ATV

Category: Lajme

  • Komisioni Evropian: Fokusi është zgjerimi në BE, jo afati kohor

    Komisioni Evropian: Fokusi është zgjerimi në BE, jo afati kohor

    Komisioni Evropian (KE) nuk është i përqendruar në afate kohore në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE), por për t’i ndihmuar vendet kandidate për të përparuar në këtë proces, tha të martën zëdhënësja e KE-së, Dana Spinat.

    Spinat i bëri këto komente në një konferencë për shtyp në Bruksel më 29 gusht, pas propozimit të presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, që viti 2030 të caktohet si afat deri kur vendet e tashme kandidate dhe BE-ja të jenë të gatshme për zgjerim.

    Por, derisa e pranoi se zgjerimi është prioritet politikë për Komisionin Evropian, ajo iu përgjigj Michelit duke thënë se “nuk jemi të fokusuar në afate kohore, por t’i ndihmuar kandidatët në përmbushjen e kritereve dhe për t’u bërë gati”.

    “Presidentja [e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen] në mënyrë specifike ka thënë se sa të përkushtuar jemi ne që ta bëjmë të suksesshëm zgjerimin. Gjithmonë kemi thënë se zgjerimi është prioritet dhe kandidatët duhet të anëtarësohen kur të jenë gati. Kemi punuar për së afërmi me kandidatët për t’i ndihmuar që ata të kryejnë reformat”, tha Spinat.

    Ajo shtoi se ky proces duhet të mbetet proces i bazuar në merita dhe se kandidatët duhet të lëvizin në përputhje me suksesin e tyre në përmbushjen e kritereve.

    Zëdhënësja e Komisionit Evropian ka përsëritur se suksesi në zgjerim kërkon që edhe kandidatët edhe BE-ja të bëhen gati. Ajo ka paralajmëruar se liderët e BE-së do të diskutojnë për zgjerimin në samitin e Granadës në Spanjë, më 5 tetor 2023.

    “Kemi instrumente për t’i ndihmuar kandidatët për t’u afruar me BE-në edhe para se të bëhen anëtare. Komisioni ka dëshmuar se është i përkushtuar që ta mbajë procesin e zgjerimit si prioritet”, theksoi ajo.

    Spinat tha se ”nuk është në dijeni se ka pasur kontakte mes Michelit dhe Ursula von der Leyen për këtë çështje”, para se Michel të dilte me propozimin e tij.

    Më 28 gusht, Michel bëri thirrje që viti 2030 të caktohet si afati deri kur Bashkimi Evropian dhe vendet kandidate të jenë të gatshëm për zgjerim.

    Gjatë fjalimit në Forumin Strategjik të Bledit, ai përsëriti disa herë se tash e tutje vendeve kandidate duhet referuar si “vende të ardhshme anëtare të BE-së”.

    Në Forumin e Bledit në Slloveni morën pjesë liderët e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, por edhe liderë të disa shteteve të BE-së.

    Michel e pranoi se rruga e gjatë e shteteve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së, që ka nisur para më shumë se 20 vjetësh, ka shkaktuar zhgënjim te shumë njerëz, si në rajon, ashtu edhe në bllokun evropian.

    Zgjerimi i fundit i BE-së ka ndodhur me 1 korrik të vitit 2013 kur Kroacia ishte bërë vendi më i ri anëtarë. Prej atëherë nuk ka pasur zgjerim ndërsa Britania e Madhe është larguar nga BE-ja duke e lënë atë përsëri me 27 vende anëtare./REL

  • Vuçiq: Pres shumë presione e kërcënime për Kosovën

    Vuçiq: Pres shumë presione e kërcënime për Kosovën

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se muajt në vazhdim nuk do të jenë të lehtë dhe se pret shumë presione dhe kërcënime rreth Kosovës.

    “Më duket se muajt në vazhdim nuk do të jenë të lehtë dhe pres shumë presione dhe kërcënime dhe zbatim të atyre kërcënimeve për Kosovën nga ata që janë pamjaftueshëm përgjegjës dhe nuk e kuptojnë se paqja nuk është vetëm në interes të serbëve, por edhe të shqiptarëve”, ka thënë Vuçiq gjatë një vizite në punimet për rindërtimin e urës mbi lumin Mllava në Petrovac.

    Vuçiq ka folur edhe për zhvillimet në Mal të Zi. Ai tha se nuk ndërhyjnë në punët e brendshme të këtij shteti dhe se do të presin formimin e qeverisë malazeze, “Ne e respektojmë Malin e Zi, e vlerësojmë dhe do të presim se si do të shkojnë gjërat, pastaj do të komentojmë”, ka thënë ai.

  • Mustafa i PDK-së për artikullin në Economist Impact: Deputetët e VV-së po mundohen ta shesin si raportim ndërkombëtar

    Mustafa i PDK-së për artikullin në Economist Impact: Deputetët e VV-së po mundohen ta shesin si raportim ndërkombëtar

    Koordinatori për Financa i PDK-së, Arben Mustafa, ka reaguar pas mburrjes së pushtetit me një shkrimi të sponsorizuar e të publikuar në Economist Impact.

    Mustafa ka thënë se deputetët e VV-së, po mundohen që këtë raportim ta shesin si raportim ndërkombëtar.

    “Kjo tregon gjendjen e rëndë të kësaj partie në kërkim të ndonjë lajmi për t’ia shitur publikut si sukses të Qeverisë Kurti – sukses ky që nuk po gjindet askund.” – ka shkruar ai.

    Më tej, ai ka pyetur se cili është kontributi i qeverisë në sukseset e kompanive që përmenden në artikullin e sponsorizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës.

    Shkrimi i tij i plotë:

    Artikullin e sponsorizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) në revistën Economist Impact, ku flitet për suksesin e kompanive kosovare, deputetët e VV-së po mundohen ta shesin si raportim ndërkombëtar rreth gjendjes së ekonomisë së Kosovës.

    Kjo tregon gjendjen e rëndë të kësaj partie në kërkim të ndonjë lajmi për t’ia shitur publikut si sukses të Qeverisë Kurti – sukses ky që nuk po gjindet askund.

    OEK me plot të drejtë mundet dhe duhet t’i promovojë sukseset e kompanive kosovare, por shtrohet pyetja se cili është kontributi i kësaj qeverie në sukseset e këtyre kompanive?!

    Me pasigurinë që ka krijuar dhe qasjen armiqësore ndaj kompanive të suksesshme, kjo qeveri po e shkatërron klimën e të bërit biznes në Kosovë.

  • ​Bosch: Kur do ta kuptojnë ndërkombëtarët lojën dinake të Serbisë?

    ​Bosch: Kur do ta kuptojnë ndërkombëtarët lojën dinake të Serbisë?

    Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq e ka hedhur poshtë marrëveshjen e Ohrit në ditën që ishte hartuar dhe për këtë nuk është qortuar nga ndërkombëtarët.

    Diplomati që shërbeu në Kosovë ka pyetur se kur do ta kuptojnë ndërkombëtarët lojën dinake të Serbisë.

    “Kur do të ketë drejtësi në rajon”, ka thënë ai.

    “Një tjetër dëshmi e lojës dinake që po luan Serbia: për ta normalizimi do të thotë Kosova pjesë e Serbisë! Kur do ta kuptojnë më në fund ndërkombëtarët? Vuçiq e hodhi poshtë marrëveshjen e Ohrit në të njëjtën ditë që ishte hartuar dhe as nuk u qortua për këtë. Kur do të ketë drejtësi në rajon?”, ka shkruar Bosch në Facebook.

    Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë ka reaguar pas përplasjes në mes të kryeministrit Albin Kurti, dhe kryeministres së Serbisë Ana Bernabiq, në forumin e Bledit në Slloveni.

    Aty, Kurti ka thënë se Serbia nuk po e zbaton marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit çka edhe e bënë më të vështirë normalizimin.

    Ndërsa Bernabiq ka thënë se “është vetëm një shtet dhe nuk ka dy shtete”.

    Në reagimin e tij, kryeministri Kurti ka thënë se normaliteti në psikologji nënkupton mungesë të konfuzitetit mes realitetit dhe fantazisë, duke shtuar se “ky është një regjistër tjetër ku nuk mund të kontribuoj”./KP

  • Hoti për Qeverinë Kurti: Fundin e keni afër

    Hoti për Qeverinë Kurti: Fundin e keni afër

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka kritikuar qeverisjen e Vetëvendosjes të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.

    Hoti ka shkuar në Facebook se kjo qeveri fundin e ka afër, duke shtuar se “me demagogji nuk mund të qeveriset një shoqëri demokratike”.

    “Me demagogji mund të mashtrohen masat për të fituar një palë zgjedhje. Me demagogji mund të mbahet entuziazmi i masave për një kohë të shkurtër. Por, me demagogji nuk mund të qeveriset një shoqëri demokratike. Fundin e keni afër”, ka shkruar Hoti në Facebook.

  • Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri jorezident i Kuvajtit

    Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri jorezident i Kuvajtit

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranua letrat kredenciale nga ambasadori jorezident i Kuvajtit në Kosovë, Faisal Musaileem, të cilin e ka uruar për detyrën dhe ka shfaqur shpresën se gjatë mandatit të tij do të intensifikohen edhe më tej marrëdhëniet bilaterale në mes të dy vendeve.

    Në këtë takim, presidentja shtroi nevojën e vazhdimit të mbështetjes edhe në të ardhmen nga ky shtet.

    Ndërkaq ambasadori Musaileem, shprehu interesimin për vazhdimin e mbështetjes për Kosovën në fusha të ndryshme dhe u zotua për bashkëpunim më të gjerë në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët.

  • ​Dëshmitari i prokurorisë në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve po dëgjohet në seancë private

    ​Dëshmitari i prokurorisë në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve po dëgjohet në seancë private

    Në Gjykatën Speciale në Hagë ka filluar të dëgjohet dëshmia e dëshmitarit të nëntëmbëdhjetë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në gjykimin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Dëshmitari me kodin 04566 po dëshmon nën masa mbrojtëse dhe në seancë të mbyllur për publikun.

    Prokurori Matt Halling e ka lexuar një përmbledhje të shkurtë të dëshmisë së tij në seancë publike, dhe sipas tij, kjo dëshmi ka të bëjë me ndalimin dhe zhdukjen e pretenduar të një familjari të 04566.

    Derisa e ka lexuar përmbledhjen në gjykatore, prokurori ka thënë se ngjarja ka ndodhur në fshatin Drenoc.

    “Anëtari i familjes së dëshmitarit 04566 shkoi në Drenoc në vitin 1998 ku e mbajtën të ndaluar, pjesëtarët e tjerë të familjes shkuan të merrnin vesh për fatin e tij por nuk u lejuan ta shihnin. Anëtari i familjes 04566 u zhduk, 04566 dhe pjesëtarët e tjerë të familjes bënë shumë kërkime për të marrë vesh për fatin e të ndaluarit, pa sukses. Trupi i të ndalurit u gjet shumë vite më pas”, ka thënë prokurori Halling.

    Pas kësaj seanca ka vijuar e mbyllur për publikun.

    Ndërsa paradite ka përfunduar dëshmia e dëshmitarit W03832, e cila është dëgjuar tërësisht në seancë private.

    Në këtë proces gjyqësor deri tani janë dëgjuar 18 dëshmitarë, prej tyre vetëm tre në gjykatore kanë dëshmuar pa masa mbrojtëse dhe në seanca të hapura për publikun.

    Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka nisur me 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

    Ndërsa ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020./KP

  • Tejkaloi dyfishin e shpejtësisë së lejuar në Ferizaj, gjobitet kundërvajtësi me 300 euro

    Tejkaloi dyfishin e shpejtësisë së lejuar në Ferizaj, gjobitet kundërvajtësi me 300 euro

    Policia Rajonale e Ferizajt të hënën rreth orës 12:50 në rrugën transit fshati Talinovc i Muhaxherëve – fshati Bibaj në Ferizaj ka ndaluar shoferin J.M i moshës 31 vjeçar i cili me veturë ka bërë tejkalimin e shpejtësisë, ku në zonën e kufizimit 50 km/h ka zhvilluar shpejtësi 125 km/h.

    Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ndaj tij, policia i shqiptoi një gjobë 300 euro, 3 pikë negative dhe tre muaj masë mbrojtëse, heqje e patentë shoferit.

    “Me këtë rast, Policia Rajonale në Ferizaj apelon tek shoferët e automjeteve që të respektojnë shpejtësinë dhe shenjat e komunikacionit. Veprimet e tilla rrezikojnë direkt jetën e tyre dhe pjesëmarrësve tjerë në komunikacion dhe fton qytetarët të bashkëpunojnë me policinë”, thuhet në njoftim.

    Ndërkaq, për të gjitha kundërvajtjet që mund të shkaktohen në komunikacion, të njoftojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdestarë : 192 ,0290/326-250 ; 0290/322-406.

  • Raci e quan fitore të përbashkët betejën kundër ndërtimit të fabrikës së çimentos: Na përkrahen edhe komunat përreth

    Raci e quan fitore të përbashkët betejën kundër ndërtimit të fabrikës së çimentos: Na përkrahen edhe komunat përreth

    Pas më shumë se tri vjetësh, qytetarët e Klinës kane fituar në betejën e tyre për drejtësi, kundër ndërtimit te fabrikës së çimentos në Dollc, raporton EO.

    Udhëheqësi i banorëve kundërshtues në ndërtimin e fabrikës se çimentos, Veton Raci, e ka quajtur fitore të përbashkët me qytetarët e Klinës, teksa përmendi edhe protestat që kanë mbajtur.

    Ai tha se përkrahje kanë marrë edhe nga komunat përreth Klinës.

    “Ne kemi takuar edhe kryetarët e komunave përreth. Kemi marrë përkrahje nga kryetarët e Komunës së Pejës, Malishevës dhe Istogut, si komuna afër Klinës që shqetësoheshin se mund të ndoteshin komunat e tyre me rastin e ndërtimit të kësaj fabrike. Pas këtij aktvendimi të Gjykatës Themelore në Prishtinë ne nuk do të ndalemi me kaq, ne do të drejtohemi me dy kërkesa fillimisht; njëra për nivelin qendror kurse tjetra për nivelin lokal”, tha ndër të tjerash Raci.

    Raci tregoi se pas afro tre vitesh që prej inicimit të padisë, Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë aktvendim gjyqësor me të cilin ka hedhur poshhtë padinë e Ministrisë së Pushtetit Lokal kundër Komunës së Klinës.

    “Pas me afro 3 vitesh prej kur është iniciuar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, tani kemi një aktvendim Gjyqësor i cili ka marr plotfuqishmërinë. Gjykata Themelore në Prishtinë ka nxjerr aktvendim më të cilin hedh poshtë padinë e Ministrisë së Pushtetit Lokal, kundër Komunës së Klinës”, u shpreh Rraci.

    Raci përmendi edhe dy protestat e tjera të organizuara nga shoqata të cilën e përfaqëson e ku pjesë morën shumë qytetarë banorë të Klinës.

    “Nga fillimi qytetaret e organizuar për kundërshtimin e fabrikës se çimentos në Kline kishin diktuar shumë parregullsi në procesin e pajisjes me dokumentacion për operatorin ekonomik. Bazuar në këto shkelje të proceduarve ishte kundërshtuar ashpër fillimi i punimeve për ndërtim te kësaj fabrike. Nisur nga shkeljet e mësipërme si dhe një seri shkeljesh të tjera gjatë procedurës së pajisjes me dokumentacion, si dhe bazuar në mos marrjen parasysh të kundërshtimeve të banoreve, ne banoret kundërshtues kemi organizuar disa aktivitete dhe dy protesta gjithë popullore, njëra në 14.05.2022 dhe tjetra më 25.07.2023, në kundërshtim të ndërtimit të fabrikës së çimentos”, u shpreh Rraci

    Rraci tha se pas vendimit do kërkojnë nga MIPHI-ja pezullimin e Kompanisë Wallingford International Kosovo L.L.C si dhe nga pushteti lokal i Klinës shkarkimin e Lorenc Marlekajt si dhe atë të Enver Berishës, të cilët sipas Rracit në cilësinë e Drejtorit të Urbanizmit kanë dhënë lejet ndërtimore për ndërtimin e kësaj fabrike.

