ATV

Category: Lajme

  • ​Vazhdon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    ​Vazhdon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë sot vazhdon gjykimi i Thaçit dhe të tjerëve, ku pritet të vazhdojë dëshminë dëshmitari i prokurorisë.

    Dëshmitari i nëntëmbëdhjetë, i mbrojtur, (me shifrën W04566) ka nisur të dëshmojë dje. Dëshmia e tij është mbajtur kryesisht në seancë të mbyllur për publikun.

    Në këtë proces gjyqësor deri tani janë dëgjuar 18 dëshmitarë, prej tyre vetëm tre në gjykatore kanë dëshmuar pa masa mbrojtëse dhe në seanca të hapura për publikun.

    Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka nisur me 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

    Ndërsa ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

  • Cassis në Forumin Strategjik në Bled: Zvicra e mbështetë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, por palët të zbatojnë angazhimet e marrëveshjeve në Bruksel dhe Ohër

    Cassis në Forumin Strategjik në Bled: Zvicra e mbështetë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, por palët të zbatojnë angazhimet e marrëveshjeve në Bruksel dhe Ohër

    Në Bled të Sllovenisë ka përfunduar Forumi Strategjik (28-29 gusht) me moton “Solidaritet për Sigurinë Globale”, ku përveç personaliteteve të larta nga BE, KE dhe liderë të vendeve nga Ballkani Perëndimor, mori pjesë edhe shefi i diplomacisë zvicerane z.Ignazio Cassis, i cili ne dy-tri seanca të debateve ka folur para pjesëmarrësve.

    Në forumin strategjik (Bled Strategic Forum-2023, Solidarity For Global Security) të Bled-it ku u ndoq nga rreth një mijë pjesëmarrës, përveç nikoqireve të samitit, krerët e shtetit të Sllovenisë, presidentja Natash Pirc Musar dhe kryeministri Robet Golob, për dy ditë rresht edhe shumë personalitete (presidentë, kryeministra e ministra të jashtëm) kryesisht nga vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu dhe përfaqësues nga BE dhe KE. Nga Këshilli Evropian mori pjesë presidenti i saj z.Charles Michel, kurse nga BE, Miroslav Lajçak, Tanja Fajon ministre e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Dunja Mijatoviç nga KE etj.. Sipas gazetës zvicerane Le Canton27.ch, në këtë samit botëror në Bled të Sllovenisë mori pjese edhe shefi i diplomacisë zvicerane Ingazo Cassis.

    Le Canton27.ch: Z. Këshilltar Federal, cili është interesi i Zvicrës për të qenë prezente në këtë forum strategjik, me të gjitha këto vende ballkanike?

    Cassis: Janë dy. Interesi i parë është ai që lindi nga bashkimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe mbështetja e situatës së stabilitetit dhe paqes ndonjëherë të brishtë mes tyre. Tani ky forum është zgjeruar dhe është bërë një ngjarje ndërkombëtare. Është pra elementi “Ballkanik” dhe sot presidenti i BE-së Charles Michel tha që vitin e ardhshëm, integrimi evropian duhet të jetë i pjekur, nga njëra anë si tjetra. Ai zgjodhi këtë vend për ta thënë dhe kjo është e rëndësishme. Interesi i dytë, dhe ky është diskutimi që sapo kemi pasur, është ai i nevojës për të zhvilluar multilateralizmin. Ne jemi duke e diskutuar këtë temë sepse situata aktuale gjeostrategjike na ballafaqon me shumë sfida. Dhe në botën tonë të ndërlidhur, ne duhet të adresojmë sfidat ndërkombëtare me përgjigje globale.

    Le Canton27.ch: Keni pasur mundësi të takoni liderët e Ballkanit? Kryeministrin kosovar Albin Kurti sigurisht e keni takuar, për çfarë keni biseduar?

    Cassis: Po, ne u përplasëm me njëri-tjetrin para panelit dhe patëm një bisedë të shkurtër jozyrtare. Ne njihemi prej disa kohësh. Ne diskutuam shkurtimisht çështje aktuale. Si ato që kanë të bëjnë me fatkeqësitë natyrore të këtij momenti, ashtu edhe ato që kanë të bëjnë me situatën e tensionuar politike në Kosovë.

    Le Canton27.ch: Dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës në Bruksel Zvicra a e mbështet dhe cili do ishte mesazhi juaj drejtuar Beogradit dhe Prishtinës?

    Cassis: Zvicra e mbështet këtë proces sa më shumë që të jetë e mundur, por kërkon mirëkuptim nga të dyja palët dhe respektim të angazhimeve të marra sipas marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit.

    Le Canton27.ch: Shifrat nga Enti Federal i Statistikave tregojnë se në Zvicër aktualisht jetojnë dhe veprojnë 300 mijë shqipfolës. A mund të njihet gjuha shqipe, si gjuhe e pestë zyrtare në Zvicër?

    Cassis: Në Zvicër ka tre gjuhë zyrtare, por katër gjuhë kombëtare, e katërta prej të cilave është romanishtja. Ato njihen nga Konfederata dhe parashikohen në Kushtetutë. Bashkëjetesa mes kulturave të ndryshme dhe diasporave të shumta që jetojnë në Zvicër janë pasuria e vendit tonë. Dhe për këtë kontribuon edhe komuniteti i madh shqiptar.

  • Auditori gjen parregullsi në FSSH: Pacientët nuk u trajtuan në mënyrë të barabartë

    Auditori gjen parregullsi në FSSH: Pacientët nuk u trajtuan në mënyrë të barabartë

    Rezultatet e auditimit tregojnë se pacientët nuk janë trajtuar në mënyrë të barabartë që nga procesi i aplikimit e deri te aprovimi i kërkesave nga ana e Fondi për Sigurime Shëndetësore (FSSH).

    Në raportin e auditimit të Zyrës Kombëtare e Auditimit (ZKA) për periudhën 2019-2022 thuhet se FSSH-ja përdori praktika të ndryshme në vlerësimin dhe trajtimin e lëndëve që nga aplikimi i kritereve të ndryshme për rastet e njëjta e deri te shuma e aprovuar për trajtim.

    Po ashtu sipas auditorit, aprovimi i lëndëve dhe pagesave është përcjellë me vonesa, obligimet financiare nuk ishin menaxhuar dhe raportuar në mënyrë të duhur si dhe Fondi nuk kishte bërë të gjitha barazimet financiare me institucionet shëndetësore në të cilat janë parapaguar shërbimet.

