ATV

Category: Lajme

  • Osmani sot takohet me Stoltenberg

    Osmani sot takohet me Stoltenberg

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do të takohet sot (e enjte) me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg në selinë e NATO-s në Bruksel.

    Edhe pse misioni paqeruajtës është prezent në Kosovë që nga viti 1999, i njëjti vazhdon t’iu referohet krerëve shtetërorë pa titujt e pozitave përkatëse.

    Në agjendën e publikuar nga Zyra për media e NATO-s, presidentes Vjosa Osmani as kësaj radhe nuk i janë referuar me pozitën që e mban si e para e Republikës të Kosovës, porse vetëm “Ms. Vjosa Osmani – Sadriu from Kosovo”.

    Ndërkaq aty bëhet e ditur se pas takimit Osmani dhe Stoltenberg do të mbajnë konferencë për media.

    Sipas njoftimit, konferenca është paraparë të mbahet në ora 14:30.

  • Haxhiu: Prokurori special po i hakmerret qeverisë Kurti

    Haxhiu: Prokurori special po i hakmerret qeverisë Kurti

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në emisionin CONTEXT në ATV, duke komentuar rastin rezervave shtetërore, tha se Prokuroria Speciale po i hakmerret qeverisë Kurti.

    “Nuk mundemi me mohu edhe me heshtë faktin që kemi një hakmarrje të Prokurorisë, kryesisht prokuroria speciale ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ne e kemi dëgjuar nga vetë zyrtarët brenda Prokurorisë, që edhe vendimet të cilat nuk kanë asnjë ndikim as financiar e as nuk janë vendime përmbajtjesore, shkojnë edhe kontrollohen nga Prokuroria Speciale, në kuptimin që ‘mos po i nxojmë diku’ që kanë shkelur diku një ligj. Unë i bëj thirrje Prokurorisë që secilin vendim timin, qoftë tek një administrativ dhe të tjera ta trajtojnë atë”, tha Haxhiu.

    Veprimet të cilat rezultuan me bastisje dhe arrestime, Haxhiu i quajti ‘filma të lodht” të prokurorisë speciale, që sipas saj, po duan ta bindin opinionin se edhe në qeverinë Kurti ka afera korruptive.

    “Vetë fakti çfarë kanë bërë me rastin e rezervave shtetërore, për shembull, e keni parë Gjykata e Apelit ka thënë që nuk ka justifikim për t’i mbajtur në paraburgim për faktin se nuk konsiderohet që personat e dyshuar kanë kryer vepër penale. E ata shkun si nëpër filma ashtu të bëjnë skena, kishe po nxjerrin dosje, po sigurisht që kur vjen n’shpi te unë, kur vjen n’shpi te ti, n’shpi të tjerëve, diçka ke me marrë dosje ose kur shkon në institucion, na kemi laptopa, kemi telefona, t’i ke mi marrë, ke mi sekuestru, konfesku e të tjera. Tash kur duken ato në popull, konsiderohet që megjithatë paskan gjetur diçka. Filma të lodht të tyne, ka filma shumë të mirë, po mirëpo këto filma të lodht të Prokurorisë Speciale dhe ata le të vazhdojnë hetimet, domethënë ata janë të lirë komplet t’i bëjnë punët që i kanë nisur ndaj meje, ndaj Rozetës, ndaj krejt Qeverisë, ndaj Kryeministrit Kurti, hiç problem s’e kemi”, u shpreh Haxhiu.

    Ajo akuzoi prokurorinë që ka miliona lëndë që përmbajnë keqpërdorim të miliona eurove, për të cilat nuk kanë filluar as hetimet.

    “Çështja është që kjo nuk është drejtësi, duke qenë që miliona lëndë, si me thënë ë lëndë që përmbajnë keqpërdorim të milionave i ka dërgu infrastruktura, ekonomia, industria, drejtësia, financat, arsimi edhe nuk kanë fillu asgjë hetime. Pra, nëse Prokuroria do zgjedhtë që të merret edhe me ato, ke politikanë të cilët dyshohen për miliona euro, të cilët janë të lirë dhe akuzojnë Qeverinë për krim e korrupsion”, tha Haxhiu.

    Ajo thotë se në Qeverinë Kurti nuk ka ministri të korruptuar, përndryshe sipas saj, vet kryeministri Kurti nuk do i lejonte me të jenë ministra as një minutë.
    “Tash merre me mend, ata enden lirshëm prej foltores të Kuvendit në konferenca për shtyp, Qeveria Kurti nuk ka ministra të korruptuar. Po të kishte, unë jam e bindur që Kryeministri Kurti jo një minutë, po një sekondë nuk do ta lejonte që të jetë ministër”, tha Haxhiu. /atvlive.tv

  • 24 vjet nga themelimi, policëtt ende pa sigurim shëndetësior e jetësor

    24 vjet nga themelimi, policëtt ende pa sigurim shëndetësior e jetësor

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Armë, robotikë, automjete, autoblinda, motorë, pajisje të forenzikës dhe ato të mjekësisë, janë ekspozuar në sheshet e kryeqytetit, me rastin e 24-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës.

    Për punën e suksesshme të zyrtarëve policorë ka folur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili, po ashtu, ka theksuar se po bën përpjekje që ky institucion të ketë mbështetje më të madhe nga Qeveria.

    “Tashmë Policia e Kosovës është institucioni me besueshmërinë më të madhe në shoqërinë tonë”, tha Sveçla.

    Në këtë përvjetor, drejtori i përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, ka bërë të ditur se Policisë do t’i shtohen rreth 500 pjesëtarë të rinj.

    “Ne veç e kemi pasur një konkurs para një muaji, do t’i marrim të paktën 400 deri në 500 zyrtarë të rinj dhe rekrutimi do të vazhdojë çdo vit”, tha Hoxha.

    Për sfidat e zyrtarëve policorë ka folur kryetari i Sindikatës, Imer Zeqiri. Sipas tij, edhe 24-vjetori i Policisë së Kosovës i gjeti ata pa sigurim shëndetësor.

    “Me sfidat që i ka treguar për këto 24 vjet dhe të mos ketë ende një sigurim shëndetësor dhe jetësor, kjo ka qenë kërkesë e kahershme e Sindikatës të Policisë së Kosovës por nuk kemi marrë përgjigje, nga asnjë qeveri deri më tani”, tha Zeqiri.

    Juristja Dorentina Bujupi ka kërkuar nga institucionet përkatëse që t’i realizojnë kërkesat e policisë.

    “Institucionet t’i realizojnë kërkesat e Policisë së Kosovës”, tha Dorentina Bujupi, juriste.

    Gjatë shënimit të 24-vjetorit, gjithashtu, janë shfaqur disa prej aksioneve të Policisë, që konsiderohen si operacionet më të rëndësishme që janë kryer nga zyrtarët policorë.

  • Buxhetohen miliona euro, por nuk blihen armë e paisje

    Buxhetohen miliona euro, por nuk blihen armë e paisje

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Ekspozimi i armëve të llojeve dhe të kalibrave të ndryshëm si dhe makinerisë dhe pajisjeve policore në sheshin e Prishtinës, ka qenë një nga pikat kryesore të shënimit të Ditës së Policisë.

    Mirëpo, nëse shikohen raportet e shpenzimeve të dy viteve të fundit, shihet se Ministria e Brendshme nuk ka armatimin dhe pajisjet që i ka planifikuar.

    Ministria sivjet ka blerë autoblinda në vlerë rreth 4 milionë e gjysmë Euro, kurse kjo është gjysma e buxhetit prej 9,6 milion Eurove që Ministria i ka ndarë për autoblinda dhe automjete të veçanta.

    Duhet thënë se këto pajisje ishin paraparë edhe ën buxhetin e vitit të kaluar, ishin ndarë 7 milionë Euro në buxhet, por blerja kishte dështuar.

    Vjet kanë qenë të ndara në buxhet rreth 1,7 milionë Euro për armë, por blerjet kanë qenë në shkallë shumë të ulët.

    Sivjet janë të buxhetuara 1 milionë e gjysmë euro për armë dhe pajsije speciale dhe në gjashtëmujorin e parë është ekzekutuar 40% e këtij buxheti, rreth 580 mijë Euro.

    Shifra milionëshe mbërrin edhe totali i mjeteve të buxhetuara për ndërtimin e renovimin e godinave si depoja e armëve ose stacionet policore, mirëpo, në gjashtë muaj janë shpenzuar 3% të këtij buxheti.

