ATV

Category: Lajme

  • Rikthehen në Turqi 500 trupat që u sollën pas dhunës në veri

    Rikthehen në Turqi 500 trupat që u sollën pas dhunës në veri

    Përgatiti: Armand Hoti

    Ushtarët turq të këmbësorisë, të cilët u dislokuan në Kosovë me kërkesë të NATO-s, pas protestave të dhunshme në veri, kanë filluar të kthehen në atdheun e tyre.

    Ministria e Mbrojtës e Turqisë vlerësoi se misioni i 500 trupave turq mbaroi me sukses.

    “Njësia jonë e dislokuar, pas mbërritjes së saj në kazermën “Sulltan Murat”, në Kosovë, më 6 qershor 2023, ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në garantimin e paqes në Kosovë, mes 10 qershorit dhe 31 gushtit, dhe ka përmbushur me sukses misionin e saj”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Turqisë.

    Në një përgjigje për ATV-në, KFOR-i thotë se ky veprim vjen në kuadër të një procedure normale të ndërrimit të kontingjenteve.

    “Ndërrimi i kontingjenteve lidhet me procedurën normale të pranim-dorëzimit”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

    Eksperti i sigurisë, Avni Islami, vlerëson se largimi i ushtarëve turq nga Kosova, mes tjerash është rezultat i mirë-menaxhimit të situatës nga institucionet e sigurisë së Kosovës.

    “Kjo flet qartë se situata në veriun e Kosovës është shpërshkallëzuar me vetë faktin kjo flet më shumë se kaq. Kjo tregon se deri më tani institucionet e sigurisë së Kosovës po e menaxhojnë situatën në mënyrë perfekte”, tha Islami.

    Në anën tjetër, Sergjan Simonoviç, nga shoqëria civile në Mitrovicë të Veriut, beson se gjendja e sigurisë në veri vazhdon të mos jetë e kënaqshme.

    “Nuk do të thosha se situata e sigurisë është e përsosur në veri, për shkak se nuk kemi mjaftueshëm pjesëtarë të policisë, që mirëpriten nga qytetarët. Çfarë kemi këtu janë forcat speciale, të cilat nga qytetarët shihen si kërcënim. Gjëja e parë që na duhet është që dikush nga komuniteti të shërbejë në forcën e policisë, në mënyrë që të ketë ndjenjë të sigurisë në mesin e qytetarëve”, tha Simonoviç.

    Madje, ai kërkon që të ketë prezencë më të shtuar të autoriteteve ndërkombëtare në veri.

    “Edhe KFOR-i mund të jetë pjesë e kësaj, por mendoj se angazhimi i EULEX-it, apo veçanërisht UNMIK-ut, nuk shohim aktivitete apo përpjekje të këtyre organizatave për deeskalim, në përjashtim të disa takimeve që mbajnë me ne, sektori civil.”

    Trupat e KFOR-it turk, pas protestës së dhunshme ku mbetën të lënduar 30 pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, ishin vendosur përreth objektit komunal në Zveçan. Ndërkaq, së fundmi para këtij objekti, po qëndron KFOR-i letonez.

  • Abdixhiku thotë se “Rruga e re” do të prezantohet në një Konventë të madhe: 30 kapituj, ofrojnë alternativat tona për zhvillim

    Abdixhiku thotë se “Rruga e re” do të prezantohet në një Konventë të madhe: 30 kapituj, ofrojnë alternativat tona për zhvillim

    Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se pas dy ditësh koordinim me bartësit e ekipeve programore kanë arritur që të finalizojnë rrugëtimin e ri që sipas tij i duhet Kosovës.

    Abdixhiku shkruan se “Rruga e re” e LDK-së e shtron hapur vizionin e partisë për shërimin e polarizimit shoqëror që ka ngulfatur vendin tash e sa kohë, që projekton rikthimin e Kosovës në vend të lirisë, demokracisë e integrimit euroatlantik dhe jo në një vend të frikës, persekutimit e izolimit.

    Siç ka shkruar Abdixhiku program i formuluar ka 30 kapituj dhe ofon alternativa për secalin sektor.

    Ai ka thënë se ky program do të bëhet publik në një Konventë të madhe programore dhe se LDK është e hapur që më pas të marr komentet dhesugjerimet e tjera.

    “Cinizmin e cinikët, në thatësinë e mendimeve, do t’i lëmë në një anë. S’kemi kohë të humbasim. Është koha të flasim për ide e projekte konkrete. Është koha të bëjmë kapërcimin e madh dhe në politikë dhe në diskutime publike jashta saj. Urrejtja e popullizmit s’dallon fundja nga cinizmi. Të dyja janë boshe – e kjo shoqëri mundet më shumë se kaq.

    ‘Rruga e Re’ është zgjidhja.Ju ftojë ta përcjellni shpalosjen tonë në çdo hap”, ka shkruar Abdixhiku.

  • Osmani takon komandantin e FSK-së para se të udhëtojë për në selinë e NATO-s

    Osmani takon komandantin e FSK-së para se të udhëtojë për në selinë e NATO-s

    Para udhëtimit zyrtar për në selinë e NATO-s, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim pune komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jasharin.

    Komandantja supreme u njoftua nga Jashari lidhur me aktivitetet dhe zhvillimet aktuale në FSK, me theks të veçantë për procesin e realizimit të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit gjatë vitit 2023 dhe rritjen e mirëqenies së ushtarëve të FSK-së.

    “Presidentja Osmani diskutoi me gjenerallejtënant Jasharin për bashkëpunimin dhe koordinimin e ngushtë me partnerin kryesor strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe me shtetet e tjera të NATO-s, lidhur me çështje të sigurisë në vend dhe rajon. Të dy ritheksuan se vizioni ynë i përbashkët është që Republika e Kosovës të zhvillojë ushtrinë e saj në përputhje me standardet e vendeve anëtare të NATO-së, për të qenë forcë e ndërveprueshme në misionet e përbashkëta me forcat aleate në shërbim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë rajonale dhe globale”, ka njoftuar Presidenca e Kosovës.

    Presidentja Osmani, do të takohet më 7 shtator me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në selinë e NATO-s në Bruksel.

  • Kaloi dyfishin e shpejtësisë së lejuar, gjobitet shoferi në Gjilan

    Kaloi dyfishin e shpejtësisë së lejuar, gjobitet shoferi në Gjilan

    Policia e Kosovës ka njoftuar se në Gjilan, njësiti rajonal i komunikacionit rrugor, ka mbajtur pikë kontrolli të automjeteve në rrugën Gjilan-Kamenicë.

    Në njoftim thuhet se gjatë kontrollit, kanë hasur në një kundërvajtës i cili në zonën ku kufizimi i shpejtësisë është 50 km/h, ka vozitur me shpejtësi 109 km/h.

    Të njëjtit policia i ka shqiptuar gjobë prej 300 eurosh, tri pikë negative dhe ndalim i vozitjes prej tre muajsh.

  • ​Mblidhen nënshkrimet për themelimin e Komisionit hetimor për Rezervat Shtetërore

    ​Mblidhen nënshkrimet për themelimin e Komisionit hetimor për Rezervat Shtetërore

    Deputeti, Arben Gashi, ka bërë të ditur se janë dorëzuar nënshkrimet për themelimin e Komisionit Parlamentar lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, si dhe për keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me këto rezerva.

    Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi nëpërmjet një postimi në Facebook, ka thënë se e vërteta është e duhura për të gjithë e për të gjitha, është pikënisje për gjithçka.

    “Çka është bërë me rezervat shtetërore? Kush, kur, ku, pse dhe si janë përfshirë në këto procese dhe cili është epilogu i veprimeve të tyre? A kanë qenë kontratat në pajtim me ligjit dhe a i kanë kryer palët detyrimet sipas atyre kontratave? Është koha e fundit që të gjithë t’i dorëzojnë faktet e të dorëzohen para të vërtetës së domosdoshme”.

    “Shteti dhe shoqëria kanë nevojë që të dinë të vërtetën!”, ka thënë Gashi.

  • Njihuni me ​fshatin e Kosovës që ka miliona euro pasuri nëntokësore

    Njihuni me ​fshatin e Kosovës që ka miliona euro pasuri nëntokësore

    Fshati Slivovë në vendin tonë ka rezultuar të ketë pasuri të mëdha nëntokësore, thuhet në një studim të “Western Tethyan Resources”.

    Sipas studimit të fundit, miniera e arit në këtë fshat që gjendet në kilometrin e 7-të në dalje të Prishtinës ka rezultuar të ketë vlerë aktuale të arit rreth 27 milionë dollarë.

    Ariana Resources PLC (AIM:AAU) tha se filiali Western Tethyan Resources (WTR) ka përfunduar një vlerësim paraprak ekonomik (PEA) për projektin e arit në Slivovë, në Kosovë, ku ka rezultuar të ketë një vlerë aktuale rreth 27 milionë dollarë amerikanë.

    Duke përdorur një ulje prej 8 për qind, WTR vlerësoi një normë të brendshme kthimi prej 29 për qind me një çmim ari prej 1,835 USD/oz bazuar në kostot kapitale prej 33.4 milionë dollarë amerikanë në fillim dhe 9.4 milionë dollarë në vazhdim, përcjell KP.

    Prodhimi parashikohet të jetë 13,000 ons ari në vit gjatë një linje miniere shtatëvjeçare, si nëntokësore ashtu edhe të hapura, me ritme rikuperimi midis 92-94.5%.

    WTR ka një marrëveshje fitimi me Avrupa Minerals ku mund të fitojë deri në 85% të projektit duke shpenzuar 1.8 milion euro dhe deri në 85% të kostos së një studimi më të detajuar të fizibilitetit.

    Një interes neto i atribuar nën fitimin ende nuk është vlerësuar, thuhet në deklaratë.

    Kerim Sener, drejtori menaxhues i Ariana-s, tha se: “Ky është një rezultat i shkëlqyer për projektin e arit në Slivova, duke demonstruar potencialin e tij ekonomik dhe duke theksuar mundësitë për të përmirësuar projektin në një afat më të gjatë.

    “Potenciali më i gjerë i eksplorimit të zonës së projektit Slivova, në veçanti mundësia për të përcaktuar rënien e mëtejshme të mineralizimit xeheror ekzistues, premton rritje të mëtejshme ekonomike.

    “Tani po kërkojmë të përfundojmë punën e mëtejshme për ta demonstruar këtë potencial, nëpërmjet një programi eksplorimi me faza.”

    WTR shtoi se kjo punë do të përfshijë një program gërmimi për të përmirësuar eksplorimin në zonat në kufi me zonën e burimeve parësore, duke synuar veçanërisht Dzemailj dhe Valijevishte.

    Gjatë pjesës tjetër të vitit 2023, kompania synon të fillojë studimin bazë mjedisor, vlerësimin e ndikimit social dhe të përfundojë planifikimin për një program shpimi.

  • Hasani: Udhëzimi për largimin e kryetarëve kundërkushtetues, nëse shkon në Gjykatë do të rrëzohet

    Hasani: Udhëzimi për largimin e kryetarëve kundërkushtetues, nëse shkon në Gjykatë do të rrëzohet

    Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka thënë se një udhëzim administrativ i lëshuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal për largimin e kryetarëve të komunave nga funksioni, është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai e mbështet këtë qëndrim te mungesa e një Ligji për iniciativë qytetare apo referendum.

    Mes tjerash, Hasani, aktualisht profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, ka thënë se pushteti po tregon mungesë vullneti për zgjidhjen e situatës në veri të Kosovës, dhe se dorëheqja e kryetarëve të katër komunave të banuara me shumicë serbe në atë pjesë do të ishte vendimi më i duhur.

    Zoti Hasani, a është udhëzimi i ri administrativ për largimin e një kryetari komune në përputhje me Kushtetutën e Kosovës?

    Enver Hasani: Jo, sepse caktimi i të drejtave dhe detyrimeve, dhe mënyra e realizimit të tyre, duhet fillimisht të përcaktohet me ligj. Kushtetuta kërkon ligj. Këtu bëhet fjalë për demokracinë e drejtpërdrejtë, që është kategori kushtetuese, dhe mënyrat e realizimit të saj përcaktohen me ligj, zakonisht quhet Ligj për iniciativën qytetare, Ligj për referendum, ose Ligj për referendum dhe iniciativë qytetare. Kushtetuta tregon se çka mund të jetë dhe çka nuk mund të jetë subjekt i referendumit. Pastaj, ligjvënësi është i lirë që t’i përcaktojë këto dy çështje. Por, këto dy çështje nuk i ka rregulluar Kuvendi i Kosovës, dhe për pasojë ky udhëzim e ka uzurpuar një autorizim ligjor të Kuvendit, dhe e ka normuar një çështje që është dashur të normohet me Ligjin për iniciativën qytetare.

    Çfarë mund të ndodhë tash?

    Enver Hasani: Jam shumë i sigurt se nëse përfundon në Gjykatë Kushtetuese, ky ligj rrëzohet për arsyet që i thashë, por edhe për arsyen tjetër, që udhëzimin administrativ me përmbajtje të thellë të normave ligjore e ka nxjerrë organi administrativ, që është dikasteri ministror. Ky është konflikt i hapur i interesit, sepse këtu nuk bëhet fjalë për specifikimin e procedurave të realizimit të një të drejte, por caktohen të drejta shtesë prej autorizimit të zëvendëskryesuesit, pastaj mandatimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për organizim të zgjedhjeve, gjë që mund ta bëjë vetëm ligji, jo udhëzimi administrativ.

    Sipas jush, a mund të procedojë KQZ-ja me këtë udhëzim, nëse i bëhet kërkesë për largim të një kryetari komune?

    Enver Hasani: KQZ-ja, me këtë udhëzim, nuk mund të procedojë, sepse nuk mund t’i japë urdhër për procedim organi administrativ, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, për shkak se atë mund ta bëjë vetëm ligjvënësi. Nenet 70 dhe 71 [të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale] kanë autorizimin ligjor, dhe caktohen me ligj iniciativat për rregullat normative dhe politika komunale. Për ato ekzistojnë dispozita ligjore, për nenin 72 nuk ekzistojnë, dhe për pasojë nuk ka autorizim për nxjerrje të udhëzimit administrativ. Udhëzimet nxirren për ta zbatuar një ligj, një normë ligjore, dhe duhet të ketë autorizim në ligj. Neni 72 nuk flet fare për autorizim të ministrisë, as Qeverisë, as askujt. Flet për ligj, e ligji nuk ekziston.

    Sipas Ligjit për Vetëqeverisje lokale, zgjedhjet e parakohshme për kryetarë mbahen në tri raste: nëse kryetari jep dorëheqje, nëse qytetarët e kërkojnë shkarkimin e tij përmes peticionit, dhe nëse kryetari nuk paraqitet në vendin e punës për më shumë se një muaj, pa arsye.

    Enver Hasani: Largimi përmes peticionit i ka dy faza. Faza e parë është iniciativa me 20 për qind, dhe faza e dytë është faza e organizimit të zgjedhjeve. Aty ku të organizohen, duhet të shtrohet pyetja: “A jeni për largim të kryetarit të komunës? Po ose Jo”. Kështu formulohet ajo. Këtë formulim nuk mund ta bëjë organi administrativ, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Atë e bën vetëm ligji, duhet bërë ligj. Kjo nuk mund të bëhet me udhëzim.

    Radio Evropa e Lirë: Po në rast se shkohet përpara me këtë udhëzim, a mund të ketë ai ndikim edhe në komunat tjera?

    Enver Hasani: Ai udhëzim shihet që është bërë nga njerëz që e njohin drejtësinë, përkundër që është kundërkushtetues dhe kundërligjor. Ai nuk vlen vetëm për komunat e veriut, vlen për krejt Kosovën. Përmes një udhëzimi të tillë, për gjashtë muaj mund të përmbysen të gjitha rezultatet e zgjedhjeve, gjë që është e ndaluar, është tërësisht jokushtetuese. Aty përmendet 45-ditëshi. Pse përmendet ai afat, me çfarë të drejte? Duhet pasur autorizim ligjor. Pastaj, ku është logjika e autorizimit të KQZ-së, përmes udhëzimit administrativ të ministrisë? KQZ-ja është organ, vetë është organ administrativ. Ata dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal janë të barabartë para ligjit. Ato e zbatojnë ligjin, direkt. Ato e marrin udhëzimin prej ligjit, jo prej njëra-tjetrës.

    Sipas jush, cila është rruga e duhur për dalje nga situata në veri?

    Enver Hasani: Kjo është çështje e mungesës së vullnetit politik nga ana e pushtetit. Nëse pushteti do të donte ta rregullonte këtë punë, kjo çështje do të harrohej. Do të mund të ulej me opozitën dhe t’i thoshte se ne bëmë zgjidhje, i mbajtëm zgjedhjet siç na tha Kushtetua e ligji, dhe siç na përkrahen miqtë tanë ndërkombëtarë. Miqtë tanë nuk e konsiderojnë, sipas standardeve të shteteve të tyre, këtë rezultat, dhe ne për pasojë jemi të delegjitimuar.

    Unë mendoj që Kosova nuk po i bën nder vetes. Mund t’iu thuhet [kryetarëve], ose mos shkoni një muaj në punë, ose jepni dorëheqje. Shumë më dinjitoze është të jepet dorëheqje dhe të mos shkohet në punë, sesa të largohen me nënshkrim. Sepse, në atë mënyrë, pushteti vetëm po u kundërvihet tezave të veta qe pesë-gjashtë muaj, që ata janë legjitimë. Ata nuk janë legjitimë aty. Ata janë legalë, sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës, por legjitimiteti aty është zero.

  • ​Përqindja e shpenzimeve për arsim në Itali shumë më e ulët se mesatarja e BE-së

    ​Përqindja e shpenzimeve për arsim në Itali shumë më e ulët se mesatarja e BE-së

    Italia shpenzon 4.1% të PBB-së (Prodhimit të Brendshëm Bruto) të saj për arsimimin e fëmijëve, një përqindje shumë më e ulët se mesatarja evropiane prej 4.8%, tha Save the Children Italia në një raport të mërkurën.

    Raporti tha se kjo mungesë investimi shkaktoi disa probleme, duke përfshirë mungesën e vendeve për çerdhe dhe mungesën e numrit të shkollave që ofrojnë dreka shkollore dhe programe me kohë të plotë për të ndihmuar familjet në të cilat punojnë të dy prindërit, raporton ANSA.

    Në raport thuhet se, ndërsa sektori i shkollave ishte në qendër të vëmendjes gjatë pandemisë COVID-19, përqindja e shpenzimeve për arsimin jo të lartë ka rënë që kur ka përfunduar urgjenca shëndetësore.

  • ​Një muaj arrest shtëpiak për të dyshuarin për marrje ryshfeti

    ​Një muaj arrest shtëpiak për të dyshuarin për marrje ryshfeti

    Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar një muaj arrest shtëpiak personit S.D, i cili dyshohet për kryerje të veprës penale “Marrje ryshfeti”.

    Gjykatësja e procedurës paraprake e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit.

    Në njoftimin e gjykatës është bërë e ditur se paraburgimi mund të caktohet në rast të mos respektimit të masës së arrestit shtëpiak.

  • Numri i turistëve që vizituan Kosovën shënon rritje

    Numri i turistëve që vizituan Kosovën shënon rritje

    Përgatiti: Jeta Selmanaj

    Këtë vit numri i turisteve që si destinacion zgjodhën Kosovën për të vizituar, ka shënuar rritje.

    Vetëm në korrik të këtij viti numri i vizitorëve vendorë dhe të huaj ishte 71 mijë e 341, prej tyre 34,73 për qind, ishin vendorë dhe 65,27 për qind ishin të jashtëm.

    Krahasuar me muajin korrik të vitit 2022 sa ishin 53 mijë e 820 vizitorë kishte rritje të numrit të përgjithshëm të vizitorëve për 32,6 për qind.

    Në njoftimin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për turizmin, thuhet se numri i net-qëndrimeve ishte 177 mijë e 383, prej tyre 42,64 për qind nga vendorët dhe 57,36 për qind nga të huajt.

    Numrin më të madh të vizitorëve të brendshëm e ka rajoni i Pejës me 7 582 vizitorë dhe 38 145 net-qëndrime.

    Sa u përket vizitorëve të huaj, krahasuar me periudhën paraprake (Korrik 2022) ka rritje të vizitoreve për 21,24%. Në total, 45 566 vizitorë të huaj, nga të cilët numri më i madh është nga:

    Shqipëria, Gjermania, Zvicra, Turqia etj, thuhet në raportin për Statistikat e Hotelerisë për muajin korrik 2023 të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

    Pavarësisht problemeve me infrastrukturë e e shumë problemeve të tjera që përcjellin turizmin në vend, Kosova ka potencial për turizëm, sidomos atë natyror.

    Duke filluar nga Bjeshkët e Rugovës që ndodhen në qytetin e Pejës, atraksion tjetër turistik është edhe ujëvara e Drinit të Bardhë në Radac, dy pika turistike jo shumë larg njëra tjetrës.
    Tutje, Kalaja e Prizrenit është një vend tjetër i bukur e që ia vlenë të vizitohet nga turistë vendor e të huaj.

    Koosva poashtu ka pasuri nëntokësorë, e disa nga to mund të përjetohen duke vizituar shpellën e Gadimës në Lipjan e vetmja shpellë e Mermetit në Kosovë.

    Pak kilometra nga Prishtina gjendet Ulpiana, aty ku edhe filloi historia e hershme e një qyteti të hershëm Ilir, e që u mbulua nga pluhuri i harresës për dekada, por tani Ulpiana është një atraksion arkeologjik e turistik që në vete gërsheton aq shumë në pak metra katrorë.

    Në vitet e fundit, në qytetin e bukur të Gjakovës po promovohet për vizita Shpella e Kusarit.

    Jo fort larg Gjakovës, në fshatin Rudë të Malishevës, gjendet Ujëvarat e Mirushës, ndryshe e njohur edhe si Park Regjional i Natyrës, një ndër destinacionet më të bukura që ka Kosova.

    Vende të tjera që ia vlen të vizitohen në Kosovë, ndër të tjera, janë edhe Kalaja e Artanës, Liqenati në Bjeshkë të Rugovës, e bjeshkët e Prevallës.

    Më shumë detaje rreth kësaj çështje i gjeni në emisionin “A LIVE”, të cilin e gjeni në videon më poshtë: