ATV

Category: Lajme

  • Në shtator udhëzimi gati, zgjedhjet e reja në veri në duar të votuesve serbë

    Në shtator udhëzimi gati, zgjedhjet e reja në veri në duar të votuesve serbë

    Pas 1 shtatorit, zgjedhjet e reja në veri të vendit do të mbeten në vullnetin e votuesve në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi tha se procesi do të determinohet këto ditë. Kryesuesi i grupit punues që po e harton një udhëzim administrativ për këtë çështje tregoi se çfarë mbetet deri në zgjedhjen e kryetarëve të rinj atje.

    Procesi i zgjedhjeve të reja në veri do të determinohet në ditët në vijim, tha sot ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. Një grup zyrtarësh në këtë ministri që nga fillimi i këtij muaji po punojnë për ta hartuar një udhëzim administrativ që do t’i hapte rrugë zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të vendit, duke i larguar fillimisht kryetarët aktualë nga detyrat.

    Krasniqi tha se si ministër e ka kryer pjesën e tij të punës për zgjedhjet, duke mos dashur të flasë më shumë për produktin (udhëzimin administrativ), që pritet të dalë më 1 shtator.

    “Sa i përket zgjedhjeve në veri, është një proces që do të determinohet në ditët në vijim. Si ministri dhe si ministër kam mbuluar përgjegjësinë time duke filluar me udhëzimin administrativ, i cili parasheh të drejtën e qytetarëve për mbledhjen e nënshkrimeve për largimin e kryetarëve nga detyra”, tha ai gjatë një vizite në Gjakovë.

    “Kjo nuk është për veriun, kjo mund të aplikohet nesër edhe për kryetarin e Gjakovës dhe cilindo kryetar të komunave të Kosovës. Kështu që në këtë moment nuk dua të diskutoj më shumë rreth produktit për shkak se në fund të muajit do të kemi një produkt nga grupi punues dhe atëherë mund të bashkëbisedojmë për përmbajtjen e tij”, shtoi Krasniqi.

    Deri tash, ministri tha se “gjithçka është në rregull” dhe se “është duke shkuar mirë” puna e grupit punues për hartimin e udhëzimit administrativ. Ai tregoi se zyrtarët i kanë zhvilluar dy takime, duke theksuar se “nuk mund të jap asnjë detaj shtesë”.

    Pas udhëzimit administrativ, çka mbetet deri në zgjedhje?

    Besim Myrtezani, kryesues grupit punues të caktuar nga Ministria, i tha Gazetës Express se po i përgatisin “krejt detajet” që do t’i përmbajë udhëzimi administrativ për caktimin e procedurave dhe afateve për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave.

    Ai tregoi se udhëzimi administrativ do t’i përmbajë të gjithë hapat që duhen ndjekur deri në largimin e kryetarëve.

    “Parashihen krejt hapat, prej fillimit të procedurës, iniciativës qysh shkon deri te pjesa e dërgimit të peticionit në KQZ. E KQZ-ja i organizon votimet për largim”, tha Myrtezani

    Projekt-dhëzimi administrativ parashihet të procedohet te zyra e sekretarit të përgjithshëm të MAPL-së deri më 1 shtator dhe siç tregoi kryesuesi, atë “e nënshkruan ministri”.

    “Dhe pas shpalljes në Gazetën Zyrtare dhe hyrjes në fuqi, qytetarët kanë të drejtë ta nisin iniciativën pas udhëzimit”, tha ai.

    Myrtezani tha se më pas mbetet në vullnetin e qytetarëve të vendosin nëse duan të nisin peticion për largimin e kryetarëve. Nëse procedohet edhe me peticionin, në votime nevojiten 50% plus një votë për t’i larguar kryetarët aktualë nga detyrat.

    Sipas nenit 72 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, kërkesa për largimin e një kryetari të komunës duhet nënshkruar nga 20% e votuesve dhe duhet t’i dorëzohet kryesuesit të kuvendit të komunës, “i cili e paraqet çështjen në institucionin përkatës për administrimin e votimit”.

    “Nëse shumica e votuesëve të regjistruar votojnë për largimin e kryetarit, zgjedhjet e reja për kryetar duhet të bëhen në pajtim me Ligjin mbi zgjedhjet”, thuhet në pikën 3 të këtij neni.

    Kryeministri Albin Kurti pati thëmë më 26 korrik se po bëheshin gati për zgjedhje të reja në veri, saktësisht dy muaj pasi kryetarët e rinj shqiptarë atje u futën në objektet komunale me ndihmë të Policisë. Pak ditë më pas, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal nisi procedurën për hartimin e udhëzimit administrativ lidhur me iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave.

    Lëvizja e Qeverisë drejt zgjedhjeve të reja erdhi pasi me Bashkimin Europian më 10 korrik u arrit një marrëveshje për për shtensionimin e situatës në veri të vendit, e nënshkruar nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe emisari i BE-së, Miroslav Lajçak në Bratisllavë.

    Qeveria u pajtua, siç njoftoi vetë, që “pёrmes njё deklarate publike mbёshtet mbajtjen e zgjedhjeve tё parakohshme nё 4 komunat nё veri tё vendit dhe atё pas stinёs sё verёs” dhe që ta “shpreh pёrkushtimin pёr sigurimin e bazёs sё nevojshme ligjore pёr tё mundёsuar organizimin e kёtyre zgjedhjeve”.

    BE-ja preferonte që zgjedhjet të bëheshin përmes dorëheqjeve të kryetarëve aktualë për shkak të rrugës më të shkurtër, por kryeministri Albin Kurti insistoi se nuk mund t’i detyrojë ata që ta bëjnë këtë gjë. Shefi i Qeverisë e theksonte vazhdimisht nenin 72 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale që parasheh rrugën drejt zgjedhjeve përmes ndërmarres së iniciativës për këtë nga vetë votuesit.

  • Maqedonci takohet me komandatin e KFOR-it, bisedojnë për situatën e sigurisë në vend

    Maqedonci takohet me komandatin e KFOR-it, bisedojnë për situatën e sigurisë në vend

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, sot ka pritur në takim komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, i cili fillimisht i uroi ministrit Maqedonci sukses në punë gjatë mandatit të tij.

    Nga ana e tij, ministri Maqedonci shprehu falënderimin për vizitën e tij si dhe mirënjohjen për kontributin e KFOR-it, në shërbim të sigurisë së vendit por edhe në sigurinë rajonale. Gjithashtu, ministri Maqedonci e njoftoi Gjeneralin Ristuccia, lidhur me proceset aktuale si dhe synimet për të ardhmen, ku një ndër objektivat kryesore është integrimi në organizatat euroatlantike.

    Ndër tjerash, në këtë takim u bisedua lidhur me situatën e sigurisë në vend, ku të dy bashkëbiseduesit e theksuan se bashkëpunimi i ngushtë mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së me KFOR-in do të vazhdojë edhe më tej në kuadër të mandateve që kanë, në shërbim të sigurisë së gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

  • MASHT shqyrton mundësinë që prindërit t’ua blejnë vet librat nxënësve, thotë se do ua jap paratë

    MASHT shqyrton mundësinë që prindërit t’ua blejnë vet librat nxënësve, thotë se do ua jap paratë

    Ministria e Arsimit ka thënë se është duke e shqyrtuar seriozisht mundësinë e kalimit të përgjegjësisë për blerjen e teksteve shkollore te prindërit.

    Zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi ka thënë se mjetet për blerjen e teksteve shkollore do të paguhen nga buxheti i shtetit përmes rimbursimit.

    Kelmendi, i paraqitur në një konferencë për media së bashku me ministren Arbërie Nagavci të hënën, tha se mjetet për blerjen e teksteve shkollore do t’u kalohen prindërve përmes platformës e-kosova.

    “Jemi duke e shqyrtuar mundësinë që mjetet për blerjen e librave të kalojnë drejtpërdrejt për prindrit. Në bashkëpunim me Ministrinë e Financave jemi në përfundim të modulit për aplikim në platformën e-kosova dhe shumë shpejt do ta bëjmë publik linkun ku mund të aplikojnë të gjithë prindrit dhe kujdestarët e fëmijëve”, ka thënë Kelmendi.

    Ai ka pohuar se ka dështuar procesi i negocimit për blerjen e librave shkollore direkt nga Ministria e Arsimit.

    Kelmendi ka akuzuar shtëpitë private botuese për çmime të papërballueshme të teksteve shkollore.

    “Ne edhe këtë vit kemi zgjedhur një kryenegociues nga MASHT-i, i cili ka negociuar për çmimin e librave shkollore veç e veç për secilin libër. Edhe pas shumë tentimeve për të zbritur çmimet në nivelin e përmballueshëm për buxhetin e ndarë për tekstet shkollore, shtëpitë botuese nuk kanë pasur mirëkuptim. Madje, së fundmi ata na kanë dërguar letër se çmimet e tyre janë të panegociueshme më tutje. Kjo situatë është e papërballueshëm për MASHT-in dhe buxhetin e shtetit”, ka thënë ai.

    “Për shembull libri Shtëpia dhe Mjedisi, bashkë me fletoren ndihmëse kap shifrën e 27 euro. Sigurisht kjo shifër është e papërballueshme për buxhetin e shtetit”, ka deklaruar Kelmendi.

  • ​Tërmeti trondit disa pjesë të Kalifornisë derisa stuhia “Hilary” sjell shi dhe përmbytje

    ​Tërmeti trondit disa pjesë të Kalifornisë derisa stuhia “Hilary” sjell shi dhe përmbytje

    Ndërsa njerëzit në të gjithë Kaliforninë Jugore u strehuan nga Uragani “Hilary”, goditi një tjetër fatkeqësi natyrore – një tërmet me magnitudë 5.1 ballë.

    Epiqendra e tij ishte në veriperëndim të Los Anxhelosit dhe së shpejti u bë shpërnda në mediat sociale.

    Ai nuk shkaktoi dëme të mëdha dhe uragani gjithashtu është reduktuar në një ciklon post-tropikal, shkruan BBC.

    Kryetarja e Los Anxhelos, Karen Bass, tha se mbi 100 stacione zjarrfikëse po kontrollonin ndërtesat për dëmtime. Zonja Bass tha në një postim në Twitter se nuk kishte raporte fillestare për dëmtime strukturore të shkaktuara nga tërmeti ose ndonjë lëndim.

    Ajo paralajmëroi se ka të ngjarë të ketë më shumë pasgoditje gjatë ditëve të ardhshme.

    Tërmeti goditi në të njëjtën kohë me ciklonin posttropikal “Hilary”, i cili la shumë banorë të pasigurt se ku duhet të kërkonin strehim.

    Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, shpalli një gjendje të jashtëzakonshme në pjesën më të madhe të Kalifornisë Jugore, me më shumë se 7,500 trupa ushtarakë të dislokuar për të ndihmuar njerëzit.

  • Abazi: Sektori i energjisë është dështimi i radhës i Kurtit

    Abazi: Sektori i energjisë është dështimi i radhës i Kurtit

    Ish deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi ka kritikuar kryeministrin, Albin Kurti në lidhje me qasjen e tij ndaj sektorit të energjisë.

    Ai ka thënë se ky sektorë është dështimi i radhës së tij.

    Abazi ka thënë se Kurti doli në konferencë për të marrë poena por afati mbyllet dy ditë pasi hapet konkursi dhe ai më nuk paraqitet.

    Para katër ditëve në prezencë e me fjalim të Kurtit u hap mundësia për aplikim për intervenim për rritje të efiçiencës të përdorimit të energjisë dhe për pajisje efiçiente. Nismë për të thënë e për t’përshëndetur.

    Afati për aplikim sipas raportimeve është mbyllur pas dy ditëve. Çfarë të thuhet, si të shpjegohet apo kush janë këta njerëz që shtetin e shohin si lodër fëmijësh. Natyrshëm Kurti del në konferencë për shtyp me ministrat kur duhet të përfitoj ndonjë poen, por ngaqë thellësisht manipulator nuk paraqitet kur dështimi është i qartë dhe pas dy dite mbyllet konkursi.

    Kthehemi te energjia dhe efiçienca dhe mbajmë vështrimin thjeshtë dhe pa komplikime.

    Pajisjet efiçiente dhe subvencionimi tyre si program është aplikuar me vite në Kosovë me fondet e Bashkimit Evropian. Përfituesit kanë qenë shitësit e pajisjeve, frigoriferë, shporeta, bojlerë, ujtitë etj. Dmth ky program është i dështuar sepse pajisjet blihen dhe kthehen për të përfituar diferencën në kesh. Pyetni ekspertin nga Shqipëria që ka udhëhequr këtë program në Kosovë.

    Gjithashtu ky lloj subvencionimi sikur edhe në rastin e pompave termike e prish tregun sepse ngrit kërkesën pa nevojë dhe rrjedhimisht edhe çmimin. Në rastin e pompave termike, çmimi për njësi është ngritur deri në 35-40%. Një pompë termike që në Maqedoni të V. kushton 6000 euro në Kosovë në kohën e subvencionimit është shitur 10,000 euro dhe vazhdon. Poashtu rritja artificiale nëpërmjet subvencioninit e kërkesës në treg dhe koha e shkurtër për aplikim dhe lëvrim të grantit në njërën anë dhe mungesës së plotë të përshkrimit të saktë të specifikacionit teknik dhe kritereve, ka sjellur në treg dhe janë instaluar pajisje që janë joefiçiente, të pa standardizuara e me raste edhe me gazra që nuk pranohen në BE.

    Përkrahja me paratë e taksapaguesve për izolim të shtëpive dhe hapsirave të banuara është duke u bërë pa ligjin për ndërtim, pa standardet teknike, pa specifikacion teknik, pa përshkrim të standardeve të dyerve dhe dritareve, pa standard të llojit të xhamit (qelqit), pa kualifikim të kryersve të punëve apo mbikqyrjes së realizimit teknik. Dmth vazhdim i njejtë se si janë bërë punët në të kaluarën, qëllimi është tenderi, shpenzimi i buxhetit dhe ndonjë foto në facebook apo video në instagram apo të dyja kinse çdo gjë është në rregull.

    Puna mbarë, po kjo nuk është as afër asaj çfarë është premtuar! Në fakt është keqpërdorim, keqmenagjim i thellë i fondeve publike dhe padituri e përgaditjes dhe dizajnimit të politikave publike dhe zbatimin e tyre.

  • Aksident trafiku me fatalitet në Drenas, vdes një person dhe 3 të tjerë lëndohen

    Aksident trafiku me fatalitet në Drenas, vdes një person dhe 3 të tjerë lëndohen

    Gjatë ditës së sotme ka ndodhur një aksident në Çikatovë të vjetër të Drenasit me pasoja fatale.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

    “Rreth orës 12:30 kemi pranuar informatën se në fshatin Çikatovë e vjetër -Drenas, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident ka qenë i përfshirë një automjet, ngasësi i të cilit për shkaqe të panjohura deri më tash ka humbur kontrollin mbi automjetin dhe është aksidentuar. Si pasojë e aksidentit, lëndime trupore kanë pësuar katër persona, një prej tyre nuk ka arritur t’i përballojë plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë”, tha Ahmeti.

    Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në QMF (Qendrën e Mjekësisë Familjare) në Drenas, ndërsa me rastin po merret hetuesia nga njësiti i trafikut rrugor.

  • Një i vdekur nga ​zjarri në Prodromos të Greqisë

    Një i vdekur nga ​zjarri në Prodromos të Greqisë

    Një burrë vdiq të hënën në një zjarr që shpërtheu në Prodromos, Greqi, më herët në mëngjes. Sipas policisë, i vdekuri ishte një bari 80-vjeçar, i cili nxitoi të shpëtonte delet e tij pasi mori një mesazh për të evakuuar fshatin.

    “Fronti i zjarrit është shumë i madh dhe në zonë po fryjnë erëra të forta. Ne po përpiqemi shumë ta kontrollojmë,” tha kryetari i bashkisë së Thivës, Giorgos Anastassiou për agjencinë e lajmeve ANA-MPA.

    Sipas kryebashkiakut, një vendbanim pranë fshatit Sarantis është evakuuar tashmë pas një mesazhi të dërguar në numrin e urgjencës 112.

    “Aktualisht zjarri është më pak se 1 km larg shtëpive por erërat janë shumë të forta. Katër helikopterë dhe forca zjarrfikëse nga toka së bashku me makineritë e bashkisë po operojnë në zonë. Është shumë e vështirë sepse aeroplanët zjarrfikës nuk mund të fluturojnë me erë kaq të fortë. ”, tha kryebashkiaku.

  • 12 të vdekur në Turqi pas një aksidenti me autobus

    12 të vdekur në Turqi pas një aksidenti me autobus

    12 persona kanë vdekur pasi një autobus pasagjerësh doli nga rruga dhe u përplas në një kanal buzë rrugës në Turqinë qendrore të hënën.

    19 persona të tjerë janë lënduar raporton AP.

    Shoferi i autobusit humbi kontrollin e automjetit, i cili kaloi në korsinë e ardhshme dhe më pas u zhyt në hendek pranë qytetit qendror turk të Yozgatit, tha guvernatori Mehmet Ali Ozkan.

    Autobusi po udhëtonte nga Sivas – rreth 240 kilometra (150 milje) në lindje të Yozgat – për në Stamboll.

    Ozkan tha se 11 nga pasagjerët vdiqën në vendin e aksidentit ndërsa një vdiq më vonë në spital.

    Pasagjerët e lënduar po trajtoheshin në spitalet e afërta dhe njëri prej tyre ishte në gjendje të rëndë, tha ai.

    Shkaku i përplasjes është nën hetim, tha Ozkan, duke shtuar se ai dukej se ishte rezultat i “pakujdesisë” nga shoferi.

  • Stuhia tropikale “Hilary” lëviz nëpër Kaliforni me erëra dhe shi të fuqishëm

    Stuhia tropikale “Hilary” lëviz nëpër Kaliforni me erëra dhe shi të fuqishëm

    Stuhia tropikale “Hilary” po lëviz nëpër Kaliforninë Jugore me erëra dhe shi të fuqishëm, ndërsa banorët përballen me shtyllat e energjisë elektrike të rrëzuara, rrugët e përmbytura dhe urdhrat e evakuimit.

    “Hilary” parashikohet të vazhdojë të lëvizë në veri përmes Kalifornisë dhe të shpërndahet mbi Nevadan qendrore të hënën, duke sjellë sasi të reshjeve “potencialisht historike” gjatë rrugës që mund të shkaktojnë më shumë përmbytje, rrëshqitje dheu dhe rrjedha mbeturinash, sipas Shërbimit Kombëtar të Motit, shkruan CNN.

    “Zonat që normalisht nuk përjetojnë përmbytje të menjëhershme do të përmbyten”, tha Shërbimi Kombëtar i Motit. Jetët dhe pronat janë në rrezik të madh deri të hënën.

    “Hilary”, e cila dikur ishte një uragan, u dobësua ndërsa arriti në tokë të dielën në Meksikë, ku të paktën një person vdiq, më pas kaloi në Golden State. Qendra e stuhisë ishte afërsisht 10 milje në juglindje të qendrës së Los Anxhelosit rreth orës 20:00. Sipas Qendrës Kombëtare të Uraganeve, të dielën sipas kohës lokale, duke lëvizur në veri me erëra të dobësuara 45 mph.

    Është hera e parë që një stuhi tropikale ka rënë në gadishullin Baja të Meksikës dhe ka vazhduar në veri në Kaliforni që nga uragani “Nora” në 1997.

    Ndërsa stuhia është dobësuar ndjeshëm, ajo ende po godet Kaliforninë me mot ekstrem ndërsa lëviz më tej, duke sjellë frikë të vazhdueshme se përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut mund të bëhen vdekjeprurëse.

    Më shumë se 7 milionë njerëz, përfshirë ata në qendër të Los Anxhelosit, janë nën një paralajmërim për përmbytje të shpejtë deri të hënën herët në mëngjes.

  • Nxënësit në veri do të kthehen sërish në bankat shkollore

    Nxënësit në veri do të kthehen sërish në bankat shkollore

    Viti shkollor në komunat në veri të Kosovës do të fillojë më 1 shtator në institucionet arsimore dhe nuk do të ketë mësim online, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë drejtori i Shkollës së Mesme Teknike në Leposaviq, Sllagjan Radoviq.

    Siç tha ai, për këtë janë njoftuar nga administrata e shkollës për Kosovën, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Arsimit në Qeverinë e Serbisë. Institucionet arsimore në komunitetet serbe në Kosovë punojnë brenda sistemit serb.

    Disa prindër nga komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës javën e kaluar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë shprehën shqetësimin se viti shkollor mund të fillojë në një format online për “shkaqe sigurie”.

    Mirëpo, drejtori Radoviq pohon se bëhej fjalë për “dezinformim” dhe se nxënësit do të kthehen sërish në bankat e shkollës.

    “Çdo lloj mësimi tjetër, përveç atij të menjëhershëm, do të ishte i keq, para së gjithash, për studentët”, thotë ai.

    Ndryshe, mësimi në komunat në veri të Kosovës – Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – u ndërpre në fund të majit kur u ngritën tensionet për shkak të hyrjes së kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale përmes ndihmës së policisë.

    Situata u përshkallëzua më 29 maj në Zveçan, kur protestuesit u përplasën me anëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it.

    Institucionet arsimore në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok janë të vendosura në afërsi të objekteve komunale ku ende ndodhet Policia e Kosovës, ndërsa aty pranë janë edhe pjesëtarët e KFOR-it.

    Drejtori i shkollës së mesme në Leposaviq, Sllagjan Radoviq, thekson se nga 1 shtatori, KFOR-i duhet të garantojë sigurinë e fëmijëve që shkojnë në shkollë.

    Para majit të këtij viti, mësimi në komunat në veri të Kosovës ishte ndërprerë edhe më herët për shkak të “përkeqësimit” të situatës së sigurisë, kur u ngritën barrikada për të mos e lejuar zbatimin e një vendimi nga autoritetet kosovare.