ATV

Category: Lajme

  • ​Konfiskohen 1.5 ton ilaçe ilegale në aeroportin e Brukselit

    ​Konfiskohen 1.5 ton ilaçe ilegale në aeroportin e Brukselit

    Belgjika ka konfiskuar më shumë se 1.6 milionë tableta të barabarta me 1.5 ton ilaçe ilegale në aeroportin e Brukselit, thanë autoritetet të mërkurën.

    Konfiskimi, që është një nga konfiskimet më të mëdha në BE në vitet e fundit, u krye më 14 korrik në një ngarkesë me fara liri në aeroportin e Brukselit, i njohur gjithashtu si aeroporti Zaventem, tha në një deklaratë Agjencia Federale për Barnat dhe Produktet Shëndetësore.

    Ilaçet u gjetën pas një inspektimi nga Agjencia Federale për Sigurinë e Zinxhirit Ushqimor në bashkëpunim me njësinë e hetimit special të agjencisë së mjekësisë dhe doganat, raporton AA.

    Ilaçet ilegale përfshijnë Careforce-100, Cobra-120, Pregacare-300 dhe Artvigil-150, që përmbajnë përbërësit aktivë pregabalin, armodafinil dhe pregabalin.

    Njësia speciale e hetimit nisi një hetim për barnat, duke paralajmëruar se përdorimi i barnave ilegale përbën rrezik serioz për shëndetin.

  • ​Stuhia Daniel: Dy të vdekur dhe tre të zhdukur

    ​Stuhia Daniel: Dy të vdekur dhe tre të zhdukur

    Dy persona humbën jetën gjatë stuhisë Daniel që përfshiu Greqinë të martën.

    Sipas Brigadës së Zjarrfikësve, një grua 87-vjeçare e zhdukur nga dita e djeshme në zonën e Paltsi, rajoni i Magnezisë, është gjetur në një grumbull me dru, ndërsa 8 zjarrfikës kanë arritur të nxjerrin trupin e saj.

    Të martën, një 51-vjeçar humbi jetën si pasojë e rënies së një muri, për shkak të sasisë së madhe të ujit, raporton ANA-MPA.

    Po ashtu, Brigada e Zjarrfikëses tha se ka informacione për dy persona të zhdukur në fshatin Paltsi.

    Një tjetër person, një 42-vjeçar, i cili u përfshi nga vërshimi i ujërave në përroin Aghia Ekaterini të Volos është gjithashtu i zhdukur.

    Është pezulluar qarkullimi në autostradën Athinë-Selanik nga Nikea, Larisa deri në kufijtë e rajonit të Magnezisë për shkak të kushteve ekstreme të motit dhe përmbytjeve që kanë mbuluar rrugën.

    Drejtoria e Policisë së Qarkut Thesalisë njoftoi se do të ndërpritet qarkullimi për të gjitha mjetet në të dy drejtimet.

  • Çitaku: Kurti duhet t`i vizitojë ish-krerët e UÇK-së në Hagë dhe të mësojë nga ta

    Çitaku: Kurti duhet t`i vizitojë ish-krerët e UÇK-së në Hagë dhe të mësojë nga ta

    Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duhet të shkojë dhe t`i vizitojë ish-krerët e UÇK-së në Hagë.

    Në një intervistë për gazetën Nacionale, ajo ka thënë se gjatë kësaj vizite ai duhet të mësojë nga Thaçi dhe të tjerët, të cilët po gjykohen nga Gjykata Speciale.

    Ajo i ka kritikuar videot e VV-së, të cilat kanë për synim ta kritikojnë punën e ish-presidentit të Kosovës.

    “Presidenti Thaçi në intervistën e tij, kur flet për Kosovën dhe aleatët, e thotë që falënderimi më i madh për mbështetësit e Kosovës është suksesi ynë. Edi Rama e ka bërë Shqipërinë pikë referente në turizëm, kulturë, art. Përtej kësaj, Edi ka vendosur ta marrë mbi supe një betejë jo të lehtë e me shumë kokëçarje për të, mbrojtjen publike dhe diplomatike të luftës së UÇK-së. Kryeministri Kurti jo vetëm që nuk i ka vizituar, po në videot e VV vazhdon ta përgojojë Presidentin Thaçi, ndonëse ai nuk është këtu për t’i dhënë përgjigje. Kryeministri duhet të shkojë në Hagë, t’i takojë, e që besa edhe të mësojë nga ata”, ka thënë Çitaku.

  • 35,6 milionë euro dëme u paguan vetëm për 6 muaj

    35,6 milionë euro dëme u paguan vetëm për 6 muaj

    Gjatë periudhës janar-qershor 2023 kompanitë e sigurimeve si dhe Byroja Kosovare e Sigurimit në emër të dëmeve për palët e dëmtuara kanë paguar hiç më pakë se 35,6 milionë euro, nga 27,8 sa ishte gjatë periudhës së njëjtë të vitit paraprak. Krahasuar me përqindja, pagesa e dëmeve gjatë periudhës janar-qershor 2023 me periudhën e njëjtë të vitit paraprak është rrit për më shume se 28 %

    Pagesë rekorde e dëmeve për palë të dëmtuara ka ndodh gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti nga kompanitë e sigurimeve, por edhe nga Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS). Viteve të fundit si trajtimi i dëmeve, ashtu edhe kompensimi i tyre është duke u bërë në një afat rekord. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës shihet se vetëm gjatë kësaj periudhe janë paguar hiç më pakë se pakë se 35,6 milionë euro, nga 27,8 milionë euro sa ishte gjatë periudhës së njëjtë të vitit paraprak. Krahasuar me përqindja, pagesa e dëmeve gjatë periudhës janar-qershor 2023 me periudhën e njëjtë të vitit paraprak është rrit për më shumë se 28 %. Valon Berisha, drejtor Financiar në Byronë Kosovare të Sigurimit (BKS) tregon për iSIGURIME se pagesa e dëmeve është duke u bere në afat të shpejt kohor. Më tutje drejtori Berisha ka treguar se asnjëherë më parë, si trajtimi i dëmeve, ashtu edhe kompensimi po behet shumë shpejt. “Siç e kam thënë edhe më herët me ardhjen e menaxhmentit të ri trajtimi i dëmeve dhe kompensimit në BKS behet në afat kohore rekorde. Një gjë e tillë po ndodh edhe nëpër kompani të sigurimit, ku trajtimi dhe kompensimi po behën shumë shpejt. Çdo ditë numri i lendeve që shkojnë në gjykatë nga palët e pakënaqura është duke rënë në masë të madhe” ka thënë më tutje drejtori Berisha.

    Pagesa në katër vitet e fundit

    Gjithnjë bazuar në të dhëna zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës shihet se deri në muajin qershor të këtij viti kompanitë e sigurimeve si dhe BKS-ja në emër të pagesës së dëmeve për palët e dëmtuara kanë paguara hiç më pakë se 35.6 milionë euro, nga 27,8 sa ishte në periudhën e njëjtë të vitit paraprak. PO ashtu, bazuar gjithnjë në të dhëna zyrtare shihet se gjatë periudhës janart-qershor të vitit 2021 në emër të dëmeve janë paguar 21,6 milionë euro, deri sa në periudhën janar-qershor 2020 në emër të pagesës së dëmeve për palët e dëmtuara janë paguar 21 milionë euro.

  • Lista Serbe: Institucionet serbe nuk do të largohen nga zyrat në Mitrovicë të Veriut

    Lista Serbe: Institucionet serbe nuk do të largohen nga zyrat në Mitrovicë të Veriut

    Lista Serbe njoftoi se katër institucionet serbe nuk do të largohen nga objekti në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut, që sipas autoriteteve lokale i përket kësaj komune.

    Komuna e Mitrovicës së Veriut ka dhënë afat që deri më 8 shtator Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Drejtoria e Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor, Qarku Administrativ i Mitrovicës së Kosovës dhe Qendra për Punë Sociale nga Vushtrria të largohen nga objekti. Këto institucione prej kohësh përdorin këtë ndërtesë komunale.

    “Duke pasur parasysh synimin e Prishtinës që me çdo kusht të vazhdojë me përshkallëzimin e situatës në terren dhe të pushtojë objektin në Mitrovicës, duam t’iu njoftojmë publikisht se refuzojmë ultimatumin e regjimit në Prishtinë për lëshimin e zyrave tona dhe kërkojmë që kjo çështje të zgjidhet në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës që ndërmjetësohet nga BE-ja dhe në kuadër të themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, siç parashihet në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015”, u tha në njoftimin e Listë Serbe.

    Kjo parti – që është partia më e madhe e serbëve të Kosovës dhe gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – tha po ashtu se institucionet që gjenden në objektin komunal ofrojnë shërbime për të gjithë qytetarët, pa dallim të etnisë.

    “Përndjekja dhe pushtimi me forcë i kësaj ndërtese do të kërcënonte ushtrimin e të drejtave të njeriut për dhjetëra mijëra persona, si në fushën e sigurimeve pensionale dhe invalidore ashtu edhe atë të mbrojtjes sociale të shtresave më të rrezikuara të shoqërisë”, tha kjo parti.

    Ajo i bëri thirrje faktorit ndërkombëtar “që të parandalojë” autoritetet e Kosovës, që siç tha, “të përshkallëzojnë situatën duke shkaktuar tensione shtesë që mund të kenë pasoja të paparashikueshme në terren”.

    Aksioni për largimin e institucioneve të Serbisë nga objekti komunal në Mitrovicë të Veriut ishte paraparë të zhvillohej më 25 gusht, por u shty për dy javë.

    Paraprakisht, inspektorati komunal u kishte dërguar këtyre institucioneve një paralajmërim që të lironin zyrat pasi ato nuk kishin dorëzuar dokumente apo kontrata për të dëshmuar se kanë leje ta shfrytëzojnë objektin.

    Autoritetet në Mitrovicë të Veriut kanë thënë se objekti është pronë e tyre dhe se ai duhet të lirohet për shkak të disa “punimeve”. Por, në një deklarim të mëhershëm për Radion Evropa e Lirë, ato nuk specifikuan se për çfarë lloj punimesh bëhet fjalë.

    Më 23 gusht, Ambasada amerikane në Prishtinë kishte kërkuar nga autoritet e Kosovës që “të përmbahen nga ndërmarrja e çfarëdo veprimi që mund t’i rrisë tensionet”.

    Mitrovica e Veriut gjendet në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe. Tensionet në veri janë rritur që nga fundi i majit, pasi serbët lokalë po kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë.

    Udhëheqësit e rinj komunalë u zgjodhën në prill, në votimet që u bojkotuan nga popullata serbe.

    Pas rritje së tensioneve, Qeveria e Kosovës u pajtua në korrik që të ndërmerrte hapa drejt shtensionimit të plotë të situatës. Një ndër hapat për të cilat u pajtuan Prishtina dhe Brukseli parasheh edhe krijimin e bazës ligjore që do të mundësonte mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri.

    Në këtë kuadër, më 5 shtator u publikua udhëzimi i ri administrativ që mundëson largimin e kryetarëve të komunave përmes një peticioni./REL/

  • Kurti merr pjesë në samitin global të ‘’Open Government Partnership’’, fillon rrugëtimi i Kosovës si anëtarja më e re

    Kurti merr pjesë në samitin global të ‘’Open Government Partnership’’, fillon rrugëtimi i Kosovës si anëtarja më e re

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Samitin Global të tetë të Partneritet për Qeveri të Hapur (Open Government Partnership).

    Në adresimin e tij, në sesionin hapës të samitit që këtë vit po organizohet nga Qeveria e Estonisë, duke iu drejtuar pjesëmarrësve, përfaqësues të shteteve anëtare, aktivistë të shoqërisë civile dhe mysafirë të ftuar, ai tha që ndjehet i nderuar që është në mesin e tyre sot, e veçanërisht krejt në fillim të rrugëtimit të Kosovës si anëtarja më e re e kësaj organizate ndërkombëtare.

    “Për Kosovën, anëtarësimi dhe pjesëmarrja në OGP paraqet një mundësi për të përmirësuar standardet tona të transparencës, pasi që inkurajon qeverinë të jetë më e hapur për aktivitetet e saj dhe proceset vendimmarrëse dhe po ashtu rrit besimin e publikut”, u shpreh kryeministri.

    “Të qenit pjesë e organizatës e vendosë Kosovën në skenën ndërkombëtare si një vend i përkushtuar ndaj parimeve të hapura të qeverisë, ndaj praktikave të mira të qeverisjes dhe është e gatshme të mbahet përgjegjëse për angazhimet e saj dhe të mësojë nga ata që kanë përmirësuar praktikat e qeverisjes së hapur”, shtoi kryeministri në adresimin e tij.

    Gjithashtu, kryeministri foli edhe rrezikun me të cilin ballafaqohet çdo vend nga kërcënimet kibernetike. Ai veçoi rreziqet me të cilat ballafaqohet Kosova nga aleatët e Rusisë, të cilët përpiqen që të shtrembërojnë të vërtetën, të kaluarën dhe të tashmen.

    “Në situata të ndjeshme, kur vendi ynë angazhohet në procesin e lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, si dhe pjesëmarrjen e plotë të të gjitha pakicave në proceset demokratike të vendit pa ndërhyrje të huaja, kërcënimet kibernetike të llojit të dezinformimit, ngacmimi kibernetik dhe forma të tjera janë veçanërisht të dëmshme”, theksoi Kurti.

    Prandaj, kjo është arsyeja pse angazhimi dhe pjesëmarrja jonë në këtë ngjarje janë më të rëndësishme se kurrë dhe se mezi presim të mësojmë nga të gjithë ju dhe me të gjithë ju, për një demokraci digjitale më të fortë për qytetarët tanë, tha kryeministri Kurti në përfundim të fjalës së tij.

    Në Tallinn të Estonisë, kryeministri Kurti është shoqëruar nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti. Republika e Kosovës u anëtarësua në Partneritetit për Qeveri të Hapur në muajin gusht. Ajo është tash në mesin e 75 vendeve anëtare. Samiti i sivjetmë i OGP-së po organizohet nga Qeveria e Estonisë. Përveç Kryeministrit Kurtit, pjesëmarrësve iu drejtuan edhe Kryeministrja estoneze Kaja Kallas, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, Kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal, Presdenti i Malawit, Lazarus Chakwera, Presidenti i Republikës Domenikane, Luis Abinader dhe Sekretari i OGP, Sanjay Pradhan.

  • I dyshuari për vrasjen në Prizren: Ishte e momentit, ata na sulmuan mua dhe kerrin

    I dyshuari për vrasjen në Prizren: Ishte e momentit, ata na sulmuan mua dhe kerrin

    Në Gjykatën Themelore në Prizren, të mërkurën, në seancën dëgjimore Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin Aziz Gashi, i cili po dyshohet për vrasjen e 48-vjeçarit në Prizren, derisa i dyshuari ka shprehur keqardhje për rastin që ka ndodhur.

    “Me vjen keq ajo çka ka ndodhur se nuk e kisha bo, po se ajo është gjatë momentit, por është problemi se ata më kanë sulmuar edhe mua edhe kerrin, nuk i kam sulmu unë. Që 10 vjet kam probleme me ta, ma shumë 5-6 vjet…unë jam sulmuar nga tre persona, ma poshtë ata jetojnë. Dashta me thanë se m’vjen keq qajo që ka ndodh se nuk e kisha bo, për shembull mu kanë në gjendje të qetë ose në gjendje të rregullt”, ka thënë i dyshuari Gashi.

    Paraprakisht, prokurorja Ervehe Gashi pas leximit të kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit tha se qëndron në tërësi pranë së njëjtës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Prokurorja Gashi tha se duke pasur parasysh se në këtë çështje penale sapo kanë filluar hetimet dhe se i njëjti ende nuk është marrë në pyetje pranë Prokurorit të Shtetit, për të sqaruar dhe zbardhur gjendjen faktike të kësaj çështjeje penale.

    Po ashtu, prokurorja tha se në Polici i dyshuari ka thënë se ka vendosur të mbrohet në heshtje, andaj me lënien në liri i njëjtit mund të ndikojë në deklarimet e dëshmitarëve, të dëmtuarve si dhe të dyshuarve të tjerë që i kanë ndihmuar pas kryerjes së veprës penale për t’u fshehur dhe për t’i fshehur provat materiale.

    Tutje, ajo tha se i dyshuari Gashi nuk mund të mbrohet në liri duke marrë parasysh shkallën e përgjegjësisë dhe peshën e veprave penale, pasi që bëhet fjalë për veprën penale të vrasjes së rëndë dhe armëmbajtje pa leje, për të cilat vepra penale, sidomos për veprën e parë penale parashihet dënim kapital, faktin se kjo vepër penale ka tronditur tërë opinionin publik dhe se vepra është kryer para anëtarëve të ngushtë të familjes dhe ka sjellë frikë te qytetarët e Kosovës.

    Nga të gjitha këto rrethana, Gashi tha se nëse i njëjti lejohet të mbrohet në liri, do të mundë të përsëritë vepra penale të këtilla ose vepra të reja penale.

    Në fund, prokurorja Gashi tha se janë plotësuar kushtet ligjore nga Kodi i Procedurës Penale për caktimin e masës së paraburgimit.

    Ajo theksoi se ka analizuar të gjitha masat alternative për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë dhe të gjitha provat, por se masa e paraburgimit është masa me të cilën sipas saj do të bëhet hetimi i papenguar në këtë çështje penale.

    Kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, nuk e ka kundërshtuar mbrojtësja e të dyshuarit Gashi, avokatja Drenusha Berisha.

    Masën e paraburgimit, e njëjta e ka cilësuar si masë mbrojtëse dhe siguruese për të mbrojturin e saj, me arsyetimin se gjatë konsultimit me të dyshuarin Gashi, i njëjti ka pohuar se tash e sa vite është në gjendje të rënduar psikike për të cilën tha se ekzistojnë edhe raporte nga mjeku.

    Berisha tha se do të sigurojnë raportin psikiatrik dhe se të njëjtin do t’ia dorëzojë gjykatës dhe ka kërkuar që ndaj të dyshuarit Gashi të bëhet ekzaminimi psikiatrik, pastaj të mund të deklarohet rreth përgjegjësisë dhe peshës së fajit të tij.

    Me qëndrimet e mbrojtëses së tij, është pajtuar i dyshuari Gashi.

    Pas kësaj, gjykatësja e procedurës paraprake, Teuta Krusha tha se lidhur me kërkesën e Prokurorisë dhe pretendimet e palëve, do të vendosë me aktvendim të veçantë.

    Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 5 shtator 2023, ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prizren kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin Aziz Gashi.

    Gashi po dyshohet për veprat penale “Vrasje e rëndë”, nga Neni 137 dhe “Mbajtja në pronësi, në kontroll ose në posedim të paautorizuar të armëve”, nga Neni 366, par. 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Në kërkesë thuhet se i dyshuari Aziz Gashi, më 2 shtator 2023, rreth orës 18:45, në Prizren, në lagjen “Arbanë”, privon nga jeta personin tjetër dhe me atë rast me dashje e vë në rrezik jetën e më shumë personave, në atë mënyrë që pas një zënke të çastit që kishte ndodhur disa minuta më parë në mes të të pandehurit dhe viktimës, i pandehuri Aziz me automjetin e tij niset në drejtimin e shtëpisë së tij nga ku e merr armën e gjatë “AK-47”, hip në automjet dhe niset në drejtimin e viktimës, kur vjen në vendin e ngjarjes e vëren viktimën Beqir Morina, i cili ishte duke ecur në shoqëri me të dëmtuarit H.M. (bashkëshortja e viktimës), A.M. (vajza tetë vjeçare e viktimës), R.M dhe H.Sh.

    Tutje thuhet se, Gashi u del përballë me automjet, i pajisur me pushkë automatike AK-47, zbret nga automjeti, shkrep 2-3 herë në drejtim të viktimës B.M, me ç’rast të njëjtin e godet në regjionin e barkut ndërsa të dëmtuarve, nga goditjet e marra viktima rrëzohet në tokë, i pandehuri i afrohet viktimës ia drejton armën në kokë dhe e ekzekuton duke shkrepur një rafal prej dhjetë plumbave në drejtim të kokës së viktimës me ç’rast e godet të njëjtin në kokë, viktima nga plagët e marra ndërron jetë në vendin e ngjarjes.

    Po ashtu, në kërkesë thuhet se të dëmtuarat H. dhe A.M., gjatë tërë kohës kanë qëndruar afër viktimës, ndërsa i dëmtuari R.M., arrin të fshihet prapa një muri në afërsinë e vendit të ngjarjes, e i dëmtuari H.Sh., fshihet prapa automjetit të të pandehurit, i pandehuri largohet në drejtim të automjetit të tij, ku e vëren të dëmtuarin H.Sh., ia drejton armën, e në momentin kur i dëmtuari i drejtohet me fjalë se “unë nuk kam bërë asgjë, vetëm ju kam ndarë”, i thotë që të largohet nga aty, hip në automjetin e tij të llojit “Volkswagen Tiguan”, largohet nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur, e me këtë rast të dëmtuarve H.M, A.M, R.M. dhe H.Sh., ua rrezikon jetën.

    Për këto veprime, Gashi po dyshohet se ka kryer veprën penale të “Vrasjes së rëndë” nga neni 173, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Sipas Prokurorisë, Gashi po dyshohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, në kontroll ose në posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 i Kodit Penal, pasi më 4 shtator 2023 në Prizren në shtëpinë e tij e cila gjendet në rr.”Fetah Sylejmani”, në lagjen “Arbana”, gjendet arma në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm lidhur me armët dhe atë pushkë automatike AK-47, së bashku me dy karikatorë të mbushur me fishekë, e me të cilën armë dyshohet se e ka privuar nga jeta B.M dhe me dashje u ka rrezikuar jetën të dëmtuarve H.M., A.M., R.M dhe H.Sh., e të cilën policia e ka gjetur, gjatë kontrollit të shtëpisë ku ishte fshehur i pandehuri në fshatin Tërpezë, komuna e Malishevës.

    Sipas arsyetimit të kërkesës së Prokurorisë, janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për caktimin e masë së paraburgimit ndaj të pandehurit Gashi.

    Ndryshe, Policia më 4 shtator 2023 konfirmoi për arrestimin e të dyshuarit.

    Në njoftimin e Policisë, thuhej se nga ana e njësiteve policore përgjegjëse janë ndërmarre të gjitha veprimet e duhura procedurale, hetimore e ligjore. Sipas Policisë, kanë vazhduar veprimet operative- hetimore për të lokalizuar dhe arrestuar të dyshuarin e rastit të vrasjes.

    “Gjatë ditës së sotme me urdhër të Prokurorit dhe me autorizim të Gjykatës Themelore në Prizren, është bastisë një lokacion në Malishevë ku është dyshuar se mund të gjendet I dyshuari, në atë lokacion nuk është gjet i dyshuari por është gjet një armë-pushkë automatike që dyshohet se është përdor në rastin e krimit, në lokacionin e njëjtë janë gjet edhe disa sendet personale të dyshuarit”, thuhej në njoftim.

    Tutje thuhet se veprimet operative-hetimore kanë vazhduar duke kontrolluar lokacione të ndryshme, kryesisht në rrethinën e Malishevës. Policia njoftoi se në operacion për kërkimin e të dyshuarit përveç Sektorit të Hetimeve të Drejtorisë të Policisë në Prizren kanë asistuar edhe Drejtoria Rajonale e Policisë së Gjakovës/Stacioni Policor Malishevë dhe njësi të tjera nga Drejtoria e përgjithshme.

    “Me vonë në orët e mbrëmjes nga Hetuesit e Rajonale dhe Njësia e Reagimit të Shpejt të Drejtorisë Rajonale të Prizrenit, në fshatin Tërpezë të Malishevës, është lokalizuar dhe është arrestuar I dyshuari Aziz Gashi, për të cilin me herët nëpërmes mediave është informuar publiku se është në kërkim nga policia”, thuhej në njoftim.

    Pas intervistimit, thuhej se i dyshuari me vendim të prokurorit kujdestar u ndalua për 48 orë, ndërsa policia me autorizim të prokurorit të rastit vazhdon mbledhjen e provave dhe dëshmive.

    Ndryshe, prokurorja Ervehe Gashi më 4 shtator 2023 kishte treguar për veprimet të cilat i ka ndërmarrë, ku tha se janë kryer dy bastisje si dhe veprime të tjera për identifikimin dhe gjetjen e të dyshuarit.

    “Po, për të dyshuarin A.G, mbrëmë i kemi bërë dy bastisje nuk kemi mujt me gjet, i kemi dërgu nëpër pika kufitare informata te kerrit edhe informata te personit të dyshuar dhe automjetit , i kemi dërguar të dhënat personale në Aeroportin “Adem Jashari”, deklaroi ajo, duke shtuar se lidhur me identifikimin e të dyshuarit do të lëshohet urdhëresë për publikimin e fotos së tij.

    “Sot në mëngjes e kam lëshu urdhëresën për autopsi tash po shkoj me lshu urdhëresën për publikimin e fotos së tij”, kishte thënë prokurorja Gashi.

    Ndryshe, sipas raportit 24-orësh të Policisë, dyshohet se i dyshuari ka shtënë me pushkë automatike në drejtim të viktimës nga automjeti në lëvizje dhe ka ikur nga vendi i ngjarjes. Aty thuhet se i dyshuari dhe viktima kishin pasur një mosmarrëveshje, e cila kishte sjellë deri tek rasti tragjik.

  • Zyrtari i “Human Rights Watch” vazhdon dëshminë në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Zyrtari i “Human Rights Watch” vazhdon dëshminë në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, po vazhdon edhe të mërkurën dëshminë Frederick Abrahams, nga OJQ-ja ndërkombëtare “Human Rights Watch”.

    Abrahams është në cilësi të dëshmitarit të 22-të në këtë çështje, i cili dëshminë e ka filluar ditën e djeshme, duke u përgjigjur pyetjeve të prokurorit të specializuar Alan Tieger, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Ndryshe, dëshmia e tij është paraparë të zgjasë katër ditë dhe atë Prokuroria ka planifikuar dy orë dhe ekipet mbrojtëse 16 orë për marrjen në pyetje të tij.

    Seanca po vazhdon në sesion publik.

    Gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.

    Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.

    Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill, 12 prill, 13 prill dhe më 17 prill.

    Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë, kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt, dëshmia e të cilit përfundoi më 17 maj.

    Tutje, dëshmitari i pestë ka filluar dëshminë më 17 maj dhe e përfundoi më 22 maj, ku filloi dëshminë dëshmitari i gjashtë i cili përfundoi dëshminë më 23 maj, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e shtatë.

    Kurse, më 12 qershor ka filluar dëshminë e tij dëshmitari i tetë, i cili përfundoi dëshminë e tij më 14 qershor, ndërkaq me 15 qershor ka përfunduar dëshmia e dëshmitarit i nëntë.

    Më 19 qershor ka përfunduar dëshminë dëshmitari i dhjetë, në ditën ku ka filluar dëshminë dëshmitari i 11-të i cili e ka përfunduar dëshminë e tij më 20 qershor. E më 10 korrik ka filluar dëshminë dëshmitari i 12-të, i cili ka përfunduar dëshminë më 11 korrik, në seancën ku ka filluar dëshminë Rrustem Mustafa, ish-komandat i zonës operative të Llapit.

    Mustafa ka vazhduar dhënien e dëshminë së tij në seancën e 12, 13, 14, 17 dhe 18 korrikut.

    Ndërsa dëshmitari i 14-të me radhë, Francis Ladwidge, oficeri britanez që shërbeu në Kosovë filloi dëshminë po më 18 korrik dhe e mbaroi më 19 korrik, ku nisi dëshminë dëshmitari i 15-të, i cili e përfundoi më 20 korrik.

    Kurse, më 14 gusht filloi dhënien e dëshmisë dëshmitari i 16-të, e që e përfundoi më 16 gusht dhe më 17 gusht përfundoi dëshminë dëshmitarja e 17, Dragica Bozhaniq.

    E dëshmia e dëshmitarit të 18-të ka filluar më 28 gusht dhe ka mbaruar më 29 gusht, në ditën kur filloi dëshminë dëshmitari i 19-të, i cili përfundoi dëshminë më 30 gusht.

    Më 4 shtator përfundoi në të njëjtën ditë dëshminë dëshmitari i 20-të, kurse pa masa mbrojtëse, dëshmitari i 21-të, Agim Idrizi filloi të dëshmojë, i cili përfundoi dëshminë më 5 shtator, ku edhe filloi dëshmia e zyrtarit nga organizata ndërkombëtare “Human Rights Watch”, të Frederick Abrahams.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Kurti në 24-vjetorin e Policisë: Në qeverisjen tonë u shkatërruan 100 grupe kriminale dhe u konfiskuan mbi 2200 kg drogë

    Kurti në 24-vjetorin e Policisë: Në qeverisjen tonë u shkatërruan 100 grupe kriminale dhe u konfiskuan mbi 2200 kg drogë

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar me rastin e 24-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës.

    Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti ka thënë se që nga gjenerata e parë policore, Policia ka shërbyer për të gjithë qytetarët duke mbrojtur jetën dhe pronën e tyre dhe duke ruajtur sovranitetin e vendit.

    Tutje kreu i ekzekutivit ka përmendur edhe sukseset e Policisë nën qeverisjen e tij, duke thënë se janë realizuar mbi 1 mijë e 100 operacione, janë shkatërruar 100 grupe kriminale dhe 16 laboratorë droge dhe janë konfiskuar 2 mijë e 200 substancë narkotike.

    “Si Qeveri e Republikës së Kosovës jemi zotuar për luftim të krimit, korrupsionit dhe çdo ilegaliteti që cënon sigurinë e vendit tonë e të qytetarëve tanë dhe jam mirënjohës që në këtë rrugëtim prej më shumë se dy vitesh, kemi arritur suksese falë zyrtarëve policor të përkushtuar e profesional në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Mbi 1100 operacione të realizuara, 100 grupe kriminale të shkatërruara, mbi 2.200 kg substance narkotike të konfiskuara, 16 laboratorë të drogës të shkatërruar, janë suksese që Policinë e Kosovës e kanë renditur ndër institucionet më të besueshme për qytetarët tanë ndërsa Republikën tonë e kanë ngritur në listat e shteteve serioze e të përkushtuara për luftimin e kriminalitetit”, shkroi Kurti.

    Postimi i plotë i tij:

    Policia e Kosovës sot shënon 24 vjetorin e themelimit të saj. “24 vite në shërbim dhe në mbrojtje” është motoja e këtij përvjetori, e cila më së miri përfaqëson Policinë tonë. Që nga gjenerata e parë policore kur filloi trajnimin me 6 shtator 1999, Policia jonë shërbeu për të gjithë qytetarët tanë duke mbrojtur jetën dhe pronën e tyre e duke ruajtur sovranitetin e vendit tonë.

    Si Qeveri e Republikës së Kosovës jemi zotuar për luftim të krimit, korrupsionit dhe çdo ilegaliteti që cënon sigurinë e vendit tonë e të qytetarëve tanë dhe jam mirënjohës që në këtë rrugëtim prej më shumë se dy vitesh, kemi arritur suksese falë zyrtarëve policor të përkushtuar e profesional në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Mbi 1100 operacione të realizuara, 100 grupe kriminale të shkatërruara, mbi 2.200 kg substance narkotike të konfiskuara, 16 laboratorë të drogës të shkatërruar, janë suksese që Policinë e Kosovës e kanë renditur ndër institucionet më të besueshme për qytetarët tanë ndërsa Republikën tonë e kanë ngritur në listat e shteteve serioze e të përkushtuara për luftimin e kriminalitetit.

    Të gjithë zyrtarëve policor që sot janë në krye të detyrës në çdo cep të Republikës së Kosovës u uroj 24 vjetorin e themelimit të Policisë. Bashkë ndajmë sfida e suksese, bashkë do të ngrisim e forcojmë edhe më shumë shtetin tonë.

  • Sveçla flet për sukseset e Policisë: Anëtarësimi në Interpol s’po ndodh për shkak të pengesave politike

    Sveçla flet për sukseset e Policisë: Anëtarësimi në Interpol s’po ndodh për shkak të pengesave politike

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Policia e Kosovës është treguar e suksesshme në veri të vendit, siç ka thënë pas një kohe të gjatë. Ai ka premtuar më shumë luftë kundër shkelësve të ligjit, raporton EO.

    Ai ka deklaruar se numri i rasteve të pazbardhura është minimal, përfshirë edhe pjesë e veriut të vendit.

    Në 24-vjetorin e themelimit të këtij Policisë së Kosovës, Sveçla ka folur profesionalizmin e tyre.

    “Është mirë që policia e Kosovës pas një kohe të gjatë është jashtëzakonisht e suksesshme në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës kjo tashmë është evidente. Unë jam i bindur që puna e policisë nuk do të ndalet me kaq. Është fal edhe profesionalizmit të njësiteve të cilat ne i vizituam. Numri i rasteve të pa zbuluara është minimale përfshirë edhe atë pjesë të Republikës sonë. Herë do kur do e unë jam i bindur që shumë shpejt secili do të jap llogari për shkeljet, për krimet që ka bërë e që bënë në cilin do cep të Kosovës”, tha ai.

    Sveçla, tha se anëtarësimi i PK në Interpol është duke u bërë për shkak të pengesave politike.

    “Për sa i takon aftësive të PK-së patjetër që jo vetëm se PK do të ishte pjesë e Interpolit por do të ishte një ndër policit më të mira në Interpol, ashtu siç është policia më e mirë në rajon. Është çështje pengesave politike për të cilat ne të gjithë jemi dëshmitarë, unë jam i bindur që me një mobilizim të duhur të të gjithë akterëv në këtë fushë ne do të arrijmë edhe këtë sukses ashtu edhe siç u bëmë pjesë apo dërguam përfaqësuesin tonë në Europol”, tha ai.

    Sveçla ka folur edhe për besueshmërinë që e ka ky institucion te qytetarët.

    “Policia e Kosovës është institucioni me besueshmërinë më të madhe në shoqërinë tonë. Kjo edhe nuk është e rastësishme falë punës së jashtëzakonshme të çdo zyrtari policor, fal përgatitjes së tyre profesionale dhe pajisjeve të cilat ata me profesionalizëm i përdorin në të mirë të qytetarit në përforcim të rendit dhe ligjit. Gjithmonë duke pasur në fokus barazinë e qytetarëve, duke pasur në fokus të drejtat e tyre dhe ushtrimin e këtyre detyrave të tyre ta bëjnë në një vizion të përgjithshëm në të mirë të të gjithë shoqërisë”, tha ai.

    Sveçla nuk ka treguar kohën se kur do të plotësohen kërkesat e PK-së. Ai tha se përmirësimet po vërehen në Policinë e Kosovës.

    “Policia e Kosovës është një institucion themelor, ne jemi duke bërë të gjitha përpjekjet që jo vetëm policia e Kosovës të ketë mbështetje e duhur qoftë nga Qeveria qoftë edhe nga institucionet e tjera. Ka përmirësime edhe po shihen përmirësime në pajisje, në mjete në logjistiken e tyre të përgjithshme. Ka përmirësime edhe në të ardhura, por patjetër se ka hapësire për të bërë më shumë. Unë jam i bindur që do t’i tejkalojmë të gjitha”, tha ai.