ATV

Category: Lajme

  • Rama paralajmëron gastronomët: Do të gjobiten ata që s’respektojnë decibelët e lejuar

    Rama paralajmëron gastronomët: Do të gjobiten ata që s’respektojnë decibelët e lejuar

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se bashkë me drejtorin e Inspektoratit, Florian Dushi, ka vizituar sot dhomën e monitorimit të ndotjes akustike në Inspektoratin e Kryqytetit.

    Rama, tregoi se nga e hëna do të fillojnë edhe zyrtarisht punën teksa pati një paralajmërim për gastronomët e Prishtinës.

    Ai tha se të gjitha lokalet e gastronomisë do të gjobiten, nëse nuk respektojnë decibelët e lejuar.

    “Vizituam sot Dhomën e Monitorimit të Ndotjes Akustike në Inspektoriatin e Kryeqytetit”, ka shkruar Rama në Facebook.

    “Nga e hëna fillojmë edhe zyrtarisht punën dhe duke u bazuar në rregulloren e miratuar në Kuvend, të gjitha lokalet e gastronomisë në Kryeqytet, të cilat nuk respektojnë decibelët e lejuar do të gjobiten”.

  • Gjendet i vdekur gjenerali rus që udhëhoqi pushtimin e Ukrainës

    Gjendet i vdekur gjenerali rus që udhëhoqi pushtimin e Ukrainës

    Gjenerali rus Gennady Zhidko, 58 vjeç, është gjetur i vdekur këtë të mërkurë. Lajmi është bërë i ditur nga media ruse Readovka.

    Sipas Daily Mail, ai është njeriu që udhëhoqi ofensivën ruse për pushtimin e Ukrainës si komandant i Grupit Jugor të Forcave ruse, ndërsa në tetor të vitit të kaluar ai u shkarkua dhe vendin e tij e mori Sergei ‘Armageddon’ Surovikin.

    58-vjeçari shërbeu edhe si Shef i Shtabit të Forcave të Armatosura Ruse në Siri në vitin 2016 dhe në vitin 2018 u emërua Komandant i Qarkut Ushtarak Lindor.

    Gjeneralit Zhidko iu dha edhe titulli më i lartë “Hero i Rusisë”, ndërsa ishte për një periudhë kohe edhe zëvendësministër i Mbrojtjes në vitin 2021.

    Vdekja e Gennady Zhidko është konfirmuar edhe nga guvernatori i rajonit të Khabarovsk, Mikhail Degtyarev, por nuk dha asnjë detaj më tepër.

  • Murati: Buxheti i komunave për vitin 2024 arrin në 742 milionë euro

    Murati: Buxheti i komunave për vitin 2024 arrin në 742 milionë euro

    Ministri i Financave, Hekuran Murati ka deklaruar se buxheti i komunave për vitin 2024 arrin në 742 milionë euro.

    Ai tha se dje ka dorëzuar qarkoren e dytë për buxhetin komunal për vitin 2024, e cila parasheh që buxheti i komunave të rritet në 742.3 milionë euro.

    “Po bëhet tashmë viti i dytë radhazi që rritja e buxhetit është në përqindje dyshifrore krahasuar me vitin paraprak. Në vlerë absolute, buxheti i vitit 2024 rritet për gati 90 milionë euro krahasuar me vitin 2023. Kurse nga fillimi i mandatit, për tri vite, buxheti vjetor i komunave është rritur për 195 milionë euro më shumë. Suksesi Qeverisë në menaxhimin më të mirë të financave publike dhe në mbledhjen e të hyrave përkthehet në buxhet më të lartë për komunat”, ka shkruar Murati në Facebook.

  • Mbi 2 milionë të huaj jetojnë në Zvicër

    Mbi 2 milionë të huaj jetojnë në Zvicër

    Në gjysmën e parë të 2023, kërkesa e fortë në tregun e punës dhe papunësia e ulët patën gjithashtu ndikim në imigracionin në Zvicër.

    Emigracioni neto në popullsinë rezidente të huaj të përhershme u rrit nga 9,384 në 47,200 krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2022.

    Në fund të qershorit të këtij viti në Zvicër jetojnë 2,275,965 të huaj këtu përfshire edhe mijëra shqiptarë kryesisht nga Kosova (por jo numër masiv sikur ne Gjermani), njofton gazeta zvicerane nga Berna Le Canton27.ch duke ju referuar burimeve të autoriteteve helvetike.

