ATV

Category: Lajme

  • Qeveria e konfirmon, Kurti udhëton për në Athinë, do të realizojë edhe takime

    Qeveria e konfirmon, Kurti udhëton për në Athinë, do të realizojë edhe takime

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka udhëtuar për në Athinë, atje do të marrë pjesë në një darkë të ftuar nga kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.

    Në këtë darkë, e cila do të mbahet për 20 vjetorin e Samitit të Selanikut, të ftuar janë liderët e Ballkanit Perëndimor.

    Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, për teve1.info ka bërë të ditur se kryeministri Kurti atje do të zhvillojë edhe disa takime.

    “Kryeministri Kurti ka udhëtuar për në Athinë ku do të marrë pjesë në darkën e ftuar nga kryeministri grek, Mitsotakis me liderët e Ballkanit Perëndimor, që po mbahet në 20 vjetorin e Samitit të Selanikut. Gjatë qëndrimit atje do të zhvillojë edhe disa takime për të cilat do të njoftoheni me kohë”, tha Kryeziu.

    Ndërkohë, sipas medieve greke, Shqipëria e ftuar në nivel presidenti nuk do të përfaqësohet në këtë takim, për shkak të agjendës së paracaktuar.

    Takimet e kryeministrit grek, si dhe darka informale, sinjalizojnë, siç thonë burimet qeveritare greke, rolin kryesor që luan Greqia si shtyllë e stabilitetit, paqes dhe sigurisë energjetike në Ballkan dhe Evropën Juglindore.

  • Dy eksperte mjeko-ligjore po dëshmojnë në të njëjtën kohë në gjykimin ndaj Pjetër Shalës

    Dy eksperte mjeko-ligjore po dëshmojnë në të njëjtën kohë në gjykimin ndaj Pjetër Shalës

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Pjetër Shalës janë duke dhënë dëshminë e tyre dy eksperte mjeko-ligjore në të njëjtën kohë, Karin Dune-Prinsen dhe Lozano Parra.

    Të njëjtat punojnë në Institutin Holandez për të Drejtat e Njeriut dhe Vlerësim Mjekësor (IMO) dhe janë duke dëshmuar për dëmin fizik dhe psiqik që ka pësuar njëra nga viktimat pjesëmarrëse në këtë çështje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Paraprakisht, mbrojtësi i viktimave Simon Laws ka pyetur të njëjtat për kualifikimet dhe përvojën e tyre. Është thënë se ekspertja Parra ka studiuar mjekësinë dhe ka specializuar për psikiatri dhe se profesionin e psikiatres e ka ushtruar në tri fusha nga 2013 e tutje.

    Ajo tha se nga tetori i vitit 2020 është pjesë e IMO-s, në të cilin institut bëjnë vlerësime mjeko-ligjore të viktimave të pretenduara të torturës dhe keqtrajtimit çnjerëzor.

    Ekspertja tha se ka trajtuar me qindra persona që kanë vuajtur nga trauma si dhe pohoi se ka qenë bashkë-autore e një raporti tjetër që është paraqitur para këtij trupi gjykues.

    Kurse, u tha se ekspertja Prinsen ka studiuar psikologjinë zhvillimore dhe se nga viti 2003 ka punuar në këtë fushë, ndërsa nga viti 2015 është pjesë e IMO-s.

    Edhe kjo eksperte tha se ka trajtuar me qindra viktima të pretenduara të torturës dhe keqtrajtimit çnjerëzor dhe se e njëjta bën vlerësime mjeko-ligjore, rishikon raportet e kolegëve dhe bën hetime të përbashkëta me ta.

    Gjithashtu, tha se ka qenë bashkë-autore e raportit tjetër që është paraqitur para këtij trupi gjykues.

    Më tej, ekspertes Parra iu kërkuar të bëjë përmbledhje të protokollit të Stambollit, e që tha se është botuar nga OKB-ja për herë të parë më 2001 dhe është rishikuar disa herë e që, versioni më i ri është i 2022-ës.

    “Ne përdorim këtë protokoll sepse në të janë standardet ndërkombëtare për hetim dhe vlerësim kur trajtohen viktimat e pretenduara të torturës dhe keqtrajtimit çnjerëzor”, tha ajo.

    Po ashtu, ato thanë se iu është kërkuar të bëjnë një raport për këtë çështje gjyqësore, duke ekzaminuar një person në përputhje me këtë protokoll.

    Më tej, për shkak të ndjeshmërisë së rastit seanca kohë pas kohë ka kaluar në seancë private.

    Ekspertja Prinsen ka sqaruar se simptomat më të zakonshme të torturës dhe ndalimit arbitrar janë shmangia e ngjarjeve të tilla, ndjenja e fajësisë dhe e turpit, zymtësi, shkëputje nga realiteti dhe se mendojnë vetëm se çfarë iu ndodhur si dhe çrregullimi i stresit pas-traumatik, janë të lidhura me pasojat e torturës dhe trajtimit çnjerëzor.

    Seanca po vazhdon në sesion privat.

  • Shtyhet gjykimi për vrasjen me thikë në Fushë-Kosovë

    Shtyhet gjykimi për vrasjen me thikë në Fushë-Kosovë

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë me kërkesë të mbrojtjes së të akuzuarve Atdhe Musliu dhe Labinot Bajrami, është shtyrë seanca fillestar e paraparë të mbahej të hënën, në rastin ku Musliu dhe Bajrami po akuzohen se në bashkëkryerje privuan nga jeta A.H. duke e goditur me thikë në kraharor.

    Në fillim të seancës, mbrojtësi i të akuzuarit Musliu, avokati Taulant Broqi ka deklaruar se nga prokurori Armend Hamiti ishte njoftuar të enjten se ishte ngritur aktakuza dhe që duhej të pajisen me shkresa të lëndës, por për shkak kohës së shkurtër të njoftimit nuk kanë mundur të pajisen, prandaj nuk ishin të gatshëm të deklarohen në këtë seancë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Andaj, i njëjti i ka propozuar gjykatës që seanca e sotme të shtyhet për një datë tjetër.

    Po ashtu, mbrojtësi i të akuzuarit Bajrami, avokati Valdet Zeqiri ka propozuar që seanca e sotme të shtyhet, me arsyetimin se nuk ishin pajisur me të gjitha shkresat e lëndës, përkatësisht CD.

    Të akuzuarit Musliu dhe Bajrami kanë mbështetur në tërësi propozimin e mbrojtësve të tyre.

    Ndërkaq, prokurori Armend Hamiti fillimisht ka bërë një përmirësim teknik në aktakuzë, ashtu që Shqipe Kryeziu është edhe e dëmtuar dhe dëshmitare.

    Ndërsa sa i përket CD, prokurori Hamiti ka sqaruar se nuk kanë mundur të barten për shkak se edhe në konsultim me IT, DVD nuk janë duke mundësuar që të barten materialet e që është provuar edhe DVD tjera por deri më sot ka qenë e pamundshme.

    Ndërsa, sa i përket kërkesës së mbrojtjes për shtyrje të seancës, i njëjti nuk e kundërshtoi.

    Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Behar Ejupi tha se si palë e dëmtuar janë të interesuar që në këtë çështje penale të procedohet duke mos bërë shkelje të Kodit të Procedurës Penale. Ai tha se pala e dëmtuar është e interesuar që gjendja faktike të vërtetohet drejt dhe të merret parasysh parimi i ekonomizimit që çdo shkelje eventuale mund të rezultojë në prishje të aktgjykimit të shkallës së parë nga gjykata e shkallës së dytë, nëse ka ankesë.

    Më pas, gjykatësi Ngadhnjim Arrni mori aktvendim, me të cilin aprovoi propozimin e mbrojtësve të të akuzuarve që shqyrtimi fillestar të caktohet për një datë tjetër.

