ATV

Category: Lajme

  • ​Pensionistët kërkojnë rritje të pensionit, kritikojnë qeverinë për mospërfillje

    ​Pensionistët kërkojnë rritje të pensionit, kritikojnë qeverinë për mospërfillje

    Pensionistët në Kosovë po ankohen se vlera prej 100 eurove e pensioneve nuk po u mjafton t’i mbulojnë shpenzimet e tyre. Ata thonë se ka vite që kanë bërë kërkesë që të ketë ndryshim në ligjin për skemën pensionale, derisa kritikojnë qeverinë aktuale për mos përgjigje në ankesat e tyre.

    Kryetari i Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës, Nijazi Gashi për KosovaPress tha se vendi qëndron shumë më keq se shtetet e tjera në rajon, sa i përket vlerës së pensionit.

    “Gjendja e pensionisteve me pensione është si mozomokeq, s’ka më keq ku të shkojë, jemi më së keqi në regjion, më së keqi në Evropë, ndoshta mundet me qenë dikush në Azi ose Afrikë më keq se ne, po them ndoshta se nuk e di. Sepse baza e pensionit tek ne është 100 euro dhe ata që kanë edhe i plotësojnë kushtet për të marr pensionin kontribut pagues është 260 euro dhe kjo po del që është më pak se 10 euro në ditë shpenzime edhe nëse e merr pensionin e kontributeve të realizuar, dhe është tre euro nëse e merr vetëm 100 euro pensionin. Tre euro e ka një byrek në ditë, me një jogurt edhe Zoti të faltë, duhet të ngopen me aq. 10:21 Vetëm Kosova i ka pensionet në bazë të trustit pensional, të gjitha i kanë në bazë të ligjit mbi sigurimet pensionale edhe Shqipëria, Mali i zi, Maqedonia, Serbia, Bosnja, Kroacia, dhe Sllovenia”, tha Gashi.

    Lidhur me këtë, Gashi theksoi se kanë bërë disa kërkesa ndër vite në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe atë të Punës dhe Transfereve, por ato gjithmonë kanë hasur në vesh të shurdhër.

    “Kërkesat tona specifike ne i kemi përpiluar në formë të shkruar, ua kemi dërguar, por nuk kanë hasur në vesh që kanë sens të merren me këto gjëra, dhe nuk janë marr me këto çështje fare, dhe ne tri herë ua kemi dërguar kërkesat, Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Transfereve, një ia kemi dërguar në vitin 2016, në formë të shkruar, një tjetër ia kemi dërguar diku në vitin 2022, dhe një tjetër dërguar në vitin, para shtatë tetë muajsh, ia kemi dërguar kërkesën pasi e kam marrë unë udhëheqjen e Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës. 07:10 Shtatë nene janë që ka shkelje drastike të drejtave të pensionistëve ne ua kemi dërguar në mënyrë takstative, në mënyrë të shkruar se si duhet të jetë, dhe ata nuk e kanë marrë për bazë asnjëherë kërkesat tona”, theksoi Gashi.

    Tutje, i pari nga Shoqata e Pensionistëve të Kosovës kërkon nga qeveria aktuale që të miratohet ligji për sigurimet pensionale, derisa tregoi shumën se sa duhet të rriten pensionet.

    “Kjo çështje mund të zgjidhet me një akt, me një veprim, një vendim me një ndërmarrje si të duash quaje, ky zgjidhet me një akt, çka është ajo, me e bërë ligjin për sigurimet pensionale, edhe zgjidhet problemi i pensionisteve. 07:38 Shuma është e definuar me këtë ligjin e keq, është e definuar në mënyrë taksative, sepse neni 14 i ligjit mbi skemat pensionale e obligon qeverinë që çdo fund vit të bëjë vlerësimin e inflacionit për Kosovën, dhe ata prej vitit 2019, që katër vite nuk kanë bërë vlerësim dhe rritje të pensioneve. 08:48 Po të ishte bërë ajo, tani pensionistët që kanë pensioni bazik që është 100 euro, ish dashtë t’i kenë 250 euro, kurse këta që i kanë në bazë të kontributeve është dashur t’i kenë diku 400 deri në 500 euro”, tha Gashi.