    Midis janarit dhe fundit të qershorit 2023, imigrimi në popullsinë e huaj rezidente të përhershme arriti në 85,732 persona, pra 10,634 persona (+14,2%) më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2022. 61 808 persona emigruan në Zvicër nga BE/EFTA , që korrespondon me një rritje prej 8736 personash (+16,5%) krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sa i përket shtetasve të vendeve të treta, kishte 23,924 persona, ose 1,898 persona (+8,6%) më shumë se në gjysmën e parë të 2022.

    Emigrimi i popullsisë rezidente të huaj të përhershme arrin në 34452 persona (+651 persona krahasuar me vitin 2022). Gjithsej 26,350 shtetas të BE/EFTA (+339 persona) dhe 8,102 shtetas të vendeve të treta (+312 persona) u larguan nga Zvicra.

    Pas një periudhe paqëndrueshmërie të shkaktuar nga pandemia Covid-19, imigracioni ka vazhduar të rritet që nga viti 2022 në gjashtë muajt e parë të këtij viti. Ky zhvillim është për shkak të fuqisë së tregut të punës. Në fund të qershorit 2023, 95,242 punëtorë të huaj kishin emigruar në Zvicër. 43.180 persona (+14.8% krahasuar me fundin e qershorit 2022) kanë ardhur për punë afatshkurtër, 52.062 persona (+17.3%) kanë filluar një punë afatgjatë. Nga kuotat e lejeve të qëndrimit për punëtorët e vendeve të treta, 41% e lejeve të qëndrimit afatshkurtër (leje 1,632 L) dhe 41% e lejeve të qëndrimit (1,838 leje B) janë ezauruar në fund të qershorit 2023. Gjermane, Frëngjisht,

    Situata ekonomike dhe ndërkombëtarizimi i ekonomisë dhe shoqërisë janë shtytës të kërkesës për punë të biznesit. Papunësia është në nivelin më të ulët në 20 vjet. Në shumë profesione, nevoja demografike për zëvendësime (pensione) është thithur nga punëtorët e rekrutuar në Zvicër dhe jashtë saj. Imigrimi për punësim afatgjatë ishte më i fortë në sektorët dytësorë dhe të shërbimeve në hoteleri, planifikim, konsulencë dhe IT, tregti dhe kujdes shëndetësor.

    Në periudhën janar-qershor 2023 janë dhënë edhe 41.747 leje të reja kufitare. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022 kishte 38547 leje. Numri i qëndrimeve të shkurtra që kërkonin një deklaratë ishte 168,896 (viti i kaluar: 155,570). Banorët afatshkurtër janë personat që kanë një punë afatshkurtër me një punëdhënës zviceran (60%), si dhe punonjës të transferuar (31%) dhe ofrues shërbimesh të vetëpunësuar (9%) që qëndrojnë në Zvicër për një kohëzgjatje maksimale prej tre muaj ose 90 ditë pune për ndalesë në vitin kalendarik.

  • Përmbytjet ndërpresin fluturimet në aeroportin e Frankfurtit

    Përmbytjet ndërpresin fluturimet në aeroportin e Frankfurtit

    Përmbytjet në pistë bënë që disa njerëz të mos ishin në gjendje të zbrisnin nga avionët që kishin mbërritur tashmë në Frankfurt. Rreth 70 fluturime u anuluan në total, pasi Gjermania qendrore pati shira të dendur dhe rrufe të shumta të mërkurën.

    Në orët e vona të mbrëmjes, në zonat e pistës ishin mbledhur sasi të mëdha uji, duke lënë pasagjerët të ngecur në avionët që ishin ulur, shkruan dw, transmeton KosovaPress.

    Një video nga aeroporti qarkulloi në rrjetet sociale, ku shiheshin avionë të parkuar në ujë, ndërsa në sfond shiheshin rrufetë.

    Sipas faqes së internetit të Aeroportit të Frankfurtit, rreth 70 fluturime ishin anuluar si pasojë e motit të keq.

    Për sa i përket ngritjeve dhe uljeve, Aeroporti i Frankfurtit mbyllet në orën 23:00 me kohë lokale (2100 UTC) por në rrethana të jashtëzakonshme si ajo e së mërkurës, kjo mund të zgjatet deri në mesnatë për të lehtësuar vonesat, anulimet dhe mbingarkesën ditën tjetër.

    Midis orës 20.00 dhe 23:00 Sipas kohës lokale, zyra e motit kishte raportuar reshje deri në 60 litra për metër katror në disa pjesë të rajonit.

  • ​Dëshmitarja në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve, thotë se që nga koha e luftës nuk e pa më bashkëshortin dhe djalin

    ​Dëshmitarja në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve, thotë se që nga koha e luftës nuk e pa më bashkëshortin dhe djalin

    Në Gjykatën Speciale në Hagë po vazhdon intervistimi i dëshmitarit të shtatëmbëdhjetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Ajo është Dragica Bozhaniq dhe po dëshmon pa masa mbrojtëse në seancë publike.

    Trupi gjykues ka bërë të ditur se synojnë që dëshmia e saj të përfundojë sot.

    Dragica Bozhariq është dëshmitarja e radhës në rastin e krerëve të UÇK-së. Prokurori e ka paraqitur një përmbledhje të dëshmisë së dëshmitares, ku pjesëtarë të UÇK-së, sipas dëshmitares, i kishin marrë burrat duke i ndaluar.

    Dëshmitarja kushëririn dhe djalin i kishte pasur pjesë të Ushtrisë së Serbisë.

    Ajo pretendon se që nga koha e luftës nuk i kishte parë më bashkëshortin dhe djalin.

    Përmbledhja e prokurorit:

    Në korrik 1998 Dragica Bozhariq jetonte në komunën e Rahovecit me familje. Gjatë natës duke u gdhirë 18 korriku i 1998, dëshmitarja anëtarët e familjes dhe anëtarë të tjerë serbë u sulmuan nga UÇK-ja në banesat e tyre. Në mëngjesin e 18 korrikut 1998, serbët u dorëzuan. Dhe i dërguan me veturë në një fshat afër. Aty UÇK-ja i ndau burrat nga gratë, te burrat ishin djali dhe bashkëshorti i dëshmitares. Gratë qëndruan në të njëjtën banesë. Ajo dëgjonte që burrat serbë i rrihnin. Dëshmitarët e morën në pyetje për kushëririn dhe djalin që kishin shërbyer në ushtrinë serbe.

    Me atë rast, kur e pa bashkëshortin e pa se edhe ai kishte mavijosje në fytyrë. Të gjitha gratë serbe në të njëjtën ditë, u dërguan për në Zoqishtë ku dëshmitarja ua dha letrën që ia kishte dhënë bashkëshorti. Ata i mbajtën të ndaluar burrat serbë. Gratë i dërguan në Manastir ku qëndruan për dy ditë. Më pas UÇK-ja i zhvendosi civilët në Semetishtë dhe i mbajti të ndaluar për një natë në shkollën e fshatit. Disa prej serbëve u morën në pyetje. Dëshmitarja dhe të ndaluarit e tjerë më pas u liruan nga Kryqi i Kuq.Dëshmitarja nuk e pa më kurrë bashkëshortin dhe djalin.

    Këtë dëshmi, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi po e përcjellin përmes video lidhjes nga qendra e paraburgimit, ndërsa Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi janë të pranishëm në sallën e gjyqit.

    Në këtë proces gjyqësor deri tani janë dëgjuar gjashtëmbëdhjetë dëshmitarë të ZPS-së, vetëm dy prej tyre pa masa mbrojtëse dhe në seanca të hapura për publikun.

    Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka nisur me 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

    Ndërsa ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

  • 33 aktakuza kundër 49 personave, për kryerjen e veprave të ndryshme penale

    33 aktakuza kundër 49 personave, për kryerjen e veprave të ndryshme penale

    Prokurori i Shtetit ju njofton se gjatë 24 orëve të fundit janë ngritur 33 aktakuza kundër 49 personave, për kryerjen e veprave të ndryshme penale.

    Po ashtu, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar 17 persona dhe janë paraqitur 12 kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 12 personave dhe një kërkesë për caktimin e masës së ndalimit për t’iu ofruar personit apo vendit të caktuar ndaj një personi.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur një (1) aktakuzë kundër katër (4) të pandehurve.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit ka ndaluar katër (4) persona, ka paraqitur gjashtë (6) kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj gjashtë (6) personave, një (1) kërkesë për caktimin e masës së ndalimit për t’iu ofruar personit apo vendit të caktuar ndaj një (1) personi, si dhe ka ngritur katërmbëdhjetë (14) aktakuza kundër gjashtëmbëdhjetë (16) personave për vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Prizren, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit ka ndaluar tre (3) persona të dyshuar, si dhe pranë gjykatës kompetente ka parashtruar dy (2) kërkesa për caktim të paraburgimit dy (2) personave. Ndërsa, nga kjo prokurori janë ngritur dhjetë (10) aktakuza kundër nëntëmbëdhjetë (19) personave, për vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Pejë, me urdhër të prokurorit ka ndaluar një (1) person dhe ka parashtruar një (1) kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit kundër një (1) personi.

