zbatuar programet e kontrollit në zonat publike.

    Në të njëjtën kohë, qytetarët duhet të kenë edhe një largpamësi më të madhe për të luftuar mushkonjat. Për shembull, aroma e një personi  është e ndryshme dhe unike për të gjithë, kështu që ka mundësi që disa të sulmohen më shumë nga mushkonjat. Në veçanti, disa kimikate të pranishme në lëkurën dhe djersën tonë, si acidi laktik ose oktenoli,  veprojnë si një tërheqës i fuqishëm për mushkonjat femra.  Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të shmangni disa ushqime dhe pije që mund të rrisin lirimin e tërheqësve kimikë përmes lëkurës sonë, siç është alkooli për shembull.

    Është treguar se njerëzit që kanë pirë sasi të caktuara alkooli janë zakonisht më tërheqës për lloje të ndryshme mushkonjash dhe kjo për shkak se ata  nxjerrin një sasi më të madhe djerse që ndryshon erën e trupit të tyre dhe gjithashtu mund të pësojnë rritje të vogla të temperaturës dhe tërheq mushkonjat. Gjithashtu një burim i rëndësishëm tërheqës për mushkonjat është CO2 që nxjerrim kur marrim frymë.

  • Jasharaj i shqetësuar që tekstet mund të mos shpërndahen me kohë: Mësimi pritet të fillojë me 1 shtator

    Jasharaj i shqetësuar që tekstet mund të mos shpërndahen me kohë: Mësimi pritet të fillojë me 1 shtator

    Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, i tha Ekonomia Online, tha se shkollat në gjithë vendin janë përgatitur që viti i ri shkollor do të fillojë me 1 shtator, por që kjo nuk varet prej tyre.

    Ai u shpreh i lumtur që këtë vit mësimi do të fillojë e nuk do të ketë grevë si vitin e kaluar. Por sipas tij, bengosëse mbete mos shpërndarja e teksteve shkollore me kohë.

    Duke komentuar deklarata e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, se në fund të javës do të dihet më shumë rreth këtij procesi, Jasharaj pohoi se kjo mund të shkaktojë probleme për shkollat.

    Ai bëri të ditur se të gjithë mësimdhënësit do të paraqiten në shkolla që nga data 20 dhe do të jetë të gatshëm që të pranojnë librat nga Ministria.

    “Unë jam i bindur se shkollat me mundësit e veta janë përgatitur për vitin e ri shkollor, por kjo nuk varte prej tyre, nuk varte as prej drejtorive arsimore dhe element kyç dhe problematik, fal Zotit nuk kemi kërkesa për greva këtë vit si në të kaluarën. Sa i takon SBAShK-ut viti shkollor le të fillojë, ministrja e ka nxjerra një udhëzim administrativ në debat publik për kalendarin, po na vjen edhe neve kërkesat në bazë së është dashur që të fillohet nga e hëna, jo të premten pastaj më një herë të kemi shkëputje, sido qoftë është çështje e ministrisë”.

    “Por elementi kyç që mund të krijoj problem të viti shkollor është mos shpërndarja me kohë e teksteve shkollore sepse ministrja Nagavci ka premtuar kogja pompozitete se le t’i kemi tekste shkollore gjatë, bile në fillim të muajit gusht tekste nuk janë. Ajo edhe para medieve nuk dha ndonjë përgjigje. Ajo që jemi shumë kundër është deklarata saj dhe vendimi që i’u ka dërguar komunave se paska bërë një ndarja, tekste shkollore te rejat të botuar sivjet nëse shkojnë me kohë për klasat 1-5, ndërsa me tekste e vjetra duhet të shërbehen nxënësit tanë 6-9, kjo është shumë e keqe”.

    Kreu i SBAShK-ut pati kritika për mungesën e investimeve në infrastrukturën shkollore, duke thëën se Qeveria Kurti, në vend se të furnizojnë shkollat me laptop, nuk po mund të sigurojë as ujë të pijes e shkumësa.

    Madje tha se shkumësi është e vetmja armë e tyre që Qeveria po u jep në luftën për dije, raporton EO.

    “Në vend që të kemi internet, laptop e projektor fëmijët tanë do t’i përshëndesin me tekste e vjetra që do të jetë një zhgënjim për ta, aq më shumë kur dihet se ata janë fëmije dhe fëmijët që kanë qenë para tyre në ato klasë me siguri do t’i kenë dëmtuar ato tekste. Nëse shtet nuk ka para për laptop edhe për projektor për të gjitha shkollat së paku nuk është dashur ta ndal atë vendim që ka qenë më parë që të kemi tekste shkollore të reja sepse është i vetmi mjet i punës në shkollat tona, libri, shkumësi dhe shpuza”.

    “Ne po presim që deri me 20 të këtij muaji kolegët e mi të kthen në shkolla për të pranuar detyrat për vitin shkollor dhe do të kemi informata shumë të sakta rreth ambienteve brenda. Uroj që të të mos kemi shkolla pa ujë të pijshëm, uroj që të kemi shkumësa e shpuza mjaftueshëm sepse ky është mjeti i vetëm që Qeveria Kurti po na jep në luftën për dije dhe uroj që t’i kemi tekste tamam e të mos kemi raste kur nxënësit mbesin edhe pa tekste. Vendi kyç ku mësohet duhet që të jetë shkolla, për të qenë vend kyç dhe për të na ardhur fëmijët të lumtur Qeveri Kurti është dashur t’i kthej fjalët në vepër, është dashur që shkollat tona të fillojnë të punojnë me projektor e llapotp e librat t’i lëmë rezerve e jo të ndodh edhe me e keqja dikush të ketë libra të ri e dikush të kryer e të përdoruar vitin e kaluar”.

  • Haradinaj iu drejtua me pyetje Kurtit, i përgjigjet Dimal Basha

    Haradinaj iu drejtua me pyetje Kurtit, i përgjigjet Dimal Basha

    Deputeti i VV-së, Dimal Basha, i ka reaguar Ramush Haradinajt, pasi ky i fundit e pyeti Kurtin se a është me prokurorin apo me Besnik Mujecin – asamblisti i VV-së që u kap me narkotikë dje në Tiranë.

    Basha iu ka drejtuar Haradinajt duke thënë se pse e kanë shkarkuar tregon se me kë janë.

    Ai ka shkruar se janë me drejtësi, por “prokuroria nuk është, po zgjedh kënd me ndjek e kënd jo”.

    Postimi i plotë:

    Ramush, fakti që e kemi shkarku atë djalin kallzon se me kë jemi!

    Ne jemi gjithë për drejtësi, por prokuroria nuk po është, po zgjedh kënd me ndjek e kënd jo!

    Për shembull, t’ish kanë prokuroria me drejtësinë, ti sot ishe t’u dhanë përgjegjësi për rritjen e çmimit të shpronësimit të autostradës Kijevë – Zahaç, prej 31 në 42 milionë euro.

    Me ty në krye keni marrë vendim me pagu 11 milionë euro më shumë, me dyfishim të çmimeve të vetëm DISA parcelave, dhe ky vendim u bë publik me 31 dhjetor, natën e vitit të ri, që me kalu nën radar!

    Nuk u kanë keq me vet Fatmirin me çka po mirret, se asaj udhe je edhe ti!

  • Peci kundër peticionit: Pse të na shkarkojë dikush tjetër?

    Peci kundër peticionit: Pse të na shkarkojë dikush tjetër?

    Kryetarit i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, shprehet kundër nismës së Qeverisë së Kosovës për shkarkimin e kryetarëve të komunave përmes nismës së peticionit. Thotë se preferon një marrëveshje ndrydhe, meqë nuk e sheh të arsyeshëm shkarkimin nga “dikush tjetër”.

    Në një intervistë për KosovaPress, Peci shprehet optimist se do të dalë fitues në zgjedhjet e jashtëzakoshme që pritet të mbahen në katër komunat në veri të vendit.

    “Kjo mënyra e peticionit mua nuk është aspak duke më pëlqyer, për shkak se pse me ia dhënë mundësinë dikujt tjetër të të shkarkojë ty, kur ne mundemi si kryetarë të komunave së bashku me kryeministrin të arrijmë një marrëveshje ndryshe për të mirën e qytetarëve… PDK-ja prej pasluftës vetëm njëherë i ka humbur zgjedhjet këtu në Komunën e Zveçanit, gjithmonë kemi qenë të parët dhe shpresoj përsëri do të jemi”, thotë ai.

