ATV

Category: Lajme

  • 10 ditë para fillimit të mësimit, MASHT i ndërron mënyra e blerjes së librave

    10 ditë para fillimit të mësimit, MASHT i ndërron mënyra e blerjes së librave

    PËRGATITI: SARA SHEHU

    Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka bërë të ditur se do të ndahen mjete për prindërit e nxënësve në mënyrë që ato të shpenzohen për blerjen e librave. Ministrja Arbërie Nagavci, tha se kanë arritur në këtë përfundim për shkak të keqpërdorimeve me çmime nga shtëpitë botuese.

    Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Kosovës po e shqyrton mundësinë t’ua transferojë paratë prindërve në mënyrë që ata t’i blejnë pastaj tekstet shkollore për fëmijët e tyre për vitin e ri shkollor.

    Kështu ka njoftuar nëpërmjet një konference për media ministrja Arbërie Nagavci, 10 ditë para fillimit të vitit të ri shkollor.

    “Sivjet po shqyrtojmë mundësinë që transfermimin e mjeteve për tekste shkollore të bëhet në llogari të prindërve dhe të njëjtit t’i blejnë tekstet për fëmijët e tyre. Mënyra si është menduar që të bëhet rimbursimi i mjeteve ka të bëjë me mjetet në llogari të prindërve. Është dizajnuar faqja në e-Kosova. Pjesa më e madhe e prindërve i kanë të hapura llogarit dhe është proces i lehtë. Prindi në momentin që e identifikon veten, automatikisht dalin emrat e fëmijëve dhe do të sigurohemi që çdo gjë të shkojë në rregull. Pagesa do të bëhet paraprakisht dhe mjetet të shfrytëzohen për blerjen e librave që nuk do të ketë nevojë të ofrohen faturave”.

    Të bindur se procesi mësimor do të fillojë më 1 shtator, udhëheqës të kësaj ministrie thanë se në të kaluarën ka pasur keqpërdorime lidhur me kontratat me shtëpitë botuese.

    “Kemi pas jo veten dallim nga viti në vit por edhe dallime për tekstet e të njëjtës klasë nga shtëpitë e ndryshme botuese me çmime”

    “Kemi zgjedhur një negociues nga MASHT-i që brenda afateve ligjore ka negociuar çmimin për secilin libër, edhe pas shumë tentimeve për çmim të përballueshëm, shtëpitë botuese nuk e kanë pasur mirëkuptimin. Dhe së fundmi kanë dërguar letra se çmimet e tyre janë të panegociueshme. Kjo situatë është e papërballueshme për MASHT-in. Kjo është më e ndjeshme kur bëhet fjalë për tekstet shkollore të nxënësve tanë. Libri Shoqëria dhe Mjedisi i klasës së 3 bashkë me fletoren e punës është 27 euro. Një libër i gjuhës boshnjake kap vlerën 30 euro. Këto janë të papranueshme dhe të papërballueshme për buxhetin e shtetit. Kemi shumë raste të tilla, kur çmimet janë 25 euro. Vetëm 5 vitet e fundit për libri janë shpenzuar mbi 51 milionë euro.”.

    Rastet që kanë hasur tek shtëpitë botuese, u tha se i kanë adresuar tek organet kompetente, mirëpo deri më tani nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.

    Nagavci, poashtu tha se së fundmi MASHT-i ka filluar rishikimin e teksteve të gjuhës shqipe dhe të matematikës nga klasa e parë deri në të nëntën.

     

  • Blerja e librave nga vetë prindërit krijon reagime të shumta

    Blerja e librave nga vetë prindërit krijon reagime të shumta

     PËRGATITI: SARA SHEHU 

    Njohësit e arsimit, planin e Ministrisë së Arsimit për rimbursimin e prindërve për blerjen e teksteve shkollore, e cilësojnë si jo diçka të re. Sipas tyre, edhe disa vite më parë, prindërit i kanë blerë vet teksteve shkollore për fëmijët e tyre. Teksa njohësit e fushës ftojnë institucionet që të përkujdesen për nivelizimin e çmimeve të librave, prindërit shpresojnë që ky plan të sjell efekte pozitive.

