ATV

Category: Lajme

  • Sondazhi tregon rritje të pakënaqësisë ndaj Scholz, 2/3 e gjermanëve duan një qeveri të re

    Sondazhi tregon rritje të pakënaqësisë ndaj Scholz, 2/3 e gjermanëve duan një qeveri të re

    Olaf Scholz nuk ka arritur të fitojë simpatinë e gjermanëve. Këtë tregon një sondazh i realizuar nga agjencia e sondazheve INSA dhe publikuar nga gazeta Bild, ku rezulton se gati 2/3 e gjermanëve (64% e votuesve) duan “ti heqin prizën” koalicionit që drejton vendin.

    Sondazhi për perceptimin mbi punën e qeverisë është zhvilluar menjëherë pas “Politbarometri”, që tregonte se gjermanët janë të pakënaqur me kancelarin Scholz.

    Sipas shumicës së gjermanëve që morën pjesë në sondazhin e publikuar të shtunën, ndryshimi i qeverisë do ta bënte vendin më të mirë.

    Vetëm 22% e të anketuarve nga INSA thanë se mendonin se zgjedhjet nuk do të ishin në përfitim të Gjermanisë. E njëjta përqindje thanë se ishin të kënaqur me punën e Olaf Scholz si kancelar, ndërsa 70% është shkalla e të pakënaqurve.

    Anketuesit pyetën gjithashtu për koalicionin e ashtuquajtur “semaforik” të socialdemokratëve të qendrës së majtë (SPD), të Gjelbërve dhe Demokratëve të Lirë neoliberalë (FDP). Votuesit u pyetën se si e shohin atë në krahasim me “Koalicionin e Madh” të ish-kancelares Angela Merkel, që u realizua mes Kristian Demokratëve/Kristian Socialistëve (CDU/CSU) dhe SPD-së.

    Vetëm 10% thanë se koalicioni aktual po bën më mirë se ai i Merkel, ndërsa 49% e shohin atë si më të keq. Ndërkohë, 28% thanë se rezultati ishte i përzier në varësi të politikave.

    Ndërkohë një ditë më parë, sondazhi “Politbarometri” i publikuar nga Grupi i Kërkimeve Zgjedhore të Gjermanisë në emër të transmetuesit publik ZDF tregoi gjithashtu pakënaqësi të votuesve ndaj Scholz si kryeministër.

    Ai zbuloi se 51% e të anketurave ishin të pakënaqur me performancën e tij në detyrë dhe se 58% mendonin se qeveria po bënte një punë të dobët.

    U regjistruar gjithashtu një mbështetje e dobët historike edhe për SPD-në e Scholz-it, pasi vetëm 19% thanë se do të votonin për partinë nëse zgjedhjet mbahen tani afër, ndërsa 15% thanë se do votojnë të Gjelbërit dhe vetëm 7% FDP-në.

    Blloku CDU/CSU merr 26% të mbështetjes së votuesve në sondazh, ndërsa partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) merr 19%.

    Udhëheqësi i AfD-së Tino Chrupalla tha të shtunën se partia e tij kërcënomn pozitat e CDU/CSU, me përqindjen e votuesve të AfD-së që është rritur nga 10.3% në zgjedhjet e përgjithshme të 2021 në 21% në muajt e fundit.

  • Kosova e 77-ta për pagën mesatare mujore në botë

    Kosova e 77-ta për pagën mesatare mujore në botë

    Kosova është renditur në vendin e 77-të në listën prej 101 vendeve të botës për sa i përket pagës mesatare mujore neto pas tatimimit të saj.

    Lista është publikuar nga “Fact Protocola” një web faqe, që është një sistem i decentralizuar i kontrollit të faktieve bazuar në Inteligjencën Artificiale dhe teknologjinë “blockchain/web3”.

    Në publikim thuhet se portal “Fact Protocola” synim ka luftimin e lajmeve të rreme dhe dezinformatave në internet, transmeton Radio Kosova.

    Në këtë listë të publikuar, paga mesatare neto pas tatimimit të saj në Kosovë thuhet se kap shifrën 440.03 dollarëve amerikanë.