    Seanca e radhës për këtë çështje penale u caktua më 5 shtator 2023.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 9 gusht 2023, të akuzuarit Atdhe Musliu dhe Labinot Bairami më 12 shkurt 2023, në rrugën “Pjetër Budi” në Fushë-Kosovë, për shkak të mosmarrëveshjeve të atëçastshme, fillimisht i akuzuari Bajrami e ka sulmuar dhe goditur me grushte e shqelma dhe me sende të forta të dëmtuarin A.H, i cili tenton të ikë t’i shmanget sulmit, por të akuzuarit Atdhe dhe Labinot e ndjekin dhe vazhdojnë përsëri ta godasin me grushte e shqelma dhe me sende të forta, e më pas me qëllim e privimit nga jeta, i akuzuari Musliu e ka goditur me thikë në pjesën e kraharorit – anën e majtë, duke e privuar nga jeta të dëmtuarin- tani të ndjerin A.H.

    Me këtë, akuzoehse në bashkëkryerjeje të akuzuarit Musliu dhe Bajrami kanë kryer veprën penale “Vrasje” nga neni 172 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

    Sipas dispozitivit të dytë të së njëjtës aktakuzë, i akuzuari Musliu më datë, kohë dhe vend të njëjtë si në dispozitivin e parë, është gjetur se pa autorizim e në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, ka mbajtur në pronësi armën – thikën, ku me vërtetimin mbi konfiskimin e përkohshëm të gjësendeve i është konfiskuar.

    Me këtë, Musliu akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtje në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

  • ​Caktohet seanca e apelit në çështjen kundër Salih Mustafës

    ​Caktohet seanca e apelit në çështjen kundër Salih Mustafës

    Paneli i Gjykatës së Apelit e ka caktuar seancën në çështjen ndaj Salih Mustafës, për datat 26 dhe 27 tetor të këtij viti.

    Kjo është bërë e ditur përmes një urdhri të publikuar në faqen e Gjykatës Speciale.

    Sipas njoftimit, gjykimi do të mbahet nga ora 13:30 deri në 17:10 me datën 26 tetor, ndërsa nga 09:30 deri në 11:05 një ditë më vonë.

    Në muajin shkurt, mbrojtja e Salih Mustafës kishte bërë të ditur dorëzimin e nëntë shkaqeve të apelimit, pas dënimit me 26 vjet burgim i cili ju shqiptua në dhjetor të vitit të kaluar.

    Prokuroria pretendon se Mustafa ka kryer krime lufte dhe akuzat që rëndojnë mbi të janë: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë, vrasje e paligjshme, ndërsa ai është shpallur fajtor për pikën 1, 3 dhe 4.

    Gjykimi ndaj Mustafës kishte nisur më 15 shtator të vitit 2021 dhe janë mbajtur seanca në 52 ditë.

    Janë tetë persona që janë pranuar si viktima dhe që kanë marrë pjesë në këtë proces gjyqësor, ndërsa janë dëgjuar 13 dëshmitarë të ZPS-së dhe 15 të mbrojtjes.

    Shumë nga dëshmitarët e prokurorisë kanë qenë të mbrojtur, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.

    Në fillim të këtij procesi Salih Mustafa, ndaj të cilët rëndojnë akuza me pretendimin për krime lufte, ishte deklaruar i pafajshëm para trupit gjykues.

    Sipas Dhomave të Specializuara “Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se “në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”./KP

  • ​Pse Shqipëria nuk merr pjesë në darkën joformale në Greqi?

    ​Pse Shqipëria nuk merr pjesë në darkën joformale në Greqi?

    Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, do të mirëpresë mbrëmjen e së hënës në një takim joformal në Athinë liderë të rajonit e të Bashkimit Evropian.

    Shqipëria është ndër vendet që kishte marrë ftesë për të qenë në këtë takim, mirëpo presidenti Bajram Begaj nuk do të shkojë.

    Burime zyrtare i kanë thënë RTSH-së procedurën e ftesës dhe pamundësinë e kreut të shtetit shqiptar për të qenë në takim, duke përjashtuar me këtë ekzistencën e arsyeve të tjera për të mos qenë atje.

    Ftesa e mbërritur më 14 gusht nga kryeministri Mitsotakis për darkën joformale të 21 gushtit në Athinë ka marrë përgjigje zyrtare një ditë më pas, më 15 gusht 2023, nga kreu i shtetit shqiptar.

    Pasi vlerëson vëmendjen e kryeministrit grek, Mitsotakis, për zhvillimet e lidhura me sigurinë e Evropës, presidenti Begaj i është përgjigjur i keqardhur kryeministrit për pamundësinë e pjesëmarrjes për shkak të një agjende të përcaktuar më herët.

    Habi bëri fakti edhe që ftesa është dërguar te Begaj dhe jo te kryeministri Edi Rama, i cili ka përfaqësuar Shqipërinë në evente të tilla. Mirëpo, mediat greke shkruajnë se duket se ky ka qenë mesazhi diplomatik i Greqisë për çështjen e njohur tashmë “Bejleri”.

    Çështja e kryetarit të Himarës, Fredi Bejleri, që solli edhe disa debate në distancë mes autoriteteve më të larta të Shqipërisë dhe Greqisë, u hamendësua edhe si arsye që Begaj ka refuzuar ftesën e Mitsotakis.

    Kryetari i zgjedhur i Himarës, Bejleri gjendet në paraburgim me dyshimet për blerje votash për zgjedhjet e fundit, ndërsa nuk po i lejohet as të kryejë betimin si kryetar.

    Përveç Shqipërisë, ftesës së Greqisë nuk i është përgjigjur pozitivisht as lideri i Sllovenisë.

  • Haradinaj akuzon Kurtin se po krijon sistem paralel me jarana e dosta

    Haradinaj akuzon Kurtin se po krijon sistem paralel me jarana e dosta

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Albin Kurti është i vetmi kryeministër që nuk i beson sistemit të shtetit të vet, por krijon sistem paralel.

    Haradinaj ka shkruar në Facebook se Kurti edhe për operacionet më të ndjeshme të qeverisjes e të shtetit, që prekin edhe sigurinë kombëtare, angazhon njerëz që janë jashtë institucioneve, por që mjafton të jenë jarana të tij, siç ishte edhe rasti me Ridvan Muharremin.

    “Këto janë ato lidhjet e shkurtra të kapjes së shtetit me miq e dosllarë, për të cilat e kam pas ngritur alarmin këtu e një vit më parë, lidhje këto të cilat po dalin në shesh përditë e më shumë”, ka shkruar ai.

  • Sulmuesit e Valon Sylës nuk ngriten në këmbë pasi u kërkoi gjyqtarja: Është jashtë rregullave fetare

    Sulmuesit e Valon Sylës nuk ngriten në këmbë pasi u kërkoi gjyqtarja: Është jashtë rregullave fetare

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po mbahet seanca fillestare ndaj të akuzuarve Lum Dervishi, Kenan Hasani dhe Okan Hasani, të cilët ngarkohen për sulm ndaj gazetarit Valon Syla, ku të njëjtit nuk u ngritën në këmbë gjatë leximit të aktakuzës nga prokurorja speciale Fikrije Fejzullahu.

    Të akuzuarit kur u pyetën se përse nuk u ngritën në këmbë kur ua kërkoi gjykatësja Violeta Namani, thanë që është jashtë rregullave fetare dhe se nuk është çështje e rëndësishme, duke kërkuar që të mos humbet kohë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Më pas, gjykatësja tha se nuk e sheh të rëndësishme që të akuzuarit të ngriten në këmbë dhe se të njëjtit do të ngriten kur t’iu lexohet aktakuza.

    E gjithë kjo ndodhi pasi prokurorja speciale kërkoi që të konstatohet nga gjykatësja Violeta Namani se cilat janë arsyet e mosrespektimit të rregullave procedurale.

    Gjykimi po vazhdon me deklarimin e të akuzuarve lidhur me akuzën.

    Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovë, më 4 gusht 2023 ka ngritur aktakuzë ndaj Lum Dervishit, Kenan Hasanit dhe Okan Hasanit, për sulm ndaj gazetarit Valon Syla.

    Sipas njoftimit nga PSRK, thuhej se aktakuza është ngritur ndaj tre të pandehurve, pasi që ekziston dyshimi i bazuar mirë se të njëjtit, të motivuar me ideologji ekstreme radikale islame përkatësisht të besimit fetar, e kanë sulmuar fizikisht dhe i kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore të dëmtuarit, gazetarit, Valon Syla.

    “Me këto veprime të pandehurit L.D, K.H dhe O.H. në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale ‘’Lëndimi i lehtë trupor’’ nga neni 185 paragrafi 3 nën paragrafi 3.1 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të KPRK-së”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

  • Mediat malazeze: Sulmi nuk ishte planifikuar për Abazoviqin

    Mediat malazeze: Sulmi nuk ishte planifikuar për Abazoviqin

    Mediet malazeze raportojnë se kryeministri i vendit, Dritan Abazoviq (Abazoviq), është evakuuar mbrëmjen e djeshme nga një diskotekë në Budva, pasi u bë dëshmitar i një konflikti mes personave të tjerë.

    Portali “CdM” citoi jozyrtarisht policinë vendase se vetë kryeministri nuk ishte viktimë e sulmit.

    “Kishte shtyrje mes disa personave dhe Abazoviqi ishte duke ecur drejt daljes në atë moment,” tha policia jozurtarlisht për “CdM”.

    Media serbe “Kurir”, me një lajm ekskluziv, raportoi më herët se një person tentoi ta godasë dhe e shau kryeministrin në mesin e turmës teksa ndiqej performanca e artistit Dino Merlin në “Top Hill”.

    Sipas dëshmitarëve, kreu i qeverisë malazeze, Abazoviq, u evakuua nga policia dhe rojat personale të sigurisë, ndërsa disa persona u shoqëruan në lidhje me ngjarjen.

  • Varianti i ri i COVID-19 mbërrin edhe në Izrael

    Varianti i ri i COVID-19 mbërrin edhe në Izrael

    Një variant i ri i COVID-19 i quajtur BA.2.86, është identifikuar për herë të parë në Izrael, njoftuan mediat lokale të dielën.

    Organizata e Transmetimeve Publike të Izraelit (KAN) konfirmoi praninë e variantit, duke shënuar rastin e katërt të njohur në mbarë botën pas identifikimit të tij në SHBA, MB dhe Danimarkë.

    Organizata vuri në dukje se numri i madh i mutacioneve të bartura nga varianti i ri, BA.2.86 mund t’i bënte vaksinat joefektive, duke shqetësuar kështu Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

    Më herët, OBSH e caktoi BA.2.86 si një “variant nën monitorim” për shkak të mutacioneve të shumta që mbart. (AA)

  • Katër të arrestuar për të shtëna me armë zjarri në ahengje familje

    Katër të arrestuar për të shtëna me armë zjarri në ahengje familje

    Katër persona janë arrestuar dje për armëmbajtje pa leje dhe të shtëna me armë zjarri në ahengje familjare.

    Sipas raportit 21 orësh të policisë janë arrestuar katër të dyshuar në lokacione të ndryshme për të njëjtën vepër penale.

    Në rrugën “Vitor Majer” në Prishtinë është arrestuar një i dyshuar për të shtëna me armë zjarri në një aheng familjar dhe i është sekuestruar një armë me gas, ndërkaq pas intervistimit me urdhër të prokurorit i arrestuari është liruar me procedurë te rregullt.

    Po ashtu edhe në Gjakovë është arrestuar një i dyshuar për të shtëna me armë zjarri në një aheng familjar dhe njësitet e policisë kanë dalë në vendin e ngjarjes.

    Të dyshuarit i janë sekuestruar një pistoletë me gas dhe tre fishekë i njëjti është liruar me procedurë të rregullt me urdhër të prokurorisë.

    Gjithashtu në fshatin Grabanicë të Klinës dhe në Banjë të Malishevës janë arrestuar edhe dy të dyshuar pas të shtënave me armë zjarri në ahengjet e tyre familjare, dhe u janë sekuestruar armët dhe disa fishek.

    Më pas janë liruar me procedurë të rregullt pas intervistimit më urdhër të prokurorisë.