    “Bordi Ekzekutiv kishte aprovuar lëndë në mungesë të dy pro-faturave dhe nuk ishte konsistent në shumat që kishte ndarë për mbulim të trajtimit duke mos respektuar kriteret e Udhëzuesit Administrativ. Me aprovim të Bordit, Fondi pagoi 756,142 euro për raste diagnozat e të cilëve nuk janë paraparë në Udhëzues Administrativ. Mirëpo, disa raste u refuzuan pikërisht me arsyetimin se diagnozat nuk janë pjesë e Udhëzuesit”, thuhet në raport.

    Më tej në raport theksohet se pavarësisht se Programi është i destinuar të financojë trajtimin e pacientëve me diagnoza, sëmundjet e të cilave nuk trajtohen në Institucionet Shëndetësore Publike të Kosovës, Komisionet Konziliare në reparte të caktuara kishin referuar kërkesa për shërbimet që ofrohen brenda këtyre institucioneve me arsyetimet për mungesë të materialit, kushteve teknike dhe resurseve njerëzore.

    “Për këto raste shuma e referuar dhe aprovuar nga mostrat e testuara ishte 844,779 euro”, thuhet në raport.

    Për më tepër, Fondi nuk menaxhoi dhe nuk raportoi në mënyrë të duhur obligimet, kishte vonesa në aprovim dhe pagesa, madje kishte fatura që nuk janë paguar që nga 2018. Fondi nuk ka pasqyrë të saktë të kostove reale dhe mjeteve të lira të mundshme, barazimet janë bërë vetëm me spitalet në Kosovë dhe disa në rajon, por jo edhe me spitalet e tjera.

    “Nga 12 milionë euro të aprovuara për rastet e rregullta, komisioni kishte arritur të barazojë vetëm 2,1 milionë apo 16,4% si dhe kishte identifikuar mbi 408 mijë euro mjete të lira”, thuhet në raport.

    “Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca deklaroi se trajtimi jo i barabartë i pacientëve, ndryshimet e paarsyetuara të kritereve dhe shumave të aprovuara për trajtim, vonesat në aprovim dhe pagesë, si dhe mos menaxhimi i duhur i obligimeve financiare, rrezikon që Programi të mos arrijë objektivat për të cilat është themeluar”, citohet në raport Spanca.

    Për të siguruar që Programi për Trajtimin e Pacientëve Jashtë Institucioneve Shëndetësore menaxhohet në mënyrë më efektive dhe arrin objektivat, ZKA dha 13 rekomandime.

  • Osmani, Konjufca e Kurti sot marrin pjesë në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve

    Osmani, Konjufca e Kurti sot marrin pjesë në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve

    Presidentja, Vjosa Osmani, kryeparlamentari, Glauk Konjufca dhe kryeministri, Albin Kurti, do të marrin pjesë sot në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve.

    Ata do të bëjnë nderime te Memoriali për të Pagjeturit në Prishtinë, në orën 10:00.

    “Nën përkujdesjen e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, me rastin e shënimit të 30 Gushtit – Ditës ndërkombëtare të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë, Zyra e Kryeministrit, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Këshilli Koordinues i Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, organizojnë homazhe pranë përmendores dedikuar personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës”, bën të ditur njoftimi i ZKM-së.

  • ​Të paktën dy të vrarë nga sulmet ajrore ruse në Kiev

    ​Të paktën dy të vrarë nga sulmet ajrore ruse në Kiev

    Kryetari i bashkisë së kryeqytetit ukrainas, Kievit, Vitaly Klitschko tha se dy persona u vranë dhe një tjetër u plagos në sulmin e fundit ajror rus në qytet. Ai gjithashtu thotë se disa ndërtesa u dogjën nga rrënojat.

    Dy personat e vrarë ishin burra dhe u gjetën në një ndërtesë jo-rezidenciale në lagjen Shevchenkivskyi, shton Klitschko, shkruan BBC, transmeton KosovaPress.

    Më shumë se 20 raketa dhe dronë u “shkatërruan nga forcat e mbrojtjes ajrore” gjatë natës, shkroi Administrata Ushtarake e Qytetit të Kievit në Telegram, duke e përshkruar sulmin ajror si “më të fuqishmin” që ka goditur qytetin që nga pranvera.

  • ​Hapat për të ndryshuar karrierën në çdo moshë

    ​Hapat për të ndryshuar karrierën në çdo moshë

    Nëse karriera juaj aktuale nuk është më e vlefshme për ambiciet tuaja dhe ju po mendoni të ndiqni një rruge tjetër atëherë ju nuk jeni vetëm. Një studim i fundit i Qendrës Kërkimore Pew zbuloi se rreth 53% e të rriturve të punësuar që i dhanë lamtumirën punës së tyre në vitin 2021 kaluan krejtësisht në një fushë të re të punës.

    Nëse ndiheni të pafrymëzuar, mund të jetë koha të ndiqni hapat e tyre dhe t’i jepni një kahje tjetër karrierës suaj. Pavarësisht nëse jeni një profesionist i ri, në mes të karrierës ose tashmë jeni ngritur në karrierë, këtu janë hapat e mundshëm që mund të ndërmerrni për të bërë një ndryshim në karrierë.

    Për profesionistët e rinj

    Nisja në një rrugë të re karriere mund të jetë emocionuese dhe konfuze, veçanërisht si një profesionist i ri i etur për të lënë gjurmë në botë. Këtu janë tre hapa që mund të ndërmerrni për një tranzicion të qetë.

    Gjeni një punë ku mund të fitoni dhe të bëni përvojë. Ndiheni të shqetësuar me karrierën tuaj aktuale dhe keni dëshirë të bëni një ndryshim? Mënyra më e mirë për të nisur atë tranzicion si një profesionist i ri është të ndërmerrni veprime menjëherë dhe të gjeni një punë në fushën tuaj të dëshiruar. Në fund të fundit, nuk do të fitoni përvojën e nevojshme duke qëndruar në të njëjtin vend andaj aplikoni për pozicione që ngjallin interesin tuaj dhe do të shërbejnë si një hap drejt karrierës suaj ideale.

