ATV

Category: Lajme

  • ​Fillimi i vitit shkollor i gjen shumicën e nxënësve pa libra

    ​Fillimi i vitit shkollor i gjen shumicën e nxënësve pa libra

    Kur ka mbetur edhe një ditë të fillojë mësimi, gjysma e nxënësve ende nuk janë të pajisur me libra. Nga rreth 300 mijë familje sa pritet të aplikojnë për subvencionim për tekstet mësimore, deri më tani sipas Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, kanë aplikuar rreth 92 mijë prindër.

    Vendimi i MAShT-it që të subvencionojë për tekste shkollore dhe pajisje tjera për klasat 1-5 me 80 euro dhe 30 euro për si mbështetje për materiale të tjera shkollore pë klasat 6-9, del të jetë llogaritur gabim. Nga disa fatura që ka arritur të sigurojë KosovaPress nga prindërit, shihet se vetëm blerja e teksteve shkollore për klasën e katërt ka arritur shifrën 73 euro.

    Ky vendim nga MAShT-i vazhdon të kritikohet nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës, shoqëria civile por edhe nga prindërit. Sipas SBAShK-ut, fëmijët dhe mësimdhënësit do të ballafaqohen me sfida në mbarëvajtjen e mësimit.

    Ndërkaq, prindërit shprehen me mendime të ndara sa i përket kësaj çështje. Për disa është mjaft problematike sigurimi i teksteve shkollore në një librari, e për të tjerë ky vendim i arsyeshëm.

    Qytetari, Ymer Berisha, i cili ka regjistruar fëmijën në klasën e parë, thotë për KosovaPress se shuma e librave deri më tani ka shkuar në 57 euro, porse ende nuk i ka kompletuar.

    “Djalin e kam regjistruar sivjet në klasën e parë, librat i kam blerë 57 euro, përveç gjuhës angleze. Nuk po e shoh ndonjë problem ose komplikim, sepse neve gjithmonë prindërit tanë na kanë blerë librat dhe materialin tjetër shkollor”, thotë Berisha.

    Ndërsa, qytetarja, Vjosa Berisha ka kritikuar Ministrinë e Arsimit për këtë vendim. Derisa thotë se është krijuar tollovi në blerjen e librave, sipas saj, ka qenë përgjegjësi e MAShT-it t’i sigurojë librat për nxënësit.

    “Vajza është në klasën e dytë tash, gjysmën e librave i morëm në një librari 25 euro… Sepse gjysmën tjetër i ka ble bashkëshorti tek libraria tjetër… Por, aspak i arsyeshëm (vendimi i MAShTI-t), sepse është bërë një tollovi e madhe, s’ka pas nevojë, sepse ato para nëse veç i kishin dhënë për libra, kanë mundur t’i marrin në shkollë, kështu po duhet të bartemi herë në një librari e herë në tjetrën, katër librari i kemi shikuar derisa i kompletuam të gjitha librat”, thotë Berisha.

    Se ky vendim është i gabuar, e thotë edhe kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj.

    Jasharaj thotë se shuma e ndarë për fëmijët në vlerë prej 80 euro, 50 euro për tekste shkollore dhe 30 euro për pajisje të tjera, për klasën e parë deri në të pestën, nuk del të jetë ashtu. Sipas tij, edhe po të bëhen dyja bashkë, në disa raste nuk e mbulojnë shifrën për blerjen e librave.

    “Deklarata… për tekste shkollore dhe 30 euro ‘humaniteti’ i tyre për mjete mësimore, edhe në takimin që kishim me kryetarët, ata janë angazhuar dhe kanë pyetur libraritë ekzistuese, del se jo 50 euro por edhe të bashkohen dy shumat ka gjasa se nuk mjaftojnë vetëm për tekstet shkollore. Dhe ky ‘humanitet’ konsideroj se behet për popullaritet, për të ju treguar se ja gjoja ne i ndihmojmë prindërit, e vërteta do të na tregojë që në fillim të shtatorit prindërit do jenë të zhgënjyer, këto para nuk do ju mjaftojnë për tekste shkollore. Po ashtu pse nuk i ka pyetur njerëzit a ka nëpër të gjitha qytetet librari”, thotë Jasharaj.

    Mes tjerash, Jasharaj shprehet i shqetësuar se nxënësit do humbasin javë të tëra derisa të kompletohen me tekste shkollore.

