ATV

Category: Lajme

  • 45 fëmijë dhe 20 të rritur janë prekur nga meningjiti në Kosovë

    45 fëmijë dhe 20 të rritur janë prekur nga meningjiti në Kosovë

    Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, nga muaji korrik i këtij viti, e deri më sot, janë trajtuar 45 pacientë me meningjit tek moshat pediatrike dhe 20 raste tek të rriturit.

    Dy muajt e fundit vërehet rritje e numrit të pacientëve, krahasuar me muajt paraprak, por situata është nën kontroll të plotë dhe Klinika Infektive ka kapacitete të mjaftueshme profesionale dhe hapësinore për të trajtuar pacientët.

    Aktualisht, në Klinikën Infektive janë duke u trajtuar 11 raste me meningjit, 2 prej tyre pediatrike.
    Nga muaji janar, deri në muajin korrik të këtij viti në trajtim ishin 38 pacientë.

    Këto shifra u bënë të ditura gjatë takimit që pati drejtori përgjithshëm i ShSKUK-së, Elvir Azizi, me drejtorin e Klinikës Infektive, Arben Vishaj dhe stafin e klinikës.

    Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës apelon tek qytetarët të respektojnë me përpikëri masat e rekomanduara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

    Shkaktar i sindromës meningjeale janë infeksionet bakteriale ose virale. Ndërsa, si rrugë e përhapjes së infeksionit mund të jenë pishinat, vendet e freskimit, kontakti dhe uji për pije.

    Simptomat

    Disa nga simptomat e sëmundjes janë të ngjashme me ato të një gripi normal, por që rëndohen për një kohë shumë të shkurtër. Meningjiti mund të shfaqet menjëherë ose 3-7 ditë pas marrjes së infeksionit.
    Tek simptomat e sëmundjes përfshihen: të vjella, marramendje, temperaturë e lartë e trupit, dhimbje e muskujve, ndjeshmëri ndaj dritës, dhimbje e kokës, konfuzion, gjymtyrë të ftohta, skuqje e lëkurës.
    Ndërsa tek fëmijët mund të ketë edhe simptoma si frymëmarrja e shpejtuar, irritim dhe të qara për një kohë të gjatë, humbje të përqëndrimit dhe mungesë oreksi.

    Sapo të vëreni simptomat e mësipërme apo gjendje të rënduar shëndetësore, duhet menjëherë të konsultoheni tek mjeku.

    Meningjiti trajtohet vetëm në spital!

  • Shefi i EULEX-it: I shqetësuar me dorëheqjen e tre policëve serbë, duhet t’i kontribuojnë komunitetit të tyre

    Shefi i EULEX-it: I shqetësuar me dorëheqjen e tre policëve serbë, duhet t’i kontribuojnë komunitetit të tyre

    Shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, tha se është i shqetësuar me dorëheqjen e tre policëve serbë nga Policia e Kosovës.

    Ai tha se këto zhvillime shqetësuese po i ndjekin nga afër dhe tha se përbërja e policisë duhet të jetë përfaqësuese e komuniteteve që jetojnë në Kosovë.

    “Po i shoh me shqetësim dorëheqjet e fundit të tre serbëve të Kosovës të saporekrutuar, pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. EULEX po i ndjek nga afër këto zhvillime shqetësuese. Përbërja e policisë duhet të pasqyrojë dhe përfaqësojë shoqërinë të cilës i shërbejnë dhe mbrojnë”, tha ai.

    Ai tha se anëtarët joshumicë të Policisë së Kosovës mund të kontribuojnë në sigurinë e komuniteteve të tyre përmes punës të orientuar nga komuniteti.

    “Misioni është i përkushtuar të mbështesë përpjekjet e PK-së që synojnë zhvillimin e policimit efektiv, efikas, përfaqësues dhe të përgjegjshëm në fushëveprim më të gjerë”, ka shkruar ai.

  • Kurti takohet me kryesuesin e KGjK-së, flasin për reformat në drejtësi e gjykatën në Mitrovicë të veriut

    Kurti takohet me kryesuesin e KGjK-së, flasin për reformat në drejtësi e gjykatën në Mitrovicë të veriut

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot ka pritur në takim Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj.