    Gjeni një pozitë ose kompani që do t’ju japë mundësi rritjeje. Kur bëni një ndryshim në karrierë, kushtoni vëmendje pozitës dhe kompanisë se a ofron rritje profesionale. Një mënyrë për të identifikuar organizatat e përqendruara te rritja është të kërkoni ato që ofrojnë sesione trajnimi, zhvillim aftësish dhe programe mentorimi. Kur intervistoni për pozitën tuaj të dëshiruar, sigurohuni që të pyesni intervistuesin për mundësitë e rritjes brenda kompanisë. Për shembull:

    Çfarë mundësish mentorimi formale ose joformale ofron kompania?

    A ofron kompania rimbursim të shkollimit për të marrë mësime jashtë punës?

    Cilat janë qëllimet e matshme që punonjësit duhet të arrijnë për t’u kualifikuar për një promovim?

    Filloni të lidheni me njerëzit që punojnë në kompaninë tuaj të ëndrrave. Si një profesionist i ri, është krejtësisht normale të mos filloni menjëherë në kompaninë tuaj të ëndrrave. Derisa fitoni përvojë në fushën tuaj, kaloni në organizatën tuaj të dëshiruar duke u lidhur me ata që tashmë punojnë atje.

    Për profesionistët e mesit të karrierës

    Si një profesionist i mesit të karrierës, mund të jeni rritur në karrierën tuaj dhe të zbuloni se trajektorja juaj aktuale nuk ju emocionon më. Ja se si të dilni jashtë zonës suaj të rehatisë dhe të rishpikni jetën tuaj profesionale.

    Shfrytëzojeni rrjetin tuaj ekzistues. Tregu i fshehur i punës është në rrjetin tuaj. Shumë vende pune nuk publikohen në faqet e kërkimit të punës dhe përkundrazi plotësohen përmes rrjeteve/rekomandimeve të kolegëve. Si një profesionist i mesit të karrierës, ka të ngjarë të keni bërë shumë lidhje brenda ose jashtë industrisë suaj, dhe tani është koha për të hyrë në rrjetin tuaj.

    Ekspertja e lidershipit, Kim Carpenter sugjeron që të filloni me LinkedIn. Ajo thotë se duhet të “përpunoni hapat e ashensorit dhe t’u tregoni sa më shumë njerëzve që të jetë e mundur se po kërkoni lëvizjen tuaj të radhës”. Për shembull, nëse keni lidhje me rekrutuesit ose profesionistët në industrinë që dëshironi të depërtoni, kontaktoni ata për një bisedë të shpejtë kafeje dhe pyesni për mundësitë e mundshme.

    Plotësoni boshllëqet e njohurive. Nëse jeni duke kaluar në një industri krejtësisht të re në mes të karrierës, mund t’ju duhet të fitoni aftësi të reja dhe të plotësoni disa boshllëqe njohurish. Për ta bërë këtë, filloni duke parë kërkesat e punës për pozicionin që po synoni dhe duke i krahasuar ato me aftësitë tuaja ekzistuese.

    Kaloni në pozitën tuaj të dëshiruar. Nëse ju pëlqen të punoni në kompaninë tuaj aktuale, por dëshironi të ndryshoni profesionin në mes të karrierës, nuk duhet domosdoshmërisht të filloni nga e para në një vend të ri pune. Në vend të kësaj, merrni parasysh ndryshimin e pozitave brenda kompanisë suaj.

    Për profesionistët me përvojë

    Siç thotë shprehja, “mosha është vetëm një numër” dhe nuk është kurrë vonë për të menduar për një ndryshim në karrierë. Përvojat e pasura dhe aftësitë e çmuara që keni fituar gjatë karrierës suaj ju mund të hapin dyert dhe të ofrojnë mundësi unike ndërsa hyni në territore të reja. Këtu janë tre hapa për të arritur aspiratat tuaja të karrierës më vonë në jetë.

    Vlerësoni vlerat, qëllimet dhe prioritetet tuaja. Si një profesionist i formuar ndër vite dhe me përvojë, ju ka të ngjarë të keni zhvilluar një ndjenjë të fortë të asaj që vlerësoni në jetën tuaj profesionale dhe qëllimet tuaja afatgjata të karrierës. Përpara se të bëni një ndryshim në karrierë, vlerësoni vlerat tuaja thelbësore dhe përcaktoni nëse ato përputhen me rrugën tuaj të re. Mendoni se çfarë vërtet ka rëndësi për ju, çfarë ju sjell përmbushje dhe çfarë dëshironi të arrini përpara daljes në pension.

    Nëse po kaloni në një fushë karriere krejtësisht të palidhur me atë aktuale, mos u shqetësoni. Në vend që të shqetësoheni se si përvojat tuaja profesionale të së kaluarës janë të parëndësishme për punën tuaj të ëndrrave, juduhet të mbësteteni në to për të treguar vlerat që ju veçojnë nga kolegët e tjerë.

    Krijoni veten si një ekspert dhe udhëheqës i mendimit. Bërja e një ndryshimi në karrierë si një profesionist i lartë mund të jetë e frikshme, por është gjithashtu një mundësi për të vendosur veten si një ekspert dhe udhëheqës i mendimit në fushën tuaj të re. Mund të duhet kohë për të fituar njohuritë dhe përvojën që ju nevojiten për t’u bërë autoritet mbi këtë temë, por duke investuar në të mësuarit dhe rrjetëzimin me profesionistë të industrisë, përfundimisht do të ndërtoni kredibilitetin tuaj. /AkademiPune

  • ​Sot Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur

    ​Sot Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur

    Sot është Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur. Më shumë se dy dekada pas përfundimit të luftës, në Kosovë vazhdojnë të mungojnë edhe mbi 1600 persona.

    Për të shënuar këtë ditë presidentja e vendit, Vjosa Osmani, dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, do të bëjnë nderime te Memoriali për të Pagjeturit në Prishtinë.

    Gjithashtu, Zyra e Kryeministrit, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Këshilli Koordinues i Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, organizojnë homazhe pranë përmendores dedikuar personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës.

    Homazhet do të fillojnë nga ora 10:00

    Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, të zhdukur kanë qenë rreth 6.500 persona. Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.

  • Lajçak: Nëse shtetet e Ballkanit janë gati për anëtarësim, edhe BE-ja është

    Lajçak: Nëse shtetet e Ballkanit janë gati për anëtarësim, edhe BE-ja është

    Diplomati sllovak, Miroslav Lajçak, ka thënë se BE-ja është gati për anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor për vitin 2030.

    Në Forumin e Bledit, në konferencën me titull “Ballkani Perëndimor: Gjithçka po ndryshon por gjithçka mbetet e njëjtë”, kanë folur ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, homologu i saj serb Ivica Daçiq, e të tjerë.

    Ndërkaq, emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, duke iu kundërpërgjigjur Daçiqit i cili tha se BE-ja vazhdimisht po i ndryshon kushtet e anëtarësimit, dhe se viti 2030 nuk është real, Lajçaku tha se BE-ja është e gatshme për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

    “Nëse ju jeni gati, ne jemi gati”, tha Lajçaku.

    Ai theksoi se nuk e mban mend në të kaluarën që BE-ja të ketë qenë më e gatshme sesa vet shtetet e Ballkanit.

    “Nuk e mbaj mend një situatë që BE-ja ka qenë më e gatshme për Ballkanin, sesa Ballkani për BE-në. Tani e kemi këtë momentum, i cili nuk zgjat përgjithmonë – shfrytëzojeni”, tha Lajçaku në Bled të Sllovenisë.

  • Vizita në Bled, Kurti: E përmbyllëm me më shumë shpresë për të ardhmen e ndritur të Kosovës

    Vizita në Bled, Kurti: E përmbyllëm me më shumë shpresë për të ardhmen e ndritur të Kosovës

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar rreth vizitës së tij në Bled të Sllovenisë ku ka marrë pjesë në Forumin Strategjik.

    Ai ka njoftuar për takimet e mbajtura dhe ka theksuar se e ka përmbyllur pjesëmarrjen atje me shumë shpresë për “të ardhmen e ndritur të Kosovës”.

    Derisa ka përmendur takimin me Stuart Peach, Kurti ka thënë se kanë diskutuar për bashkëpunimin rajonal, çështjet aktuale dhe procesin e dialogut.

    “Për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, zbatimin e Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit të dakorduar në Ohër dhe takimin e radhës të nivelit të lartë në muajin tjetër bisedova me emisarin e BE-së, Lajçak. Ndërkaq me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OSBE, Michael Carpenter folëm për situatën tashmë të deeskaluar në katër komunat në veri dhe për rëndësinë e parandalimit të rieskalimit potencial të saj”, ka thënë ai.

    Ai ka shkruar se “me mesazhet për BE-në të një unioni vlerash dhe parimesh të përbashkëta, kërkesën që Ballkani Perëndimor të fokusohet në reforma dhe sundim të ligjit dhe vizionin e ofruar për anëtarësim të Ballkanit Perëndimor deri më 2030, përmbyllëm pjesëmarrjen në Forumin Strategjik të Bledit me më shumë shpresë e besim për të ardhmen e ndritur të Republikës tonë”.

  • Zyrtari i NATO-s në Serbi: Presim shtensionim të plotë të situatës në veri të Kosovës

    Zyrtari i NATO-s në Serbi: Presim shtensionim të plotë të situatës në veri të Kosovës

    Ne ende presim të shohim një shtensionim të plotë të situatës në veri të Kosovës, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL), shefi i Zyrës Ndërlidhëse të NATO-s në Beograd, Giampiero Romano.

    “Të gjitha palët duhet të punojnë për të parandaluar çdo ripërshkallëzim. Dhuna mund ta destabilizojë Ballkanin Perëndimor dhe të kërcënojë aspiratat euro-atlantike të këtij rajoni”, tha Romano.

    Ai përshëndeti hapat e ndërmarrë nga institucionet e Kosovës, që kanë të bëjnë me zvogëlimin e numrit të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës rreth objekteve komunale në veri të Kosovës, si dhe punën për organizimin e zgjedhjeve të reja lokale.

    “Rruga e vetme përpara është ajo përmes dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian [BE], të cilin Aleanca Veri-atlantike e mbështet fuqishëm. Ne besojmë se Serbia, si një partnere afatgjatë e NATO-s, do të angazhohet për t’u përfshirë në një dialog të tillë në mënyrë konstruktive”, theksoi ndër tjerash shefi i Zyrës Ndërlidhëse të NATO-s në Beograd.

    Tensionet në veri të Kosovës u rritën në fund të majit, pasi kryetarët e rinj të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, të shoqëruar nga Policia e Kosovës, hynë në ndërtesat komunale.

    Banorët serbë e kundërshtuan këtë dhe organizuan protesta që kulmuan në dhunë më 29 maj në Zveçan, ku u plagosën dhjetëra demonstrues dhe ushtarë të misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR).

    Ndërkohë, Kosova dhe BE-ja arritën marrëveshje për shtensionimin e situatës, e cila parasheh shpalljen e zgjedhjeve të reja në komunat në veri.

    Kur bëhet fjalë për ndikimin e Rusisë në Serbi dhe më gjerë në Ballkanin Perëndimor, Romano deklaroi se shqetësimet për ndikimin e Rusisë në rajon “u bënë më intensive që kur filloi pushtimi në shkallë të gjerë i Ukrainës nga Rusia”.

    “Ajo që po shohim në të gjithë rajonin është përhapja e dezinformatave, detyrimeve, hakerëve dhe aktiviteteve të tjera destabilizuese. Kjo është arsyeja pse NATO-ja do të vazhdojë të përmirësojë bashkëpunimin me partnerët në rajon për të mbështetur reformat, paqen dhe sigurinë rajonale”, u shpreh Romano.

    NATO-ja, e gatshme të reagojë në veri

    Radio Evropa e Lirë: Cili është vlerësimi juaj për situatën aktuale të sigurisë në veri të Kosovës? Cilat janë sfidat më të mëdha për NATO-n në atë pjesë të Kosovës?

    Giampiero Romano: Të gjitha palët duhet të punojnë për të parandaluar çdo ripërshkallëzim. Dhuna mund të destabilizojë Ballkanin Perëndimor dhe të kërcënojë aspiratat euro-atlantike të rajonit. Kjo është arsyeja pse ne mirëpresim hapat që kanë ndërmarrë institucionet e Kosovës së fundi, për zvogëlimin e numrit të policëve përreth objekteve komunale në veri të Kosovës, si dhe punën për organizimin e zgjedhjeve të reja lokale.

    Këta janë hapa në drejtimin e duhur që duhet të shoqërohen me një shtensionim shtesë. Dialogu konstruktiv është mënyra e vetme për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet. Dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës nën mbikëqyrjen e BE-së është platforma më e mirë për gjetjen e një zgjidhjeje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve.

    Komandanti i misionit të KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Ristuccia, vazhdon të mbetet në kontakt me shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjeneralin Milan Mojsiloviq, si dhe me përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe organizatave të sigurisë në Kosovë, Misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit [EULEX], OSBE-në dhe komunitetin ndërkombëtar.

    Misioni i NATO-s, KFOR, është plotësisht i përkushtuar dhe i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara [OKB] të vitit 1999, që për synim ka ofrimin e një mjedisi të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë. Kur është fjala për situatën në terren, KFOR-i monitoron nga afër situatën dhe ka një qëndrim të shkathtë, fleksibil dhe një prani të dukshme.

    Gjatë muajit maj, pati një sulm ndaj pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të KFOR-it – 93 ushtarë të NATO-s u plagosën, disa prej të cilëve pësuan lëndime të rënda. Kjo është krejtësisht e papranueshme. Prandaj, si përgjigje ndaj trazirave të fundit, NATO-ja ka dislokuar edhe 500 trupa shtesë në Kosovë dhe KFOR-i mbetet i gatshëm të përgjigjet sipas nevojës.

    Misioni ynë i KFOR-it gjithmonë do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të ofruar mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, si dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë në mënyrë të paanshme, në përputhje me mandatin e tij të Kombeve të Bashkuara. Çdo ndryshim në numrat e KFOR-it do të bazohet në kushtet në terren, jo në afate të paracaktuara.

    Radio Evropa e Lirë: Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u takua me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në korrik në Bruksel dhe me atë rast kërkoi “siguri për serbët në Kosovë”. A ka ndodhur ndonjë lëvizje e re në këtë drejtim? Si merr pjesë Zyra Ndërlidhëse Ushtarake e NATO-s në Beograd në përpjekjet për ta shtensionuar situatën në veri të Kosovës?

    Giampiero Romano: Vizita e fundit e presidentit Vuçiq në selinë e NATO-s ishte një mundësi e mirë për të diskutuar për sfidat në veri të Kosovës, si dhe për NATO-n për të riafirmuar angazhimin e saj afatgjatë ndaj misionit të saj KFOR bazuar në mandatin e OKB-së. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, theksoi rëndësinë e uljes së tensioneve, si dhe faktin se të gjitha palët duhet të përmbahen nga masat dhe retorika që mund të çojnë në përshkallëzim. Ne jemi ende në pritje për të parë një shtensionim të plotë.

    E vetmja rrugë përpara është përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, të cilën [rrugë] NATO-ja e mbështet fuqishëm. Ne besojmë se Serbia, si një partner afatgjatë i NATO-s, do të angazhohet në një dialog të tillë në mënyrë konstruktive.

    Siç thashë, KFOR-i do të vazhdojë të luajë rolin e tij në ofrimin e sigurisë, në përputhje me mandatin e tij që rrjedh nga OKB-ja. Gjithashtu, ekipi im vazhdon të japë kontributin e tij përmes aktiviteteve të përditshme në fushën e dialogut politik dhe bashkëpunimit praktik me bashkëbisedues të shumtë në Beograd dhe në mbarë Serbinë.

    Bashkëpunimi me Serbinë përmes ‘aktiviteteve të panumërta’

    Radio Evropa e Lirë: Si e vlerësoni bashkëpunimin me institucionet kompetente të Serbisë?

    Giampiero Romano: Unë mora detyrën e shefit të Zyrës Ndërlidhëse Ushtarake të NATO-s në Beograd dhjetorin e kaluar, kur mora detyrën e shefit të Misionit nga bashkatdhetari im i nderuar, gjeneral brigade Antonello Messenio Zanitti. Në ceremoninë e dorëzim-pranimit [të detyrës] morën pjesë miqtë tanë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Mbrojtjes, Ushtria Serbe dhe shumë institucione të tjera serbe. Vetë fakti që më pritën në Beograd dy ministra dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, më dha një pasqyrë shumë të qartë se si e sheh Serbia partneritetin tonë.

    Për gati shtatëmbëdhjetë vjet, NATO-ja dhe Serbia kanë zhvilluar një partneritet me përfitim reciprok, si përmes dialogut të ngushtë politik, ashtu edhe përmes një niveli të lartë bashkëpunimi praktik në të gjitha fushat. Kur bëhet fjalë për dialogun tonë politik, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, është në kontakt të rregullt me presidentin Vuçiq dhe zyrtarë të lartë të NATO-s komunikojnë rregullisht me partnerët e tyre serbë në Beograd dhe Bruksel.

    Sa i përket bashkëpunimit praktik në kuadër të partneritetit me Serbinë, mund të rendis një sërë aktivitetesh që realizohen në bashkëpunim me disa institucione serbe në kuadër të programit Partneriteti për Paqe, në radhë të parë me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ushtrinë Serbe. Për shembull, ne punojmë së bashku për të qenë më të përgatitur për t’u marrë me emergjenca, si përmbytjet dhe zjarret.

    NATO-ja, gjithashtu, trajnon ushtarët serbë për të marrë pjesë në misionet paqeruajtëse dhe ofron edukim dhe trajnim për oficerët dhe personelin e Forcave të Armatosura Serbe në mënyra të ndryshme. Këto aktivitete e ndihmojnë Ushtrinë Serbe që t’i zhvillojë më shumë kapacitetet e saj për pjesëmarrje në operacionet paqeruajtëse ndërkombëtare.

    Përveç kësaj, ne kemi investuar miliona euro për të ndihmuar Serbinë të shkatërrojë qindra tonelata municione të vjetruara.

    Ne jemi në gjendje t’i bëjmë të gjitha këto sepse udhëheqësit në Beograd e shohin rëndësinë e partneritetit ndërmjet Serbisë dhe NATO-s dhe përfitimet që sjell për këtë vend.

    Gjithçka që bëjmë së bashku bazohet në kërkesat e Serbisë dhe përshtatet me nevojat e saj, duke respektuar plotësisht politikën e neutralitetit ushtarak të Serbisë.

    Stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është i një rëndësie strategjike për NATO-n dhe ne besojmë se forcimi i partneritetit ndërmjet NATO-s dhe Serbisë mund të ketë përfitime të shumta, ndër të cilat është stabilizimi i mëtejshëm i rajonit.

    Përsëritja e tensioneve në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë

    Radio Evropa e Lirë: Dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it u plagosën gjatë trazirave në veri të Kosovës në fund të majit. Si do të siguroj NATO-ja që përgjegjësit të japin llogari?

    Giampiero Romano: NATO-ja dhe e gjithë bashkësia ndërkombëtare i kanë dënuar sulmet e paprovokuara ndaj forcave të KFOR-it që mbronin jetën dhe sigurinë në veri të Kosovës. Sulmet e tilla ndaj personelit të KFOR-it janë të papranueshme dhe nuk duhet të përsëriten. Për dekada, forcat e KFOR-it e kanë kryer mandatin, që rrjedh nga OKB-ja, në mënyrë të paanshme dhe për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.

    Ballkani Perëndimor ka bërë një rrugë të gjatë që nga konfliktet e viteve 1990, por ne po shohim një përsëritje të tensioneve në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë, me retorikë më agresive, reforma të ngecura dhe përpjekje nga faktorë të jashtëm që synojnë të minojnë progresin.

    Në Konceptin tonë Strategjik, u riafirmua rëndësia strategjike e rajonit të Ballkanit Perëndimor për NATO-n, gjë që u konfirmua qartë dhe njëzëri nga liderët e saj në samitin në Vilnius korrikun e këtij viti. Siguria dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor janë të rëndësishme për NATO-n dhe për paqen dhe stabilitetin në Evropë.

    Siç e kam thënë tashmë, mandati i KFOR-it, i cili bazohet në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, është të angazhohet për sigurimin e një mjedisi të sigurt dhe lirisë së lëvizjes në Kosovë. Misioni ynë do të vazhdojë ta kryejë këtë mandat në mënyrë të paanshme dhe do të jetë gjithmonë i gatshëm të marrë të gjitha masat e nevojshme për këtë qëllim.

    NATO-ja ka rritur praninë e saj me rreth 500 ushtarë turq nga forcat tona operacionale rezervë për Ballkanin Perëndimor dhe një batalion shtesë i forcave rezervë është në nivelin më të lartë të gatishmërisë. Këta janë hapa të arsyeshëm për të siguruar që KFOR-i ka fuqinë dhe aftësitë e nevojshme për të përmbushur më tej mandatin e tij.

    Dhuna bart më vete rrezikun e kthimit prapa të Kosovës, si dhe të gjithë rajonit, si dhe të rrezikimit të aspiratave të saj euroatlantike. Prishtina dhe Beogradi duhet të ndërmarrin hapa konkretë për të shtensionuar situatën dhe të përmbahen nga sjelljet e mëtejshme të papërgjegjshme. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që t’i ulin tensionet, të kërkojnë zgjidhje të dobishme dhe të bëjnë çmos për t’u kthyer në dialog nën mbikëqyrjen e BE-së. Kjo është e një rëndësie kyçe për sigurinë e përhershme në Kosovë dhe stabilitetin në rajon.

    Pasojat e luftës brutale ruse

    Radio Evropa e Lirë: A e ka identifikuar NATO-ja ndikimin rus në trazirat e fundit në veri të Kosovës?

    Giampiero Romano: Për më shumë se 30 vjet, NATO-ja është përpjekur të ndërtojë një partneritet me Rusinë dhe të zhvillojë dialogun dhe bashkëpunimin praktik në fushat me interes të përbashkët. Pavarësisht kësaj, Rusia shkel në mënyrë të përsëritur normat dhe parimet që kontribuojnë në një rend të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm të sigurisë në Evropë, veçanërisht gjatë dekadës së fundit.

    Lufta brutale dhe e paligjshme e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, e nisur në vitin 2022 pas aneksimit të paligjshëm të Krimesë në vitin 2014, tronditi paqen dhe ndryshoi në mënyrë drastike rrethin e sigurisë. Lufta brutale e Rusisë tashmë ka pasoja të mëdha që po ndihen në shumë rajone.

    Shqetësimet për ndikimin e Rusisë në Ballkanin Perëndimor janë bërë më intensive që nga fillimi i pushtimit në shkallë të gjerë të Rusisë në Ukrainë. Në këtë kuptim, muajt e fundit kemi parë sulme kibernetike, dezinformata, presion ekonomik dhe shtrëngim politik. Ne i bëjmë thirrje Rusisë që të luajë një rol konstruktiv në Ballkanin Perëndimor, por për fat të keq ne e shohim rregullisht duke bërë të kundërtën.

    Radio Evropa e Lirë: Cila mendoni se është zgjidhja e qëndrueshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

    Giampiero Romano: Në samitin e NATO-s në Vilnius, aleatët përsëritën mbështetjen e tyre të plotë për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe iu bënë thirrje të dyja palëve që të përfitojnë nga ky moment dhe të punojnë me mirëbesim për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme politike. Ata, gjithashtu, u bënë thirrje të dyja palëve që urgjentisht t’i ulin tensionet dhe ta zbatojnë marrëveshjen për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve dhe Aneksin për zbatimin e saj, për të cilat palët ranë dakord këtë vit në Bruksel dhe Ohër.

    NATO-ja mbështet fuqishëm dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve. Mbetemi në kontakt shumë të ngushtë me Bashkimin Evropian dhe përfaqësuesin e tij special, Mirosllav Lajçak.

    Aleatët e NATO-s janë fuqimisht të përkushtuar për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, gjë që ata e kanë bërë për dekada të tëra dhe misioni ynë më jetëgjatë, KFOR, është treguesi më i mirë për vendosmërinë në këtë angazhim.

    Serbia është ajo që përcakton hapësirën e bashkëpunimit me NATO-n

    Radio Evropa e Lirë: Serbia deklarohet si një vend ushtarakisht neutral. Megjithatë, që nga viti 2006, ajo ka vazhduar bashkëpunimin me NATO-n përmes Partneritetit për Paqe. Cilat janë rezultatet kryesore të këtij bashkëpunimi?

    Giampiero Romano: Sfidat e përbashkëta me të cilat përballemi në botën e sotme moderne, zgjidhen më së miri përmes përpjekjeve të përbashkëta. Kjo është arsyeja pse partnerët janë thelbësorë për NATO-n, pasi kontribuojnë në stabilitetin përtej kufijve tanë dhe rrisin sigurinë brenda tyre. Në Ballkanin Perëndimor, partneriteti ynë afatgjatë – duke përfshirë politikën e dyerve të hapura – ka ndihmuar në forcimin e stabilitetit dhe ka mbështetur reformat demokratike. Po kështu, partneriteti ndërmjet NATO-s dhe Serbisë i kontribuon paqes dhe stabilitetit në rajon, të cilin NATO dhe Serbia e shohin si një interes strategjik.

    Është e rëndësishme të theksohet se është Serbia ajo që përcakton shtrirjen e partneritetit tonë. Jemi të kënaqur me gjithçka që kemi arritur deri tash në këtë proces, por gjithmonë ka hapësirë për të bërë më shumë.

    Bashkëpunimi ynë afatgjatë ka shumë rezultate. Për shembull, përmirësimi i njohurive dhe aftësive të oficerëve serbë, të nevojshme për pjesëmarrjen e tyre të suksesshme në operacionet ndërkombëtare është një nga mënyrat, me të cilat NATO-ja mbështet Forcat e Armatosura Serbe në dhënien e një kontributi të rëndësishëm në misionet paqeruajtëse në mbarë botën nën kujdesin e OKB-së dhe BE-së.

    Duke ofruar edukim dhe trajnim për oficerët dhe personelin tuaj në formën e vizitave dhe programeve të ndryshme, ne u mundësojmë atyre të fitojnë aftësi të reja dhe profesionalizëm, duke forcuar kështu aftësinë e tyre për të vepruar në mënyrë efektive përkrah ushtarëve nga vende të tjera. Aleatët e NATO-s po i ofrojnë mbështetje Sllovenisë pasi reshjet rekorde të shiut shkaktuan përmbytje të mëdha në dy të tretat e vendit. Mbështetja përfshin sigurimin e helikopterëve, urave të parafabrikuara, ekskavatorëve dhe asistencës inxhinierike.

    E mirëpres edhe kontributin e Serbisë në këtë drejtim, përmes sigurimit të personelit, helikopterëve dhe pajisjeve të tjera. Falë trajnimeve dhe stërvitjeve të përbashkëta, siç është stërvitja “Serbia 2018” e organizuar nga Serbia dhe NATO-ja në Mlladenoc, të gjithë mund të veprojmë si një kur është e nevojshme.

    Ne e respektojmë plotësisht politikën e neutralitetit ushtarak të Serbisë – si dhe të shumë partnerëve tanë të tjerë – e cila nuk na pengon të bëjmë gjëra të mëdha së bashku, tash si dhe në të ardhmen. Në përgjithësi, siç thanë liderët e NATO-s në samitin në Vilnius, forcimi i marrëdhënieve NATO-Serbi do të ishte i dobishëm për NATO-n, për Serbinë dhe për të gjithë rajonin.

    Projekte të përbashkëta shkencore me Serbinë

    Radio Evropa e Lirë: Sipas jush, si mund të përmirësohet ky bashkëpunim?

    Giampiero Romano: Përmes informimit të vazhdueshëm të njerëzve në Serbi dhe në rajon se sa punojnë së bashku NATO-ja dhe Serbia në fusha të shumta, gjë që ndikon drejtpërdrejt në sigurinë dhe mirëqenien e popullatës sonë.

    Ne kemi një themel të shkëlqyer, mbi të cilin po ndërtojmë. Për shembull, ka shumë histori suksesi në bashkëpunimin tonë shkencor, ku shkencëtarët serbë luajnë një rol udhëheqës. Shkencëtarët nga vendet e NATO-s dhe Serbia punojnë së bashku për të përmirësuar jetën e qytetarëve tanë, në çështjet e sigurisë së energjisë dhe mjedisit, teknologjive të reja përçarëse, luftës kundër terrorizmit, mbrojtjes kibernetike, mbrojtjes kundër armëve kimike, biologjike, radiologjike dhe bërthamore dhe sigurisë njerëzore. Unë do të jap disa shembuj.

    Shkencëtarët serbë nga Instituti Vinca, së bashku me kolegë nga Italia, Franca, Holanda, Gjermania, Finlanda, Ukraina dhe Republika e Koresë, kanë treguar profesionalizëm dhe përkushtim të jashtëzakonshëm, përmes pjesëmarrjes në zhvillimin e teknologjisë për identifikimin e armëve të fshehura dhe eksplozivit në vendet ku ka një numër të madh njerëzish, pa penguar qarkullimin e këmbësorëve (DEXTER). Qëllimi i këtij projekti është të ndihmojë në parandalimin e sulmeve terroriste në stacionet e metrosë, aeroportet dhe vende të tjera të transportit publik dhe tubimeve publike.

    Një shembull tjetër i bashkëpunimit tonë është një projekt kërkimor i financuar nga NATO-ja që merret me zhvillimin e biokarburanteve të algave për prodhim komercial. Ai realizohet nga Instituti për Kërkime Multidisiplinare të Universitetit të Beogradit në bashkëpunim me Universitetin e Mançesterit nga Britania e Madhe dhe Universitetin Baylor në SHBA.

    Projektet e NATO-s për bashkëpunim shkencor ndihmuan në krijimin e tabelave sizmologjike për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në përmirësimin e mbrojtjes së burimeve ujore të lumit Sava. Përveç kësaj, shkencëtarët serbë dhe gjermanë janë duke punuar në zhvillimin e një roboti dekontaminues dhe çminues të quajtur T-Whex.

    Këta janë vetëm disa nga shembujt e shumtë konkretë të përfitimeve reciproke që kanë NATO-ja dhe Serbia falë partneritetit të tyre. Sa më shumë njerëz të dinë se si NATO-ja dhe Serbia punojnë së bashku, aq më shumë gjasa do të ketë për më shumë projekte dhe aktivitete të përbashkëta, nëpërmjet së cilave ne mund të kontribuojmë së bashku në ndërtimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë ne dhe fëmijët tanë.

    Radio Evropa e Lirë: Instituti për Çështje Evropiane së fundi ka realizuar një anketë që ka treguar se perceptimi në Serbi nuk ka ndryshuar dukshëm kur është fjala për anëtarësimin e mundshëm në NATO, si dhe kur bëhet fjalë për NATO-n në përgjithësi. Mendoni se ky perceptim paraqet sfidë për bashkëpunimin me Serbinë? A mendoni se mund të ndryshojë ky perceptim në një qëndrim më pozitiv?

    Giampiero Romano: Ne e vlerësojmë opinionin publik në Serbi. Për ne, perceptimi dhe opinioni i njerëzve janë faktorë kyç që ne i marrim parasysh në aktivitetet tona të përditshme. Serbia është një partner i çmuar i NATO-s dhe bashkëpunimi ynë është reciprokisht i dobishëm. Këto janë faktet që ne përpiqemi t’i komunikojmë në mënyrë transparente.

    Ekziston edhe një pikë tjetër e rëndësishme për të cilën duhet komunikuar më shpesh. NATO përbëhet nga aleatë, vende fqinje dhe partnere ekonomike të Serbisë, d.m.th. vendet që janë afër Serbisë dhe popullit serb në një mënyrë apo tjetër, qoftë bilaterale, përmes BE-së apo lidhjeve të tjera shumëpalëshe.

    NATO është Italia, atdheu im, një nga 12 themeluesit e saj. NATO është Gjermania, një nga partnerët më të mëdhenj ekonomikë të Serbisë. NATO është Norvegjia, prej nga vjen sekretari ynë i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg. NATO është Greqia, është Hungaria, Spanja, Sllovakia, Danimarka dhe shumë vende të tjera. Serbia ka shumë miq në mesin e vendeve të NATO-s dhe ka lidhje të rëndësishme tregtare, ekonomike, kulturore dhe të tjera me ato vende.

    Puna jonë nuk mbaron kurrë. Ekipi im dhe unë do të vazhdojmë të informojmë për shtrirjen e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe NATO-s në mënyrë të saktë dhe transparente, duke e thënë qartë se partneriteti ynë bazohet në kërkesat e Serbisë, se ai është i përshtatur për nevojat e saj dhe se është kryer me respekt të plotë për politikën e neutralitetit ushtarak të Serbisë.

    Përveç kësaj, në samitin e NATO-s në Vilnius në fillim të kësaj vere, liderët e NATO-s e bënë të qartë se shpresojnë se Serbia do të ketë marrëdhënie konstruktive me NATO-n dhe fqinjët e saj, duke përfshirë njoftimin e saj publik për përfitimet reciproke të bashkëpunimit të NATO-s dhe Serbisë.

    Ne duhet të gjejmë mënyra për të qëndruar së bashku kundër fushatave dezinformuese, kërcënimeve hibride dhe sfidave të tjera që minojnë besimin në shoqëritë tona demokratike në përgjithësi. Ilaçi më i mirë për këto sfida janë faktet dhe zbatimi i vlerave tona të përbashkëta, si dhe transparenca dhe aktivitetet konkrete. Prandaj, ne do të vazhdojmë të bëjmë çmos për të shpjeguar se çfarë është NATO-ja dhe cilat parime dhe vlera përfaqëson. Ne jemi, gjithashtu, të gatshëm të eksplorojmë mënyra të reja për të komunikuar me publikun serb.

    Shtrëngimi, sulmet kibernetike dhe aktivitetet tjera destabilizuese

    Radio Evropa e Lirë: Si e sheh Aleanca Veriatlantike ndikimin e Rusisë në Serbi në dritën e pushtimit rus të Ukrainës?

    Giampiero Romano: Ndikimi i luftës brutale të Rusisë është i gjerë dhe është përhapur në shumë rajone përtej vetë zonës së konfliktit. Pasojat e saj përfshijnë një krizë ushqimore dhe energjetike që prek miliarda njerëz në mbarë botën. Gjithashtu, pasojat e luftës vërehen në disa mënyra në Ballkanin Perëndimor. Ajo që ne shohim në të gjithë rajonin është përhapja e dezinformatave, detyrimeve, hakerave dhe aktiviteteve të tjera destabilizuese. Prandaj, NATO do të vazhdojë të përmirësojë bashkëpunimin me partnerët në rajon për të mbështetur reformat, paqen dhe sigurinë rajonale, si dhe për të luftuar kundër ndikimit malinj, i cili përfshin dezinformimin, kërcënimet hibride dhe kibernetike nga aktorët shtetërorë dhe joshtetërorë.

    Për sa i përket pasojave të kontekstit aktual gjeopolitik në marrëdhëniet NATO-Serbi, vlen të përmendet se Serbia vendosi të pezullojë të gjitha aktivitetet në lidhje me planifikimin, përgatitjen dhe mbajtjen e stërvitjeve ndërkombëtare deri në një njoftim të dytë.

    NATO-ja respekton plotësisht të drejtën sovrane të secilit vend për të zgjedhur marrëveshjet e veta politike dhe të sigurisë, por ne nuk e shohim se Rusia po bën të njëjtën gjë.

    Siç e kam thënë tashmë, NATO-ja është plotësisht e përkushtuar për stabilitetinnë rajon dhe mirëpret bashkëpunimin konstruktiv me Serbinë për këtë qëllim.

    Radio Evropa e Lirë: Serbia nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë, pavarësisht thirrjeve të BE-së, ky aspiron të anëtarësohet. Deri në çfarë mase një gjë e tillë paraqet sfidë sigurie për Serbinë dhe Ballkanin Perëndimor?

    Giampiero Romano: Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës është i paligjshëm. Ajo ka kërcënuar sigurinë euro-atlantike dhe globale, krimet e luftës dhe sulmet ruse kundër civilëve dhe infrastrukturës civile po privojnë miliona ukrainas nga shërbimet bazë njerëzore. Lufta e Rusisë, gjithashtu, ndikon ndjeshëm në mjedisin, sigurinë bërthamore, sigurinë e energjisë dhe ushqimit, ekonominë globale dhe mirëqenien e miliarda njerëzve në mbarë botën. Siç e kam thënë tashmë, pasojat negative të kësaj lufte ndihen edhe në Ballkanin Perëndimor.

    Ne nuk duhet ta tolerojmë këtë. NATO-ja mirëpret vendimin e Serbisë për t’i mbështetur rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që dënojnë agresionin rus kundër Ukrainës. Është e rëndësishme që partnerët tanë të bashkohen me ne për t’i mbrojtur vlerat tona të përbashkëta demokratike dhe për të mbrojtur një rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla./REL