ATV

Category: Lajme

  • ATK: Bizneset në veri duhet të regjistrohen ose ndëshkohen

    ATK: Bizneset në veri duhet të regjistrohen ose ndëshkohen

    Administrata Tatimore e Kosovës është duke kërkuar nga bizneset që veprojnë në Mitrovicë të Veriut, të regjistrohen në sistemin e Kosovës.

    Shumë biznese atje, ashtu si edhe në komunat e tjera me shumicë serbe në veri, nuk janë të evidentuara.

    Kjo do të thotë se ato, prej vitesh, nuk i paguajnë asnjë detyrim shtetit të Kosovës

    Në fakt, popullata serbe në veri, që nga paslufta, nuk u bindet vendimeve të institucioneve të Kosovës, por atyre të Serbisë, që funksionojnë në zonë përmes strukturave paralele.

    Edhe kërkesën e fundit të ATK-së, disa udhëheqës serbë të bizneseve me të cilët bisedoi REL-i në Mitrovicë të Veriut, thanë se do ta shpërfillin.

    Pronarja e një salloni të bukurisë, e cila foli në kushte anonimiteti, tha se ka dëgjuar se inspektorët tatimorë, të shoqëruar nga policia, i kanë paralajmëruar pronarët e bizneseve se duhet të regjistrohen, por se ajo nuk e ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë – së paku tash për tash.

    Sipas saj, ky është edhe një tjetër “presion” mbi serbët në veri, që, siç tha, vjen në “kohë të gabuar”.

    Ajo nuk specifikoi më shumë, por tha se nëse nuk ka asnjë zgjidhje tjetër, do të interesohet për procedurat e regjistrimit të biznesit.

    Pronarja e një dyqani ushqimor tha se të ardhurat e saj nuk do të ishin të mjaftueshme, nëse do t’i duhej të paguante taksa.

    “Derisa shkon kështu, unë do të punoj… Kur të vijë koha [e regjistrimit], do ta llogaris nëse një gjë e tillë është mjaft fitimprurëse. Tani për tani, nuk e kam ndërmend… Dhe mendoj se nuk do të më mbyllet lokali, pavarësisht presioneve nga të gjitha anët”, tha kjo sipërmarrëse serbe.

    Javën e kaluar, inspektorë të Administratës Tatimore të Kosovës vizituan disa biznese lokale në Mitrovicë të Veriut dhe iu kërkuan atyre që të regjistrohen në sistemin e Kosovës. Aktiviteti i inspektorëve vazhdoi edhe në fillim të kësaj jave, përkatësisht më 4 shtator.

    Drejtori rajonal i ATK-së, Besim Halili, tha për Radion Evropa e Lirë se shumica e bizneseve të inspektuara, janë të paregjistruara, por nuk ofroi shifra konkrete.

    Ai tha se pronarëve u janë dhënë shtatë ditë kohë për të regjistruar veprimtarinë e tyre.

    “Nëse kanë nevojë për afat shtesë, ne mund ta vazhdojmë, për shkak se është problem… Qendra të regjistrimit të bizneseve – mesa kam unë informacione – nuk ka në këto komuna. Ata [përfaqësuesit e bizneseve] duhet të shkojnë në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë [për t’u regjistruar]”, tha Halili.

    Nga të dhënat e kësaj ministrie, dërguar REL-it, nuk vërehet ndonjë rritje e regjistrimit të bizneseve.

    Gjatë krejt muajit gusht, nga komunat me shumicë serbe në veri janë regjistruar vetëm tri biznese – dy nga Mitrovica e Veriut dhe një nga Leposaviqi. Ndërsa, në periudhën 1-6 shtator nuk figuron ndonjë biznes i regjistruar.

    Aplikimi për regjistrim të bizneseve mund të bëhet në çdo qendër komunale të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Aplikimi mund të bëhet edhe online.

    ATK-ja planifikon ta shtrijë inspektimin edhe në komunat tjera me shumicë serbe në veri të Kosovës: Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

    Halili tha se nëse bizneset nuk regjistrohen, do të pasojnë gjoba, ose do të regjistrohen nga vetë ATK-ja.

    “ATK-ja e ka të drejtën e regjistrimit të bizneseve, në rast se ato nuk regjistrohen vetë. Nëse tatimpaguesi refuzon të regjistrohet, administrata e regjistron vetë për çështje tatimore, i lëshon numër fiskal biznesit në mënyrë të rregullt dhe mund të llogarisë në obligimet tatimore. Në të kundërtën, [biznesi i paregjistruar] mund të gjobitet me gjobë fillestare prej 500 eurosh”, shpjegoi Halili.

    Sipas të dhënave të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në katër komunat me shumicë serbe në veri janë të regjistruara 3.796 biznese, që ushtrojnë veprimtari të ndryshme.

    Leposaviqi është komuna me numrin më të madh të bizneseve të regjistruara, përkatësisht 1.472; pason Zveçani me 854, Mitrovica e Veriut me 807 dhe Zubin Potoku me 663.

    Por, edhe pse janë të regjistruara, sipas Halilit, ato nuk janë të pajisura me pajisje elektronike fiskale, që regjistrojnë hyrje-daljet, rrjedhimisht tatimet që janë të obliguara t’i paguajnë në Administratën Tatimore të Kosovës.

    Halili tha se pajisja e tyre me arka fiskale do të shqyrtohet në ndonjë rast më vonë.

    Me Ligjin për Administratën Tatimore të Kosovës, mosinstalimi i pajisjeve elektronike fiskale ndëshkohet me gjobë.

    Administrata Tatimore e Kosovës ka 13 inspektorë për rajonin e Mitrovicës, prej të cilëve tre janë të komunitetit serb, një boshnjak dhe të tjerët shqiptarë.

    Halili tha se gjatë inspektimeve të fundit në Mitrovicë të Veriut kanë qenë të pranishëm edhe inspektorë të nacionalitetit serb, ndaj të cilëve, siç tha, ka pasur presion nga pronarët e bizneseve serbe.

    Ai tha se gjatë dy ditëve të fundit janë pezulluar aktivitetet e inspektimit dhe se një arsye për këtë ka qenë pikërisht “presioni dhe frikësimi i inspektorëve serbë”.

    “Më 5 shtator kam kërkuar nga ATK-ja që të vijnë në ndihmë dy inspektorë të nacionalitetit serb nga komuna e Graçanicës. Po atë ditë kam pasur informatë se do të vijnë, por më pas më kanë njoftuar se nuk vijnë, për shkak se kanë hyrë në pushim mjekësor”, tha Halili.

    REL-i pyeti në ATK për arsyen e mosdërgimit të inspektorëve shtesë, por nuk mori përgjigje.

    “Unë e kuptoj që kanë presion, por derisa janë inspektorë, duhet të veprojnë… Nëse i nënshtrohemi presionit, atëherë përse ekzistojmë si institucion”, u shpreh Halili.

  • Guterres: Bota rrezikon një “thyerje të madhe” të sistemeve ekonomike

    Guterres: Bota rrezikon një “thyerje të madhe” të sistemeve ekonomike

    Bota rrezikon një “thyerje të madhe” të sistemeve të saj ekonomike dhe financiare, tha të enjten Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres në një samit me bllokun ASEAN të Azisë Juglindore, Kinën, Shtetet e Bashkuara dhe të tjerë në Indonezi.

    Në një fjalim të gjerë që preku tensionin gjeopolitik, financat e zhvillimit shumëpalësh dhe ndryshimet klimatike, Guterres u bëri thirrje liderëve botërorë që të gjejnë zgjidhje paqësore dhe gjithëpërfshirëse për sfidat me të cilat përballet bota.

    “Ekziston një rrezik real i fragmentimit – i një thyerjeje të madhe në sistemet ekonomike dhe financiare botërore; me strategji të ndryshme mbi teknologjinë dhe inteligjencën artificiale dhe kornizat konfliktuale të sigurisë,” tha ai.

    Ai bëri thirrje për një mekanizëm për të ofruar lehtësim për ekonomitë në zhvillim me borxhe, për të përfshirë pezullimet e pagesave, afate më të gjata të huadhënies dhe norma më të ulëta interesi.

    Ai shprehu gjithashtu mbështetje për ri-kanalizimin e një shtesë prej 100 miliardë dollarësh të të Drejtave të Tërheqjes Speciale të Fondit Monetar Ndërkombëtar përmes bankave shumëpalëshe të zhvillimit për të rritur likuiditetin dhe për të mbështetur nevojat e ekonomive në zhvillim.

    Vendet e pasura ranë dakord në vitin 2021 për të ri-kanalizuar fondet e papërdorura, një monedhë rezervë ndërkombëtare, në vendet e varfra, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.

    Në një samit të Parisit në qershor të këtij viti, liderët botërorë mbështetën një shtytje për bankat e zhvillimit shumëpalësh si Banka Botërore për të vënë më shumë kapital në rrezik për të rritur kreditimin.

    Presidenti i Bankës Botërore Ajay Banga përshkroi një “paketë mjetesh” në atë samit, duke përfshirë ofrimin e një pauze në shlyerjet e borxhit, duke u dhënë vendeve fleksibilitet për të ridrejtuar fondet për reagimin e emergjencës, duke ofruar lloje të reja sigurimesh për të ndihmuar projektet e zhvillimit dhe duke ndihmuar qeveritë të ndërtojnë sisteme paraprake të urgjencës.

    Guterres tha gjithashtu se ai mbeti “thellësisht i shqetësuar” për “përkeqësimin e situatës politike, humanitare dhe të të drejtave të njeriut” në Myanmar, një komb i rrethuar nga lufta që nga një grusht shteti ushtarak i vitit 2021.

    “Unë përsëris thirrjen time urgjente për autoritetet ushtarake të Mianmarit që të dëgjojnë aspiratat e popullit të saj, të lirojnë të gjithë të burgosurit politikë dhe të hapin derën për një kthim në sundimin demokratik”, tha ai.

    Në një deklaratë të mërkurën, kryesuesi i ASEAN Indonezia tha se liderët rajonalë shprehën “shqetësim të madh” për mungesën e përparimit thelbësor në planin e tyre të paqes me pesë pika për Mianmarin.

    Udhëheqësit e ASEAN-it do të zhvillojnë bisedime me Kombet e Bashkuara më vonë të enjten.

  • Osmani: Kushtetuta e Kaçanikut simbolizon përkushtimin tonë për t’i dhënë drejtimin përpjekjes për liri e shtet të pavarur

    Osmani: Kushtetuta e Kaçanikut simbolizon përkushtimin tonë për t’i dhënë drejtimin përpjekjes për liri e shtet të pavarur

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në 33 vjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut ka thënë se Kushtetuta e Kaçanikut, simbolizon përkushtimin tonë dhe guximin e delegatëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës për t`i dhënë drejtimin përpjekjes për liri, demokraci e shtet të pavarur demokratik.

    “Kushtetuta e Kaçanikut, simbolizon përkushtimin tonë dhe guximin e delegatëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës për t`i dhënë drejtimin përpjekjes për liri, demokraci e shtet të pavarur demokratik. Kjo Kushtetutë, mishëron parimet e barazisë, lirisë dhe demokracisë dhe mbetet guri themeltar i plotësimit të idealit të brezave për Kosovën Republikë, duke ngërthyer në vete vlerat perëndimore, aspiratë e përhershme e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Presidentja Osmani.

    Presidentja Osmani ka thënë se delegatet dhe delegatët e atëhershëm meritojnë respektin më të lartë.

    “Delegatet dhe delegatët e atëhershëm meritojnë respektin më të lartë, sepse me guximin e tyre, aktin më të lartë juridik e shndërruan në njërin nga hapat më të rëndësishëm të konsolidimit të identitetit të shtetit të ardhshëm të Kosovës”, ka theksuar Presidentja.

    Sipas Presidentes Osmani Dita e Kushtetutës së Kaçanikut , duhet të shërbejë si një moment reflektimi dhe nxitje për t`i përmbushur parimet e Kushtetutës sonë.

    “Dita e Kushtetutës së Kaçanikut , duhet të shërbejë si një moment reflektimi dhe nxitje për t`i përmbushur parimet e Kushtetutës sonë, sikurse edhe mbrojtjes e afirmimit të vlerave për të cilat është përcaktuar shoqëria kosovare”, ka thënë Presidentja Osmani.

  • Miftaraj: Në vend se të flitet për integrim Evropian, Kosova ballafaqohet me sanksione

    Miftaraj: Në vend se të flitet për integrim Evropian, Kosova ballafaqohet me sanksione

    Drejtori ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, tha për Ekonomia Online se Kosova është po shihet si një pik e zezë në hartën e botës nga shtet e Bashkimit Evropian (BE) dhe shtet e tjera, për shkak të masave ndëshkuese që i janë vendosur nga BE-ja tash e sa muaj.

