ATV

Category: Lajme

  • ​Haradinaj: Qeveria Kurti duhet të shkojë në shtëpi, mocioni ende opsion

    ​Haradinaj: Qeveria Kurti duhet të shkojë në shtëpi, mocioni ende opsion

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës është ende opsion. Sipas tij, kjo është rruga e duhur për rrëzimin e kryeministrit Albin Kurti, por tha se duhet ndihma edhe e deputetëve të tjerë përtej opozitës.

    Haradinaj akuzoi Kurtin se ka rritë pasojat për Kosovën në arenën ndërkombëtare për shkak të veprimeve të gabuara të tij.

    “Shumë njerëz po i bëjnë thirrje qeverisë sonë që me u kthy me aleatët me u kthy me Amerikën, BE-në dhe NATO-n. Fatkeqësisht Kurti dhe kjo qeveri ka zgjedh rrugë tjetër. Pasojat për Kosovën do të rriten dhe parashikimet nuk janë të mira për asnjë temë. Mocioni është mënyra më e duhur dhe është legjitime dhe demokratike. Aktualisht opozita ka votën sa me inicu mocionin pastaj do të duhej ndihma e deputetëve të tjerë. Shpresoj se në një rrethanë të caktuar do të arrijmë unitetin brenda opozitës. Po është opsion”, tha ai.

    Këto komente Haradinaj i bëri pas takimit që pati me kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharin./KP

  • Publikonin video në rrjete sociale se bëjnë shitjen e parave të falsifikuara, pesë persona bien në pranga të Policisë së Kosovës

    Publikonin video në rrjete sociale se bëjnë shitjen e parave të falsifikuara, pesë persona bien në pranga të Policisë së Kosovës

    Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ka ndërmarrë veprime hetimore intensive disa mujore në zbulimin e personave të dyshuar të cilët përmes rrjetit social ‘’Tik Tok’’ kanë shpërndarë video se të njëjtit bëjnë shitjen e parave të falsifikuara si kartëmonedha dhe monedha metalike.

    Gjatë hetimit profesional janë siguruar prova se personat e dyshuar me iniciale (F. V.) mashkull/kosovar, (S. A.) mashkull/kosovar, (A. V.) mashkull/kosovar, (B. R.) mashkull kosovar dhe (E. V.) mashkull/kosovar, janë marrë me veprimtari kriminale ku kanë mashtruar dhjetëra persona kinse do të ju shesin para të falsifikuara, derisa në anën tjetër personat që kanë tentuar të blejnë para të falsifikuara, kanë kryer vepër penale nga neni 296 paragrafi 4 i KPRK-së. Vlera e përfitimit që këta persona kanë përfituar me anë të mashtrimit është rreth njëzet mijë (20,000) euro.

    Lidhur me rastin me datën 29.08.2023 është zbatuar plani operativ përkatës ku hetuesit kompetent në orët e mëngjesit kanë realizuar Urdhëresën e Gjykatës Themelore në Gjilan, dega në Viti, për kontrollimin e shtëpive të pesë (5) personave të dyshuar të lartcekur.

    Gjatë kontrollimit të shtëpive të personave të dyshuar janë sekuestruar:
    • 1 (një) granatë dore,
    • 1 (një) armë automatike,
    • 1 (një) karikator i armës,
    • 52 (pesëdhjetë e dy) fishekë,
    • 1 (një) telefon mobil.

    Të dyshuarit janë dërguar në stacionin policor dhe janë intervistuar në prezencë të avokatëve të tyre mbrojtës dhe të njëjtit me aktvendim të prokurorit të lëndës dërgohen në mbajtje për 48 orë.

    Policia e Kosovës apelon që qytetarët të kenë kujdes nga mashtrime të tilla dhe të bashkëpunojnë ngushtë me Policinë e Kosovës për parandalimin dhe luftimin e këtyre rasteve, si dhe sjelljen para drejtësisë të personave të përfshirë.

  • ​Protestë në Graçanicë, kërkohet drejtësi për romin e sulmuar nga policët serbë

    ​Protestë në Graçanicë, kërkohet drejtësi për romin e sulmuar nga policët serbë

    Me pankartat “Drejtësi tani”, “Boll Ma”, “Policia mbron, nuk dhunon”, Opre Roma Kosova ka organizuar protestë kundër dhunës së ushtruar ndaj një pjesëtari të komunitetit rom për të kërkuar llogari për veprimet e zyrtarëve policorë në këtë rast.

    Protestuesit para stacionit policor në Graçanicë, derisa kërkuan drejtësi për personin që i është ushtruar dhunë nga zyrtarët policorë, theksuan se në rast se nuk merren masa nga institucionet përkatese, nuk do të ndalen së vepruari drejt drejtësisë.

    Burhan Ibrahimoviq, personi që pretendohet të jetë sulmuar nga zyrtarët policor serbë, ka rrëfyer në detaje si ndodhi rasti.

    I njëjti shpreson në drejtësi dhe që e njëjta mos t’i përsëritet askujt më.

    “Jam lind në Graqanicë, por kam jetuar disa vite në Evropë, pastaj që tre vite jam kthyer sërish në Kosovë. Atë nate që ka ndodhur ky problem me polici ka qenë e shtune. Kam qenë me familje dhe ka pas një ditëlindje, dhe kam pas nevojë të shkoj në tualet, dhe të gjitha banjot brenda në shtëpi kanë qenë të mbyllura dhe kam shkuar në oborr mbrapa, pastaj ka qenë një person më i moshuar, një zonjë ku la filluar të bërtas e të ofendojë, dhe nuk kam ditë më kë po flas, por fjala ka qenë pertace. Pas 10 minutave të atij konflikti ku zonja ka thirr Policinë dhe ka ardhë, më kanë marrë dhe më kanë pru në stacion policisë ku më kanë mbajt një orë e gjysmë. Pastaj më kanë dhënë një gjobë, dhe nuk kanë treguar për çfarë arsye është. Pasi kam arrit, lartë qëndronin rreth pesë policë dhe kam pyet pse është gjoba, do e marrë do shkojë tek një avokat në Prishtinë, ku do e fillojë procesin në mënyrë ligjore. Menjëherë pas atij konflikti, policët më dërguan me një dhomë, ku filluan të godisnin me grushta, syri ka qenë i enjtur dhe dhembjen në qafë e ndjej ende. Pastaj, sërish më kanë marrë në paraburgim ku më kanë mbajtur një orë, kam kërkuar ujë, por as nuk dëgjonin. Ka ardhë një mjeke këtu, ku më ka pyetur nëse kam dhimbje, por prej frikës së policit kam thënë nuk kam asgjë. Në mëngjes kur më ka pa e njëjta mjeke është tranuar kur më ka pa për gjendjen. Atë natë (kur ndodhi rasti) kam pi dy gota, por nuk ka qenë diçka shumë… Jam shumë falënderues prej policisë nga Hajvalia, sepse ata janë shumë koperativ, falënderues se ata kanë me marrë procesin dhe do ta sjellin drejtësinë”, tha ai.

    Ndërsa, Driton Berisha nga Lëvizja Opre Roma Kosova, ka kërkuar nga institucionet përkatëse të ndërmarrin veprime ndaj këtij rasti.

    Berisha tha se këtë rast do e përcjellin deri në fund, duke shtuar që raste të tilla mos të përsëriten më.

    “Këtu kemi ardhë që të jemi pjesë e protestës, afër Stacionit të Policisë në Graqanicë, për shkak të një rasti që ka ndodhur me 19 gusht me Burhan Ibrahimoviq, pjesëtar i komunitetit rom në Graqnicë, i cili është përcjellë nga ana e policisë brenda stacionit për shkak të një rasti konflikt verbal që ka pasur, dhe i është dorëzuar një gjobë pa dhënë deklaratë. Burhani e ka shprehur këtë shqetësim, ka pas rrahje brenda Stacionit Policisë, një gjë që ka konfirmuar edhe raporti mjekësor. Jemi më të që të kërkojmë drejtësi duke mbështetur në institucione ligjore që do e përcellim këtë rast deri në fund, dhe të japin një shembull që mos t’i ndodhë askujt kjo që i ndodhi Burhanit”, tha Berisha.

    Protesta përfundon e qetë.

  • Jasharaj: Mësimi nis më 1 shtator, por pa tekste shkollore

    Jasharaj: Mësimi nis më 1 shtator, por pa tekste shkollore

    Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, deklaroi se procesi mësimor do të nisë më 1 shtator, por shtoi se shumë nxënës e mësimdhënës nuk do t’i kenë tekstet shkollore.

    Pas takimit me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, Jasharaj u shpreh se mësimdhënësit janë të indinjuar me situatën e krijuar për tekstet shkollore, e prindërit “janë të nervozuar dhe të prekur”.

    “I shpreha respekt meritor për Ligjin dhe ushtrinë edhe për Ligjin që e punuam bashkë me Besnikun atë kohë të Pagave, por që fatkeqësisht u rrëzua nga Kushtetuesja e që ishte shumë më i mirë se ky Ligj. I premtova kryetarit Haradinaj që punëtorët e Arsimit edhe në këto rrethana të padrejta të këtij sulmi të ri ndaj prindërve, nxënësve dhe neve arsimtarëve të Qeverisë Kurti, MASHT-it dhe Qeverisë, ne do ta vazhdojmë betejën për dije me kushtet që i kemi dhe po e them edhe njëherë që Qeveria me gjithë ato fjalë të mëdha të Kurtit, në vend që të na sjell laptopë e projektorë, nuk po na sjell në shkolla as libra, ne do ta vazhdojmë betejën me gjysmë libra, shkumës e shpuzë. Edhe ne jemi prindër, urojmë që prindërit ta kalojnë këtë siklet dhe urojmë që mos të ketë orë të humbura”, tha ai.

    “Pikëpyetja më e madhe është se grevë s’ka, mësimi fillon të premten, por do të kemi nxënës dhe mësimdhënës pa mjetin e vetëm fatkeqësisht, pa tekste shkollore. Nuk dihet kur do të arrihet të kompletohemi me tekste shkollore”, tha tutje Jasharaj.

  • Kurti kërkon normalizim të marrëdhënieve me Serbinë para zgjedhjeve në ShBA dhe BE

    Kurti kërkon normalizim të marrëdhënieve me Serbinë para zgjedhjeve në ShBA dhe BE

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përmendur sërish pranverën e vitit 2024, si afat deri kur Kosova dhe Serbia, duhet të normalizojnë marrëdhëniet.

    Kjo, pasi siç ka thënë kryeministri kosovar, ka një urgjencë për normalizim të marrëdhënieve zgjedhjeve që pritet të mbahen vitin e ardhshëm në ShBA dhe BE.

    “Ka një ndjenjë urgjence për zbatimin e marrëveshjes dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përqendruar në njohjen reciproke de-facto, më së voni deri në pranverën e vitit të ardhshëm”, tha Kurti në një intervistë për “Bloomberg”, përpara se siç ka thënë ai “aleatët të preokupohen me zgjedhjet në SHBA dhe BE në pranverën e 2024-ës”.

    Kujtojmë se i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, gjatë ditës së djeshme pas një takimi që kishte me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti paralajmëroi vazhdim të dialogut Kosovë-Serbi në shtator.

    Pas këtij takimi që Lajçak kishte me Kurtin në kuadër të Forumit në Bled të Sllovenisë, emisari evropian gjatë ditës së nesërme do të ketë një takim edhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

    Më 3 qershor, liderët e BE-së i bënë thirrje së bashku Serbisë dhe Kosovës që të de-përshkallëzojnë tensionet dhe t’i kthehen dialogut.

    Për shkak të mospërmbushjes së kërkesave, BE-ja ka vendosur disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat janë ende në fuqi.

    Deri tash, dy herë nga 25% ka pasur largim të dalëngadaltë të trupave të Policisë së Kosovës nga veriu.

    Kryeministri i vendit Albin Kurti ka kërkuar nga BE-ja që të largojë masat shtrënguese, duke pasur parasysh se Kosova ka bërë hapa drejt depërshkallëzimit të situatës.