    Pas disa vite, përsëri këtë vit prindërit do të përkujdesen vet për blerjen e teksteve shkollore për fëmijët e tyre, por kësaj radhe përmes subvencionimit të Qeverisë së Kosovës.

    Ky ndryshim pritet të ndodhë në bazë të një plani që Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

    Megjithatë, njohësi i arsimit, Rinor Qehaja, thotë se ky është një hap që ka ndodhur më herët në një formë tjetër.

    “Kjo praktike për blerjen e librave nuk është ndonjë risi, pasi që edhe para se të jepeshin fal librat, prindërit kanë blerë domethënë libra vet për fëmijët e tyre. Pra e njëjta veçse është kthyer në një format tjetër”.

    Mes tjerash, Qehaja, është skeptik nëse ministria e arsimit ka kapacitete të mjaftueshme për të realizuar këtë plan në një kohë kaq të shkurtër.

    “Kjo është një ide që kërkon shumë debat, kërkon një përfshirje të madhe të institucioneve, shtëpive botuese, prindërve, domethënë kërkon tejet përkushtim të madh. Edhe çka duhet me bo Ministria është që të përkujdeset sa më shumë për çmimet e teksteve shkollore, mos me u tejkalu shuma që kanë me nda Ministria e arsimit për prindërit që do t’i blejnë tekstet shkollore”.

    Për këtë vendim të Ministrisë së Arsimit, reagime ka pasur edhe nga deputetët opozitarë, të cilët e kundërshtuan atë.

    “Skandali nuk po ia pret skandalin kësaj Qeverie. Tani, përveç rritjes së kostos së jetesës, përmes rritjes së çmimit të energjisë e produkteve bazike ushqimore, papunësisë e korrupsionit masiv, prindërit e rënduar ekonomikisht nga keqqeverisja e këtij pushteti duhet që të blejnë edhe librat për fëmijët e tyre. Mbi 300 mijë familje kosovare do të detyrohen t’i blejnë librat për fëmijët e tyre  Me këtë lloj qeverisje, Albin Kurti vetëm sa po kontribuon në thellimin e varfërisë së qytetarëve dhe rritjes së numrit të emigrantëve kosovarë”.

    “Paramendoni, Shtëpitë Botuese e kanë vet në dorë të vendosin çmimin e librave. Ato nuk do t’i shesin librat me çmimin me lirim që do të ia ofronin Qeverisë, por çmimi do të jetë deri 20% më i shtrenjtë. Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës ka vendosur që të avulloj së paku 2 milion euro nga buxheti i Kosovës, nën petkun e kursimit të parave për tekste shkollore”.

    Ndërkohë, prindërit e nxënësve edhe pse nuk ishin të informuar, shpresojnë që ky plan të ketë efektet e veta.

    “Është një ide e qëlluar, mendoj se është më e mirë, dhe shpresoj se nuk do të ketë keqpërdorime me para nga shtëpitë botuese”.

    “Po mendoj se është  një plan i mirë që t’i blejmë ne në bashkëpunim me Ministrinë”.

    Deri tani, Ministria i ka blerë librat direkt nëpër shtëpi botuese, nga ku ato u janë shpërndarë nxënësve nëpër shkolla.

     

  • Prishtina mbështetet viktimat e dhunës në familje

    Prishtina mbështetet viktimat e dhunës në familje

    PËRGATITI: KASTRIOT TAHIRI

    Që nga janari e deri sot, 21 gra janë përfituese të pakos që po e ndanë komuna e Prishtinës, në mbështetje të viktimave të dhunës në familje. Shuma e kësaj pakoje është nga 500 euro për dy vjet, ku në të përfshihet pagesa për banim e ushqimi.

    Që nga janari i këtij viti viktimat e dhunës në familje, në komunën e Prishtinës, e kanë një pagë e një ambient për të jetuar të sigurta, kjo falë një vendimi që komuna e morri që nga dhjetori i 2022-ës.

    Aktualisht janë 21 gra përfituese nga ky projekt mbështetës.

    “Vendimin e kemi marrë në nëntor, deri më tani kemi mbështetur, 21 gra që kanë qenë viktima të dhunës në familje, ne kemi dhënë 40 mij euro, që ato te kenë një ambient sigurt. Kjo shumë është e ndarë në 3 komponente, kemi raste kur kanë kërkuar, mbështetje vetëm për banim e ushqim e disa të tjera vetëm për banim”.

    Sahiti thotë se përveç ndihmës financiare që do të sigurohet për 2 vjet, viktimave u ofrohen edhe kurse profesionale.

    “Përveç mbështetjes financiare që do të jetë për dy vite, kemi ndarë edhe 300 mije euro për  organizatat jo qeveritare, për t’i ndihmuar në zanate të ndryshme që ato të bëhen të pavarura ekonomikisht pas dy viteve”.

    Besarta Breznica, nga Rrjeti i Grave të Kosovës, thotë se gratë janë më të informuara për të drejtat e tyre dhe si rrjedhojë edhe raportimet janë më të shpeshta.

    “Kohëve të fundit ka më shumë raportim të dhunës në baza gjinore por edhe të dhunës në përgjithësi në organet kompetente, por padyshim që krejt këto raportim i adresohen organizatave të grave që po punojnë ne këtë aspekt. Krejt këto raportime të dhunës tregojnë që grat edhe vajzat, pra tash janë më të informuara për të drejtat e tyre”.

    Po ashtu, me qëllim që t’iu dalë në ndihmë nënave lehona, të cilat janë pjesë e skemës sociale, që nga janari Komuna e Prishtinës ka filluar t’i subvencionojë ato me nga 500 euro.

     

  • Nis zgjerimi i rrugës që lidh Gjakovën me Shqipërinë

    Nis zgjerimi i rrugës që lidh Gjakovën me Shqipërinë

    PËRGATITI: DRITON SADIKU

    Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, panë nga afër punimet që nisën sot për zgjerimin e segmentit rrugor “Ura e Tabakut” deri tek “Ura e Ahmet Efendisë”, rrugë kjo do të lidh qytetin e Gjakovës me Rekën e Keqe dhe me dy pika kufitare me Shqipërinë. Derisa u theksua rëndësia e këtij projekti, aty u tha se i njëjti do të përfundojë këtë vit.

    Qytetarët që përdorin pikat kufitare qafë prush dhe qafë morinë për të dalë në Shqipëri, së shpejti mund ta kenë më të lehtë qarkullimin.

    Punimet në zgjerimin e kësaj rruge që nisën sot, u përcollën nga afër edhe nga i pari i Gjakovës dhe Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

    “Ky projekt në fjalë jo vetëm që ka një rëndësi të veçantë për Gjakovën, mirëpo rëndësia e tij po kalon edhe kufirin për shkak se lidh Gjakovën me Shqipërinë. Si ministër jam i lumtur dhe krenar që si qeveri kemi arritur që gjatë mandatit tonë edhe të rrisim grantin e performancës, mirëpo edhe të institucionalizojmë ligjin për raportimin e komunave për performancën komunale edhe mandej një grant qe del prej kësaj. Unë jam i bindur që si qeveri do të përkushtohemi që viteve të ardhshme që të rritet buxheti”

    Punimet sipas kryetarit të Gjakovës Ardian Gjinit do përfundojnë brenda këtij viti.

    “Jam shumë i lumtur që sot i nisim punët edhe që do të kryhet këtë vit. Financimi i këtij projekti bëhet prej grantit të performancës, diku në 950 mijë euro. 57 mijë euro janë të komunës. Granti i perfomancës është një skemë jashtëzakonisht e rëndësishme për komunat, ka filluar nga donatorë, të cilën janë quajtur në një ombrellë “Demos”. Ka vazhduar më pas të mbështetet nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, nga Qeveria e Kosovës”

    Ndërkaq vlera totale e projektit, arrin shifrën e 1 milion eurove.