    Sipas tij, nga këto masa të vendosura nga vendet evropiane, Qeveria e Kosovës nuk është ftuar në takime nga institucionet e BE-së për të diskutuar për kapitujt e caktuar që lidhen me integrimin Evropian.

    Miftaraj tha se kjo situatë do të duhej që të ishte alarm për qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, ku sipas tij, në vend që të diskutohet për hapat integrues në BE, është duke u diskutuar për heqjen e masave ndëshkuese nga BE-ja.

    “Pa pikë dyshimi që do të ishte alarm për Qeverinë Kurti, për gjithë ministrat në Qeverinë Kurti, për Lëvizjen Vetëvendosje sepse në vitin 2023, në vitin e tretë të qeverisjes Kurti kur do të duhej sot të bënim bilancin se ku është Kosova në procesin e integrimit Evropian, sot po flitet do të thotë se si t’i heqin masat ndëshkuese nga BE të vendosura ndaj Kosovës”, tha ai.

    Sipas Miftarjat vetë kryeministri Kurti ka deklaruar se nga këto masa dëmi që ju është shkaktuar Kosovës është 500 milion euro.

    “I kemi fushat që kanë të bëjnë me ndihmën financiare që jep BE-ja ndaj Kosovës, vetë kryeministri Kurti ka përmendur se janë diku afërsisht do të thotë, dëmi që iu ka shkaktuar Kosovës është 500 milionë euro. Po pjesa besoj më e rëndësishme ku është një regres i jashtëzakonshëm është integrimi Evropian. Sot kur do të duhej të flisnim në cilën fazë është marrëveshja për stabilizim asocim, ku është aplikacioni i Kosovës për integrim në BE. Të gjitha këto kanë shënuar regres dhe kryesisht tema debati është se a do të hiqen masat ose jo”, tha ai.

    Drejtori i IKD-së theksoi se nga këto masa të vendosura, Kosova është dukë u parë si një pikë e zezë nga shtet e BE-së dhe shtete e tjera të cilat janë duke hezituar të investojnë në shtetin i cili është nën masa ndëshkuese nga BE-ja.

    “E kemi parë që kryeministri Kurti kryesisht ministrat e kësaj qeverie po ftohen në disa forume të cilat kanë karakter dytësor mund të themi, që kanë interes për integrimin e Kosovës në BE. Kemi parë që kemi shumë pak takime të ministrave të qeverisë Kurti me institucionet e BE-së është ulur niveli i takimeve kryesisht me deputete të Kuvendit të Kosovës të cilët fatmirësisht nuk janë subjekt i sanksioneve nga BE-ja. Ne si IKD por edhe OJQ e tjera mund të them që së paku në 7-8 muajt e fundit nuk kemi pranuar as një ftesë që kanë të bëjnë me takimet që kemi pasur të rregullta jo vetëm ne por edhe qeveria e Kosovës me institucionet e BE-së për kapitujt e caktuar të plotësimit të kritereve që lidhen me integrimin Evropian dhe shumë fusha të tjera të cilat mund të them që Kosova sot po shihte si një pik e zezë nga BE-ja por edhe nga shtetet e tjera të cilat në një farë mënyre hezitojnë të investojnë një shtet sikur se është Kosova e cila është nën masa ndëshkuese nga BE-ja”, tha ai.

  • Bislimi udhëtoi për në Hagë të Holandës

    Bislimi udhëtoi për në Hagë të Holandës

    Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka udhëtuar drejt qytetit të Hagës në Holandë, ka njoftuar zyra e kryeministrit.

    Gjatë kësaj vizite zyrtare, ndër të tjera, zëvendëskryeministri Bislimi do të ketë bashkëbisedim me deputetët e Komisionit për Çështje Evropiane të Parlamentit të Holandës si dhe vizitë në Këshillin Ekonomik dhe Social (SER).

    Bashkëbisedimin me deputetët e Parlamentit të Holandës, nga Komisioni për Çështje Evropiane, do të filloj nga ora 10:00.

  • Nga 1 shtatori qytetarët lejohen të kalojnë nëpër Austri me patentë shoferë të Kosovës

    Nga 1 shtatori qytetarët lejohen të kalojnë nëpër Austri me patentë shoferë të Kosovës

    Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri njofton se që nga data 1 shtator 2023, pas ndryshimit të Ligjit Federal të Austrisë dhe aktit respektiv normativ lejohet kalimi nëpër Austri me patentë shofer të Republikës së Kosovës.

    Nga ky lehtësim përfitojnë qytetarët e Kosovës që në Austri ndodhen si vizitorë, qytetarët e Kosovës që nëpër Austri kalojnë transit si dhe qytetarët e Kosovës që kanë qëndrim të përkohshëm në Austri.

    Ambasada njofton se ky lehtësim nuk vlen ende për të gjithë ata qytetarë të Kosovës, të cilët në Austri kanë qëndrimin e tyre të rregullt me leje qëndrimi.

    Lexoni të plotë njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës:

    Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri njofton se që nga data 1 shtator 2023, pas ndryshimit të Ligjit Federal të Austrisë dhe aktit respektiv normativ lejohet kalimi nëpër Austri me patentë shofer të Republikës së Kosovës.

    Nga ky lehtësim përfitojnë këto kategori:

    Qytetarët e Kosovës që në Austri ndodhen si vizitorë,

    Qytetarët e Kosovës që nëpër Austri kalojnë transit,

    Qytetarët e Kosovës që kanë qëndrim të përkohshëm në Austri.

    Ky lehtësim NUK vlen ende për të gjithë ata qytetarë të Kosovës, të cilët në Austri kanë qëndrimin e tyre të rregullt me leje qëndrimi.

    Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri dhe institucionet e Republikës së Kosovës do të vazhdojnë angazhimin e tyre intensiv për njohjen e plotë të patentë shoferëve, e cila do të lehtësojë konvertimin dhe zëvendësimin e plotë të lejes së patentave për qytetarët e Republikës së Kosovës me leje qëndrimi afatgjatë në Austri.

  • Shumica e komunave i binden AIP-it për vendosje të kamerave nëpër sheshet publike

    Shumica e komunave i binden AIP-it për vendosje të kamerave nëpër sheshet publike

    Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP), Krenare Sogojeva-Dërmaku ka thënë për Ekonomia Online se në shumicën e komunave në vend, kamerat e vendosura në sheshet publike janë legale.

    Sipas saj, AIP ka kërkuar nga autoritetet që kamerat e vendosura nëpër sheshe publike të jenë sipas kritereve ligjore, pasi autoritet për t’i mbikëqyr këto kamera është vetëm Policia e Kosovës

    Ajo ka thënë se nga shumica e komunave kanë marrë konfirmimin se i kanë ndërmarrë të gjitha veprimet sipas vendimit që e ka lëshuar ky institucion.

    “Agjencia vitin e kaluar në bazë të planit të inspektimit ka bërë inspektimin në të gjitha komunat e Kosovës, përjashtuar komunat serbe në veri, ku ka kërkuar nga autoritetet që kamerat që vendosen nëpër sheshe publike të jenë sipas kritereve ligjore, i vetmi autoritet që ka të drejtë t’i mbikëqyr kamerat në sheshe publike është Policia e Kosovës, deri më sot në shumicën e komunave që kemi lëshuar vendime tashmë edhe e kemi shkresën thuajse ku na kanë njoftuar se i kanë ndërmarrë të gjitha veprimet sipas vendimit që e kemi lëshuar ne si Agjenci dhe sot në shumicën e komunave kamerat të cilat janë të vendosura në sheshet publike janë legale”, ka thënë Sogojeva-Dërmaku

    Sogojeva-Dermaku ka deklaruar se synim i tyre mbetet transparenca dhe llogaridhënia institucionale.

    “Agjencia për Informim dhe Privatësi një prej detyrave por edhe prioriteteve të saj në vazhdimësi e ka edhe fushatat e ndërgjegjësuese me qëllim që t’i ndërgjegjësojmë institucionet publike në raport me zbatimin e ligjeve çoftë të qasjes çoftë të mbrojtjes por edhe të qytetarëve për t’i mbrojte të dhënat e tyre personale por edhe të realizojnë të drejtën e tyre për të pas qasje në dokumente publike në mënyrë që të ngrisim transparencës institucionale por edhe llogaridhënien institucionale”, deklaroi ajo.

    “… ne në vazhdimësi mbajmë ligjërata në Universitete, kemi konferenca, takime të ndryshme me biznese, me shoqërinë civile, më komunitet të gazetarëve, me qëllimin që sa më shumë t’a ndajmë dhe t’i ndërgjegjësojmë qytetarët për sa i përket këtyre të drejtave por në anën tjetër sidomos për bizneset të ngrisim ndërgjegjësimin rreth zbatimit të ligjit për mbrojtjen e të dhënave, tashmë kemi mbajt disa takime, tryeza të rrumbullakta, aktivitete të ndryshme çoftë me odat ekonomike që janë në vend, çoftë me shoqata të ndryshme të bizneseve të ndryshme”, u shpreh ajo.

  • Moti për sot dhe nesër

    Moti për sot dhe nesër

    Dita e sotme në vendin tonë nisi me reshje të shiut, ndërsa gjatë pas ditës pritet të ketë vranësira të herë pas hershme.

    Temperaturën minimale për ditën e sotme do ta mbajë Peja me 13 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prishtina me 28 gradë Celsius.

    Mot i ngjashëm pritet të mbizotëroi edhe nesër, ku herë pas here pritet të ketë edhe reshje të shiut.

    Temperaturën minimale për ditën e nesërme do ta mbajë Prishtina me 11 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Mitrovica me 29 gradë Celsius. /atvlive.tv

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • Kurti për Kushtetutën e Kaçanikut: Kosova Republikë u bë fakt historik më 7 shtator e realitet politik më 17 shkurt

    Kurti për Kushtetutën e Kaçanikut: Kosova Republikë u bë fakt historik më 7 shtator e realitet politik më 17 shkurt

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka shkruar ne 33 vjetorin e shpalljes së Kushtetutës së Kaçanikut, duke kujtuar ata që dhanë kontributin në shkrimin e saj.

    Kurti tha se autori i saj, profesor Gazmend Zajmi dhe një grup i përbërë nga juristët më të zotë të Kosovës, u mblodhën fshehur në Prishtinë për të ndarë detyrat mes tyre. Sipas Kurtit, do ta hartonin një kushtetutë demokratike për ta shpallur Kosovën republikë,

    “Ata do ta hartonin një kushtetutë demokratike për ta shpallur Kosovën republikë. Preambulen e Kushtetutës dhe kapitullin Dispozitat e Përgjithshme, e mori përsipër ta hartonte Profesor Kurtesh Saliu. Kapitullin Rendi Ekonomik dhe Social, do ta hartonte Profesor Ejup Statovci. Kapitullin Liritë, të Drejtat dhe Detyrat e Njeriut dhe Qytetarit e mori për detyrë ta hartonte Profesor Ismet Salihu. Kapitullin Kushtetutshmëria dhe Ligjshmëria, do ta hartonte Fatmir Fehmiu. Kapitulli Organet Republikane iu caktua për detyrë Halit Muharremit. Kurse kapitulli Dispozitat Kalimtare dhe të Fundit, do ta hartonte Profesor Riza Smaka. Në një kohë rekorde prej më pak se një muaji, ata e përgatitën Kushtetutën e Republikës së Kosovës, tekstin e së cilës, teknikisht e shkroi Nexhmije Ajazi”, ka shkruar Kurti ne Facebook.

    Kurti foli edhe për rrethant në të cilat u miratua kjo Kushtetutë.

    “Qëllimisht u vendos që mbledhja të mbahej në qytetin e Kaçanikut, qëllimisht në një ditë të premte dhe qëllimisht në mbrëmje vonë. Organizimi i mbledhjes së Kuvendit të Kosovës, në Kaçanik i ishte ngarkuar një këshilli të përbërë nga Hebib Shehu, Bedri Kyçyku, Fadil Raka, Refik Raka, Sabit Raka dhe Maksut Hoxha. Shumë njerëz të tjerë, kryesisht banorë të Kaçanikut u angazhuan në këtë organizim”.

    “Një grup i parë do t’i priste delegatët 3 kilometra jashtë Kaçanikut. Derisa të vinte koha e caktuar për mbledhje, një grup i dytë do t’i sistemonte delegatët duke i strehuar ata te familjet Shehu, Lika, Burrniku, Kuka, Shurdhani etj. Një grup tjetër i përbërë nga ish policë, të prirë nga Tahir Çaka, e kishte për detyrë të ofronte sigurinë për mbajtjen e mbledhjes dhe të kujdestaronte”.

    “Ata ishin të armatosur dhe të gatshëm për t’i mbrojtur delegatët në rast se ky organizim merrej vesh nga policia. Një grup ishte caktuar për përcjelljen e delegatëve pas takimit. Paraprakisht ishin menduar tri rrugë për tërheqjen e delegatëve nga Kaçaniku: rruga e parë, ishte përmes Hanit të Elezit; rruga e dytë shkonte nëpërmjet fshatrave Gajre, Ivajë, Kotlinë dhe Glloboqicë; si dhe rruga e tretë kalonte nga Stanet e Brrutëve në Dërnogllavë dhe prej andej në Bllacë”, shkroi Kurti.

    Më tej, kreu i qeverisë tha se delegatët që kishin ardhur direkt në mbledhje, priteshin te stacioni i trenit në Kaçanik nga delegati Naser Gashi bashkë me Emin Rekën, të cilët sipas tij, i shoqëronin delegatët deri në Shtëpinë e Kulturës.

    “Në rast se gjërat do të shkonin keq, ishte menduar që mbledhja të mbahej në shkollën e fshatit Nikaj të Kaçanikut, ky si një plan B, për të cilin ishte angazhuar Shefket Guri.

    Bibliotekistët Isa Gashi dhe Haki Raka do ta përgatisnin sallën ku do të mbahej mbledhja në Shtëpinë e Kulturës në Kaçanik, kurse Refik Verbani do të kujdesej për teknikën e zërimit”.

    “Për ta dëshmuar këtë ngjarje historike, ishin ftuar gazetari Zenun Çelaj, fotoreporteri Enver Bylykbashi dhe kameramani Mamer Dogani. Të tyre janë fotografitë dhe videoincizimet aq të mirënjohura të asaj mbledhje. Nënshkrimet e delegatëve ishin marrë që më parë, por në mbledhje arritën të merrnin pjesë rreth 80 nga 111 delegatët e Kuvendit të Kosovës”.

    “Kështu plot 33 vite më parë, më 7 shtator të vitit 1990, në ora 20:00, në sallën e Shtëpisë së Kulturës në Kaçanik nisi mbledhja që do ta shpallte Kosovën republikë. Mbledhja u drejtua nga Iljaz Ramajli, Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, kurse Rezolutën për Republikën e Kosovës e lexoi Halit Muharremi, Sekretari i Kuvendit”.

    “Kushtetuta e Republikës së Kosovës, u miratua “duke u mbështetur në traditën demokratike shekullore përparimtare e liridashëse të kombit shqiptar” si dhe “duke u mbështetur në luftën çlirimtare”, përveçse “në pajtim të plotë me parimet e demokracisë e të barazisë dhe në bazë të së drejtës për vetëvendosje”. Ajo e shprehu vullnetin politik të qytetarëve të Kosovës në fillim të një dekade luftërash në Jugosllavi, një dhjetëvjetësh nga i cili Kosova doli e çliruar nga Serbia pushtuese, falë rezistencës së popullit të saj dhe luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të mbështetur nga aleatët tanë”, shkroi Kurti.

    Kurti, më tej tha se nga parullë popullore e demonstratave të vitit 1981, “Kosova Republikë”, u bë fakt historik në Kaçanik më 7 shtator 1990, përpara se të bëhej realitet politik më 17 shkurt 2008.

  • 33 vjet nga shpallja e Kushtetutës së Kaçanikut

    33 vjet nga shpallja e Kushtetutës së Kaçanikut

    Në këtë datë të vitit 1990 delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, që kishin shpallur Deklaratën e Pavarësisë më 2 korrik të atij viti, e formalizuan këtë deklaratë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

    Nga protagonistët e miratimit të saj, 7 Shtatori është cilësuar si identitet i historisë së re të Kosovës.

    Kushtetuta e republikës së Kosovës është shpallur në Kaçanik, pasi ishte qyteti më i afërt me kufirin me Maqedoninë, dhe mundësia e shpalljes së Kushtetutës ishte më e lehtë.

    Në atë kohë, Kosova ishte e okupuar tërësisht nga forcat policore dhe ushtarake të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë, pasi nga 2 korriku, kur u lexua deklarata e pavarësisë, filloi një aparteid i regjimit të Millosheviçit ndaj Kosovës dhe qytetarëve shqiptarë./KP