ATV

Category: Lajme

  • ​MD: Po jetësohet digjitalizimi i sistemit noterial

    ​MD: Po jetësohet digjitalizimi i sistemit noterial

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nënshkroi memorandum bashkëpunimi edhe me ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, duke përmbyllur ciklin e nënshkrimit të memorandumeve të bashkëpunimit me ministritë tjera për digjitalizimin e sistemit noterial.

    Sipas komunikatës së MD-së, ky memorandum i bashkëpunimit, i cili ka për qëllim mundësimin e qasjes së noterëve në të dhënat e Sistemin e Informatave Kadastrale për Tokën në Kosovë që mirëmbahet nga Agjencia Kadastrale e Kosovës mundëson përcaktimin e procedurave për shkëmbimin e të dhënave, përcaktimin e rregullave të sigurisë, procedurave përkatëse për qasje dhe përdorim të të dhënave, si dhe krijimin e lehtësirave të nevojshme administrative për bashkëpunim ndërinstitucional në mes të institucioneve respektive me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe efektivitetit të shërbimit të noterisë.

    Përmes kësaj platforme mundësohet harmonizimi i të gjitha procedurave të brendshme në një sistem të centralizuar e të ndërlidhur që mundëson për noterët qasje më të lehtë në shërbime, informata të sakta e të verifikuara në kohë reale.

  • Gjykata e urdhëron “Burdushin” të shkojë në burg në shtator për vuajtjen e dënimit me 4 vite e 6 muaj burgim

    Gjykata e urdhëron “Burdushin” të shkojë në burg në shtator për vuajtjen e dënimit me 4 vite e 6 muaj burgim

    Hysri Peqani, i njohur si “Burdushi”, nuk ka shkuar ende në vuajtje të dënimit me burgim, pasi nga Gjykata Themelore në Prishtinë, më 10 janar 2023, ishte dënuar me dënim unik prej 4 vite e 6 muaj burgim dhe 42 mijë euro gjobë lidhur me akuzën për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, mashtrim, shpëlarje parash dhe armëmbajtje pa leje, e të cilin dënim më 30 qershor 2023 e kishte vërtetuar edhe Gjykata e Apelit.

    Sipas urdhëresës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Gjykata Themelore në Prishtinë më 21 gusht 2023, e ka urdhëruar “Burdushin” që më 18 shtator 2023, deri në orën 12 të paraqitet në Shërbimin Korrektues të Republikës së Kosovës, në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, për të filluar mbajtjen e dënimit me burgim.

    Në këtë urdhëresë, thuhet se nëse i dënuari nuk vepron sipas urdhëresës, përkatësisht nëse në ditën e caktuar nuk paraqitet në Institucionin për mbajtjen e dënimit, gjykata do të lëshojë urdhëresë për ndalim dhe dërgim me forcë për mbajtjen e vuajtjes së dënimit.

    Në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi”, Gjykata Themelore në Prishtinë, ka deklaruar se ende nuk kanë pranuar ndonjë dëshmi nëse urdhëresa e lëshuar nga gjykata është pranuar nga “Burdushi”.

    “Referuar kërkesës tuaj për informata, nga Zyra për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale të gjykatës, jemi informuar se ka filluar procedura e ekzekutimit të dënimit me burgim për të dënuarin H.P. Të dënuarit H.P i është dërguar nga gjykata urdhëresa që të lajmërohet në institucionin për mbajtjen e dënimit me burgim, mirëpo gjykata ende nuk ka dëshmi se është pranuar urdhëresa nga i njëjti”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.

    Gjithashtu në përgjigjen e gjykatës, thuhet se i njëjti nuk ka bërë ende ndonjë kërkesë për shtyrje të ekzekutimit të dënimit me burg.

    “Betimi për Drejtësi”, ka kontaktuar edhe mbrojtësin e “Burdushit”, avokatin Sami Istrefi, i cili ka mohuar se ka pranuar një urdhëresë të tillë.

    “Nuk kam pranuar ende, kështu që sigurisht ndoshta pala e ka pranuar, por unë nuk e kam pranuar”, ka thënë avokati Istrefi.

    I pyetur nëse i njëjti ka kontaktuar me palën e tij lidhur me këtë çështje, avokati Istrefi ka deklaruar se nuk ka biseduar me palën lidhur me këtë çështje.

