Ushtruesi i detyrës i kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, ka bërë një shkrim skandaloz në rrjetin e tij social “Facebook”, të martën mbrëma.
Klinaku, u shpreh se “më parë e vras Albin Kurtin sesa që ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova”.
Ai ndau një bisedë që tha se e ka zhvilluar me një nga votuesit e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Votuesi i Kurtit siç thotë Klinaku ishte shumë i dëshpëruar me shefin e qeverisë.
Votuesi sipas tij, ka thënë se “ka votuar për ndryshim, por s’ka mbetur tjetër gjë pos me ikë jashtë”.
Po ashtu, Klinaku shprehet se “Kosovën nuk duhet, e as që guxojnë ta lëshojnë ata që kanë luftuar për të”.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, zgjodhi rrjetin social Facebook, që të proklamojë disa arritje në raport me ofrimin e shërbimeve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
“Në janar 2023, në QKUK kishte vetëm 1 rezonancë magnetike dhe lista e pritjes ishte deri në 1 vit.
Aktualisht:
Një rezonancë magnetike e teknologjisë së fundit në spitalin e pediatrisë u shtua.
U bë funksionale edhe një rezonancë magnetike në Spitalin Rajonal të Pejës.
Në fazën e përfundimtare procesi për rezonancën magnetike në Spitalin e Prizrenit.
Në gusht 2023, asnjë rast urgjent për pacientët pediatrikë dhe onkologjikë nuk qëndron në pritje.
Lista për rastet e tjera tashmë ka rënë në 4 muaj. E po vazhdon të bjerë.
Vazhdojmë së bashku me stafin mjekësor punën për transformimin e shërbimeve mjekësore për qytetarët tanë.
Sfidat janë të shumta, por edhe më të mëdha janë dhe përpjekjet”, ka shkruar Vitia në facebook.
Mirëpo, disa nga komentuesit në postimin e ministrit Vitia, nuk janë fare të kënaqur me atë që QKUK-ja ofron për pacientët.
Duke publikuar disa fotografi, ata pasqyruan gjendjen e keqe në spitalet publike të vendit.
Qytetarët nuk e kursyen opsionin e komentimit për t’i ndarë eksperiencat e tyre të parit të shëndetësisë.
Sa u takon listave të pritjes, një komentues e ftoi ministrin Vitia që të tentojë ta aranzhojë një termin për vete e ta vërtetojë se sa gjatë do të presë.
“Dr. Arben Vitia bone ni termin edhe kqyre sa pret, po jo ne emrin tond!! E dyta ku janë sigurimet shëndetësore qe patet premtu do e funksionalizoni!! Per 1 Koronagrafi njerëzit po presin ka 1-2 vite etj etj … Grahi punes se shkoj populli posht!!”, ia kthen Muharrem Goleshi, komentues.
Një komentuese tjetër, shprehet se pritjet e gjata po i detyrojnë pacientët të orientohen në klinikat private.
“Ju mund ti beni funksionale, ama duhet me prit deri 1 vit qe ato me qene ne sherbim te qytetareve. Shume procedura te ngadalshme. Mandej po detyrohemi me shku privat mi kry keto sherbime, fatkeqesisht! E mos pyt per ata qe nuk i kane mundesite! Situate deshperuese!”, i reagon Nazmie Braimaj, komentuese.
Për dikë, shqetësuese janë pritjet e stërzgjatura për operacione në Klinikën e Ortopedisë.
“Pritjet ne ortopedi per operacione tash jan te 2019 e ti flet per suksese!”, i shkruan Timja Bl, komentuese.
Kurse, dikush nuk është i sigurt për të ardhmen e repartit të emergjencës.
“Emergencen a pe boni muze a kur doni me perfundu?”, ishte reagimi i Edi Rrahmanit, komentues.
Ndërkohë, pati edhe komentues të cilët i dëshiruan ministrit Vitia punë të mbarë.
Në kundërshtim me kriteret e parapara në ligjin për inspektoratin shëndetësor, Ministria e Punëve të Brendshme ka hapur konkurs për 8 inspektor farmaceutik për nevoja të Ministrisë së Shëndetësisë.
Ligji përcakton se funksionin e Inspektorit Shëndetësor kanë të drejtë ta ushtrojnë, personat që kanë të kryer fakultetin e mjekësisë, farmacisë apo stomatologjisë si dhe të jetë i licencuar nga Ministria e Shëndetësisë, të ketë të dhënë provimin për inspektor dhe të ketë përvojë pune së paku pesë vite në lëminë përkatëse shëndetësore.