    “Me të ardhur e hëna do të na dalin shumë sfida, ngase për herë të parë në mënyrë shumë të çuditshme e të gabuar, ministrja Nagavci ka sjell këtë vendim, i cili është shumë i gabuar dhe i ngarkon dhe komplikon jetën prindërve, ngase jo të gjithë prindërit dinë të gjinden në e-Kosova, dhe jo të gjithë prindërit kanë xhirollogari, madje u shqetësova kur dëgjova se ka raste kur prindërit tanë i kanë të bllokuara xhirollogaritë nga përmbaruesit për shkak se janë në gjendje të rëndë ekonomike, dhe po shkuan ato para, prindi nuk i merr dot. Pra, është krijuar një situatë e cila nuk është dashur të ndodhë… Kështu kam frikë se tre javë do shkojnë me një pjesë me tekste e një pjesë pa tekste, dhe mësimdhënësit janë pastaj në stres, të fillojnë të shpjegojnë njësitë e reja apo çfarë të bëjnë, sepse nxënësit që nuk kanë tekste nuk janë në faj”, shton Jasharaj.

    KosovaPress ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë lidhur me përgatitjen me libra për vitin shkollor, mirëpo të njëjtit nuk janë përgjigjur deri në publikimin e kësaj teme.

    Po ashtu, KosovaPress ka kontaktuar edhe me Këshillin e Prindërve, mirëpo as këta të fundit nuk kanë pranuar të përgjigjen.

    Ndërkaq, gjatë ditës së djeshme (e mërkurë), Qeveria e Kosovës ka ndarë rreth 13 milionë euro për subvencionimin e prindërve për blerjen e teksteve shkollore dhe materialet mësimore.

    Ekzekutivi në mbledhjen e saj elektronike ka ndarë 6,323,380 euro për subvencionimin e teksteve shkollore për klasat 1-5 dhe 6,617,340 euro për subvencionimin e materialeve mësimore për klasat 1-9. /kp

  • Vrasja në Malishevë, Policia jep detaje

    Vrasja në Malishevë, Policia jep detaje

    Një person është qëlluar me armë zjarri sot rreth orës 13:30 në fshatin Bubavec të Malishevës.

    Rastin për Indeksonline e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

    “Sot rreth orës 13:30 kemi pranuar informatë se një person mashkull i moshës madhore është dërguar në QKMF Malishevë, dyshohet të jetë qëlluar me armë zjarri. Personeli mjekësor atje ka konstatuar vdekja e tij. Në këto momente jemi në kërkim të të dyshuarve. Njësitet e nevojshme policore ju kanë përgjigjur rastit si dhe është njoftuar prokurori i shtetit në konsultim me të cilin janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore”, thotë ai.

  • Dyshimet për kontrabandim të barnave, Dogana zhvillon aksion në disa barnatore në Prishtinë

    Dyshimet për kontrabandim të barnave, Dogana zhvillon aksion në disa barnatore në Prishtinë

    Dogana e Kosovës po zhvillon sot një aksion në pesë barnatore në Prishtinë nën dyshimin për kontrabandim të barnave dhe shitje të tyre.

    Kjo është konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” nga zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci.

    “Dogana e Kosovës konfirmon se po zhvillohet aksion në pesë lokacione- barnatore në Prishtinë nën dyshimet për kontrabdanim dhe shitje të mallrave të kontrabanduara”, tha Stavileci.

    Kujtojmë se para dy ditësh, në regjionin e Prishtinës, Dogana e Kosovës ka parandaluar edhe një rast të kontrabandës së barnave nga Shqipëria dhe Serbia. Kjo ishte bërë e ditur nga Dogana e Kosovës përmes një njoftimi për media.

    “Në Regjionin e Prishtinës, Dogana e Kosovës, e përkrahur nga Policia e Kosovës, ka ndaluar një automjet të dyshuar. Në këtë rast është zbuluar një sasi e konsiderueshme barnash të kontrabanduara nga Shqipëria dhe Serbia”, thuhej në njoftim.

    Tutje, thuhej se mallrat e kontrabanduara janë konfiskuar dhe procedurat ligjore kundër personave të përfshirë në këtë kundërvajtje kanë filluar.

  • Vritet një person në Malishevë

    Vritet një person në Malishevë

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pak më parë në fshatin Bubavec të Malishevës, ku një person ka mbetur i vrarë.

    Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se viktima është rreth 30-vjeç dhe sipas informacioneve të para dyshohet se gjithçka ka nisur pas një mosmarrëveshjeje të momentit.

  • “Kriza klimatike është e rrezikshme dhe kërcënuese për të gjithë”, thotë ​kryeministri grek Mitsotakis

    “Kriza klimatike është e rrezikshme dhe kërcënuese për të gjithë”, thotë ​kryeministri grek Mitsotakis

    “Kriza klimatike është e rrezikshme dhe kërcënuese për të gjithë. Përgjigjja duhet të jepet nga të gjithë,” tha të enjten kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis duke iu drejtuar Parlamentit gjatë një debati mbi zjarret.

    Ai tha se zjarret nuk kanë ngjyrë politike dhe shprehu mbështetjen e tij për të gjithë ata që kanë vuajtur nga zjarret.

    Ai theksoi se shteti do të përfundojë menjëherë procesin e dëmshpërblimeve si dhe restaurimin e pyjeve të djegura, shkruan ANA-MPA.

    Mitsotakis përsëriti se përgatitja këtë vit ishte më e mirë, por mekanizmi shtetëror u përball me shumë lloj fenomenesh të paprecedentë.

    “Kishte javë me 500 zjarre dhe ne kishim nivele alarmi të nivelit ekstrem 7 herë. Prioriteti i qeverisë është mbrojtja e jetës së njerëzve, duke përfshirë sigurisht jetën e kafshëve. Më pas vjen mbrojtja e pronës, infrastrukturave kritike dhe mjedisit natyror”, tha ai.

    Kyriakos Mitsotakis nënvizoi se parandalimi është i nevojshëm dhe bëri të ditur se vetëm nga Fondi i Rimëkëmbjes janë ndarë 160 milionë euro për masat parandaluese.

    “Greqia, e para nga të gjitha vendet evropiane, do të furnizohet me “Canadairs” (avion zjarrfikës) të rinj më së voni deri në vitin 2027. Aftësia jonë për të ndërhyrë herët në zjarre mund të përmirësohet përmes dronëve dhe kamerave termike,” tha ai.

    “Kam folur me Presidentin e Komisionit Evropian dhe kemi rënë dakord që burimet e BE-së të ndahen për kompensimin e fermerëve dhe blegtorëve dhe gjithashtu për mbrojtjen e zonës pyjore në Dadia”, shtoi ai.

  • ​Osmani në takim me Turner: Mbështetja e ShBA-ve është esenciale

    ​Osmani në takim me Turner: Mbështetja e ShBA-ve është esenciale

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka takuar kongresistin Mike Turner, kryetar i Komitetit të Përhershëm të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve për Shërbimet e Inteligjencës. Aty, Osmani ka thënë se mbështetja e ShBA-ve në rrugën e Kosovës drejt NATO-s është esenciale.

    Sipas njoftimit të Presidencës, raportet me SHBA-të, Osmani i ka cilësuar strategjike edhe ekzistenciale, ndërsa ka falënderuar kongresistin Turner për mbështetjen ndër vite.

    Osmani ka theksuar se shteti i Kosovës është edhe histori suksesi e SHBA-ve.

    “Në takim me kongresistin Tuner, Presidentja Osmani ka bërë të ditur se synimi i Kosovës është anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare si: NATO, BE, Këshilli i Evropës dhe të tjera.Në raport me bashkëpunimin me SHBA-të, Presidentja Osmani potencoi atë në sferën e mbrojtjes dhe sigurisë. Kësisoj, Presidentja Osmani përmendi aspiratën e Kosovës për anëtarësim fillimisht në Partneritet për Paqe (PfP), e pastaj në NATO, ku mbështetja e SHBA-ve është esenciale”, ka njoftuar Presidenca përmes një komunikate.

    Osmani gjithashtu ka përmendur faktin se Agjencia e Kosovës për Inteligjencë ka bashkëpunim të ngushtë me shërbimet inteligjente të SHBA-ve në adresimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë që mund ta cenojnë paqen dhe sigurinë në Kosovë e rajon.

    “Ndërkaq në raport me situatën në veri të vendit, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova ka bërë hapa përmbajtjesor në shtensionimin e situatës dhe se vazhdon të jetë palë konstruktive në këtë proces. Por, ka theksuar obstruksionet e Serbisë, si dhe veprimet destabilizuese në veriun e Kosovës nëpërmjet bandave kriminale të dirigjuara nga Beogradi. Ajo ripotencoi rëndësinë e zbatimit të plotë të të gjitha detyrimeve që dalin nga Marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit” , është theksuar në komunikatë.

  • Nitaj: Ata që se kuptojnë sa serioz është paralajmërimi i presidentit francez, kanë telashe me mendjen e tyre

    Nitaj: Ata që se kuptojnë sa serioz është paralajmërimi i presidentit francez, kanë telashe me mendjen e tyre

    Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Muharrem Nitaj, ka thënë se paralajmërimet e presidentit Macron, janë serioze dhe si të tilla duhet të merren.

    Nitaj ka thënë se ata që nuk e kuptojnë seriozitetin e këtyre paralajmërimeve, kanë probleme serioze me mendjen e tyre.

    “Ata që nuk e kuptojnë sa serioz mund të jetë paralajmërimi i presidentit Macron për rrezikun e rishikimit të vizave, nëse tregohemi të papërgjegjshëm në zbarimin e obligimeve që kemi marrë, e kanë një problem serioz në mendjen e tyre!.

    Kërcënimet nuk bëjnë punë, veç mind të kenë efekt të kundërt!”, ka thënë Nitaj.

  • Policia e Gjakovës kërkon ndihmën tuaj në arrestimin e këtij personi

    Policia e Gjakovës kërkon ndihmën tuaj në arrestimin e këtij personi

    Policia në Gjakovë po kërkon ndihmën e qytetarëve në gjetjen e personit të dyshuar, fotografinë e të cilit e ka publikuar me qëllim identifikimin dhe lokalizimin e tij.

    Ai po kërkohet për veprën “Lëndim i rëndë trupor”.

    Organet e rendit bëjnë apel te kushdo që ka informacion për identitetin dhe vendndodhjen eventuale të të dyshuarit të paraqitur në fotografinë e bashkangjitur, të lajmërojnë Policinë e Kosovës, stacionin më të afërt policor, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdestarë: 192 (pa pagesë) dhe 0390310482”.

  • SBASHK ka një paralajmërim për Nagavcin: Ka tendencë për të na përçarë, mos u mundoni kot

    SBASHK ka një paralajmërim për Nagavcin: Ka tendencë për të na përçarë, mos u mundoni kot

    SBASHK-u ka uruar fillimin e vitit të ri shkollor për të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit.

    Në reagimin e tyre sërish kanë theksuar se MASHT-i ka bërë vendim të gabuar për tekstet shkollore, ku sipas tij, ka sjell shqetësim te punëtorët e arsimit.

    “Anëtare e anëtarë të SBASHK-ut Ministrja Nagavci, në vend që të kërkojë falje nga prindërit, nxënësit e mësimdhënësit për problemin që ka krijuar lidhur me tekstet shkollore, ajo kishte bërë pyetje se kë përfaqëson Jasharaj”, thuhet në reagim.

    SBAShK ka edhe një paralajmërim për ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci.

    “Ministre mos u mundoni kot se sindikatën tonë u munduat ta shuani, por SBASHK ishte dhe mbetet sindikatë e punëtorëve të arsimit që nga çerdhet e deri në universitete dhe do të vazhdojë të jetë zë i tyre sepse ata janë bashkë e në SBASHK”, thuhet tutje.

    Deklarata e plotë:

    Të nderuar anëtarë të SBASHK-ut duke ju uruar juve dhe gjithë nxënësve për vitin e ri shkollor ju falënderoj që kësaj radhe nuk kishit kërkesa për veprime sindikale dhe kjo na jepte shpresë se ky vit shkollor do të ketë fillim dhe rrjedhë të mbarë, por MASHTI u kujdes që kjo të mos ndodh duke sjell vendim të gabuar për tekstet shkollore, vendim ky që ka krijuar shqetësime e stres të punëtorët arsimorë në mësimin shqip, por dhe te kolegët tanë në mësimin në gjuhën boshnjake e turke.

    Të nderuarit mësimdhënëses të Kosovës ju keni qenë të përkushtuar në misionin e shenjtë të edukimit e arsimit të brezave nëpër vite e dekada dhe keni kaluar me sukses pengesat që na krijuan të tjerët. Ju lus që të angazhoheni maksimalisht e të kontribuoni aq sa mundeni që pajisja me tekste shkollore të bëhet në mënyrën më të mirë të mundur e sidomos për nxënësit që vijnë nga familje me gjendje më të rënduar ekonomike.

    Anëtare e anëtarë të SBASHK-ut Ministrja Nagavci, në vend që të kërkojë falje nga prindërit, nxënësit e mësimdhënësit për problemin që ka krijuar lidhur me tekstet shkollore, ajo kishte bërë pyetje se kë përfaqëson Jasharaj. Ajo, si duket, ka besuar se do të jep rezultate plani i saj dhe i ministrit Murati se duke krijuar pengesa, që nuk ndodhin në as një vend demokratik të botës, punëtorët e arsimit nuk do të regjistrohen si sindikalistë në e-Kosova dhe kështu do të shuhet SBASHK-u. Por, Nagavcit nuk ia paskan treguar lajmin se SBASHK-u nuk u shua, por vazhdon rrugëtimin me unitet të plotë e me shumë angazhime në shërbim të arsimit dhe do ta ngrit zërin në emër të anëtarësisë.

    Pra, Jasharaj përfaqëson mijëra e mijëra anëtare e anëtarë të SBASHK-ut që nga çerdhet e deri në universitete. Zonja Nagavci me tendencën për të krijuar përçarje deklarohet se ky vendimi i ri për tekstet shkollore qenka edhe në shërbim të mësimdhënësve. Ajo, mbase ka menduar se kështu i kursen nga lodhja e ndarjes se teksteve shkollore për nxënësit e tyre, por ata nuk e duan këtë kujdes sepse me kënaqësi e të lumtur e kanë kryer këtë veprim duke i parë të gëzuar nxënësit për tekstet e reja shkollore. Sa është kujdesur e kujdeset Nagavci për punëtorët e arsimit u pa kur i gëzohej angazhimit të Qeverisë për ndëshkim me ndalim pagash pse punëtorët e arsimit kishin qëndruar arsyeshëm në grevë. Dhe kur u bënte presion edhe me inspektorë që të mbajnë mësim për të kompensuar orët e humbura në grevë. Ministre mos u mundoni kot se sindikatën tonë u munduat ta shuani, por SBASHK ishte dhe mbetet sindikatë e punëtorëve të arsimit që nga çerdhet e deri në universitete dhe do të vazhdojë të jetë zë i tyre sepse ata janë bashkë e në SBASHK.

  • Vuçiq pritet të merret në pyetje për rastin e masakrës së të rinjve serbë në kafenenë ‘Panda’ në Pejë

    Vuçiq pritet të merret në pyetje për rastin e masakrës së të rinjve serbë në kafenenë ‘Panda’ në Pejë

    Prokuroria Publike për Krimin e Organizuar ka pranuar një kërkesë për të dëgjuar presidentin serb Aleksandar Vuçiq si dëshmitar në rastin e vrasjes së të rinjve serbë në kafenenë “Panda” të Pejës në vitin 1998.

    Prokuroria do të vendosë për kërkesën e dorëzuar në emër të prindërve të të rinjve të vrarë më 10 gusht nga avokati Ivan Niniq, por fillimisht për vendimin do të njoftohet avokati i të dëmtuarve thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Publike për Krim të Organizuar në Serbi.

    Avokati Niniq i tha Danasit se është në pritje të përgjigjes nga Prokuroria dhe se shpreson në emër të familjeve të të rinjve të vrarë nga Peja se do të jetë pozitive, sepse “çdo zgjidhje tjetër do të ishte shqetësuese”.

    Sipas fjalëve të tij, familjet kanë paraqitur kërkesa për dëgjimin e Vuçiqit si dëshmitar disa herë më parë, por deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga Prokuroria.

    Në kërkesën drejtuar Prokurorisë për Krim të Organizuar, avokati Niniq ka deklaruar se prindërit e gjimnazistëve dhe nxënësve të vrarë kërkojnë që Vuçiqi të dëgjohet në lidhje me deklaratat për masakrën në “Panda”, të cilat i ka bërë disa herë në media nga viti 2013 deri në vitin 2018, duke pretenduar se krimi nuk është kryer nga shqiptarët dhe se “pothuajse e di” se çfarë ka ndodhur atë natë fatale në atë kafene.

    Këto deklarata janë paraqitur në kërkesën për seancë.

    Avokati Niniq beson se sipas të njëjtit kriter, i cili është zbatuar me rastin e marrjes së vendimit për pranimin e veprimeve dëshmuese të dëgjimit të të gjithë dëshmitarëve të tjerë të propozuar, të cilët janë paraqitur në hapësirën publike lidhur me ngjarjen, do të duhej të dëgjohej edhe Aleksandar Vuçiq, sidomos për shkak të peshës së deklaratës së tij të dhjetorit 2013, kur ishte në krye të Byrosë për Koordinimin e Shërbimeve të Sigurisë.

    Prindërit e të rinjve të vrarë më kot tentuan dhjetë herë që Vuçiq t’i merrte në intervistë. Në fillim të vitit 2023, disa herë publikisht në TV, presidenti ka deklaruar se do t’i pranojë, por deri më tani ky pranim nuk ka ndodhur.