    Lista është publikuar në Twittër më 18 gusht dhe thuhet se bazohet në të dhënat statistikore për muajin mars të këtij viti.

    Nga vendet e Ballkanit perëndimor, Mali i Zi renditet në vendin e 55-të me pagën mesatare prej 769 dollarëve, Bosnja e Hercegovina në vendin e 60-të me pagën meatare mujore 650.35 dollarë, Serbia në vendin e 61-të me pagën mesatare mujore 648.75 dollarë, Shqipëria në vendin e 70-të me 504.18 dhe Maqedonia e Veriut në vendin e 75-të me page mesatare mujore prej 467.62 dollarësh.

    Sipas publikimit, vendi i parë në botë me pagën më të madhe mesatare është Zvicra me 6.264,54 dollarë, e pasuar nga Luksemburgu me 5.106,23 dollarë, kurse në vendine tretë renditet Singapuri me pagën mesatare mujore 4.960,32 dollarë.

    Në vendin e katërt është renditur SHBA-ja me pagën mujore mesatre pre 4,668.81 dollarësh.

    Ndërkaq, Gjermania ndodhet në vendin e trembëdhjetë me pagën mesatare mujore prej 3,041.05 dollarësh amerikanë.

    Në fund të listës prej 101 vendeve të botës, të publikurr nga Fact Protocola ndodhen Venezuela me pagën mujmore mesatare prej 186.80 dollarësh, Pakistani me 157.59 dhe Egjipti me pagë mesatare mujore prej 145.74 dollarësh amerikanë.

  • Diaspora kontribuoi në Kosovë 77 milionë euro më shumë se vitin e kaluar

    Diaspora kontribuoi në Kosovë 77 milionë euro më shumë se vitin e kaluar

    Diaspora e Kosovës edhe këtë vit ka vazhduar të jetë kontribuuese për Kosovën. Sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), për gjashtë mujorin e parë të këtij viti, ka rritje të dërgesave nga diaspora.

    Besnik Kada nga Banka Qendrore e Kosovës ka thënë se gjatë periudhës janar-qershor 2023, shuma e remitancave është rreth 633 milionë euro.

    “Krahasuar me 555 milionë e 400 mijë euro në vitin 2022, pra kemi një rritje prej 77.5 milionë euro më shumë, krahasuar me gjashtë mujorin e njëjtë të vitit paraprak”, ka thënë Kada për RTK-në.

    Ai bëri me dije se shteti nga i cili më së shumti janë regjistruar remitancat është Gjermania.

    “Në tremujorin e parë të këtij viti nga Gjermania kanë ardhur 38.8 milionë euro, në ndërkohë vitin e kaluar, pra gjatë 12 muajve nga Gjermania kanë ardhur 161.5 milionë euro. Në ndërkohë nga Zvicra në tremujorin e parë kanë ardhur 17.2 milionë, pasuar nga SHBA-të me 7.6 milionë euro, Austria dhe Italia me nga 4.8 milionë secila”, deklaroi ai.

    Kurse njohësi i ekonomisë, Safet Gerxhaliu, ka thënë se me të dhënat e fundit nga BQK-ja, ku shihet se ka rritje të remitancave edhe njëherë dëshmohet se po vazhdon edhe më tutje solidarizimi i diasporës me Kosovën.

    “Kur shohim se diaspora ka dërguar mbi 77 milionë euro më shumë këtë vit sesa në vitin 2022, është dëshmi se diaspora është njëra ndër shtyllat kryesore të përkrahjes së Kosovës”, ka thënë ai.

    Gërxhaliu ka kërkuar që të shikohet mundësia që këto mjete të orientohen në zhvillim dhe të mos mbeten vetëm për konsum, por të jenë të kanalizuara në shërbim të zhvillimit dhe rimëkëmbjes ekonomike të Kosovës.

    Ai vlerësoi se duhet të ketë më shumë fokus ndaj diasporës që ajo të mos mbetet vetëm si mjet për dërgimin e parave.

  • Rreth 50 policë të Kosovës kanë dhënë dorëheqje këtë vit

    Rreth 50 policë të Kosovës kanë dhënë dorëheqje këtë vit

    Sindikata e Policisë së Kosovës tanimë ka humbur shpresat se do të ketë shtesë për rrezikshmëri. Është muaji i shtatë që Policia e Kosovës nuk është paguar për shtesat e rrezikshmërisë, dhe ende nuk dihet nëse ata do të paguhen.

    Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, thotë për KosovaPress, se shqetësim tjetër është edhe dorëheqja vullnetare e pjesëtareve të Policisë së Kosovës.

    Kreu i kësaj sindikate i ka bërë thirrje institucioneve përkatëse që të reagojnë lidhur me kërkesat e tyre, në të kundërtën numri i dorëheqjeve do të jetë mjaft i madh.

    Zeqiri thotë se pavarësisht thirrjeve të shumta tek institucionet, ende nuk kanë marrë përgjigje nëse do të ekzekutohen shtesat e rrezikshmërisë.

    Zeqiri thotë se nga kushtet jo të mira në Policinë e Kosovës, vetëm këtë vit janë rreth 50 dorëheqje vullnetare.

    Po ashtu për pakënaqësitë e punonjësve policorë lidhur me kushtet e punës, kjo sindikatë para një muaji ka filluar me veprime sindikale duke dorëzuar në Kuvend një peticion, në të cilin kanë nënshkruar 62% e pjesëtarëve të PK-së.

    Të njëjtit për këtë po presin reflektim nga Qeveria.

    Mes tjerash, Zeqiri përmend kërkesat e parashtruara në peticion.

    Kujtojmë se flota operative dhe punëtorët e Departamentit Mbështetës Operativ në Policinë e Kosovës kanë protestuar të martën në vendet e tyre të punës, duke shprehur pakënaqësitë e tyre për pagat, përkatësisht për mosrregullimin e vlerës së koeficienteve të pozitave të punës.

    Ligji për paga, i cili është në fuqi nga muaji shkurt, kishte përcaktuar vlerën e koeficientit të pagës në sektorit publik 105 euro.

    Megjithatë, ky ligj, me kërkesë të Avokatit të Popullit, është dërguar në Gjykatën Kushtetuese.

    Lidhur me këtë, Avokati i Popullit kishte pranuar ankesa nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, zyrtarë komunalë të arsimit, infermierë, mjekë, Sindikata e Policisë së Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe institucione e organizata të tjera./KP

  • Gjoba për ndotjen akustike – bizneset ankohen, kërkojnë definim të decibelëve të lejuar e orarit

    Gjoba për ndotjen akustike – bizneset ankohen, kërkojnë definim të decibelëve të lejuar e orarit

    Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka paralajmëruar se nga e hëna të gjitha lokalet që nuk do t’i respektojnë decibelët e lejuar në kryeqytet do të gjobiten, raporton Ekonomia Online.

    Menaxherë të lokaleve në kryeqytet e kanë mirëpritur vendimin, por kërkojnë që të definohen qartë decibelët e lejuar dhe orari i lëshimit të muzikës.

    Mentor Berisha, menaxher i lokalit “Metropol”, u shpreh se ndonëse kanë aplikuar para gjashtë muajsh për t’u pajisur me pajisje për matje të decibelëve, ato kushtojnë, dhe se sasia e pajisjeve për lokal bëhet në bazë të metrave katrorë që i posedon lokali në fjalë.

    Ai u shpreh se është mirë të rregullohet një herë e përgjithmonë orari fiks deri kur lejohet cfarë sasie e muzikës, zërimit, dhe se deri tani edhe vetë komuna ka bërë tolerime në periudhën e sezonit.

    “Ne e kemi marrë informimin për kohë më herët, aplikimin e kemi bërë diku para gjashtë muajsh, është pak shtrenjtë, si fillim kemi pasur problem me aplikim sepse ka qenë pak shtrenjtë pajisja dhe metrat katrorë që i ka definuar Komuna në bazë të metrës, përshembull nëse i ke 200 e ca metra katrorë duhet t’i bësh dy pajisje. Ka qenë kosto pak e shtrenjtë kjo. Edhe është vendim i duhur sepse punojnë me orar, pa orar, ose me orar të zgjatur”.

    “Nëse e shikon sezonin ndoshta në sezonë tolerohet pak, edhe vetë komuna ka bërë tolerime. Por është mirë të rregullohet një herë e mirë kjo punë e zhurmës, sidomos në qendër. Ne punojmë deri në 12 të natës dhe sigurisht duhet të kemi kujdes për zërin, sidomos në qendër, këtu ku jemi ne shesh në restorantin Metropol, si ne, si kafiteritë e vogla, si bar-et ku organizohet muzikë live, ka zhurmë gjatë sezonit të verës, edhe atë të dimrit deri në fund të vitit”, u shpreh Berisha.

    Ai shtoi se e mikpret vendimin nga ana e kryetarit dhe madje shton se është dashur të mirret edhe më herët.

    Një nga sfidat që Berisha parasheh është menaxhimi nga ana e komunës, e megjithatë thotë se kur vihen këto masa duhet marrë parasysh faktin se Prishtina vazhdon të mbetet një prej kryeqendrave të jetës së natë dhe si e tillë duhet të lejohet zërimi i caktuar edhe pas orës 12:00 të mesnatës.

    “Por është vendim i duhur prej kryetarit, është dashur më herët të bëhet, por shumë mirë që e kanë bërë. E mirëpresim ne si gastronomë, po flas personalisht, dhe ta shohim tash sa respektohet dhe sa menaxhohet kjo situatë. Sa është sfiduese për komunën ky menaxhim, pasiqë nuk e dinë saktë në cfarë këndi shkon muzika, sa është zëri jashtë, apo është vetëm brenda. Cila pjesë e kryeqytetit ka më shumë, ku duhet të lejohet më shumë, sepse nuk mund ta mbyllim jetën e natës në Prishtinë, muzikën e jetës së natës në Prishtinë kur të bëhet 12:00 për të gjithë”.

    “Prishtina njihet për një jetë të natës prej krejt qyteteve në Kosovë e edhe më gjerë, sidomos në Ballkan njihet për një jetë të natës pak më të mirë, dhe normalisht duhet të lejohet një pjesë e caktuar. Nuk e di si e ka planifikuar kryetari fiks saktë por duhet të shpresojmë se do ta menaxhojë mirë”, tha Berisha për EO.

    Ndërkaq, Naim Ramizi, menaxheri i lokalit “Poemë”, u shpreh se nuk e konsideron si dëm kushedi sa të madh masën nga ana e komunës, për aq kohë sa nuk i pengon në kryerjen e veprimtarisë së tyre ashtu siç e kanë kryer deri më tani.

    Ai shprehi shqetësim në atë se sa do jetë vlera e decibelëve të lejuar sepse ndonëse ai i kishte instaluar dy pajisje për matjen e decibelëve të lejuar.

    “Mendoj se nuk është ndonjë dëm i madh nëse këta decibelë na lejojnë të kryejmë veprimtarinë siç e kemi kryer deri tash. Jemi kujdesur edhe ashtu që të kemi kujdesë për njerëz që banojnë këtu, që të mos u shkaktojmë probleme, që mos të ketë ndotje akustike. Ne nuk e dimë ende sa decibelë, dhe si njerëz që jemi marrë me to, ne nuk i dijmë masat e decibelëve, sa mund të jetë zhurma. Dhe mendoj se paraprakisht do duhej ta bënim një test që ne ta dinim ku janë limitet e detektorët janë vendosur, dy të tillë, një para dhe një mbrapa, por nuk e kemi njoftimin e duhur që të fillojmë me ekzekutimin e këtij vendimi”, u shpreh Ramizi

    Ramizi tha se edhe në lokalin e tyre ka muzikë live, ata kujdesen që zhurma të mos pengojë asnjë nga banorët përreth.

    Ai shprehu edhe dyshimet e tij mbi ate se sa ka mbështetje ligjore vendimi si i tillë, dhe se orari kufizues për ndalje të muzikës nuk ka qenë asnjëherë fiks.

    Nuk e di si do të veprojë dhe reagojë, nuk e di sa do të na dëmtojë sepse nuk e di masën e decibelëve, zhurmën e cila neve na lejohet. Si lokale ne në mbrëmje e kemi një muzikë edhe live, por jemi kujdesur që asnjëherë të mos kemi sint, të mos kemi mjete muzikore që krijojnë ndotje akustike më të madhe. Ndejat tona janë kryesisht me akustikë, gitarë dhe besoj se ato nuk kanë krijuar ndotje akustike deri më sot, nuk kemi pasur ankesa. Tash e pas nuk e di”.

    “Është edhe një çështje tjetër, unë nuk jam ekspert i asaj, por me sa kam dëgjuar nuk e di sa ka mbështetje në legjislacion kjo masë dhe se sa do të gjejë mbështetje. Domethënë secili veprim duhet ta ketë një mbështetje ligjore diku. Unë nuk e di nëse ky veprim ka një bazë dhe një mbështetje ligjore diku”, tha Ramizi.

    I pyetur nëse ua kanë ndalur ndonjëherë muzikën inspektoriati i komunës, menaxheri i “Poemës” tha se në dy vitet e fundit mund të ketë ndodhur një ose dy herë.

    “Ka ndodhur shkaku i orarit, sepse nuk ka qenë orari i definuar. Dikur ka qenë në dhjetë dikur ka qenë në 11, pra edhe kjo puna e orareve nuk ka qenë e definuar asnjëherë, domethënë pas pandemisë kanë ndërruar gjërat, nuk e kemi pasur të qartë as oraret as limitet. Për dy vitet e fundit të na e ndalin muzikën ka ndodhur ndoshta një herë, dy”, u shpreh Ramizi, përcjell EO.

  • Ibishi: Isha në veri, situata është e qetë e stabile – për mbajtjen e zgjedhjeve ka kushte

    Ibishi: Isha në veri, situata është e qetë e stabile – për mbajtjen e zgjedhjeve ka kushte

    Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi i tha Ekonomia Online, se situata në veriun e Kosovës është e qetë dhe stabile. Sipas tij, zgjedhjet të cilat priten që të mbahen në pjesën veriore duke marr parasysh këtë situatë ato dhe fushata zgjedhore do të jenë të qeta.

    Ai pohon se situatës së qetë në veriun e Kosovës i kanë kontribuar arrestimet e fundit që janë bërë në atë pjesë nga Policia e Kosovës. Ibishi tha se Policia e Kosovës në bashkëpunim me AKI-në dhe FSK-në kanë marr dhe janë duke marr të gjitha masat që situata të jetë e qetë dhe stabile në veri.

    “Situata është e qetë dhe stabile në veri çdo gjë që vjen në tensionim vjen nga banda, influenca gjithësisht urdhrat e Beogradit në këtë rast presidenti serb Vuçiq i cili ka strukturat e veta ilegale edhe ekstremiste në veri. Kështu që policia e Kosovës në bashkëpunim me institucionet e tjera të sigurisë edhe AKI-në por edhe FSK-në kanë ndërmarr të gjitha masat me qëllim që situata të jetë e qetë dhe stabile duke qenë prezentë edhe në mbajtjen e rendit dhe qetësisë publike, po njëkohësisht edhe sigurinë e kufirit po edhe trafikut”, tha ai.

    Ibishi tha se ai së fundi ka vizituar veriun e Kosovës dhe nga ajo që ka parë sipas tij, Policia ka bërë një punë të shkëlqyeshme dhe vazhdon të bëjë sa i përket rendit dhe qetësisë publike.

    “Kam pasur rast të vizitoj edhe jam bindur që Policia e Kosovës ka bërë një punë të shkëlqyeshme dhe vazhdon të bëjë sa i përket rendit dhe qetësisë. Ndërsa aspekteve procedurale të them rreth zgjedhjeve është çështje edhe e presidentes por njëkohësisht edhe qeverisë të zbatoj formën e duhur me qëllim që zgjedhjet të shkojnë të qeta dhe demokratike”, tha ai.

    Ibishi shtoi se Policia ka kapacitet të bollshme që të mbaj rendin dhe qetësin publike edhe në rastin e zgjedhjeve.

    “Mendoj që të gjitha parakushtet janë duke ju referuar gjendjes aktuale që nuk kemi më ekstremistë sikur që kemi pasur më herët, pra ata të dhunshmit janë arrestuar pas rasteve çfarë kishim, pra sulmet ndaj policisë së Kosovës, ndaj gazetarëve, ndaj KFOR-it me pasoja të rënda edhe tash situata është e qetë, gjithashtu një pjesë e ekstremisteve e kanë kuptuar realitetin nuk ekspozohen më edhe mendoj që edhe në kohën e zgjedhjeve, edhe me siguri do të ketë edhe ndonjë fushat por në kohën e zgjedhjeve mendoj që do të jetë situata stabile dhe e qetë. Normal që kemi në kapacitet të bollshme, do të thotë përveç KFOR-it që ka një detyrë tjetër. Policia ka kapacitet të bollshme që të mbaj rendin dhe qetësinë publike edhe në rastin e zgjedhjeve”, tha ai për EO.

  • Si e ndryshuan luftërat jugosllave ushtrinë gjermane

    Si e ndryshuan luftërat jugosllave ushtrinë gjermane

    Luftërat jugosllave ishin një katalizator për transformimin e ushtrisë gjermane dhe rolin ndërkombëtar të Gjermanisë. Ajo u rendit krah për krah me SHBA-në, Francën dhe Britaninë e Madhe.

    “Vitet 1990 ishin një dekadë kyçe për politikën e jashtme dhe të sigurisë së Gjermanisë – gjatë kësaj periudhe, roli i saj ndërkombëtar u ripërcaktua. Gjermania e bashkuar ka rifituar pozicionin e saj të vjetër gjeopolitik si një fuqi qendrore në zemër të Evropës, por e ka ripërcaktuar atë në një ndarje të vetëdijshme nga e kaluara,” shkruan Michael Staack në hyrje të recensionit të tij për librin “Bundeswehri në Ballkan. Mes luftës dhe ruajtjes së paqes” të Agilolf Kesselring, botuar në gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ).

    Në një pjesë të shkurtër të librit, për periudhën pas Luftës së Dytë Botërore deri në ribashkimin e vendit, autori thekson se Gjermania (Perëndimore) përmes “integrimit vullnetar” në Komunitetin Evropian, NATO dhe KSBE “dëshiroi të kontribuojë në bashkimin e Evropës në tërësi, duke përfshirë Rusinë dhe të gjithë Evropën Qendrore dhe Lindore”. Në të njëjtën kohë, “zhvillohej roli më i gjerë udhëheqës i Gjermanisë në Evropë”, megjithëse ende i ankoruar fort në aleancën me Francën, e krijuar në vitin 1963. Roli i Berlinit në politikën ndërkombëtare të mbrojtjes dhe sigurisë “u përkufizua kryesisht si një reagim ndaj krizave dhe konflikteve.”

    Në vitin 1991, lufta u kthye në Evropë

    “Në vitin 1991, lufta u kthye në Evropë me agresionin kundër Sllovenisë dhe Kroacisë nga JNA e udhëhequr nga serbët,” shkruan Staack dhe thekson se “angazhimi ndërkombëtar i dominuar nga Perëndimi, me synimin për t’i dhënë fund luftërave jugosllave, u bë katalizator për transformimin e Bundeswehrit – nga një forcë parandaluese në konfliktin Lindje-Perëndim, në një ushtri që është e përfshirë në mënyrë aktive në operacione luftarake”.

    Autori më pas shkruan se në librin e tij, Agilolf Kesselring dëshiron të paraqesë një rindërtim ushtarak-historik të misioneve të Bundeswehrit në Ballkan, dhe se ai është veçanërisht i interesuar – “nëse ato 25 apo më shumë misione individuale bazoheshin në strategjinë e vetë Gjermanisë për Evropën Juglindore”.

    Fokusi i këtij studimi është në angazhimin e Bundeswehrit në Bosnjë-Hercegovinë deri në vitin 1998. “Konflikti jashtëzakonisht i rëndësishëm në Kosovë, dhe konfliktet rreth Maqedonisë së Veriut të sotme, trajtohen vetëm sipërfaqësisht. Në këtë kuptim, titulli i librit është i gabuar, sepse nuk jepet përshkrimi i përgjithshëm i operacioneve të Bundeswehrit në Ballkan”, beson autori i tekstit për FAZ, Michael Saack (1959), politolog dhe profesor në Universitetin e Bundeswehrit në Hamburg.

    Staack thotë se në vitet 1980, pas vdekjes së Josip Broz Titos (1892-1980), ekspertët nga Perëndimi “e panë skenarin e shpërbërjes së Jugosllavisë si zhvillimin më të mundshëm, duke përfshirë rrezikun e përshkallëzimit të dhunshëm”. Ai shkruan se ngjarjet në Jugosllavi ishin nën hijet e trazirave epokale në Bashkimin Sovjetik dhe më pas në të gjithë ish bllokun Lindor. “Kur kolapsi në fakt ndodhi, komuniteti ndërkombëtar u tregua kryesisht i papërgatitur. Instrumentet diplomatike doli të ishin po aq të padobishme sa misionet e helmetave blu”.

    1994. – viti i kthesës

    Më tej në tekst thuhet se “aktorët ndërkombëtarë duhej të rrisnin shtrirjen dhe intensitetin e angazhimit ushtarak – hap pas hapi – gjithmonë si reagim ndaj përshkallëzimit të dhunës që udhëheqja serbe nën Millosheviqin kreu jashtëzakonisht brutalisht, përfshirë strategjinë kriminale të pastrimeve etnike”.

    NATO mori kështu një detyrë të re. Bundeswehri nuk ishte i përfshirë në misionet e helmetave blu, por mori pjesë në operacionet e NATO-s pothuajse që në fillim, shkruan FAZ. Për këtë Gjermanisë së pari i duhej të krijonte parakushte politike dhe ligjore. Pasi Gjermania (Perëndimore) u anëtarësua në OKB (1973), qëndrimi i Berlinit ishte gjithmonë se, “Bundeswehri mund të mbrojë vetëm territore të NATO-s”.

    Më pas Staack thekson se “pika e kthesës erdhi me vendimin e 12 korrikut 1994, kur Gjykata Kushtetuese Federale e Gjermanisë i hapi rrugën të gjithë spektrit të misioneve ushtarake gjermane jashtë vendit”.

    Përfundimi i doktrinës së Kohlit

    Teksti vazhdon duke thënë se “në portretizimin e tij të debateve të nxehta për këtë çështje, Kesselring e bën të qartë se përkatësia e një brezi të caktuar ishte më e rëndësishme se linjat ndarëse partiake-politike”.

    E ashtuquajtura “Doktrina Kohl”, përjashtimi i operacioneve të Bundeswehrit në vendet e pushtuara nga Wehrmacht nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore – “nuk mund të mbahej më”. Gjermania ka arritur të jetë krah për krah me SHBA-të, Francën dhe Britaninë e Madhe në politikën e sigurisë”.

    FAZ shkruan se Kesselring “pohon bindshëm se politika gjermane në Ballkan nuk bazohej në ndonjë strategji gjithëpërfshirëse.” Megjithatë, “gjatë misionit, Gjermania u zhvillua nga një aktor në kornizat e ngjarjeve ushtarake në një lojtar të rëndësishëm diplomatik dhe ushtarak, veçanërisht në konfliktin e Kosovës”.

    Staack thotë gjithashtu se Kesselring me të drejtë thekson se, “megjithë përfshirjen e madhe të BE-së dhe NATO-s në Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë, tani “nuk ka luftë, por nuk ka as paqe të përhershme”. Prandaj, një mësim tjetër nga përvoja ballkanike e Bundeswehrit është, “që kur nisin misione jashtë vendit, ata duhet të marrin parasysh kufijtë e efektivitetit të tyre”, përfundon Mihael Staack në një artikull për Frankfurter Allgemeine Zeitung./dw

  • 10 milionё euro pёr masat e efiçiencёs nё banesat sociale – Konjuhi: Përfitojnë 700 familje nё 13 komuna

    10 milionё euro pёr masat e efiçiencёs nё banesat sociale – Konjuhi: Përfitojnë 700 familje nё 13 komuna

    Fondi i Kosovёs pёr Efiçiencё tё Energjisë është në fazë e dizajnimit të projektit për zbatimin e masave të efiçencës për banesat sociale.

    Fillojetë Konjuhi, nga ky institucioni ka konfirmuar se 700 familje me asistencë sociale nё gjithsej 13 komuna tё Kosovës do të përfitojnë nga ky projekt.

    Sipas saj, janë 10 milionë euro që do të shfrytëzohen për zbatimin e projektit, duke shtuar se pritet që të ketë edhe projekte të reja.

    “Janё 10 milionё euro tё tjera qё ёshtё projekt pёr implementimin e masave tё efiçiencёs nё banesat sociale dhe kёtu janё pёrfituese njёzet e nёntё ndёrtesa nё trembёdhjetё komuna, ku pritet tё pёrfitojnё 700 familje me asistencё sociale dhe tashmё projekti ёshtё nё fazёn e dizajnimit tё ndёrtesave dhe pritet shumё shpejt qё tё fillojё punimet nё to”, tha Konjuhi pёr EO.

    “Sa i pёrket thirrjeve publike tё reja, me siguri qё kjo nuk do tё jetё thirrja e fundit por jemi nё proces e sipёr pёr tё parё mundёsinё qё gjithsesi t’i dalim qytetarёve tё Republikёs sё Kosovёs pёrsёri nё ndihmё me projekte tё tilla”, u shpreh ajo.

    Përderisa ajo u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që kanë shpenzuar paktёn 250 KË energji në dy vjetët e fundit të aplikojnë për subvencione pёr termoizolimin e mureve të jashtme, tё kulmit si dhe ndërrimin e dritareve e dyerve.

    Sipas saj, ndonёse masa maksimale subvecionimit ёshtё 45%, nёse gruaja ёshtё pronare e shtёpisё ose nёse prona ёshtё nё bashkёpronёsi tё dy bashkëshortëve atёherё jepet njё shtesё prej 5% duke e bёrё kёshtu mbulimin nga subvencioni 50%, pa e kaluar shumën prej 5 500 eurove.

  • Autobusi e godet biçiklistin në Doganaj të Kaçanikut

    Autobusi e godet biçiklistin në Doganaj të Kaçanikut

    Të shtunën, një vozitës i autobusit ka goditur një biçiklist në Doganaj të Kaçanikut.

    Sipas raportit 24 orësh të policisë, dyshohet se kjo ka ndodhur për shkak të pakujdesisë së shoferit.

    Biçiklisti ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për tretman mjekësor.

  • Prizren: Bllokohet ashensori derisa në të ishin 2 persona, pasi u ndihmuan ata kanosën dhe sulmuan policinë

    Prizren: Bllokohet ashensori derisa në të ishin 2 persona, pasi u ndihmuan ata kanosën dhe sulmuan policinë

    Policia ka raportuar se ashensori i një ndërtese është bllokuar ku kanë mbetur dy persona, të cilët më pas kanë nisur të grinden mes vete.

    Policia dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe me forcë e kanë hapur ashensorin, mirëpo njëri prej personave i kishte kanosur zyrtarët policor dhe tjetri e ka sulmuar.

    “SULM NDAJ PERSONIT ZYRTAR – Prizren 19.08.2023-07:50. Është raportuar se ashensori i një ndërtese është bllokuar dhe si pasoj kanë mbetur dy të dyshuar të cilët kanë filluar në grindje në mes veti. Njësiti policor dhe i zjarrfikësve kanë dal në vendin e ngjarje dhe me forcë kanë hapur ashensorin ku i dyshuari i ka kanosur zyrtarët policor dhe njërin prej tyre e ka sulmuar. Gjatë kontrollit te i dyshuari i është gjetur një thikë, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.”