    “Sigurisht, ndoshta nuk e ka marrë pala ende, por në momentin që e pranon na menjëherë në kuadër të asaj parashtrese që e ka lëshuar kryetarja e gjykatës tani duhet me pa sa është e mundshme me kërku edhe një afat shtesë, në qoftë se jo atëherë të shohim qysh vendos gjykata”, tha tutje avokati Istrefi.

    Ai ka thënë në momentin që pala e pranon urdhëresën në fjalë, në konsultim me të do të vlerësojnë se a do t’i duhet edhe një afat shtesë për shtyrje të ekzekutimit të dënimit dhe në qoftë se jo, atëherë ai do të shkojë në vuajtje të dënimit.

    “Por, në momentin që e pranon pala tashti në konsultim me palën në qoftë se ai vlerëson që i duhet edhe një afat shtesë për shkak të disa zhvillimeve të familjes së vetë në rregull, në qoftë se jo atëherë do të shkojë në vuajtje të dënimit”, tha Istrefi.

    Gjithashtu, i njëjti ka thënë se më kohë pala ka parashtruar edhe kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme.

    “Betimi për Drejtësi”, po ashtu ka tentuar të kontaktojë edhe me të dënuarin “Burdushin”, por që i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.

    Ndryshe, në seancën e 23 dhjetorit 2022, prokurorja Merita Bina-Rugova në fjalën përfundimtare kishte njoftuar se ka bërë precizimin e dispozitivit të parë të aktakuzës, të cilin e ka ndarë në dy pjesë, mirëpo tha se kualifikimi i veprës penale është i njëjti.

    Sipas aktakuzës, prej kohës së pavërtetuar e së paku nga koha e regjistrimit të biznesit privat ordinanca “Burdushi”, me aktivitetin primar, aktivitetet e tjera të shëndetit të njeriut, më 15 qershor 2005 e deri më 26 korrik 2019, në Prizren, i akuzuari Hysri Peqani-Burdushi, ka mjekuar persona të ndryshëm anë të paraqitjes së rreme të fakteve se kinse posedon aftësi mbinatyrore.

    Një gjë të tillë, sipas aktakuzës, e ka bërë ndonëse nuk kishte kualifikime profesionale mjekësore dhe pa licencë përkatëse.

    Sipas Prokurorisë, Peqani e kishte bërë një gjë të tillë me qëllim të përfitimit të pasurisë në mënyrë të kundërligjshme.

    Në aktakuzë thuhet se i njëjti, të dëmtuarve iu ka kryer trajtime të improvizuara, të kota duke i vënë në lajthim dhe duke i nxitur që për këtë t’i paguajnë shuma të ndryshme të parave nga 20 euro deri në më shumë se 3 mijë euro, ashtu që kjo vepër penale e vazhduar ka rezultuar me dobi pasurore të kundërligjshme prej rreth 1 milion euro.

    Për këto, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” nga neni 262, paragrafi 1 i KPRK-së lidhur me veprën penale mashtrimi në vazhdimësi nga neni 335, paragrafi 5 të Kodit Penal.

    Prokuroria Speciale e ngarkonte të akuzuarin Peqani edhe me veprën penale të “Armëmbajtjes pa leje”, pasi që sipas aktakuzës, gjatë kontrollit të policisë në shtëpinë e tij në Prizren, janë gjetur armë, pistoletë e tipit “Girsan” si dhe pushkë gjuetie të tipit “Super Campion”.

    Prokuroria pretendonte se “Burdushi”, me qëllim të fshehjes së pasurisë së fituar përmes aktiviteteve kriminale, duke filluar nga viti 2006, paratë e tilla i ka futur në sistem bankar me arsyetimin se kështu i paguan këstet e kredive e më pas e ka kryer fshehjen e tyre përmes transferove bankare , ashtu që në fund i ka integruar duke i konvertuar në asete të luajtshme dhe të paluajtshme.

    Për këto veprime, ai akuzohej për veprën penale të “Shpëlarjes së parave” nga neni 302 të KPRK-së lidhur me nenin 32, paragrafi 1 dhe 2, nën paragrafi 2.1 të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit. /BetimipërDrejtësi

  • ​Begaj takon të ngarkuarin me punë të ShBA-së në Tiranë

    ​Begaj takon të ngarkuarin me punë të ShBA-së në Tiranë

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka pritur në takim David Wisner, që sapo ka marrë detyrën si i ngarkuari me punë i Shteteve të Bashkuara në Tiranë.

    Begaj ka shkruar në Facebook se rikonfirmova angazhimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj partneritetit tonë strategjik dhe theksova rolin kyç të SHBA-së në avancimin e demokracisë sonë.

