ATV

Category: Lajme

  • ​Kurti takon kryeministren e Estonisë, bisedojnë për marrëdhëniet bilaterale

    ​Kurti takon kryeministren e Estonisë, bisedojnë për marrëdhëniet bilaterale

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u takua sot (e mërkurë) me homologen e tij nga Estonia, Kaja Kallas, pas ceremonisë hapëse të Samitit Global të Partneritet për Qeveri të Hapur (Open Government Partnership), organizatë kjo ndërkombëtare në të cilën Kosova u anëtarësua në muajin gusht.

    Krahas anëtarësimit të Kosovës në OGP, rolin e saj në këtë organizatë dhe kontributit që synon ta japë, në këtë takim dypalësh, u diskutua për marrëdhëniet bilaterale, fushat e bashkëpunimit dhe sfidat e përbashkëta që dy rajonet kanë me fqinjët autoritarë e agresivë, përkatësisht Serbinë dhe Rusinë.

    Sipas komunikatës, Kurti e njoftoi homologen estoneze për situatën aktuale në vend, progresin e gjithmbarshëm, arritjen kryesore të qeverisjes dhe reformat e ndërmarra në fushën e sundimit të ligjit, administratës publike dhe digjitalizimit.

    Ai e falënderoi kryeministren Kallas për mbështetjen, bashkëpunimin dhe partneritetin e Estonisë.

    Në këtë takim, Kurti ishte i shoqëruar nga ambasadorja e Kosovës për Estoni, Shkëndije Geci Sherifi, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti.

  • Haradinaj në 24-vjetorin e themelimit të Policisë: Model edhe për vendet e rajonit

    Haradinaj në 24-vjetorin e themelimit të Policisë: Model edhe për vendet e rajonit

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se Policia e Kosovës është institucion model edhe për vendet e rajonit.

    Kështu ka deklaruar Haradinaj me rastin e 24-vjetorit të krijimit të Policisë së Kosovës.

    “Policia e Kosovës është një prej sukseseve më të mëdha të shtetit tonë, institucion ky që konsiderohet model edhe për vendet e rajonit”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

    Postimi i plotë:

    24 vjet të Policisë së Kosovës!

    Policia e Kosovës është një prej sukseseve më të mëdha të shtetit tonë, institucion ky që konsiderohet model edhe për vendet e rajonit.

    Ata vazhdojnë të jenë shembull i integritetit dhe profesionalizmit në shërbim të komunitetit. Policia jonë, me profesionalizëm e devotshmëri po e kryen detyrën e shenjtë të ruajtjes së rendit dhe ligjit. Andaj, shteti duhet ta ketë prioritet ofrimin e kushteve të favorshme, në raport me kompleksitetin e detyrave që kryejnë.

    Mirënjohës të gjithë pjesëtarëve të Policisë, për shërbimin ndaj Atdheut. Kujtojmë me nder e respekt ata që ranë në krye të detyrës.

  • ​Osmani: Policia jonë gardianë të sigurisë dhe mbrojtjes së sovranitetit

    ​Osmani: Policia jonë gardianë të sigurisë dhe mbrojtjes së sovranitetit

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar Policinë e Kosovës për ditën e themelimit.

    “6 shtatori shënon një moment historik, të rëndësishëm në historinë e Kosovës – ditën e themelimit të Policisë së Kosovës”, citohet në komunikatë Osmani.

    Presidentja Osmani ka thënë se “Sot Policia e Kosovës është shndërruar në një simbol të përkushtimit, guximit dhe profesionalizmit të palëkundur për t’i shërbyer të gjithë qytetarëve, pa dallim. Ata janë gardianë të sigurisë sonë, të mbrojtjes së sovranitetit të Republikës”.

    Sipas Osmanit, gra e burra të Policisë së Kosovës janë kurdoherë të gatshëm për t’iu përgjigjur çdo situate.

    “Gra e burra të Policisë së Kosovës janë kurdoherë të gatshëm për t’iu përgjigjur çdo situate, për ta ofruar ndihmën e tyre dhe për ta mbrojtur rendin dhe ligjin, ndaj një falënderim i përzemërt për secilin prej tyre! Zotimi, përkushtimi dhe profesionalizmi juaj, janë shpresë dhe garanci për qytetarët e Kosovës për një mjedis të qetë dhe të sigurt! Urime dita e themelimit të Policisë së Kosovës!”, ka theksuar ajo.

  • Zeqiri: Për 24 vjet që nga themelimit, Policia e Kosovës ende nuk ka sigurim shëndetësor

    Zeqiri: Për 24 vjet që nga themelimit, Policia e Kosovës ende nuk ka sigurim shëndetësor

    Me rastin e shënimit të 24 vjetorit të themelimit, Policia e Kosovës ditën e sotme e ka filluar aktivitete të ndryshme. Që nga mëngjesi, portat e stacionit të Policisë së Kosovës të hapura për qytetarët.

    Aktivitetin e sotëm e kanë vazhduar në sheshin e Prishtinës, për t’i prezantuar disa nga pajisjet e njësiteve policore, ndër to armë, robotikë, automjete, autoblinda, motorë, pajisje të forenzikës dhe ato të mjekësisë.

    Në këtë manifestim, prezent kanë qenë edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, po ashtu edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

    Edhe 24 vjet pas themelimit, Policia e Kosovës vazhdon ende të përballet me sfida dhe të shumta.

    Kryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës Imer Zeqiri, në një prononcim për ATV-në, ka përsëritur kërkesën e tyre që pjesëtarët ta kenë sigurim shëndetësor e jetësor.

    “Policia e Kosovës, për kundër rezultateve dhe sukseseve të arritura të saj, është ballafaquar dhe ka përjetuar edhe sfida të ndryshme. Njëra ndër kushtet që apo kërkesë që ka qenë në vazhdimësi që nga themelimi i Policisë së Kosovës ka qenë që Policia e Kosovës të bëhet me sigurim shëndetësor dhe jetësor, e të cilën ende nuk e kemi dhe pas njëzet e katër viteve, një institucion kaq i rëndësishëm i shtetit të mos ketë sigurim shëndetësor dhe jetësor, definitivisht është shumë e padrejtë dhe shumë e pakuptim, prandaj ne edhe paraprakisht kemi kërkuar edhe nga qeveritë paraprake, edhe nga kjo qeveri dhe do të kërkojmë në vazhdimësi që Policia e Kosovës sa më parë të bëhet me sigurim shëndetësor dhe jetësor dhe jo vetëm me këtë”, tha Zeqiri.

    Ai tha se kërkesë tjetër e sindikatës ka qenë që Policia e Kosovës të bëhet me Ligjin për pensionim në moshën 55 vjeçare si dhe shtesa e pagës për rrezikshmëri.

    “Kërkesë e sindikatës ka qenë edhe në vazhdimësi edhe viteve të kaluara që Policia e Kosovës të bëhet me Ligjin për pensionim në moshën 55 vjeçare, e ka shumë arsye pse si dhe kushtet e tjera të cilat na mungojnë, e që si kërkesë e re pas implementimit të ri të Ligjit të pagave na ka dalë edhe shtesa për rrezikshmëri dhe shumë mangësi të tjera që i pat ky ligj dhe njëfarë forme nuk patëm ndonjë ngritje të dukshme të pagës, përkundrazi në disa sektorë, edhe te zyrtarët policorë edhe te pjesë e stafit civil kemi pasur zbritje page, e që na kanë dalë kërkesa të reja që ende nuk janë realizuar, si ë krahasimi me koeficient apo vlerësimi me koeficient siç thuhet edhe në ligj për punë të njëjtë, pagë të njëjtë e që kjo në disa raste nuk ka ndodhë, prandaj, janë këto kërkesa në vazhdimësi që ne jemi duke i kërkuar dhe do t’i kërkojmë vazhdimisht deri në realizimin e tyre. Përgjigje konkrete ende nuk kemi marrë. Kanë kaluar shtatë muaj, po flasim për Ligjin e pagave dhe shtesën e rrezikshmërisë dhe pjesën e koeficientëve, prandaj po shpresojmë që muaji shtator do të jetë ai i muajt i cili një komision që është i formuar nga Qeveria, të dalë me informacione apo me vendime të qarta dhe të sakta për Policinë e Kosovës, përkundër edhe kushteve të tjera”, u shpreh Zeqiri.

    Zeqiri tregoi se gjatë këtyre 24 viteve, 23 zyrtarë policorë kanë humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës si dhe mbi 4000 janë lënduar, madje prej tyre ka shumë që kanë mbetur me aftësi të kufizuara.

    “Në realitet derisa nuk kemi sigurim shëndetësor dhe jetësor, ndihmë këtyre zyrtarëve policorë u dilet nga vetë fondi i Policisë së Kosovës. Deri më tani kemi 23 zyrtarë policorë të cilët e kanë humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës zyrtare dhe kemi mbi 4000 raste të lëndimeve gjatë kryerjes së detyrës zyrtare dhe çka është edhe më e keqe që nga këto lëndime kemi pjesëtarë të Policisë së Kosovës që kanë mbetë me aftësi të kufizuara apo me invaliditet të përhershëm dhe krejt këtë përkujdesje e bëjmë përmes Departamentit të Shërbimeve Shëndetësore që është në kuadër të Policisë së Kosovës, pra thjesht nga Fondi i Policisë së Kosovës dhe nuk kemi ndonjë përkrahje tjetër shtesë që do duhej të ishte”, tregoi Zeqiri. /atvlive.tv

    Më shumë detaje rreth kësaj çështje i gjeni në emisionin “A LIVE”, të cilin e gjeni në videon më poshtë:

  • “E drejta për tu harruar” e pa njohur nga qytetarët

    “E drejta për tu harruar” e pa njohur nga qytetarët

    Lëvizja FOL, me mbështetjen e Fondit për Zhvillimin e Komunitetit (CDF), dhe të SIDA-s në kuadër të projektit “Mbrojtja e të drejtave të njeriut përmes mbrojtjes së të dhënave: Forcimi i mediave dhe shoqërisë civile në Kosovë”, ka publikuar të mërkurën raportin “E drejta e fshirjes së të dhënave personale (E drejta për tu harruar)”, raporton Ekonomia Online.

    Ky raport ka për qëllim vlerësimin e zbatimit të së drejtës për t’u harruar, njëkohësisht duke synuar promovimin e kësaj të drejte tek qytetarët e Republikës së Kosovës.

    Albana Hasani, Hulumtuese e lartë në Lëvizjen FOL tha se e drejta për tu harruar është e drejtë e re e paraparë në legjislacionin tonë.

    “Kjo temë është e pa trajtuar më parë, ka mungesë të raporteve, të artikujve e shkrimeve tjera në lidhje me këtë fushë. Pra ky është raporti i parë i bërë në këtë segment të privatësisë”, tha Hasani duke shtuar se ky raport synon të jap informacione tek qytetarët për këtë të drejtë që ju takon, në mënyrë që të shpërfaqet pasqyra e plotë e kuptimit dhe esencës të së drejtës për t’u harruar, si dhe është shtjelluar korniza ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare në të cilën mbështetet e drejta e privatësisë dhe e drejta për tu harruar në veçanti.

    “Kjo e drejtë, pra, ndërlidhet me të drejtën e individëve për të mos iu përdorur të dhënat personale kur nuk ka interes publik dhe për shkak se të njëjtat nuk përputhen me qëllimet fillestare të mbledhjes së tyre. Pra është e drejtë që lidhet ngushtë me privatësinë dhe mbrojtjen e të dhënave personale”, tha ajo.

    Për herë të parë në mënyrë normative, “E drejta për t’u harruar” u rregullua me 27 prill të vitit 2016 dhe filloj të zbatohet 2 vite më vonë, kur në vendet anëtare të Bashkimit Evropian hyri në fuqi Rregullorja e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave. Për shkak të rëndësisë që ka, e drejta e fshirjes së të dhënave personale apo e drejta për tu harruar është inkorporuar edhe në Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale të Republikës së Kosovës, që është hartuar në përputhje me rregulloren e Bashkimit Evropian.

    Sipas Agjencisë për Informim dhe Privatësi, që është institucioni kompetent për trajtimin e këtyre ankesave, e drejta për tu harruar është e drejtë pak e njohur nga qytetarët, prandaj edhe numri i ankesave të bëra në këtë institucion në lidhje me shkeljen e kësaj të drejte është tejet i vogël.

    Sipas statistikave zyrtare të pranuara nga Agjencia për Informim dhe Privatësi, në vitin 2022 ka qenë vetëm 1 ankesë për përmbushjen e të drejtës për tu harruar. Ndërsa gjatë këtij viti kanë qenë 146 ankesa në lidhje me shkeljen e të dhënave personale në përgjithësi, 33 ndaj institucioneve publike dhe 113 ndaj institucioneve private.

    Ndërsa sa i përket vendimeve të nxjerra, gjatë vitit 2022 AIP kishte nxjerrë 172 vendime, 23 vendime ndaj institucioneve publike dhe 149 ndaj institucioneve private. Pra, këtu shihet se shkelja e të dhënave personale është bërë dukshëm më shumë nga institucionet private, se sa ato publike.

    Prej këtyre vendimeve, 8 vendime kanë qenë dënime për shqiptimin e gjobave kundërvajtëse, 4 ndaj institucioneve publike dhe 4 ndaj institucioneve private. Vlera e këtyre vendimeve me gjobë arrinte shumën 169 mijë euro.

    Për të arritur qëllimet dhe objektivat e këtij raporti, Lëvizja FOL ka intervistuar edhe përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile dhe mediave në lidhje me atë se sa e shohin të rëndësishme mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe se si e vlerësojnë nivelin e tyre të informimit për të drejtën për t`u harruar, në veçanti.

    Në përgjithësi, të gjitha organizatat janë shprehur se kanë njohuri për këtë të drejtë, dhe që kanë zhvilluar aktivitete për promovimin e të drejtës së privatësisë, por jo edhe për të drejtën për tu harruar në veçanti.

    Në fund, Lëvizja FOL rekomandon që të gjithë qytetarët të cilët pretendojnë se u janë publikuar të dhëna personale nga institucionet apo kompanitë, të dhëna që nuk kanë ndonjë interes publik, apo që e kanë humbur qëllimin fillestar të publikimit të tyre, të kërkojnë nga ta që të njëjtat të fshihen, dhe nëse të drejtat e tyre nuk realizohen, t`i drejtohen me ankesë Agjencisë për Informim dhe Privatësi ne mënyrë që ta përmbushin të drejtën e tyre.

    Lëvizja FOL do të vazhdojë me monitorimin rreth zbatimit të kësaj të drejte dhe të ankesave eventuale nga qytetarët.

  • Qeveria gjermane: Qëndrimi ynë për liberalizimin e vizave për Kosovën mbetet i pandryshuar

    Qeveria gjermane: Qëndrimi ynë për liberalizimin e vizave për Kosovën mbetet i pandryshuar

    Qeveria Federale e Gjermanisë që drejtohet nga kancelari, Olaf Scholz, kanë thënë se qëndrimi i Berlinit zyrtar për liberalizimin e vizave për Kosovën mbetet i pandryshueshëm.

    Nga Qeveria gjermane kanë thënë se mbështesin vendimet për liberalizim të vizave që i përkasin Këshillit të Bashkimit Evropian, e që i garantojnë Kosovës lëvizjen pa viza nga 1 janari 2024.

    “Qëndrimi gjerman mbetet i pandryshuar: Ne mbështesim vendimet për liberalizimin e vizave që i përkasin Këshillit të Bashkimit Evropian”, ka thënë një zëdhënës i Qeverisë Gjermane në pyetjet e Gazetës Express se a do të ndodh liberalizimi më 1 janar 2024 dhe nëse ka gjasa të shtyhet si pasojë e dialogut Kosovë-Serbi.

    Këshilli i Bashkimit Evropian më 9 mars të këtij viti kishte marrë vendim për t’i dhënë dritën jeshile për udhëtim pa viza në Zonën Schengen.

    “Këshilli sot miratoi qëndrimin e tij në leximin e parë për lëvizjen pa viza për mbajtësit e pasaportave të lëshuara nga Kosova”, thuhet në njoftimin zyrtar të publikuar në faqen e Këshillit të Bashkimit Evropian ku 1 janari 2024 përmendet si kohë kur fillon zbatimi i vendimit.

    Qëndrimi i Berlinit zyrtar për liberalizimin e vizave vjen pas paralajmërimit të Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, se mund të ketë ndryshim sa i përket politikës së vizave në rast se Kosova dhe Serbia tregohen të papërgjegjshme karshi dialogut dhe situatës në veri të Kosovës.

    Kreu i shtetit francez kishte thënë se një qëndrim të tillë e ndajnë bashkë me Gjermaninë dhe se do të qëndrojnë vigjilent sa i përket kësaj çështje dhe në përgjithësi rajonit të Ballkanit Perëndimor.

    “Ne do të vazhdojmë të jemi shumë vigjilentë për situatën e sigurisë dhe atë politike në Ballkanin Perëndimor. Në këtë drejtim, ne kemi ndërtuar me Gjermaninë një udhërrëfyes të ri dhe një propozim të ri për mospajtimet që kanë Serbia dhe Kosova. Unë besoj se ky udhërrëfyes është i mirë. Ai u mbështet nga negociatori evropian dhe përfaqësuesi ynë. Prandaj ne jemi duke pritur një riangazhim të qartë nga të dy palët, e kam fjalën për riangazhim për zgjedhjet e pritura komunale, një riangazhim serb lidhur me institucionet, njohje të komunave, veçanërisht në veri nga ana e institucioneve kosovare, një qetësim të situatës, dhe e them këtë sepse Franca dhe Gjermania janë të përkushtuara dhe kanë pasur një hapje, në veçanti ndaj politikës së vizave apo në elementë të tjerë ekonomikë, të cilët mund të rishikohen nëse nuk do të ketë politikë të papërgjegjshme nga të dy palët. Por ne do të vazhdojmë me partnerët tonë gjerman që të jemi shumë vigjilent për këtë çështje dhe për gjithçka që lidhet me stabilitetin e Ballkanit Perëndimor”, kishte deklaruar presidenti i Francës gjatë një adresimi para ambasadorëve francez nëpër botë.

    Ndaj një paralajmërimi të tillë të Macron kishte reaguar edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, duke thënë se nëse ndodh shtyrja e liberalizimit, atëherë një gjë e tillë do të nënkuptonte “vdekje” të procesit të dialogut.

    Ndërkohë dje gjatë ditës ka pasur raportime në media se Gjermania s’qëndronë në vijë të njejtë me Macronin për vizat dhe se presidenti francez e kishte thënë një deklaratë të tillë pa konsulta me Gjermaninë.

  • Deri në 70 euro një metër dru në Prishtinë, qytetarët druajnë për një dimër të vështirë

    Deri në 70 euro një metër dru në Prishtinë, qytetarët druajnë për një dimër të vështirë

    Disa metra larg shkollës “Nazim Gafurri”, dhjetëra kamionë të ngarkuar me dru po qëndrojnë aty. Ekonomia Online ka qëndruar për të pyetur për çmimin e tyre. Ndonëse nuk u prononcua askush nga shitësit, prapa kamerës thanë se çmimi sillet nga 65 deri në 70 euro për metër.

    Çmimet e larta ka bërë që të bijë edhe interesimi i qytetarëve për furnizim.

    Çmim i shtrenjtë po i duket edhe qytetarit Hasan Shkodra. Tha se i posedon edhe disa metra të blerë nga viti i kaluar.

    “I shtrenjtë. Ende nuk i kam blerë por i kam disa që i kem blerë vjet por me marr dimri i rëndë, ndoshta shtrenjtohen ende. Nuk kemi çfarë të bëjmë, me diçka duhet me u nxeh”, tha Shkodra për EO.

    Edhe një qytetar tjetër prapa kamerës, tha se çmimi është i lartë dhe se druan për një dimër të vështirë.

    Edhe përkundër kësaj, në shumë lagje të kryeqytetit blerësit vazhdojnë të jenë prezentë.

  • LDK vazhdon edhe sot mbledhjen për finalizimin e programit Rruga e Re

    LDK vazhdon edhe sot mbledhjen për finalizimin e programit Rruga e Re

    LDK po vazhdon ditën e dytë të mbledhjes me akterët kryesorë të partisë për finalizimin e programit Rruga e Re. Edhe sot po diskutohet intensivisht rreth detajeve të fundit të projekteve madhore që përfshijnë sektorin e ekonomisë, energjisë, arsimit, etj. Paralelisht, po vazhdojnë punëtoritë grupore të ndarë në sektorë të ndryshëm.

    Ky program ka për qëllim të tejkalojë mendësinë e vjetër të mospunës dhe jo kompetencës, një realitet me të cilin Kosova po përballet për një kohë të gjatë. Programi “Rruga e Re” flet vetëm për të ardhmen e shtetit të Kosovës. Projektet madhore që janë paraqitur gjatë këtyre takimeve, e që do të jenë pjesë e programit “Rruga e Re”, janë projektet më të mëdha që mund të ndodhin gjatë 30 viteve të fundit.

    LDK-ja rikonfirmon angazhimin e saj ndaj vlerave të djathta dhe është e përkushtuar për integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe NATO. Me këtë program, LDK shpreh një qëndrim të qartë ndaj ndryshimit dhe përmirësimit të gjendjes së vendit në të gjitha dimensionet.

    Dita e dytë e mbledhjes shënon një fazë të rëndësishme në finalizimit e programit “Rruga e Re”, duke i dhënë formën përfundimtare vizionit që LDK do të prezantojë për qytetarin e Kosovës.

  • “U morën me formën si e tha, por jo me përmbajtjen”, Konjufca del me shpjegim për deklaratën e Vjosa Osmani për Macronin

    “U morën me formën si e tha, por jo me përmbajtjen”, Konjufca del me shpjegim për deklaratën e Vjosa Osmani për Macronin

    Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka folur për paralajmërimet e presidentit të Francës, Emmanuel Macron që mund të ketë pezullim të vizave nëse Kosova nuk sillet me përgjegjësi në raport me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Konjufca ka thënë se beson në atë që ka deklaruar presidentja Osmani pas paralajmërimeve të Macronit.

    Kryetari i Kuvendit, Galuk Konjufca i ka dalur në mbrojtet presidentes Osmani pas kërcënimeve që ia bëri presidentit të Francës, duke thënë se me deklaratën e saj u morën “shumë më shumë me mënyrën dhe formën” dhe jo me përmbajtjen.

    “Po me presidentin u morën shumë më shumë në mënyrë dhe formën si e tha ajo, por unë mendoj që çka është esenciale ka të bëjë me atë se çka ka thënë presidentja, jo me formën qysh e ka thënë, me formën qysh e ka thënë mund të jenë aty 100 mendime por me përmbajtjen nëse dalim të përmbajtja, porosia që ka dashtë me përçu presidentja ka thënë që kjo e dëmton seriozisht dialogun bile e bllokon atë.” – ka thënë ai në DPT te Fidani në ATV.

    Tutje, ai ka vazhduar me arsyetimin e presidentes teksa ka thënë se edhe ai beson në të.

    “Kjo natyrisht që është një shprehej e pozicionimit politik në të cilin edhe unë besoj sepse diçka që është një e drejtë elementare e popullit të Kosovës e cila nuk ka të bëjë me një të drejtë të qeverisë por me të drejtën e popullit për me gëzu mundësinë e lëvizjes së lirë në këto shtetet që e kanë regjimin e vizave, kjo është një diçka e fituar me plot meritë nga ana e republikës tonë e cila i atribuohet popullit.” – ka thënë tutje ai.

    “Sa i përket sanksioneve të qeverisë ato janë sanskione të tjera që janë duke ndodhur në një masë dhe sa i përket përgjegjësi unë besoj që është marrë.” – ka thënë Konjufca.

    Ndërkohë, presidentja Osmani ka thënë se pezullimi i vendimit për heqje të vizave për qytetarët e Kosovës nga 1 janari i vitit 2024, do ta vriste dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

    Kjo deklaratë u komentua me të madhe dhe u pa si një gjuhë e rëndë dhe jo diplomatike ndaj Kosovës.

    “Unë do të thosha që kjo është mënyra për ta vrarë dialogun një herë e përgjithmonë. Në qoftë se dëshiron dikush që të mos ketë më dialog, atëherë ndërmerr masa të tilla, që janë masa ndëshkuese ndaj popullit të Kosovës. Nuk janë ndaj ndonjë lideri, nuk janë ndaj një politike, janë ndaj popullit të Kosovës. Dhe një ndëshkim i tillë i paprecedentë, që edhe ashtu ka qenë padrejtësi e madhe për popullin e Kosovës, do të rezultojë me vdekjen e dialogut. Nuk ka më askush mandat që të shkojë në Bruksel, kur populli i Kosovës ndëshkohet.” – ka thënë Osmani.

    Çka tha Marcon?

    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ditë me parë ka paralajmëruar masa ndaj Kosovës dhe Serbisë nëse nuk sillen me përgjegjësi.

    Në mes të masave, ishte edhe mundësia për pezullimin e vizave.

    “Ne presim që paqja do të kthehet në këtë pjesë. Franca e Gjermania kanë bërë zotime sa i përket politikave të vizave dhe çështje tjera ekonomike, të cilat do të rishikohen nëse palët dështojnë të sillen me përgjegjësi. Duhet të jemi vigjilentë veçanërisht në këtë aspekt, veçanërisht kur bëhet fjalë për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.” – ka thënë Macron.

  • Organizata terroriste serbe “Severna Brigada” kërcënon edhe Kurtin

    Organizata terroriste serbe “Severna Brigada” kërcënon edhe Kurtin

    Profili i organizatës terroriste “Severna Brigada” ka kërcënuar mbrëmë edhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, duke thënë se kanë armatim “me tonelata”.

    Profili i kësaj organizate ka shpërndarë mbrëmë në Facebook një fotografi të një arme të llojit “snajper”, sipër se cilës kanë shkruar “Kurti, këso kemi me tonelata”, raporton KP.

    Dje (e martw), “Severna Brigada” ka kërcënuar edhe ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, pas njoftimit për zbulimin e një sasie të madhe të armatimit, duke përfshirë armë automatike, fishekë, granata dore e eksploziv në Zveçan.

    Ata kanë kërcënuar hapur Sveçlën duke i shkruar publikisht në Facebook se “Unë personalisht do të të dënoj (likuidoj), vetëm momenti pritet”.

    Sipas burimeve të KosovaPress-it, ky profil përmes të cilit është kërcënuar ministri Sveçla është vërtetë i organizatës terroriste “Severna Brigada” (Brigada e Veriut).