  • Gjyqi ndaj Donald Trumpit do të fillojë në mars 2024

    Gjyqi ndaj Donald Trumpit do të fillojë në mars 2024

    Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të dalë në gjyq më 4 mars 2024 në një gjykatë federale në Uashington, nën akuzat se u përpoq ta zhbënte disfatën në zgjedhjet presidenciale 2020.

    Vendimi 28 gushtit i gjykatëses federale, Tanya Chutkan, nënkupton se Trumpi me gjasë do të përballet me gjyq, në të paktën tri raste penale, gjatë garës së ngushtë për nominimin e kandidatit për president të SHBA-se nga radhët e Partisë Republikane.

    Avokatët e Trumpit kishin bërë trysni që data e gjyqit ndaj tij të caktohej për muajin prill të vitit 2026, shumë kohë pas zgjedhjeve presidenciale të nëntorit 2024, duke argumentuar se kishin nevojë për kohë për t’i rishikuar 12.8 milionë faqe prova që Qeveria i ka grumbulluar.

    Por, Chutkan tha se ata nuk kishin nevojë për aq shumë kohë.

    “Data e propozuar nga mbrojtja për prill 2026 është shumë më tepër seç është e nevojshme”, tha ajo.

    Gjyqi ndaj Trumpit pritet të fillojë vetëm një ditë para “Super të Martës”, kur më shumë se dhjetëra shtete te SHBA-së do t’i mbajnë garat e tyre për nominimin e kandidatit për president.

    Ai pritet të dalë në gjyq në Nju Jork më 25 mars nën akuzat për pagimin e një yllit të pornos për ta bërë atë të heshte. Gjyqi i tretë ndaj tij është caktuar për 20 maj 2024 në Florida, ku akuzohet se i kishte mbajtur jashtëligjshëm dokumentet e klasifikuara pasi ishte larguar nga Shtëpia e Bardhë, si dhe për pengimin e drejtësisë.

    Trumpi nuk mori pjesë në seancën dëgjimore të së hënës. Ai e kishte kritikuar gjykatësen Chutkan në të kaluarën, duke thënë, pa pasur prova, se ajo është e njëanshme ndaj tij.

    Chutkan e ka paralajmëruar Trumpin të mos postojë më online deklarata nxitëse rreth dëshmitarëve apo personave të tjerë të përfshirë në këtë rast.

    Trumpi i ka cilësuar të gjitha katër rastet penale kundër tij si përpjekje të nxitura politikisht për të mos e lejuar atë të kthehet në pushtet.

    Ai u deklarua i pafajshëm në tri prej katër rasteve penale, dhe pritet të dalë para gjykate në Xhorxhia më 6 shtator për t’u deklaruar për rastin e katërt penal. Edhe ky rast ka të bëjë me përpjekjet e tij për ta zhbërë humbjen e zgjedhjet e vitit 2020.

    Në Uashington, avokatët e Trumpit thonë se kanë nevojë për kohë për t’i shikuar provat e Qeverisë.

    “Liria dhe jeta e këtij njeriu është në pyetje dhe ai meriton përfaqësim të duhur”, tha avokati John Lauro.

    Prokurorët thonë se shumica e provave përbëjnë materiale publike, si deklarata e Trumpit dhe procesverbalet e Kongresit.

  • Zhduket 83-vjeçari shqiptar në Zvicër, familja kërkon ndihmë për gjetjen e tij

    Zhduket 83-vjeçari shqiptar në Zvicër, familja kërkon ndihmë për gjetjen e tij

    Xhevat Bajrami, i lindur më 20.07.1940, i gjatë rreth 1.80 m, të dielën në ora 13:00 ka dalë nga shtëpia në qytetin Thun në Zvicër dhe nuk është kthyer më.

    Sipas policisë zvicerane, pas kontrollimit të kamerave të sigurisë, ai është parë në ora 15:00 po atë ditë duke dalë prej autobusit në një qytet tjetër, në Steffisburg.

    Pas këtij momenti, 83-vjeçari nuk është parë më.

    Familja kërkon ndihmë nga qytetarët për gjetjen e tij.

    Të gjithë ata që kanë informacione që ndërlidhen me personin e zhdukur, të thërrasin numrin e policisë në Zvicër,117.

  • Rriten kërkesat për kredi për blerjen e shtëpive dhe për konsum

    Rriten kërkesat për kredi për blerjen e shtëpive dhe për konsum

    Qytetarët e Kosovës kanë rritur kërkesat për të marr kredi për blerjen e shtëpive dhe kreditë që janë shfrytëzuar për konsum.

    Kështu thuhet në raportin “Anketa e kreditimit bankar, numër 16“, të prezantuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), duke shtuar se bankat komerciale në tremujorin e dytë të 2023-së kanë rritur normën e aprovimit të kredive për ekonomitë familjare.

    “Pesë banka, prej tyre tre me rëndësi sistemike, raportuan për rritje të kërkesës për kreditë për blerjen e shtëpive, ndërsa gjashtë banka, prej tyre tre me rëndësi sistemike, deklaruan rritje të kërkesës për kreditë konsumuese”, thuhet në anketë.

    Sipas BQK-së, kjo rritje është ndikuar pozitivisht nga perspektiva e favorshme e tregut të patundshmërive.

    “Faktorët që ndikuan pozitivisht dinamikat në kërkesën për kredi ishin nevoja për financimin e shpenzimeve të konsumit (indeks pozitiv 0.34) dhe në një nivel më të ulët pozitivisht ndikoi edhe perspektiva e tregut të patundshmërive (indeks pozitiv 0.19)”, thotë BQK.

    Anketa thekson se në tremujorin e ardhshëm, cilësia e portfolios kreditore e ekonomive familjare do të përkeqësohet.

    “Gjatë tremujorit të tretë 2023, bankat presin që cilësia e portfolios kreditore e ekonomive familjare të përkeqësohet tutje, bazuar në vlerën pozitive të indeksit. Saktësisht, pritjet e bankave për raportin e kredive jo-performuese rezultuan në indeks pozitiv 0.17, deklaruar nga tri banka, ku dy nga to janë banka me peshë të lartë në kreditim dhe me rëndësi sistemike”, vijon raporti.

    Bankat gjithashtu kanë raportuar rritje të qasjes në financim për këtë tremujor.

    “Bankat raportuan rritje të qasjes në financim gjatë tremujorit të dytë të vitit 2023. Rezultati i agreguar i përgjigjeve të bankave u bazua në përgjigjet e shtatë bankave (prej tyre katër banka me rëndësi sistemike) të cilat deklaruan rritje të financimit, përderisa dy nga bankat deklaruan rënie të financimit (një nga bankat kishte rëndësi sistemike). Për tremujorin e ardhshëm, në përgjithësi bankat presin rritje të gjithsej qasjes në financim deri në një masë më të lartë se sa ai i tremujorit aktual me indeks pozitiv prej 0.45”, thekson anketa, shkruan telegrafi.

    Për sa i përket financimit kreditor për bizneset, institucioni më i lartë financiar në vend thotë se kërkesa për kredi shënoi rritje në nivel më të ulët se sa në tremujori i parë 2023.

    “Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2023, kërkesa për kredi nga ana e ndërmarrjeve shënoi rritje në nivel më të ulët se sa në tremujorin e parë 2023. Saktësisht, përgjigjet gjeneruan indeks pozitiv prej 0.31 e shprehur nga gjashtë nga gjithsej dhjetë banka pjesëmarrëse në anketë. Gjithashtu, kërkesa për kredi rezultoi të jetë më e lartë krahasuar me pritjet e bankave për TM2 2023 të shprehura në anketën e kaluar”, pohon BQK-ja, raporton Telegrafi.

    Tutje thuhet se bankat komerciale nuk presin lëvizje të rëndësishme në kërkesën për kredi nga bizneset gjatë tremujorit të ardhshëm.