    Që nga muaji shkurt, kur u miratua ligji për paga, policët nuk kanë marr asnjë cent për rrezikshmëri, shtesë kjo që iu premtua se do të ju paguhet në formë retroaktive.

  • Gjykimi për korrupsion e kontrabandë ndaj 20 policëve të veriut

    Gjykimi për korrupsion e kontrabandë ndaj 20 policëve të veriut

    Përgatiti: Nora Luta

    Filloi gati një orë me vonesë.

    Nga 20 të akuzuarit, zyrtarë policorë të nacionaliteteve serbë e shqiptarë, vetëm Oliver Kuzmanoviq nuk paraqitet në sallën e gjykimit.

    Mungesën e tij për shkaqe shëndetësore e arsyetoi para trupit gjykues avokatja e tij, teksa u vendos që seanca të shtyhet për në tetor.

    Njëzet policë që punonin në veri, përfshirë komandantin e stacionit policor Zvezdan Spasojeviq akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, kontrabandë me mallra, e marrje ryshfeti, e disa nga ta për armëmbajtje pa leje.

    Por, sipas mbrojtjes, Prokuroria i ka njoftuar se në fjalën përfundimtare që ishte planifikuar të jepej këtë të mërkurë, do të tërhiqet nga ndjekja penale për veprën “marrje e ryshfetit”.

    Aktakuza nga Prokuroria Speciale ishte ngritur në qershor të vitit 2020.

    Sipas aktakuzës, ata mundësuan kontrabandë me mallra nga Serbia në Kosovë dhe anasjelltas, gjatë vitit 2017 deri në vitin 2019.

  • Komuna e Gjilanit lë studentët pa bursa

    Komuna e Gjilanit lë studentët pa bursa

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Ardiana Jashari, studente e vitit të tretë, në Departamentin e Gazetarisë, në Universitetin “Hasan Prishtina”, edhe këtë vit i ka plotësuar kushtet për të qenë përfituese e bursës komunale.

    Por ajo dhe shumë studentë të tjerë të Gjilanit nuk do të jenë përfitues të bursave komunale, pasi komuna ende nuk ka shpallur konkurs, i cili do të duhej të ishte hapur që në muajin prill.

    “Unë si studente e Gjilanit kam pritur që si vitin e kaluar të hapet konkursi për me përfitu bursën komunale, por pritja ka qenë e kotë pasi që komuna e Gjilanit doli me njoftimin se nuk do të ketë konkurs për bursa. Për mua si student, ky vendim i komunës nuk është i drejtë, pasi në një mënyrë po dëmtohemi ne studentët, po na mohohet e drejta legjitime për të përfituar bursën komunale, bursë kjo e cila është një ndihmesë e madhe për secilin student. Ne studentët e vitit të tretë nuk kemi të drejtë të aplikojmë dhe kjo gjë paraqet problem për ne”, tha Ardiana Jashari, studente e gazetarisë.

    Ajo kritikon komunën se as nuk i njoftoi paraprakisht, derisa bën thirrje për ndryshimin e këtij vendimi.

    “Gjëja më e çuditshme në këtë mes është se komuna thotë se nuk ka buxhet për të ndarë bursa për vitin akademik 2022/2023, por në anën tjetër thotë se do të ndajë bursa për vitin akademik 2023/2024, unë kërkoj nga komuna që ta ndalojnë këtë vendim dhe të na ofrojë të drejtën për përfitim të bursës komunale”, u shpreh Ardiana.

    Komuna e Gjilanit, në një përgjigje me shkrim për ATV-në, tha se kjo çështje do të diskutohet në mbledhjen e kuvendit Komunal gjatë muajit shtator.

    “Çështja e bursave është proceduar në Kuvend, për seancën e shtatorit. Sapo të votohet në seancën e Kuvendit, të muajit shtator, menjëherë do të shpallet konkursi, dhe, studentët mund të aplikojnë në konkurs”, thuhet në përgjigjen e Hekuran Rapucas nga komuna e Gjilanit.

    Në vitin akademik 2021/2022, komuna e Gjilanit ka ndarë 289 bursa, në vlerë prej 150 mijë eurosh për studentët e Gjilanit, derisa gjatë vitit akademik 2019/2020, ka ndarë 200 bursa me vlerë 100 mijë euro.

  • Kurti në Estoni, pjesë e samitit global të partneritetit për qeveri të hapur

    Kurti në Estoni, pjesë e samitit global të partneritetit për qeveri të hapur

    Përgatiti: Nexhmie Hyseni

    Sulmet kibernetike ndaj Kosovës nga aleatët e Rusë po ndikojnë dukshëm në dialogun Kosovë – Serbi, tha këtë të mërkurë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në samitin Global të Partneritetit për Qeveri të Hapur.

    Ai në këtë panel diskutimi që po mbahet në Tallin të Estonisë, tha se këto veprime në Kosovë janë duke u intensifikuar.

    “Në kohë të ndjeshme kur vendi ynë është i përkushtuar ndaj procesit të lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin tonë verior, Serbinë, si dhe pjesëmarrjen e plotë të të gjitha pakicave në procesin demokratik të vendit, pa ndërhyrje të huaja, këto kërcënime kibernetike, si dezinformimi, bullizmi kibernetik dhe format e tjera, janë veçanërisht të dëmshme. Kjo është arsyeja pse angazhimi dhe pjesëmarrja jonë në këtë ngjarje janë më të rëndësishme se kurrë”, tha Kurti.

    Në muajin gusht, Kosova u anëtarësua në Partneritetin për Qeveri të Hapur, që numëron 75 vendeve anëtare.

    Duke iu drejtuar përfaqësuesve të shteteve anëtare dhe aktivistëve të shoqërisë civile, kryeministri tha se ndihet i nderuar që është në mesin e tyre.

    “Duke qenë pjesë e organizatës Kosova vendoset në skenën ndërkombëtare, si një vend i përkushtuar për t’i hapur parimet e qeverisë dhe për këtë arsye i sinjalizon komunitetit global se Kosova është e përkushtuar ndaj qeverisjes së mirë, praktikave dhe është e gatshme të mbahet përgjegjëse për angazhimet e saj dhe të mësojë nga ata që kanë marrë praktikat e qeverisjes së hapur”, u shpreh Kurti.

    Në Tallin të Estonisë, kryeministri Kurti u takua me homologen e tij Kaja Kallas, me të cilën folën për situatën politike në vend dhe në rajon. Kurti zhvilloi takim edhe me kryeshefin Ekzekutiv të Partneritetit për Qeveri të Hapur, të cilit ia nënvizoi rëndësinë dhe nevojën për mbështetje nga kjo organizatë në fillimin e zbatimit të Planit Kombëtar, teksa shprehu falënderimin e tij për bashkëpunimin e deritanishëm.

  • Kurti: Po vuajmë nga masat ndëshkuese të BE-së

    Kurti: Po vuajmë nga masat ndëshkuese të BE-së

    Përgatiti: Fitim Majkovci

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka quajtur të padrejta masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian të vendosura ndaj Kosovës.

    Duke folur për këto masa dhe situatën në veri të vendit me katër kryetarët, Kurti tha se zgjedhja e tyre në krye të komunave, erdhi si pasojë e bojkotit të Listës Serbe në zgjedhjet e prillit.

    “Fillimisht, u larguan nga institucionet, më pas refuzuan të marrin pjesë në zgjedhjet për kryetar komunash. Për shkak të situatës në veri të Kosovës, ndaj vendit tonë demokratik janë në fuqi disa sanksione, apo masa të Bashkimit Evropian. Ne po vuajmë për shkak të këtyre sanksioneve. Kryesisht komuniteti ynë i biznesit, por edhe shërbimet shtetërore”, ka deklaruar Kurti.

    Duke shpresuar për ndryshimin e qëndrimit ndërkombëtar ndaj Kosovës, Kurti foli për afatin më të afërt për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Veri.

    “Shpresoj se ata do të ndryshojnë mendje. Ne po punojmë me komunitetin ndërkombëtar për ta bërë të mundur këtë. Unë jam duke punuar shumë dhe duke përgatitur gjithçka që zgjedhjet në veri të mbahen këtë vjeshtë”, deklaroi Kurti.

    Në një intervistë për mediat sllovene, Kurti ka folur edhe për marrëdhëniet në Ballkanin Perëndimor, me ç’rast tha se raportet mes vendeve në rajon mund të normalizohen vetëm me njohje të ndërsjellë mes shteteve.

  • Mësimi ka nisur, përveç librave, në disa shkolla s’ka ende ditarë

    Mësimi ka nisur, përveç librave, në disa shkolla s’ka ende ditarë

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Veç mungesës së librave, në disa shkolla po mungojnë edhe ditarët.

    Si rrjedhojë orët mësimore po nuk po evidentohen.

    Prishtina është njëra ndër komunat që po përballet me këtë problematikë tash e katër ditë, prej kur ka nisur procesi mësimor.

    “Po presim, sipas informatave, që nesër të kemi furnizimin me ditarë”, tha drejtori i shkollës “Emin Duraku”, Visar Osmani.

    Derisa janë në pritje të drejtorisë komunale të arsimit për t’i furnizuar me ditarë, për këtë është gjetur zgjidhje nga ana e mësimdhënësve.

    “Ne edhe ashtu e kemi planin javor dhe ditor. Më pas kur të vijnë ditarët ne i vendosim në ditar e momentalisht i vendosim në ditarët personalë”, tha Naxhije Fejzullahu, mësimdhënëse.

    Me mungesë të ditarëve janë duke u përballur edhe shkollat në komunën e Drenasit.

    “Nuk kemi ditarë. Është shqetësuese dhe nuk e dimë se kur do të bëhet furnizimi me to”, tha drejtori i shkollës “Halil Bajraktari”, Sylë Berisha.

    Derisa thotë se furnizimi me ditarë do të duhej të bëhej me kohë, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, nuk e bën shumë problematike mungesën e tyre nëpër shkolla.

    “Më problem janë librat. Por do të duhej edhe të bëhej furnizimi me ditarë”, tha kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.

    Sipas SBASHK-ut, në komunën e Prizrenit është bërë pjesërisht furnizimi me ditarë, derisa Lipjani, Rahoveci dhe Peja tashmë janë furnizuar.

  • Mijëra armë pa leje në duart e qytetarëve, pak konfiskime nga policia

    Mijëra armë pa leje në duart e qytetarëve, pak konfiskime nga policia

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Rreth 250 mijë konsiderohet të jetë numri i armëve ilegale në Kosovë, por fare pak nga to janë konfiskuar nga Policia e Kosovës.

    Në 6 muajt e parë të këtij viti, policia ka konfiskuar vetëm 636 armë, derisa nga qershori e deri në shtator, as policia e as Ministria e Punëve të Brendshme nuk treguan se edhe sa të tjera janë marrë nga shteti.

    Megjithatë, nga njohës të sigurisë vlerësohet se duhet rritur kontrollet në çdo cep të vendit.

    “Sa i përket asaj se si qëndron çështja e sigurisë publike mund të themi se këtu duhet të kemi një angazhim më të madh të policisë përmes kontrollimeve dhe bastisjeve në lokacione të caktuara, ku dyshohet se mund të ketë armë pa leje në duart e qytetarëve të Kosovës”, tha eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

    Edhe masat ndëshkimore në rast të armëmbajtjeve pa leje, konsiderohet të jenë të lehta, ndonëse kodi penal parasheh dënime të ndryshme.

    “Politika ndëshkimore nuk është e keqe në raport me masat ndëshkimore, apo dënimeve që u shqiptohen kryesve të veprave penale, por natyrisht se dallon edhe nga sasia e armëve të cilën posedojnë kryesit e mundshëm. Dënimi për një armëmbajtje pa leje, në bazë të nenit 366 të Kodit Penal, është dënim me gjobë deri në 7500 euro, ose me burg deri në 5 vjet dhe zakonisht në praktikë kemi shqiptim të dënimeve me gjobë”, tha Valdet Hoxha, ish-zëvendësministër i Punëve të Brendshme.

    Por jo vetëm dënime, edhe amnistia, sipas hoxhës, do të ishte një opsion i mirë për zvogëlimin e numrit të armëve ilegale që janë në duart e qytetarëve.

    “Planifikimi i një amnistie të përgjithshme për një kohë të caktuar me qëllim të mbledhjes së armëve dhe krijimit të një sigurie më të madhe publike, sepse njerëzit edhe nga frika e dënimit mund të mos i dorëzojnë, prandaj duhet dhënë shanse atyre që t’i dorëzojnë vullnetarisht dhe të mos ndiqen penalisht”, tha Hoxha.

    Vetëm në dhjetëditëshin e fundit në Kosovë u kryen 2 vrasje me armë zjarri, teksa për një muaj ndodhën 5.