ATV

Category: Lajme

  • Familjet me të ardhura të ulëta, pjesë e subvencionit të energjisë elektrike

    Familjet me të ardhura të ulëta, pjesë e subvencionit të energjisë elektrike

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Të gjitha familjeve që kanë të ardhura mujore nën 150 euro për anëtar, Qeveria do t’ua subvencionojë faturat e energjisë elektrike.

    Përmes programit për mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm të energjisë elektrike, Qeveria po synon t’i subvencionojë familjet në nevojë me 75 kilovat në muaj për anëtar.

    Subvencionimi, i cili do të bëhet në kuadër të marrëveshjes IPA të Bashkimit Evropian do të vlejë për një vit.

    Kryeministri Albin Kurti shtoi se fokus të veçantë në këtë program do të kenë grupe të caktuara të shoqërisë.

    Ndërkaq, përfaqësues të Bashkimi Evropian thanë se do të vazhdojnë ta ndihmojnë Kosovën në fushën e energjisë.

    “Presim që të kemi përkrahje edhe për panelet solare për prodhimin e energjisë, ndaj BE-ja mbetet e zotuar që të ndihmojë Kosovën në efiçiencë të energjisë, që përputhet me zotimet e Komunitetit të Energjisë, si dhe me implementimin e Agjendës së Gjelbër”, tha Alessandro Bianciardi, përfaqësues nga Bashkimi Evropian.

    Familjet të cilat dëshirojnë të përfitojnë nga kjo pako duhet të aplikojnë online, duke e plotësuar një formular që do të hapët brenda pak ditësh.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Konjufca: Ne rast të zgjedhjeve, gara në Kosovë do të jetë për vendin e dytë

    Konjufca: Ne rast të zgjedhjeve, gara në Kosovë do të jetë për vendin e dytë

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në emisionin “DPT te Fidani”, deklaroi se është pro shkuarjes në zgjedhje, mirëpo sipas tij, që kjo të bëhet në mënyrë kushtetuese.

    Ai tha se nëse opozita i siguron numrat për mocion do të ishte më e shëndetshme që vendi të shkojë në zgjedhje, por sipas tij, lufta do të jetë për vendin e dytë dhe jo për të parin.

    “Unë nuk thash që do të jemi 51 për qind. Mund të jemi 54 për qind, por edhe nëse do të jemi minus 10 për qind, prapë gara në Kosovë ka me qenë për vendin e dytë, unë po mendoj dhe qysh e shoh unë, të gjitha stizat kanë me u thy për vendin e dytë”, deklaroi Konjufca. /atvlive.tv

    ATV-në mund ta shikoni drejtpërdrejt në videon më poshtë:

  • Furnizimi me dru, protestojnë banorët e dy fshatarave të Lipjanit

    Furnizimi me dru, protestojnë banorët e dy fshatarave të Lipjanit

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    4 muaj më parë, Agjencia Pyjore e Kosovës hapi aplikimin për shitjen në trung të masës drusore për qytetarët e Kosovës, në parkun me Rëndësi të Veçantë në Blinajë.

    Por përzgjedhja e fituesve, nuk po u pëlqen banorëve të fshatrave Vërshec e Magure të Lipjanit, të cilët për gati 3 orë, protestuan para portës së parkut të Blinajës.

    “Ne kemi dalë këtu për shkak të masës drusore dhe po mendojmë që po na bëhet e padrejtë, ne kemi aplikuar në një aplikacion që e ka hapur Agjencia Pyjore e Kosovës. Kemi aplikuar, aplikacionet na janë pranuar, por drutë nuk po na japin”, tha Kujtim Qadraku, banor i fshatit Vërshevc.

    “Ne kemi dëshirë kërkesën me na plotësu e me na mundësu të marrim dru, sepse nuk jemi kundër askujt, kemi të drejtë të gjithë të marrim dru, ka disa që marrin dru çdo ditë, e na veç po i shohim, kjo nuk është në rregull”, thotë një banor tjetër.

    Për më tepër, ata paralajmëruan edhe protesta të tjera deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.

    “Nëse nuk plotësohen kërkesat tona, do të organizojmë protestë më masive, sot ka qenë ditë pune dhe shumë banorë, nuk kishin mundësi të ishin pjesë e kësaj proteste, kështu që protesta tjetër që do të jetë gjatë kësaj jave do të jetë më masive, pasi që është ditë pushimi dhe të gjithë do të marrin pjesë”, tha Florim Nishori, banor i fshatit Vërshevc.

    Derisa, nga Agjencia Pyjore e Kosovës thanë se pretendimet e banorëve nuk janë të vërteta.

    “Nuk qëndron fakti se aplikimi ka zgjatë vetëm disa orë, por aplikimi ka zgjatë 5 ditë, nga data 15.05 prej orës 9:00 deri më 19.05.2023, në orën 15:00. Lidhur me ankesën e qytetarëve të Fshatit Vërshec, Komuna e Lipjanit, Gjatë analizës së ankesës janë verifikuar të gjithë nënshkruesit e ankesës dhe kemi konstatuar se 41 persona nuk kanë aplikuar fare, 37 persona kanë aplikuar pas orës 9:30, dmth janë në radhë para tyre mbi njëmijë aplikacione të tjera, si dhe dy persona kanë aplikuar deri në orën 9:30 dhe kur të vijë radha do të ftohen për nënshkrim kontrate dhe do të furnizohen me masë drusore”, tha Xhavit Statovci nga Agjencia Pyjore e Kosovës.

    Sipas të dhënave të Agjencisë Pyjore të Kosovës, për furnizimin me masë drusore për vitin 2023 kanë aplikuar 3552 persona, prej tyre 712 ishin fitues.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Gjykimi “Thaçi e të tjerët”, dëshmon dëshmitari i 21-të

    Gjykimi “Thaçi e të tjerët”, dëshmon dëshmitari i 21-të

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Pa masa mbrojtëse edhe në ditën e dytë, ka vazhduar dëshmia e dëshmitarit, Agim Idrizi, në gjykimin ndaj ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Dhomat e Specializuara në Hagë.

    Mbrojtja e Rexhep Selimit ka pyetur Idrizin, lidhur me dëshminë e tij për rrahjen e tij dhe familjarëve të tij nga Enver Axhami.

    “Vehbi Koka na ka bërë krejt këto sherre se këta nuk kanë mundur t’i bëjnë këto sene. Ai ka punuar me policinë serbe dhe më ka futë emrin aty, tash nuk ta heq dreqi, krejt shajnë, gjysma shajnë… a mund të themi se problemi që ke pasur me Enver Axhamin është për shkak se ai ka përhapur gënjeshtra për ty… në Kaçanik e dinë se Arkan nuk ka pasur kurrë. Edhe Sami Axhami kur ka thënë se Agimi më ka rreh me policë, kjo është gënjeshtër se nuk është e vërtetë dhe kjo që ka thënë Agimi ka qenë polic nuk është e vërtetë, roje i pyllit, nuk është e vërtetë… i ka qitë punë edhe UÇK-së, njeriu i keq, ai do të duhej të dalë e të më vrasë mua para luftës, jo me ushtrinë të dalë e të marrë hakun”, ka deklaruar dëshmitari Idrizi.

    Idrizi, po ashtu, ka thënë se duhet t’i vijë turp atyre që një ditë më parë e kanë quajtur tradhtar i kombit.

    Ndërsa, në përfundim të dëshmisë së tij ka gjuajtur dëgjueset, duke thënë se kërkon nga njerëzit në Kaçanik të tregojnë se kur ka qenë ai polic dhe cilin nga shqiptarët ka dërguar në burg në kohën e paraluftës.

    “Tash dua t’i bëj thirrje në Kaçanik që nëse dikush ka informacione për Agim Idrizin që kam dërgu shqiptarë në burg, le t’i shkruajnë diku, le të mi dërgojnë shënimet cilin shqiptar e kam dërgu në burg dhe kujt i kam lajmëruar ardhjen. Këtu dua ta di dhe a kam qenë polic dhe a kam qenë rojtar i pyllit. Këtë duhet ta bëjnë publike ata në Kaçanik. Se dje menjëherë ma kishin shkruar tradhtar i kombit, marre duhet me iu ardhë, a di kujt i thonë tradhtar i kombit. Më kanë korit, ata ma kanë pru punën të vij këtu. Dikush duhet ta paguajë jetën time se ma kanë shkatërruar. Falënderoj gjykatën që më kanë mundësu me ardhë këtu, sepse unë vetë kam kërkuar, jo gjykata”, ka thënë Idrizi.

    Të gjithë drejtuesit e UÇK-së ishin të pranishëm në sallën e gjyqit, në përjashtim të Jakup Krasniqit.

    Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë, prej nëntorit të vitit 2020.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Kërkohet riformatimi i qeverisë

    Kërkohet riformatimi i qeverisë

    Përgatiti: Nora Luta

    Pak para se të fillojë viti i ri shkollor në Shqipëri, kryeministri Edi Rama ka shkarkuar nga detyra ministren e Arsimit, Evis Kushi.

    Për shkak të performancës jo të mirë dhe siç deklaroi Rama telasheve me drejtësinë, të hënën shkarkoi edhe pesë kolegë të tjerë të Kushit.

    Lëvizja FOL, e cila ka monitoruar punën e Qeverisë në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, po e sugjeron një veprim të tillë edhe në Kosovë.

    Sipas “FOL” një riformatim i Qeverisë është i nevojshëm, sidomos në Ministrinë e Arsimit dhe në atë të Shëndetësisë.

    Sipas Bunjakut, gjatë kësaj periudhe ekzekutivi nuk arriti të përmbushë planin kombëtar të zhvillimit.

    Njohës të punës së Qeverisë thonë se rezultatet gjatë këtij viti kanë munguar në shumë fusha, sidomos në atë arsimit dhe të industrisë e tregtisë.

    Bekim Kabashi, duke përmendur edhe rrëzimin e ligjeve nga Gjykata Kushtetuese, thekson se riformatimi është i domosdoshëm.

    Megjithatë, sipas tij, problemi në mungesën e rezultateve nuk qëndron vetëm të ministrat, por te kreu i Qeverisë.

    Zyra e Kryeministrit nuk ka kthyer një përgjigje nëse Kurti po e shqyrton një riformatim, por ka thënë se për performancën e kabinetit qeveritar kryeministri mban takime të rregullta.

    “Performanca e punës së kabinetit qeveritar është subjekt i vlerësimeve të rregullta të brendshme. Në fund të muajit të kaluar, Kryeministri Kurti kishte zhvilluar një takim intern me kabinetin qeveritar në të cilin ishte diskutuar mbi mbarëvajtjen e projekteve dhe progresin në përmbushjen e planit strategjik-operacional e të programit qeverisës”, tha zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

    Deri tash nga kabineti qeveritar nuk u shkarkuan, por dhanë dorëheqje nga pozitat e tyre, ministri i mbrojtjes Armend Mehaj, dhe ai i shëndetësisë Rifat Latifi.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Kosova pa kapacitete për mirëmbajtjen e dronëve ushtarak

    Kosova pa kapacitete për mirëmbajtjen e dronëve ushtarak

    Përgatiti: Nora Luta

    Konsiderohen si investim më i madh në Forcën e Sigurisë së Kosovës që nga themelimi i saj.

    Por dronët “Bayraktar TB-2”, të blerë nga Turqia, përveç specifikave për përdorimin e tyre, ata në këtë fazë as nuk do të mirëmbahen nga FSK-ja.

    Ministri i ri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, thotë se pjesë e kontratës për blerjen e tyre është edhe trajnimi i stafit dhe mirëmbajtja e pajisjeve, deri në përgatitjen e kapaciteteve vetjake.

    Sipas Maqedoncit, Kosova ka blerë pajisje dhe armatime të tjera të teknologjisë së fundit.

    Maqedonci, në një intervistë për ATV-në, ka thënë se Fondi i Sigurisë do të jetë i përhershëm.

    Por ministri i Mbrojtjes nuk ka treguar kur do të bëhet publik buxheti i mbledhur deri tash, meqë, sipas tij, përgjegjësia bie te Ministria e Financave.

    Ndërkohë, faza e dytë e planit të transformimit të FSK-së në ushtri, sipas Maqedoncit, do të përfundojë në vitin 2025.

    Maqedonci, i cili u emërua në këtë pozitë pas dorëheqjes së Armend Mehajt, ka shtuar se zbehja e raporteve dhe mospajtimet me ndërkombëtarët nuk kanë ndikuar në Ministrinë e Mbrojtjes, duke theksuar mbështetjen që e ka marrë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Maqedonci vizitën e parë zyrtare do ta ketë javën e ardhshme në Shqipëri, ndërsa po gjatë këtij muaji ai do të zhvillojë takime edhe në Britaninë e Madhe.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Nxënësit mësojnë shkronjat me abetare të fotokopjuar

    Nxënësit mësojnë shkronjat me abetare të fotokopjuar

    Përgatiti: Pranvera Krasnqi

    Për herë të parë u ulën në bankat shkollore, por mësimin e shkronjave po e bëjnë me Abetare të fotokopjuar.

    Në bazë të planit mësimor, Mësuesja Durie Zeneli, edhe në ditën e tretë të këtij viti shkollor, mësimin e mbajti me tekste të printuara.

    “Librat mungojnë, po mundemi që përmes fotokopjimit mos me mbetë edhe shumë mbrapa me njësi mësimore kështu në çdo orë, mjaft problematikë”, tha Zeneli.

    Mirëpo veç mësimit të shkronjave, nxënësit e klasës së parë në shkollën “Mihal Grameno” në Fushë-Kosovë, edhe tekstet e tjera shkollore i kanë aktualisht të fotokopjuara.

    “Po duhet kësisoj të vazhdojmë pasi nuk kemi zgjidhje tjetër deri në kompletimin e librave nga prindërit për fëmijët e tyre” , tha Zeneli.

    Me këtë metodë alternative nuk janë të kënaqur aspak prindërit.

    “Fotot pa ngjyra, normalisht që nuk është njësoj, ka me qenë shumë vështirë se munden t’i kuptojnë gjërat mirë përmes fotografive pa ngjyra”, tha Arta Mulolli, prind.

    “Na kanë shtuar ngarkesën sa i përket librave, shumë sfidë për prindërit…”, tha Ganimete Abazi, prind.

    Përveç shkollave në Fushë-Kosovë, librat po fotokopjohen edhe në komunat e tjera, siç është ajo e Vushtrrisë.

    Ndërkaq, prindërit që arritën të aplikojnë në platformën E-Kosova, do të subvencionohen nga Qeveria me nga 50 euro për libra dhe 30 euro për materiale të tjera shkollore.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Presidentja Osmani nderohet me titullin “Patroni i kalasë” në Berat

    Presidentja Osmani nderohet me titullin “Patroni i kalasë” në Berat

    Përgatiti: Nexhmie Hyseni

    Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, i është ndarë titulli “Patroni i Kalasë” në qytetin e Beratit, në ditën e dytë të vizitës në Shqipëri.

    Ky titull që u jepet personaliteteve të shquara që vizitojnë dhe kontribuojnë me veprimtarinë e tyre në dobi të qytetit.

    Osmani ka vizituar edhe Kishën e Shën Mërisë e Muzeun e Onufrit. Ndërsa, mori pjesë edhe në hapjen e ekspozitës në oborrin e Pallatit Presidencial për nder të Nënës Terezë, në përvjetorin e vdekjes së saj.

    Presidentja tha se Nënë Tereza vazhdon të mbetet frymëzim për të gjitha gjeneratat.

    “Puna e saj dhe përkushtimi i palëkundur ndaj të varfërve dhe shërbimi i saj vetëmohues në funksion të së mirës për gjithë njerëzimin kanë lënë gjurmë të pashlyeshme kudo në botë. Kjo ekspozitë me dokumente arkivore nga jeta”, tha Osmani.

    Derisa Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, tha se veprat e Nënë Terezës vazhdojnë të frymëzojnë brezat e reja.

    “Jeta e Nënë Terezës ishte një dëshmi për fuqinë e pakufizuar, përkushtimi i saj i pandalshëm për t’i ndihmuar më të dobëtit mes nesh shërben si një shembull i potencialit të njerëzimit për të bërë më të mirën. Kjo ekspozitë shërben si një kujtim për ndryshimin e madh, si një individ i vetëm mund të bëjë kur udhëhiqet nga dashuria dhe një ndjenjë e thellë mirësie”, tha Begaj.

    Presidentja Vjosa Osmani vizitoi Shqipërinë me ftesë të homologut të saj Bajram Begaj, me ç’rast zhvilloi takime me liderët shtetërorë.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Behrami: Javën e ardhshme do të vijë një delegacion nga SHBA, do të flasë me Kurtin në gjuhën që ky e kupton

    Behrami: Javën e ardhshme do të vijë një delegacion nga SHBA, do të flasë me Kurtin në gjuhën që ky e kupton

    Analisti politik, Artan Behrami, në emisionin CONTEXT në ATV, tregoi se javën e ardhshme në Kosovë do të vijë një delegacion nga NSA, nga zyra e presidentit Bajden, që merret ekskluzivisht me siguri.

    Ai tha se edhe figura tjera të larta të SHBA-së kanë vizituar Kosovën kohëve të fundit, por që nuk janë bërë publike, pasi që këta të fundit nuk kanë pranuar të dalin në konferencë për shtyp.

    “Diplomatët në Amerikë kanë hek dorë prej Kosovës. Tash është çështje e sigurisë. Pra, në Kosovë këto ditë, nëse jo këtë javë, javën e ardhshme do të vijë një delegacion nga NSA, nga zyra e presidentit Bajden, që merret ekskluzivisht me siguri, ishte një kongresmen, i cili nuk e takoi fare Albin Kuçin dhe nuk u bë lajm në Kosovë, erdh një kongresmen i cili po ashtu merret me siguri, i cili është përgjegjës po ashtu me fut edhe nën sanksione individë edhe personalitete të ndryshme, i cili kur erdh në Kosovë, presidenti Osmani dëshiroi me ia organizu një konferencë për media, sikur asgjë nuk ka ndodhë në marrëdhëniet Kosovë-SHBA, por ai refuzoi dhe nuk pat konferencë të përbashkët për media”, tha Behrami.

    Ai tha se delegacioni që pritet të viujë javën e ardhshme në Kosovë, do të flaës me kryeministrin në gjuhën që ky e kupton, pra atë të kërcënimit.

    “Pra, do ta kemi një delegacion dhe do të flet një delegacion që merr me siguri dhe do të flet një gjuhë të cilën Kryeministri e kupton dhe ajo është gjuha e kërcënimit. Ai për ca një tjera nuk merr vesh. Po ashtu ka funksionu deri sot. Ju e keni domethënë shembullin e targave. E çoi domethënë durimin e amerikanëve deri në pikëpërmbysje, derisa u dash me thirrë dikush edhe me folë me tonë dikun të atyre Taksas me tonë të kaubojve për me për me kuptu ky seriozitetin e çështjes së Veriut. Pra, nuk mundet Albin Kuçi e as ‘Bisla’ me shku edhe me kontrollu Veriun vetë pa Amerikën”, u shpreh Behrami. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Kurti ftohet të dëshmojë në rastin e të dyshuarit për krime lufte

    Kurti ftohet të dëshmojë në rastin e të dyshuarit për krime lufte

    Përgatiti: Nora Luta

    Prokuroria Speciale e Kosovës e ka aprovuar kërkesën e mbrojtjes së të dyshuarit për krime lufte, Dragisha Millenkovic, që kryeministri Albin Kurti të intervistohet në cilësinë e dëshmitarit.

    Avokati Dejan Vasic të martën e njoftoi zyrtarisht Kurtin, madje ia dorëzoi edhe pyetjet që planifikon t’ia parashtrojë.

    Ndërsa i gjithë procesi, sipas tij, mund të zgjasë më pak se një orë.

    “Meqë, prokuroria ka aprovuar kërkesën për dëgjim të kryeministrit Albin Kurti në cilësinë e dëshmitarit, sot e kam dorëzuar një kërkesë të re përmes së cilës e kam njoftuar kryeministrin që prokurori special e ka miratuar kërkesën që të ftohet si dëshmitar, dhe i kam lënë të dhënat e mia, nëse ka nevojë që unë të takohem me kryeministrin për përmbajtjen e dëshmisë së tij. I kam dorëzuar edhe pyetjet që për mua janë të rëndësishme për të marrë përgjigje nga dëshmitari, dhe mendoj që intervistimi do të mund të zgjasë rreth 15 minuta”, tha Vasic.

    Avokati i të dyshuarit për krime lufte në burgun e Prishtinës dhe në atë të Lipjanit pret që Kurti t’i përgjigjet pozitivisht ftesës për të dëshmuar rreth ngjarjeve që pretendon se lidhen me klientin e tij.

    “Nuk kemi marrë përgjigje deri tash, ka qenë koha e pushimeve dhe me gjasë kryeministri nuk ka qenë në dispozicion, por pres të marrim përgjigje në këtë, pasi është çështje urgjente, ka të bëjë me çështjen e paraburgimit të të dyshuarit”, tha Vasic.

    Sipas avokatit Dejan Vasic, Kurti si i burgosur në atë periudhë mund të dëshmojë për pafajësinë e Dragisha Millenkovicit, i cili u arrestua në qershor të këtij viti, dhe dyshohet se gjatë luftës, në cilësinë e personit zyrtar në burgun e Prishtinës dhe në atë të Lipjanit, ka kryer krime lufte ndaj popullatës civile.

    Zyra e Kryeministrit nuk ka konfirmuar gjatë ditës se si do të veprojë kryeministri Kurti në këtë rast, i cili gjatë muajit kishte thënë për televizionin që për çdo kërkesë zyrtare, Prokuroria si dhe mbrojtja do të marrin përgjigje.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: