ATV

Category: Lajme

  • Mungesa e qendrës për djegie mbingarkon Kirurgjinë Plastike

    Mungesa e qendrës për djegie mbingarkon Kirurgjinë Plastike

    Në dhomat e Klinikës së Kirurgjisë Plastike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë të shtrirë disa pacientë me nivele të ndryshme të djegieve.

    Për më shumë se një muaj, aty gjendet edhe S.I., i djegur pothuajse në të gjitha pjesët e trupit, e më shumë në fytyrë dhe kokë.

    “Jam djegur nga një gjenerator, por kam shpëtuar këtë herë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

    Duke folur mezi, si pasojë e djegieve edhe në buzë, S.I. thotë se shërimi po i shkon ngadalë, për shkak të kushteve, siç i përshkruan ai, jo të mira në klinikë.

    Me trupin mbi 50 për qind të djegur, në një shtrat tjetër është i shtrirë Agimi, 34 vjeç.

    Ka më shumë se dy javë që nuk ka lëvizur fare, përveç në rastet kur i është dashur të futet në sallë të operacionit, për intervenime të ndryshme.

    “Një shok i imi ma ka dhuruar lëkurën për shumë pjesë në trup, për duar, për këmbë, e disa pjesë të tjera”, rrëfen me vështirësi Agimi, i djegur nga shpërthimi i një bombole gazi.

    Në Kosovë nuk ka ndonjë qendër të veçantë apo të specializuar për djegie. Rastet e tilla trajtohen në Klinikën e Kirurgjisë Plastike Rekonstruktive dhe Estetike të QKUK-së, por shpesh edhe jashtë vendit.

    Edhe pse është e thirrur për të trajtuar raste të tumoreve të lëkurës dhe indeve të buta, patologji të shuplakave e të ngjashme, Klinika e Kirurgjisë Plastike trajton më së shumti raste të djegieve dhe pasoja të tyre, thonë mjekët në këtë institucion.

    Sipas tyre, aty pranohen së paku 2-3 raste në muaj me djegie mbi 50 për qind.
    Violeta Zatriqi, drejtoreshë e Kirurgjisë Plastike, thotë se një qendër e specializuar për djegie, është bërë domosdoshmëri.

    Ajo thotë se rastet e rënda referohen jashtë vendit dhe se “kostoja për trajtimin e tyre është e madhe – mbi 100 mijë euro”.

    “Do të thotë, është kosto që i kushton buxhetit të shtetit, por edhe buxhetit të pacientit”, thotë Zatriqi për Radion Evropa e Lirë.

    Në klinikën që udhëheq ajo, punojnë 13 kirurgë plastikë, të cilët merren edhe me raste të djegieve.

    Për shkak të përqendrimit të tyre te pacientët e djegur, Zatriqi thotë se ndodh shpesh që rastet e tjera, më pak urgjente, të trajtohen me vonesë.

    “Qe disa javë nuk mund të kryhet asnjë operacion tjetër, sepse duhet t’u japim prioritet djegieve”, thotë ajo.

    Qendër të djegieve nuk kanë as disa shtete fqinje të Kosovës, si Shqipëria apo Maqedonia e Veriut.

    Sipas përllogaritjeve të Zatriqit, ndërtimi i një të tille në Kosovë do të kushtonte 6 deri në 7 milionë euro dhe do të shërbente edhe për pacientë të vendeve afër.

    Ka plane për qendrën e djegieve

    Në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, i cili ka nën menaxhim QKUK-në dhe spitalet rajonale, thonë se planet për një qendër për djegie ekzistojnë, por nuk japin asnjë detaj për kohën se kur do të mund të ndërtohet.

    “Në planin e menaxhmentit të SHSKUK-së, në koordinim të plotë me Ministrinë e Shëndetësisë, drejtuesit e klinikës dhe profesionistët e fushës përkatëse, parashihet që të ndërtohet dhe funksionalizohet një qendër e tillë”, thuhet në një deklaratë me shkrim të SHSKUK-së dërguar Radios Evropa e Lirë.

    Nga 23 gushti, REL-i kontaktoi edhe Ministrinë e Shëndetësisë në lidhje me këtë çështje, por nuk mori përgjigje.

    Në Fondin për Sigurime Shëndetësore, që funksionon nën mbikëqyrjen e Qeverisë së Kosovës, thonë se gjatë periudhës 2019-2023, njëmbëdhjetë persona me plagë nga djegiet kanë aplikuar për mbështetje financiare për t’u trajtuar jashtë vendit. Vetëm dy prej tyre janë financuar.

    “Për këto dy raste, Fondi ka ndarë 60 mijë euro për trajtimin e nevojshëm shëndetësor”, thuhet shkurtimisht në një deklaratë dhënë REL-it.

    Në Kosovë, një nga incidentet më të rënda, me pasojë dhjetëra persona të djegur, ka ndodhur në vitin 2021, kur në një qendër tregtare në Ferizaj kanë shpërthyer disa bombola gazi.

    Dy të lënduar nuk u kanë mbijetuar plagëve, ndërsa disa janë dërguar për trajtim jashtë Kosovës.

    Sipas mjekëve në Kirurgjinë Plastike, rastet më të shpeshta të djegieve ndodhin nga aksidentet, qoftë në punë, apo në kushte shtëpie. /REL

  • Arsyetimi i Apelit për lirimin nga masa e paraburgimit të dyshuarve lidhur me rezervat shtetërore

    Arsyetimi i Apelit për lirimin nga masa e paraburgimit të dyshuarve lidhur me rezervat shtetërore

    Gjykata e Apelit ka konstatuar se Gjykata Themelore në Prishtinë nuk kishte arritur të vërtetojë dyshimin se Irfan Lipovica, Haviz Gara dhe Ridvan Muharremi kanë krye kryer veprat penale për të cilat dyshohen.

    Sipas gjetjeve të Apelit, paraburgimi i tyre ishte i paligjshëm për faktin se nuk ishte arritur të argumentoheshin fuqia provuese e provave me veprimet e të pandehurve.

    “Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, pretendimet e mësipërme ankimore janë të bazuara, ngase në aktvendimin e ankimuar gjykata e shkallë së para nuk ka arritur që të vërtetoj dyshimin e bazuar së të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen, e për të cilat është kusht primar për ligjshmërinë e paraburgimit”, thuhet në gjetjet e Gjykatës së Apelit.

    Një ditë pasi ishin arrestuar tre të dyshuarit, më 19 gusht Gjykata Themelore në Prishtinë ua kishte caktuar nga një muaj paraburgim dy zyrtarëve Haviz Gara dhe Irfan Lipovica si dhe biznesmenit Ridvan Muharremi që ishin arrestuar për aferën e rezervave shtetërore.

    Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë s’ka dhënë vlerësim dhe arsyetim për faktet të cilat janë paraqitur në kërkesën për paraburgimin e LIpovicës, Garës e Muharremit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “… mirëpo në arsyetim e aktvendimit të ankimuar janë dhënë me tepër bindje e dyshimit të arsyeshme duke mos pasur mbështetje në artukulushmerin për të ndërlidhur provat me veprimet e të pandehurve, prandaj nuk është arritur që të argumentohet në fuqinë provuese të provave se me veprimet e të pandehurve është arritur që të ketë dyshim për veprat penale dhe me ketë gjykata vetëm ka potencuar kronologjinë e ngjarjes mirëpo nuk ka dhëne vlerësim dhe arsyetim mbi fakte të cilat janë paraqitur në kërkesën për caktimin e paraburgimit si dhe në arsyetimin e aktvendimit të ankimuar”, thuhet në aktvendimin e Apelit.

    Sipas Apelit, masa e përcaktuar e paraburgimit nuk ka arritur nivelin e konsumimit të kushteve të paraburgimit që të pandehurit t’i nënshtrohen kufizimit të drejtës së lëvizjes.

    “Prandaj jo çdo kërkese për caktimin e paraburgimit duhet t’i jepet epiteti i aprovimit, mirëpo kjo duhet t’i nënshtrohet vlerësushmërisë sipas parimit të ligjshmërisë nga ana e gjyqtarit të procedurës paraprake në përputhje me provat si dhe më vlerësimin e pretendimeve të paraqitura nga ana e të pandehurve respektivisht te mbrojtësve”, thuhet më tej në arsyetimin e Apelit.

    Në arsyetim thuhet se Kolegji penale i Apelit, me kryetare të Kolegjit Afërdita Bytyçin, në vlerësimin për ekzistimin e dyshimit të bazuar, ka konstatuar se se në këtë stad të procedurës penale nga gjykata e shkallë së pare është tejkaluar kompetenca e vlerësimit e parapara sipas normave ligjore.

    “… nga fakti se gjykata në aktvendimin e ankimuar është lëshuar në vlefshmërinë e ligjshmërisë se ligjeve (administrative) si dhe vendimeve të qeverisë, si dhe në nxjerrjen e konkluzioneve të elementeve subjektive të dashjes në lidhje me veprat penale të cilat pretendohet të jene kryer nga ana e të pandehurve”, ka konstatuar Apeli.

    Sipas Apelit, nuk është arritur që të krijohet bindja objektive në vlerësimin e secilës provë-fakt të paraqitur, në mënyrë që të krijohet kuptimësia e plotë se dyshimi i bazuar me të vërtete paraqet lidhje te sinkronizuar mes fakteve dhe veprimeve, e nga e cila edhe masa e përcaktuar e paraburgimit do të arrinte stadin e kufizimit të lirisë, duke mos shkelur neni 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut si dhe duke zbutur nenin 29 të Kushtetutës së Kosovës.

    “Kolegji i kësaj gjykate vlerëson se nga mos ekzistimi i dyshimit të bazuar të përcaktuar sipas nenit 19 pika 1.9 të KPPK-së, si dhe normës themeltare për te ekzistuar caktimi i paraburgimit nga nenin 184 par. 1 nën par. 1.1 nuk mund të qëndrojnë as kushtet /bazat e veçanta të masës së paraburgimit nga nenin 184 par.1 nën par. 1.2 pikat 1.2.2 dhe 1.2.3 te KPPK-së”, thuhet në fund të arsyetimit të Apelit.

    “Betimi për Drejtësi” ka raportuar për vendimin e Apelit, ku avokati i Muharremit, Mahmut Halimi e kishte konfirmuar lirimin e të dyshuarve nga paraburgimi për aferën e rezervave shtetërore.

    Ndryshe, sipas dosjes së Prokurorisë të cilën e ka publikuar “Betimi për Drejtësi”, thuhet se malli i paguar dhe i porositur për rezerva shtetërore – 200 mijë litra vaj, 120 mijë kg sheqer dhe 52.5 tonë grurë – nuk kishte ardhur në Kosovë. Vlera e këtij malli që nuk ka mbërritur në Kosovë sipas Prokurorisë është mbi 600 mijë euro.

    Prokuroria Speciale nisi të premten e 18 gushtit aksionin për bastisjen e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë si dhe shkoi edhe te pronat e biznesmenit Ridvan Muharremi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Pas aksionit, dy zyrtarët e Ministrisë dhe biznesmeni u prangosën nën dyshimin për korrupsion dhe vepra tjera penale.

    Ministrja Rozeta Hajdari kishte thënë se dy zyrtarët e MINT janë të pafajshëm dhe se nuk kanë bërë kurrfarë shkeljesh ligjore derisa ka akuzuar Policinë se ka marrë kundërligjshëm dokumentet e rezervës shtetërore, duke rrezikuar kështu sigurinë kombëtare..

    Në mbrëmjen e së premtes kur ishin arrestuar të dyshuarit, Kryeministri Albin Kurti pati publikuar një video-mesazh, me të cilin ka akuzuar sistemin e drejtësisë së po tenton që të rikthejë në pushtet ish-kastën e kalbur politike. Kishte thënë se Rozeta Hajdari nuk është shkelëse e ligjit dhe nuk ka korrupsion te rezervat shtetërore./BetimipërDrejtësi

  • Regjistrimi i fëmijëve në çerdhe, Prishtina subvencionon familjet me nga 70 euro

    Regjistrimi i fëmijëve në çerdhe, Prishtina subvencionon familjet me nga 70 euro

    Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati ka bërë të ditur se është hapur thirrja për subvencionim me nga 70 euro për familjet të cilat duan t’i regjistrojnë fëmijët e tyre në çerdhe private, raporton Ekonomia Online.

    Ajo tha se secila familje e Prishtinës që të hyrat i ka nën 500 euro dhe ka fëmijë të moshës 9 muaj deri në 6 vjet do të subvencionohen me 70 euro.

    “Arsyeja kryesor që ju kam ftuar sot është për të ndarë me ju lajmin e mirë që kemi hapur thirrjen për subvencionim me nga 70 euro të familjeve të Prishtinës për të regjistruar fëmijët e tyre në çerdhet private. Secila familje e Prishtinës që të hyrat financiarë i ka nënë 500 euro dhe ka fëmijë të moshes 9 muaj deri në 6 vjet do të subvencionohet me nga 70 euro për të regjistruar fëmijët e tyre ne çfarë do çerdhe private”, ka thënë ajo.

    E para e arsimit në Kryeqytet, ka thënë se përparësi do të kenë disa kategori si nënat vetushqyese, fëmijët me nevoja të veçanta e fëmijët e kategorive të dala nga lufta e UÇK-së.

    “Ky lajm është shumë i mirë për prindërit e Prishtinës. Me një subvencionim me nga 70 euro në muaj ne do të presim përfshirje të fëmijëve ne çerdhe dhe edukim të hershëm. Do të rrisim pjesëmarrje e grave në tregun e punës si dhe do të lehtësojmë barrën financiare të shumë familjeve të Prishtinës. Kategoritë që do të jenë më përparësi janë nënat vetushqyese, fëmijët me nevoja të veçanta, fëmijët e prindërve të divorcuar, fëmijët e invalidëve të UÇK si dhe fëmijët e veteranëve të UÇK-së”, tha ajo.

    Drejtoresha e Arsimit ka thënë se përfshirja në çerdhe dhe edukimi i hershëm sjellin benefite afatgjate në zhvillimin pozitiv të fëmijës, tanimë është vërtetuar shkencërisht.

    “Arsimimi dhe edukimi transformojnë jetët e fëmijëve dhe thyejnë ciklin e varfërisë me të cilin ballafaqohen shumë fëmijë dhe 6 vitet e para të jetës janë vendimtare. Fëmijët mësojnë më shumë gjatë gjashtë viteve të para të jetës se sa në çdo moment tjetër të jetës së tyre”, ka thënë ajo.

    Më tutje, Musmurati ka shtuar se investimi në edukimin e fëmijërisë së hershme është një mënyrë e mirë për të zvogëluar boshllëqet që shpesh i vendosin fëmijët me status të ulët social dhe ekonomik në disavantazh jetësor.

    “Prandaj, ky është një lajm shumë i mirë për prindërit e rinj që jetojnë në Prishtinë sepse sado pak ju lehtëson barrën financiare të edukimit të hershëm për fëmijët e tyre. Si politikë e re, ky subvencionim do të ndihmojë edhe nënat e reja që të hyjnë në tregun e punës sa më parë dhe të rrisin përfshirjen e grave në tregun e punës”, ka thënë ajo.

    Sipas saj, me subvencionimin me nga 70 euro në muaj për familjet e Prishtinës, do të rritet përfshirja e fëmijëve në çerdhe dhe edukim të hershëm dhe pjesëmarrja e grave në tregun e punës, si dhe do të lehtësohet barra financiare për shumë familje në Prishtinë.

    “Ne kemi ndarë 100,000 Euro për financim të fazës së parë, por varësisht nga numri i aplikimeve do të rrisim edhe buxhetin. Prandaj i bëj thirrje të gjithë prindërve të Prishtinës që të hyrat familjare i kanë nën 500 Euro të aplikojnë në thirrjen e hapur për subvencionim, e cila tanimë është në uebfaqe të Komunës së Prishtinës dhe në rrjetet tona sociale”, ka thënë Musmurati.

    Të gjithë qytetarët mund ta bëjnë aplikimin edhe në sportelin numër 5 në objektin e Komunës së Prishtinës.

  • Nagavci uron fillimin e ri të vitit shkollor

    Nagavci uron fillimin e ri të vitit shkollor

    Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka uruar nxënësit, mësuesit e prindërit për fillimin e vitit të ri shkollor.

    Nagavci përmes një videoadresimi ka thënë se Ministria të cilën ajo e udhëheqë bashkë me komunat përkatëse kanë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e këtij viti shkollor.

    Teksa ka theksuar se po punojnë çdo ditë për përmirësimin e infrastrukturës shkollore e ligjore dhe rritjen e cilësisë së teksteve mësimore.

    “Sot shkollat tona hapin dyertë për të mirëpritur fëmijët në ditën e parë të vitit të ri shkollor . Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë në bahskëpunim dhe me komunat e shkollat kanë bërë t të gjithë përgatitjet e duhura për fillimin e vitit të ri shkollor 2023/2024. Si Ministri po punojmë cdo ditë për të përmirësuar infrastrukturën shkollore e ligjore dhe vazhdojmë punën tonë për rritjen e cilësisë së teksteve shk mësimore. Gjatë punës sonë në Ministri të Arsimit me vendosmëri po avancojmë politikat arsimore”, tha ajo.

    “Vit të mbarë shkollor për të gjithë “, shtoi Nagavci.

  • Ministrja e Drejtësisë e dërgon djalin në shkollë, tregon sa i kushtuan librat

    Ministrja e Drejtësisë e dërgon djalin në shkollë, tregon sa i kushtuan librat

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të premten e shoqëruar nga bashkëshorti i saj Albani, e ka dërguar djalin e saj në shkollën “Meto Bajraktari” në Prishtinë, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, raporton EO.

    Me këtë rast, Haxhiu ka thënë për Ekonomia Online se e ka shfrytëzuar edhe të drejtën e subvencionimit për libra. Tha se procedura ka zgjatur disa minuta dhe se kostoja totale e librave i kushtuan 130 euro, për të dy fëmijët.

    Të parin tha se e ka në klasë të pestë, ndërsa tjetri në të parën. E një vajzë në çerdhe.

    Sipas saj proceduar ka zgjatur vetëm tre minuta dhe ishte lehtë i qasshëm në sistem.

    “Po siç po e shihni sot fëmijët duken që të gjithë janë të lumtur, edhe unë e sjella bashkë me bashkëshortin tim djalin i cili fillon klasën e parë sot pikërisht e kam edhe tjetrin që e fillon klasën e pestë dhe vajzën që është ende në kopsht. Megjithatë për ne si prindër është një ndjenjë jashtëzakonisht e mirë, jemi të emocionuar sepse si prindër gjithnjë e duam më të mirën për fëmijët në përgjithësi”, deklaroi ajo.

    “Është e vërtet që Ministria e Arsimit në këtë vit ka ndërruar formën e subvencionimit, ka subvencionuar prindërit për tekstet shkollore dhe materialet tjera qe ju duhen fëmijëve. Unë kam aplikuar për subvencionim sikur se çdo prindër. Procedura ka zgjatur diku tre minuta, jo më shumë se tre minuta dhe sigurisht që MAShTI ka bërë të ditur që tashmë grupi i parë i aplikuesve e kanë marr subvencionin nga Qeveria. Realisht ne i kemi blerë tekstet shkollore dhe për dy fëmijët janë bërë diku 130 e ca euro, që unë mendoj që edhe pjesa tjetër e mbetur mund të shpenzohet për qanat apo për materiale të tjera”, tha ajo.

    Sa i përket keqpërdorimeve nga libraritë , Haxhiu u shpreh se nuk e ka vërejtur këtë dukuri, teksa përmendi edhe pasojat për keqpërdoruesit.

    “Unë nuk e kam vërejtur këtë, ndonëse nuk e përjashtoj faktin që dikush të keqpërdor këtë çështje. Prandaj siç e keni parë MASHT dje ka takuar Autoritetin e Konkurrencës për të pasur parasysh kontrollin apo inspektimin që ja bënë shtëpive botuese, librarive edhe të tjera. Prandaj unë besoj që secili duhet ta kryej punën e tij apo saj, unë po të kisha ndonjë problem sigurisht që do ta raportoja në Ministri apo do ta bëja publik sepse është e papranueshme të keqpërdoren sidomos kur ka të bëjë me tekstet shkollore”, tha ajo.

  • Fillimi i vitit shkollor, siguria e fëmijëve shqetësim dhe përgjegjësi e përbashkët

    Fillimi i vitit shkollor, siguria e fëmijëve shqetësim dhe përgjegjësi e përbashkët

    Policia e Kosovës ka dhënë statistika për pasojat vdekjeprurëse në trafik, e ku përfshihen edhe fëmijët, për të cilët ka theksuar se siguria e tyre duhet të jetë shqetësimi dhe përgjegjësia jonë e përbashkët.

    Me fillimin e vitit të ri shkollor, fëmijët sërish bëhen pjesëmarrës aktivë në trafik.

    “Ne e dimë që fëmijët nuk janë të vetëdijshëm për të gjitha rreziqet e mundshme në rrugë, prandaj siguria e tyre duhet të jetë shqetësimi dhe përgjegjësia jonë e përbashkët. Në vitin 2022 në trafik jetën e kanë humbur 106 persona, prej tyre 5 kanë qenë deri në moshën 12 vjeçare, 7 kanë qenë nga mosha 13 deri 18 vjeçare dhe 94 kanë qenë mbi moshën 19 vjeçare. Në vitin 2022 në trafik janë lënduar 14,714 persona, prej tyre 787 kanë qenë deri në moshën 12 vjeçare, 962 kanë qenë nga mosha 13 deri 18 vjeçare dhe 12,965 kanë qenë mbi moshën 19 vjeçare. PËR TË MINIMIZUAR KËTO SHIFRA DHE PËR TË KONTRIBUAR PËR SIGURINË E TË GJITHË PJESËMARRËSVE NË TRAFIK VEÇANËRISHT TË FËMIJËVE, PËRGJEGJËS JEMI TË GJITHË”, thuhet në reagimin e Policisë.

    Kurse, Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor ka ndërmarrë një sërë masash ligjore për të garantuar rendin, me qëllim zhvillimin normal të procesit mësimor në shkolla dhe sigurinë në trafik afër shkollave.

    “Në kuadër të kësaj ka hartuar planin operacional ,,Siguria në shkolla’’, plan i cili parashikon hapa konkret për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe stafin e shkollës, duke përfshirë bashkëpunimin e policisë dhe angazhimin e komunitetit shkollor. Me këtë rast është planifikuar që në të gjitha shkollat dhe përreth ambienteve të tyre të ketë prezencë të shtuar të policisë me qëllim parandalimin e çdo akti të mundshëm kriminal. Nga njësitet e komunitetit në kuadër të gjitha stacioneve policore në nivel të Drejtorisë rajonale të Policisë Gjilan është vendosur bashkëpunim me autoritet edukativo-arsimore, si në nivel të drejtorive komunale të arsimit, drejtorive të shkollave, këshillave të prindërve dhe këshillave të nxënësve duke përcaktuar masa të përbashkëta në implementim të projekteve e fushata vetëdijësuese me qëllim të parandalimit të dukurive negative dhe rritjes së nivelit të sigurisë në ambientet shkollore. Drejtoria rajonale e Policisë Gjilan uron të gjithë personelin mësimor, nxënësit dhe prindërit për fillimin e vitit të ri shkollor”, thuhet në njoftim.

  • Sot në Rahovec hapet edicioni i 22-të i Hardh Fest-it

    Sot në Rahovec hapet edicioni i 22-të i Hardh Fest-it

    Sot mbahet ceremonia zyrtare e hapjes së edicionit të 22-të të festës së vjeljes së rrushit “Hardh Fest”, me sloganin “Prek n’rrush, shijo n’ven”.

    Sipas njoftimit, ceremonia është paraparë të nis nga ora 12:00.

    Është bërë e ditur se aty merr pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

  • ​Shqipëria ishte bërë me mbret para 95 vjetësh

    ​Shqipëria ishte bërë me mbret para 95 vjetësh

    Sot mbushen 95 vjet kur Asambleja Kushtetuese e Shqipërisë votoi unanimisht duke e shpallur Shqipërinë Mbretëri demokratike, parlamentare të trashëguar dhe Zogun I u shpall mbret i shqiptarëve.

    Gjithashtu u aprovua edhe formula e betimit të Mbretit. Ceremonia e kurorëzimit ishte planifikuar për në orën pesë, por në katër e gjysmë Dhoma e bardhë e Parlamentit ishte mbushur plot me deputetë, punonjës civilë, kryetarë të fiseve. Krerët e misioneve të huaja ishin gjithashtu të pranishëm, edhe pse përpiqeshin të mos binin në sy.

    Rasti ngrinte pyetje të vështira protokolli, ndaj duke reflektuar verdiktet pezull të qeverive të tyre, diplomatët kishin zgjedhur veshje mëngjesi, pa dekorime. Për të dëshmuar se pjesëmarrja e tyre ishte informale ata u rrasën në turmën e mbledhur në hollin modest, duke ua lënë hapësirën e rezervuar për to korrespondentëve të “Associated Press”.

    Ai u betua (Formula e betimit):

    “Unë Zogu, Mbret i Shqiptarëve, në çastin në të cilin po hedh këmbën mbi Thronin e Mbretnis Shqiptare dhe po marr në duer Pushtetin Mbretnuer, betohem përpara fuqisë së Zotit me mbajte Bashkimin Kombëtar, Independencën e Shtetit dhe Tokat. Betohem edhe të mbahem besnik ndaj Statutit dhe të veproj mbas pikave të tij dhe mbas ligjeve që ndodhen në zbatim, duke pas parasysh kurdoherë të mirën e popullit. Zoti më ndihmoftë”.

    Ahmet Zogu lindi në Burgajet të Matit, më 8 tetor 1895.Mësimet e para i mori në vendlindje nga mësues privat si Sali Toron, Hysen (Efendi) Cekën dhe Dervish Himën për gjuhën shqipe, Hafiz Muharremin për gjuhën turke, deri në moshën 13 vjeçare. Më 15 Qershor 1905, largohet për në Stamboll dhe fillon studimet në Lyce Imperial de Galatasaray, qendra e atëhershme e Perandorisë Osmane në rënie, që kontrollonte Shqipërinë dhe më vonë në akademinë ushtarake deri më 1912. Pas vdekjes së t’atit më 1908, u bë Beu i Matit, i quajtur edhe Beu i vogël. U zgjodh në vend të vëllait Xhelal bej Zogolli.

    Gjatë Lufta e Parë Botërore doli vullnetar në krah të Perandorisë Austro-Hungareze. U mbajt në Vjenë në 1917 e 1918, e në Romë në 1918 e 1919 përpara se të kthehej në Shqipëri më 1919. Gjatë kohës në Vjenë, ai shijonte stilin e jetës së Evropës Perëndimore, dhe thuhet të ketë qenë shumë i pëlqyer mes grave vjeneze. Mori mësimet në gjuhën gjermane dhe thelloi njohuritë në artin ushtarak dhe në diplomacinë perëndimore.

    Mbas vdekjes së babait të tij, Xhemal Pasha Zogu, ai u bë i zoti i shtëpisë së tij dukë u mbështetur nga nëna ë tij, Sadije Toptani që më pas u bë nëna mbretëreshë. Në këtë kohë 13 vjeç, Ahmet Zogu bëhet kështu shef i krahinës së Matit.

    Më 20 korrik 1912 Ahmeti, u kthye në Shqipëri, për arsye se Fuqitë Ballkanike, të përkrahur hapur nga Rusia, po përgatiteshin që ti shpallnin luftë Perandorisë Osmane, si rrjedhojë Shqipëria do të vuante pasojat e kësaj lufte. Në 1 Nëntor 1912, ai merr pjesë me 2000 matjanët e tij në luftë kundër ushtrive serbo-malazeze duke i ardhur në ndihmë qytetit të Shkodrës i cili mbrohej nga Hasan Riza Pasha dhe daja i tij Esat Pashë Toptani. Por thyhet keq nga serbët në Zadrimë. Më 28 Nëntor 1912, në shpalljen e pavarësisë në Vlorë nga Ismail Qemali, Matin, Dibrën dhe Mirditën do ta përfaqësonte Beu i Vogël, i cili kryesonte delegacionin prej 26 vetash. Ndërkohë që luftonte, u njoftua se Dibra u pushtua dhe u dogj nga forcat serbe, si dhe po i drejtoheshin Matit. Atëherë Ahmet Zogu me shpejtësi të madhe u nis për në Mat, ku filloi menjëherë përgatitjet për të mbrojtur të paktën Matin nga sulmi.

    Mbas përfundimit të kuvendit u kthye në vendlindje, ku organizoi mbrojtjen e krahinave të Matit dhe Dibrës, kundër ushtrisë serbo-sllave. Në Mat Zogu, kishte shumë armatim dhe municione për të cilët kishin nevojë kryetarët e Kosovës e të Dibrës, të cilët vinin në Mat për t’u furnizuar. Edhe një herë Mati u bë qendra e Shqipërisë dhe bijtë e tij nuk i braktisën të ardhurit por i mbajtën në familjet e tyre të pa ndarë në ushqime. Gjatë qeverisjes së Ismail Qemalit, Zogu mbrojti interesat e kësaj qeverie duke kundërshtuar edhe Esat Pashë Toptanin. Në kohën e ardhjes dhe përpjekjeve të Princ Vidit që të instalonte qeverinë e tij në Shqipëri, ai e përkrahu atë. Në pranverën e 1914, plasi një kryengritje kundër Vidit (e cila mendohej se ishte ideuar nga Esat Pashë Toptani). Zogu u vu në ndihmë të Princ Vidit dhe kërkoi nga forcat rebele që të tërhiqeshin dhe mos të rrezikonin interesat kombëtare. Mbas një përgjigje negative nga ana e rebelëve, ai marshon drejt Elbasanit dhe Krujës, i thyen forcat rebele dhe vendoset në Krujë. Gjatë kohës që ishte në Krujë, Princ Vidi largohet nga Shqipëria dhe ia lë administrimin e vendit një përfaqësie ndërkombëtare, kjo bëri që edhe Zogu, të tërhiqej nga Kruja drejt Matit. Në luftën e parë botërore Mbreti Zog u rreshtua ne krah te Austro-Hungarisë dhe vuri në dispozicion të luftës 10.000 luftëtarë (çliron Skraparin dhe Durrësin). Më 3 Mars 1916, Zogu, thërret Kongresin Kombëtar, në Elbasan për të diskutuar mbi fatin e Shqipërisë. Kjo iniciativë e tij, në fillim pati mbështetjen nga Austro-Hungaria, e cila më vonë u tremb dhe e pengoi. Ky akt bëri që Zogu, të tërhiqej nga Lufta e Parë Botërore, si shenjë revolte kundër këtij veprimi. Austriakët, ngaqë ishte nip i Esat Toptanit donin ta internonin. E ëma, i kërkon ndihmë At Pal Dodajt, atëherë në Rubik, që t’i shpëtonte të birin. At Dodaj, shkon në Burgajet, e vesh si frat Ahmetin e merr në Kuvendin e Rubikut. Me ndërhyrjen e At Dodajt, Zogu shkon me studime në Austri në një Akademi Ushtarake. Në Janarin e 1917, mbas vdekjes së Franc Jozefit, në Vjenë u bë kurorëzimi i Karlit dhe u ftua një delegacion nga Shqipëria. Mbas kësaj ceremonie austriakët i kërkuan Zogut, që të qëndronte në Vjenë, vend i cili kishte ofruar bursa për një grusht shqiptarësh, e kishte plane për vendin tonë. Atje takon dhe Çatin Saraçin. Ai u detyrua të vendosej në Vjenë deri në përfundim të Luftës. Në 1919, Shqipëria rrezikonte realisht ndarjen, kështu që Zogu, rikthehet në aktivitetin politik duke kërkuar që të mbahej një kongres kombëtar për të mbrojtur fatet e Shqipërisë, kongres që u mbajt në Lushnjë me 21-31 janar 1920 i siguruar me 9,000 vete nga ai (Kongresi e emëroj ministër te brendshëm).

    Më 11 shkurt 1920 pas kundërshtisë italiane për të mos lejuar vendosjen e qeverisë në kryeqytetin e vendit në Durrës, Zogu çan barrikadën dhe siguron vendosjen e qeverisë dhe Këshillit të Naltë në Tiranë. Më 6 mars 1920 së bashku me ministrin e Drejtësisë bën bashkimin e Shkodrës me pjesën tjetër të vendit. Në shkurt–nëntor 1920 stabilizon rendin në Shqipëri. Në nëntor 1920 suksesi i tij ngjall xhelozi dhe si pasojë e saj, qeveria jep dorëheqjen. Më 5 prill 1921 zgjidhet deputet i Partisë Popullore në Këshillin Kombëtar. Më 4 nëntor 1921, emërohet nga qeveria, komandant të operacioneve ushtarake për krahun lindor kundër serbëve. Më 14 dhjetor 1921 pas shtypjes së grushtit të shtetit vjen në Tiranë dhe siguron qetësinë e vendit. Më 24 dhjetor 1921 emërohet sërish ministër i Punëve të Brendshme.

    Më 1922 ndryshon mbiemrin, duke hequr prapashtesën turke -olli, dhe duke lënë thjesht Zogu.

    Në mars 1922 i bën ballë rebelimin të forcave opozitare duke ruajtur kryeqytetin nga anarkia. Më 2 dhjetor 1922 për herë të parë emërohet kryeministër. Në këtë post, Zogu ishte i pari që nisi punën për hartimin e ligjeve organike të ministrive. Për këtë qëllim ai ngriti grupet e ekspertëve me nga dy përfaqësues për çdo ministri. Në shtator 1923 Zogu konfirmohet edhe si kryetar i Partisë Popullore. Në dhjetor 1923, Zogu arrin të sigurojë numrin më të madh të votave në zgjedhjet për Kuvendin Kushtetues, por pa arritur numrin e duhur për krijimin e qeverisë së re. Për herë të parë ai zgjidhet me dy mandate, në Dibër dhe në Durrës. Më 23 shkurt 1924 për shkakun se Zogu me anë të një koalicioni me independentistët siguroi një shumicë të re, iu organizua një atentat brenda Kuvendit Kushtetues. Zogu plagoset gjatë hyrjes së tij në parlament nga Beqir Valteri me 24 shkurt. Tek Zogu po hynte në derë Valteri, i cili qëlloi me qetësi tre herë mbi trupin e Ahmet Zogut. Zogu mori tre plumba, një në dorë, një në kofshë dhe një në bark. Në sallën e parlamentit pllakosi një atmosferë tepër e rëndë, pasi duke qenë se shumica e deputetëve ishin të armatosur, ekzistonte rreziku i një përleshjeje të armatosur mes palëve kundërshtare. Pas disa sekuencave të frikshme Beqir Valteri u ndalua dhe Eljaz Vrioni mori fjalën për të qetësuar situatën, ndërsa, Zogu nga vendi dhe me zë të lartë foli: “Zotërinj, nuk është hera e parë që ngjet një gjë e tillë, ndaj ju lutem miqve të mi ta harrojnë për një çast atë çfarë ngjau dhe të merren me vonë me këtë punë”. Kjo ndërhyrje e Zogut dhe e Vrionit shmangu një kasaphanë të vërtetë në sallën e Asamblesë. Iu afrua Eqrem Bej Vlora me dr. Simonidhin që verifikoi dëmin që kishin bërë dy plumba që e kishin marrë kalimthi duke e çarë thellë, njëri në kofshë e tjetri në baqth; plagët u lidhën përkohësisht. I shoqëruar me një eskortë të fuqishme, kryeministri u strehua në shtëpinë e tij, dhe filloi të kurohej pa problem nga që plagët ishin shumë më të lehta se sa që ishin pritur, plagë të cilat nuk penguan të priste as vizitat e miqve. Madje Zogu përfitoi nga rasti të takohej vetë me atentatorin. Më tej jep dorëheqjen. Gjendja acarohet. Në maj–qershor 1924 opozita organizon një grusht shteti. Qeveria “Vrioni” që u rrëzua më 10 qershor 1924 e kishte emëruar ditët e fundit të saj, komandant për shtypjen e grushtit të shtetit në veri.

    Në qershor 1924 për të mos i dhënë rrugë gjakderdhjes, Zogu largohet në Jugosllavi. Gjykata politike e kundërshtarëve të tij politikë e dënon me vdekje në mungesë. Në dhjetor 1924 me vendim të qeverisë “Vrioni” dhe me përkrahjen e fuqive të mëdha, Zogu rikthen legjitimitetin e rrëzuar në qershor 1924. Më 6 janar 1925 Këshilli i Naltë e dekreton kryeministër dhe ministër të Brendshëm.

    Më 25 janar 1925, Kuvendit Kushtetues shpalli Republikën Shqiptare. Dhjetë ditë më vonë, Ahmet Zogu u zgjodh nga Kuvendi Kushtetues, kryetar i republikës, duke qenë në të njëjtën kohë edhe kreu i pushtetit ekzekutiv. Gjatë kësaj kohe, Ahmet Zogu riktheu stabilitetin në vend, si dhe mundësoi nënshkrimin e marrëveshjeve të rëndësishme ekonomike, politike e ushtarake që forcuan pozitën e Shqipërisë.

    Paqëndrueshmëria e stabilitetit politik të vendit në vitet ’20, detyroi një grup parlamentarësh të propozonin shqyrtimin e regjimit shtetëror në Shqipëri, parlamenti vendosi në favor të këtij propozimi. Mbas zgjedhjeve të parakohshme më 25 Gusht 1928, u propozua ndërrimi i formës së qeverisjes, u formua komisioni statusor, i cili propozoi ndërrimin e formës së regjimit nga republikë në monarki. Ky propozim u hodh në votim dhe parlamenti më 30 Gusht 1928, vendosi që Asambleja Kushtetuese të proklamojë Shqipërinë Mbretëri Demokratike Parlamentare të Trashëgueshme.

    Më 1 shtator 1928, Asambleja Kushtetuese proklamoi: “Mbret të Shqiptarëve” nën emrin “Zog I”. Ceremonia e kurorëzimit ishte planifikuar për në orën pesë, por në katër e gjysmë dhoma e bardhë e parlamentit ishte mbushur plot me deputetë, punonjës civilë, kryetarë të fiseve disa të veshur me frakë dhe të tjerë me feste prej leshi të bardhë. Krerët e misioneve të huaja ishin gjithashtu të pranishëm, edhe pse përpiqeshin të mos binin në sy. Rasti ngrinte pyetje të vështira protokolli, ndaj duke reflektuar verdiktet pezull të qeverive të tyre, diplomatët kishin zgjedhur veshje mëngjesi, pa dekorime. Për të dëshmuar se pjesëmarrja e tyre ishte informale ato u futën në turmën e mbledhur në hollin modest, duke ua lënë hapësirën e rezervuar për to korrespondentëve të “Associated Press”.

    Ai u betua (Formula e betimit):

    “Unë Zogu, Mbret i Shqiptarëve, në çastin në të cilin po hedh këmbën mbi Thronin e Mbretnis Shqiptare dhe po marr në duer Pushtetin Mbretnuer, betohem përpara fuqisë së Zotit me mbajte Bashkimin Kombëtar, Independencën e Shtetit dhe Tokat. Betohem edhe të mbahem besnik ndaj Statutit dhe të veproj mbas pikave të tij dhe mbas ligjeve që ndodhen në zbatim, duke pas parasysh kurdoherë të mirën e popullit. Zoti më ndihmoftë”.

    Më 7 prill 1939 duke mos pranuar kushtet e pushtimit fashist, largohet nga Shqipëria. Më 8 prill 1939 vendoset në Greqi dhe fillon jetën në mërgim. Duke iu trembur një reagimi negativ nga ana e qeverisë italiane autoritetet greke informuan menjëherë Romën se mbreti dhe suita e tij prej 113 vetash nuk do të lejoheshin që të organizonin kurrfarë veprimtarie politike në Greqi. Hapi tjetër ishte ushtrimi i një presioni të vazhdueshëm ndaj mbretit që ky i fundit të largohej nga Greqia. Gjithashtu fillon organizimin e rezistencës së armatosur. Më 3 maj 1939 mbërrin në Turqi, ku pritet nga autoritet më të larta të vendit dhe nga shqiptarët. Më 30 qershor 1939 niset për në Evropë. Më 2 maj 1939 familja mbretërore e shoqëruar nga tetë vetë mbërriti në Turqi, ku qëndrimi i saj ishte më i këndshëm. Në Stamboll mbreti gjeti shumë përkrahës të tij me të cilët pati mundësi të takohej pasi turqit u ruheshin më pak italianëve sesa grekët. Për shkak të fjalëve që u përhapen në lidhje me ngjitjen sërish në fron, e kjo mund të bëhej e mundur vetëm me ndihmën e një Fuqie të Madhe, shumë shpejt ai u largua dhe nga Turqia dhe i hodhi sytë drejt Britanisë. Ai e informoi ambasadorin në Ankara për dëshirën e tij për t’u vendos në Londër. Përgjigja i erdhi në mes të qershorit pasi mbreti u zotua se nuk do të përfshihej në asnjë aktivitet politik. Me qëllim që të shmangte një udhëtim pranë kufijve të Italisë ose përmes Gjermanisë, Zogu dhe suita e tij u detyruan të ndërmarrin një udhëtim të gjatë përmes Evropës Lindore e Qendrore, i cili përfshiu etapa ndalesash në Rumani, Poloni, Lituani, Finlandë e Suedi. Më 2 korrik 1939, mbërrin në Rumani ku pritet nga Mbreti Karol i Rumanisë. Më 15 gusht 1939, mbërrin në Paris, ku vendoset dhe merr me qira një shtëpi. Këtu vihet në kontakt me autoritet më të larta të Francës duke u kërkuar atyre leje për të ushtruar njëfarë aktiviteti politik. Kjo kërkesë iu refuzua megjithatë ai qëndroi në Francë deri në prag të pushtimit të saj nga gjermanët. Më 22 qershor 1941, mbërrin në Mbretërinë e Bashkuar. Vendoset dhe fillon aktivitetin e tij në Londër. Fillimisht qëndron në Hotelin Ritz dhe më vonë merr me qira një shtëpi në Parmoor. Qëndron në Mbretërinë e Bashkuar deri në përfundim të luftës. Më 18 mars 1946, vendoset në Egjipt mbasi merr një ftesë nga Mbreti Faruk i Egjiptit.

    Në pasluftë, më 29 gusht 1955, mbërrin në Francë dhe vendoset në fillim në Paris. Më 27 prill 1938 martohet me konteshën hungareze Geraldina Appony, ku veshjet e dasmës, si zakonisht, vinin nga dora e Gjon Lacës. Më 9 prill 1961, Ahmet Zogu shuhet në Spitalin e Sursnes afër Parisit në orën 16 në moshën 65-vjeçare./KP/

  • ​Osmani uron vitin e ri shkollor: Beteja për dije nuk përfundon kurrë

    ​Osmani uron vitin e ri shkollor: Beteja për dije nuk përfundon kurrë

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar vitin e ri shkollor.

    “Me mendje të hapura për dije dhe zemra të mbushura me emocione, nxënësit tanë po e nisin këtë vit të ri shkollor, i cili është një kapitull i ri, një mundësi për të mësuar diçka të re, për ta sfiduar veten dhe për ta zgjeruar horizontin e dijes”, ka thënë presidentja Osmani.

    Më tej, presidentja Osmani ka theksuar se beteja për dije nuk përfundon kurrë.

    “Ndërsa po nisni një vit të ri shkollor, le ta sjellim në vëmendje se arsimimi nuk ka të bëjë vetëm me libra dhe teste, por me kultivimin e ndjeshmërisë, të menduarit kritik dhe kreativitetin. Beteja për dije nuk përfundon kurrë. Urime 1 shtatori! Sukseset e shënofshin çdo ditë të këtij viti shkollor!”, ka theksuar Osmani.

  • A mund të zgjidhen mosmarrëveshjet Kosovë-Serbi deri më 2030?

    A mund të zgjidhen mosmarrëveshjet Kosovë-Serbi deri më 2030?

    Qeveria e Kosovës tha se e mirëpret vizionin e shprehur nga presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, se BE-ja do të mund të pranojë vende të reja anëtare deri në vitin 2030, por se ato “nuk duhet të importojnë konflikte nga e kaluara”.

    Në një deklaratë me shkrim dhënë Radios Evropa e Lirë, Qeveria tha se ka marrëveshje me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve dhe se ajo është e përkushtuar për zbatimin e tyre.

    Sipas saj, i takon Serbisë “të sillet me përgjegjësi”.

    Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të enjten se është Prishtina ajo që “nuk do zgjidhje”.

    Dy vendet, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.

    Ndonëse kanë arritur dhjetëra marrëveshje në fusha të ndryshme, zbatimi i shumicës prej tyre ka ngecur.

    Kosova, dhjetorin e kaluar, ka aplikuar për anëtarësim në BE, ndërsa Serbia është vend kandidat nga viti 2012.

    Zgjidhja e mundshme

    Njohësit e integrimeve evropiane dhe të proceseve politike në Kosovë dhe në Serbi kanë pikëpamje të ndryshme lidhur me gjasat e dy vendeve për t’i normalizuar marrëdhëniet deri në fund të kësaj dekade.

    Demush Shasha, nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane, thotë se, nëse shikohet historia e deritashme e dialogut Kosovë-Serbi, ka pak vend për optimizëm se kontesti ndërmjet dy vendeve mund të zgjidhet shpejt. Por, sipas tij, kjo nuk është e pamundur.

    “Nëse dëshirojmë ta jetësojmë këtë vizion, pra deri më 2030, atëherë, që nga sot ose nesër, liderët duhet të fillojnë të sillen në mënyrë radikale ndryshe. Kjo më së shumti do të testohet në çështje të ndjeshme politike, si dialogu për normalizimin e marrëdhënieve [ndërmjet Kosovës dhe Serbisë]. Patjetër që 7 vjet janë më se të mjaftueshëm që Kosova dhe Serbia të mësohen të jetojnë si dy fqinj, sikurse që jetojnë Sllovenia dhe Kroacia, Gjermania dhe Austria etj.”, thotë Shasha për Radion Evropa e Lirë.

    Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare “Çohu”, thotë se insistimi i BE-së dhe SHBA-së në vazhdimin e dialogut, i cili ka muaj që ka ngecur, tregon se Perëndimi po përpiqet ta çojë përpara procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

    “… pastaj, kur procesi të arrijë në fund, kur Serbia të jetë para dyerve të Bashkimit Evropian, unë jam i bindur që Serbia, medoemos, do ta kërkojë një marrëveshje me Kosovën [për normalizim], që t’i hapet dera për të hyrë në BE, sepse ndryshe, e ka të pamundur të hyjë në BE”, thotë Demhasaj.

    “Por, normalisht, nëse Kosova bëhet pengesë për arritjen e një marrëveshjeje të tillë, atëherë kjo do t’i shkaktojë telashe [asaj] për sa i përket këtij procesi [të integrimit në BE]”, shton ai.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar për herë të fundit më 2 maj – nëntë ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës, të cilat janë bojkotuar nga popullata lokale serbe. Nga ajo kohë, mes dy vendeve ka pasur një sërë tensionesh dhe krizash.

    Më 30 gusht, BE-ja përsëriti thirrjen për të dyja që të krijojnë një klimë për vazhdimin e dialogut.

    “Palët po bëjnë të kundërtën e normalizimit”

    Në Serbi, njohësit e proceseve politike shprehen më pesimistë sa i përket mundësisë që Kosova dhe Serbia t’i zgjidhin të gjitha kontestet deri në fund të kësaj dekade.

    Aleksandar Popov, drejtues i Qendrës për Rajonalizëm në Novi Sad, thotë se praktikat e deritashme në dialogun Kosovë-Serbi kanë treguar se palët u shmangen obligimeve që dalin nga marrëveshjet e arritura.

    Për më tepër, thotë ai, në dy vjetët e fundit, palët kanë krijuar situata që nuk premtojnë se do të ndryshojnë qasje në procesin e normalizimit të raporteve.

    “Të dyja palët, thjesht, bëjnë gjithçka të kundërt nga ajo që do ta sillte situatën në normalitet… [Normalizimi i marrëdhënieve] do të varet nga ajo se a do të mbeten në pushtet garniturat e njëjta në Kosovë dhe në Serbi. Do të varet edhe nga fakti se sa do të jetë Perëndimi energjik në presionin ndaj palëve, që problemet të zgjidhen”, thotë Popov për Radion Evropa e Lirë.

    Dushan Janjiq, nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, vlerëson se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk do të varet në veçanti vetëm nga këto dy vende.

    Sipas tij, vetë Bashkimi Evropian si tërësi është treguar joserioz në qasjen e tij ndaj këtij problemi, sepse pesë vende të tij – Greqia, Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Qiproja – nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës.
    Janjiq thotë se, nëse Bashkimi Evropian do t’i bindë këto vende që ta njohin Kosovën, atëherë procesit të zgjidhjes së kontestit Kosovë-Serbi do t’i hapej rruga.

    “Të jem preciz. Në qoftë se ata [BE-ja] janë seriozë në çfarëdo qoftë, si dhe në vendosjen e përparësive të tyre, ata nga Komisioni Evropian, së pari, duhet të merren vesh me ato pesë shtete. Pra, ‘a e pranojmë ne Kosovën si shtet dhe shoqëri demokratike, sipas parimeve të vitit 1990’? Ato quhen parime për pranimin e shteteve të reja, pra shteteve të reja demokratike në Evropë. Pse nuk po e bëjnë këtë?”, shprehet Janjiq.

    Pavarësisht të gjithave, bashkëbiseduesit e REL-it thonë se anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, do të varet më shumë nga vendimi politik i BE-së, sesa nga përmbushja e kritereve për anëtarësim.

    Nuk është hera e parë që nga BE-ja përmendin data konkrete për zgjerim, por ato nuk janë respektuar.

    Për shembull, Strategjia e Komisionit Evropian për Zgjerimin e Ardhshëm, e publikuar në vitin 2018, parashikoi se Serbia dhe Mali i Zi mund të bëhen anëtare të BE-së deri në vitin 2025.

    Kanë mbetur edhe 18 muaj deri në datën e synuar, por të dyja vendet kanë bërë pak përparim në procesin e anëtarësimit, ndërkohë që fundi i negociatave as që duket.

    Në cilën fazë të integrimit janë vendet e tjera të rajonit?

    Serbia dhe Mali i Zi konsiderohen lidere në procesin e negociatave të anëtarësimit në BE.

    Mali i Zi ka statusin e kandidatit që nga viti 2010 dhe ka hapur negociatat në vitin 2012. Serbia, kandidate nga viti 2012, i ka hapur negociatat në vitin 2014.

    Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë marrë dritën jeshile për hapjen e negociatave në vitin 2022.

    Bosnje dhe Hercegovina ka marrë statusin e vendit kandidat në dhjetor të vitit të kaluar./REL