    Peci, i cili po vazhdon të kryej detyrën e kryekomunarit nga një zyrë alternative në fshatin Kelmend, tha se punët në përgjithësi janë duke shkuar mirë, derisa përmend mungesën e qasjes në buxhet si problemin kryesor, për të cilin, siç u shpreh, po ju krijon probleme të mëdha.

    “Punët janë duke ecur mirë, duke llogaritur kabinetin, drejtorët, do të thotë gjithçka në mënyrën më të mirë të mundshme. Edhe unë si kryetar Komune jam duke u munduar në këtë drejtim që të jem në shërbim të të gjithë qytetarëve të Komunës së Zveçanit, mirëpo problemi kyç është se ende nuk na është lejuar qasja në buxhet, andaj po kemi probleme në këtë drejtim. Kemi kërkesa nga të gjithë qytetarët, si ata shqiptarë ashtu edhe serbë. Kemi bllokadë në të gjitha format për shkak të buxhetit, ky është problemi kyç, kurse punët tona dhe shërbimet jemi duke i kryer”, vijon ai.

    Ai thotë se mban takime me qytetarë serbë të komunës që e udhëheq.

    “Shumë mirë deri tani, kanë interesim, kemi takime me qytetarët serbë të Komunës së Zveçanit, kanë kërkesat e tyre për rrugë, ujësjellës, rrymë, do të thotë për të gjitha… Për cdo ditë, tani momentalisht janë tre-katër qytetarë serbë duke marrë dokumentacionin që ju duhet, shërbimi ju kryhet në mënyrën më të mirë, kështu që deri tani gjithçka është në rregull… Një numër i madh i qytetarëve pa dallim janë të interesuar për bashkëpunim, për konkurset kur hapen janë të interesuar të aplikojnë si serbët ashtu edhe shqiptarët, do të thotë deri tani jam i kënaqur me sjelljet e qytetarëve të Komunës së Zveçanit, gjithmonë mund të ketë pakicë e cila kundërshton’”, tregon Peci.

    Peci flet edhe për shkarkimin e nënkryetares së kësaj komune, Sllagjana Pantoviq. Tregon arsyet për të cilat sipas tij, është detyruar të marrë vendim për shkarkimin e saj.

    “[Sllagjana Pantoviq] Asnjëherë prej ditës kur e ka nënshkruar vendimin nuk është lajmëruar në punë, Sa herë e kemi thirr, asnjëherë nuk është lajmëruar dhe gjithnjë ka qenë në kundërshtim me zyrtarët të cilët janë serbë dhe punojnë ende në Komunën e Zveçanit dhe për shkak të politikës së saj partiake dëshironte të shkarkonte ata zyrtarë dhe t’i marrë të partisë së saj. Unë këtë nuk e lejova sepse s’kam të drejtë, dhe shumë gjëra tjera, pastaj ka bërë disa postime të cilat nuk më kanë pëlqyer, dhe kam marr vendim dhe e kam shkarkuar”, thotë ai.

    I pari i Komunës së Zveçanit apelon qytetarët që të kenë besim në punën e tij.

    Ndryshe, Peci është kryekomunari i dytë që së bashku me atë të Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, kryejnë detyrat nga ambientet alternative, ndërsa Lulëzim Hetemi që udhëheqë Leposaviqin, po qëndron brenda në komunë qe më shumë se dy muaj.

    Kujtojmë se dje (e martë), presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova është duke e zbatuar me besnikëri marrëveshjen e Bratislavës, sipas të cilës janë reduktuar forcat policore në dhe për rreth objekteve komunale në komunat veriore. Ajo ka thënë po ashtu se është duke u krijuar edhe baza ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në këto komuna./KP

  • Interesim i madh për izolimin e kushtueshëm të shtëpive

    Interesim i madh për izolimin e kushtueshëm të shtëpive

    Naim Pacolli, nga fshati Marec në Prishtinë, është duke shqyrtuar mundësinë që të aplikojë për subvencion nga Qeveria për izolimin e shtëpisë së tij, pasi me mjete vetjake nuk ka mundur ta bëjë këtë investim.

    Ai tregon për Radion Evropa e Lirë se 11 vjet më parë e kishte ndërtuar shtëpinë, por izolimi termik i mureve të jashtme të shtëpisë atëbotë për të ishte i papërballueshëm.

    “Në atë kohë izolimi i jashtëm i mureve të shtëpisë më kushtonte diku 8.000 euro dhe nuk e kam bërë se ishte shtrenjtë për mua”, thotë ai.

    Më 8 gusht, Qeveria e Kosovës ka hapur thirrjen publike për aplikim për masa të efiçencës së energjisë për shtëpitë individuale të banimit.

    Qeveria do të subvencionojë rreth 2.000 familje deri në 50 për qind të kostos së investimit, e kufizuar në shumën prej 5.500 eurosh.

    Ky subvencion përfshin koston e izolimit të jashtëm të shtëpisë, ndërrimin e dritareve dhe të derës së hyrjes, si dhe izolimin e kulmit.

    Për këtë projekt janë ndarë gjithsej 10 milionë euro.

    Projekti mbështetet nga Bashkimi Evropian, në kuadër të programit IPA [Instrumenti i Para-anëtarësimit] – Pako për Mbështetjen e Energjisë, i aranzhuar nga Qeveria e Kosovës dhe i zbatuar nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE).

    Për Pacollin, i cili punon në një kompani private, subvencioni i Qeverisë është i pamjaftueshëm, pasi me të ardhurat mujore të tij prej 400 eurosh në muaj, e ka të vështirë të sigurojë pjesën tjetër të mjeteve.

    “Është dashur që subvencioni të jetë 70 ose 80 për qind dhe të ketë kategorizime, për shembull për qytetarë me të ardhura më të ulëta subvencioni të jetë më i lartë. Për ata qytetarë që qëndrojnë mirë në aspektin financiar, kjo shumë është e mirëseardhur dhe e mjaftueshme, për neve me të ardhura të ulëta, është pak”, thotë ai.

    Sa kushton izolimi i shtëpisë?

    Kusht i detyrueshëm për të përfituar nga subvencioni i Qeverisë është izolimi termik i mureve të jashtme të shtëpisë.

    Çmimet në treg për shërbime të tilla janë të ndryshme.

    Mirsim Selmani nga një kompani private e cila merret me izolim të mureve të jashtme të shtëpisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se çmimet i dikton kualiteti i materialit izolues.

    Sipas tij, një metër katror për izolim termik të mureve të jashtme të shtëpisë kushton nga 20 euro deri në 24 euro, varësisht nga materiali që përdoret.

    Krahasuar me dy-tre vjetët e kaluar, ai thotë se tani çmimet janë më të larta.

    “Ka pasur rritje të çmimeve për 20 për qind, materialet janë shtrenjtuar, kostoja e fuqisë punëtore është rritur”, thotë ai.

    Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se indeksi i tërësishëm i kostos së ndërtimit ka pësuar rritje për 3.3 për qind në tremujorin e parë të vitit 2023, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2022.

    Selmani thotë që nga hapja e aplikimit për subvencion është rritur interesimi për izolim të jashtëm të mureve të shtëpive.

    “Para tre-katër ditëve kemi pasur 10 kërkesa për izolim të shtëpive”, thotë ai.

    Mbi 1.000 aplikime të qytetarëve për izolim të shtëpive

    Fillojetë Konjuhi, specialiste për marrëdhënie me publikun në Fondin e Kosovës për Efiçencë të Energjisë, thotë për REL-in se vetëm brenda një jave kanë pranuar mbi 1.000 aplikime.

    Aplikimet, thotë Konjuhi, po trajtohen mbi bazën kush vjen i pari, shërbehet i pari.

    “Ka interesim të madh të qytetarëve për subvencion. Ne kemi filluar të shqyrtojmë aplikimet. Komisioni do t’i verifikojë të gjitha. Në momentin që aplikuesi i përmbush kushtet, përfituesi pranon një letër aprovuese me të cilën ai mund të fillojë t’i kryejë punimet”, thotë Konjuhi.

    Të drejtë aplikimi për të përfituar nga ky subvencion kanë të gjithë qytetarët, të cilët i përmbushin kriteret e përcaktuara nga FKEE-ja.

    Aplikimi do të jetë i hapur deri më 25 shtator 2023.

    Por, aplikimi mund të mbyllet edhe para kësaj date në rast se arrihet kuota e buxhetit në dispozicion.

    Sa i rëndësishëm është izolimi i shtëpive?

    Në një hulumtim të realizuar nga Instituti për Politika Zhvillimore në Prishtinë (INDEP), vlerësohet se izolimi ndërtimor mbetet një nga faktorët më të rëndësishëm në rritjen e efiçiencës së energjisë dhe performancës energjetike të objekteve.

    Me kosto relativisht të ulët, efiçienca elementare e energjisë, sipas INDEP-it, arrihet përmes izolimit të jashtëm, vendosjes së dritareve dy dhe tre-shtresore, si dhe izolimit të kulmit.

    Në Kosovë, sipas hulumtimit të INDEP-it, një numër i madh i objekteve mbetet pa izolim, gjë që çon në shpenzime të mëdha të energjisë, duke detyruar familjet kosovare të konsumojnë katërfishin e energjisë që konsumon një mesatare evropiane në një vit.

    “Me marrjen e disa masave minore izoluese, ky paraqet edhe potencialin më të lartë për masat dhe dobi të efiçiencës së energjisë, jo vetëm në aspektin financiar, por edhe në atë mjedisor”, thuhet në hulumtimin e INDEP-it.

    Rëndësia e kursimit të energjisë

    Statistikat tregojnë se më së shumti energji elektrike në Kosovë shpenzon sektori i amvisërisë – rreth 40 për qind të konsumit të përgjithshëm.

    Kosova nuk arrin ta plotësojë të gjithë kërkesën për furnizim me rrymë nga gjenerimi i brendshëm i energjisë elektrike.

    Vendi ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavatë rrymë në orë, ndërsa nevojat e saj, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavatë në orë. Kjo diferencë importohet nga jashtë.

    Vitin e kaluar, Kosova u përfshi në një krizë energjetike. Qeveria vendosi masa emergjente për energji, të cilat përfshijnë masa të kursimit të energjisë elektrike nga të gjitha institucionet.

    Nga 1 prilli i këtij viti, në Kosovë kanë hyrë në fuqi tarifat e reja të energjisë elektrike, me rritje prej 15.4 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve. /REL

  • ​Shtohen rastet me meningjit, MSh kërkon nga qytetarët për vigjilencë të shtuar

    ​Shtohen rastet me meningjit, MSh kërkon nga qytetarët për vigjilencë të shtuar

    Ministria e Shëndetësisë me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve dhe parandalimin e infeksioneve të ndryshme, bazuar në raportin e IKSHPK, kërkon rritjen e vigjilencës sa i përket kontrollit të vazhdueshëm të ujit të pijes dhe klorizimit të tij, kontrollit të shtuar dhe klorizimit të ujit të pishinave.

    Sipas MSh-së bazuar në raportin e ShSKUK-së, numri i rasteve të raportuara për Sindromën meningjeale gjatë muajit korrik-gusht, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ka shënuar rritje.

    “Meningjiti mund të prekë këdo që bie në kontakt me agjensin, por disa grupmosha janë më të rrezikuara. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, meningjiti prek më së shumti moshat e reja ngaqë sistemi imunitar tek personat e rinj, kryesisht foshnjat, fëmijët dhe adoleshentët nuk është zhvilluar mjaftueshëm për të luftuar agjensët”, thuhet në komunikatë.

    Sipas kësaj ministrie, shkaktar i sindromës meningjeale janë infeksionet bakteriale ose virale.

    Ndërsa, siç njofton MSh-ja rrugë e përhapjes së infeksionit mund të jenë pishinat, vendet e freskimit, kontakti dhe uji për pije.

    Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar po ashtu edhe për simptomat e meningjitit

    Disa nga simptomat e sëmundjes janë të ngjashme me ato të një gripi normal, por që rëndohen për një kohë shumë të shkurtër. Meningjiti mund të shfaqet menjëherë ose 3-7 ditë pas marrjes së infeksionit.

    Tek simptomat e sëmundjes përfshihen: të vjella, marramendje, temperaturë e lartë e trupit, dhimbje e muskujve, ndjeshmëri ndaj dritës, dhimbje e kokës, konfuzion, gjymtyrë të ftohta, skuqje e lëkurës.

    Ndërsa tek fëmijët mund të ketë edhe simptoma si frymëmarrja e shpejtuar, irritim dhe të qara për një kohë të gjatë, humbje të përqëndrimit dhe mungesë oreksi.

    Sapo të vëreni simptomat e mësipërme apo gjendje të rënduar shëndetësore, duhet menjëherë të konsultoheni tek mjeku.

    Meningjiti trajtohet vetëm në spital.

  • Haradinaj pyet Kurtin: A je me prokurorin a me Mujecin?

    Haradinaj pyet Kurtin: A je me prokurorin a me Mujecin?

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka pyetur Kurtin nëse është me prokurorin a me Mujecin, asamblistin e VV’së të arrestuar dje në Tiranë nën dyshimin për trafik narkotikësh.

    Ai i ka thënë Kurtit të bëhet i gjallë, pasi ky i fundit ende nuk ka reaguar për arrestimin e Besnik Mujecit.

    “Albin, a je me prokurorin a me Mujecin? Bëhu i gjallë!”

    Haradinaj, përveç postimit, ka lënë edhe një koment: “Deri tani Kurti e ka mbajtur anën e të akuzuarve për korrupsion e krime të tjera. Do të duhej që edhe tani të rreshtohet e ta dijmë pozicionin e tij!”.

  • Inflacioni vjetor në Britani të Madhe bie në 6.8%

    Inflacioni vjetor në Britani të Madhe bie në 6.8%

    Norma vjetore e inflacionit në Mbretërinë e Bashkuar ra në 6.8% në korrik, nga 7.9% që ishte në qershor, zbuloi të mërkurën autoriteti statistikor i vendit.

    Ndërsa, rënia e çmimeve të gazit dhe energjisë elektrike dhanë kontributin më të madh në rënie në inflacion, çmimet e ushqimeve u rritën në korrik në baza mujore, tha Zyra e Statistikave Kombëtare.

    “Hotelet dhe transporti ajror i pasagjerëve ishin klasat që dhanë kontributin më të madh kompensues në rritje në ndryshimin e normës”, sipas byrosë statistikore.

    Në baza mujore, indeksi i çmimeve të konsumit (CPI) u ul me 0.4% muajin e kaluar, ndërsa ishte në 0.6% në korrik të vitit 2022.

    Në baza vjetore indeksi i çmimeve të konsumit, duke përjashtuar energjinë, ushqimin, alkoolin dhe duhanin, u rrit me 6.4% në korrik, në të njëjtin nivel me qershorin./AA/

  • Shkon në 106 numri i viktimave nga zjarret në Havai

    Shkon në 106 numri i viktimave nga zjarret në Havai

    Viktimat e para nga zjarret vdekjeprurëse që përfshinë ishullin Maui javën e kaluar janë identifikuar nga zyrtarët.

    Departamenti i policisë së Maui emëroi dy viktimat e para si Robert Dyckman, 74 vjeç dhe Buddy Jantoc, 79 vjeç, të dy nga qyteti i Lahaina.

    Numri i të vdekurve nga zjarret tani ka arritur në 106 dhe rreth 1300 janë të zhdukur, shkruan BBC, transmeton KosovaPress.

    Ka të ngjarë të duhen disa ditë të tjera që autoritetet të arrijnë një shifër të saktë për numrin e të vdekurve, tha Guvernatori i Hawai-t, Josh Green.

    “Ne ofrojmë ngushëllimet tona më të thella për familjet që kanë filluar të marrin njoftime për të dashurit e tyre”, tha kryetari i kantonit Maui, Richard Bissen. “Si komunitet, ne ofrojmë ngushëllimet tona në këtë kohë të vështirë.”

  • Aksidentohen katër vetura në Gjilan, lëndohen 14 persona

    Aksidentohen katër vetura në Gjilan, lëndohen 14 persona

    Një aksident trafiku ka ndodhur mbrëmë (e martë) në rrugën Prishtinë-Gjilan, ku të lënduar mbetën 14 persona.

    Në raportin 24-orësh të Policisë bëhet e ditur se të njëjtit kanë pranuar tretman mjekësor.

    Aksidenti ka ndodhur rreth orës 20:00.

    “Raportohet se ka ndodhur një aksident trafiku mes katër veturave. Si pasojë 14 persona (7 femra kosovare dhe 7 meshkuj kosovarë) kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit pas pranimit të tretmanit mjekësor janë liruar”, thuhet në raport.