ATV

Category: Lajme

  • Fundjava vranët dhe me diell, temperaturat deri në 31 gradë

    Fundjava vranët dhe me diell, temperaturat deri në 31 gradë

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se të shtunën parashihet të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.

    IHK njofton se vranësirat gjatë ditës vende-vende mund të sjellin riga shiu.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 14-16 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 26-31 gradë Celsius.

    Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i juglindjes.

    Instituti për të dielën parashikon të mbajë mot kryesisht me diell.

    Temperaturat  minimale do të lëvizin ndërmjet 13-16 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 26-31-gradë Celsius.

    Do të fryjë erë kryesisht nga juglindja e lehtë deri mesatare.

  • Arrestimet në MINT për rezerva shtetërore, reagon për herë të parë kryeministri Kurti

    Arrestimet në MINT për rezerva shtetërore, reagon për herë të parë kryeministri Kurti

    Kryeministri Albin Kurti ka reaguar pas arrestimeve të fundit në Ministrinë e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë të udhëhequr nga ministrja Rozeta Hajdari. Kurti tha se ka besim në ministren Hajdari dhe në punën e saj.

    Sipas tij, Hajdari e ka mbushur rezervën shtetërore në kohën kur kufijtë ishin të mbyllur si pasojë e luftës në Ukrainë, teksa shtoi se Qeveria e udhëhequr nga ai është e përgjegjshme dhe e drejtë.

    “Qeveria jonë është e përgjegjshme dhe e drejtë. Kemi sjellë progres ekonomik dhe demokratik të paparë në Kosovën e pasluftës. Rezervat shtetërore i kemi gjetur 300 mijë euro e i kemi bërë 25 milionë euro për dy vite. 97% të vlerës së blerë vitin e kaluar ka mbërrirë në Kosovë, përfshirë këtu 99,5% të sasisë së grurit që tashmë ndodhet në depo në vendin tonë, e për pjesën e mbetur, kompanitë furnizuese kanë obligim të hapur për ta përmbushur kontratën, dhe nëse nuk e bëjnë këtë janë procedurat ligjore. Nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi. Unë kam besim të plotë në Ministren Rozeta Hajdari dhe në punën e saj. Pas luftës në Ukrainë, kur kishte krizë globale, ministria që ajo drejton, i ka blerë rezervat dhe i ka mbushur depot në një kohë kur të gjithë kufijtë ishin mbyllur e pothuajse të gjitha shtetet kishin ndaluar eksportin”, ka thënë Kurti.

    Kurti u mor edhe me siç tha ai “elitën e vjetër”. Ai deklaroi se humbësit janë elita e vjetër dhe e korruptuar politike, teksa foli edhe për mediat.

    Sipas tij, prokurorët e gjykatësit se po përpiqen ta kthejnë ‘sistemin e korruptuar”.

    “Humbësit i gjeni tek elita e vjetër dhe e korruptuar politike, te gjykatës dhe prokurorë të saj, te mediat e keqpërdoruara pёr mbёshtetje tё krimit. Edhe pse tё paktё nё numёr, pёrfitimet e tyre kanё qenё shumëmilionёshe, andaj edhe nuk kanё se si mos tё ndihen humbës tё mëdhenj. Përpjekjet e tyre për ta ndryshuar situatën janë në shërbim të planit për ta kthyer ish sistemin e kalbur e tё korruptuar. Nё rastin mё tё mirё ata po pёrpiqen pёr tё ruajtur disi pasurinё e akumuluar me hajni e korrupsion, monopolet artifciale e tё dёmshme që i kanë bërë me krim e keqpёrdorim tё detyrёs zyrtare. Por, do tё dёshtojnё si nё aspiratën e tyre pёr kthim tё keqpёrdorimit, ashtu edhe nё synimin pёr përbaltjen e atyre qё kontribuojnë pёr moskthim tё asaj periudhe. Do tё dёshtojnё edhe nё frikёsimin e secilit qё i bashkohet karvanit tё reformave progresiste dhe zhvillimit gjithëpërfshirës”, ka thënë tutje ai.

    Reagimi i plotë:

    Të dashur qytetarë,

    Qeveria jonë është e përgjegjshme dhe e drejtë. Kemi sjellë progres ekonomik dhe demokratik të paparë në Kosovën e pasluftës.

    Rezervat shtetërore i kemi gjetur 300 mijë euro e i kemi bërë 25 milionë euro për dy vite.

    97% të vlerës së blerë vitin e kaluar ka mbërrirë në Kosovë, përfshirë këtu 99,5% të sasisë së grurit që tashmë ndodhet në depo në vendin tonë, e për pjesën e mbetur, kompanitë furnizuese kanë obligim të hapur për ta përmbushur kontratën, dhe nëse nuk e bëjnë këtë janë procedurat ligjore.

    Nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi. Unë kam besim të plotë në Ministren Rozeta Hajdari dhe në punën e saj. Pas luftës në Ukrainë, kur kishte krizë globale, ministria që ajo drejton, i ka blerë rezervat dhe i ka mbushur depot në një kohë kur të gjithë kufijtë ishin mbyllur e pothuajse të gjitha shtetet kishin ndaluar eksportin.

    Të dashur qytetarë,

    Qeverisja jonë me ndërgjegje të pastër dhe punë të mira natyrisht se përbën ndryshim rrënjësor karshi qeverisjes 20 vjeçare tё Kosovёs.

    Si e tillë ajo domosdo prodhon si fituesit ashtu edhe humbësit e saj.

    Përderisa fitues janë gjithë qytetarët e vendit (familjet përmes shtesave universale pёr fёmijё, nёnat lehona, përfituesit e ndihmave sociale, të rinjtë, studentët, punëtorët, pensionistёt, tё papunёt, bizneset e rregullta) humbësit janё tё paktё nё numёr, por jo pak tё organizuar.

    Humbësit i gjeni tek elita e vjetër dhe e korruptuar politike, te gjykatës dhe prokurorë të saj, te mediat e keqpërdoruara pёr mbёshtetje tё krimit.

    Edhe pse tё paktё nё numёr, pёrfitimet e tyre kanё qenё shumëmilionёshe, andaj edhe nuk kanё se si mos tё ndihen humbës tё mëdhenj.

    Përpjekjet e tyre për ta ndryshuar situatën janë në shërbim të planit për ta kthyer ish sistemin e kalbur e tё korruptuar.

    Nё rastin mё tё mirё ata po pёrpiqen pёr tё ruajtur disi pasurinё e akumuluar me hajni e korrupsion, monopolet artifciale e tё dёmshme që i kanë bërë me krim e keqpёrdorim tё detyrёs zyrtare.

    Por, do tё dёshtojnё si nё aspiratën e tyre pёr kthim tё keqpёrdorimit, ashtu edhe nё synimin pёr përbaltjen e atyre qё kontribuojnë pёr moskthim tё asaj periudhe.

    Do tё dёshtojnё edhe nё frikёsimin e secilit qё i bashkohet karvanit tё reformave progresiste dhe zhvillimit gjithëpërfshirës.

    Piskamat, shpifjet dhe aksionet pompoze tё tyre do dëgjohen gjithnjё e mё rrallё.

    Me qindra raportime zyrtare e kallëzime penale i kanë deponuar ministritë tona për krimin e korrupsionin që e kemi gjetur, por, përgjithësisht, kjo nuk i ka bërë përshtypje prokurorisë së shtetit.

    Reformat tona nuk do arrijnë t’i ndalin. Rastet e akumuluara tё krimit e tё deponuara nga kjo qeveri nuk do mund t’i fshehin edhe shumё gjatё.

    Ju falemnderit të gjithëve dhe secilit për përkrahjen. Natën e mirë, dhe, mirupafshim!

  • Tre të arrestuar nën dyshime për keqpërdorime të rezervave shtetërore

    Tre të arrestuar nën dyshime për keqpërdorime të rezervave shtetërore

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore i dërguan hetuesit policorë herët mëngjesin e së premtës në zyrët e Ministrisë së Industrisë dhe Tregtisë.
    Pas disa orë bastisje, ata dolën me dokumente e kompjuterë.

    E të arrestuar nga objekti u nxorën Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica, të dy zyrtarë të lartë në këtë ministri.

    Ndërkohë hetuesit policorë për të njëjtat dyshime zhvilluan edhe një aksion, në biznesin dhe shtëpinë e Ridvan Muharremit.

    Pas afro tri orëve bastisje, nga objekti u nxor Muharremi nën pranga të Policisë, dhe u dërgua fillimisht në Prokurorinë Speciale për intervistim.

    Avokati i tij tha se posedojnë prova të mjaftueshme, që sipas tij gjatë fazës së hetimeve do të dëshmojnë për pafajësinë e klientit të tij.

    Tre të arrestuarit janë dërguar në mbajtje prej 48 orësh.

    Në një komunikatë për media, Prokuroria Speciale teksja njoftoi për veprat penale që dyshohen të arrestuarit, tha se gjatë bastisjes janë siguruar dhe sekuestruar prova materiale.

    “Tre personat e arrestuar, R.M. H.G dhe I.L. dyshohen për veprat ‘’Keqpërdorim i detyrës zyrtare’’, si dhe ‘’Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare’’. Brenda afateve ligjore kohore do të bëhet kërkesë për caktimin e paraburgimit. Ndërkaq, gjatë bastisjes janë siguruar dhe sekuestruar prova materiale të cilat do të përdoren për procedurë të mëtutjeshme hetimore”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

    Aksioni është zhvilluar pas publikimit të disa audio-incizimeve nga gazeta “Nacionale”, në të cilat dëgjohen dy zyrtarë të MINT-it të cilët pretendojnë se vaji i paguar nga Polonia nuk iu bashkua rezervës shtetërore. Sipas atyre incizimeve, njësoi ndodhi edhe me një pjesë të grurit. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Brenda pak ditësh shtatë serbë jepin dorëheqje nga policia e Kosovës

    Brenda pak ditësh shtatë serbë jepin dorëheqje nga policia e Kosovës

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Kështu në mënyrë të organizuar jo, por serbët vazhdojnë të japin dorëheqje nga Policia e Kosovës në veri.

    Teksa një ditë me parë, u raportua se tre pjesëtarë serbë të gjeneratës së fundit zhveshën uniformen, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha të premten se numri i serbëve që dhanë dorëheqje ka arritur në shtatë.

    “Ka tashmë informata të konfirmuara, sipas hetimeve të institucioneve tona përgjatë këtyre javëve që, rrezikimi i këtyre pjesëtarëve, frikësimi, shantazhimi, vijnë drejtpërdrejt nga Serbia. Burimin e kanë në Serbi, ky shtet që fatkeqësisht vazhdon me agresion të hapur në raport me Kosovën”, tha Osmani.

    Po ashtu sipas Presidentes, me presionin që presidenti Aleksandar Vuçiq, po ushtron mbi serbet e Kosovës, po i shkel marrëveshjet e Brukselit.

    “Veprime të tilla janë shkelje flagrante e Marrëveshjeve të Brukselit, të cilat edhe kanë paraparë që një numër i policëve serbë të jenë të komuniteteve, pra të jenë serbë, varësisht nga kompozicioni i komunave. Unë pres nga BE-ja që të ndërmarrë masa ndaj Serbisë dhe Vuçiqit për shkelje të marrëveshjes së Brukselit”, tha Osmani.

    Duke premtuar angazhim personal, që t’iu ndihmojë serbëve në Kosovë të triumfojnë ndaj “frikës, ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, tha se e di saktësisht me çfarë presioni janë përballur policët e rinj.

    “Fatkeqësisht, ndoshta nuk është asnjë serb i Kosovës që të paktën një herë në jetë të mos i ketë ndjerë personalisht kërcënimet e egra nga ‘forca e padukshme malore’, që shkatërron çdo vepër e çdo dëshirë për bashkëjetesë në Kosovën tonë të bukur, me metodat e saj shkatërruese”, tha Rashiq.

    Për largimet e fundit të policëve serbë nga Polica e Kosovës ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, ndërsa, kryeministri Albin Kurti nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve për këtë çështje.

    Rreth 600 policë serbë në katër komunat veriore patën dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar, si shenjë proteste ndaj vendimeve të Qeverisë.

    Pas dorëheqjeve, institucionet kosovare shpallen konkurs për pranim të policëve të rinj, duke i punësuar 74. Prej tyre, 46 ishin nga komuniteti serb. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Hapet aplikimi për subvencionim të paisjeve shtëpiake

    Hapet aplikimi për subvencionim të paisjeve shtëpiake

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Ministria e Ekonomisë shpalli thirrjen për mbështetjen e konsumatorëve familjarë për subvencionimin në investimin për pajisje efiçiente elektro-shtëpiake.

    Pajisjet për të cilat vlen subvencionimi janë rrobalarëset, enëlarëset dhe frigoriferët, të cilët i plotësojnë kriteret e efiçiencës, si dhe sistemi i ngrohjes së ujit me energji diellore.

    Subvencionimi do të ketë tri kategori: të parën apo baziken, të dytën – për prindërit vetushqyes, që do të ketë nivel më të lartë mbështetje, si dhe kategoria e tretë, për qytetarët që janë pjesë e skemës së mbështetjes sociale – e cila do të ketë me nivelin më të madh të subvencionimit.

    Vlera e subvencionimit do të varijojë në mbështetje varësisht pajisjeve dhe kategorive, nga 100 deri në 1000 euro.

    Duke përmendur se vlera e përgjithshme e programeve rezidencale për efiçiencës së energjisë këtë vit pritet të shkojë në rreth 30 milionë euro, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja Artane Rizvanolli thanë se nga ky program pritet të përfitojnë rreth 20 mijë familje.

    Financuesit e këtij programi, Bashkimi Evropian, përmes përfaqësuesit të tyre theksuan subvencionimit të pajisjeve efiçente.

    “Konsumatorët familjarë janë konsumatorët më të mëdhenj në krahasim me kategoritë tjera, si industria, shërbimet etj. Kjo tregon urgjencën e reduktimit të konsumit të energjisë nga konsumatorët familjarë”, tha Alessandro Bianciardi, përfaqësues i BE-së.

    Aplikimi për subvencionim të pajisjeve efiçiente elektro-shtëpiake mund të bëhet përmes platformës E-Kosova, ndërsa do të jetë i hapur deri më 2 Tetor. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Pa përgjigje, “ikja e organizuar” e kryeministrit Kurti nga gazetarët

    Pa përgjigje, “ikja e organizuar” e kryeministrit Kurti nga gazetarët

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Pyetjet i dëgjoi dhe kërkoi që ato t’i bëhen me radhë.

    Por, kryeministri Albin Kurti nuk dha përgjigje për to.

    Duke shpërfillur interesin publik, kryeministri u iku pyetjeve me një ftesë të çuditshme për gazetarët.

    Njësoj, pyetjeve të gazetarëve u iku edhe një javë më parë në Qendrën Klinike Universitare – duke dhënë një premtim që s’e mbajti.

    Derisa të premten u kërkoi gazetarëve të organizohen për pyetje, në shtator të vitit të kaluar kryeministri e paraqiti si problem organizimin e tyre.

    Sjellja e Kurtit ndaj mediave, që kur fitoi pushtetin, kritikohet nga gazetarët.

    Qasja dhe veprimet e kryeministrit Kurti, sipas Kabashit, lidhen me mënyrën e qeverisjes dhe mungesën e transparencës.

    Në dy vjet e gjysmë në pushtet, ikja e kryeministrit Albin Kurti nga pyetjet e gazetarëve nuk është e pazakontë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Partitë opozitare kërkojnë shkarkimin e Rozeta Hajdarit

    Partitë opozitare kërkojnë shkarkimin e Rozeta Hajdarit

    Përgatitën: A. Hajdaraj / N. Luta

    Akuza të rënda ndaj Qeverisë së Kosovës kanë drejtuar partitë opozitare pak orë pas arrestimit të dy zyrtarëve të Ministrisë së Industrisë së Tregtisë, dhe një biznesmeni.

    Partia Demokratike e Lidhja Demokratike e Kosovës, thirrën konferenca për media, prej nga kërkuan shkarkimin e ministres Rozeta Hajdari.

    Madje sipas LDK-së, nuk mjafton vetëm dorëheqja, por duhet të ndodhë edhe arrestimi i saj.

    PDK-ja, e LDK-ja e kanë bërë përgjegjës Qeverinë Kurti, edhe për një varg skandalesh që sipas tyre u është mundësuar keqpërdorim i rezervave shtetërore.

    Dorëheqjen e ministres Hajdari e ka kërkuar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Presidentja Osmani viziton Klinën

    Presidentja Osmani viziton Klinën

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Në kuadër të vizitave të komunave, Presidentja Vjosa Osmani sot ishte në Klinë.

    Në takimin që zhvilloi me kryetarin e kësaj komune, Zenun Elezajn, Osmani u njoftua për të arriturat por edhe sfidat e kësaj komune ku edhe iu kërkua përkrahje.

    “Shpresojmë që përmes edhe presidentes, të kemi mundësinë edhe të fitimin të ndonjë donacioni për përfundimin e disa projekteve siç është ai për furnizim me ujë të pijes e rregullimin e shtretërve të lumenjve”, tha Elezaj.

    Sipas Osmanit, Klina është nga Komunat që e meriton gjithë përkrahjen institucionale.

    “As një qytetarë në asnjë vend të Kosovës nuk e meriton që të përballet me problem të furnizimit me ujë të pijes. Megjithatë duhet të sigurohemi që do ti përkrahim komunat që uji për pije të jetë në shtëpitë e secilin”, tha Osmani.

    Gjithashtu në kuadër të vizitave në komunat e vendit, përveç institucioneve komunale, ajo pati vizita edhe me qytetarë, si dhe biznese e Organizata joqeveritare. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Sheshi “Xhorxh Bush” i mbyllur për vetura deri me këtë datë

    Sheshi “Xhorxh Bush” i mbyllur për vetura deri me këtë datë

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Ka disa ditë që përgjatë sheshit “Xhorxh Bush” më nuk mund të qarkullojnë autobusët e taksitë.

    Ndalimi i qarkullimit është bërë për disa aktivitete që organizohen në kuadër të Komunës së Prishtinës.

    “Kështu i mbushur me njerëz duket sheshi “Xhorxh Bush” në kryeqytet, sa herë që Komuna e Prishtinës vendos të ndaloj qarkullimin e automjeteve në këtë pjesë për të zhvilluar ndonjë aktivitet”.

    Pavarësisht që qytetarët po i mirëpresin koncertet dhe organizimet tjera, kanë mendime të ndryshme sa i përket ndalimit të tërësishëm të qarkullimit të automjeteve në atë pjesë.

    E dikush tjetër këtë e sheh si çështje politike.

    Duke thënë se zgjidhje për veturat dhe tollovinë janë rrugët alternative, sipas përfaqësueses së Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, aktivitetet janë të nevojshme për qytetarët.

    “Do të mund të shohin gjithçka, aktivitete, filma, gjithçka është në të mirën e qytetarëve, lusim qytetarët të përdorin rrugë alternative pasi kjo rrugë nuk do të jetë e mbyllur edhe për shumë kohë mirëpo e kemi shfrytëzuar kohën e ardhjes së mërgatës”, tha Yllka Syla nga Drejtoria e Kulturës në Komunën e Prishtinës.

    Rruga “Xhorxh Bush” do të jetë e mbyllur për qarkullim deri më 31 gusht. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Situata e sigurisë në kryeqytet vlerësohet stabile

    Situata e sigurisë në kryeqytet vlerësohet stabile

    Përgatiti: Nexhmie Hyseni

    Në një mbledhje të jashtëzakonshme, Komuna e Prishtinës ka diskutuar për situatën e sigurisë në kryeqytet.

    Duke u bazuar në ngjarjet e fundit që ndodhën në Prishtinë, konkretisht për vrasjen në njërin nga lokalet e kryeqytetit, kryetari Përparim Rama, ka kërkuar bashkëpunim më të madh ndërmjet komunitetit, qeverisjes lokale dhe institucioneve të sigurisë.

    “Të gjithë duhet të bëhemi bashkë për të shikuar dhe analizuar shkaqet dhe gjetjen e zgjidhjes. Parandalimi I dukurive negative duhet të përqendrohet edhe në të ardhmen dhe ka të bëjë më zvogëlimin rrezikun e shfaqur de seriozitetin e mundshëm të krimit dhe ngjarjeve shqetësues”, tha Rama.

    Rreth gjendjes aktuale të sigurisë detaje kanë dhënë komandantët e stacioneve policore në Prishtinë.

    “Gjendja e sigurisë në nivel të kryeqytetit mundem me thanë se është e qetë dhe stabile. Sa I përket veprave penale në muajin korrik I kemi 143 raste krahasim me vitin e kaluar kemi rënie për 31% që vitin e kaluar ishin 209”, tha Nimon Januzi, komandant i Stacionit Policor “Qendra”.

    “Në raport me vitin e kaluar kemi një rrite të lehtë të numrit të rasteve mirpo të rastet e veprave serioze kemi rënie”, tha Bashkim Bytyqi, komandant ne Stacionin Poicor “Jugu”.

    Situata konsiderohet të jetë e qetë. Ne kemi zbritje të rasteve në periudhën e njëjtë për 41 raste më pak se vitin e kaluar”, tha Melihate Safedini nga stacioni “Veriu”.

    Mirëpo, Lulzim Shehu nga Bashkësia e Tarikateve të Kosovës, pati kritika për zyrtarët policorë por edhe kryetarin e Prishtinës.

    “Këtu nuk u përmend as droga as sene shumë të rëndësishme. Raportet që ju I cekët lënë shumë për të dëshiruar në parandalimin e krimit të organizuar”, tha Lulzim Shehu nga Bashkësia e Tarikateve të Kosovës.

    Në këtë mbledhje të jashtëzakonshme ka folur edhe ish-drejtori i kulturës, Adrian Berisha. Sipas tij organet e rendit duhet të ndërmarrin më shumë veprime për tu parandaluar veprimtaritë e rrezikshme. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: