ATV

Category: Lajme

  • Kurti: Varret e hapura në Kosovë presin të vërtetën

    Kurti: Varret e hapura në Kosovë presin të vërtetën

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, tha se në qeverisjen e tij, i ka dhënë prioritet ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së të zhdukurve.

    Ai këtë e thotë në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve nga forcat serbe, ndërsa bën thirje tek ndërkombëtarët që ta rrisin presionin mbi Serbinë në dhënien e përgjegjësisë për këtë akt.

    Reagimi i plotë:

    Varret e hapura në Kosovë presin të vërtetën.

    Pesha e mungesës rëndon mbi familjet e 1617 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.

    Nënat presin ditën kur do të vendosin nga një lule në kujtim të më të dashurve të tyre. Atyre që u rrëmbyen e zhdukën me dhunë nga autoritetet e Serbisë urdhërdhënëse dhe ekzekutore.

    Pas rënies së Millosheviqit, në Serbi u zbuluan pesë varreza të mëdha masive, me gjithsej 950 njerëz tonë të rrëmbyer e të vrarë, të vrarë e të rrëmbyer, në Batajnicë, Peruqac, Petrovo Selo, Rudnicë e Kizhevak. Serbia ende vazhdon të qëndrojë mbi varre masive teksa i mohon ato.

    Sot e gjithnjë u bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë që ta rrisin presionin mbi Serbinë, si përgjegjëse për zhdukjen e qytetarëve tonë, për të zbardhur fatin e tyre dhe për të vënë drejtësi duke dënuar përgjegjësit politikë ushtarakë e policorë për këto krime.

    Me angazhimin institucional për adresimin e të gjitha krimeve të kryera gjatë luftës, ne po vazhdojmë punën duke i dhënë prioritet ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së të zhdukurve.

    Si zotim i yni ndaj kujtesës sonë si popull dhe ndaj kërkesës sonë për drejtësi, po themelojmë Institutin për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

    Me ndryshimet që kemi bërë në legjislacionin përkatës, institucionet tona të drejtësisë mund të ndjekin dhe të dënojnë kryerësit e krimeve të luftës në mungesë, kudo që ata janë.

    Për të rritur kapacitetet për të trajtuar krimet e luftës, kemi shtuar buxhetin për 50 pozita për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës. Ndërsa në Policinë e Kosovës, nga një sektor, kemi ngritur Drejtorinë e Hetimit të Krimeve të Luftës që do të ketë 41 hetues.

    Në korrik shënuam hapin përfundimtar për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP).

    Shteti ynë, Qeveria e Republikës së Kosovës, janë të përkushtuar dhe po angazhohen për të vërtetën, për të gjitha zhdukjet me dhunë që kanë ndodhur në Kosovë.

    Në Ditën Ndërkombëtare të personave të zhdukur me dhunë, nderojmë të gjithë të zhdukurit me dhunë gjatë luftës në Kosovë.

    Nuk do të ndalemi kurrë, derisa të dihet fati i tyre.

  • Osmani: Nëse pezullohet liberalizimi i vizave, dialogu vritet një herë e përgjithmonë

    Osmani: Nëse pezullohet liberalizimi i vizave, dialogu vritet një herë e përgjithmonë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të mërkurën se pezullimi i vendimit për heqje të vizave për qytetarët e Kosovës nga 1 janari i vitit 2024, do ta vriste dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

    Ajo i ka bërë këto deklarata, duke iu referuar qëndrimit të presidentit francez, Emmanuel Macron, i cili ka thënë më 28 gusht se vendi i tij do t’i rishikojë zotimet që i ka bërë për çështje ekonomike dhe politika të vizave për Kosovën dhe Serbinë, nëse ato nuk sillen me përgjegjësi.

    “Unë do të thosha që kjo është mënyra për ta vrarë dialogun një herë e përgjithmonë. Në qoftë se dëshiron dikush që të mos ketë më dialog, atëherë ndërmerr masa të tilla, që janë masa ndëshkuese ndaj popullit të Kosovës. Nuk janë ndaj ndonjë lideri, nuk janë ndaj një politike, janë ndaj popullit të Kosovës. Dhe një ndëshkim i tillë i paprecedentë, që edhe ashtu ka qenë padrejtësi e madhe për popullin e Kosovës, do të rezultojë me vdekjen e dialogut. Nuk ka më askush mandat që të shkojë në Bruksel, kur populli i Kosovës ndëshkohet”, ka thënë Osmani në një vizite te Memoriali për të Pagjeturit në Prishtinë.

    Osmani ka thënë se Kosova ka arritur pajtueshmëri me Bashkimin Evropian për shtensionim të situatës në veri qysh më 10 korrik në Bratisllavë.

    Ajo e ka përmendur që marrëveshja parasheh zvogëlimin e pranisë së Policisë së Kosovës në dhe rreth ndërtesave komunale në veri, hap që ajo ka thënë se Kosova e ka bërë, dhe se është duke u punuar në organizimin e zgjedhjeve të reja.

    Sipas Osmanit, baza ligjore për mbajtje të këtyre zgjedhjeve do të jetë gati më 1 shtator, dhe kështu ka thënë se pret që BE-ja t’i heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat ajo i ka vlerësuar si të padrejta dhe joproporcionale.

    Një tjetër pikë e marrëveshjes së Bratisllavës parasheh edhe kthimin sa më të shpejtë në dialog në nivel të lartë mes Kosovës dhe Serbisë.

    Osmani ka thënë se pret lëvizje në këtë drejtim në shtator.

    Për dialogun kanë diskutuar më 28 gusht edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me të dërguarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

    Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë kanë qenë të larta në maj të këtij viti, meqë banorët e komunave veriore – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – e kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunave.

    Banorët e këtyre komunave me shumicë serbe kanë protestuar me javë para ndërtesave dhe me raste situata është përshkallëzuar në dhunë./REL/

  • Gjendet i vdekur një person në Leposaviq

    Gjendet i vdekur një person në Leposaviq

    Në Leposaviq është gjetur i vdekur një person, rasti është cilësuar nga policia vdekje e dyshimtë.

    Sipas policisë, me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IMK) për obduksion.

    “Është gjetur pa shenja jete viktima mashkull kosovar. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësorë në vendin e ngjarjes. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

  • ​Haradinaj: Të pagjeturit mbesin plagë e hapur, jemi bashkë me familjarët

    ​Haradinaj: Të pagjeturit mbesin plagë e hapur, jemi bashkë me familjarët

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se të pagjeturit mbesin edhe më tutje plagë e hapur për ne.

    Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve, Haradinaj ka thënë se zemra rrah me familjarët që ende janë në pritje të mësojnë për fatin e më të dashurve.

    “Sot kur e gjithë bota kujton personat e zhdukur, zemra jonë rrah me familjarët që ende presin me ankth për fatin e të dashurve të tyre. Motrat, vëllezërit e fëmijët tanë të pagjetur mbesin plagë e hapur, dhembje që vazhdon”, ka shkruar Haradinaj.

  • Digjet një banesë në Vushtrri, pamje nga vendi i ngjarjes

    Digjet një banesë në Vushtrri, pamje nga vendi i ngjarjes

    Një banesë sapo është përfshirë nga zjarri në Vushtrri.

    Siç mund të shihet në videon e siguruar nga ATV, policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes, ndërsa zjarrfikësit ende nuk shihen të kenë arritur për të intervenuar në shuarjen e zjarrit. /atvlive.tv

  • ​Rrahje masive në Malishevë, lëndohet një person rëndë

    ​Rrahje masive në Malishevë, lëndohet një person rëndë

    Në Malishevë një person ka marr lëndime të rënda trupore pas një rrahje masive që ka ndodhur të martën.

    Policia e Kosovës njofton se katër persona janë arrestuar nën dyshimin se pas një mosmarrëveshje janë përleshur fizikisht mes vete.

    Në raportin 24 orësh të policisë thuhet se njëri nga të dyshuarit ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për tretman mjekësor në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar.

    “Janë arrestuar katër të dyshuar meshkuj kosovarë nën dyshimin se pas një mosmarrëveshje janë përleshur fizikisht mes vete me ç’rast njëri nga të dyshuarit ka pësuar lëndime dhe është dërguar për tretman mjekësor në QKUK Prishtinë. Me vendim të prokurorit pas intervistimit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

  • Osmani kërkon ndëshkimin e Serbisë: Po fsheh arkivat për gjetjen e të zhdukurve

    Osmani kërkon ndëshkimin e Serbisë: Po fsheh arkivat për gjetjen e të zhdukurve

    Presidentja Kosovës, Vjosa Osmani, ka akuzuar Serbinë se po fsheh arkivat për gjetjen e personave të zhdukur me dhunë.

    Osmani tha se Serbia s’po e respekton marrëveshjen e arritur për hapjen e arkivave.

    Ajo i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të dënojë këtë qasje të Serbisë.

    Krahas kësaj, Osmani tha se janë përmbushur zotimet për përmbushjen e marrëveshjes së Bratillsavës, derisa tha që pret që pas takimit të shtatorit të largohen masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës.

  • Osmani e Konjufca bëjnë homazhe tek memoriali për të zhdukurit

    Osmani e Konjufca bëjnë homazhe tek memoriali për të zhdukurit

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani bashkë me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca dhe zyrtarë qeveritarë kanë bërë homazhe pranë përmendores dedikuar personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës, me rastin e shënimit të Ditës ndërkombëtare të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.

    Gjithashtu, homazhe bënë edhe Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Këshilli Koordinues i Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës.

    Më shumë se dy dekada pas përfundimit të luftës, në Kosovë vazhdojnë të mungojnë edhe mbi 1600 persona, të zhdukur me dhunë.

  • Aksident i rëndë në Prishtinë, lëndohet vozitësi i trotinetit elektrik

    Aksident i rëndë në Prishtinë, lëndohet vozitësi i trotinetit elektrik

    Një aksident i rëndë ka ndodhur dje në mes të një veture dhe një vozitësi me trotinet elektrik.

    Sipas policisë vozitësi i trotinetit ka pësuar lëndime të rënda.

    “Ka ndodhur aksident trafiku në mes një veture deri me tani të pa njohur e cila është larguar nga vendi i ngjarjes, dhe një trotineti elektrik me drejtues viktimën mashkull kosovar, ku si pasoj e aksidentit viktima ka pësuar lëndime dhe vazhdon te marr tretman mjekësor“, njoftoj policia.

    Në lidhje me rastin eshtë konsultuar prokurori i shtetit, rasti ne procedure hetimore.

  • Kosova në vendin e parë për kërkesa të qytetarëve për viza qëndrimi

    Kosova në vendin e parë për kërkesa të qytetarëve për viza qëndrimi

    Sipas të dhënave nga statistikat e Shengenit, Kosova është në vendin e parë sa i përket kërkesave të qytetarëve për të marrë vizë qëndrimi, raporton ABC News.

    Vitin e kaluar kanë aplikuar për vizë qëndrimi 6.891 persona për 100 mijë banorë, transmeton Paparaci.

    Numri i përgjithshëm i kërkesave nga Kosova, e cila ka 1.7 milionë banorë, ka arritur në 121.972, që është 6.8 për qind e popullsisë.

    Në vendin e dytë dhe të tretë me më shumë kërkesa për viza janë Kuvajti dhe Katari.

    Lista e 10 vendeve me numrin më të madh të aplikimeve plotësohet nga Ishujt Kepi i Gjelbër, Surinami, Armenia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Libani, Tunizia dhe Bahreini.