ATV

Category: Lajme

  • Gjendet një mjet i pashpërthyer në Drenas, intervenon FSK e KFOR

    Gjendet një mjet i pashpërthyer në Drenas, intervenon FSK e KFOR

    Një person ka gjetur një mjet të pashpërthyer në pyll në Dobroshec të Drenasit.

    Pas raportimit të rastit në polici njësiti për deminim i FSK-së dhe KFOR-it kanë tërhequr mjetin e dyshuar.

    GJETJE E MJETIT TË DYSHUAR/Dobroshec, Gllogoc 19.08.2023-13:52.. Një mashkull kosovar, ka raportuar se në pyll ka hasur në një mjetë të dyshuar të pashpërthyer. Njësiti policor ka siguruar vendin e ngjarjes, ndërsa njësiti për deminim i FSK-së dhe KFOR-it kanë tërhequr mjetin e dyshuar.

  • Burrit në Obiliq ia djegin arën, i dëmtohen 1200 trupa të arrave

    Burrit në Obiliq ia djegin arën, i dëmtohen 1200 trupa të arrave

    Një burrë në Obiliq ka raportuar se disa persona të panjohur i kanë vënë zjarrin arës së tij të mbjellë më arra.

    Atij i janë dëmtuar 1200 trupa të arrave.

    “ZJARRVËNIE – Hade, Obiliq 19.08.2023-NN. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se të dyshuar të panjohur i kanë vënë zjarrin arës se tij të mbjelle me arra me ç’rast i janë dëmtuar 1200 trupa të arrave. Zjarri është lokalizuar nga vet ankuesi. Rasti nën hetime.”

  • KRU “Prishtina” shkyç 6 lidhje ilegale në Veternik, thotë se ky vend prin me raste ilegale

    KRU “Prishtina” shkyç 6 lidhje ilegale në Veternik, thotë se ky vend prin me raste ilegale

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” njofton se gjatë të shtunës së 19 gushtit, ka vazhduar aksionin për identifikimin e kyçjeve ilegale.

    KRU “Prishtina” njofton se nga ora 07:00 deri në orën 09:00 janë identifikuar dhe shkyçur gjashtë lidhje ilegale në lagjen “Veternik” të Prishtinës.

    “Sot nga ora 07:00-09:00 janë identifikuar dhe shkyçur 6 lidhje ilegale në Veternik”, njofton KRU “Prishtina”.

    Në këtë njoftim thuhet se rastet e identifikuara janë gjetur në rrugën “Mbreti Gent”, rrugën “Sadik Stavileci” dhe rrugën “Agim Hajrizi”.

    “Veterniku prin me raste ilegale. Vazhdon aksioni”, thuhet në njoftim.

  • Miftaraj: Ata që po i linçojnë prokurorët me emër e mbiemër ka shumë gjasa që janë nën hetime

    Miftaraj: Ata që po i linçojnë prokurorët me emër e mbiemër ka shumë gjasa që janë nën hetime

    Në komunikatën e lëshuar dje nga Ministria e Tregitsë dhe Industrisë është përmendur me emër e mbiemër prokurori i cili ka dhënë urdhrin për kryerjen e bastisjes dhe aksionit në ministrinë që drejton Rozeta Hajdari. MINT ka përmendur prokurorin Valdet Gashi.

    Një prokuror tjetër me emër e mbiemër e ka përmendur edhe sot ministri i Financave, Hekuran Murati, në një reagim të tij ndaj ish-ministrit Vesel Krasniqi. Bëhet fjalë për prokurorin Milot Krasniqi.

    Murati ka thënë se pavarësisht se MINT ka dorëzuar “prova të mjaftueshme” për të ngritur aktakuzë ndaj Vesel Krasniqit, nuk po ndërmerret kurrfarë veprimi nga Prokuroria.

    Për këtë ka reaguar Ehat Miftaraj nga IKD. Miftaraj ka thënë se në momentin kur një ministër ose politikan fillon me linçu publikisht një prokuror, polic, apo gjykatës, atëherë mundësitë që ai ministër apo politikan është duke u hetuar janë shumë të mëdha.

    “Në momentin qe nje minister ose politikan fillon me i linçu publikisht me emer dhe mbiemer policët, prokurorêt apo gjykatësit e caktuar, mundësitë që ai minister apo politikan është duke u hetuar per korrupsion janë shumë të mëdha!”, ka shkruar Miftaraj.

  • Një muaj paraburgim tre të dyshuarve për dallavere me rezerva shtetërore

    Një muaj paraburgim tre të dyshuarve për dallavere me rezerva shtetërore

    Gjykata e Prishtinës ka vendosur t’ua jap 30 ditë paraburgim tre të dyshuarve për keqpërdorim me rezarvat shtetërore.

    Tre të dyshuarit, dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara bashkë me afaristin Ridvan Muharremi janë arrestuar dje nën dyshimin për veprat “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, si dhe “Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare’’.

    Caktimin e paraburgimit prej 30 ditëve e ka konfirmuar për media Durim Osmani, avokati i të dyshuarit Irfan Lipovica dhe Bekim Kelani, avokati i të dyshuari Hafiz Gara.

    Përveç arrestimeve, dje janë kryer edhe bastisje për disa orë në zyret e MINT dhe pronat e Ridvan Muharremit. Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se gjatë bastisjes janë siguruar dhe sekuestruar prova materiale të cilat do të përdoren për procedurë të mëtutjeshme hetimore.

    Bastisjet dhe arrestimet erdhën pas një publikimi të audioincizimeve të medias ‘Nacionale’ për rezervat shtetërore.

  • Shkëmbim zjarri mes policisë dhe të dyshuarit për kontrabandë në veri

    Shkëmbim zjarri mes policisë dhe të dyshuarit për kontrabandë në veri

    Një zyrtar policor ka mbetur i lënduar pas një shkëmbimi zjarri mes një personi të dyshuar për kontrabandë mallrash dhe disa policëve që ka ndodhur mbrëmë në veri të Kosovës.

    Policia ka thënë një person i panjohur e ka goditur me veturë policin, duke i shkaktuar lëndime të lehta.

    Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, tha për KoSSev se pjesëtarët e policisë kufitare mbrëmë pas orës 22:00 kanë tentuar të ndalojnë një veturë në afërsi të Joshanicës në komunën e Leposaviqit.

    Zyrtarët dyshuan se automjeti ka hyrë në Kosovë përmes rrugëve alternative nga Serbia dhe se ka pasur kontrabandë.

    “Nuk është ndalur, ka goditur një polic dhe më pas ka pasur shkëmbim zjarri”, ka thënë Elshani.

    Ai thekson se nga të shtënat nuk ka pasur të lënduar dhe se polici i cili u godit nga vetura ka marrë lëndime të lehta.

    Policia e Kosovës për momentin nuk ka informacione për të dyshuarin pasi siç pohon Elshani, shoferi në ndërkohë është larguar, e më pas ka lënë veturën dhe ka ikur.

    Policia ka sekuestruar mjetin.

    Në të njëjtën kohë, Elshani nuk kishte asnjë informacion nëse dhe çfarë ishte gjetur në veturë.

    Një rast i ngjashëm ka ndodhur edhe një javë më parë në veri të Kosovës ku në afërsi të Çeçevës, në territorin e komunës së Zubin Potokut, ka pasur edhe të shtëna kur policët kanë tentuar të ndalojnë një grup personash të dyshuar për kontrabandë.

    Por në atë kohë janë arrestuar pesë persona, katër të nacionalitetit serb dhe një shqiptar, ndërsa njëri nga të dyshuarit është larguar nga vendi i ngjarjes.

  • Pas Greqisë, kryeministri Kurti më 28 dhe 29 gusht udhëton në Slloveni për “Bled Strategic Forum”

    Pas Greqisë, kryeministri Kurti më 28 dhe 29 gusht udhëton në Slloveni për “Bled Strategic Forum”

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të udhëtojë drejt Sllovenisë më 28 dhe 29 gusht për të marrë pjesë në “Bled Strategic Forum”. Këtë e kanë konfirmuar organizatorët në faqen e tyre zyrtare.

    “Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, do t’i bashkohet Forumit Strategjik të Bled më 28 dhe 29 gusht 2023 në Bled të Sllovenisë”, thuhet në njoftim.

    Kreu i Qeverisë pritet të udhëtojë të hënën drejt Greqisë me ftesën e kryeministrit grek Mitsotakis e ku do të diskutohet për të ardhmen evropiane të rajonit të Ballkanit.

  • Mashtrimi fiskal “cum ex” prej 55 miliardë eurosh që tronditi institucionet bankare europiane

    Mashtrimi fiskal “cum ex” prej 55 miliardë eurosh që tronditi institucionet bankare europiane

    Nga Adrian Civici

    Në historinë tone moderne ATA, të cilësuarit si “mashtrues të mëdhenj financiarë” janë me qindra e ndoshta me mijëra. Çdo kohë dhe çdo vend ka “përfaqësuesit” e tij të shquar e më pak të shquar. Në llojin dhe mjetet që kanë përdorur për arritjen e qëllimeve të tyre në jo pak raste janë cilësuar edhe si “mendje të ndritura” apo “gjeni të mashtrimit”.

    Më shumë se kushdo kanë ditur të kuptojnë dobësitë e njerëzve përballë parave dhe dëshirës për fitime të shpejta e të lehta, përballë mungesës së kulturës monetare e financiare të shumë njerëzve, kanë qenë në gjendje ti dredhojnë ligjeve dhe institucioneve, të joshin politikën dhe median, të sillen si menaxherë të vërtetë por me “zemër të madhe” për të “ndihmuar” të varfrit dhe njerëzit në nevojë.

    Por, mashtruesit financiarë, dhe jo vetëm, në mjaft raste janë dhe karaktere të vështira, me komplekse të shumta sociale e psikollogjike e drama nga fëmijëri të vështira të kaluar në varfëri e me prindër të dhunshëm, cka i detyron ta urrejnë shoqërinë, sidomos atë kapitaliste, të urrejnë të pasurit dhe personazhet VIP, ti japin vetes atributet e “Robin Hood” dhe “mbështetësit të të varfërve”.

    Dhe, megjithëse shumica dërrmuese e tyre, njëri pas tjetrit kanë përfunduar në burg apo janë shkatëruar në gjithshka që zotëronin, megjithëse me qindra mijëra apo me dhjetra miliona njerëz kanë humbur gjithshka si pasojë e mashtrimeve të tyre, megjithëse mjaft ligje e institucione janë reformuar për të mos lejuar më shfaqjen e tyre, përsëri ata vazhdojnë të rishfaqen.

    Historia dhe “vepra” e tyre dëshmon se miopia njerëzore ndaj iluzioneve monetare për pasurim të lehtë e të shpejtë vazhdon të jetë e lartë, se mjafton që dikush të ofrojë në mënyra nga më të çuditshmet mundësinë apo shansin për fitime marramendëse por të lehta në dukje, dhe menjëherë mijëra e miliona njerëz vrapojnë ti besojnë atij paratë, ëndrrat dhe shpresat e tyre.

    Megjithëse lista e “mashtruesve të mëdhenj” të konsideruar si “gjenialë” në llojin e tyre është shumë e gjatë, përsëri të krijon përshtypjen e një historie pa mbarim, e një historie që duket sikur askush nuk do ta mësojë apo të mësojë prej saj….!

    Natyrisht, mashtrimet dhe mashtruesit financiarë nuk janë një shpikje bashkëkohore, por, referuar leksioneve të historisë, rezulton se ato kanë lindur bashkë me njeriun. E vecanta qëndron në faktin, se gjatë shekujve XIX-të, XX-të dhe në këto dy dekada të shek.XXI-të, mashtrimet financiare janë bërë shumë më të sofistikuara. Lindja dhe zhvillimi i kapitalizmit e ka bërë më të mundshme dhe më të lehtë pasurimin e shpejtë, përfshirë këtu dhe pasurimin e pandershëm, atë nëpërmjet mashtrimeve të të gjitha llojeve.
    Gjatë dy shekujve të fundit, “mendjet djallëzore” kanë kërkuar e gjetur metoda e forma të shumta për tju shmangur mekanizmave të kontrollit e transparencës së institucioneve e strukturave përkatëse mbikqyrëse. Vetë tregjet monetare e financiare janë përballur e vazhdojnë të përballen me mashtrime të shumta, efektet negative të të cilave shkojnë deri në destabilizim të tregjeve financiare, falimentime bankare, cënim të arritjeve të Shtetit social, humbje masive të investimeve e kursimeve për individë e kompani të ndryshme, rënie në recesion e depresion ekonomik, etj.

    Shekulli XXI-të, i identifikuar tashmë si “shekulli i ekonomisë së re, i dixhitalizimit masiv dhe globalizimit pa limit”, e ka shtuar ndjeshëm rrezikun e mashtrimeve financiare që mbështeten në teknollogjitë e reja të komunikimit, në teknollogjinë që mundëson sistemin e kriptomonedhave, në lindjen dhe përhapjen e bankave të reja të së ardhmes, etj, etj.

    Mashtruesit financiarë janë bërë “shumë të aftë nga pikëpamja teknologjike dhe shfrytëzimi i cdo mangësie ligjore e institucionale, por dhe i cdo dobësie njerëzore përballë parasë së fituar lehtë.

    I tillë është dhe rasti i Hanno Berger, “Truri” i mashtrimi fiskal 55 miliard euro “cum ex files”

    Hanno Berger, “Truri” i mashtrimi fiskal 55 miliard euro “cum ex files”

    Ky mashtrim financiar me përmasa gjigande i quajtur “cum ex” konsiston në blerjen dhe shitjen e aksioneve në ditën e derdhjes së dividentit në formën më të shpejtë të mundshme, në mënyrë që administrata fiskale të mos ketë mundësi të identifikojë zotëruesit e tyre.

    19 media të rëndësishme europiane zbuluan në tetor 2018 mekanizmin e këtij mashtrimi gjigand i aplikuar nga fiskalistë e financierë “kompetentë” nën drejtimin e avokatit fiskalist gjerman Hanno Berger.

    Në këtë “arkitekturë vjedhje fiskale” u bënë pjesë dhe një numër i madh institucionesh të rëndësishme financiare e bankare si grupet bankare europiane Santander, Macquarie Bank, Deutsche Bank, HypoVereinsbank, HSH Nordbank, Commerzbank, BNP Paribas, Société générale, Credit Agricole, etj., në 11 vende europiane : Gjermani, Austri, Belgjikë, Danimarkë, Spanjë, Finlandë, Francë, Itali, Norvegji, Hollandë dhe Zvicër.

    Mbas një “aktiviteti” gati 15 vjecar, skandali shpërtheu në Gjermani në vitin 2012. Shuma totale e mashtrimit fiskal llogaritet në 55 miliardë euro, nga të cilat 31.8 miliard euro në Gjermani, 17 miliardë në Franë, 4.5 miliardë në Itali, 1.7 miliardë në Danimarkë, 201 milion euro në Belgjikë.

    Berger u akuzua në tre procese penale me akuzën “bashkëpunëtor në evazion fiskal me përmasa të mëdha dhe dëm prej qindra milionë euro”. Vendimi përfundimtar i gjykatës u dha në vitin 2020 në mungesë të Hanno Berger, i cili kishte disa vite që ishte zhdukur nga Gjermania për tu fshehur në Zvicër.

    Në verën e vitit 2011, kur sistemi financiar e monetar europian ishte nën goditjen e rëndë të krizës financiare globale të shpërthyer në vitin 2008, në një zyrë modeste të Administratës fiskale në Bon të Gjermanisë, një inspektore fiskale lexonte e rilexonte një letër me një kërkesë të cuditshme të cilën ajo e kishte të vështirë ta klasifikonte në dosjet e saj të përditshme.

    Në këtë rast, kjo ishte një kërkesë për rimbursim taksash drejtuar administratës fiskale nga një fond pensionesh, kërkesë mëse e zakonshme, nga ato që mbrrinin me qindra cdo ditë në Byronë federale të taksave nga blerësit e aksioneve të kuotuara në bursë.

    Por, kjo kërkesë “specifike” e intrigoi. Fondi i pensioneve kërkonte një shumë të konsiderueshme parash si rimbursim, për një numër mjaft të madh blerje dhe shitje aksionesh në një kohë rekord, vetëm brenda një dite, ditë në të cilën derdhej dividenti.

    Për këto transaksione ishin investuar disa dhjetra miliard euro e dollarë, ndërkohë që fondi i pensioneve në fjalë kishte një zotërues të vetëm, një amerikan, rezidenca e banimit të të cilit ndodhej në një zonë rezidenciale në New Jersey, e cila shërbente gjithashtu edhe si qëndër e azilit dhe fondit të pensioneve. Shumë larg Wall Street-it! Nga dolën gjithë këto shuma?
    Meqënëse bëhej fjalë për miliarda euro, inspektorja fiskale vendosi “ta ndiqte cështjen më nga afër” dhe të zhytej në botën e komplikuar të transaksioneve financiare të cilat i njihte shumë pak.

    Shumë shpejt u ndodh përpara mjaft të “papriturave” dhe pikëpyetjeve të vështira. Pa e kuptuar as vetë, thjesht duke qënë korrekte në punën e saj si inspektore fiskale, ajo nxorri në dritë një nga skandalet fiskale më të mëdha në historinë e Gjermanisë, skandal që pak më vonë u vlerësua në shifrën e 31.8 miliard euro të vjedhura në periudhën ndërmjet viteve 2005-2012.
    Nuk bëhej fjalë për një mashtrim të thjeshtë apo fshehje fiskale, por për një vjedhje gjigande në dëm të buxhetit të shtetit dhe taksapaguesve gjermanë, e kryer nga një bandë e organizuar të ndihmuar nga hedge fund-e, banka, shoqëri brokerimi, avokatë, etj. E cilësuar si “cështja e shekullit”, organizuar dhe zbatuar nga “jaka të bardha” u quajt “CumEx”.

    “Truri” ose arkitekti i këtij mashtrimi ishte një avokat fiskalist gjerman i quajtur Hanno Berger, ish funksionar i lartë i zyrës fiskale në Frankfurt, mbikqyrës i bursës dhe bankave i konvertuar si ekspert i të drejtës fiskale. Avokat brilant, shumë i informuar për mjediset bankare dhe financiare, i joshur dhe i vënë në shërbim të milionerëve që kërkonin të përfitonin maksimalisht nga mashtrimet fiskale.

    Fillimisht, Hanno Berger filloi punë si asistent në studion juridike “Manfred Wolf”. Mbas mbarimit të doktoraturës në vitin 1980, punësohet në administratën financiare të Landit Hessen, ku punon për 12 vite si auditor fiskal në zyrën qëndrore të administrimit fiskal. Në vitin 1996, largohet nga shërbimi civil dhe bëhet partner në studion legale Pünder, Volhard, Weber & Axster.
    Në vitin 1999, transferohet në studion legale amerikane Shearman & Sterling, ndërsa në vitin 2004, transferohet në zyrat qëndrore në Frankfurt të studios ligjore Managing Partner. Në vitin 2010, themelon studion ligjore Berger Steck & Kollegen së bashku me Kai-Uëe Steck, studio e cila pezullohet nga aktivitetet e saj në vitin 2013 kur filluan hetimet kundër Berger & Steck për përfshirjen e tyre në “konsulencën” e skandalit CumEx.

    Hanno Berger konsiderohet si “këshilluesi kryesor dhe truri i operacionit “dividend stripping”, i cili i shkaktoi 11 vendeve europiane 55 miliard euro humbje fiskale. Berger, bashkë me Christian Olearius e Paul Robert Mora i ofruan “konsulencë speciale” bankës private MM Ëarburg e cila ishte mjaft aktive në sistemin CumEx duke futur në xhepin e klientëve saj mbi 300 milion euro; Berger “asistoi nga afër” një shoqëri investimesh imobiliare të quajtur Rajon në pronësi të Rafael Roth e cila u përfshi në sistemin CumEx duke fituar mbi 120 milion euro; Berger ishte një nga konsulentët më të vlerësuar të “Fondit Sheridan” në Luksemburg, të implikuar në transaksionet CumEx, etj.

    Skandali shpërtheu publikisht në Gjermani në vitin 2012 duke u shoqëruar me hapjen e menjëhershme të gjashtë hetimeve penale. Procesi i parë gjyqësor në Ëiesbaden kishte në qëndër Hanno Berger dhe disa operatorë të rëndësishëm në bursë, vecanërisht disa operatorë financiarë të HypoVereinsbank (HVB) të akuzuar për shkelje të rënda fiskale. Një numër i madh bankash të rëndësishme, si Santander, Macquarie Bank, Deutsche Bank, M.M. Warburg & Co, HypoVereinsbank, HSH Nordbank, Commerzbank, BNP Paribas, Société générale, Credit Agricole, Unicredit, BNY Mellon, etj ,
    Berger u akuzua në tre procese penale të ndryshme për pjesëmarrje në operacionet “dividend stripping” me akuzën “bashkëpunëtor në evazion fiskal me përmasa të mëdha dhe dëm prej qindra milionë euro”.

    Vendimi përfundimtar i gjykatës u dha në vitin 2020 në mungesë të Hanno Berger, mungesë të cilën avokati i tij e justifikoi me “pamundësi shëndetësore për të qënë prezent në sallën e gjyqit”, por që në fakt, Berger kishte disa vite që ishte zhdukur nga Gjermania për tu fshehur në Zvicër. Për të u lëshua një mandat arresti ndërkombëtar bashkë me një kërkesë ekstradimi nga Zvicra.

    Por, cfarë ishte sistemi i transaksioneve CumEx dhe si funksiononte ai?

    Thelbi i këtij mashtrimi qëndronte në shitjen dhe blerjen e aksioneve të kompanive të ndryshme në mënyra e forma jashtëzakonisht të shpejta e komplekse ditën e caktuar për shpërndarjen e dividentit në mënyrë që administrata fiskale ta kishte të pamundur identifikimin e pronarëve realë të tyre.

    Për këtë u quajt dhe si “skandali i dividentëve” i pagëzuar me emrin “cum ex”, për tu dalluar nga sistemi “cum cum” që aplikohej gjerësisht, që ndihmonte në shmangjen e detyrimeve fiskale në emër të “optimizimit fiskal”, por që nuk ishte i fshehtë apo i jashtëligjshëm.

    Mashtrimi me CumEx mbështetej në dy praktika fiskalo-financiare : në modelet CumCum dhe CumEx të cilat të “krijonin mundësi të shkëlqyera” për të vepruar në segmeëntin e tregut të “optimizimeve fiskale” në pikën ku ndërrthuret transaksionet financiare me rregullimet fiskale. Transaksionet CumCum dhe CumEx i krijojnë mundësi operatorëve financiarë të shmangin tatimin e përcaktuar sipas ligjeve fiskale të cdo vendi në raport me vlerën e dividentit. Por, ndërsa modeli CumCum ishte deri diku legal dhe i tolerueshëm, modeli CumEx ishte i mashtrim i jashtëligjshëm. Cilat janë diferencat ndërmjet tyre?

    Një transaksion CumCum përfiton nga mangësitë apo diferencimet në sistemet fiskale. Në vende të ndryshme egzistojnë rregulla e detyrime të diferencuara për aplikimin e tatimeve në burim mbi vlerën e dividentit, sidomos në rastet kur ka marrëveshje për eleminimin e taksimit të dyfishte ndërmjet dy vendeve.

    Në këtë mënyrë, zotëruesit e aksioneve nga të cilat përfitojnë dhe dividentin, pak kohë përpara se të shpërndahet dividenti, ja kalojnë pronësinë e aksioneve të tyre, brenda apo jashtë vendit, një kompanie apo investitori tjetër që gëzon status favorizues kundrejt detyrimit të pagesës së tatimit mbi vlerën e dividentit.

    Disa ditë mbasi shpërndarja e dividentit është realizuar, “blerësi i aksioneve” ja rrishet përsëri pronarit real aksionet kundrejt një komisioni modest të dakortësuar paraprakisht. Si përfundim, pronari real i aksioneve shmang totalisht tatimin mbi vlerën e dividentit duke i paguar vetëm një përqindje të vogël “kompesuese” blerësit fiktiv. Kjo seri transaksionesh është teknikisht e ligjshme.

    Ndërkohë, një transaksion CumEx është ndryshe. Ai nuk ka thjesht dhe vetrëm efektin e shmangjes së pagesës së tatimit mbi vlerën e dividentit, por synon përvec shmangjes së tatimit dhe përfitime nga “rrikthimet kompesuese të vlerës së tatimit mbi dividentin”.

    Le ta shpjegojmë nëpërmjet një shëmbulli të thjeshtë se si u ndërtua dhe funksionoi për rreth 15 vite ky mekanizëm mashtrues.

    Tre zotërues të ndryshëm aksionesh shkëmbejnë “në mënyrë të rufeshme” aksionet e tyre ditën e pagesës së dividentit e quajtur D-Day (Dita e Dividentit). Falë kësaj teknike është e vështirë të gjendet se cili është pronari i vërtetë i aksioneve të cilit Shteti detyrohet ti rimbursojë tatimin mbi dividentin.

    Deri këtu, fenomeni është i vështirë të kuptohet sepse për këtë, fillimisht, duhen njohur dy rregulla bazë : së pari, në disa vende europiane, kur je i huaj gëzon të drejtën që të rimbursohesh për vlerën e tatimit mbi dividentin; së dyti, nëse një aksioner i shet aksionet e tij gjatë D-Day, dividenti i derdhet atij dhe jo pronarit të ri aksioneve.

    Ku qëndron mashtrimi dhe përfitimi financiar në këtë rast?

    Ta konkretizojmë me një shembull. Kemi 3 aksionerë A, B dhe C. Aksioneri A zotëron një aksion me vlerë 90 euro. Gjatë D-Day, A vendos tja shesë aksionin e tij B-së. A nuk është më pronari i aksionit, por është përfitues i dividentit prej 10 euro. Mbi këtë shumë prej 10 euro, Shteti ka vendosur një tatim prej 25%, pra 2.5 euro. Pra, në fakt, A mer si divident vetëm 7.5 euro. Por, meqënëse A është e huaj, ajo kërkon rimbursimin e tatimit mbi dividentin nga ana e Shtetit. Shteti i kthen A-së shumën prej 2.5 euro. Ndërkohë, B-ja ja shet aksionet e A prej 90-euro aksionerit C për 100-euro duke fituar kështu 10 euro. Ndërkohë C e di se aksioni i A vlen 90-euro dhe për pasojë i kërkon B një kompesim prej 10 euro. B i jep C këtë kompesim në formën e një “dividenti kompesues” me vlerë 7.5 euro. Pra, B fiton 2.5 euro.

    Falë këtij “dividenti kompesues”, C-ja, edhe ky i huaj, vendoset në të njëjtën pozitë si A-ja. C i drejtohet Shtetit për ti kërkuar rimbursimin e tatimit që pretendon se e ka paguar rregullisht. Por, përse C e ka të mundur të bëjë një veprim të tillë? Sepse Shteti e ka të pamundur të verifikojë që tatimi mbi dividentin i është rimbursuar një herë A-së, dhe për pasojë, bën një rimbursim të dytë, këtë rradhë për C-në.

    Rezultati final: aksioneri C rrimer 10 eurot që i mungonin dhe bashkë me aksionerin B ndajnë 2.5-euro që ju erdhën nga transaksioni. Në këtë rast, Shtetit ju vodh 2.5-euro duke i kthyer C përqindjen e tatimit mbi dividentin, ndërkohë që C nuk kishte paguar asnjëherë tatim mbi dividentin.

    Natyrisht, në shembullin me 100 euro, vjedhja apo mashtrimi financiar prej 2.5-euro duket fare i papërfillshëm, por kur bëhet fjalë për disa qindra miliarda euro, përfitimet nga kjo skemë mashtruese janë me dhjetra miliarda euro. Në Gjermani p.sh., gjatë periudhës 2007-2012 kur kjo skemë lulëzoi, buxhetit të shtetit ju vodhën mbi 7 miliard euro në vit.

    Shuma totale e mashtrimit fiskal llogaritet në 55 miliardë euro, nga të cilat 31.8 miliard euro në Gjermani, 17 miliardë në Franë, 4.5 miliardë në Itali, 1.7 miliardë në Danimarkë, 201 milion euro në Belgjikë.

  • Rreth 50 policë kanë dhënë dorëheqje – Zeqiri: Momenti i fundit të kthehet vëmendja kah Policia

    Rreth 50 policë kanë dhënë dorëheqje – Zeqiri: Momenti i fundit të kthehet vëmendja kah Policia

    Kryetari i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri, ka thënë se është momenti i fundit që Qeveria ta kthejë vëmendjen tek Policia e Kosovës dhe t’ua plotësojë kërkesat policëve. Në të kundërt, Zeqiri, tha se do të ketë protesta e ikje të profesionistëve policor. Vetëm këtë vit, rreth 50 policë kanë lëshuar punën.

    Sipas tij, pakënaqësia është kolektive për një mori çështjes. Së pari, Zeqiri tha se ka kaluar më shumë se gjysmë viti që policëve nuk po u paguhet shtesa për rrezikshmëri. Si sindikatë, ai tha se nuk e kanë pritur një “dëmtim” të tillë me Ligjin e ri të Pagave.

    Përveç kësaj, ai tha se PK-ja është e vetmja polici në botë pa sigurim shëndetësor. Kjo ka qenë kërkesa e tyre numër një, njëkohësisht edhe miratimi i Ligjit për Pensionim, pasi që Kosova ka policinë më të vjetër në rajon.

    “Pakënaqësia është kolektive, edhe te pjesa e unifromuar edhe te pjesa e shërbyesve civilë në kuadër të Policisë së Kosovës, rreth shtesës për rrezikshmëri. Po kalojnë më shumë se gjashtë muaj, pra është ky muaji i shtatë, që zyrtarëve policorë nuk u ekzekutohet në paga shtesa për rrezikshmëri”.

    Për këtë çështje, Zeqiri tha se kanë dërguar ankesë edhe te Avokati i Popullit.

    “E kemi pasur të rregulluar edhe më herët, e kemi edhe tani me Ligjin për Policinë. Kemi bërë kërkesa të vazhdueshme rreth kësaj çështje. E kemi dërguar edhe te Avokati i Popullit sepse i kemi vrenjtur mangësitë në Ligjin e ri të Pagave. Shtesën për rrezikshmëri e kanë vendosur me një për qind të buxhetit të pagave që nuk është e mjaftueshme për rrezikshmërinë”.

    “Dëmtimin me Ligjin e ri të Pagave në institucionin policor të Kosovës nuk e kemi pritur, sepse kemi pasur kërkesa që shumë vite më herët”.

    Teksa tha se Kosova ka policinë më të vjetër në rajon,  ai ka kërkuar që të miratohet Ligji i Pensionimit, që policët të dalin në pension në moshën 55 vjeçare, si dhe të kenë një pension më të mirë sesa ai i zakonshmi.

    Edhe kjo kërkesë, siç u shpreh ai, është e kamotshme.

    “Jemi e vetmja polici në botë pa sigurim shëndetësor dhe jetësor që ka qenë kërkesë numër një. Kemi ofruar mënyrën se si mund ta bëjmë Policinë me sigurim shëndetësor alternativ, por ende nuk kemi marrë përgjigje nga Policia”.

    “Jemi polici pa Ligj të Pensionimit. Kjo ka qenë kërkesë që para shtatë-tetë apo dhjetë vitesh, që të bëhet ligji për pensionim në moshën 55 vjeçare sepse, ndër të tjera, është se mosha mesatare ka arritur të jetë shumë e lartë në krahasim me shtetet e rajonit. Kemi arritur në moshën 47-48 vjeçare, domethënë jemi policia me moshën më të vjetër në rajon. Kjo ka qenë kërkesë që policia të freskohet, por edhe që zyrtari policor kur të pensionohet, ta ketë një pension të dinjitetshëm e jo prej 100 eurosh”.

    Këto probleme së bashku me disa të tjera, si mos pagesa e shujtës, udhëtimeve zyrtare apo shpërblimeve në fund vit, janë arsyeja pse policët po e lëshojnë vendin e punës.

    Për Zeqirin, kjo është jashtëzakonisht shqetësuese dhe më së shumti nga ikja e policëve dëmtohet vendi dhe vetë institucioni.

    “Te shumica e zyrtarëve policor nuk paguhet shujta, nuk paguhet udhëtimi zyrtar apo një shpërblim për fund vit, edhe pse këto janë të rregulluara me ligj. Prandaj, po shprehen pakënaqësi, me protestë në vend të punës apo me dorëheqje vullnetare. Është jashtëzakonisht shqetësuese puna e dorëheqjeve në Policinë e Kosovës sepse neve po na ikin profesionistët”.

    Ai tha për EO, se nëse vazhdohet “kështu” ikjet e policëve vetëm sa do të shpeshtohen, kur vetëm këtë vit rreth 50 kanë dhënë dorëheqje.

    “Nëse kështu vazhdohet dhe nuk përmirësohen këto kushte e kërkesat e gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, paralajmërojmë se dorëheqjet do të vazhdojnë. Kush do të dëmtohet më shumë sesa vetë shteti dhe institucioni? Unë mendoj se është momenti i fundit që Qeveria ta kthejë vëmendjen nga Policia e Kosovës. Këtë vit, numri i dorëheqjeve vullnetare sillet rreth 50. Është shqetësuese, por më shqetësuese është se kemi paralajmërime se dorëheqjet do të vazhdojnë nëse nuk përmirësohen kushtet”, është shprehur ai.

  • Mosformimi i Asociacionit mund të sjellë masa të reja – vendi mund të përballet me paralizë politike e ekonomike

    Mosformimi i Asociacionit mund të sjellë masa të reja – vendi mund të përballet me paralizë politike e ekonomike

    Bashkimi Evropian mund që të vendos sanksione ndaj Kosovës në të ardhmen nëse nuk formohet Asociacionin i komunave me shumicë serbe, po vlerësojnë analistë politik në vend.

    Sipas tyre, ndonëse Asociacionin serbët e kanë vendosur si kushte që të kthehen në institucionet e Kosovës, ky mekanizëm nuk prezanton vlerë të shtuar institucional dhe ligjor të vendit.

    Njohësi i çështjeve politike, Albinot Maloku, ka thënë se Kosova e ka Kushtetutën më të mirë jo vetëm në rajon por edhe më gjerë sa i përket kapacitetit integrues për të gjithë pjesëtarët e shoqërisë, si në mekanizma shoqërorë, institucional dhe shtetërorë.

    Sipas tij, pas marrëveshjes së viti 2013-1015 për formimin e Asociacionit, ky mekanizëm është parë si moment i integrimit përfundimtarë të serbeve në mekanizmin shtetëror të Kosovës, të shoqërisë.

    “Republika e Kosovës ka Kushtetutën më të mirën jo vetëm në rajon por edhe më gjerë sa i përket kapacitetit integrues për të gjithë pjesëtarët e shoqërisë së vetë në mekanizma shoqërorë e institucional dhe shtetërorë. Në këtë rrafsh dihet mirëfilli se si pasoj e specifikave të veta dhe rrethanave politike, ndodhi siç ndodhi decentralizimi në kohën e vetë i komunave të reja që u krijuan, më pastaj si rrjedh e kësaj erdhëm edhe tek marrëveshja e 2013-2015 me të cilën bëhej fjalë për themelimin e një Asociacioni. Ky ishte paraparë që të jetë momenti i integrimit përfundimtarë në një formë ose tjetër në mekanizmin shtetëror të Kosovës, të shoqërisë dhe të angazhuarve serb në institucionet e Kosovës”, tha ai.

    “Si e tillë a mund të bëhet që qytetarët serb duke mos e pasur Asociacioni si mundësi integrimit, Kushtetuat e vendit e lejon gjithsesi është model. Mirëpo çështja e Asociacionit është krejtësisht politike dhe ka ambicie politike dhe si e tillë bëhet parakusht i vendosur nga pala serbe për çështjen e integrimit tyre ose ngjashëm”.

    “Edhe pse Asociacioni është bërë një mundësi integrimit të serbeve brenda vetës dhe me lidhje institucionale me Republikën e Kosovës, kjo është paramendimi serb. Në këtë rrafsh Asociacioni si i tillë është një mekanizëm politikë dhe si i tillë nuk është që prezanton vlerë të shtuar në mekanizmin institucional dhe ligjorë të Kosovës, mirëpo është politik dhe si i tillë duhet pranuar si fakt politik që është Asociacioni. Ky është një parakusht nga ana e serbeve për të qenë pjesë e integrimit institucional të Kosovës”, tha ai për EO.

    Arbnor Sadiku, analist politik, tha se pasi që të implementohet në tersi marrëveshja e Bratislavës, bashkësia ndërkombëtare do të kërkojnë nga Kosova që të bëjë edhe formimin e Asociacionit.

    Sadiku shtoi se ekziston rreziku që në rast se Kosova nuk e formon Asociacionin t’i vendosen masa vendit nga BE-ja, ku sipas tij, me këtë rast Kosova do të gjendet në një paralizë ekonomike nga këto masa.

    “Pasi që këto zgjedhje do të bëheshin sigurisht që do të kërkohej nga bashkësia ndërkombëtare që të krijohet ky Asociacioni dhe rreziku më i madh është që Kosovës në të ardhmen të mos i hiqen fare masat dhe sanksionet por vetëm t’i shtohen ato duke e kushtëzuar Kosovën. Që jo vetëm t’i zbatoj të gjitha masat për de-eskalimin e situatës në veriun e Kosovës, që janë tërheqja e Policisë, futja në zgjedhje lokale, sa ma shpejt zgjedhja e kryetarëve legjitim e kështu me radhë, po mund të kushtëzohet në të ardhmen edhe me krijim e Asociacionit”.

    “Do të thotë që në rast se Kosova nuk e krijojnë Asociacioni e komunave me shumicë serbe, përveç këtyre masave më herët që i ka kërkuar BE-ja të shtohen edhe masa të tjera dhe kësisoj praktikisht Kosova gjendet në një situatë të pa lakmuar qoftë në aspektin politikë, ekonomik e kështu me radhë. Shumica e këtyre fondeve të BE-së që janë fonde të IPA janë të bllokuar për Kosovën dhe natyrisht që mos aplikimi për to në vitin 2025 është një lloj paralize ekonomike për Kosovën”, tha ai për EO.