ATV

Category: Lajme

  • Hovenier: Kërkesat e SHBA së ndaj Kosovës nuk janë presion

    Hovenier: Kërkesat e SHBA së ndaj Kosovës nuk janë presion

    Përgatiti: Nexhmie Hyseni

    Kërkesat që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë për Qeverinë e Kosovës nuk kanë të bëjnë aspak me presion, tha Ambasadori amerikan në Kosovë, Jefrey Hovenier.

    Ai në një takim me gazetarët theksoi se Kosova nuk mund të vazhdojë me procese integruese pa bërë përparim në dialogun me Serbinë, raporton Evropa e Lirë.

    “pa bërë përparim në dialogun e lehtësuar nga BE-ja Kosova nuk do të mund të bëhet anëtare e BE-së; Kosova nuk do të jetë në gjendje të tejkalojë Partneritetin për Paqe për t’u bërë anëtare e NATO-s – dy synimet themelore që SHBA-ja pret që ajo t’i realizojë ”, tha Hovenier.

    Sipas tij, kërkesat nga Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tjerë janë legjitime, marrë parasysh mbështetjen që SHBA-ja i ka dhënë shtetit të Kosovës .

    “Prandaj, kërkojmë nga Kosova që tash për tash të zbatojë marrëveshjen e Ohrit. Të lëvizë shpejt, për të çuar përpara negociatat për të krijuar një Asociacion të komunave me shumicë serbe”, tha Hovenier.

    Në mesin e kërkesave të Bashkimi Evropian por edhe SHBA-së, është që Kosova të mbajë zgjedhje të reja në komunat veriore.

    Hovenier tha se mbajtja e zgjedhjeve në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe është pikë që mund të shtensionojë situatën në këtë pjesë të vendit, dhe se SHBA-ja pajtohet me këtë kërkesë derisa pret që edhe serbët të marrin pjesë në zgjedhje. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Ditëve të fundit janë shtuar në Kosovë rastet me meningjit

    Ditëve të fundit janë shtuar në Kosovë rastet me meningjit

    Përgatiti: Jeta Selmanaj

    Për dallim nga viti i kaluar në muajt korrik-gusht, sivjet rastet me sëmundjen e meningjit janë shtuar, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë.

    Kjo ministri bazuar në të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, përmes një postimi në rrjete sociale, u ka bërë thirrje qytetarëve të kenë kujdes të shtuar në klorizimin e ujit të pijes dhe pishinave.

    Meningjiti është sëmundje që shkaktohet nga një lloj bakteri i veçante (meningoku), i cili prek shtresat mbrojtëse që veshin trurin.

    “Meningjiti mund të prekë këdo që bie në kontakt me agjensin, por disa grupmosha janë më të rrezikuara. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, meningjiti prek më së shumti moshat e reja ngaqë sistemi imunitar tek personat e rinj, kryesisht foshnjat, fëmijët dhe adoleshentët nuk është zhvilluar mjaftueshëm për të luftuar agjentët”, thuhet në njoftimin e MSH-së.

    Shkaktar i sindromes meningjeale janë infeksionet bakteriale ose virale. Ndërsa, si rrugë e përhapjes së infeksionit mund të jenë pishinat, vendet e freskimit, kontakti dhe uji për pije.

    Disa nga simptomat e sëmundjes janë të ngjashme me ato të një gripi normal, por që rëndohen për një kohë shumë të shkurtër. Meningjiti mund të shfaqet menjëherë ose 3-7 ditë pas marrjes së infeksionit.

    Tek simptomat e sëmundjes përfshihen: të vjella, marramendje, temperaturë e lartë e trupit, dhimbje e muskujve, ndjeshmëri ndaj dritës, dhimbje e kokës, konfuzion, gjymtyrë të ftohta, skuqje e lëkurës.

    Ministria e Shëndetësisë apelon tek qytetarët që sapo të kenë simptoma të ngjashme të lajmërohen tek mjeku.

    Sipas një hulumtimi nga viti 2021, të paktën 1.2 milionë raste të meningjitit bakterial vlerësohet të ndodhin çdo vit në mbarë botën, ndërsa sipas OBSh-së 1 në 10 persona vdesin nga kjo sëmundje edhe nëse trajtohen. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • “Punisher 2”, institucionet e Shqipërisë s’janë në komunikim me ato kosovare

    “Punisher 2”, institucionet e Shqipërisë s’janë në komunikim me ato kosovare

    Përgatiti: Nora Luta

    Institucionet e drejtësisë në Kosovë dhe Policia e Kosovës nuk kanë komunikuar me institucionet Shqipërisë lidhur me rastin “Punisher 2”.

    Një ditë pas arrestimit në flagrancë, me një sasi prej 5 kilogramësh lëndë narkotike ekstazi të asamblistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Mujeci, dhe katër personave të tjerë nga Prishtina dhe Tirana, Prokuroria e shtetit shqiptar nuk ka kërkuar ende të ndërmerren veprime hetimore edhe në Kosovë.

    Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale në Prishtinë, Blerim Isufaj ka konfirmuar për ATV, se ende nuk kanë komunikim për rastin, duke theksuar se mbesin në dispozicion të autoriteteve shqiptare.

    Ndërkohë Policia e Kosovës nuk ka kthyer përgjigje lidhur me rastin.

    Megjithatë monitoruesit e sistemit të drejtësisë konsiderojnë se në rastet e tilla do të duhej që të ketë bashkëpunim mes institucioneve të të dyja vendeve në zhvillimin e hetimeve.

    Sipas hulumtuesit Liridon Salihi që rasti të zbardhet duhet të zgjerohen hetimet edhe në Kosovë.

    Policia shqiptare arrestoi të martën pesë persona nën dyshimet për trafikim me narkotikë, dhe sekuestroj sasi të drogës në vlerë prej rreth 400 mijë euro.
    Sipas Policisë personat e arrestuar, duke shfrytëzuar fluksin turistik, bënin dërgesa përmes linjave të autobusëve Prishtinë-Tiranë.

    Nw mesin e të arrestuarve janë dy shtetas të Kosovës, asamblisti i Vetëvendosjes Besnik Mujeci dhe Mit’hat Ramadani, reper lokal. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • “Ka tentuar të largohet nga vendi”, avokati zbulon detaje se si u dorëzua Tush Frroku

    “Ka tentuar të largohet nga vendi”, avokati zbulon detaje se si u dorëzua Tush Frroku

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Të paktën dy ditët e fundit të arratisjes, Tush Frroku, i dyshuari për vrasjen e Prenajt, qëndroi në këtë mulli të braktisur në fshatin Burojë të Skenderajt. Në bodrumin e mullirit, tani ndodhet një batanije, e cila nuk dihet me siguri nëse u përdor nga i dyshuari për vrasjen e rëndë. 48 vjeçi, qëndroi në këtë vend, deri të martën pasdite, ku u mor nga avokati Gani Krasniqi, për t’u dorëzuar pastaj në polici.

    Mulliri me objektet shoqëruese, ndodhet skaj rrugës, vetëm 12 kilometra larg Klinës, vend në të cilin edhe u krye vrasja. Megjithatë, si erdhi aty, pas largimit nga vendi i ngjarjes ende nuk dihet.

    “Kohëve të fundit nuk kam pasur kontakt me Frrokun. I njëjti më ka kontaktua të martën në mëngjes. Ka kërkua me m’pa. E pash disponimin që është i interesum me u dorëzu. Unë e kam mbështet. Më ka thënë se është duke u strehu te mullini i Burojës. Kam shku e kam marrë. I kam njoftu eprorët e policisë. Edhe është dorëzu dhe mbrojtë në heshtje”, tha avokati i Tush Frrokut, Gani Kelmendi.

    Para dorëzimit, Frroku kishte konsideruar opsione tjera.

    “Simas tij, ka tentu njëherë me dalë jasht kufinit, por kish qenë e pamundur. Kështu ka vendos për dorëzim”, tha Kelmendi.

    Për ta gjetur armën me të cilën u krye vrasja, hetuesve u duhet ende punë.

    “Armën e ka hudhë diku në bjeshkë, se i ka pa patrollat e policisë. Armën e ka pasë të veten prej zvicrës”, tha Kelmendi.

    Arsyeja për vrasjen për të cilën sipas avokatit autori është penduar dhe e ka pranuar fajësinë, ishte një fjalë goje.

    “E ka ofendu me një fjalë, për të cilën nuk më ka tregu se cila ka qenë. Këtë nuk ia ka dalë”, tha Kelmendi.

    Mulliri i cili kishte shërbyer edhe në luftë për ushtarët, ishte djegur para 10 vjetësh. Banorët e shtëpive pranë, deklaruan se nuk e kishin parë ndonjë person të dyshuar ditëve të fundit. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Rrëshqitja e dheut në minierën e Mianmarit, 32 të vdekur

    Rrëshqitja e dheut në minierën e Mianmarit, 32 të vdekur

    32 persona kanë vdekur pas rrëshqitjes së dheut në një minierë nefriti në Mianmarin verior.

    Sipas zyrtarëve të këtij vendi, të gjithë trupat e zbuluar ishin të burrave të cilët përpos njërit i janë dorëzuar familjarëve.

    Mianmari prodhon rreth 70% të nefritit në botë dhe Hpakant, zona ku ndodhi kjo tragjedi është shtëpia e disa prej minierave më të mëdha dhe më fitimprurëse të nefritit në botë me vlerë miliarda dollarëshe, raporton CNN.

    Kjo nuk është tragjedia e parë që ndodh në minerat e këtij vendi. Më shumë se 160 njerëz vdiqën pasi shiu i madh shkaktoi një rrëshqitje dheu në një minierë nefriti në Hpakant në vitin 2020.

    Një fatkeqësi e ngjashme vdekjeprurëse ndodhi në të njëjtën zonë në vitin 2021.

  • Ministri Aliu takon Ali Ahmetin, flasin për rrugën Prizren-Tetovë

    Ministri Aliu takon Ali Ahmetin, flasin për rrugën Prizren-Tetovë

    Ministri i Infrastrukturës në Kosovë, Liburn Aliu të mërkurën ka qëndruar në Maqedoni të Veriut, ku është takuar me zëvendëskryeministrin e këtij shteti, Artan Grubi dhe kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti.

    Ministri Aliu njofton në këtë takim kanë biseduar për rëndësinë e bashkëpunimit, rifuqizimin e lidhjeve historike e kulturore, dhe bashkëpunimin e ndërsjellë për projekte në dobi të të gjithë Shqiptarëve.

    “Mes tjerash, biseduam për projektin shumë të rëndësishëm infrastrukturor rrugor që do të lidhë Prizrenin me Tetovën, si dhe për hapat e mëtejmë për finalizimin e marrëveshjes financiare. Bashkërisht, u zotuam që këtë projekt të përbashkët ta realizojmë sa më parë. Jemi bashkë për rrugë që na bëjnë bashkë”, ka shkruar Aliu në Facebook.

  • Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Austrisë, George Schnetzer

    Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Austrisë, George Schnetzer

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa  Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Austrisë, George Schnetzer, të cilin e ka uruar për detyrën dhe ka shfaqur shpresën se gjatë mandatit të tij, marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve do të intensifikohen edhe më tej.

    Sipas Presidentes Osmani, Austria mbetet aleate e rëndësishme, e cila e ka mbështetur Kosovën në faza të ndryshme të shtetndërtimit.

    Presidentja Osmani ka falënderuar Austrinë për mbështetjen e palëkundur, duke potencuar rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes së mëtejme për integrimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

    Në takim me ambasadorin Schnetzer, Presidentja Osmani ka shtruar nevojën e forcimit të partneritetit në mes të Kosovës dhe Austrisë, si dhe bashkëpunimit në fushën e arsimit, kulturës, tregtisë, si dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm.

  • ​Murati fton pensionistët pa 15 vjet stazh të regjistrohen në formular për pension parcial

    ​Murati fton pensionistët pa 15 vjet stazh të regjistrohen në formular për pension parcial

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka njoftuar se të gjithë pensionistët të cilët për shkak të largimit të dhunshëm nga puna në vitet 90-ta nuk kanë arritur t’i plotësojnë 15 vjet stazh, do të mund të kalojnë në kategorinë e pensionit parcial kontributiv, nëse i plotësojnë kriteret ligjore sipas ndryshimeve ligjore të miratuara nga Kuvendi.

    “Të gjithë pensionistët që për shkak të largimit të dhunshëm nga puna në vitet 90-ta nuk kanë arritur ti plotësojnë 15 vite stazh, e që tash marrin vetëm pensionin bazik, do të kenë mundësinë që të kalojnë në kategorinë e pensionit parcial kontributiv, nëse i plotësojnë kriteret sipas ndryshimeve ligjore të miratuara nga Kuvendi”, ka shkruar Murati në Facebook.

    Ministri ka thënë po ashtu se pensionistët duhet që brenda këtij muaji të regjistrohen në një formular online, e pastaj ata do të ftohen më radhë nga zyrat e pensionistëve për paraqitje të aplikacionit për kalim në skemën parciale kontributive.

    “Para se të fillojë zbatimi i skemës së re, ftohen të gjithë pensionistët që kanë kontribute të regjistrohen në formularin më poshtë deri në fund të muajit gusht, ashtu që zyrat e pensioneve pastaj t’i ftojnë sipas radhës për paraqitjen e aplikacionit për kalim në skemën parciale kontributive në mënyrë që të evitohen pritjet e gjata para sporteleve”, shkruan ai.

  • “Të drejtat e grave sfidë në vete”, Eliza Hoxha thotë se duhet përkrahje për to

    “Të drejtat e grave sfidë në vete”, Eliza Hoxha thotë se duhet përkrahje për to

    Çështja e të drejtave të barabarta në mes grave e burrave mbetet sfidë në Kosovë. Pjesëmarrja e grave në jetën politike e sociale përgjithësisht është shumë e ulët. Për këtë temë (sidomos nëpër media), në vazhdimësi diskutohet, edhe nga deputetët e opozitës.

    Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha në emisionin “n’malAn’det” në mesin e diskutimeve të tjera, theksoi se duhet krijuar mundësi për vajzat dhe gratë që ato të kenë kapital bazë, në mënyrë që ato të zhvillohen dhe ta shprehin veten.

    “…Vetëm 14 për qind të pronës trashëgimore gratë e posedojnë në Kosovë… Shteti duhet me qenë këtu për të krijuar mundësi dhe subvencione dhe hapësira të tjera dhe të reja për profile të ndryshme që lidhen edhe me zanatet…”, theksoi Hoxha.

    Vlen të përmendet se të drejtat e vajzave e grave në pronësi dhe të drejtat e tjera sendore garantohen sipas Gazetës Zyrtare të Republikës së Kosovës.

    Për ta dëgjuar intervistën e Eliza Hoxhës në tërësi, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Maqedonci takon ambasadorin Abbott, diskutojnë për sigurinë

    Maqedonci takon ambasadorin Abbott, diskutojnë për sigurinë

    Në vazhdën e takimeve me përfaqësuesit e vendeve mike dhe partnere, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, priti sot në takim njoftues ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott.

    Fillimisht, ambasadori Abbott i uroi ministrit Maqedonci sukses në detyrën e tij të re dhe theksoi se bashkëpunimi në mes dy vendeve dhe ministrive tona të mbrojtjes do të vazhdojë jetë i fuqishëm.

    “Gjatë takimit, ministri Maqedonci e falënderoi ambasadorin Abbott për përkrahjen e përhershme nga Mbretëria e Bashkuar, si një ndër aleatët më të fuqishëm që ka Republika e Kosovës, sidomos në integrimin e vendit në organizatat euroatlantike”, citohet në komunikatë Maqedonci.

    Siç njofton Ministria e Mbrojtjes, temat e interesit të përbashkët që u diskutuan në këtë takim në mes të ministrit Maqedonci dhe ambasadorit Abbott ishin lidhur me veprimet e nevojshme për realizimin e planit të përbashkët të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, në kuadër të partneritetit të në mes dy vendeve si dhe gjetjen e formave të reja të thellimit të bashkëpunimit.