    “Ky rezultat u ndikua nga përgjigjet e shtatë bankave, ku prej tyre tre banka (dy me rëndësi sistemike) deklaruan rënie të kërkesës për kredi në përgjithësi dhe katër banka tjera (një me rëndësi sistemike) që deklaruan rritje të kërkesës për kredi nga ndërmarrjet. Kërkesa për financim të investimet fikse pritet të shënoi rënie gjatë tremujorit të tretë 2023 dhe kërkesa për financim të inventarëve dhe kapitalit punues pritet të mbetet e pandryshuar. Njëkohësisht, cilësia e aplikacioneve të pranuara për kredi nuk pritet të ketë ndryshime të rëndësishme”, vijon raporti.

    Ndryshimet në kërkesën për kredi nga ndërmarrjet dhe faktorët që kontribuuan | Burimi: BQK
    Mbështetja e bizneseve në kreditim nga Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) thuhet se ka pasur rol kryesor në lehtësimin e standardeve kreditore.

    “Faktori që deri në një masë ndikoi pozitivisht standardet kreditore, duke i ofruar siguri sektorit
    bankar, ishte mbështetja nga FKGK me indeks pozitiv 0.21. Pra, mbështetja nga FKGK-së dhe rreziku i ulët i perceptuar në tregun e patundshmërive ndikuan pozitivisht kushtet dhe rregullat e aplikuara. Përderisa, mbështetja nga FKGK, toleranca më e lartë ndaj rrezikut dhe presioni i konkurrencës në mes të bankave ndikoi pozitivisht pritjet e bankave mbi kushtet dhe rregullat gjatë tremujorit të ardhshëm”, tregon anketa.

    Në fund, bankat kanë raportuar se pritet të ketë rritje të kredive jo-performuese për bizneset dhe ekonomive familjare.

    “Katër banka, ku dy prej tyre me rëndësi sistemike, presin rritje të kredive jo-performuese të ndërmarrjeve, kundrejt tre bankave, gjithashtu dy prej tyre me rëndësi sistemike, të cilat presin të njëjtën dinamikë për kreditë jo-performuese të ekonomive familjare”, përfundon BQK.

  • Arianit Islami emërohet drejtor i ri i Aviacionit Civil

    Arianit Islami emërohet drejtor i ri i Aviacionit Civil

    Arianit Islami është emëruar zëvendësues i Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, pasi Qeveria e Kosovës shkarkoi të mërkurën Bujar Ejupin nga pozita e drejtorit të AAC-së.

    Vendimi i emërimit është nënshkruar dje nga Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor e Infrastrukturës, Liburn Aliu.

    I sapoemëruari në këtë pozitë deri në këtë vendim kishte shërbyer si Drejtor i Departamentit të Shërbimeve të Navigacionit Ajror.

  • Qytetarët e Klinës kërkojnë shfuqizimin e lejes për ndërtimin e fabrikës së çimentos

    Qytetarët e Klinës kërkojnë shfuqizimin e lejes për ndërtimin e fabrikës së çimentos

    Shoqata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Ambientit në Klinë e cila ka fituar betejën për drejtësi, kundër ndërtimit te fabrikës së çimentos në Dollc, ka publikuar të martën aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë në kontestin gjyqësor në mes të Ministrisë së Pushtit Lokal dhe Komunës së Klinës.

    Udhëheqës i banorëve që po e kundërshtojnë këtë fabrikë, Veton Raci tha se komuna kur ka dhënë vendimin për leje ndërtimin e këtyre fabrikave të çimentos është ngutur dhe nuk ka pasur përkrahjen e qytetarëve të Klinës.

    Ai tha se kjo leje duhet të shfuqizohet.

    Në një konferencë për media, Rraci tha se do të kërkojnë nga kryetari i komunës së Klinës të shkarkojë drejtorin aktual të Urbanizmit, Enver Berisha, i cili ka nxjerr vendim për lëshimin e lejes për ndërtimin e fabrikës së çimentos.

    Sipas tij peticioni i qytetarëve të Klinës kundër ndërtimit të kësaj fabrikë ka mbërritur deri në 3000, si dhe kanë përkrahje edhe nga komunat e tjera të cilat janë shqetësuar nga ndotja e ambientit.