ATV

Category: Lajme

  • Opozita më 4 shtator thërret seancë të jashtëzakonshme për librat shkollorë

    Opozita më 4 shtator thërret seancë të jashtëzakonshme për librat shkollorë

    Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka bërë të ditur se deputetët e opozitës kanë thirrur seancë të jashtëzakonshme më 4 shtator për të diskutuar për furnizimin me tekste shkollore të nxënësve për këtë vit të ri shkollor.

    Ajo, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se Kuvendi i Kosovës duhet të ndërpresë pushimin për shkak të mos veprimeve të duhura të Qeverisë.

    “Shkollat janë të papërgatitura, nxënësit nuk kanë tekste shkollore e materiale mësimore, ndërsa familjet e prindërit janë të braktisur. Mbi 200 mijë nxënësve nuk do t’iu ofrohen në shkolla tekstet falas, ashtu siç e përcakton ligji dhe ashtu siç ka ndodhur për më shumë së një dekadë”.

    “Pasojat e paaftësisë dhe dështimit të kësaj qeverie, po i vuajnë mbi 200 mijë nxënës, mijëra prindër e mësimdhënës. Gjendja është e jashtëzakonshme dhe kërkon veprime urgjente. Prandaj, ne, deputetët e opozitës – anëtarë të Komisionit për Arsim, të mbështetur nga deputetët e tjerë, kemi iniciuar thirrjen e Seancës së Jashtëzakonshme të Kuvendit e cila do të mbahet të hënën, më 04 shtator”.

    “Në kushtet e paaftësisë dhe mosveprimit të qeverisë, Kuvendi duhet të ndërpres pushimin dhe ti kthehet punës, e të diskutoj mbi përgjegjësinë e qeverisë për këtë dështim të pashembullt në përmbushjen e mandatit kushtetues e ligjor të saj”, ka thënë Hoxha.

  • Kongresisti amerikan: Me Presidenten Osmani folëm për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit

    Kongresisti amerikan: Me Presidenten Osmani folëm për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit

    Kongresisti Mike Turner, Kryetar i Komitetit të Përhershëm të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së për Inteligjencë, ka shkruar në “X” për takimin e tij me Presidenten Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Kosovë.

    Turner thotë se me Osmanin ka diskutuar për marrëdhëniet mes vendit të tij dhe Kosovës, si dhe për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, që është një dakordim mes Kosovës dhe Serbisë për normalizim të raporteve mes vete.

    “Faleminderit Presidentja Vjosa Osmani për mikpritjen në Kosovë. E shijova diskutimin tonë rreth raporteve strategjike mes SHBA-së dhe Kosovës dhe rëndësinë e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit për të arritur paqe në rajon”, ka shkruar kongresisti amerikan.

    Presidentja e takoi Turner të enjten në Prishtinë. Sipas një njoftimi të zyrës së saj, ajo ka përmendur bashkëpunimin mes dy shteteve në fushën e sigurisë dhe aspiratat e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, përfshirë NATO-n.

  • Kurti uron fillimin e vitit shkollorë, flet edhe për librat

    Kurti uron fillimin e vitit shkollorë, flet edhe për librat

    Kryeministri Albin Kurti nëpërmjet “Facebook” ka uruar fillimin e vitit shkollorë.

    Postimi i plotë:

    “Të dashur nxënës, mësimdhënës e prindër, urime fillimin e vitit të ri shkollor.

    Në veçanti, uroj të gjithë nxënësit që për herë të parë ulen në bankat shkollore. Për ta sot fillon një rrugëtim i ri, i cili do të përcaktojë të ardhmen e tyre por edhe të shtetit të Kosovës.

    Për të përmbushur obligimin tonë për të siguruar tekstet shkollore, këtë vit kemi zgjedhur një rrugë të re. Po ashtu, si asnjë vit më parë, përveç teksteve shkollore po ndajmë edhe mjete shtesë për materiale shkollore të nevojshme për nxënësit tanë.

    Arsimi dual për këtë vit shkollor po zgjerohet në gjithsej 12 profile të ndryshme, në 21 shkolla profesionale dhe 13 komuna, duke ndërtuar kështu urën ndërmjet arsimit dhe ekonomisë, diplomës së shkollës dhe vendit të punës.

    Ndërkohë që kemi miratuar Ligjin për Edukim në Fëmijërinë e Hershme, kemi finalizuar kurrikulën për edukim në fëmijërinë e hershme dhe jemi duke investuar në rritjen e përfshirjes së fëmijëve në këtë nivel të edukimit.

    Me punë e përkushtim do të realizojmë misionin tonë për një arsim cilësor, që edukon, shkollon dhe përgatit për përmbushjen e ëndërrave, synimeve dhe potencialit të rinisë sonë.

    Ju qoftë një vit i mbarë e i suksesshëm!”

  • Cramon: Vizat të mos lidhen me dialogun, kosovarët të lëvizin të lirë nga 1 janari 2024

    Cramon: Vizat të mos lidhen me dialogun, kosovarët të lëvizin të lirë nga 1 janari 2024

    Një deklaratë e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, se mund të ketë një rishikim të politikës për vizat nëse Kosova dhe Serbia s’veprojnë me përgjegjësi ka nxitur dyshime se liberalizimi mund të mos bëhet realitet më 1 janar 2024.

    Lidhur me këtë para pak minutash ka reaguar edhe Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon duke thënë se qytetarët e Kosovës meritojnë liberalizimin e vizave pas një zvarritje të gjatë.

    Ajo bashkë me një grup eurodeptuetësh kanë thënë se dëshirojnë ta bëjnë të qartë se lëvizja e lirë pa viza nuk është dhe nuk duhet të lidhet me dialogun me Serbinë.

    “BE-ja duhet ta mbaj premtimin e saj për të lejuar qytetarët e Kosovës të udhëtojnë të lirë nga 1 janari 2024”, ka shkruar Cramon.

  • ​Osmani: Presidenca do të marrë rolin e saj në përkrahje të “Hardh Fest”

    ​Osmani: Presidenca do të marrë rolin e saj në përkrahje të “Hardh Fest”

    Me sloganin “Prek n’rrush, shijo n’ven”, ka nisur sot edicioni i 22-të i festës së vjeljes së së rrushit “Hardh Fest”, në Rahovec. E mbështetje për festivalin që tashmë është shndërruar në traditë premtoi presidentja Vjosa Osmani.

    Në ceremoninë hapëse, Osmani tha se përgjatë viteve presidenca do të marrë rolin e saj në përkrahje të kësaj feste.

    Ajo shprehu mirënjohje ndaj vreshtarëve rahovecianë të cilët siç tha ajo, me këtë traditë po arrijnë ta mbajnë gjallë ekonomikisht Kosovën.

    “Nuk ka vend më akekuat për të cakërruar gotat sesa festivali ‘Hardh Fest’, i cili nëpërmjet rrushit e verës po promovon Kosovën gjithandej nëpër botë. Nëpërmjet kësaj trashëgimie, përgjatë viteve që do të vijnë, Presidenca e Kosovës do ta marrë rolin e saj në përkrahje të kësaj feste të përvjetshme të begatisë në tokën tonë. ‘Hardh Fest’ është festival i rrushit, i verës, por edhe i miqësisë. Këtu gërshetohen në mënyrë fantastike tradita me modernen, si një dedikim edhe për ata që janë kujdesur më parë që këto hardhi të na e jap rrushin e dëshiruar… Ndërsa shijojmë shijen e rrushit dhe të verës le të reflektojmë edhe për punën e vreshtarëve e verëtarëve të shkathtë, të cilët këtë rrush e shndërrojnë në vepër arti”, tha Osmani.

    Se “Hardh Fest” ndikon në zhvillimin e turizmit tha ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

    “Kosova ka kapacitet dhe po shndërrohet në qendër atraktive për vizitorët. Vetëm gjatë dy muajve të fundit, kemi pasur rritje të numrit për 30 për qind më shumë se vitin e kaluar. Në këtë drejtim, edhe ‘Hardh Fest’, përveç tjerash, ndikon në zhvillimin e turizmit në vendin tonë”, u shpreh Hajdari.

    Ndërsa i pari i Rahovecit, Smajl Latifi, tha se këtë vit komuna ka mbështetur më shumë “Hardh Fest-in”. Ai tha se ky festival ka vizitorë nga e gjithë bota.

    “’Hardh Fest’ e ka vendosur Rahovecin në hartën e ngjarjeve kulturore artistike më të rëndësishme të Kosovës, ndërsa Kosovën e ka vendosur në hartën e madhe të botës… Jam shumë i gëzuar që sivjet kemi gjetur mundësitë që ta mbështesim ‘Hardh Fest-in’ më shumë se në vitet e shkuara. Jam i vetëdijshëm që çfarëdo mbështetje që i jepet ngjarjeve të tilla është investim që i kthehet shoqërisë sonë me përplot përfitime ekonomike, ashtu edhe kulturore”, tha Latifi.

    E kryetari i Aleancës për Ardhshmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se thithja e investimeve e çon vendin përpara. Porse, ai u ndal më shumë tek qëllimet që sipas tij, ka Kosova.

    “Qëllim e kemi anëtarësimin, veçanërisht NATO-n. Për të arritur këtë qëllim nuk guxojmë të largohemi nga aleatët, por duhet të punohet me shumë kujdes të afrohemi me ta, që ta fitojnë besimin dhe të anëtarësohemi në NATO”, tha ai.

    Kryetari i Bashkisë së Beratit, Ervin Demo tha se janë gjashtë kantina nga Shqipëria që marrin pjesë në festivalin e sivjetmë të vjeljes së rrushit në Rahovec.

    “Më vjen shumë mirë që kjo zonë ka potencial të jashtëzakonshëm dhe jam i bindur që vit pas viti, ne do të jemi jo vetëm me produkte më të mira, por do të jemi edhe më shumë në të gjitha aktivitetet që organizohen në të dy anët e kufirit”, u shpreh ai.

    E kryetari i Shoqatës së vertarëve, Haziz Tafaj, kërkoi nga institucionet që të orojnë ndihmë për vertarët në mënyrë që siç tha ai, këta të fundit në vitet e tjera ta bëjnë punën edhe më mirë.

    Ndërsa në fund, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ndau gjashtë çmime për vreshtarët më të mirë.

    Festivali i vjeljes së rrushit që po mbahet në Rahovec, do të qëndrojë i hapur për tri ditë, prej sot deri më 3 shtator. /kp

  • Viti i ri shkollor, prindërit kritikojnë Qeverinë për mosshpërndarjen e librave

    Viti i ri shkollor, prindërit kritikojnë Qeverinë për mosshpërndarjen e librave

    Në arsimin parauniversitar në vend sot më 1 shtator ka nis viti i ri shkollor 2023/24. Për dallim nga viti i kaluar kur pati grevë, këtë vit ka filluar me sfida sa i përket pajisjes me tekste shkollore për nxënësit.

    Ndërkaq, prindërit shprehen se 1 shtatori këtë vit është më ndryshe prej viteve të tjera, kur nxënësit pajiseshin me libra nëpër shkolla, meqë sipas tyre po hasin në vështirësi në sigurimin e librave për fëmijët e tyre.

    Nëna e një vajze që filloi klasën e parë sivjet, Vjollca Statovci tha se ende nuk i ka blerë librat për vajzën, derisa shton se ende nuk ka aplikuar për subvencionimin e librave si rrjedhojë e problemeve teknike.

    “Fillon sivjet klasën e parë…Jo fatkeqësisht, kemi prit edhe prej qeverisë që do të na mundësojë këtë gjë për nxënësit, po që nuk kemi arrit. (Nuk është vendim i duhur) Jo, absolutisht jo, tani ne duhet të japim kosto ekstra derisa të na rimburësojnë ata, po ato familje që nuk kanë, a e mendojnë këtë gjë qeveria. (Nuk kam aplikuar për subvencione) Jo, kemi pasur disa herë pengesa, e kemi lënë ndoshta javën tjetër, ndoshta hapet linku si duhet. Si e vlerësoni sistemin arsimor në Kosovë? Nëse vlerësojmë prej njëshi deri në dhjetë, një shtatëshe të fortë, por ndoshta do të bëhet më mirë”, tha Statovci.

    Po ashtu edhe prindi i dy fëmijëve, Genc Gigollaj u shpreh i zhgënjyer me vendimin e Ministrisë së Arsimit, që librat të blihen nga vetë prindërit, derisa kritikoi qeverinë aktuale për mos fokusin e duhur në arsim.

    “Vajza është në klasën e tretë ndërsa djali është në klasën e parë, fillon këtë vit. Po, i kemi siguruar, edhe pse ka qenë shumë e vështirë për neve, përkundër angazhimeve që i kemi, por duke e ditur rëndësinë dhe fuqinë e librit, normal kemi marrë mundin. Ky slogan, po mendoj se këtë vit ka qenë si “Çantat bosh, kokën plotë”. Është inekzistente qasja e ministrisë për këto dy vjet. Unë jam i befasuar me qasjen që kanë ndaj shoqërisë që është më e ndjeshme edhe më e vlefshme. Sa kanë kushtuar librat? Nuk është e rëndësishme çmimi, ndoshta po, nuk është edhe aspekti material, por qasja është shumë e rëndësishme. Si e vlerësoni sistemin arsimor në Kosovë? Jo, absolut, unë nuk e di pse kjo qeveri ose ky ndryshim që ka ndodhur nuk e ka në fokus edukimin ose siç ka thanë edhe i madhi Dritëro Agolli “Një njeri i pa edukuar është barrë për shoqërinë gjithë jetën”, tha Gigollaj.

    Vendimin e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci për mos shpërndarjen e librave, e konsideron skandaloz dhe të turpshëm, edhe një prind tjetër, Agron Gashi, derisa shton se ky vendim e ka “prishur” edhe ‘festën’ e 1 shtatorit.

    “Natyrisht është ditë feste, për ditën e parë të shkollës, por ka diçka natyrisht që e prishë festën. E para, vendimi i Ministrisë së Arsimit për aplikim dhe mos shpërndarje të teksteve shkollore për prind është shumë shqetësues, imagjinoni unë jam mësimdhënës vetë aplikoj, përveç tjerash, nuk është që nuk di të aplikoj, por përveç tjerash kërkohet që kthehet me vonesë një konfirmim ku duhet bëjeni selfie me letërnjoftim, ja dërgon të gjitha të dhënat dhe fotografitë, dhe pastaj dërgoja. Të dhënat po kërkohen që po më duket shumë shqetësuese. Unë njoh familje dhe njerëz të cilët, kam pasur rastin t’u ndihmoi, nuk kanë rrjet, nuk kanë internet në shtëpi, nuk kanë telefona të mençur, kështu që e ka bërë konfuz dhe kjo është pengesa kryesore. Sot vije një pjesë e nxënësve pa mjete mësimore. Është diçka skandaloze dhe e turpshme”, tha Gashi.

    Përveç kësaj, Gashi thekson edhe një problem tjetër, që sipas tij është shqetësues për të si prindër.

    “Duke qenë se kjo shkollë bart një emër të madh, emrin “Naim Frashëri”, dhe është një ndër shkollat e zgjedhura, pra një shkollë publike për të cilën po të mos pëlqente nuk do e kisha sjell birin këtu. jo që më pengon ditën e parë, i sjellin që në klasën e parë dhe për të gjithë këta prindër është festë dita e parë e shkollës, dhe kur vijnë shohin këso sloganesh, të cilat janë slogane të pahijshme, slogane rrugaçësh, “danger”, të grupeve të ndryshëm të cilat frekuentojnë këtë shkollë, e cila të krijon pasiguri, pavarësisht se ka një menaxhment dhe mësimdhënës të jashtëzakonshëm, por për dy euro e gjysmë ngjyrë kanë mundur ta mbulojnë të paktën ditën e parë mos të duken këto slogane”, u shpreh Gashi.

    Ndërkaq, nxënësit shprehen të emocionuar që do të fillojnë mësimin dhe do të takojnë shoqërinë, derisa tregojnë se çfarë profesionesh kanë dëshirë të zgjedhin në të ardhmen.

    Nxënësja e cila nisi këtë vit klasën e parë, Tuana Statovci përmes një poezie shprehu gëzimin e saj për fillimin e vitit shkollor.

    “Erdh shtatori sa u gëzova, klasën e parë sa e fillova, erdhi shtatori me gëzim, shkoj në shkollë me nxitim”, Çfarë ke dëshirë të bëhesh kur të rritesh? Mësuese…A ke shoqe këtu? Po. A je e gëzuar që po shkon në shkollë? Po, se kam dëshirë të mësoj shumë”, u shpreh vogëlushja.

    Ndërkaq, nxënësit Noar Rreci dhe Amra u shprehën se janë të gëzuar që do të takojnë shokët e shoqet e tyre, dhe se do të mësojnë gjëra të reja.

    Ministrja e Arsimit, ka marr vendim për subvencionimin e prindërve për blerjen e teksteve shkollore. /KP

  • Grabitje në bankën BKT – Arrestohet një person, tjetri në arrati

    Grabitje në bankën BKT – Arrestohet një person, tjetri në arrati

    Një grabitje ka ndodhur gjatë ditës së sotme në Prishtinë.

    Grabitja ka ndodhur në njërën nga pikat e Bankës Kombëtarë Tregtare (BKT)

    Policia ka arritur në vendin e ngjarjes dhe ka arritur ta kap të dyshuarin pak metra larg vendit të ngjarjes.

    Policia poashtu ka njoftuar se është në kërkim të personit të dytë të dyshuar për vjedhjen.

    Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti tha për Insajderin se rasti ka ndodhur rreth orës 13:00.

    “Sot nga zyrtarët policor, është arrestuar një person, për të cilin ekziston dyshimi i arsyeshëm se është i përfshirë në një rast të grabitjes, që ka ndodhë sot rreth orës 13:00, në filialin e një banke në sheshin Nëna Terezë në Prishtinë. Personi i dyshuar, N.D, mashkull, është arrestuar menjëherë pas raportimit të rastit, pak metra larg nga vendi i ngjarjes”, deklaroi ajo.

    Ahmeti shtoi më tej se lidhur me këtë rast policia është në kërkim të personit të dytë të dyshuar, i cili aktualisht ndodhet në arrati.

  • Presidentja Osmani takohet me kryetarin e Rahovecit

    Presidentja Osmani takohet me kryetarin e Rahovecit

    Është zhvilluar takimi mes presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, bashkë me kryetarin e Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.

    Kjo vizitë nga e para e shtetit, është në kuadër të vizitave në komunat e vendit.

    Pas këtij takimi, ajo është paraparë të vizitojë shkollën SHFMU “Liria” në Fortesë e Rahovecit. Ndërsa nga ora 12:00 të jetë prezente në ceremoninë zyrtare të hapjes së edicionit të 22-të festë së vjeljes së rrushit “Hardh Fest”, me sloganin “Prek n’rrush, shijo n’ven”.

  • Vrasja e 29-vjeçarit në Malishevë: Gjithçka që dihet deri më tash

    Vrasja e 29-vjeçarit në Malishevë: Gjithçka që dihet deri më tash

    Një 29-vjeçar është vrarë të enjten në fshatin Balincë të Malishevës, pas një mosmarrëveshjeje që kishte ndodhur mes viktimës dhe dorasit.

    Ngjarja me epilog tragjik për 29-vjeçarin nga Bubaveci thuhet të ketë ndodhur në tregun e druve.

    Ndonëse organet e hetuesisë nuk kanë treguar motivet dhe rrethanat e vrasjes, pretendohet që zënka të ketë ndodhur shkaku i një borxhi, me ç’rast 40 vjeçari me inicialet A.G. nga fshati Balincë, ka qëlluar për vdekje viktimën me inicialet Sh.K.

    Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, menjëherë pas ndodhjes së vrasjes, ka thënë për telegrafin se “Sot (e enjte) rreth orës 13:30 kemi pranuar informatë se një person mashkull i moshës madhore është dërguar në QKMF Malishevë, dyshohet të jetë qëlluar me armë zjarri. Personeli mjekësor atje ka konstatuar vdekjen e tij”.

    “Njësitet e nevojshme policore ju kanë përgjigjur rastit si dhe është njoftuar prokurori i shtetit në konsultim me të cilin janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore”, ka thënë Elezaj.

    Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

    Elezaj gjithashtu ka njoftuar se lidhur me rastin janë arrestuar katër persona të cilët dyshohen të jenë të përfshirë në rast, si dhe është konfiskuar një armë.

  • Arrestohen tre të mitur, dyshohet se ata ia vunë flakën Muzeut të Muzikës në Gjakovë

    Arrestohen tre të mitur, dyshohet se ata ia vunë flakën Muzeut të Muzikës në Gjakovë

    Policia ka arrestuar tre persona që dyshohen se janë përgjegjës për zjarrin në Muzeun e Muzikës në Gjakovë.

    Më 30 gusht, njësitet përkatëse dolën në vendngjarje dhe shuan zjarrin që kaploi muzeun, ndërsa objekti pothuajse është shkatërruar tërësisht.

    Hetuesit ndërkohë ka identifikuar personat, që janë të mitur, si të dyshuar për zjarrvënien.

    “Më datë 31.08.2023, pas një pune intensive hetuesit policorë kanë arritur të identifikojnë tre persona të moshës së mitur, të dyshuar si kryes të mundshëm të veprës. Pas dëgjimit të tyre në prezencën e akterëve të nevojshëm në konsultim me prokurorin e çështjes të njëjtit janë liruar në procedurë të rregullt”, ka thënë Policia.