    Temë e takimit ishin planifikimet e Këshillit Gjyqësor për efikasitetin dhe efektivitetin e sistemit gjyqësor, rezultatet e deritanishme të Gjykatës Komerciale pas funksionalizmit të saj, reformat në drejtësi dhe gjithashtu funksionimi i Gjykatës në Mitrovicën e Veriut.

    U dakorduan për intensifikimin e bashkëpunimit rreth reformës në drejtësi, si dhe çështjeve të tjera, të cilat kanë të bëjnë me forcimin e sundimit të ligjit.

    Në këtë takim, kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe zëvendësministri, Blerim Sallahu, ndërkaq nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, përveç kryesuesit, e pranishme ishte edhe anëtarja e KGjK-së, Drita Rexhaj.

  • Ushtarja e FSK-së përzgjidhet për Akademinë Ushtarake Mbretërore në Britani, Abbott e takon

    Ushtarja e FSK-së përzgjidhet për Akademinë Ushtarake Mbretërore në Britani, Abbott e takon

    Pjesëtarja e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Lirjona Bajraktari, është përzgjedhur për të ndjekur Akademinë Ushtarake Mbretërore në Sandhurst të Mbretërisë së Bashkuar.

    Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, ka takuar atë, duke thënë se i vjen mirë të shohë që më të përkushtuarit e FKS-së do të ndjekin këtë akademi.

    “Kam pasur kënaqësinë të takoj sot anëtaren e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Lirjona Bajraktari, e cila është përzgjedhur për të ndjekur Akademinë Ushtarake Mbretërore në Sandhurst. Është e mrekullueshme të shohësh më të shkëlqyeshmit dhe më të përkushtuarit e FSK-së duke marrë pjesë në një nga institucionet ushtarake kryesore në botë në Mbretërinë e Bashkuar”.

  • Caktohet masa “Arrest në burg” ndaj ish-asambleistit të VV-së Besnik Mujecit

    Caktohet masa “Arrest në burg” ndaj ish-asambleistit të VV-së Besnik Mujecit

    Gjykata Penale e Tiranës ka caktuar masën e burgimit pa afat për pesë të arrestuarit e operacionit antidrogë, ku u sekuestruan 11300 doza ekstazi.

    Arrest në burg u caktua për dy kosovarët Mithat Ramadani dhe Besnik Mujeci, si dhe për tre të tjerët Kalem Picari, Ambra Myftari dhe Daniel Avdia, shkruan abcnews.al.

    Një prej të cilëve, Besnik Mujeci ish-aktivist i Vetëvendosjes. Gjyqtari Gert Hoxha pranoi kërkesën e prokurorit Ndini Tavani që pesë të arrestuarit të vijojnë të hetohen në qeli.

  • Malajzi, avioni rrëzohet në autostradë dhe shpërthen gjatë përplasjes, raportohet për të vdekur

    Malajzi, avioni rrëzohet në autostradë dhe shpërthen gjatë përplasjes, raportohet për të vdekur

    Një avion me tetë persona në bord u rrëzua në një autostradë në shtetin Selangor të Malajzisë të enjten në mëngjes, duke shkaktuar 10 viktima, sipas një njoftimi të policisë.

    Autoriteti i Aviacionit Civil të Malajzisë tha se përplasja ndodhi në qytetin Elmina, duke shtuar se avioni mbante gjithsej gjashtë pasagjerë dhe dy anëtarë të ekuipazhit.

    Policia ka konfirmuar se dhjetë persona (8 personat në bord, një çiklist dhe një shofer makine) kanë vdekur si pasojë e rrëzimi të avionit.

    Sipas Ministrisë së Zhvillimit, një motoçikletë është goditur nga avioni dhe zjarrfikësit janë nisur për operacionet e shuarjes së zjarrit dhe shpëtimit.

    Shefi i policisë lokale, i cili konfirmoi incidentin, tha se një ekip policie është dërguar gjithashtu në vendngjarje.

    Raportohet se avioni ra në tokë dhe shpërtheu gjatë përplasjes, sipas Free Malaysia Today.

  • “Financial Times”: Italianët vërshojnë në resortet me kosto të ulët të Shqipërisë

    “Financial Times”: Italianët vërshojnë në resortet me kosto të ulët të Shqipërisë

    Kryeministrja italiane Giorgia Meloni zhvilloi një vizitë të papritur në Shqipëri këtë javë, duke iu bashkuar mijëra pushuesve verorë që kanë zgjedhur vendin ballkanik për shkak të çmimeve në rritje të Italisë dhe motit ekstrem, sipas “The Financial Times”.

    Meloni zgjodhi një rrugë me kosto të ulët, duke marrë një traget nga rajoni jugor italian i Pulias, ku ishte me pushime me familjen e saj drejt portit shqiptar të Vlorës.

    Një nga vendet më të varfra të Evropës, Shqipëria ka luftuar për dekada për të hequr reputacionin e korrupsionit dhe krimit të organizuar që ka nxitur qindra mijëra shqiptarë të emigrojnë. Por, tani vendi po gëzon një rimëkëmbje ekonomike pjesërisht për shkak të një bumi turistik, shkruan Atsh, përcjell KosovaPress.

    “Të tërhequr nga plazhet e tij mesdhetare me çmime konkurruese, pasagjerët e linjave ajrore në Shqipëri u dyfishuan në qershor krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë”, sipas ACI Europe, një shoqatë e operatorëve të aeroporteve.

    “Hapja e linjave me kosto të ulët për në aeroportet shqiptare kontribuoi në këtë rritje”, tha ACI.

    Gjithashtu, u rritën edhe qëndrimet gjatë natës, pasi shifrat e fundit të Eurostat raportuan 261 000 netë të kaluara nga turistë të huaj në Shqipëri në tremujorin e parë, ose 152 për qind më shumë nga e njëjta periudhë e 2019-ës.

    Turizmi i huaj në Shqipëri ka lulëzuar që nga viti 2019 ndërsa udhëtimet në disa destinacione tradicionale evropiane si, Italia nuk janë kthyer në nivelet e para pandemisë.

    Shumë pushues në Shqipëri janë italianë dhe i kanë shmangur udhëtimet brenda vendit.

    “Ndërsa turistët e huaj vazhdojnë të dynden në Itali, me 43 për qind në katër muajt e parë. Krahasuar me të njëjtën periudhë në 2022, udhëtimet brenda vendit ranë 20-30 për qind në krahasim me vitin e kaluar në rajone të caktuara”, sipas organit të tregtisë së turizmit “Federturismo”.

    Marina Lalli, kryetare e Federturismo, tha se rënia e numrit të turistëve vendas shërben si një kambanë alarmi.

    Ministria italiane e Financave tha se ishte duke u mbështetur tek turistët për të rritur produktin e brendshëm bruto (PBB) të vendit në tremujorin e tretë pas të dhënave zhgënjyese të tremujorit të dytë, kur prodhimi u tkurr 0,3 për qind krahasuar me tre muajt e mëparshëm.

    Përveç çmimeve të larta, valët e të nxehtit, zjarret në jug dhe stuhitë veriore kanë çuar në anulime udhëtimeve në minutën e fundit këtë verë. Në Siçili, një zjarr dhe një shpërthim vullkanik mbylli aeroportin e Katanias, duke çuar në mijëra anulime dhe akuza për përgjigjen e ngadaltë të autoriteteve.

    Mediet tradicionale në Itali e kanë cilësuar gjithashtu Shqipërinë si destinacionin “trend”, duke i cilësuar plazhet e saj me rërë fildishi si Karaibet e Evropës.

    Melonit u shoqërua në udhëtimin e saj të profilit të ulët nga partneri i saj dhe vajza e tyre gjashtëvjeçare.

    “Ata u takuan me homologun e saj, Edi Rama, dhe familjen e tij të hënën dhe të martën”, sipas një burimi.

    Një zyrtar italian tha se Meloni mori pjesë në një darkë të organizuar nga Edi Rama të martën.

    Megjithatë, disa media vendase dhe një tjetër zyrtar italian thanë se ajo u kthye në Itali të martën për të festuar “Ferragosto”, një festë kombëtare.

    Zëdhënësit e kryeministres nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

    Rama në fillim të kësaj jave e përshkroi Melonin si një “tigër”.

    I njohur për stilin e tij konfrontues, kryeministri shqiptar u mburr në rrjetet sociale me foto që tregonin tragete plot me turistë italianë.

  • Ministria e Ekonomisë mban nesër konferencë për media, merr pjesë edhe kryeministri Kurti

    Ministria e Ekonomisë mban nesër konferencë për media, merr pjesë edhe kryeministri Kurti

    Fushata e nisur nga Qeveria e Kosovës për mbështetjen e konsumatorëve familjarë në investimin në pajisje shtëpiake efiçiente dhe sistemin diellor për ngrohjen e ujit sanitar, dikasteri i saj Ministria e Ekonomisë ka bërë të ditur se që nga nesër do të filloj lansimi publik.

    Sipas agjendës që është dërguar nga ME, prezent dhe fjalim do të mbaj kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërsa pas tij do të flas ministria e kësaj ministrie, Artane Rizvanolli, më pas edhe nga zyra e Bashkimit Evropian, Alessandro Bianciardi.

    Në fund, do të prezantohen edhe disa video ku do të paraqesin disa nga idetë e këtij projekti.

     

  • Gërxhaliu paralajmëron pandemi demografike: Ikja e të rinjve alarmante, institucionet të reagojnë

    Gërxhaliu paralajmëron pandemi demografike: Ikja e të rinjve alarmante, institucionet të reagojnë

    Ish-drejtori i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka thënë se njëra ndër problemet më të mëdha me të cilat do të përballet sektori privat në të ardhmen është mungesa e fuqisë punëtore, kjo pas ikjes së të rinjve nga vendi, raporton Ekonomia Online.

    Ai tha se ikja e të rinjve është bërë një fenomen shqetësues, që sipas tij, është duke ndodhur si shkak i mungesës së stabilitetit politik, pagat e ulëta dhe mosmarrja e masave për të parandaluar, siç e quan ai, këtë pandemi demografike e cila mund ta zbrazë Kosovën.

    Gërxhaliu tha se për sektorin privat në të ardhmen nuk do të jenë sfida tregu, prodhimi, çmimet e larta të energjisë elektrike e derivateve, por sipas tij, problem i madh do të jetë mungesa e fuqisë punëtore, duke shtuar këtu edhe faktin që nga janari do të bëhet edhe liberalizimi i vizave.

    “Në rend të parë mendoj se njëra ndër sfidat më të mëdha për sektorin privat në të ardhme nuk do të jetë tregu, nuk do të jetë prodhimi, nuk do të jetë çmimi i lartë i energjisë elektrike dhe i derivateve po do të jetë mungesa e fuqisë punëtore. Ne kemi paralajmëruar që do të jetë mjaftë sfiduese dhe kemi menduar që do të merren masa që ky problem të zgjidhet, kur krejt kësaj i shtohet fakti që nga janari do të kemi edhe liberalizimin. Besoj që do të jetë një tentativë e madhe e të rinjve për të ikur”, tha ai.

    Gërxhaliu tha se në vend mungojnë kampanja vëtëdijesuese e motivuese për të rinjtë që ata të mbesin në Kosovë, ai shtoi se në ikjen e tyre ka ndikuar stabiliteti ekonomik.

    “Mungojnë kampanja vetëdijesuese, mungojnë kampanja motivuese që të rinjtë të mbesin në Kosovë, definitivisht vitet e ardhme sidomos në aspektin kohorë afat shkurt, në dy-tri vitet e para duhet të jetë mjaftë shqetësuese një pjesë dërrmuese e këtyre të rinjve që pretendojnë të dalin jashtë Kosovës nuk e kanë parë Evropën dhe një farë forme e kanë si mollë të ndalura që dëshirojnë që ta shohin. Në rend të dytë aspekti politik dhe mungesa e stabilitetit politikë në Kosovë është një problem i cili çdo ditë me tepër po dramatizohet dhe të rinjtë po e humbin shpresën se në Kosovë do ta behët mirë, apo do të ketë prespektiv dhe ardhmëri”, tha ai.

    Ish-drejtori i OEK-ut, tha se situata me largimin e të rinjve nga vendi është një situatë alarmante, prandaj sipas tij, është momenti i fundit kur Qeveri duhet që të veproj në këtë drejtim.

    Ai me këtë rast ka bërë edhe disa pyetje se si mund të jetohet me një rrogë nga 190 deri në 350 euro në këtë kohë inflacioni e me ngritje të çmimeve.

    “Vërtet për mua situata është mjaftë alarmante, nuk i duhet Kosovës një pandemi demografike, se çfarë pandemie më të rrezikshme mund ta kaploj një shtet të ri çfarë është Kosova se sa zbrazja e saj. Prandaj besoj që është momenti i fundit kur duhet të veprohet në këtë drejtim, duhet të kthehet një perspektiv e humbur dhe një shpresë e humbur që këtu mund të jetohet. Lind pyetja se si mund të jetohet në Kosovë në këtë kohë të inflacionit, të ngritjes së çmimeve me një pagë 190 euro, sot paguhen punëtorët e sigurimit të pasurive dhe objekteve. Si mund të jetohet më një pagë 230 euro për të punësuarit dhe të punësuarat nëpër markete. Si mund te jetohet me kompani të sigurimeve, në kalkuime të dëmeve me 300 deri 350 euro dhe si mund të ndërtohet perspektiva në Kosovë në qoftë se më tepër se 80 mijë të punësuar kanë pagën me të vogël se 350 euro. Prandaj a nuk janë këta indikatorë shqetësues që duhet ti prekin institucionet vendore”, tha ai.

    Gërxhaliu tha se nga vendi nuk janë duke ikur vetëm të varfëritë, por edhe studentët edhe familjet që kanë edhe një stabilitet material, kjo sipas tij është duke ndodhur për shkak se ata janë duke kërkuar arsim më kualitativ, siguri më të lartë, shëndetësi më të mirë etj.

    “Në aspektin ekonomik duhet që të bëhet me tepër sepse me këtë nivel të zhvillimit ekonomik, me këtë qasje të qeverisë përball biznesit, me këtë mungesë të një dialogu të mirëfillte, në qoftë se bizneset tentohet gjithmonë vetëm për tu ndëshkuar dhe jo për t’u motivuar vërtet shqetësues në aspektin integrues deri sa Kosova nuk do të ketë një zgjidhje politike apo një marrëveshje mesë Serbisë dhe Kosovë ankthi do të jetë gjithmonë prezent. Të rinjtë e kanë kuptuar se jeta nuk e ka jetën e dytë rezervë, në këtë drejtim ata tentojnë ta sigurojnë vetën atje ku e kanë më mirë. Nga Kosova nuk janë duke ikur vetëm të varfëritë, janë duke ikur student, janë duke ikur familje që kanë një stabilitet material sepse kërkojnë arsim më kualitativ, kërkojnë siguri më të lartë, kërkojnë shëndetësi më të mirë dhe kërkojnë integrim modern”, tha ai.

    Mbi gjysma e shtetasve të Kosovës nuk kanë ndërmend të shkojnë në BE as pas liberalizimit të vizave, tregon anketa.

    Një studim i kohëve të fundit nga SchengenVisaInfo.com zbulon se 62.3 për qind e të anketuarve, të cilët janë kryesisht nga mosha 25 deri në 34 vjeç, thanë se nuk po mendojnë të transferohen në BE, krahasuar me 37.7 për qind që zbuluan planet e tyre, për t’u larguar një ditë nga Kosova.

  • Zjarrfikësit e Kosovës në kushte të mjerueshme

    Zjarrfikësit e Kosovës në kushte të mjerueshme

    Numri i vogël i punonjësve, mos kompensimi për ndërrimet e natës, orët jashtë orarit, mos kompensimi i rrezikshmërisë gjatë orarit të punës vazhdojnë të jenë disa nga problemet me të cilat ballafaqohen zjarrfikësit në Kosovë. Nga Sindikata e Zjarrfikësve thonë se me pagën prej 120 euro nuk mund të mbulojnë as shpenzimet personale.

    Kryetari i kësaj sindikate, Muharrem Beka shprehet se gjendja në të cilën është shërbimi i zjarrfikësve nuk i konvenon as shtetit.

    Ai thekson se edhe numri i vogël i zjarrfikësve në nivel vendi dhe kushtet e mjerueshme të punës ndikojnë që shërbimi i zjarrfikësve të mos jetë me kapacitet të mjaftueshëm. Derisa thotë se veç Prishtinës i mungojnë 35 zjarrëfikës, Beka alarmon se numri i tyre është duke rënë.

    “Gjendja nuk është duke lëvizur, kemi mbetur në një pozitë mjaft të palakmueshme, gjendja është duke u përkeqësuar… Është duke u zvogëluar numri i zjarrfikëseve, është duke u shtuar në moshë d.m.th. nga viti 2024 në përjashtim në tri, katër komuna as konkurse të reja, as punëtorë të rinj nuk kanë pranuar… Ne jemi të befasuar me qëndrimin indiferent të institucioneve karshi shërbimit të zjarrfikësve po edhe problemeve në veçanti të cilat janë grumbulluar, dhe institucionet janë të obliguara t’i zgjidhin… Zjarrfikësit as sot nuk kompensohen për ndërrimet e natës për festat shtetërore dhe fetare, orët jashtë orarit. Siç thash, rasti i mobilizimit në veri ende nuk janë kompensuar… Kjo gjendje nuk i konvenon askujt, as zjarrfikësve, as qytetarëve, as shtetit. Ky shërbim kjo forcë për mbrojtje në shpëtim është e brishtë, është një numër jashtëzakonisht i vogël në nivel vendi”, thotë Beka.

    Edhe komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve të Mitrovicës, Tahir Mikullovci, deklaron për KosovaPress se shqetësimi më i madh për këtë njësi zjarrfikëse është mungesa e personelit. Sipas ligjit, në Mitrovicë do të duhej të ishin edhe 15 zjarrfikës të tjerë pasi numri është i pakët.

    “Është fakt se kemi mungesë të stafit të zjarrfikësve, por i kemi ndaluar pothuajse të gjitha pushimet vjetore në këtë sezon të pjesëtarëve të Njësisë Zjarrfikëse… Numri i zjarrfikësve është 32, dhe ky është problemi më i madh jo vetëm në Mitrovicë, por në krejt Kosovën, sepse në bazë të ligjit për mbrojtjen e zjarrit duhet që në çdo 1 mijë e 500 banorë të ketë një zjarrfikës. Krahasuar me numrin e banorëve në Mitrovicë, kemi afër 15 pjesëtarë të Njësisë Zjarrfikëse më pak. Kështu që kjo është sfida ose problemi më i madh mungesa e stafit të Njësisë Zjarrfikëse’, thotë Mikullovci.

    Se shteti nuk po bën asgjë ëpr zjarrfikësit thotë Abdusamed Shkodra nga Brigada e Zjarrfikësve në Prishtinë.

    “Zjarrfikësit janë staf i Ministrisë së Punëve të Brendshme, menaxhohen nga AME në koordinim me komunat, këtu do të thotë nuk është bashkëpunimi aq sa duhet. Sa i përket për hapjen e konkursit, nuk është diçka në rregull, këtu është e mirë të bëhet një zgjidhje dhe të pranohen zjarrfikësit e rinj, kërkesa është kamotshme duke e marrë për bazë nevojën për punëtorë të rinjë… Konkursi i fundit ka qenë 2019, ndërsa kërkesat kanë qenë në vazhdimësi… Zjarrfikësit tashmë marrin pagë 120 euro aty diku, nëse konsiderojmë se a është i mjaftueshëm koeficienti aty ku kemi dëshiruar ne”, shprehet Shkodra.

    E kryetari i sindikatës thotë se gjendja po përkeqësohet dhe se zjarrfikësit e kanë humbur durimin.

    Ai paralajmëron se është alarmi i fundit për Qeverinë dhe institucionet për përmbushjen e kërkesave të tyre.

    “Gjendja që nuk është duke marrë askush me neve jemi mbet në mëshirën e askujt mirëpo zjarrfikësit e kanë humb durimin, i jemi drejtuar Qeverisë. Në rast të lëndimit eventual në vendin e punës në intervenim nëse lëndohet një zjarrfikës gjitha shpenzime t i kryen prej mjeteve vetanake, d.m.th është ngarkesë, ne po presim unë po shpresoj është alarmi i fundit… 09:04 Ne ju kemi kërkuar takim urgjent të diskutojmë për problemet tona, atëherë le të dalin para ndërtesës së Qeverisë dhe lë të tregojnë pse është kjo gjendje. Unë konsideroj se mundësitë për dialog janë shtjerrë, nuk kemi diçka, nuk mundemi me u bind se dikur do të bëhet mirë… Do të kërkojmë zgjidhje të problemeve asgjë nuk po kërkojmë. Momentin që policisë në veri po i kompensohen kanë qenë të angazhuar janë kompensuar, zjarrfikësit po ndihen të diskriminuar, nuk po trajtohen njësoj, nuk është qasja ndaj zjarrfikësve dhe policëve njëjtë, për çfarë arsyeje?”, thekson ai.