ATV

Category: Lajme

  • Ky është moti për sot dhe nesër në Kosovë dhe rajon

    Ky është moti për sot dhe nesër në Kosovë dhe rajon

    Sot në vendin tonë do të mbajë mot i kthjellët dhe me rreze dielli.

    Temperaturën minimale për ditën e sotme e ka shënuar Peja me 16 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Ferizaj me 29 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme pritet të jetë me kushte të njëjta atmosferike, por pritet të ketë ulje të temperaturave.

    Temperaturën minimale për ditën e nesërme do ta mbajë qyteti i Ferizajt me 16 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 30 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me diell. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 14 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Gjirokastër me 35 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

     

     

     

  • Lëvizje të shtuar të trupave dhe automjeteve këto ditë, KFOR-i i këshillon shoferët kosovarë të jenë të vëmendshëm

    Lëvizje të shtuar të trupave dhe automjeteve këto ditë, KFOR-i i këshillon shoferët kosovarë të jenë të vëmendshëm

    Ditët në vijim do të ketë lëvizje të shtuar të trupave dhe automjeteve të KFOR-it brenda Kosovës, për shkak të procedurës normale të dorëzimit të kontingjenteve.

    “Ushtrimet do të kryhen gjithashtu për të testuar dhe ruajtur aftësitë operacionale në mënyrë që të sigurohet niveli i njëjtë i trajnimit dhe gatishmërisë së të gjitha njësive që vijnë në terren”, njoftoi misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë përmes një komunikate për media.

    KFOR-i njofton se këto ushtrime do të zhvillohen në mënyrë të tillë që të minimizojnë çdo ndërprerje dhe ndikimin për popullatën lokale dhe se është e mundur që të ketë vonesa në qarkullimin e trafikut dhe të vërehen lëvizjet e ushtarëve.

    “Prandaj, KFOR-i këshillon shoferët që t’i kushtojnë vëmendje të veçantë nëse janë afër kolonave të automjeteve ushtarake”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.

  • ​Përmeti destinacion turistik, Hoxha: Mbi 80 mijë turistë vendas e të huaj

    ​Përmeti destinacion turistik, Hoxha: Mbi 80 mijë turistë vendas e të huaj

    Përmeti vijon të jetë një nga destinacionet e preferuara të turistëve të shumtë në Shqipëri, të cilët shijojnë dhe përjetojnë bukuritë e tij, si në turizmin kulturor, shëndetësor dhe atë natyror.

    Kryetarja e bashkisë së Përmetit, Alma Hoxha për ATSH-në tha se “për periudhën janar-korrik mbi 60 mijë turistë kanë qëndruar minimalisht një natë në Përmet. Nëse do të llogarisim në numër edhe vizitorët ditorë shifra shkon mbi 80 mijë turistë vendas e të huaj”.

    Sipas saj, në krahasim me vitin e kaluar ka një rritje prej 25% të numrit të turistëve, transmeton KosovaPress.

    “Vendet më të preferuara që vizitohen nga turistët janë Ujërat Termale të Bënjës, Lumi Vjosa, Kisha e Shën Mërisë në Leusë, Teqeja e Baba Aliut Alipostivan, Bredhi i Hotovës, Ujëvara e Sopotit, Lagjja Historike Përmet, Kisha e Shën Mërisë Kosinë, etj”, tha Hoxha.

    Sipas saj, këtë vit vihet re trendi i turistëve nga Gjermania, Polonia, Italia dhe Spanja, por edhe nga vende të tjera.

    Kryebashkiakja Hoxha u shpreh se bashkia e Përmetit ka organizuar një sërë aktivitetesh për promovimin e qytetit.

    “Mund të përmendim festat e ndryshme si Dita e Verës, Vjosa në Fest, Festa e Gjysheve. Gjithashtu është bërë një punë mjaft e mirë me mbështetjen e guidave dhe subjekteve lokale me qëllim zhvillimin e ekonomisë vendase, ku mund të përmend kurset për guida lokale të certifikuara për rafting. Markimin e shtigjeve të ndryshme, zhvillimin e garës Iliryan Race, Festivali Climbing etj”, tha Hoxha.

    Gjatë viteve të fundit turistët kanë gjithnjë e më shumë një trend në rritje për të vizituar Përmetin. Në këtë qytet gjenden parqe të mëdha natyrorë, lugina me lëndina të bukura e shumë monumente natyrore, kulturore e pika turistike, të cilat vlejnë të vizitohen e të shikohen nga afër.

    Një vend të veçantë zënë kishat si ajo Shën Kollit, Kisha e Shën Premtes, Kisha e Shën Mërisë në Bënjë, Kisha e Shën Mërisë në fshatin Kosinë, Kisha e Shën Mërisë në fshatin Leusë. Në Përmet ndodhet edhe Teqeja e Alipostivanit, e ngritur mbi një kodër të bukur mbi fshatin Alipostivan.

    Një tjetër monument kulti dhe historik shumë i famshëm në Shqipëri është edhe Teqeja e Frashërit, e ndërtuar më 1781 nga Sulejman Beu i Frashërit.

    Në pjesën lindore të tij ndodhen Ujërat Termale të Bënjës, të njohura për vlerat kurative si dhe për kanionet shkëmbore të Langaricës me Shpellën e Pëllumbave.

  • Në Speciale vazhdon gjykimi në rastin Thaçi dhe të tjerët

    Në Speciale vazhdon gjykimi në rastin Thaçi dhe të tjerët

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë edhe sot vazhdon gjykimi i Thaçit dhe të tjerëve me dëshminë e dëshmitarit të ZPS-së.

    Dje, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka përfunduar seanca duke qenë gjatë tërë kohës në sesion të mbyllur për mediat dhe publikun.

    Gjatës kësaj seance, dëshmitari i 16-të, me kodin 03879, ka vazhduar të përgjigjet në pyetjet e mbrojtjes së Selimit, konkretisht avokatit Geeoffrey Roberts.

    Ky dëshmitar ka filluar dëshminë e tij në seancën e së hënës, ku pjesën më të madhe të kohës seanca është zhvilluar në sesion privat.

    Gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.

    Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.

  • Gazeta britanike shkruan për pesë plazhet e mrekullueshme të Shqipërisë

    Gazeta britanike shkruan për pesë plazhet e mrekullueshme të Shqipërisë

    Bumi turistik i Shqipërisë i ka bërë përshtypje edhe portalit të njohur “Emerging Europe”, media e Britanisë së Madhe e fokusuar tek mbështetja e progresit të bazuar në risitë që e afrojnë me vlerat evropiane, rajone të ndryshme të Euroazisë, ndër të cilat është edhe Evropa Juglindore.

    Në një artikull të gjatë, kjo media i bën jehonë 5 plazheve të jugut të vendit pak të njohura për të huajt, që i konsideron si mrekulli natyrore që ofrojnë përvoja unike dhe kujtime të paharrueshme larg turizmit masiv.

    E nis me plazhin e Gjipesë, që e përshkruan si parajsë për adhuruesit e natyrës, me pamje piktoreske.

    Një gji i veçuar që arrihet vetëm me varkë ose me këmbë, që ofron ujëra të kristaltë dhe një peisazh të paprekur, mes shkëmbinjve.

    Pas tij renditet plazhi i Ksamilit, një thesar që nuk është më i fshehur, me rërën e bardhë dhe ujërat e kristaltë, ku plazhi mund të bëhet edhe në mjedise të izoluar në 4 ishuj të paprekur që arrihen edhe me not.

    Eksperiencë autentike, sipas “Emerging Europe” ofron edhe plazhi i Gjirit të Akuariumit.

    Bregdeti i këtij plazhi ofron një shtrirje të paprekur me peizazhe spektakolare, me ujëra të pastër kristal të rrethuar nga ullishte dhe selvi.

    Mund të shijohen edhe shëtitje të qeta përgjatë bregut, restorante me gatime deti në Himarën që ndodhet shumë pranë.

    Për Jalën, shkruan se plazhi me një bukuri të paprekur ofron një ndjenjë qetësie që rrallë gjendet në pikat më të njohura turistike, me një sfond pyjesh të dendur me pisha dhe kodra piktoreske.

    Vizitorët ftohen të vizitojnë edhe vendet arkeologjike aty pranë si Kalaja e Himarës.
    Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe Palasës, që përshkruhet si parajsë e vërtetë, me një plazh të rrethuar nga malet me bimësi të dendur dhe që ofron një përzierje befasuese të peizazheve të thyer dhe ujërave me një ngjyrë kaltër të thellë.

    Bregu i artë me rërë shtrihet me kilometra, duke ofruar hapësirë të mjaftueshme për vizitorët që të çlodhen dhe të kënaqen me aktivitete të ndryshme ujore.

    Artikulli u rekomandon vizitorëve të mos e humbasin mundësinë për të ecur deri në Parkun Kombëtar të Llogarasë, për të parë pamjet mahnitëse panoramike që ofron nga lart, bregdeti.

  • Prada krijon koleksionin e parë të ‘make-up-it’

    Prada krijon koleksionin e parë të ‘make-up-it’

    Shtëpia e Modës Prada ka krijuar koleksionin e parë të grimit dhe kujdesit të lëkurës i cili pritet të lansohet së shpejti.

    Pas rrugës së suksesshme që ka gdhendur në fushën e modës dhe parfumeve, tani premton të na magjeps me cilësinë e lartë në estetikën e veçantë.

    Artistja Lindsey Alexander, në bashkëpunim me grimieren dixhitale Ines Alfa, frymëzoi një koleksion të tej mbushur me elegancë, të quajtur “Rethinking Beauty”.

    Koleksioni i Prada Beauty pritet të dalë këtë muaj dhe do të përmbajë buzëkuq, fondatinë dhe katër produkte për kujdesin e lëkurës për një lëkurë me shkëlqim.

    Artistja e karakterizon serialin si të çuditshëm, por të sofistikuar. “Kam shikuar thellë në arkiva për frymëzim, pasi kisha akses në të gjitha këto printime shumëngjyrëshe, lëkurë, tekstura najloni, lista nuk përfundon kurrë”, tha ajo.

    Frymëzimi kryesor për to janë pëlhurat nga shfaqjet e kaluara të Prada.

    Paletat e rimeleve kanë katër nuanca të ndryshme, me tekstura të pigmentuara.

    Gjithashtu, paketimi luksoz Prada është një xhevahir i vërtetë për dhomën tonë të zhveshjes.

    Buzëkuqet janë një tjetër triumf, pasi ka 26 nuanca mat me theks në çdo detaj dhe këtu e veçanta është se ato shoqërohen me paketim të rimbushshëm në tonalitete argjendi dhe ari, me logon ikonë trekëndore dhe një teksturë që të kujton atë të Prada.

    Së fundi, bazamentet do të jenë gjithashtu në pako të rimbushshme, dhe në 33 nuanca, me një teksturë të lehtë për një bazë me shkëlqim./atvlive.tv/

  • Gjatë muajit qershor u lindën 2 mijë e 352 fëmijë, dominojnë meshkujt

    Gjatë muajit qershor u lindën 2 mijë e 352 fëmijë, dominojnë meshkujt

    Në muajin qershor të këtij viti janë regjistruar gjithsej 2 mijë e 352 lindje.

    Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, nga këto lindje të regjistruara 1 mijë e 231 janë meshkuj dhe 1 mijë e 121 janë femra.

    “Në muajin Qershor 2023 janë regjistruar 2352 lindje (brenda dhe jashtë Kosovës). Prej këtyre lindjeve të regjistruara, 1231 lindje janë meshkuj dhe 1121 lindje janë femra”, thuhet në raportin e ASK-së.

    Numri i lindjeve në muajin qershor ishte më i vogël se një muaj më parë, pasi që në muajin maj në Kosovë janë regjistruar 2 mijë e 364 lindje.

    Prej tyre 1 mijë e 209 lindje kanë qenë meshkuj dhe 1 mijë e 155 lindje kanë qenë femra./Indeksonline/

  • Osmani: Masat e BE-së ndaj Kosovës, plotësisht joproporcionale

    Osmani: Masat e BE-së ndaj Kosovës, plotësisht joproporcionale

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të martën se masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian, të marra muaj më parë ndaj Kosovës, kanë qenë plotësisht joproporcionale me veprimet e institucioneve të Kosovës.

    Përgjatë një vizite në Komunën e Dragashit, Osmani ka vlerësuar se masat e kanë dëmtuar procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga blloku evropian.

    “Nuk është përgjigje e cila e nxit bashkëpunimin dhe koordinimin, përkundrazi është përgjigje e cila më së shumti i bën dëm procesit të dialogut dhe e vendos atë komplet jashtë binarëve në të cilët do të duhej të ishte, ku të dyja palët do të duhej të trajtoheshin në mënyrë të barabartë”.

    Bashkimi Evropian ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës, për shkak të mospërmbushjes së kërkesave të faktorit ndërkombëtar për ulje të tensioneve në veri të Kosovës në muajt maj e qershor.

    Atje protestat e serbëve lokalë dhe qytetarëve tjerë – që kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale – janë përshkallëzuar në dhunë ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

    Osmani e fajësuar Serbinë për këto sulme.

    “Serbia ka pasur njerëz të saj që kanë sulmuar ushtarë të NATO-s. Për këta njerëz ka dëshmi të sakta. Ata njerëz janë në video, dihet kush janë, disa prej tyre janë policë të Serbisë, dhe nuk ka asnjë masë të vetme në raport me Serbinë për këtë agresion që e ka kryer në raport me Kosovën”, ka thënë ajo, duke përsëritur se masat i janë vënë padrejtësisht Kosovës.

    Zëdhënësi i KFOR-it në Kosovë, koloneli Andrea Gallieni, pati thënë më 9 qershor se disa grupe kriminale kanë qenë mbrapa protestave të dhunshme, që janë zhvilluar në Zveçan, më 29 maj.

    Me qëllim të shtensionimit të situatës, Kosova dhe Bashkimi Evropian kanë arritur marrëveshje më 10 korrik në Bratislavë për marrjen e disa hapave.

    Osmani ka thënë se Kosova po e respekton marrëveshjen me besnikëri.

    “Tashmë ka reduktim të forcave policore në përputhje me marrëveshjen. Në anën tjetër është duke u krijuar baza ligjore për mbajtje të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në këto komuna veriore”.

    Deri më tani, Policia e Kosovës e ka përgjysmuar prezencën e saj në dhe rreth ndërtesave komunale.

    Osmani ka thënë se pret tani nga BE-ja që të marrë vendime për heqje të masave ndaj Kosovës.

    “Përshtypja ime nganjëherë është që shumë shtete e kanë trajtuar Kosovën ato ditë sikurse Kosova ta ketë pushtuar dikë. Kosova nuk e ka pushtuar asnjë territor të shtetit fqinj. Kosova ka vepruar në territorin e republikës së saj”.

    Masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës përfshijnë: suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

    Deri më tani datë për mbajtje të zgjedhjeve në komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – nuk ka, por Osmani ka thënë se beson që banorët e komunave në veri dëshirojnë ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.

    “Nuk shoh ndonjë vullnet nga presidenti [serb, Aleksandar] Vuçiq që ai të ndërpresë agresionin institucional që vazhdimisht e kryen në raport me fqinjët. Nuk shoh vullnet nga ai që ta ndërpresë dhunën që nëpërmjet strukturave kriminale vazhdimisht e ushtrojnë ndaj qytetarëve tanë në veri. Prandaj presioni duhet të jetë në Beograd”.

    Më 7 gusht, dhjetëra deputetë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian ua kanë nisur një letër kryediplomatëve të vendeve të tyre, me kërkesë që të ndryshohet qasja ndaj Kosovës dhe Serbisë, pasi, sipas tyre, politikat aktuale nuk po funksionojnë.

    Në letër, deputetët e kanë përmendur edhe zbatimin e një diplomacie parandaluese./REL

  • Kallëzime penale për kryetarët e Tetovës dhe Çairit për pritjen e Albin Kurtit

    Kallëzime penale për kryetarët e Tetovës dhe Çairit për pritjen e Albin Kurtit

    Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, ka ngritur të martën kallëzime penale kundër kryetarëve të Tetovës dhe Çairit, për, siç ka thënë, “shkelje të ligjit për përdorimin e simboleve shtetërore”, gjatë vizitës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, më 11 gusht.

    Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami dhe ai i Çairit, Visar Ganiu, janë marrë në pyetje të martën nga Policia maqedonase, e cila e ka bërë të ditur vendimin për kallëzimet penale.

    “Gjatë vizitës zyrtare të delegacionit të Kosovës në Maqedoninë e Veriut, të udhëhequr nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në pritjen e organizuar më 11.08.2023, në rrugën ‘Ferid Murati’ në Shkup dhe në sheshin e qytetit në Tetovë, nuk është vepruar në përputhje me Ligjin për përdorimin e stemës, flamurit dhe himnit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Gjatë manifestimeve të organizuara me atë rast nuk është kënduar himni shtetëror dhe nuk është vendosur flamuri shtetëror i Republikës së Maqedonisë së Veriut, me çka është bërë shkelje nga neni 30 i të njëjtit ligj”, është thënë në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Shkup.

    Në komunikatën me shkrim është thënë se “Policia do t’i vazhdojë kërkimet për personin që në një nga manifestimet valëviti flamurin e të ashtuquajturës ‘Shqipëria e Madhe’”.

    Ligji për përdorimin e simboleve shtetërore, neni 30, parasheh dënime prej 1.000 deri në 5.000 euro në rast se personi publik bën shkeljen e dispozitave, respektivisht nëse nuk përdor këto simbole në manifestimet e përcaktuara me dispozitat tjera ligjore.

    Marrja në pyetje është konfirmuar edhe nga kryetarët e dy komunave, të cilët veprimin e autoriteteve e kanë quajtur “komunist” me qëllim “frikësimi”.