  • ​Dëmtohet qëllimisht shtegu i ecjes në Tokbahçe

    ​Dëmtohet qëllimisht shtegu i ecjes në Tokbahçe

    Edhe pse ende nuk ka përfunduar puna për përurimin e tij, tashmë shtegu i ecjes në lagjen Tokbahçe në Prishtinë tashmë ka pësuar dëmtime.

    Këto dëmtime, sipas drejtorit të Drejtorisë për Sport në Komunën e Prishtinës, Granit Rugova, janë të qëllimshme, përcjellë KosovaPress.

    Ai ka publikuar foto ku shihet shtegu i dëmtuar, derisa ka bërë të ditur se tashmë janë njoftuar organet përgjegjëse për ta hetuar rastin.

    “E tmerrshme dhe e dhimbshme se si u dëmtua qëllimisht ende pa përfunduar shtegu i ecjes dhe vrapimit në Taukbahqe. Pse duhet të ndodhë një gjë e tillë… thjeshtë e pabesueshme!!! I dënojmë veprimet e tilla huligane dhe qëllim keqe, dhe i ftojmë institucionet përgjegjëse që të ndjekin rastin deri në fund. Puna do të vazhdojë, sportistët dhe qytetarët do ta shfrytëzojnë shtegun e përfunduar që ju takon shumë shpejtë.”, ka shkruar Rugova në “Facebook”.

  • ​Seanca ndaj Thaçit dhe të tjerëve, trupi gjykues vendos në favor të një kërkesë të mbrojtjes

    ​Seanca ndaj Thaçit dhe të tjerëve, trupi gjykues vendos në favor të një kërkesë të mbrojtjes

    Në Gjykatën Speciale po vazhdon edhe sot seanca gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexheo Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Në fillim të seancës, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith tha se sa i takon listës së materialeve, rikujtoi se më 16-17 gusht 2023, u ngritën u ngritën problematika sa i përket faktit nëse ekipet e mbrojtjes mund të ngarkonin në listën e prezantimeve, materiale që ishin tashmë në listën e një ekipi tjetër të mbrojtjes, gjë që ZPZ-ja e kundërshtojë këtë procedurë me arsyetimin se nuk ishin në dijeni për materialet që mbrojtja e Kadri Veselit synonte të përdorte në pyetjet e veta të dëshmitarit.

    “Trupi gjykues rikujton se në përputhje me paragrafin 83 të shkëmbimit të gjykimit, lista e prezantimeve, kur arritën të gjitha dokumentet apo materialet e tjera që do të përdorin palët që do të bëjnë pyetjet, u duhet nxjerr trupit gjykues dhe palëve të tjera më së paku menjëherë pas përfundimit të pyetjeve të prokurorit të këtij dëshmitari… prandaj në rrethana aktuale çdo ekip mbrojtës do të ngarkojë në listën e materialeve vetëm dokumente që synojnë të përdorin në kundërpyetjet e veta me përjashtim të rasteve që ky material është në listën e materialeve të prokurorisë, sigurisht do të ketë një farë mbivendosje në mes të ekipeve të mbrojtjeve por trupi gjykues vlerëson se është një mënyrë më e përshtatshme për të vijuar”, tha ai.

    Seanca vazhdon e mbyllur me pyetjet e prokurorisë për dëshmitarin e mbrojtur W03832, apo dëshmitari i 18-të.

  • ​Me kamion këput një kabllo rryme dhe rrëzon disa shtylla druri

    ​Me kamion këput një kabllo rryme dhe rrëzon disa shtylla druri

    I dyshuari mashkull kosovar duke drejtuar kamionin me rimorkio të ngarkuar, e ka këputur një kabllo rryme dhe ka rrëzuar disa shtylla druri me ç’rast e ka dëmtuar një pllakë të varrezave.

    Rasti ka ndodhur mbrëmë në Junik, ku i dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

  • ​Gjendet i vdekur një femër në Klinë

    ​Gjendet i vdekur një femër në Klinë

    Është raportuar se në një banesë një person dyshohet se është pa shenja jete. Njësitë policore së bashku me njësitin e Qendrës se Mjekësisë Familjare kanë dalur në vendin e ngjarjes, ku ekipi mjekësor ka konstatuar se viktima femër kosovare është pa shenja jete.

    Rasti është raportuar mbrëmë në Klinë, ku vendin e ngjarjes po ashtu ka dal edhe prokurori i shtetit me urdhër të së cilit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Rasti vazhdon të hetohet.

  • Sektori sigurimeve nga minus 24,7 milionë euro humbje, në 9.9 milionë euro fitim

    Sektori sigurimeve nga minus 24,7 milionë euro humbje, në 9.9 milionë euro fitim

    Të dhënat e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) pasqyrojnë shumë saktë rezultatet e një angazhimi të madh për rregullimin dhe reformimin e sektorit të sigurimeve në vend.

    Gjatë tetë viteve, pra 2016-2023 janë bërë punë dhe ndryshime të mëdha, e që falë tyre sektori i sigurimeve sot është krejtësisht tjetër, i barabartë me ato të shteteve të zhvilluara Evropiane.

    Gjatë kësaj periudhe kohore është bërë ndryshimi i Ligjit të Korporatave e që në masë të madhe ky ligj kishte dëmtuar sektorin e sigurimeve në vend, pasi që deri në ndryshimet ligjore kompanitë kanë paguar tatime shtesë prej 5 % të qarkullimit bruto.

    Gjithashtu, me vendim të Gjykatës Kushtetuese gjatë kësaj periudhe kohore të cilës i referohem është ndryshuar edhe Ligji për Kryqin e Kuq, ku deri në shfuqizimin e këtij ligji kompanitë është dashur të paguajnë për ketë Institucion 1 % të qarkullimit të përgjithshëm.

    Gjatë kësaj periudhe kohore me vendim të Bankës Qendrore të Kosovës nga tregu i sigurimeve janë hequr edhe dy kompani të sigurimeve të cilët nuk kishin rënë nën kushtet ligjore të parapara me ligjet në fuqi.

    Zvogëlimi i automjeteve të paregjistruara në vend gjithashtu ka ndikuar dukshëm në rregullimin e tregut. Në këtë drejtim është duke u punuar në vazhdimësi, projekti për vendosjen e stikersave ka dhënë rezultate konkrete. Gjatë vitit që vjen rezultatet në këtë drejtim do të jenë edhe më të dukshme.

    Për ndryshimet pozitive gjatë kësaj periudhe kohore sektori i sigurimeve është përmendur edhe në konotacion pozitiv edhe në raportin e progresit për Kosovën

    Pra, referuar të dhënave zyrtare më 2016 sektori i sigurimeve ka mbyllur vitin me 24,7 milionë euro humbje, deri sa në fund të muajit korrik të këtij viti, pra për shtatë muaj sektori ka gjeneruar një profit neto prej 9,9 milionë euro.

    Falë ndryshimeve që janë bërë në aspektin teknik Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për tu bërë pjesë e Byrosë së Kartonit të Gjelbër.

  • Arrestohet shtetasi francez, iu gjet kokainë në veturë

    Arrestohet shtetasi francez, iu gjet kokainë në veturë

    Gjatë mbrëmjes së djeshme në Prishtinë një shtetas i Francës është arrestuar pasi i ishte gjetur një sasi e vogël kokainë, në veturën me targa vendore, të cilën po e drejtonte.

    Kjo është bërë e ditur nga Policia e Kosovës në raportin e saj 24-të orësh.

    ‘’Njësiti policor ka ndaluar një veturë me targa vendore të cilën ishte duke e drejtuar i dyshuari mashkull shtetas i Francës, gjatë kontrollit në veturë i është gjetur dhe konfiskuar një sasi e vogël e substancës së dyshuar si lëndë narkotike kokainë, derisa te pasagjeri, i dyshuari mashkull kosovar është gjetur një sasi substancë më vogël e dyshuar si marihuanë’’, thuhet në raportin policor.

    Po ashtu është bërë e ditur se drejtuesi i mjetit i dyshuari i parë është arrestuar dhe me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje.

  • Ndahen edhe 1 milion e 713 mijë euro për infrastrukturën rrugore në Vushtrri

    Ndahen edhe 1 milion e 713 mijë euro për infrastrukturën rrugore në Vushtrri

    Komuna e Vushtrrisë ka ndarë 1,713,053 euro për infrastrukturën rrugore.

    Kryetari i kësaj komune, Ferit Idrizi, sot ka nënshkruar kontratat për rregullimin e rrugëve “Avni Saraçi”, “Viciana”, “Bekim Berisha Abeja”, “Vëllezërit Feka” dhe ”Lumni Surdulli”.

    “Në këto rrugë që njihen edhe si rrugë arterie të qytetit, parashihet të bëhet asfaltimi, zgjerimi i rrugës, ndriçimi me trupa statikë dhe infrastrukturë përcjellëse”, ka shkruar ai.