    Ndërkaq, meritat për miratimin e projektligjit që heq kushtin që një pensionist t’i ketë 15 vjet stazh pune për të përfituar pensionin kontribut pagues, Gashi ia atribuon Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

    “Kjo që iu është njohur që tani duhet t’iu njihet pensioni në bazë ta stazhit sa vite ka kaluar, është meritë, jo që ne e kemi kërkuar, e shumë delegatëve në kuvend të Kosovës, dhe kryesisht të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, që kanë potencuar këtë çështje. 12:29 Tanimë, ata një numër shumë i madh i tyre kanë vdekur, nuk janë më gjallë, dhe nëse ke parasysh që janë diku veç 70 mijë pensionist, një numër i madh i tyre e kanë realizuar sepse i kanë pasur dokumentacionet, tani unë besoj që numri i tyre mund të mbërrijë në dhjetë mijë, që nuk e mbërrin , këta po thonë që ka ndikim në buxhet të përgjithshëm apo në fondin për pensione, nuk është e vërtetë, ajo s’është (60 milionë) as gjashtë milion nuk është, por këta po e llogarisin që janë 200 mijë, që nuk janë”, tha Gashi.

    KosovaPress ka pyetur Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve lidhur me kërkesat e pensionistëve, por që deri në momentin e publikimit të lajmit, të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

    Ndryshe, në korrik të këtij viti pushteti aktual miratoi ndryshimet në ligjin për pensionet, duke iu mundësuar pensionistëve që janë larguar nga puna në vitet ’90 të përfitojnë nga pensioni kontributpagues në vlerë prej 260 euro.Kjo skemë e re pensionale për personat që u larguan nga puna në vitet ’90 llogaritet se do t’i kushtojë shtetit rreth 60 milionë euro në vit.

    Sipas vlerësimeve të Qeverisë së Kosovës, në skemën e pensionit bazik duhet të jenë rreth 70.000 persona që realisht do të duhej të kualifikoheshin për pensionin parcial kontribut-pagues të moshës.

  • Kërkimi i arit në rrethinën e Prishtinës, projekti vlerësohet 27 milionë dollarë amerikanë

    Kërkimi i arit në rrethinën e Prishtinës, projekti vlerësohet 27 milionë dollarë amerikanë

    Kompania kanadeze, Ariana Resources sheh me optimizëm projektin e saj në Kosovë pas studimit të parë ‘shkëlqyeshëm’

    Kompania nga Kanada, Ariana Resources tha se filiali i saj Western Tethyan Resources (WTR) ka përfunduar vlerësim paraprak ekonomik për projektin e arit në fshatin Slivovë, në rrethinë të Prishtinës.

    Sipas kompanisë, projekti ka rezultuar të ketë një vlerë aktuale neto prej 27 milionë dollarëve amerikanë.

    Prodhimi parashikohet të arrijë në 13,000 ons ari në vit gjatë një linje miniere shtatëvjeçare.

    Kerim Sener, drejtori menaxhues i Ariana-s, komentoi: “Ky është një rezultat i shkëlqyer për projektin e arit në Slivovë, duke demonstruar potencialin e tij ekonomik dhe duke vënë në pah mundësitë për të përmirësuar projektin në një afat më të gjatë”.

    “Tani po kërkojmë të përfundojmë punën e mëtejshme për ta demonstruar këtë potencial, nëpërmjet një programi eksplorimi me faza.”

    Gjatë pjesës tjetër të vitit 2023, kompania synon të fillojë studimin bazë mjedisor, vlerësimin e ndikimit social dhe të përfundojë planifikimin për një program shpimi.

  • Fatos Nano i nënshtrohet një ndërhyrje të dytë kirurgjikale

    Fatos Nano i nënshtrohet një ndërhyrje të dytë kirurgjikale

    Ish-kryeministri i Shqipërisë Fatos Nano, i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale për herën e dytë.

    Nano ndodhet që disa javë në spital.

    Ai u operua në mushkëri, dhe siç raportojnë mediat shqiptare ish-kreu socialist do të ketë edhe një operacion pas një jave.

    Lidhur me gjendjen e tij kanë folur mjekët.

    Mjekët thonë se operimi ka shkuar me sukses dhe se gjendja e tij është stabile, shkruan Abcnews.al.

    70-vjeçari vuan nga një sëmundje Pulmonare Obstruktive Kronike e quajtur ndryshe si SPOK.

    Kjo sëmundje prek mushkëritë dhe karakterizohet nga një ngushtim i rrugëve respiratore (të frymëmarrjes)me pasojë kryesore vështirësinë e furnizimit me oksigjen.

    Fatos Nano u dërgua me ambulancë nga shtëpia e tij për në spital më 24 gusht.

  • Britania e Madhe do të shpallë Wagner-in e Rusisë “grup terrorist”

    Britania e Madhe do të shpallë Wagner-in e Rusisë “grup terrorist”

    Qeveria britanike do të shpallë grupin mercenar rus Wagner një “organizatë terroriste”, sipas raportimeve të mediave të martën.

    Një udhëzim do të paraqitet në Parlament, i cili shpallë grupin ushtarak privat si grup terrorist dhe do të lejojë që pasuritë e tij të kategorizohen si pasuri terroriste dhe të sekuestrohen.

    Sekretarja e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar, Suella Braverman tha se grupi Wagner ishte “i dhunshëm dhe shkatërrues”, sipas raporteve të mediave lokale, duke përfshirë një raport nga BBC News, shkruan AA.

    “Aktivitetet e vazhdueshme destabilizuese të Wagner vazhdojnë vetëm t’i shërbejnë qëllimeve politike të Kremlinit…Ata janë terroristë, të dukshëm dhe të thjeshtë — dhe ky urdhër ndalimi e bën të qartë në ligjin e Mbretërisë së Bashkuar”, shtoi ajo.

    Emri i grupit tani do t’i shtohet grupeve ose organizatave të ndaluara terroriste të vendit, transmeton KosovaPress.

    Më 22 gusht, duke cituar burime të brendshme të qeverisë, Financial Times raportoi se Britania e Madhe do të shpallë grupin Wagner si një organizatë terroriste “brenda javësh” si pjesë e një goditjeje të re ndaj rrjetit mercenar rus.

    Grupi Wagner u themelua në vitin 2014 nga Yevgeny Prigozhin, i cili u raportua se u vra në një aksident avioni më 23 gusht.

  • ​Media izraelite që merret me sulmet terroristë raporton për armët e kapura në veri

    ​Media izraelite që merret me sulmet terroristë raporton për armët e kapura në veri

    Edhe media izraelite qe merret me sulmet terroriste ka raportuar për armët e kapura në veri të Kosovës.

    “Një sasi e madhe armësh, përfshirë granata dhe eksplozivë, të zbuluar nga forcat e sigurisë së Kosovës të emigrantëve ilegalë serbë në veri të Kosovës”, thuhet në përshkrimin e “Terror Alarm” në “X”, raporton KosovaPress.

    Ndryshe, dje Policia e Kosovës, e informuar nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ka zbuluar një sasi të madhe të armatimit në një shtëpi në Zveçan, duke përfshirë armë automatike, fishekë, granata dore dhe eksploziv.

    Lidhur me këtë, ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka thënë se kjo shtëpi është përdorur për grumbullim dhe shpërndarje të armatimit për grupet kriminale serbe.

    Ky i fundit, pas këtij njoftimi, është kërcënuar me vdekje nga organizata terroriste serbe “Severna Brigada”.

  • Kryeministri Kurti udhëton për në Estoni

    Kryeministri Kurti udhëton për në Estoni

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqin, kanë udhëtuar sot për në Tallinn të Estonisë, kështu ka njoftuar zyra e kryeministrit.

    Sipas njoftimit ata do të marrin pjesë në Samitin Global të 8-të të Open Government Partnership që këtë vit organizohet nga Qeveria e Estonisë.

    Me këtë rast, në ceremoninë hapëse të Samitit, Kryeministri do t’i drejtohet asamblesë së OGP-së, pas anëtarësimit së fundmi të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare.

    Gjatë ditës, Kryeministri Kurti, po ashtu do të zhvillojë një takim dypalësh me Kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas, krahas takimeve tjera.

  • Konjufca: Opozita tek ne nuk reflekton, rezultatin e zgjedhjeve e interpreton si “populli është naiv, nuk e di çka është duke bërë”

    Konjufca: Opozita tek ne nuk reflekton, rezultatin e zgjedhjeve e interpreton si “populli është naiv, nuk e di çka është duke bërë”

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në emisionin “DPT te Fidani”, deklaroi se është pro shkuarjes në zgjedhje, mirëpo sipas tij, që kjo të bëhet në mënyrë kushtetuese.

    Ai u shpreh se përkundër se e përkrahë mbajtjen e zgjedhjeve, por pas zgjedhjeve sipas tij, do duhej që opozita të reflektojë duke pranuar rezultatin.

    “Nuk do të ishte keq (mbajtja e zgjedhjeve), por mendoj, nëse nuk ndodh një skenar pas zgjedhjeve, që është pastaj qysh javën e parë opozita prapë me kërku zgjedhje. Atëherë nuk është në rregull diçka me vetë mënyrën e funksionimit të sistemit, sepse demokracitë e konsolidume, demokracitë e pjekura, shtetet të cilat vetë e kanë marrë një, kanë shumë përvojë dhe janë maturu, le të themi janë shtete të maturuara, ato kur humbet opozita, për shembull, ajo reflekton”, u shpreh Konjufca.

    Sipas tij, opozita nuk e ka parë rezultatin e zgjedhjeve si një përpjekje të popullit për ndryshim, por sipas tij, këtë rezultat e ka interpretu se mazhoranca e ka mashtruar popullin.

    “Te ne opozita më duket që nuk reflekton shumë. Opozita mendon që mazhoranca e ka mashtru popullin, domethënë ka ba premtime, e ka mashtru popullin. Mendoj që populli i Kosovës nuk është naiv, populli i Kosovës nuk është naiv, ai ka zgjedhë një ndryshim, një rrugë të re politike, është lodh me atë rrugën e vjetër, dhe ai e ka zgjedhë një rrugë të re politike, nuk është, nuk është mashtrim, është përpjekje e popullit për ndryshim, edhe tash opozita qysh prej javës së parë nuk e ka interpretu këtë si ndryshim shoqëror, por e ka interpretu si në njëfarë mënyre, populli është naiv, populli nuk është duke e ditur çka është duke bërë”, tha Konjufca. /atvlive.tv

  • Aparaturat e paservisuara vështirësojnë shërbime në QKMF të Fushë Kosovës

    Aparaturat e paservisuara vështirësojnë shërbime në QKMF të Fushë Kosovës

    Përgatiti: Sara Shehu

    Tash e sa kohë, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Fushë-Kosovë ka nevojë për servisimin e të gjitha aparaturave mjekësore.

    Ndonëse, gjatë muajit prill u hap një tender, për mirëmbajtjen e tyre, Zëdhënësi i Komunës, Ali Topalli, tha se procesi është pezulluar, meqenëse operatori i zgjedhur nuk i është përmbajtur kontratës.

    “Procesi i tenderimit ka shku sipas planifikimeve tona, është bo shpallja, kanë qenë katër ofertues, ndërkohë ofertuesi i zgjedhur ka shku me çmim shumë të ulët që në këtë çështje ai çmim nuk lejohet. Çmimi se sa ka qenë nuk e di saktë dhe nuk mund të japim njëherë më shumë informacione. Jemi ende duke e shqyrtuar. Është hera situ që ballafaqohemi me këtë situatë”, tha Topalli.

    Duke pasur parasysh rëndësinë e pajisjeve në dhënien e shërbimeve mjekësore, ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të QKMF-së, Osman Maxhera, ka kërkuar nga komuna që urgjentisht të bëhet një zgjidhje.

    “Kjo çështje është problem që na përcjell qe një kohë të gjatë. Përzgjedhja e një operatori për ne do të ishte jashtëzakonisht e dobishme, ngase servisimi i pajisjeve është jashtëzakonisht problematik, e kjo reflekton në kualitetin e ofrimit të shërbimeve për pacientët e që është jo efektive. Urojmë që sa më shpejtë të kalohet ky problem. Probleme më së shumti kemi tek aparaturat e laboratorit, aparati i rëntgenit. Ne asnjëherë pothuajse s’kemi bo servisim të sistemuar, vetëm ndonjë rregullim të vogël”, tha Maxhera.

    Kompania e cila do të jetë fituese e tenderit, i cili aktualisht nuk është i hapur do të duhet t’i servisojë të gjitha aparaturat mjekësore të QKMF-së.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Disa nxënës të klasave gjashtë deri nëntë ende s’i kanë të gjitha librat

    Disa nxënës të klasave gjashtë deri nëntë ende s’i kanë të gjitha librat

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Janë rreth 20 nxënës në klasë, por orën e lëndës së matematikës po e mbajnë me vetëm 4 libra.

    Edhe pas tri ditësh që nisi zyrtarisht viti shkollor, nxënësit nga klasat 6 deri 9, të shkollës “Halil Bajraktari” në Drenas, që duhet të shërbehen me libra të viteve të kaluara, nuk i kanë librat në bankë.

    “Vitin e kaluar kanë qenë më pak nxënës, tash janë më shumë. Në disa klasë ka qenë një paralele, tash janë bërë dy, tash nuk po kemi libra për të gjithë”, tha drejtori i shkollës “Halil Bajraktari”, Sylë Berisha.

    Ndonëse po mundohen të bëjnë zgjidhje që procesi mësimor të vijojë, mësimdhënësit po e konsiderojnë mjaft të vështirë.

    “Po ua dërgoj në foto në viber, edhe po komunikojmë përmes viberit. Nuk po ka zgjidhje tjetër për detyrat e shtëpisë”, tha Fikrije Miftari, arsimtare e matematikës në shkollën “Halil Bajraktari”.

    “Falë ndihmës së drejtorit, po i fotokopjojmë fletoret e punës edhe po ua mundësojmë disi të paktën ato”, tha Driton Qelaj, arsimtar në shkollën “Halil Bajraktari”.

    Të vështirë po e kanë edhe nxënësit. Madje, librat thonë se nuk po mund t’i gjejnë për t’i blerë as në librari.

    “Është dita e tretë pa libra… as në librari nuk po mundemi me i gjetë tekstet shkollore që na duhen neve”, tha Adriatik Halilaj, nxënës në shkollën “Halil Bajraktari”.

    Ndërkaq, njohësit e arsimit thonë se Ministria duhet të bëjë sa më shpejt zgjidhje për këtë çështje, me të cilën po përballen shumë komuna të vendit.

    “Te shkollat që kanë më shumë libra duhet t’i japin në shkollat që kanë më shumë. Të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën”, tha Rinor Qehaja, njohës i arsimit.

    Për nxënësit e klasave nga e 6-ta deri në të 9-tën, MASHT-i ka ndarë nga 30 euro vetëm për blerjen e materialeve të tjera shkollore.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Pozhari: Me këtë qeverisje kemi përfaqësim më denjitoz të Kosovës në dialog

    Pozhari: Me këtë qeverisje kemi përfaqësim më denjitoz të Kosovës në dialog

    Konsulent politik, Xhevdet Pozhari, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se me këtë qeverisje, Kosova ka përfaqësim më denjitoz në tavolinë e dialogut.

    “Ne, në këtë qeverisje kemi një përfaqësim dinjitoz të Kosovës në tavolinë e dialogut. Kemi skenarë të cilat diskutohen mjaft edhe në opinionin tonë, megjithatë është një vullnet politik që çohet qartë se shtrohet pyetja konkrete çfarë dhe kur e përfiton atë Kosova?”, tha Pozhari.

    Ai tha se më parë janë bërë kompromise në emër të stabilitetit, në emër të integrimeve evropiane, avancimit në strukturat euroatantike, por kjo sipas tij, është dukur shumë e largët.

    “Ndonjëherë ka tingëllu në kohë fushatash si diçka e afërt nga pushtetet e kaluara, megjithatë në fund kemi konkluduar në marrëveshje të cilat nuk kanë gjetur gjithmonë zbatimin më të mirë në terren, veçanërisht në atë që njihet si problem i Veriut”, tha Pozhari. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë: