ATV

Category: Lajme

  • Lipjani bëhet komuna e parë në Kosovë që lanson platformën “Harta Dixhitale Komunale”

    Lipjani bëhet komuna e parë në Kosovë që lanson platformën “Harta Dixhitale Komunale”

    Komuna e Lipjanit është komuna e parë në Kosovë që ka lansuar platformën “Harta Dixhitale Komunale”, e cila synon ofrimin e një qasje më të lehtë në pronat komunale dhe rritjen e transparencës dhe efikasitetit, raporton EO.

    Aty u tha se ky aktivitet është pesë vjeçar dhe synon përmirësimin e sistemit të të drejtave pronësore, duke përmirësuar proceset e Zyrës Kadastrale Komunale dhe ofrimin e shërbimeve që qytetarët kanë nevojë për të formalizuar dhe regjistruar të drejtat e tyre.

    Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, tha se programi ka për qëllim identifikimin e pronave kadastrale dhe identifikimit të vendeve turistike të Lipjanit.

    “Ne jemi partnerë të këtij projekti deri në vitin 2025 dhe një ndër çështjet kryesore është Qeverisja e Pronës. Një prej sferave që nuk e kemi pas shumë të zhvilluar por me këtë projekt, qytetarët tanë do të kenë njohuri dhe do të shohin më shumë se që kanë parë deri tash dhe kjo është falë angazhimit të përgjegjësve e të udhëhequr nga USAID-i”, tha Ahmeti.

    “Unë besoj se kjo do të shërbejë shumë jo vetëm për çështjet e identifikimit të pronave por edhe identifikimit në prona për të zhvilluar biznes, për ata që duan të vizitojnë vendet më atraktive të qytetit tonë dhe unë jam i lumtur që Lipjani është komuna e parë që e lanson sot Hartën Digjitale për komunën tonë”, u shpreh Ahmeti.

    Drejtoresha e Aktivitetit në USAID, Jennifer Ober, deklaroi se programi ka për qëllim qasjen e qytetarëve në zonat kadastrale.

    “Ky aktivitet ka për qëllim që të përmirësojë sistemin e pronës në Kosovë. Ky aktivitet bashkëpunon me spektrin privat, qeverisjen lokale e shoqërinë civile, në mënyrë të mbështetjes së reformave, të cilat mundësojnë qasjen e qytetarëve në zonat kadastrale dhe pengesat sa i përket zonave kadastrale”, tha ajo.

  • Sot, 26 vite nga aksidenti tragjik që i mori jetën Princeshë Dianës

    Sot, 26 vite nga aksidenti tragjik që i mori jetën Princeshë Dianës

    Kanë kaluar njëzet e gjashtë vjet nga aksidenti tragjik i princeshës Diana në Paris. Ishte 31 gusht 1997, kur ajo dha shpirt në urën D’Alma në Paris, e ndjekur nga dhjetëra paparacët, në moshën 36 vjeç.

    Lajmi shkaktoi tronditje dhe zi në mbarë botën, ndërsa për monarkinë britanike ishte një moment vërtetë i vështirë.

    Më 31 gusht 1997, 26 vjet më parë, në një aksident tragjik, brenda tunelit Ponte del’ Alma në Paris, Princesha Diana u vra së bashku me partnerin e saj Dodi al Fayette dhe shoferin e Mercedesit fatal në të cilin ndodheshin.

    Madje, fjalimi i kryeministrit të atëhershëm të Mbretërisë së Bashkuar Tony Blair, i cili duke komentuar ditën e vdekjes së saj në ngjarjen tragjike, e quajti Dianën “Princesha e popullit” u miratua në mbarë botën.

    Funerali i saj u ndoq nga BBC 32.10 milionë njerëz vetëm në Britaninë e Madhe me imazhin prekës të dy djemve të saj që ecnin si ushtarë pas arkivolit të nënës së tyre.

  • BE: Kosova e Serbia të zbatojnë deklaratën për të zhdukurit

    BE: Kosova e Serbia të zbatojnë deklaratën për të zhdukurit

    I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kreu i Zyrës së BE, Tomáš Szunyog dhe drejtuesi i misionit EULEX, Giovanni Pietro Barbano kanë bërë thirrje për ndriçimin e fatit të 1616 personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Në një deklaratë të përbashkët, përfaqësuesit evropianë, thonë se “Kosova dhe Serbia kanë shumë punë për të bërë për të siguruar zbatimin e plotë të zotimeve përkatëse në fushën e personave të zhdukur”.

    “Deklarata e Përbashkët për Personat e Zhdukur u dakordua nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti në maj të vitit 2023. Kosova dhe Serbia kanë shumë punë për të bërë për të siguruar zbatimin e plotë të zotimeve përkatëse në fushën e personave të zhdukur dhe për të rritur bashkëpunimin në identifikimin e vendeve të varrimit dhe kryerjen e gërmimeve”, thuhet në deklaratë. Deklarata mëton të mbështesë punën dhe përpjekjet e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) për të lehtësuar bashkëpunimin e palëve për personat e zhdukur, e kjo parashikon krijimin e një Komisioni të Përbashkët të kryesuar nga Bashkimi Evropian dhe të vëzhguar nga KNKK-ja.

    EULEX vazhdon punën për gjetjen e personave të zhdukur

    Drejtuesi i misionit të EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, pjesë e deklaratës, thotë se ekspertët e misionit vazhdojnë të punojnë me palët homologe kosovarë në Institutin e Mjekësisë Ligjore. “Që nga fillimi i mandatit të EULEX-it deri më sot, EULEX-i ka kryer 746 operacione terreni për gjetjen e personave të zhdukur, duke përfshirë 200 zhvarrime. Eshtrat e 492 individëve janë identifikuar, duke ku përfshihen 339 persona të zhdukur. Mbetemi të përkushtuar për të vazhduar këtë punë dhe për t’u dhënë përgjigje familjarëve të personave të zhdukur”, thotë Barbano.

    Kurse drejtuesit kryesorë të institucioneve të Kosovës i kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të bëjë presion ndaj Serbisë për ndriçimin e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. 1616 persona janë të zhdukur, shumica nga ta shqiptar të Kosovës. Dy muaj më parë në maj, Kosova dhe Serbia në kuadër të dialogut nënshkruan një deklaratë të përbashkët, me zotim për zbatimin e plotë të detyrimeve për ndriçimin e fatit të të zhdukurve.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se Serbia duke mos zbatuar zotimet e saj nga kjo deklaratë dhe nga Marrëveshja e Ohrit, po ripërsërit krimet e saj. “Të mendojnë pak për faktin që edhe 25 vjet pas luftës në krye të Serbisë janë po ata që e shkaktuan zhdukjen me dhunë të më të dashurve tanë. Shpresojmë shumë që dialogu në Bruksel nuk do të jetë një proces nëpërmjet të cilit Kosovës do t’i bëhet presion, popullit të Kosovës do t’i bëhen padrejtësi, ndërsa, fytyra e Vuçiçit, një njeriu që ende fle në varreza masive do të vazhdojë të shpërlahet padrejtësisht”, tha Osmani.

    Jo politizim të fatit të viktimave të zhdukura me forcë

    Fati i “viktimave të zhdukjeve me forcë duhet të zgjidhet në frymën e pajtimit, ndërtimit të besimit dhe respektimit të të drejtave të njeriut, dhe jo të politizohet”, tha në një deklaratë, drejtuesja e Misionit të OKB-së në Kosovë, Caroline Ziadeh. Ajo u bëri thirrje autoriteteve përgjegjëse të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të zbatuar në mirëbesim deklaratën për personat e zhdukur. Deklarata për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur u nënshkrua më 2 maj nga kryeministri Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Kjo ishte pjesë e një plani evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve. Gjatë muajit shtator i dërguari i BE-së për dialog Miroslav Lajçak paralajmëroi nisma të reja për të ulur në një tavolinë kryeministrin Kurti dhe Presidentin Vuçiq, pjesë e një përpjekje të vazhdueshme për uljen e tensioneve në veri dhe rihapjen e diskutimeve për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit. /DW

  • Eurodeputeti holandez: S’kemi marrë asnjë sinjal se vizat për Kosovën janë në rrezik

    Eurodeputeti holandez: S’kemi marrë asnjë sinjal se vizat për Kosovën janë në rrezik

    Në prill të këtij viti u përmbyll i gjithë procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën me marrjen e vendimit nga institucionet e Bashkimit Europian dhe me publikimin në gazetën zyrtare. Qytetarët tanimë po presin 1 janarin e vitit të ardhshëm që të mund të lëvizin lirshëm në vendet e BE-së.

    Për procesin e pritur gjatë sërish u krijua një drojë se mund të preket. Një deklaratë e presidentit francez Emmanuel Macron ktheu prapë në diskurs të opinionit heqjen e mundshme të vizave për shkak të politikave ndërmjet Kosovës e Serbisë.

    “Franca dhe Gjermania janë të përkushtuara dhe kanë pasur një hapje, në veçanti ndaj politikës së vizave apo në elementë të tjerë ekonomikë, të cilët mund të rishikohen nëse nuk do të ketë politikë të papërgjegjshme nga të dy palët”, kishte thënë Macron në një fjalim para ambasadorëve francezë.

    Eurodeputeti holandez, Thjis Reuten, i cili ishte raportues në Parlamentin Europian për liberalizmin e vizave të Kosovës, në një përgjigje për Gazetën Express thotë se nuk kanë marrë ndonjë sinjal mbi këtë çështje.

    “Kur bëhet fjalë për hyrjen në fuqi të regjimit të ardhshëm pa viza për Kosovën nga 1 janari 2024 e tutje, nuk kemi marrë asnjë sinjal se është në rrezik”, tha ai.

    Rastet kur hiqen vizat për një shtet nga BE janë ekstreme dhe aktualisht Kosova nuk është në këto rrethana. Këtë po e thotë edhe Reuten, i cili tha se kjo s’mund të thotë rastësisht.

    “Ne nuk jemi ekspertë për procedurën e heqjes së vizave dhe ndoshta kjo është diçka që duhet të shikohet me Komisionin Europian. Ne e dimë se revokimi i vizave individuale është i mundur vetëm në kushte të caktuara dhe nuk mund të ndodhë rastësisht”, tha eurodeputeti holandez.

    Ndërkohë, presidentja Vjosa Osmani dje paralajmëroi mbi pasojat që mund të ndodhin në rast se ndodh kjo në të vërtetë.

    “Unë do të thosha që kjo është mënyra për ta vrarë dialogun një herë e përgjithmonë. Në qoftë se dëshiron dikush që të mos ketë më dialog, atëherë ndërmerr masa të tilla, që janë masa ndëshkuese ndaj popullit të Kosovës”, tha Osmani dje.

    Çfarë tha fjalë për fjalë Macron për Kosovën, Serbinë dhe rishikimin e politikës për vizat?

    Në fjalimin e tij para krerëve të misioneve franceze nëpër botë, presidentit francez kur i ka ardhur radha që të flasë për rajonin e Ballkanit Perëndimor, ka potencuar se Franca do të vazhdojë të jetë vigjilente sa i përket këtij rajoni.

    “Ne do të vazhdojmë të jemi shumë vigjilentë për situatën e sigurisë dhe atë politike në Ballkanin Perëndimor. Në këtë drejtim, ne kemi ndërtuar me Gjermaninë një udhërrëfyes të ri dhe një propozim të ri për mospajtimet që kanë Serbia dhe Kosova. Unë besoj se ky udhërrëfyes është i mirë. Ai u mbështet nga negociatori evropian dhe përfaqësuesi ynë. Prandaj ne jemi duke pritur një riangazhim të qartë nga të dy palët, e kam fjalën për riangazhim për zgjedhjet e pritura komunale, një riangazhim serb lidhur me institucionet, njohje të komunave, veçanërisht në veri nga ana e institucioneve kosovare, një qetësim të situatës, dhe e them këtë sepse Franca dhe Gjermania janë të përkushtuara dhe kanë pasur një hapje, në veçanti ndaj politikës së vizave apo në elementë të tjerë ekonomikë, të cilët mund të rishikohen nëse nuk do të ketë politikë të papërgjegjshme nga të dy palët. Por ne do të vazhdojmë me partnerët tonë gjerman që të jemi shumë vigjilent për këtë çështje dhe për gjithçka që lidhet me stabilitetin e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

  • ​Hidhet mjet shpërthyes në shtëpinë e kryesuesit të bordit të Trepçës

    ​Hidhet mjet shpërthyes në shtëpinë e kryesuesit të bordit të Trepçës

    Në shtëpinë e kryesuesit të Bordit të Trepçës, Bahri Hyseni, është hedhur një mjet shpërthyes. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit.

    Për këtë ka shkruar Ndërmarrja Trepça duke theksuar se nga ky shpërthim ka vetëm dëme materiale.

    “Ndërmarrja Trepça Sh.a njofton se mbrëmë gjatë mesnatës u sulmua me granatë dore Kryesuesi i Bordit Mbikëqyrës të Ndërmarrjes Trepça Sh.A z.Bahri Hyseni. Për këtë incident është njoftuar Policia e Kosovës që janë duke u marrë me rastin. Nga ky shpërthim ka dëme të konsiderueshme materiale”, është bërë e ditur në njoftim.

  • Skandali erotik në bashkinë e Kukësit, Alma Kaçi kërkon lehtësimin e masës së sigurisë

    Skandali erotik në bashkinë e Kukësit, Alma Kaçi kërkon lehtësimin e masës së sigurisë

    Alma Kaçi është paraqitur këtë të enjte në Gjykatën e Posaçme Anti-Korrupsion ku në seancën e sotme do të shqyrtohet kërkesa e saj për lehtësimin e masës së dënimit. Konkretisht mësohet se protagonistja e video-skandalit seksual në zyrën e kryebashkiakut të Kukësit, Safet Gjici, kërkon lehtësimin e masës nga arrest shtëpie në detyrim paraqitjeje.

    Lidhur me skandalin erotik, Safet Gjici u arrestua më 24 qershor me akuzën e korrupsionit pasiv, ndërsa pretendoi se nuk ka shkelur ligjin, por, siç tha ai, ra pre e një kurthi të ngritur nga ata që nuk e duan.Pas arrestimit të tij në lidhje me videon ku ai shihet teksa kryen marrëdhënie seksuale me një vajzë në ambientet e zyrës së bashkisë, SPAK vijon hetimet për të parë nëse ka persona te tjerë që e kanë ndihmuar Alma Kaçin për të realizuar videon në zyrën e shtetit, e cila u publikua më 16 qershor.

    Në disa sekuenca filmike Gjici dhe Kaci kryejnë marrëdhënie seksuale e më pas diskutojnë për një projekt për ndërtimin e qendre për qentë në Bashkinë e Kukësit.Të dy protagonistët u shprehën se janë në një lidhje intime me njeri-tjetrin, por më pas rezultoi se takimi me Gjicin kishte ndodhur vetëm dy herë.

  • Ministri Çeku reagon për djegien e muzeut në Gjakovë: Krim, përgjegjësit të marrin dënimin e merituar

    Ministri Çeku reagon për djegien e muzeut në Gjakovë: Krim, përgjegjësit të marrin dënimin e merituar

    Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka reaguar pas djegies së muzeut të muzikës në Gjakovë. Ai tha se u bë krim mbrëmë ndaj trashëgimisë kulturore dhe se përgjegjësit duhet të marrin dënimin e merituar.

    “Jemi thellësisht të prekur nga krimi i mbrëmshëm ndaj trashëgimisë kulturore të Gjakovës. Të gjithë përgjegjësit duhet të marrin dënimin e merituar”.

    Çeku tha se ndërtesa e muzeut do të restaurohet dhe dha zotim se Muzeun e Muzikës do ta funksionalizojnë.

    “Ndërtesa e Muzeut të Muzikës, aseti Taphanja në Gjakovë do të restaurohet dhe do të kthehet në gjendjen origjinale. Pas restaurimit, si ministri do t’i marrim të gjitha masat për funksionalizimin e muzeut”, ka shkruar ai.

    Policia e Kosovës tha se mbrëmë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, si dhe zjarrfikësit të cilët e kanë lokalizuar zjarrin.

    Policia tha se për djegien e muzeut është njoftuar prokurori kujdestar dhe rasti vazhdon në procedurë hetimore.

  • Presidentja Osmani takohet me Kongresmenin, Mike Turner

    Presidentja Osmani takohet me Kongresmenin, Mike Turner

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar të etjen me Kongresmenin Mike Turner, kryetar i Komitetit të Përhershëm të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve për Shërbimet e Inteligjencës, raporton EO.

    Takimi është duke u zhvilluar në objektin e presidencës pa pranin e medieve.

  • Arrestohet një i dyshuar për vjedhje të rënda

    Arrestohet një i dyshuar për vjedhje të rënda

    Policia e Kosovës, ka njoftuar se ka arrestuar një të dyshuar për disa raste të vjedhjeve të rënda.

    Siç njofton policia, i dyshuari është F.J., 23 vjeçar nga Prizreni, të cilit i është lëshuar masa e ndalimit për 48 orë.

    “Arrestimi i tij është bërë pasi që janë gjetur prova se i njëjti ka qenë i përfshirë në disa raste të vjedhjeve dhe vjedhjeve të rënda të ndodhura në fshatrat e Opojës. I njëjti është intervistuar në bazë të procedurave ligjore dhe ndaj tij prokurori i shtetit ka lëshuar masën e ndalimit për 48 orë”, thuhet në raportin e policisë.

  • Serwer: Escobar e Hill besojnë se e kanë çuar Serbinë kah Perëndimi, faktet tregojnë të kundërtën

    Serwer: Escobar e Hill besojnë se e kanë çuar Serbinë kah Perëndimi, faktet tregojnë të kundërtën

    Profesori i Universitetit “John Hopkins”, Daniel Serwer, thotë se SHBA-ja po e favorizon Serbinë. Ai mendon se emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill besojnë se e kanë “dërguar Serbinë drejt Perëndimit, pavarësisht fakteve të qarta kundër”.

    Së fundmi ambasadori Hill në një intervistë për “Zërin e Amerikës” i kishte dalë në mbrojtje ministrit të Mbrojtjes së Serbisëm Millosh Vuçeviq. Hill nuk i kishte vlerësuar si destabilizuese deklaratat e Vuçeviqit se “njohja e Kosovës do t’i godasë në kokë Malin e Zi e Maqedoninë e Veriut – siç po ndodh në Ukrainë me të gjithë ata që promovuan Kosovën si shtet të pavarur”.

    Eksperti për Ballkanin, Serwer, thotë se mosreagimi i SHBA-së ndaj deklaratave të Vuçeviqit, dëshmon qasjen e butë të Amerikës ndaj Serbisë.

    “Qëndrimi i Amerikës ndaj Serbisë zbret në një politikë qetësimi. Nuk mendoj se kjo do të ndryshojë derisa në Serbi të jetë struktura aktuale diplomatike”, ka thënë Serwer në një intervistë për mediumin malazias “Pobjeda”.

    Serwer ka thënë se Washingtoni hesht për shumë gjëra sa i përket Serbisë përfshirë korrupsionin në nivele të larta, kërcënimet serbe për përdorim të forcës, sulmet e financuara nga Beogradi ndaj trupave të NATO-s, refuzimin e Vuçiqit për t’u angazhuar në zbatimin e marrëveshjes së arritur së fundmi në dialogun Kosovë – Serbi.

    Serwer beson se arsye për këtë janë Escobari dhe Hilli.

    “Përshtypja ime është se Hill e Escobar janë të bindur se e kanë çuar Serbinë kah Perëndimi, pavarësisht fakteve bindëse dhe të qarta për të kundërtën. Duket gjithashtu se i japin prioritet Serbisë, në mënyrë që ajo të lejojë dërgesën e armëve në Ukrainë”, tha Serwer.

    Serwer beson se letra që u nënshkrua nga 60 deputetë evropianë të nivelit të lartë si dhe nga kongresistë e senatorë amerikanë, duke i bërë thirrje BE-së, SHBA-së e Britanisë së Madhe për ndryshim të politikës së butë ndaj Serbisë, nuk është presion mjaftueshëm i madh.

    “Zyrtarët që janë pjesë e legjislativit dërguan një letër. Ata duan ndryshim dramatik në qasjen aktuale ndaj Serbisë, por nuk ka asnjë indikacion se do të realizohet kjo nga autoritetet ekzekutive në SHBA e BE”, tha Serwer.

    Serwer thotë se duhet më tepër presion.

    Sa i përket “Ballkanit të Hapur”, të cilën po e promovon haptazi ambasadori amerikan Hill, Serwer beson se kjo është dëshmi tjetër e politikës së butë të SHBA-së karshi Serbisë.

    “Përkrahja për ‘Ballkanin e Hapur’ ishte pjesë e politikës së butë”, tha Serwer.

    Sa i përket letrës që i ka dërguar ish-ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Miodrag Vlahoviq, ambasadorit amerikan Hill, Serwer thotë se Vlahoviq ka të drejtë.

    Vlahoviq tha se politika aktuale është duke destabilizuar Ballkanin.