    Prokuroria Themelore në Gjilan, me urdhër të prokurorit ka ndaluar një (1) person në kohëzgjatje prej 48 orëve, ka parashtruar një (1) kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit kundër një (1) personi dhe ka ngritur një (1) aktakuzë kundër një (1) personi.

    Prokuroria Themelore në Gjakovë, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit kujdestar, ka ndaluar dy (2) persona në kohëzgjatje prej 48 orësh.

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka ndaluar katër (4) persona, ka bërë një (1) kërkesë për caktimin e paraburgimit për një (1) person, si dhe ka ngritur pesë (5) aktakuza kundër pesë (5) personave.

    Prokuroria Themelore në Ferizaj, gjatë 24 orëve të fundit, ka ndaluar dy (2) persona të dyshuar, ka parashtruar një (1) kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit kundër një (1) personi, si dhe ka ngritur dy (2) aktakuza kundër katër (4) personave, për vepra të ndryshme penale.

  • Arrestohet 18-vjeçari në Kaçanik, dyshohet se ekspozoi armën në “Snapchat”

    Arrestohet 18-vjeçari në Kaçanik, dyshohet se ekspozoi armën në “Snapchat”

    Policia e Kosovës (PK) njofton se është arrestuar V.Sh (18-vjeçar) në Kaçanik, pasi dyshohet se e postoi armën e zjarrit në rrjetin social Snapchat.

    Në njoftimin e Policisë, thuhet se të mërkurën, Sektori Rajonal i Hetimeve, kishte pranuar informacionin për rastin në fjalë.

    “Hetuesit rajonal në bashkëpunim me policët hetues të stacionit në Kaçanik i kanë marrë veprimet e menjëhershme dhe nën autorizim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj i kanë nisur hetimet, ndërsa kanë arritur që të identifikojnë personin e dyshuar V.SH (M/K) i moshës 18 vjeçar, i cili është shoqëruar në stacionin e policisë në Kaçanik dhe pas intervistimit nga policët hetues, me vendim të prokurorit është liruar për procedurë të rregullt të mëtejme hetimore, ndërsa arma ( pistoletë) është konfiskuar”, thuhet në njoftim.

    Bëhet e ditur se rasti është cilësuar si “Armëmbajtje pa leje”.

  • Vetëplagoset një person në Suharekë

    Vetëplagoset një person në Suharekë

    Është vetëplagosur me armë zjarri mbrëmë një burrë në Suharekë.

    Për rastin kanë dhënë detaje nga policia e Kosovës.

    “Suharekë 16.08.2023-23:30. Është raportuar se viktima mashkull kosovar është duke u trajtuar në spitalin e Prizrenit, pasi që i njëjti dyshohet se derisa ka qenë duke manovruar me pistoletë është vet-plagosur”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Tutje, Policia njoftoi se në vendngjarje kanë dalë njësitë përkatëse policore me ç’rast janë gjetur dhe konfiskuar një pistoletë dhe një predhë, ndërsa rasti po vazhdon të hetohet.

  • Merdarë, pritjet e bashkatdhetarëve për të dalë nga Kosova deri në pesë orë

    Merdarë, pritjet e bashkatdhetarëve për të dalë nga Kosova deri në pesë orë

    Bashkatdhetarët po presin deri në pesë orë në pikë kalimin në Merdarë për të dalë nga Kosova, duke bërë që kolona të jetë deri në 2 mijë e 400 metra. Ndërsa për të hyrë pritjet janë vetëm 3 deri 5 minuta.

    Ndërsa për të hyrë, pritjet janë vetëm 3 deri në 5 minuta.

    Sipas Qendrës Kombëtare të Menaxhimit kufitar, kolona ka edhe në pikat kufitare Mutivodë, Dheu i Bardhë dhe Muçibabë.

    Në Mutivodë pritjet për të dalë nga Kosova janë deri në një orë, ndërsa kolona arrin deri në 150 metra.

    Tek Dheu i Bardhë bashkatdhetarët po presin deri në 50 minuta, derisa në Muçibabë raportohet për pritje deri në 25 minuta.