  • Kurti takon homologun kroat, flasin për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja

    Kurti takon homologun kroat, flasin për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja

    Qëndrimin në Athinë sot për të marrë pjesë në darkën e ftuar nga kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, kryeministri i Kosovës e filloi me një takim me homologun e tij nga Kroacia, Andrej Plenkoviq.

    Në takim ata folën për marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë dhe potencialin që dy vendet kanë për thellim e konkretizim të mëtejmë të tyre, thuhet në komunikatën për media.

    “Folën edhe për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ku kryeministri theksoi nevojën për zbatimin e plotë, të shpejtë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit të saj të dakorduar në Ohër”, thuhet po aty.

    Bëhet e ditur se “Kurti e njoftoi kryeministrin kroat për progresin dhe arritjet e vendit në rrafshin ekonomik dhe demokratik, me theks qeverisjen dyvjeçare”.

    Ai e uroi homologun e tij dhe Kroacinë që së fundmi u bë anëtarja e 20-të e Eurozonës dhe anëtarja e 27-të e zonës Schengen, teksa e cilësoi këtë si një arritje të madhe të Kroacisë dhe Kroacinë si një model për t’u ndjekur.

    Të dy ndanë këndvështrimet e tyre mbi zhvillimet gjeopolitike në rajon dhe sfidat me të cilat ballafaqohet rajoni, duke mbetur të përkushtuar për bashkëpunim të afërt, në shërbim të interesave të përbashkëta dhe në linjë me Bashkimin Evropian dhe NATO-n.

  • “Trepça” hakmerret keq për minatorët grevist, ua heq nga 176 euro prej pagës

    “Trepça” hakmerret keq për minatorët grevist, ua heq nga 176 euro prej pagës

    PËRGATITI: FITIM MAJKOVCI

    Për katër ditë grevë, menaxhmenti i ndërmarrjes publike ‘’Trepça’’ ka ndëshkuar me nga 176 euro, 151 minatorët të cilët për katër ditë bojkotuan punën. Sipas ndërmarrjes, nëse bojkoti vazhdon, do të merren masa edhe më të rënda ndaj tyre. Masat e ndërmarra ndaj tyre, sindikata e minatorëve të ‘’Trepçës’’ i ka cilësuar si shantazh dhe kërcënim të menaxhmentit.

    Rreth 176 euro për një punëtor, për katër ditë ‘’bojkot pune’’ është masa që ndërmarrja publike ‘’Trepça’’ e ka marrë ndaj 151 minatorëve që grevuan.

    Punëtorët e kësaj ndërmarrjeje morën këtë masë si rezultat i vonesës së pagave, të cilën tani edhe ashtu do ta marrin të reduktuar.

    “Një vlerë që mund të jetë e përafërt e humbjeve ditore në rast të mos punës varet nga shumë faktorë, mund të jetë nga 40 mijë deri në 50 mijë euro në ditë. Masa fillestare është marrë ndaj 151 punëtorëve të cilët kanë bojkotuar punën, dhe një kalkulim i përafërt i masës financiare që do të merret ndaj tyre do të jetë rreth 176 euro për një punëtor, për këto katër ditë të bojkotit të punës’’.

    Abdurrahmani, shtoi se nëse bojkoti i punës thellohet, sanksionet ndaj minatorëve do të jenë me pagë deri në 40 për qind.

    ‘’Në konsultim me zyrën ligjore dhe departamentet tjera, kemi marrë masat e para që çdo bojkot dhe sabotim në punë do të sanksionohet me ndalesa të ekzekutimit të mëditjeve dhe shujtave ditore, dhe nëse ky bojkot dhe sabotim thellohet, atëherë i kemi masat e rregulloreve të brendshme të cilat sanksionojnë edhe me pagë deri në 40 për qind, mirëpo ligjet i kemi shumë të qarta që do të thotë se çdo bojkot dhe sabotim mbi tre ditë pune mund të shpie edhe deri në shkëputje të marrëdhënies së punës për çdo punëtor që e bënë këtë vepër…’’

    Këto masa të menaxhmentetit ndaj punëtorëve, Ibrahim Jonuzi nga sindikata e minatorëve i ka cilësuar si shantazh dhe tentim për t’i heshtur ata në kërkesat e tyre.

    ‘’Për neve si sindikatë ky vendim i menaxhmentit është i pa pranueshëm dhe është kërcënim e shantazh ndaj fuqisë punëtore, ndaj minatorëve për t’i heshtur ata në kërkimin e realizimit të të drejtave të tyre. Realizimi i pagës është obligim i tyre dhe vonesat në paga janë dështim i menaxhmentit.’’ 

    Veç çështjes së pagës minatorët e ndërmarrjes ‘’Trepça’’ kanë pakënaqësi edhe sa i përket kushteve në minierë si dhe punës pa sigurim shëndetësor.

      

  • ​Përfundon seanca, të enjten mbahet konferenca përgatitore për mbrojtjen e Pjetër Shalës

    ​Përfundon seanca, të enjten mbahet konferenca përgatitore për mbrojtjen e Pjetër Shalës

    Ka përfunduar dëshmia e dy eksperteve mjekoligjore të thirrura nga mbrojtësi i viktimave, në gjykimin kundër Pjetër Shalës. Trupi gjykues e ka caktuar 24 gushtin datë për mbajtjen e konferencës përgatitore për mbrojtjen.

    Pas disa orë dëshmi para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, Karin Dune-Prinsen Cajenn Lozano Parra, e kanë përfunduar dëshminë e tyre lidhur me dëmin fizik dhe psikik që sipas tyre ka pësuar një prej viktimave të pretenduara në këtë çështje gjyqësore.

    Ato janë përgjigjur në pyetjet e avokatit të viktimave, pastaj mbrojtjes së Shalës si dhe trupit gjykues.

    Pjesë nga dëshmia e tyre ka vijuar e mbyllur për publikun, ndërsa në seancë të hapur ato kanë folur për punën e tyre në Institutin Holandez për të Drejtat e Njeriut dhe Vlerësim Mjekësor.

    Ato kanë deklaruar se e bëjnë diagnostikimin dhe trajtimin e personave që kanë përjetuar trauma, derisa kanë theksuar se kanë punuar për organizatën IMO (Organizatë jo qeveritare në Holandë e cila bënë vlerësime mjekoligjore të viktimave të pretenduara të torturës apo keqtrajtimit).

    Dëshmitaret kanë thënë e janë autore të një raporti që i është paraqitur turpit gjykues në këtë çështje gjyqësore.

    Kryetarja e turpit gjykues Mappie Veldt Foglia, ka lëshuar një urdhër në seancë private, ndërsa ka bërë të ditur se konferenca përgatitore për mbrojtjen e Shalës do të mbahet të enjten me 24 gusht.

    Paraqitja e provave nga ekipi mbrojtës i Shalës pritet të fillojë pas gjysmës së muajit shtator.

    Shala ndodhet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.

    Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

    Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

  • Jasharaj: Kjo është një lojë, Nagavci po harron që jeton në Kosovë

    Jasharaj: Kjo është një lojë, Nagavci po harron që jeton në Kosovë

    Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci në konferencën e fundit ka deklaruar se është duke e shqyrtuar mundësinë e kalimit të përgjegjësisë për blerjen e teksteve shkollore te prindërit.

    Ajo bëri të ditur se mjetet për blerjen e teksteve shkollore do të paguhen nga buxheti i shtetit përmes rimbursimit, ku mjetet do t’u kalohen prindërve përmes platformës e-kosova.

    Ndërsa, Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj në një prononcim për IndeksOnline ka thënë se ky vendim është qesharak dhe se Ministrja Nagavci ka gabuar rëndë.

    Ai deklaratat e Ministres i quajti naive dhe të papërgjegjshme.

    “Kjo është e çuditshme, unë e kam pritur që Nagavci sot do të kërkojë falje për vonesën e teksteve shkollore dhe të thotë që çështja është përfunduar. Ajo doli më një moment të ri duke thënë se kanë pasur përplasje për çmimet e teksteve shkollore që i paskan paraqitur disa shtëpi botuese që është krejt faji i znj.Nagavci dhe të gjithë të tjerëve që i kanë zgjedhur autoret edhe shtepitë botuse që në qershor të komunikojnë më ta dhe të bejnë marrëveshje në menyrë që librat ti keni ja që ajo frika ime doli e vertëtë”, ka thënë Nagavci.

    Ndër tjerash, Jasharaj theksojë se kjo ideja e e-Kosovës ja kujton idenë e Muratit me mendimin që familjarët nuk do anëtarsohen për t’i marrë mjetet e rimbursimit.

    “Ne nuk do të kemi libra më një shtator dhe ideja e Nagavcit me e-Kosoven ma kujton idenë e Muratit i cili duke tentuar t’i fusë sindikatat dhe duke menduar që ata nuk do të anëtarësohen ja paraqiti prapë kusht e-Kosovën”, tha ai.

    “Sa kuptova Nagavci ju thotë prindërve shkoni në librari bleni tekstet më këto cmimet që i sheshin botuesit e të cilin ajo i kritikojë e pastaj Nagavci dhe Murati do t’i rimbursojnë ato shpenzime që i kanë berë”, ka thënë Kryetari i SBASHK-ut.

    Jasharaj tha se nëse Ministrja nuk është pajtuar me shtëpitë botuese për shkak të çmimit të shtrenjtë, prindërit përsëri do t’i blejnë ato libra po më atë çmim.

    “Është deklaratë naive dhe jo e përgjegjshme të thuhet ne u idhnuam më botuesit se po na lypin çmimet e larta, ju shkoni i bleni e na ju rimbursojmë në të ardhmen. Kjo është një lojë, sepse Nagavci që nga koha që është bërë ministre e harron jetën në Kosovë. Ata që i kanë ka 3-4 femijë nuk kanë mundësi që të kryejnë ketë obligim prindëror tashmë e për të pritur kur t’i teket Muratit tu ja rimbursojë mjetet për tekstet”, vijojë Jasharaj.

    Ai gjithashtu tha se Nagavci është dashur që të bisedojë më shtëpitë botuese për librat në qershor e jo në fund të gushtit.

  • Të paktën 12 të vdekur pas rënies së autobusit në një luginë në Turqi

    Të paktën 12 të vdekur pas rënies së autobusit në një luginë në Turqi

    Të paktën 12 njerëz vdiqën dhe 19 u plagosën në provincën qendrore të Turqisë, Yozgat, kur një autobus pasagjerësh u rrëzua nga një autostradë në një luginë herët të hënën (21 gusht), sipas zyrtarëve.

    Autobusi po udhëtonte nga Sivas për në Stamboll, shkruan AA, transmeton KosovaPress.

    Një nga 19 personat e plagosur, të cilët u dërguan në spitalet në rrethet e Yozgat dhe Sorgun, ndodhet në gjendje kritike.

  • ​Aksident me fatalitet në Drenas

    ​Aksident me fatalitet në Drenas

    Një person ka vdekur dhe tre janë lënduar në një aksident trafiku që ka ndodhur sot në mesditë në fshatin Çikatovë e vjetër, në Drenas.

    Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka bërë të ditur se me rastin po merret hetuesia nga njësiti i trafikut rrugor.

    “Rreth orës 12:30, kemi pranuar informatën se në fshatin Çikatovë e vjetër – Drenas, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale… Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar katër persona, një prej tyre nuk kanë arritë të përballojnë plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë. Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në QMF (Qendrën e Mjekësisë Familjare) në Drenas”, ka thënë ajo.

    Ajo ka bërë të ditur po ashtu se “në këtë aksident ka qenë i përfshirë, një automjet, ngasësi i të cilit për shkaqe të panjohura deri më tash, ka humbur kontrollin mbi automjetin dhe është aksidentuar”.