ATV

Category: Lajme

  • Zgjedhjet në veri – kritikohet Udhëzimi Administrativ, pushteti e sheh si zgjidhje të vetme

    Zgjedhjet në veri – kritikohet Udhëzimi Administrativ, pushteti e sheh si zgjidhje të vetme

    Pas përfundimit të hartimit të Udhëzimit Administrativ që mundëson shkarkimin e kryetarëve të komunave veriore përmes peticionit, Partia Demokratike e Kosovës(PDK) dhe shoqëria civile kërkon koordinim me ShBA-në dhe BE-në për shpalljen e zgjedhjeve në katër komunat veriore.

    Sipas partisë më të madhe opozitare, qasja e qeverisë që përmes peticionit të lirohen nga funksioni kryetarët aktualë lë për të dëshiruar. Ndërkaq, në Institutin e Kosovës për Drejtësi(IKD) thonë se Udhëzimi Administrativ ka probleme kushtetuese dhe ligjore, andaj zgjidhja më e mirë do të ishte dorëheqja e kryetarëve.

    Në anën tjetër, një mundësi të tillë e përjashtojnë nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, ku thonë se përveç peticionit s’ka asnjë rrugë tjetër institucionale dhe politike për të shkuar në zgjedhje të parakohshme në veri.

    Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri thotë për KosovaPress se qasja e qeverisë për situatën në veri lë për të dëshiruar.

    “Si Parti Demokratike e Kosovës kemi një korrektësi dhe bashkëpunim të mirë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian që të gjejmë një zgjidhje, për faktin se i kemi dy kryetarë aty. Në anën tjetër, kur i sheh qasjen dhe hapat e kësaj qeverie në këtë drejtim lënë për të dëshiruar”, thotë Tahiri.

    Kritik ndaj Udhëzimit Administrativ për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga detyra është hulumtuesi në IKD, Naim Jakaj.

    Ai thotë se i njëjti ka probleme kushtetuese, ligjore dhe teknike, prandaj, sipas tij zgjidhja e duhur është dorëheqja e kryetarëve në veri.

    “Ne kemi pa se (Udhëzimi Administrativ)ka probleme kushtetuese dhe probleme ligjore. Së dyti ka probleme të tjera që janë teknike sa i përket mbledhjes dhe formalizmit të një nisme të caktuar nga një grup i caktuar kryetarësh për të larguar një kryetar komune nga funksioni i tij. Së pari Udhëzimi Administrativ tregon vetëm këtë procedurën teknike të mbledhjes së nënshkrimeve, gjë që është lënë një afat shumë i shkurtër 30 ditor dhe pastaj 15 ditë në rast se nuk mblidhet 20 për qindëshi i numrit të caktuar, që janë votues të regjistruar vitin e fundit. Për komuna të caktuara do të jetë problem ky numër dhe po ashtu për komuna të vogla… Zgjidhja më e mirë do të ishte që kryetarët e komunave në veri për arsye që nuk kanë legjitimitet të plotë për të ushtruar detyrën të japin dorëheqje në mënyrë që të shkojmë në zgjedhje. Udhëzimi Administrativ dhe dorëheqjet e prodhojnë të njëjtin rezultat, mbajtjen e zgjedhjeve në ato komuna”, thekson Jakaj.

    Por këtë kërkesë e sheh të papranueshme deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi. Ai thotë për KosovaPress se përveç peticionit s’ka rrugë tjetër institucionale për largimin e kryetarëve në veri nga detyra.

    Ai shton se s’ka asnjë mundësi që t’iu kërkojnë dorëheqjen atyre, pasi e njëjta mbetet në vullnetin e tyre individual.

    “Institucionalisht dhe politikisht nuk ka rrugë tjetër për të shkuar në zgjedhje përveçse shfrytëzimin e të drejtës që parasheh Ligji për qeverisje lokale, që të kërkohet nga vetë qytetarët largimi i kryetarëve aktual, përmes së paku 20 për qind të nënshkrimeve të votuesve nga ato komuna… Rrugë tjetër për të larguar kryetarët aktual nga detyra nuk ka insitucionalisht dhe politikisht, pastaj pjesa tjetër dorëheqja është veprim moral, individual i kryetarit për të cilin ne nuk kemi as tagër politik, institucional dhe moral për t’ia kërkuar. Ne punojmë si institucione për rrafshin dhe mekanizmat institucionalë për të shkuar drejt zgjedhjeve të parakohshme”, deklaron deputeti Rrustemi.

    Të martën, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, njoftoi se ka përfunduar hartimi i Udhëzimit Administrativ për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni. Sipas tij, ky udhëzim jep mundësinë e zbatimit praktik të një të drejte të garantuar nga Ligji për Vetëqeverisje Lokale.

    Më 10 korrik, Kosova ka arritur marrëveshje me BE-në për ulje të tensioneve në veri, ku është përfshirë edhe mbajtja e zgjedhjeve të reja atje. BE-ja ka bërë thirrje që zgjedhjet në veri të mbahen në një afat sa më të shkurtër kohor./KP

  • Vushtrria edhe me një tjetër subvencion, ndanë 70,000 euro për Kulturë, Rini e Sport

    Vushtrria edhe me një tjetër subvencion, ndanë 70,000 euro për Kulturë, Rini e Sport

    Komuna e Vushtrrisë ka ndarë 70,000.00 euro subvencione për fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

    Këtë e ka bërë të ditur kryetari i kësaj komune Ferit Idrizi, përmes një shkrimi në Facebook.

    Postimi i plotë:

  • Ministria e Mjedisit: S’ka më nevojë për leje për vendosjen e paneleve solare për konsum familjar

    Ministria e Mjedisit: S’ka më nevojë për leje për vendosjen e paneleve solare për konsum familjar

    Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës njofton se më qytetarët nuk do të kenë nevojë që të pajisen për leje ndërtimore për vendosjen e paneleve solare fotovoltaike për konsum familjar, me kapacitete të instaluara deri në 7 kW.

    Njoftimi i plotë:

    Në kuadër të punës sonë për Dekarbonizim dhe në përputhshmëri me Acquis të BE-së, kemi bërë Ndryshimin dhe Plotësimin e Udhëzimit Administrativ MMPH Nr. 08/2013 për Ndërtimet për të cilat nuk kërkohet leje ndërtimore, rrjedhimisht, qytetarët nuk do të kenë nevojë që të pajisen me leje ndërtimore për VENDOSJEN E PANELEVE SOLARE fotovoltaike për konsum familjar, me kapacitete të instaluara deri në 7 kW.

    Në nenin 2, paragrafin 2, të Udhëzimit Administrativ bazë, kemi bërë plotësim ndryshimin me paragrafët e rinj 2.15 dhe 2.16, si në vijim:

    🔹 2.15. Vendosja në çati e paneleve solare fotovoltaike, për prodhim të energjisë elektrike për vet-konsum, që janë konsumator familjar, me kapacitet të instaluar deri në 7 kW, siç definohet me legjislacionin përkatës për energji.

    🔹 2.16. Vendosja e termoizolimit në muret e jashtme të shtëpive familjare ekzistuese, por të cilat nuk e ndryshojnë dukjen/fasadën dhe nuk bien ndesh me nenin 14 nën-paragrafi 1.5 të Ligjit Nr. 04/L-110 për Ndërtim.

  • Bullgari, shpallet gjendje katastrofe në qytetin turistik jugor për shkak të stuhisë

    Bullgari, shpallet gjendje katastrofe në qytetin turistik jugor për shkak të stuhisë

    Një stuhi shiu ka shkaktuar përmbytje të rënda në qytetin turistik bregdetar të Tsarevos në Bullgari të martën, duke bërë që autoritetet lokale të shpallin gjendjen e katastrofe, tha Drejtoria Rajonale e Brendshme në kryeqytetin rajonal Burgas. Sirenat paralajmëruese tregojnë që njerëzit të evakuohen në vendet më të larta ku ujërat e përmbytjeve nuk mund të arrijnë.

    Zëdhënësja e policisë së Burgasit, Tsvetelina Radneva, tha se shumë thirrje nga njerëzit në vështirësi kanë arritur në linjën e urgjencës 112.

    Disa ekipe zjarrfikësish janë dërguar nga Burgas dhe Primorsko për t’u bashkuar me shërbimet lokale të zjarrit për t’u marrë me pasojat e përmbytjeve.

    Në vendin e njohur të kampingut në Arapya, uji i përmbytjes ka arritur në 2 m.

    Lumi Veleka ka përmbytur rrugën ndërmjet Varvarës dhe Sinemorecit dhe e ka bërë të pakalueshme për qarkullim.

    Instituti Kombëtar i Meteorologjisë dhe Hidrologjisë ka lëshuar një paralajmërim me kod të verdhë për erëra të forta dhe stuhi me bubullima në 15 rajone të vendit dhe kod portokalli për stuhi të forta në rajonin e Burgasit./BTA-KP/

  • AKP inkason mbi 1.2 milion euro nga borxhet e qiramarrësve

    AKP inkason mbi 1.2 milion euro nga borxhet e qiramarrësve

    Agjencia Kosovare e Privatizimit për një muaj ka arritur që të inkasoi 1 milion e 226 mijë euro nga borxhet e qiramarrësve të aseteve të Ndërmarrjeve Shoqërore(NSh).

    AKP njofton se Bordi i Drejtorëve në mbledhjen e saj ka shqyrtuar dhe miratuar: Raportin e Komisionit për Vlerësim të Performancës së Menaxhmentit të AKP-së për vitin 2022, Propozimin e Autoritetit të Likuidimit për shpërndarje për kreditorët e NSH-NHT Rugova-Pejë dhe NSh. magjistralja-Prishtinë, Rregulloren për heqje dorë nga asetet në likuidim sipas nenit 18.3.1 dhe nenit 18.3.2 i Shtojcës së Ligjit Nr. 04/L-034 për AKP-në, Kërkesën nga komuna e Ferizajt për dhënien e pëlqimit për kryerjen e punimeve të dëmeve në objektet shkollore përballë pallatit të sporteve Bill Clinton – Ferizaj, pronë e NSH Plantacioni, Plotësim/ndryshimin e Rregullores për organizim të brendshëm dhe sistematizim të vendeve të punës, Janë aprovuar pikat e rendit të ditës që ndërlidhen me qiradhëniet dhe është aprovuar raporti i Komisionit të banesave me ç’rast janë trajtuar 18 kërkesa të palëve.

    “Gjatë kësaj mbledhje, Bordi u njoftua lidhur me asetin në pronësi të NSh “Ramiz Sadiku” – lagjja Pejton në Prishtinë nga Njësia e Negocimit Direkt si dhe aprovoi 5 raporte fillestar për inicim të procedurës për shitje me negocim direkt që do t’i nënshtrohet procedurave të tjera të parapara me legjislacion për t’u finalizuar shitja sipas raportit përfundimtar i cili do t’i paraqitet Bordit për aprovim”, thuhet në raportin e AKP-së.

  • ​Kurti dhe shefin i OSBE-së në Kosovë flasin për zgjedhjet e parakohshme në veri

    ​Kurti dhe shefin i OSBE-së në Kosovë flasin për zgjedhjet e parakohshme në veri

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, me të cilin biseduan për bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe zyrës së OSBE-së, në Kosovë.

    Ndër të tjerash, diskutuan për procesin e zgjedhjeve të parakohshme në komunat në veri të Kosovës, me ç’rast kryeministri shprehu falënderimin e tij për mbështetjen e OSBE-së në adresimin e legjislacionit sekondar në lidhje me nenin 72 të Ligjit për vetëqeverisje lokale.

    Sipas një komunikate të Qeverisë, në takim, u bisedua edhe për integrimin e komuniteteve jo-shumicë dhe pengesat me të cilat ballafaqohen.

    Në lidhje me këtë, kryeministri Kurti shprehu shqetësimin e tij në lidhje më kërcënimet dhe frikësimet nga Beogradi dhe strukturat ilegale ndaj policëve të rinj nga komuniteti serb të angazhuar së fundmi në Policinë e Kosovës.

  • Sociologu Jeton Brajshori: Sistemi i drejtësisë, fajtori kryesor për vrasjet në Kosovë

    Sociologu Jeton Brajshori: Sistemi i drejtësisë, fajtori kryesor për vrasjet në Kosovë

    Kosova, me një popullsi prej mbi 1 milion banorësh, ka përjetuar një situatë shqetësuese në lidhje me numrin e vrasjeve. Pa kaluar shtatori, numri i vrasjeve këtë vit, thuajse ka arritur numrin e vrasjeve të vitit 2022. Këtë vit, vetëm deri me 4 shtator në Kosovë janë regjistruar 19 vrasje.

    Lidhur me këto statistika, sociologu Jeton Brajshori, në emisionin “A LIVE” në ATV, tha se fajin kryesor e ka sistemi gjyqësor, i cili sipas tij, po dështon t’i penalizojë kriminelët dhe personat të cilët mbajnë armë pa leje.

    “Për arsye se kemi shumë tipa të ndryshëm të vrasësve, pra nga sociopatë, psikopatë, persona të ndryshëm dhe e kemi pasur këtë rastin e fundit që ishte në Prizren, pra për një pusetë që ka qenë diçka jashtëzakonisht absurde, të mirët jeta ndokujt për një pusetë. Çka është ende diçka më e randë, çka mund të ceki është se, është kryer vrasje në prani të gruas dhe vajzës. Kur i kemi pasur ne më herët disa zakone që vrasjet nuk duhet të ndodhin në prani të grave apo fëmijëve, për arsye se kjo nuk përkon nuk ka përku me statusin kanunor të cilin e kemi patur më herët dhe fatmirësisht sot këto gjana duhet të kapërcehen, por dështimi i gjyqësisë që t’i penalizojë kriminelët dhe personat të cilët mbajnë armë pa leje, ne do të kemi vazhdimisht vrasje të tilla, kur e kemi parasysh se i kemi edhe afërsisht 1000 recidivistë të cilët enden të lirë në rrugët e Kosovës, normalisht që krimi vetëm pritet që të ndodhë. Jo që në njëfarë mënyre po ua la fajin, po automatikisht ata janë fajtorë”, tha Brajshori.

    Ai tha se ajo çka është më shqetësuesja lidhur me këto raste është se në shoqërinë tonë, vrasjet kanë filluar të bëhen normalitet.

    “Ekzistojnë faktorë të ndryshëm të cilët e dërgojnë një person të bëjë vrasje, pra që nga problemet me shëndetin mendor, nga problemet e trashëguara më herët, nëse ka me persona të tjerë, po ashtu edhe vrasja në afekt, mirëpo ajo çka është shqetësuese për shoqërinë tonë është se, thjesht vrasjet kanë filluar të bëhen normalitet në shoqërinë tonë. Kjo është ajo e cila është më shqetësuesja për momentin, për arsye se kemi pasur shumë vrasje dhe thjesht njerëzit janë duke marrur si normale që mund të ndodhë një vrasje”, tha Brajshori. /atvlive.tv

    Më shumë detaje rreth kësaj çështje i gjeni në emisionin “A LIVE”, të cilin e gjeni në videon më poshtë:

  • Organizata terroriste serbe kërcënon me vdekje ministrin Sveçla

    Organizata terroriste serbe kërcënon me vdekje ministrin Sveçla

    Profili i organizatës “Severna Brigada” (Brigada ka kërcënuar minsitrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla pas njoftimit për zbulimin e një sasie të madhe të armatimit, duke përfshirë armë automatike, fishekë, granata dore e eksploziv në Zveçan.

    Ata kanë kërcënuar hapur Sveçlën duke i shkruar publikisht në Facebook se “Unë personalisht do të të dënoj (likuidoj), vetëm momenti pritet”.

    Sipas burimeve të KosovaPress-it, ky profil përmes të cilit është kërcënuar ministri Sveçla është vërtetë i organizatës terroriste “Severna Brigada” (Brigada e Veriut).

    Ndryshe, Sveçla sot ka thënë se Policia e Kosovës të martën ka zbuluar një sasi të madhe të armatimit në një shtëpi në Zveçan, duke përfshirë armë automatike, fishekë, granata dore dhe eksploziv.

    Ai ka bërë të ditur në një postim në Facebook se kjo shtëpi është përdorur për grumbullim dhe shpërndarje të armatimit për grupet kriminale serbe.

  • Policia e Kosovës thërret konferencë për medie, pas gjetjes së armatimit në veri

    Policia e Kosovës thërret konferencë për medie, pas gjetjes së armatimit në veri

    Policia e Kosovës ka njoftuar se sot do të mbaj konferencë të jashtëzakonshme për media.

    Në njoftimin e lëshuar për media, bëhet e ditur se konferenca i dedikohet rastit të gjetjes dhe konfiskimit të një sasie të konsiderueshme të armëve, municionit dhe mjeteve shpërthyese.

    Me tej në njoftim thuhet se konferenca do të mbahet në Drejtorinë Rajonale në Mitrovicë Veri, në ora 15:30.

  • Hyn në fuqi marrëveshja Shqipëri-Kosovë për lehtësimin e procedurave doganore

    Hyn në fuqi marrëveshja Shqipëri-Kosovë për lehtësimin e procedurave doganore

    Është publikuar në fletoren zyrtare marrëveshja e nënshkruar mes Shqipërisë dhe Kosovës, më 5-korrik 2023 në Tiranë dhe që synon lehtësimin e procedurave doganore për inspektimin e produkteve me origjinë jo shtazore. Ajo mu miratua në mbledhjen e fundit të qeverisë shqiptare në 30 gusht.

    Marrëveshja, e cila ka një kohëzgjatje prej pesë vitesh dhe që mund të ripërsëritet, ka për qëllim promovimin e tregtisë, heqjen e barrierave dhe lehtësimin e procedurave të kontrollit, Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë dhe qeveria e Republikës së Kosovës, me synim forcimin dhe shtrirjen e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, si dhe zhvillimin e bashkëpunimit në fushën e bujqësisë.

    Sipas marrëveshjes, “palët bien dakord se kontrolli në import, transit dhe eksport të produkteve ushqimore me origjinë jo shtazore, mund të kryhet në Pikën e Inspektimit Kufitar ose në doganën më të afërt të vendit të destinacionit, sipas kërkesës së subjektit. Autoritetet përgjegjëse për sigurinë ushqimore të secilës palë, do të lejojnë importin dhe eksportin, shoqëruar me certifikata të njohura ose raport-analiza apo dokument tjetër të përshtatshëm, të lëshuar sipas legjislacionit të secilës palë, që garanton sigurinë ushqimore”.

    Po ashtu, sipas marrëveshjes, “autoritetet kompetente të secilës palë do të njoftojnë njëra-tjetrën për planet e kontrollit me bazë risku dhe aktet rregullatore që miratohen në fushën e sigurisë ushqimore. Dhe, kontrollet e ngarkesave të ushqimeve me origjinë jo shtazore, gjatë importit dhe eksportit, do të realizohen bazuar mbi analiza risku”.

    Për zbatimin e kësaj marrëveshje, institucionet respektive të Bujqësisë, me qëllim zhvillimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë ushqimore, do të shkëmbejnë publikime profesionale dhe organizojnë trajnime të përbashkëta.

    Në marrëveshje është parashikuar dhe mundësia e të paturit mosmarrëveshje. Por për këtë do të kujdesen përfaqësuesit e autoriteteve kompetente, Ministria e Bujqësisë së Shqipërisë dhe ajo e Kosovës.

    Në fund të marrëveshjes, saktësohet se kohëzgjatja e kësaj marrëveshjeje është për 5 vjet, që nga momenti i nënshkrimit të saj. Dhe bëhet me dije se kjo marrëveshje, do të zgjatet automatikisht për një periudhë tjetër prej 5 vitesh, përveç kur njëra prej Palëve kërkon ndërprerjen e saj me shkrim nëpërmjet rrugëve diplomatike, të paktën 3 muaj para përfundimit të periudhës përkatëse të vlefshmërisë. Kjo marrëveshje mund të ndryshohet me miratimin reciprok me shkrim të Palëve, në çdo kohë.

    Marrëveshja u miratua në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave më 30 gusht 2023. Kjo marrëveshje është një tjetër marrëveshje në morinë e marrëveshjeve mes dy vendeve për të forcuar edhe më shumë bashkëpunimin ekonomik.

    Sipas shifrave, shkëmbimet tregtare mes dy vendeve gjatë 7-mujorit të këtij viti llogariten mbi 30 miliardë lekë. Konkretisht eksportet drejt Kosovës gjatë periudhës janar-korrik ishin 23.7 miliardë lekë. Importet për 7-mujorin llogaritën 6.4 miliardë lekë, transmeton ATSh.

    Ndërkohë grupet e punës nga të dy vendet po punojnë për kryerjen e një analize për bashkimin doganor, në mënyrë që të hiqen të gjitha barrierat e burokracitë mes dy vendeve dhe që bashkëpunimi tregtar të mos ketë asnjë pengesë.