ATV

Category: Lajme

  • ​Nis monitorimi i zhurmave në lokalet e gastronomisë në Prishtinë

    ​Nis monitorimi i zhurmave në lokalet e gastronomisë në Prishtinë

    Komuna e Prishtinës ka njoftuar se sot do të nis edhe zyrtarisht funksionimi i Dhomës së Monitorimit të Zhurmave dhe pajisjeve për matjen e zhurmës, të cilat tashmë janë të instaluara në lokalet e Gastronomisë.

    Sipas njoftimit, kjo zyre do të nis punën në objektin e Inspektoratit të Kryeqytetit, që nga ora 10:30.

    Përndryshe, Komuna e Prishtinës së bashku me përfaqësues të gastronomëve ka bërë një rregullore sa i përket zhurmës në kryeqytet dhe tash e disa muaj janë duke u njoftuar bizneset me dënimet që janë paraparë për ato lokale që nuk vendosin pajisjet për matjen e zhurmës, si dhe nuk respektojnë atë rregullore.

  • ​Gjashtë vjet nga vdekja e Bajram Rexhepit

    ​Gjashtë vjet nga vdekja e Bajram Rexhepit

    Sot mbushen gjashë vjet që kur u nda nga jeta ish-kryeministri i parë i Kosovës në kohën e pasluftës, Bajram Rexhepi.

    Në prill 2017, ish-kryeministri u shtrua në QKUK për shkak të një sulmi shëndetësor në organet vitale, ndërsa më pas është dërguar në Turqi për shërim jashtë vendit.

    Pas një beteje prej pesë muajsh me sëmundjen, Rexhepi ndërroi jetë më 21 gusht 2017 duke lënë pas vetes bashkëshorten dhe vajzën.

    Bajram Rexhepi u lind në Mitrovicë më 3 qershor 1954. Studimet pas-universitare i kreu në Zagreb në vitin 1985. Punoi si kirurg i përgjithshëm dhe specialist endoskopik në spitalin rajonal të Mitrovicës deri në vitin 1990.

    Rexhepi e kaloi shumicën e karrierës së tij si kirurg dhe fitoi famën si kirurgu më i mirë në rajonin e Mitrovicës.

    Gjatë luftës së Kosovës më 1999, Rexhepi u bashkua me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe kaloi tre muaj duke shërbyer si mjek në terren. Ai shërbeu si kryetar i Mitrovicës jugore, duke punuar me paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara dhe NATO-s për të zvogëluar trazirat civile.

    Ndërsa serbët dhe shqiptarët kishin prishur të gjithë dialogun, Rexhepi ofroi të heqë dorë nga pozita e tij në favor të një administratori të OKB-së, por serbët e refuzuan këtë propozim. Njëherësh ishte edhe kreu i degës së Partisë Demokratike të Kosovës për qytetin e Mitrovicës.

    Më 4 mars 2002, pas tre muaj bisedimesh dhe me ndërmjetësimin e shefit të atëhershëm të UNMIK-ut Michael Steiner, Kuvendi i Kosovës zgjodhi Bajram Rexhepin si kryeministrin e parë të Kosovës së pasluftës.

    Më 1 prill 2010, Rexhepi u emërua ministër i Punëve të Brendshme. Viteve të fundit të jetës ishte tërhequr krejtësisht nga politika duke iu përkushtuar profesionit të tij prej kirurgu.

  • “Putini është vrasës”: Protestë në Podgoricë kundër presidentit rus

    “Putini është vrasës”: Protestë në Podgoricë kundër presidentit rus

    Një protestë kundër presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, është mbajtur të dielën në qendër të kryeqytetit të Malit të Zi, Podgoricë, me sloganin “Putini është vrarës”.

    Dhjetëra persona u mblodhën në sheshin qendror të Podgoricës duke mbajtur në dorë banerë që kërkonin lirimin e Alexei Navalny, liderit të burgosur opozitar rus.

    Protesta e 20 gushtit ishte pjesë e një fushate të organizuar nga ekipi i Navalny në gjithë botën me sloganin “Putini është vrasës”.

    Këto protesta po mbahen për ta shënuar trevjetorin e tentim vrasjes të Navalny, për çka ai ishte evakuuar nga Rusia në Gjermani për t’u shëruar nga helmimi me një agjent nervor të epokës sovjetike.

    Më 17 gusht, SHBA-ja i sanksionoi katër rusë për të cilët thotë se ishin të përfshirë në helmimin e Navalny, dhe të cilët janë të lidhur me Shërbimin Federal të Sigurisë së Rusisë.

    Kremlini e ka mohuar përfshirjen në helmimin e Navalny, i cili u arrestuar pasi u kthye në Moskë nga Gjermania në janar 2021.

    “Putini po vret. Ai po i vret mijëra njerëz – ukrainasit dhe qytetarët e vet”, thuhej në njoftimin e ekipit të Navalny për thirrjen e protestave.

    Leonid Volkov, ish-shef i fushatës zgjedhore të opozitës ruse, shkroi në rrjetet sociale se është e rëndësishme të theksohet me zë të lartë se “Putini është vrasës”, sepse, siç thotë ai, vetëm një e treta e qytetarëve të Evropës Perëndimore janë të gatshëm ta thonë këtë në protesta, sipas një studimi të ekipit të Navalny.

    Alexei Navalnyt i janë shqiptuar dy dënime me burg, me 11 vjet dhe 19 vjet, nën akuzat për ekstremizëm dhe përvetësim.

    Ai e ka hetuar korrupsionin në autoritetet ruse dhe i ka cilësuar akuzat ndaj tij si të nxitura politikisht.

  • Kurti dhe Vuçiq në Athinë, mediat greke: Mesazhi i qartë që Mitsotakis i dha Ramës

    Kurti dhe Vuçiq në Athinë, mediat greke: Mesazhi i qartë që Mitsotakis i dha Ramës

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të udhëtojë të hënën drejt Greqisë me ftesë të kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis për darken informale të organizuar nga kreu i shtetit grek.

    Mitsotakis ka ftuar të gjithë kryeministrat e rajonit, me përjashtim të Shqipërisë ku ftesa është dërguar në nivel presidencial.

    Ajo që ra në sy ishte fakti që Mitsotakis kishte ftuar në darkë presidentin dhe jo kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Darka dhe refuzimi i ftesës nga ana e Shqipërisë vjen pas tensioneve në rritje për rastin e Fredi Belerit.

    Gjithashtu, edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, dhe kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Borjana Kristo, do të mbërrijnë në Athinë për të marrë pjesë në darkë, raporton Euronews Albania.

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së Mitsotakis.

  • Kearns: Të gjithë deputetët e Aleancës për Shqiptarët i bashkëngjiten letrës së perëndimorëve

    Kearns: Të gjithë deputetët e Aleancës për Shqiptarët i bashkëngjiten letrës së perëndimorëve

    Letrës së parlamentarëve dhe senatorëve perëndimorë, në mbështetje të Kosovës zyrtarisht i janë bashkëngjitur të gjithë deputetët e grupit parlamentar të ASh-së.

    Alicia Kearns, deputetja nga Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar se i ka ardhur një konfirmim.

    “Pra, pas konfirmimit për bashkëngjitjen e deputetit Halil Snopçe, sot erdhi konfirmimi se janë bashkëngjitur edhe Ziadin Sela, Abdulla Saliu, Artina Qazimi, Atnan Neziri, Ilire Dauti, Elmi Aziri dhe Remzi Memedi”.

    “Me këtë rast Alicia Kearns i ka shprehur falënderimin e saj grupit parlamentar të ASh-së për bashkëngjitje letrës së iniciuar nga kryetarët e Komiteteve për Punë të Jashtme të parlamenteve amerikane, gjermane, britanike, ukrainase, islandeze, irlandeze, estoneze, lituaneze, letoneze e çeke”, thuhet në komunikatën e Aleancës për Shqiptarët.

  • Kosova i bashkohet Deklaratës së Përbashkët të vendeve të G7 mbi mbështetjen për Ukrainën

    Kosova i bashkohet Deklaratës së Përbashkët të vendeve të G7 mbi mbështetjen për Ukrainën

    Qeveria e Kosovës ka zhvilluar sot në mënyrë elektronike mbledhjen e radhës në të cilën ka miratuar vendimin përmes të cilit i bashkohet Deklaratës së Përbashkët të vendeve të G7 mbi mbështetjen për Ukrainën.

    ”Mbështetja dhe përkrahja ndaj Ukrainës, do zbatohet sipas legjislacionit të Republikës së Kosovës”, thuhet në kumtesën e Qeverisë.

    Pas kësaj komunikate, ka shkruar edhe kryeministri, Albin Kurti, i cili përmes një postimi në Facebook ka deklaruar se “duke iu bashkuar kësaj Deklarate, Republika e Kosovës rithekson se sigurimi i fitores për popullin ukrainas, si dhe llogaridhënia e liderëve të Rusisë për krimet e tyre, është e domosdoshme për ruajtjen e paqes dhe demokracisë, në Evropë dhe më tej”.

    “Pushtimi ilegal dhe i paprovokuar i Ukrainës nga ana e Rusisë, mbetet një kërcënim ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Çmimi i shkaktuar deri tani, në jetë njerëzish, stagnim ekonomik dhe shkatërrim mjedisor, ka qenë katastrofal për popullin ukrainas”, ka deklaruar Kurti

    Që nga 24 shkurti i vitit 2022, Rusia po përpiqet ta pushtojë Ukrainën.

    Gjatë kësaj kohe, NATO-ja ka qenë e qartë në mbështetje të Ukrainës.

    Në këtë linjë ka qëndruar edhe Kosova, duke i vendosur sanksione Federatës Ruse.

  • Haxhiu akuzon prokurorinë për mostrajtim të rasteve ku të përfshirë janë akterët e ish-pushtetit

    Haxhiu akuzon prokurorinë për mostrajtim të rasteve ku të përfshirë janë akterët e ish-pushtetit

    Pas arrestimit të biznesmenit Ridvan Muharremit, të cilit Qeveria Kurti i besoi dhe i dha çasje në punë sekrete shtetërore të Rezervave shtetërore, pushteti tashmë e ka mprehur gjuhën ndaj Prokurorisë, duke ua vënë në kundërpeshë raste që ata pretendojnë se prokuroria nuk i ka trajtuar.

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar duke rishpërndarë një akuzë ndaj Prokurorisë të bërë nga Ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili pretedon se ka dy vite që ka dërguar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale për një rast të pretenduar keqpëdorimi për shpronësimet në rrugën Kijevë-Zahaq.

    “Njësoj kanë vepruar PSRK edhe me kallëzimin penal ndaj ish Ministrit të Drejtësisë dhe ish drejtorit të burgjeve të cilët pronën e MD ia kishin dhënë një oligarku, pa asnje bazë ligjore. PSRK pati thënë nuk ka bazë për ndjekje sepse e keni ndalur dëmin anipse dëmi ishte shkaktuar tashmë”, ka shkruar Haxhiu, duke e deflektuar temën në fjalë.

    E njëjta, gjatë ditëve të kaluara nuk ka komentuar arrestimin e dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica, si dhe biznesmeni, Ridvan Muharremi, i cili dyshohet se është i përfshirë në keqpërdorimet me rezerva shtetërore.

  • Të pagjeturit, këtë vit është gërmuar në 7 lokacione

    Të pagjeturit, këtë vit është gërmuar në 7 lokacione

    Përgatiti: Sara Shehu

    Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit gjatë këtij viti ka bërë gërmime në shtatë lokacione për të kërkuar personat e zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
    Kushtrim Gara, nga ky komision tha se në bashkëpunim me institucionet e tjera do të nisin përsëri gërmime në disa lokacione përfshirë ato në komunën e Gjakovës dhe të Skenderajt.

    “Në fakt brenda territorit të Republikës së Kosovës janë diku të paktë n shtatë lokacione në të cilat kemi qenë të fokusuar ose jemi të angazhuar në kuptim të gërmimeve vlerësues gjatë këtij viti. Kjo edhe një herë konfirmon që Komisioni Qeveritar i Republikës së Kosovës në koordinim të plotë edhe me partneret ose institucionet që janë pjesë e këtij procesi, realisht po bëjnë përpjekje të vazhdueshme që çështja e personave të zhdukur gjithsesi të trajtohet me prioritetin e veçantë”, tha Gara.

    “Ne besojmë që tani në fund të verës siç ka qenë e planifikuar edhe më parë do të jemi të angazhuar në një lokacion në regjionin e Gjakovës, përkatësisht në fshatin Bishtazhin, e po ashtu në një lokacion besoj në komunë të Skenderajt. Në rastin e Bishtazhinit jemi duke folur për një lokacion që është përdorur si hapësirë, si varrezë masive jashtëligjshme nga forcat serbe për të groposur, varrosur viktimat të disa masakrave në komunën e Gjakovës. Në fund të luftës, forcat serbe janë rikthyer në këtë lokacion dhe kanë zhvarrosur eshtrat e viktimave që kanë qenë të groposura në këtë lokacion nga ana e tyre për ti dërguar në drejtim të pa njohur deri në rastin kur janë inicuar varrezat e para masive në territorin e Serbisë”, theksoi Gara.

    Ai theksoi se në vazhdën e gërmimeve hyjnë edhe regjioni i Kamenicës dhe ai i Podujevës.

    “Nga shtat lokacione që i potencova, nga regjioni i Pejës, duhet me theksuar se para këtij lokacioni kemi qenë të angazhuar në regjionin e Kamenicës, pastaj kemi pasur tri lokacione në regjionin e Prishtinës, pra në varrezat e qytetit edhe në Arbëri dhe në varrezat e lagjes Mat. Por edhe në dy raste në periferi të Prishtinës në hapësirës e Gërmisë. Po ashtu kemi pasur edhe gërmimet që duhet me theksuar si fakt në lokacionin në Vidomeriq të komunës së Mitrovicës, përkatësisht në pjesën veriore të Kosovës dhe një lokacion në fshatin Kishnicë. Në shumicën e këtyre rasteve, përfshirë edhe lokacionin në regjionin e Kamenicës dhe lokacionin në lagjen Mat po edhe një lokacion që e kemi pasur në regjionin e Podujevës, në këto lokacion besoj shpejt do të rikthemi, me që në koordinim të plotë edhe me angazhimin e hetuesve ose komplet epikes nga departamenti i policisë për hetime e krimeve të luftës gjithsesi me angazhimin e kolegëve dhe zyrtarëve të Komisionit Qeveritarë, besoj jemi në trajtim ose shqyrtim të hollësishme të informatave plotësues mbi bazën e të cilave shpresojmë që të arrijmë të saktësojmë lokacionet e nevojshme ose të markojmë, shënjojmë lokacionet të cilat do të jenë me interes për t’u adresuar në kuptimin e gërmimit, që nënkupton që do të rikthemi në këto lokacione”, tha Gara.

    Sa i përket lokacionit në Gjakovë, sipas tij, në fund të luftës forcat serbe i kishin zhvarrosur përsëri trupat e viktimave për t’i dërguar në një vend të panjohur, ku një pjesë e viktimave ishin zbuluar se janë varrosur në territorin e Serbisë.

    Ndërkaq, në komunën e Skenderajt, në fshatin Polac , pas masakrës së 30 marsit të vitit 1999, viktimat janë groposur nga forcat serbe në një vend të caktuar në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimit të tyre, ndërkohë që ekipet ndërkombëtare në këtë zonë kishin arritur të gjejnë mbetje mortore të 27 viktimave.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Prokuroria dëmin e vlerëson 600 mijë euro, Armend Muja thotë se janë 300 mijë euro

    Prokuroria dëmin e vlerëson 600 mijë euro, Armend Muja thotë se janë 300 mijë euro

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Edhe pas publikimit të dosjes së prokurorisë për rastin me rezerva shtetërore, kanë vazhduar reagimet politike e mediale.

    Sipas dosjes së prokurorisë speciale, plot 52 tonë grurë, 200 mijë litra vaj e 120 mijë kg sheqer, të cilat u paguan në kopani turke e polake, nuk mbërritën në Kosovën.

    Sipas prokurorisë, dëmi është mbi Mbi 600 mijë euro, para të paguara këto si avanc nga Ministri të Industrisë Ndërmarrësise e Tregtisë.

    Kësisoj për këto dyshime me keqpërdorime në rezerva shtetërorë, u arrestuan 3 persona, dy nga ta zyrtarë të lartë në Ministri të Industrisë Ndërmarrësise e Tregtisë, dhe një afarsit.

    Ky i fundit, Ridvan Muharremi, sipas prokurorisë, kishte ndihmuar zyrtarët e ministrisë Irfan Lipovicën dhe Haviz Garën që në mënyrë të kundërligjshme të negocionin me kompanitë kontraktuese për blerjen e këtyre produkteve.

    Sipas prokurorisë Muharremi kishte negociuar për blerjen e 10 mijë tonë grurë nga Turqia me çmim prej afro 5 milion eurove, por që 52 tonë nga to nuk ishin ardhur, ani pse ishin paguar.

    I njëjti ishte përfshirë edhe në negocimin për blerjen e vajit e sheqerit në vlerë prej 276 mijë eurove por që malli i paguar nuk ishte ardhur në Kosovë.

    Për ta bërë më të lehtë, Irfan Lipovica atëkohë në cilësinë e zëvendës sekretarit në MINT, sipas prokurorisë kishte kërkuar nga Qeveria anashkalimin e procedurave ligjore të prokurimit publik për blerjen e rezervave shtetërore, duke tejkaluar kështu autorizimet ligjore.

    Vendimi më pas ishe nënshkruar edhe nga Kryeministri Albin Kurti.

    Por gjetjet e prokurorisë përmes një shkrimi në rrjete sociale, i kontestoi deputeti i Vetëvendosjes Armend Muja, ani pse në njëfarë forme pranoi se ka keqpërdorime.

    Sipas tij, vlera e dëmit nuk është sa thotë prokuroria por përgjysmë më pak.

    “Është dëmtuar buxheti për 601,000 euro – ose po mungon një shpjegim shtesë ose Prokurori nuk e din matematikën elementare. Do të duhej të ishte 301,384 euro jo 601,000 euro. Në dosje thuhet se 276,000 euro vaj/sheqer ende nuk ka ardhur dhe mungojnë 52.5 tonë ( 25,383 mijë euro). Dosja e prokurorit është e shkoqitur nga konteksti dhe ka gabime elementare. Me gjasë zyrtarët janë arrestuar pa u dëgjuar fare. Çka nëse vjen malli nesër, pas një jave apo muaji?”, tha Muja.

    Mirëpo, në këtë dilemën e fundit të deputetit Muja, përgjigjet ish ministri i tregtisë Ismet Mulaj.

    Mulaj madje pohon se ka shkelje të ligjit të prokurimit.

    “Problematika e kësaj është që produktet janë blerë pa një garanci bankare, pra është bërë pagesa avancë të operatori ekonomik pa një garanci bankare, ligji i prokurimit nuk e njeh këtë procedurë, nuk mund të bëhet një pagesë avancë nëse kompania nuk ofron një garanci bankare”, tha Mulaj.

    Mungesën e mallit në rezervë, e kanë pranuar edhe kryeministri Kurti edhe Ministrja Rozeta Hajdari, por kanë mohuar se fjala është për keqpërdorrime ose korrupsion. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Murati vazhdon sulmet ndaj Prokurorisë Speciale, përmend kallëzimin penal për rrugën Kijevë-Zahaq

    Murati vazhdon sulmet ndaj Prokurorisë Speciale, përmend kallëzimin penal për rrugën Kijevë-Zahaq

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuram Murati është deklaruar edhe njëherë lidhur me dyshimet për keqpërdorime në shpronësimet për rrugën Kijevë-Zahaq.

    Murati ka shkruar se Qeveria në dorëheqje e PAN-it kishte rritur vlerën e pronave, nga 31 në 43 milionë euro për 6 muaj.

    Ai ka akuzuar prokurorin duke thënë se ka hedhur poshtë kallëzimin penal vetëm pse të përfshirë në këto dallavare kanë qenë “kasta e vjetër politike”.

    “Pra të gjitha provat e faktet hidhen në ujë, sepse bëhej fjalë për një rast ku ishte e përfshirë kasta e vjetër. Se kush ka qenë prokurori i ngarkuar me këtë rast, besoj e keni shumë të lehtë t’ia qëlloni.” – ka shkruar ndër të tjera ai.

    Shkrimi i Muratit:

    Këtë muaj bëhen 2 vite prejse pata dorëzuar kallëzimin penal në Prokurorinë Speciale për rastin me keqpërdorimin e shpronësimeve për rrugën Kijevë-Zahaq.

    Kallëzimit penal ia pata bashkangjitur edhe raportin e auditimit, i cili ndër tjera kishte gjetur se:

    • Vlera e pronave që parashihej të shpronësoheshin, në databazën e tatimit në pronë ishte rreth 6 milionë euro.
    • Më 17 maj 2019 ishte dorëzuar tabela e vlerësimit, dhe vlera e këtyre pronave ishte vlerësuar 31 milionë euro, pra rreth 5-fish më shumë sesa vlera e vlerësuar për tatim në pronë.
    • Më 17 dhjetor 2019, pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, edhepse qeveri në dorëheqje, Qeveria e PAN-it e udhëhequr nga Haradinaj, kishte miratuar vendimin për shpronësim përfundimtar, por me tabela tjera të vlerësimit, e jo ato të prezantuara më 17 maj 2019.

    Dallimi ishte se nga 31 milionë euro që ishte në tabelën e parë, e që veçse ishte e fryrë, vlera në tabelën e miratuar më 17 dhjetor ishte 43 milionë euro. Pra rreth 12 milionë euro ndryshim për 6 muaj.

    Për më tepër, rritja nuk ishte bërë si rezultat i ndonjë ndryshimi në vlerësimin e të gjitha parcelave, por kjo fryrje vinte si rezultat i dyfishimit në vlerë për parcela me pronarë të caktuar.

    Si Qeveri që e lufton korrupsionin, krejt çfarë ka qenë në dorën tonë e kemi bërë. Pra, indetifikimin e rastit. Mbledhjen e provave, dhe dorëzimin e tyre në prokurori. Kemi anuluar edhe vendimin për shpronësim, në mënyrë që të mbrohet buxheti nga paditë potenciale.

    Një hetim i mirëfilltë i zhvilluar nga prokuroria do të nxirrte në pah edhe arsyet se pse u bënë këto rritje të vlerave, dhe kush i kishte porositur.

    Por çfarë ka bërë Prokuroria Speciale?

    E hedh poshtë kallëzimin penal.

    Këtë e bën me arsyetimin se me vendimin e qeverisë për anulim të shpronësimeve (vendim i Qeverisë Kurti), është evituar dëmtimi i buxhetit. Dhe meqenëse nuk ka dëmtim të buxhetit, nuk ka as vepër penale të cilën prokuroria duhet ta hetojë më tutje. Pak a shumë, ky ka qenë arsyetimi.

    Pra të gjitha provat e faktet hidhen në ujë, sepse bëhej fjalë për një rast ku ishte e përfshirë kasta e vjetër.

    Se kush ka qenë prokurori i ngarkuar me këtë rast, besoj e keni shumë të lehtë t’ia qëlloni.