ATV

Category: Lajme

  • Osmani i uron suksese Begajt e Ramës në marrjen e Presidencës së KS të OKB-së: Të qëndrojmë bashkë

    Osmani i uron suksese Begajt e Ramës në marrjen e Presidencës së KS të OKB-së: Të qëndrojmë bashkë

    Presidentja Vjosa Osmani i ka uruar fat të mbarë homologut të saj shqiptar Bajram Begaj dhe kryeministrit Edi Rama në udhëheqjen e Presidencës në Këshill të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

    Ajo tha se është një kohë kyçe për paqen dhe sigurinë dhe se është e nevojshme që të jenë bashkë.

    “Suksese Presidentit Bajram Begaj, Kryeministrit Edi Rama, Misionit të Shqipërisë në OKB me marrjen e Presidencës së KS të OKB-së nga Shqipëria. Në këtë kohë vendimtare për paqen dhe sigurinë, është e rëndësishme që ne të vazhdojmë të qëndrojmë të bashkuar në promovimin e vlerave tona të përbashkëta demokratike globalisht”, ka shkruar Osmani.

  • Vushtrria shënon Ditën e Dëshmorëve – Idrizi: Është një ditë e madhe dhe e veçantë

    Vushtrria shënon Ditën e Dëshmorëve – Idrizi: Është një ditë e madhe dhe e veçantë

    Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, i shoqëruar nga kabineti i tij kanë bërë homazhe për nder të 1 Shtatorit, Ditës së Dëshmorëve të këtij qyteti, raporton Ekonomia Online.

    Nga aty, Idrizi tha se meritorët për çlirimin e vendit janë dëshmorët e kombit dhe për këtë, kërkoi dhe shprehu mirënjohjen e thellë. Ditën e çlirimit të qytetit, Idrizi e quajti të madhe dhe të veçantë.

    Idrizi tha se sipërfaqja e kompleksit është e vogël, krahasuar me numrin e pjesëmarrësve në këtë ceremoni.

    “Sot përkujtojmë ditën e dëshmorëve që janë dëshmorë të kombit të Komunës së Vushtrrisë nga brigada 141-142 dhe të zonave të tjera operative të Shalës. Është një ditë e madhe dhe një ditë e veçantë, siç po e shihni këtu jemi bashkë me familjarët e dëshmorëve, invalidë e veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me nderin e pjesëtarëve të FSK-së që bëjnë roje nderi këtu në këtë kompleks që për nga sipërfaqja është i madh por duket i vogël për t’i zënë të gjithë këta qytetarë të cilët kanë ardhur për të bërë homazhe për të përkujtuar”, tha Idrizi.

    Krahas dëshmorëve, Idrizi nuk la pa përmendur edhe invalidët dhe veteranët e UÇK-së.

    “Këta të cilët ranë për ta çliruar Kosovën, që ne sot të jemi të lirë, që institucionet tona të funksionojnë, që populli ynë të frymojë lirshëm, andaj nuk mund të gjejë fjalë për të përshkruar ndjenjën dhe për të shprehur respektin dhe falënderimin për dëshmorët e kombit të cilët dhanë jetën për ta çliruar Kosovën. Gjithashtu respekt i veçantë për familjarët e dëshmorëve, për invalidët dhe veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Idrizi.

  • Haradinaj shkon në një shkollë të Suharekës për 1 shtator, ulet pak në bankën e fundit

    Haradinaj shkon në një shkollë të Suharekës për 1 shtator, ulet pak në bankën e fundit

    Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, zgjodhi një komunë ku udhëheq partia e tij për të vizituar fëmijët që sot nisën ditën e parë të shkollës.

    Ai tha se hyrja në një klasë me fëmijë i dha atij emocion, derisa tha se kanë synim rritjen e cilësisë në arsim.

    “Sot më shumë se çdo herë u emocionova teksa pashë nxënësit në hapat e tyre të parë në një botë me plot mundësi. Nxënësve ju thashë se jemi bashkë me ta, mësimdhënësit dhe prindërit, në synimin tonë drejt rritjes së cilësisë së arsimit dhe ndërtimin e një të ardhme më të ndritshme për vendin”.

    Ai foli edhe për takimin që pati me kryetarin e komunës.