Por në konkurs e hapur së fundi janë ulur kriteret duke u kërkuar: persona me Diplomë ose arsim të lartë më së paku 3 vite të studimeve në fushat: Mjekësi përgjithshme, Mjekësi tjetër dhe Menaxhim Mjekësor si dhe së paku dy vite përvojë pune profesionale.
Se ky konkurs është në kundërshtim me ligjin e thotë edhe avokati Ardian Megjani.
Sipas tij nëse pas mbylljes së konkursit ka ankesa nga aplikantët dhe konkursi bie ndesh me ligjin, ministria do të detyrohet ta anuloj tërë procesin.
Në anën tjetër deputeti Armend Zemaj thotë se nëse zgjedhën inspektor me nivel më të ulët profesional, nuk do të mund ta kryejnë punën e tyre në terren sepse nuk janë kompetent.
Ministria e Shëndetësisë nuk ka treguar arsyet e uljes së kritereve të konkursit, duke ia kaluar gjithë përgjegjësinë Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila poashtu nuk është përgjigjur në pyetjet e televizionit.
Të hënën presidenti i Francës, Emmanuel Macron, për herë të parë përmendi rishikimin e politikës së liberalizimit të vizave për Kosovën e Serbinë. Macron deklaroi se nga Kosova dhe Serbia pritet angazhim lidhur me zgjidhjen e situatës në veri të Kosovës, madje në mënyrë paqësore.
Kjo deklaratë po konsiderohet si një prej kërcënimeve më serioze, në vazhdën e masave ndëshkuese, me qëllim afrimin e raporteve Kosovë – Serbi.
“Një mekanizëm shtesë me anë të të cilit po i bëhet presion Kosovës, nga një shtet me peshë të madhe siç është Franca. Por, nuk është larg mendsh që një kërkesë e tillë në një të ardhme të bëhet edhe nga Bashkimi Evropian”, tha Arbëresha Loxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.
“Sigurisht që Macron duke qenë ndërmjetësues i raportit mes Kosovës e Serbisë, e garantues i planit francezo-gjerman, ka bë një kërcenim bukur real, që do ishte bukur real, pasiqë izolimi i mëtejmë”, tha Arbnor Sadiku, njohës i çështjeve politike.
Pavarësisht rëndësisë së një shteti si Franca brenda Bashkimit Evropian, procesi zor se do të kthehet prapa, por mund të shkaktojë vonesë.
“Edhe një kthim eventual, një anulim i këtij procesi kërkon procedura nga 27 vendet anëtare. Nuk bëhet me vendim të thjeshtë. Mund të ndodhë vetëm vonesa e hyrjes në fuqi”, tha Loxha.
Në nëntor të vitit 2022 përfaqësuesit e vendeve anëtarë të Bashkimit Evropian ishin pajtuar me propozimin që Kosovës t’i hiqen vizat më 1 janar të vitit 2024.
Mënyra e ndarjes së informacionit, përmbajtja dhe asgjësimi i informacioneve konfidenciale, furnizimi me armatim.
Këto dhe të tjera masa të sigurisë për ruajtjen e informacionit të klasifikuar në fushën e sigurisë parashihen në dokumentin e firmosur mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sipas Qeverisë, për këtë marrëveshje do të zbatohet legjislacioni aktual për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar. Ndërsa, përgjegjës për implementim do të jetë Agjencia e Kosovës për Inteligjencë dhe Departamenti i Mbrojtjes së ShBA-së.
“Ligjet tona e përcaktojnë qartë se kur mund të klasifikohet informacioni. Një gjë e tillë aplikohet në interes të mbrojtjes së sigurisë. Pra, edhe marrëveshja përcjell këtë frymë. Implementimi do të bëhet nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë dhe Departamenti i Mbrojtjes i ShBA-së. Ndikimi është direkt te mbrojtja e sigurisë, pasi që informacioni që klasifikohet në pajtim të dy palëve, do të ruhet e mbrohet në bazë të rregullave të dakorduara dhe legjislacionit të aplikueshëm në dy vendet”, thotë zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
Si e tillë marrëveshja po konsiderohet se përforcon kapacitetet për ruajtjen e sigurisë kombëtare. E sipas ish-zëvendësministrit të brendshëm, Valdet Hoxha, bart edhe një mesazh për organizatat ndërkombëtare të sigurisë.
Marrëveshjen e sheh si shumë të rëndësishme për vendin, edhe deputeti Hysen Berisha nga Komisioni për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, por ngre dilemat se nëse ajo duhet të ratifikohet në Kuvend, partia e tij, PDK-ja, nuk do ta mbështesë.
Megjithatë, Zyra e Kryeministrit në një përgjigje me shkrim, duke e cituar nenit 10 të Ligjit për Marrëveshjet Ndërkombëtare, ka thënë se për t’u zbatuar kjo marrëveshje nuk kërkohet ratifikimi i saj në parlament.
“Neni 10 i Ligjit për Marrëveshjet Ndërkombëtare përcakton cilat marrëveshje duhen ratifikuar nga Kuvendi i Republikës. Marrëveshja me ShBA-në mbi masat e sigurisë me qëllim të mbrojtjes së informacionit të klasifikuar, nuk bie nën përkufizim të nenit 10. Marrëveshja në fjalë përcjell fjalën e legjislacionit të aplikueshëm në Kosovë për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar dhe përcakton mënyrën e shkëmbimit, ruajtjes, mbrojtjes dhe humbjes së informacionit të klasifikuar”, tha Kryeziu.
Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nënshkruan marrëveshje mbi masat e sigurisë me qëllim të mbrojtjes së informacionit të klasifikuar javën e kaluar.
Në ceremoninë e nënshkrimit të saj ishte edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili ka shprehur garanci se informacionet e klasifikuara të fushës së sigurisë e mbrojtjes, do të ruhen sipas legjislacionit.
Bashkimi Evropian synon që në Shtator të organizojë një takim të radhës të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.
Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, në Bled të Sllovenisë, përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajcak, njoftoi se takimi do të ketë në fokus normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e kërkesave të 3 Qershorit, për deeskalim të situatës në veri të Kosovës.
Tri ditë para takimit Kurti-Lajcak, Kosova shtyu për dy javë ultimatumin për lirimin e objektit komunal në Mitrovicë të Veriut nga strukturat ilegale, dhe e vendosi në diskutim publik
udhëzimin administrativ për procedurat për largimin e kryetarëve.
Udhëzimi që u mundëson qytetarëve të iniciojnë shkarkimin e kryetarit të komunës pritet të miratohet para fundit të javës.
Me këto veprime, sipas profesorit Tomorr Avdia, Qeveria ka bërë hapa të mjaftueshëm për të krijuar hapësirën e kërkuar nga Bashkimi Evropian.
“Presioni të jetë i dyanshëm dhe në koordinim për të dhënë efekte, sepse nëse një partneri të vogël e të dobët si shteti ynë i ushtrohet presion tejmase dhe palës tjetër Serbisë, janë të kujdesshëm, nuk e bëjnë një gjë të tillë në proporcion me forcën që ka Serbia, atëherë raportet mund të eskalojnë në forma të tjera”, tha Avdia.
Në këtë kontekst, profesori Seb Bytyçi vlerëson se duhet kujdes, pasi çdo veprim në terren i Kosovës mund shërbejë si arsye për mos-heqje të masave.
“Nxjerrja e U.A. është në përputhje me kërkesat e BE-së dhe marrëveshjes për deeskalimin, pra kemi të bëjmë me përgatitjen e terrenit për zgjedhje, kurse çështja e ndërtesës delikate, sepse çdo lëvizje e Kosovës kontrollohet me sy të ashpër”, tha Bytyçi.
Profesori Avdia thekson nevojën që, në takimin e radhës, BE-ja t’ua bëjë të qartë liderëve të Kosovës dhe Serbisë, përmbushjen e kërkesave dhe zotimeve për të lëvizur procesin përpara.
“Krijimi i një mini-krize të re debalancon komplet procesin, jo vetëm atë të zgjedhjeve, por edhe hapat tjerë të cilët negociatorët përpiqen t’i japin një ritëm më të shpejtë në këtë fillim-vjeshte, sepse duket se gongu po troket në mbarim të këtij afati të këtij viti”, tha Avdia.
Takimi i fundit direkt ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vucic, u zhvillua më 2 Maj, ndërsa më 22 Qershor, në Bruksel, liderët e dy shteteve zhvilluan takime të ndara me Përfaqësuesin e Lartë, Josep Borrell.
Kundërshtimet e protestat e qytetarëve dhe të Asamblesë Komunale të Klinës kanë arritur të ndalin ndërtimin e Fabrikës së çimentos në fshatin Dollc.
Aktvendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës i ka dhënë të drejtë vendimit të Asamblesë Komunale për kundërshtimin e ndërtimit të fabrikës nga kompania “Wallingford International Kosova” L.L.C.
“Aktvendimi i Gjykatës i jep të drejtë vendimit të Asamblesë Komunale në Klinë dhe i bie praktikisht që vendimi i kësaj asambleje është i plotfuqishëm dhe është obligues për komunën që të zbatohet. Ky vendim i asamblesë vlen të theksohet: anulohen të gjitha pëlqimet dhe dokumentet e tjera urbanistike të cilat janë dhënë lidhur me gurorë për furnizim me lëndë të parë për fabrikat e çimentos. Po ashtu, obligohet Drejtoria e Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit që paraprakisht pas pranimit të kërkesave dhe draft-dokumenteve urbanistike, sipas këtij vendimi, t’i drejtohet kuvendit komunal”, tha Veton Raci, organizator i protestave.
Udhëheqësi i banorëve që kundërshtuan ndërtimin e kësaj fabrike, Veton Raci, ka kërkuar nga kryetari i komunës së Klinës ta shkarkojë Lorenc Marlekajn dhe drejtorin aktual të Urbanizmit, Enver Berisha, i cili ka dhënë leje për ndërtimin e kësaj fabrike.
“Kërkojmë që pezullimi të shndërrohet në vendim për anulimin e pëlqimit mjedisor për kompaninë “Wallingford International Kosova” L.L.C. Po ashtu, nga niveli komunal kërkojmë që me marrjen e këtij vendimi të Gjykatës Themelore në Prishtinë, kryetari i komunës të nxjerrë vendim për shkarkimin e drejtorit, Lorenc Marlekaj, si dhe shkarkimin e drejtorit aktual të Urbanizmit, Enver Berisha, i cili kishte nxjerrë vendim për lëshimin e lejes për ndërtimin e fabrikës së çimentos”, tha Raci.
Rreth 3 mijë qytetarë kishin nënshkruar peticionin kundër ndërtimit të fabrikës. Kundërshtimet për ndërtimin e fabrikës e kishin përkrahur edhe kryetarët e Pejës, Istogut e Malishevës, komuna këto në afërsi të Klinës.
Ankesa kryesore e protestuesve ishte ndotja e ambientit gjë që mund të çonte në largimin e banorëve nga zona.
Burhan Ibrahimoviq, pjesëtar i komunitetit rom, po pretendon se është rrahur keq nga disa zyrtarë policorë në stacionin e policisë në Graçanicë më 19 gusht.
Ibrahimoviq, që tash e tri vjet jeton në Prishtinë, thotë se kjo ndodhi pas shoqërimit të tij në polici pas një konflikti verbal që ai kishte me një fqinje të tij në Graçanicë.
Në mbështetje të tij, dhjetëra protestues u mblodhën të martën para stacionit policorë në Graçanicë me qëllim të, siç u tha, rritjes së vetëdijes së qytetarëve të Kosovës dhe institucioneve të saj, në shërbim të parandalimit të shkeljes së të drejtave të njeriut.
“Pas 10 minutave të atij konflikti ku zonja ka thirrë Policinë dhe ka ardhë, më kanë marrë dhe më kanë pru në stacion të policisë, ku më kanë mbajtë një orë e gjysmë. Pastaj më kanë dhënë një gjobë dhe nuk kanë treguar për çfarë arsye është. Pasi kam arritë, lart qëndronin rreth pesë policë dhe kam pyet pse është gjoba, do ta marr do shkoj te një avokat në Prishtinë, ku do ta filloj procesin në mënyrë ligjore”, tha Ibrahimoviq.
Në këtë pikë, pas fjalosjes me policët, ai thotë se e kanë futur në një dhomë tjetër, ku edhe ka nisur dhuna ndaj tij.
“Menjëherë pas atij konflikti, policët më dërguan me një dhomë, ku filluan të godisnin me grushte, syri ka qenë i enjtur dhe dhembjen në qafë e ndjej ende. Pastaj, sërish më kanë marrë në paraburgim ku më kanë mbajtur një orë, kam kërkuar ujë, por as nuk dëgjonin. Ka ardhë një mjeke këtu, ku më ka pyetur nëse kam dhimbje, por prej frikës së policit kam thënë nuk kam asgjë”, tha Ibrahimoviq.
Driton Berisha nga Lëvizja “Opre Roma Kosova” ka kërkuar nga institucionet përkatëse veprime konkrete lidhur me rastin.
“Burhani e ka shprehur këtë shqetësim, ka pas rrahje brenda Stacionit të Policisë, një gjë që ka konfirmuar edhe raporti mjekësor. Jemi me të, që të kërkojmë drejtësi duke u mbështetur në institucione ligjore. Këtë rast do ta përcjellim deri në fund, dhe të japim një shembull që mos t’i ndodhë askujt kjo që i ndodhi Burhanit”, tha Driton Berisha, “Opre Roma Kosova”.
Pas raportimit të rastit, Inspektorati Policor i Kosovës ka konfirmuar gjatë së martës së ka nisur hetimet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, porse deri më tani, ndonëse kanë kaluar 10 ditë nga ngjarja, ende nuk ka marrë ndonjë vendim për suspendimin e zyrtarëve policorë të përfshirë në rast.
Po enden në oborrin e shkollës, por këta fëmijë mësimin rrezikojnë të mos e fillojnë të premten e 1 shtatorit, pasi rinovimet në objektin e shkollës zor që do mund të kryhen brenda ditëve të mbetura.
Kjo është gjendja e shkollës fillore “Vëllezërit Frashëri” në fshatin Miradi e Epërme, në komunën e Fushë Kosovës, sipas banorëve kompania e cila është kontraktuar nga komuna tash e 5 ditë, nuk është duke punuar këtu.
Përkundër gjendjes në terren, nga komuna janë optimistë se punimet do të kryhen brenda afatit.
Punimet sipas kontratës nuk janë larg përfundimit dhe po punohet e nëse nuk kryhet krejt, kemi me punu edhe të shtunën e të dielën. Për renovimin e këtyre shkollave kemi pasë 1 muaj e gjysmë kohë, e pamjaftueshme, edhe por mësimi do të përfundojë”, tha Fatlum Berisha nga DKA në Fushë Kosovë .
Veçse një gjë të tillë nuk po e besojnë as stafi i kësaj shkolle.
“Nuk është në rregull, as shkolla e as kopshti, nuk e di, edhe banorët janë të shqetësuar për këtë. Po i marrin tenderët shkel e shko këtu nuk po punohet”, tha Ahmet Nishori, punëtor teknik.
ATV-ja ka mësuar se punimet në këtë shkollë fillore, e cila është e ndarë në tri paralele, do të duhej të fillonin që me një korrik, por punimet aty kanë filluar tek para 10 ditësh. Madje, nga këto ditë vetëm në 5 prej tyre është punuar, meqë u ndërprenë për shkak të punimeve jocilësore.
Përveç shkollës “Vëllezërit Frashëri”, edhe shumë shkolla të tjera në tërë territorin e Kosovës janë në rinovim e sipër, pak ditë para fillimit të vitit të ri shkollor. Kjo praktikë e vonimit të përgatitjeve është e papranueshme për njohësit e arsimit.
“Vonesat e komunave në përgatitje afër shtatorit ka qenë problem i kamotshëm. Është e papranueshme se si në të gjithë ata muaj pushim punimet të vazhdojnë edhe në shtator”, tha Rinor Qehaja, instituti “Edd Guard”.
Ministria e Arsimit nuk ka treguar për ATV-në se sa objekte shkollore në nivel vendi janë në renovim e sipër.
Dogana e Kosovës, e përkrahur nga Policia, ka zbuluar një sasi të konsiderueshme barnash të kontrabanduara nga Shqipëria dhe Serbia.
Rasti ka ndodhur në regjionin e Prishtinës derisa është ndaluar një automjet i dyshuar.
“Dogana e Kosovës, e përkrahur nga Policia e Kosovës, ka ndaluar një automjet të dyshuar. Në këtë rast është zbuluar një sasi e konsiderueshme barnash të kontrabanduara nga Shqipëria dhe Serbia. Mallrat e kontrabanduara janë konfiskuar dhe procedurat ligjore kundër personave të përfshirë në këtë kundërvajtje kanë filluar”, ka njoftuar Dogana e Kosovës.