    “Nga Ministria Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës do të kërkojmë qe vendimin me nr. 2804/22 për pezullim të Pëlqimit Mjedisor për Kompaninë Wallingford International Kosovo L.L.C. ta shndërrohet nga pezullimi në vendim për anulim të Pëlqimit Mjedisor, sepse në arsyetimin e vendimit për pezullim nga MMPHI thuhet: Deri në marrjen e vendimit të Gjykatës, përmbajtja e të cilit mund të kontestojë çdo pëlqim tjetër të dhëne, këtu përfshirë ato të MMPHI. Kurse nga pushteti lokal, respektivisht nga Kryetari do të kërkojmë shkarkimin e z. Lorenc Marlekaj dhe Enver Berisha, të cilët në cilësinë e Drejtorit të Urbanizmit kane nxjerr vendim për kushte ndërtimore dhe leje ndërtimore, shkarkimi i tyre duhet të ndodh për ti lenë pa pushtet ne duar dhe qe ti hapet rruge që organet ndjekëse të zhvillojnë procedurën e hetimit te nxjerrës se këtyre vendimeve”, tha Rraci, përcjell EO.

    Rraci për fund tha se mos të ishte reagimi qytetarë, fabrika do të ndërtohej.

    “Çka nëse qytetaret nuk do te reagonin dhe fabrika sot të ishte e ndërtuar, kush do të merrte përsipër dëmtimin ambientit në kodrën e Dollcit dhe Greminkut, a do të duhej që Komuna ta kompensonte koston e ndërtimit të kësaj fabrike? Këto janë vetëm disa prej pyetjeve që çdonjëri prej nesh kërkon përgjigje nga Kryetari Elezaj. Kjo është një fitore e jona e përbashkët, shembull se si duhet reaguar ndaj fenomeneve negative”, u shpreh Rraci.

  • Reshjet krijuan panik tek pushuesit në plazh, Vlora kalon rrezikun e përmbytjeve

    Reshjet krijuan panik tek pushuesit në plazh, Vlora kalon rrezikun e përmbytjeve

    Rreziku i përmbytjeve në Vlorë, Shkodër dhe Tiranë, ka kaluar.

    Kështu ka deklaruar për abcnews, meteorologja, Lajda Porja, e cila theksoi se tashmë era është problemi i mbetur në qarkun e Vlorës, ndërsa aty dhe në Shkodër do të ketë vetëm reshje të pakta të izoluara.

    Ndërsa në Tiranë gjatë mesditës do të ketë reshje, por jo me intesitet për rrezik përmbytje.

    ”Ka qenë Vlora që ka marrë reshje gjatë natës dhe rrezikun e ka kaluar, problematike për qarkun e Vlorës do të mbesin stuhitë e erës të cilat do të sjellin problem në trafikun detar”.

    ”Në Shkodër përveç reshjeve të deri tanishme pritet që nga një celulë të krijohen reshje gjatë pasdites me ndonjë problem por reshjet janë të përkohshme. Është çështje minutash përsa i përket nisjes së reshjeve në Tiranë”.

    ”Nuk do ketë probleme me përmbytje, do të ketë rrebeshe që vijojnë nga ora 13:30 deri në orën 14:00 dhe më pas nga ora 16:00 deri në 17:00. Gjatë të mërkurës kemi një celulë të vendosur në veri dhe në qendër që do të krijojnë reshje kalimtare ndërsa nga dita e enjte dhe e premte do të kemi një rritje të temperaturave”, ka thënë ajo.