    “Komunizmi këtu nuk ka vdekur, ai është gjallë dhe po e mbajnë gjallë qeveritarët tanë bashkë me Ali Ahmetin e [Arben] Taravarin. Tentimet e këtilla për frikësim dhe heshtje si në kohën e komunizmit, nuk na trembin aspak, bile kokën lartë po vazhdojmë. Aq më pak na trembin kur këto shantazhe e tentime për të penguar opozitën e bashkuar, vijnë nga pushtetarët e korruptuar dhe të shantazhuar që tani më ditët e tyre po i numërojnë në gishta. Koha e frikësimit të shqiptarëve, arrestimeve të tyre dhe marrjes së tyre nëpër stacione famëkeqe policore ka vdekur”, ka thënë kryetari i Tetovës, Bilall Kasami përmes një postimi në Facebook.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka qëndruar në këto dy komuna të banuara me popullatë shqiptare, me ftesë të kryetarit të Çairit, Visar Ganiu, dhe atij të Tetovës, Bilall Kasami.

    Kurti ka marrë pjesë në përurimin e një rruge me emrin e veprimtarit, Adem Demaçi në Çair, ndërsa në Tetovë ka marrë pjesë në përurimin e një rruge në Malësinë e Tetovës.

    Gjatë kësaj vizite Kurti dhe kreu i Tetovës kanë folur për nevojën e hapjes së një tuneli me gjatësi prej rreth 6 kilometrash, që do ta lidhte Tetovën me Prizrenin.

    Qëndrimi i kryeministrit Kurti në Tetovë dhe Çair, respektivisht përdorimi i ikonografisë shqiptare gjatë manifestimeve të organizuara, ka shkaktuar reagime të shumta, përfshirë edhe nga presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski i cili ka kërkuar sanksione për organizatorët e kësaj vizite.

  • Instituti GAP: Rritet transparenca buxhetore në komuna

    Instituti GAP: Rritet transparenca buxhetore në komuna

    Instituti GAP ka publikuar dje raportin “Indeksi i Transparencës Buxhetore të Komunave 2022”. Ky raport paraqet vlerësimin e shtatë të Institutit GAP mbi transparencën buxhetore të komunave në Kosovë.

    Vlerësimi bëhet duke u bazuar në numrin e dokumenteve buxhetore të publikuara, organizimin e dëgjimeve buxhetore me qytetarë, si dhe përgjigjeve të komunave në kërkesat e Institutit GAP për qasje në dokumente publike.

    Në vitin 2022, transparenca buxhetore e komunave ishte në nivelin më të lartë që nga publikimi i parë i indeksit, me një mesatare prej 62.8 pikësh. Nga gjithsej 100 pikë të vlerësimit, 28 komuna (73.7%) kanë arritur të kenë më shumë se 50 pikë. Maksimumin e pikëve të indeksit prej 100 pikë për vitin 2022 e kanë arritur shtatë komuna: Drenasi, Klina, Lipjani, Mitrovica e Jugut, Prizreni, Rahoveci dhe Skenderaj.

    Si rezultat i rritjes së numrit të dokumenteve buxhetore të publikuara, dëgjimeve buxhetore të mbajtura dhe përmirësimit të formatit të publikimit të dokumenteve, 25 komuna kanë shënuar progres në vlerësimin me pikë, katër komuna kanë shënuar regres, ndërsa komunat e tjera kanë pikë të njëjta sikur vitin e kaluar. Progresin më të madh me pikë në indeksin e vitit 2022 e kanë shënuar Komuna e Skënderajit (+42.5 pikë), Prizrenit (+32.5 pikë), Vushtrrisë (+31.5 pikë), Podujevës (+30 pikë) dhe e Klinës (+30 pikë). Ndërsa, regresin më të madh në renditje për vitin 2022 e ka shënuar Kaçaniku (-14 pozita), Obiliqi (-10 pozita), Graçanica (-10 pozita), Gjilani (-9 pozita) dhe Malisheva (-8 pozita).

    “Gjatë vitit 2022, së bashku komunat kanë publikuar 258 dokumente buxhetore. Nga 38 komuna, vetëm 15 prej tyre i kanë publikuar të gjitha dokumentet buxhetore që obligohen t’i publikojnë sipas Udhëzimit administrativ të MAPL-së për transparencë buxhetore në komuna. Në anën tjetër, komunat kanë shënuar progres të madh në publikimin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor, ku gjithsej 22 komuna (dhjetë më shumë sesa vitin e kaluar) e kanë publikuar në ueb-faqet e tyre apo e kanë dërguar përmes kërkesës këtë dokument të rëndësishëm buxhetor”, thuhet në njoftimin e GAP-it.