ATV

Category: Lajme

  • Varianti i ri i COVID-19, shkencëtarët bëjnë thirrje që të vendosën përsëri maskat

    Varianti i ri i COVID-19, shkencëtarët bëjnë thirrje që të vendosën përsëri maskat

    Shkencëtarët u kanë bërë thirrje njerëzve në Mbretërinë e Bashkuar që të mbajnë përsëri maska pas një “mutacioni” të ri shqetësues të variantit të COVID-19.

    Ata shprehën shqetësimin për një nënvariant të Omicron, “Eris”, i cili tani përbën një në 10 raste në MB.

    Numri i njerëzve të diagnostikuar me virus mbërriti nga rreth 3.3 për 100,000 në 7.2 në më pak se një muaj, raportoi Mirror të mërkurën, shkruan AA.

    Një variant i ri i referuar si “BA.6” gjithashtu ka shkaktuar shqetësim, megjithëse për momentin është paraqitur vetëm në Danimarkë dhe Izrael, transmeton KosovaPress.

    Trisha Greenhalgh, një eksperte e kujdesit parësor shëndetësor në Universitetin e Oksfordit, u bëri thirrje njerëzve që të mbajnë maska përsëri.

    Prof. Christina Pagel nga Kolegji Universitar i Londrës tha gjithashtu se varianti i ri ka potencialin të shkaktoj “një valë të madhe”.

    Varianti ka një “SHUME mutacione të reja që e bëjnë atë (shumë) të ndryshëm nga llojet e mëparshme të Omicron,” tha ajo në X.

    Për më tepër, në një opinion të botuar këtë javë në British Medical Journal, Pagel tha “është mjaft e sigurt që ne kemi hyrë në një valë tjetër COVID-19”.

  • Një grua gjendet e vdekur në Lipjan, Policia fillon hetimet

    Një grua gjendet e vdekur në Lipjan, Policia fillon hetimet

    Një grua është gjetur pa shenja jete në Lipjan, njoftoi Policia e Kosovës.

    “Lipjan 16.08.2023 – 07:22. Është raportuar se viktima femër kosovare ishte gjetur pa shenja jete”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.

    Sipas raportit të Policisë thuhet se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante të Policisë dhe ekipi mjekësor, me ç’rast edhe është konstatuar vdekja e viktimës.

    Tutje, Policia njoftoi se trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për obduksion, ndërsa rasti po vazhdon të hetohet.

     

     

  • Rriten çmimet – qytetarët ankohen, shitësit e prodhuesit ai hedhin fajin njëri-tjetrit

    Rriten çmimet – qytetarët ankohen, shitësit e prodhuesit ai hedhin fajin njëri-tjetrit

    Çmimet e pemëve dhe perimeve në tregun e kryeqytetit janë shtrenjtuar ditëve të fundit. Për këtë po ankohen qytetarët, përderisa shitësit e prodhuesit ai hedhin fajin njëri-tjetrit, raporton Ekonomia Online.

    Brahim Xhemajli, qytetarë nga Prishtina që kishte dal në treg të funrizohen, u ankua se çdo gjë ka pësuar ngritje në çmim, si dhe se sipas tij, është e vështirë të mbijetohet kur as rrogat e as pensionet nuk janë rritur.

    “Të gjitha çmimet në krahasim me vitet e kaluara janë rritur, çdo gjë, të gjitha çmimet janë rritur, të gjitha gjërat ushqimore, gjithkund”.

    “Rrogat nuk janë rritur, pensionet nuk janë rritur. Është vështirë të mbijetohet me këto pensione. Si nuk janë shtrenjtë? Një kilogram spinaq është bërë pesë euro, gjashtë euro. Shumë shtrenjtë”, u shpreh Xhemajli.

    Shitësi, Beqir Avdiu, duke pranuar se rritje e çmimeve ka ndodhur, fajin për këtë ia la rritjes së çmimeve në përgjithësi, ndonëse theksoi se prodhuesit kanë ngritur çmimet.

    Ai tha se çmimi për prodhim është rritur gjithashtu duke përmendur këtu koston e shpenzimeve për prodhim të produkteve që ai shet në treg.

    “Çmimet pak janë rritur, duke marrë shembull vitin e kaluar, kanë qenë pak më lirë, por jashtë shtrenjtuar të gjitha gjërat dhe prodhuesit i kanë çmimet e larta pasi i kanë prodhuar vetë. Është shtrenjtuar nafta, është shtrenjtuar punëtori, janë shtrenjtuar të gjitha, janë shtrenjtuar farat, dhe kanë arsye që t’i shtrenjtojnë edhe ata”.

    “Për këto arsye janë më të shtrenjta. Klientët pak po ankohen sepse janë pak më shtrenjtë, por s’kanë faj edhe prodhuesit sepse ka punë të prodhohet një spec, një domate”, tha Avdiu

    Prodhuesi Idriz Hajdari shkak për rritjen e çmimeve i bëri të reshurat, duke thënë se pas dëmtimit të produkteve, prodhuesve u është dashur t’i mbjellin për së dyti duke pësuar kështu shumë humbje.

    Ai shtoi se çmimet mund të jenë pak më shtrenjtë, por se kjo sipas tij, nuk duhet të përbëjë shqetësim kaq të madh, raporton EO.

    “Çmimet janë rritur shkaku që ka pasur shira shumë dhe prodhuesit e kanë humbur komplet një verë, kanë mbjella për herë të dytë prodhimet e tyre, nuk ka qenë lehtë që të mbajnë dhe procesi ka shkuar shumë mbrapa”.

    “Është dashur përshembull të merren pesë mijë, dy mijë ose 10 mijë euro, nuk kanë mundur t’i marrin, e kanë mbjella tokën për së dyti, e akoma nuk i kanë dal produktet në shitje. Është mungesë dhe nuk ka mall sa duhet. Mund të jenë pak më shtrenjtë, por nuk duhet bërë tragjike sipas mendimit tim”, u shpreh Hajdari.

  • Afër 38 për qind të rinjve kosovarë e presin liberalizimin për t’u larguar nga Kosova

    Afër 38 për qind të rinjve kosovarë e presin liberalizimin për t’u larguar nga Kosova

    Një studim i kohëve të fundit nga SchengenVisaInfo.com zbulon se 62.3 për qind e të anketuarve, të cilët janë kryesisht nga mosha 25 deri në 34 vjeç, thanë se nuk po mendojnë të transferohen në BE, krahasuar me 37.7 për qind që zbuluan planet e tyre, për t’u larguar një ditë nga Kosova.

    Gjetjet e sondazhit tregojnë se dëshira për të kaluar në BE është shumë e fortë në mesin e atyre që nuk e kishin vizituar bllokun më parë, ndërsa të gjithë të anketuarit që kanë vizituar BE-në pohuan se nuk mendojnë të lëvizin atje së shpejti, transmeton RTK.

    Në mënyrë të detajuar, 50.9 për qind e të anketuarve kanë përvojë udhëtimi në BE, ndërsa për të tjerët, kjo do të ishte hera e parë.

    Në mesin e të anketuarve që kanë konfirmuar lëvizjen e tyre në BE, shumica kanë të ardhura mujore ndërmjet 500 dollarë dhe 1,000 dollarë, me 15 për qind të të gjithë të anketuarve që bëjnë shumë para në një muaj.

    Për më tepër, përqindja e të anketuarve që planifikojnë të largohen nga Kosova pas liberalizimit të vizave dhe që gjenerojnë më pak se 300 euro në muaj, si dhe të atyre që arrijnë nga 300 deri në 500 euro në muaj, është 18.4 për qind, që tregon se niveli më i ulët sa të ardhura mujore janë, aq më i lartë është numri i personave që duan të largohen.

    Ky pretendim mbështetet më tej, pasi vetëm 2.6 për qind e të gjithë të anketuarve kanë plane të udhëtojnë në BE dhe të fitojnë rreth 1000 euro në muaj, që konsiderohet mbi pagën mesatare në Kosovë.

    Shumica e të anketuarve ishin gra (61.4 për qind), dhe statusi i tyre i profesionit ishte kryesisht i punësuar, siç pohonin 88.5 për qind, ndërsa 59.6 për qind e të anketuarve kishin arsim të lartë ose më të lartë.

    Për më tepër, profesioni më i zakonshëm është TI, Teknologjia dhe Mediat e Komunikimit, me 46.5 për qind të të anketuarve që kanë një profesion të tillë.

  • Parashikimi i motit për sot, këto janë temperaturat

    Parashikimi i motit për sot, këto janë temperaturat

    Sot në vendin tonë do të mbajë mot i kthjellët, derisa në zonat malore pritet të ketë edhe vranësira.