    “Në ditën e parë të vitit të ri shkollor, pata nderin të vizitoj Komunën e Suharekës dhe të bisedoj me kryetarin Bali Muharremaj, një kryetar shembull për angazhim në të gjitha sferat e jetës. Bashkë me kryetarin dhe deputeten Albana Bytyqi, po ashtu vizituam shkollën më të vjetër në Suharekë, shkollën fillore “7 Marsi”, me ç’rast takuam personelin dhe nxënësit”.

    “Urime nxënës, mësimdhënës e prindër të dashur!”, ka përfunduar Haradinaj.

  • Fondacioni “Golden Eagle” i pajis me çanta e fletore fëmijët e shkollës fillore të këtij fshati

    Fondacioni “Golden Eagle” i pajis me çanta e fletore fëmijët e shkollës fillore të këtij fshati

    Me fillimin e vitit të ri shkollor, Fondacioni “Golden Eagle”, i ka pajisur me çanta, fletore dhe mjetet tjera, të gjithë nxënësit e ciklit të ulët të shkollës fillore “Drita” në Gelancë të Suharekës.

    Këtë e ka bërë të ditur pronari i kompanisë “Golden Eagle”, Shaqir Palushi.

    “Sot me fillimin e vitit të ri shkollor, Fondacioni Golden Eagle i paisi me qanta, fletore dhe mjetet tjera , të gjithë nxënësit e ciklit të ulët të shkollës fillore ‘Drita’ në Gelancë”, ka shkruar ai.

  • Këtu mund të aplikoni për 70 eurot e regjistrimit të fëmijëve në çerdhe

    Këtu mund të aplikoni për 70 eurot e regjistrimit të fëmijëve në çerdhe

    Komuna e Prishtinës ka hapur sot thirrjen për subvencionim të familjeve të Prishtinës për regjistrimin e fëmijëve në çerdhe private.

    Në një konferencë për media të premten, drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati tha se subvencionimi do të bëhet në vlerë 70 euro për familjet me të ardhura nën 500 euro.

    “Arsyeja pse e kemi thirrur këtë konferencë është për të ndarë me ju lajmin e mirë se kemi hapur thirrje për subvencionimin me nga 70 euro të familjeve të Prishtinës që t’i regjistrojnë fëmijët në çerdhe private”, tha Musmurati, raporton Paparaci.

    Komuna ka publikuar thirrjen për aplikim. Atë mund ta gjeni në uebsajtin zyrtar të komunës.

    Aplikimi bëhet përmes shkarkimit të formularit dhe plotësimit të tij. Pastaj, atë duhet ta dërgoni në Qendrën për Shërbim me Qytetarë në sportelin nr. 5, në objektin e vjetër të Komunës së Prishtinës.

    Në këtë vegëz mund të mësoni kriteret për subvencionim dhe të shkarkoni formularin e aplikimit: LINK

    Kriteret:

    – Kjo thirrje për subvencionim vlenë vetëm për familjet të cilat të hyrat i kanë nën 500 Euro dhe këtë e dëshmojnë me dokumentet e kërkuara më poshtë;

    – Fëmijët e prindërve që janë të regjistruar dhe që regjistrohen në institucionet parashkollore private të Komunës së Prishtinës mund të aplikojnë në këtë thirrje publike;

    – Në institucionet parashkollore private mund të regjistrohen fëmijët prej moshës 9 muaj deri në 6 vjeç dhe subvencionimi bëhet për këtë periudhë kohore;

    – Llogaritja e moshës së fëmijëve për subvencionim nuk bëhet duke marrë parasysh datën e regjistrimit, por datën e fillimit të shërbimit, përkatësisht duke marrë parasysh datën 1 Tetor;

    – Një familje mund të aplikojë për subvencionim për më shumë se një fëmijë;

    – Nëse Komisioni i pranimit të fëmijëve gjatë shqyrtimit të aplikacioneve për subvencionim konstaton se ka dy e më shumë fëmijë me pikë të barabarta, atëherë duhet praktikuar shortin, i cili bëhet në prani të prindërve të fëmijëve;

    – Shuma e dedikuar për të zbatuar subvencionimin është 100,000.000 (njëqind mijë) Euro dhe do të mbulojë subvencionimin e 120 fëmijëve për këtë thirrje;

    – Subvencionimi i fëmijëve në IP bëhet në bazë të numrit më të madh të pikëve totale që merr një kandidat bazuar në kriteret e specifikuara në tabelën e mëposhtme:

    – Të gjitha statuset e të gjitha kategorive të përfshira në tabelën e mësipërme duhet të dëshmohen me dokumente valide të lëshuara nga institucionet relevante;

    – Prindërit që kualifikohen për të marrë subvencionimin detyrohen që çdo muaj të sjellin në Drejtorinë e Arsimit faturën për pagesë mujore të IP-së private. Në të kundërtën, Komuna nuk do të mund të bëjë subvencionimin për muajin pasues;

    – Pagesat nga Komuna për prindërit do të bëhen nga data 1 deri me datën 5 të çdo muaji.

  • Identifikohen të dyshuarit për djegien e muzeut në Gjakovë

    Identifikohen të dyshuarit për djegien e muzeut në Gjakovë

    Policia e Kosovës e Kosovës i ka identifikuar tre persona të mitur për zjarrëvënien e shkaktuar ku për pasojë u dogj edhe Muzeu i Vjetër i Muzikës në Gjakovë.

    Prokurori më pas ka vendosur që të tre personat të lirohen në procedurë të rregullt.

    “Stacioni Policor në Gjakovë, më datë 30.08.2023, në ora 18:30 është njoftuar se Muzeu i Vjetër i Muzikës në Gjakovë ishte përfshirë nga zjarri. Të gjitha njësitet e nevojshme kanë dalë në vendin e ngjarjes. Përveç dëmeve materiale nuk ka pasoja në njerëz”, thuhet në një njoftim të policisë.

    Policia bëri të ditur se rasti ka kaluar për hetim në Sektorin e Krimeve të Rënda.

    “Më datë 31.08.2023, pas një pune intensive hetuesit policorë kanë arritur të identifikojnë tre persona të moshës së mitur, të dyshuar si kryes të mundshëm të veprës”, tha policia.

    “Pas dëgjimit të tyre në prezencën e akterëve të nevojshëm në konsultim me prokuroin e çështjes të njëjtit janë liruar në procedurë të rregullt”.

  • Rama pezullon vendimin për bllokimin e rrugës që çon te ndërtesa e ish-RTP-së

    Rama pezullon vendimin për bllokimin e rrugës që çon te ndërtesa e ish-RTP-së

    Drejtori i Radio Kosovës, Arsim Halili, ka thënë se Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, e ka pezulluar vendimin që kishte marrë për mbylljen e rrugës që çon te ndërtesa e ish-RTP-së.

    Halili ka thënë se ky është një sinjal pozitiv i vullnetit të mirë për të diskutuar e për të gjetur një zgjidhje të përbashkët “që nuk e cenon funksionimin e mediumit publik dhe dy medieve tjera, punën e gazetarëve dhe interesin e publikut për të qenë i informuar”.

    “Ne jemi të gatshëm për të ndihmuar në këtë drejtim dhe për të ofruar zgjidhje dhe krejt çka kërkojmë është qasja rrugore për të qarkulluar ekipet tona. Hyrja në oborrin e RTK-Radios është e kontrolluar, janë të vendosura laurat dhe monitorohet nga sigurimi, 24 orë në 7 ditë të javës që hapësira të menaxhohet e të mos keqpërdoret për parkimin e veturave tjera, përveç atyre që janë të lejuara.

    Poashtu veturat e RTK-Radios nuk parkohen në Parkun e Universitetit të Prishtinës dhe Bibliotekës Kombëtare, por rruga, aktualisht e vetmja alternativë pas bllokimit të qasjes në sheshin “Xhorxh Bush” përdoret vetëm si tranzit për të arritur deri brenda hapësirës së radios”, ka shkruar Halili.

  • Petkoviq: Është e qartë, Kurti nuk do paqe

    Petkoviq: Është e qartë, Kurti nuk do paqe

    Drejtori i të ashtuquajturës “Zyre për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, është acaruar në kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se nuk dëshiron paqe dhe deeskalim.

    Petkoviq deklaroi se në vend që të shkojnë në drejtim të deeskalimit dhe se Policia e Kosovës të tërhiqet nga veriu, Prishtina dhe Albin Kurti po bëjnë të kundërtën.

    ”Atyre nuk u pëlqen de-përshkallëzimi, nuk u pëlqejnë thirrjet e BE-së, as njoftimi i 3 qershorit, ku të gjithë ranë dakord që policia të tërhiqet menjëherë nga veriu dhe të bëjnë të ashtuquajturit kryebashkiakë. Kurti në vend që të shkojë në atë drejtim, po bën të kundërtën. Është e qartë se ai nuk dëshiron paqe”, tha Petkoviq për tvpink.

    Duke folur për arrestimin e djeshëm të një serbi në urën e Bistricës, Petkoviq thotë se bëhet fjalë për një të ri sportist.

  • Musmurati thotë se shumica e shkollave s’kanë fare libra, tregon për renovimet që janë duke u kryer

    Musmurati thotë se shumica e shkollave s’kanë fare libra, tregon për renovimet që janë duke u kryer

    Ndonëse mësimi ka filluar në të gjitha shkollat e Kryeqytetit, disa prej tyre nuk kanë pasur fare tekste shkollore. Kështu ka bërë të ditur drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati.

    Ndërsa për vonesat në renovimin e shkollës “Meto Bajraktari”, për të cilën raportoi Ekonomia Online, Musmurati tha se presin që të përfundojnë të hënën.

    Krahas kësaj shkolle, ajo tha se edhe shkolla “Gjergj Fishta”, është në renovim e sipër.

    Në konferencën për medie të premten, ajo ka deklaruar se gjatë ditës do të presin një raport final për mungesat e teksteve shkollore.

    “Mësimi veçse ka filluar në të gjitha shkollat e komunës së Prishtinës. Stafi veçse ka shkuar po marrim raporte. Deri më tani ka shumë shkolla që nuk kanë fare libra. Gjatë ditës do të kemi një raport të plotë në lidhje me furnizimin me libra”, tha ajo.

    Musmurati tha se në tërësi në Prishtinë janë rinovuar 22 shkolla. Ndërsa dy gjimnaze, tha se i kanë bartur në një objekt tjetër deri më datë 15 shtator.

    “Janë 5 shkolla në tërësi që janë në rinovim të thellë, ndërsa gjithsej i kemi rinovuar 22 shkolla. Janë shkolla ‘Meto Bajraktari’ dhe ‘Gjergj Fishta’ që janë duke mbajtur mësim me orar të shkurtuar dhe pjesë të shkollës i kemi izoluar që të mos pengojnë procesin mësimor nga e hëna presim që gjithçka t’i kthehet normalitetit. I kemi dy gjimnaze që i kemi alokuar në vende të ndryshme që të mbajnë mësimin deri më datën 15 shtator kur do të përfundojnë renovimet përfundimtare dhe ata pastaj do të vendosin në objektet e tyre. Bëhet fjala për shkollën e mesme profesionale ‘Hoxhe Kadri Prishtina’ si dhe shkollën ‘Gjin Gazulli’ të cilët po mbajnë mësim në gjimnazin ‘Ahmet Gashi’ dhe ‘Eqrem Qabej’”, tha ajo.

  • Këshilli i Prindërve uron fillimin e vitit të ri shkollor

    Këshilli i Prindërve uron fillimin e vitit të ri shkollor

    Me rastin e fillimit të vitit shkollor 2023/24, Këshilli i Prindërve i ka uruar të gjithë nxënësit dhe prindërit për një fillim të mbarë, raporton Gazeta Blic.

    “Në veçanti urojmë dhe përgëzojmë të gjithë fëmijët, të cilët sot ulen për herë të parë në bankat shkollor, Klasat e PARA!

    Po ashtu, urojmë edhe ata të cilët kanë dhe janë duke kontribuar në sistemin arsimor përmes shpërndarjes së dijes tek fëmijët tanë, puna e të cilëve është mision dhe e shenjt, mësuesit/arsimtarët”, ka shkruar Këshilli i Prindërve.

    “Urime 1 Shtatori! Qoftë një vit shkollor i mbarë dhe i suksesshëm”, ka shkruar tutje Këshilli i Prindërve.