    Temperaturën minimale për ditën e sotme do ta mbajë Ferizaj me 16 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 30 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme pritet të jetë me mot të kthjellët dhe intervale me diell.

    Temperaturën minimale për ditën e nesërme do ta mbajë qyteti i Pejës me 17 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 31 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me diell. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 14 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Berat me 36 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

     

  • Ambasadorja amerikane: Për t’i arritur aspiratat euroatlantike, Mali i Zi duhet ta përkrahë sovranitetin e Kosovës

    Ambasadorja amerikane: Për t’i arritur aspiratat euroatlantike, Mali i Zi duhet ta përkrahë sovranitetin e Kosovës

    Ambasadorja e ShBA-së në Mal të Zi, Judy Rising Reike ka folur lidhur me atë se cilat hapa duhet t’i ndjekë Mali i Zi në mënyrë që t’i arrijë aspiratat euroatlantike.

    Reike ka potencuar që ky vend duhet të përkrahë sovranitetin e shteteve fqinje, përfshi atë të Kosovës.

    Ndër të tjerash ajo ka shkruar se Mali i Zi duhet të mbështesë sanksionet e BE-së ndaj Rusisë.

    “Në mënyrë që Mali i Zi të arrijë aspiratat euroatlantike, i nevojitet një qeveri që dënon agresionin e Rusisë, avokon për integritetin territorial të Ukrainës dhe mbështet sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, po ashtu të përforcojë pjesëmarrjen aktive në NATO, të mbrojë të drejtat e minoriteteve dhe të përkrahë sovranitetin e vendeve fqinje, përfshirë Kosovën”, ka shkruar ajo në Twitter.

  • Mbi 60 migratë dyshohet se kanë vdekur në brigjet afrikane

    Mbi 60 migratë dyshohet se kanë vdekur në brigjet afrikane

    Më shumë se 60 persona dyshohet se kanë vdekur pas gjetjes së një anijeje në brigjet e shtetit Kejp Vërd, në Afrikën Perëndimore.

    Në pamjet e publikuara në media është parë se 39 persona, përfshirë fëmijë, janë shpëtuar në ishullin Sal. Pothuajse të gjithë personat që kanë qenë në anije, e cila besohet se ka qenë në det për një muaj, kanë qenë nga Senegali.

    Zyrtarë të Kejp Vërdit kanë bërë thirrje për veprim global për migrimin, ashtu që të parandalohet humbja e mëtejme e jetës së njerëzve. Anija është identifikuar fillimisht të hënën, ka thënë policia shtetërore për agjencinë e lajmeve AFP.

    Fillimisht ka pasur raportime se ajo është përmbytur, por më vonë ajo është parë duke lëvizur. Ministria e Jashtme e Senegalit ka thënë të martën se anija është larguar prej një fshati të Senegalit më 10 korrik me 101 persona në të.

    Të mbijetuarit mund të kenë përfunduar në Kejp Vërd, mirëpo ky shtet besohet se nuk ka qenë destinacioni i tyre. Ky shtet gjendet rreth 600 kilometra larg rrugës që bëjnë emigrantët drejt Ishujve Kanare, territor spanjoll, i cili për shumë emigrantë është rrugë drejt Bashkimit Evropian.

    Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migrantë (IOM) kjo është një prej rrugëtimeve më të rrezikshme që mund ta bëjnë migrantët.

    Shifrat e sakta nuk dihen për shkak të migrimit të parregullt, mirëpo besohet se në periudhën 2020 – 2023, të paktën 67.000 persona kanë shkuar në Ishujt Kanare. Në të njëjtën periudhë, mbi 2.5000 persona kanë vdekur. /REL

  • 25 vjet nga vrasja e dëshmorit Cen Dugollit

    25 vjet nga vrasja e dëshmorit Cen Dugollit

    Sot mbushen 25 vjet nga vrasja e dëshmorit të UÇK-së, Cen Dugolli.

    Dugolli ishte njëri ndër veprimtarët e parë të rezistencës, i cili u vra më 17 gusht 1998 nga forcat serbe në burg.

    Ai vdiq nga torturat e shumta që i bënë policët serbë, por asnjëherë nuk u dorëzua e nuk tregoi për veprimet çlirimtare që po përgatisnin shokët në ilegalitet.

    Bashkëshortja dhe fëmijët për disa vite me radhë jetojnë në Francë.

  • ​25 vjet nga rënia heroike e Skënder Haxhi Çekut

    ​25 vjet nga rënia heroike e Skënder Haxhi Çekut

    Sot mbushen 25 vjet nga rënia heroike e dëshmorit gjeneral Skënder Haxhi Çekut.

    Skënder Çeku u lind më 1 janar 1955 në Qyshk të Pejës. Ai në vitin 1996 shpërngulet nga Zvicra dhe vendoset në Tiranë. Banesa e tij u bë bazë e fuqishme armatimi e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Gjatë kësaj kohe, kontakton shumë shokë të veprimtarisë, të cilët më vonë edhe do të bien dëshmorë, si Ilir Konushevci, Fehmi e Xhevë Lladrovci.

    Pas shpërthimit të luftës në Kosovë, Skënderi u autorizua të angazhohet në sferën e logjistikës së armatimit dhe ngritjen e bazave të UÇK-së në zonat e kufirit Kosovë-Shqipëri.

    Ai në fillim të verës së vitit 1998 hyri në Kosovë së bashku me dhjetëra bashkëluftëtarë, duke sjellë një sasi të madhe armatimi.

    Sulmi i parë i forcave serbe mbi fshatin Loxhë, më 6 korrik 1998, Skënderin e gjeti në istikamet e UÇK-së. Në këtë betejë ai u shqua me guxim dhe aftësi të rrallë luftarake.

    Mirëpo, luftëtarët e lirisë, Loxhën e kishin bërë fortifikatë të pathyeshme, mbi të cilën sulmet e armikut u përsëritën edhe më të ashpra, më 15 korrik.

    Në këto sulme, kundër pozicioneve të UÇK-së, Skënder Çeku u plagos rëndë dhe me gjithë përpjekjet për t’ia shpëtuar jetën, ai hyri në përjetësi, duke ia shtuar lavdinë Kosovës dhe ushtrisë së saj çlirimtare.

    Bashkëluftëtarët e varrosën në fshatin Semetisht të Suharekës, ndërsa pas luftës trupi i dëshmorit u rivarros në Varrezat e Dëshmorëve në Gllogjan. Për merita të dëshmuara ushtarake, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së e ka graduar, pas rënies, me gradën e gjeneralmajorit.

    Vepra e tij është lartësuar në monumente përkujtimore, por edhe në emra rrugësh e institucionesh. Në fshatin Loxhë të Pejës është zbuluar pllaka e tij përkujtimore, ndërsa emrin e këtij dëshmori e mori shkolla fillore e fshati Qyshk.

  • Sot paraqitet dëshmitari i ri i prokurorisë në rastin “Thaçi dhe të tjerët”

    Sot paraqitet dëshmitari i ri i prokurorisë në rastin “Thaçi dhe të tjerët”

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë vazhdon gjykimi i Thaçit dhe të tjerëve. Sot pritet të paraqitet dëshmitari i ri i prokurorisë në rastin kundër Thaçit dhe të tjerëve. Sot është dita e fundit e gjykimit për këtë javë.

    Dëshmitari i gjashtëmbëdhjetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në gjykimin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dje e ka përfunduar dëshminë e tij para trupit gjykues në Hagë.

    Dëshmia e tij për tri ditë me radhë është dëgjuar në seancë private derisa ai është intervistuar nga prokuroria, mbrojtja e Hashim Thaçit dhe ajo e Rexhep Selimit.

    Dëshmitari me kodin 3879 ka dëshmuar nën masa mbrojtëse ndërsa në një pjesë të dëshmisë së tij, kur seanca ishte publike, ai ka thënë se ishte pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    Ai ka dëshmuar rreth periudhës së vitit 1998 dhe zonës së Llapushnikut.

    Ndërsa të enjten në gjykatore do të paraqitet dëshmitari i radhës i prokurorisë.

    Dëshmitari i shtatëmbëdhjetë do të ketë masa mbrojtëse por pritet që pjesë të dëshmisë së tij të dëgjohen edhe në seancë publike.

    Deri tani në këtë proces gjyqësor janë dëgjuar 16 dëshmitarë, të gjithë të mbrojtur dhe në seanca private, përveç ish-komandantit të Zonës Operative të Llapit dhe një oficeri britanik, të cilët kanë dëshmuar pa masa mbrojtëse.

    Gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit ka nisur me 3 prill ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

    Ata po qëndrojnë në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.