ATV

Category: Lajme

  • Zyrtari i BE-së: Sanksionet ndaj Kosovës janë të përkohshme dhe hap i kthyeshëm

    Zyrtari i BE-së: Sanksionet ndaj Kosovës janë të përkohshme dhe hap i kthyeshëm

    Shefi për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë, Alessandro Bianciardi, ka thënë se sanksionet e vendosura nga BE-ja janë “të përkohshme dhe hap i kthyeshëm”, raporton Ekonomia Online.

    Siç është shprehur ai në Qeverinë e Kosovës, sapo të arrihet depërshkallëzimi i situatës në veri në përputhje me rekomandimet e BE-së, Kosovës do t’i kthehet ndihma financiare dhe politike.

    Sipas tij, stabiliteti politik është kusht për zhvillimin dhe prosperitetin e Kosovës.

    Ai ka thënë se shpreson që deeskalimi të ndodhë sa më shpejt, në mënyrë që BE-ja ta kthejë fokusin e saj në reformën e Kosovës, e cila është vendimtare për integrim.

    “Dua ta tërheq vëmendjen tuaj për pengesat aktuale në zhvillimin e ardhshëm të bashkëpunimit. Meqenëse stabiliteti politik është aq i rëndësishëm në sigurimin e prosperitetit të Kosovës, situata aktuale politike na bën thirrje të gjithëve për deeskalimin e situatës në veri”.

    “Në këtë drejtim, BE-ja ka miratuar një sërë masash për ta bërë të qartë mesazhin dhe ka pezulluar dispozitën për ndihmën financiare për Kosovën”.

    “Do të doja të theksoja se këto janë masa të përkohshme dhe hap i kthyeshëm. Shkalla jonë e plotë e asistencës financiare dhe angazhimit politik do të rifillojë sapo qeveria ta realizojë përshkallëzimin e situatës në përputhje me rekomandimet e BE-së”.

    “Shpresojmë që shumë shpejt ta lëmë pas dhe ta kthejmë fokusin tonë në reformën që është vendimtare për ta afruar Kosovën me Bashkimin Evropian”, është shprehur Bianciardi.

    Këtë deklaratë, ai e ka bërë pas konferencës për medie me ministrin e Mjedisit, Liburn Aliu, rreth udhëzimit administrativ për qeset e plastikës.

  • ​Ndalohet përdorimi i disa qeseve të plastikës, tjerat bëhen me pagesë

    ​Ndalohet përdorimi i disa qeseve të plastikës, tjerat bëhen me pagesë

    Me moton “Thuaj Jo qeseve plastike! Ruaje mjedisin”, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës bëri të ditur se është finalizuar Udhëzimi Administrativ, me ç’rast qeset e plastikës janë bërë me pagesë e disa do të ndalohen krejtësisht.

    Në një konferencë për media të enjten ministri i MMPHI-së, Liburn Aliu, tregoi se cilat qese do të ndalohen e cilat do të bëhen me pagesë.

    Aliu tha se do të lejohen vetëm qeset që lejohen për fruta, nga 25 deri 50 mikronë do të lejohet përdorimi i tyre, e të cilat do të kushtojnë 5 centë.

    “Me udhëzimin administrativ që ka të bëjë me qeset e plastikës do të ju informoj se do të kemi ndalim të prodhimit të qeseve të plastikës nga 0 deri 25 micron. Pra qeset e holla të plastikës të cilat përdoren sot dhe mund të merren në markete falas do të ndalohen plotësisht. Nga 0 deri 25 micronë do të lejohen vetëm qeset të cilat përdoren për fruta e nuk do të kenë ato mbajtëset. Ndërsa qeset nga 25 deri në 50 micronë do të lejohet përdorimi i tyre dhe do të kushtojnë 5 centë por nuk do të lejohet që të kenë logo të prodhuesve apo të reklamës. Do të kemi njëkohësisht ndalim të prodhimit, importit, dhe shitjes në treg të qeseve plastike mbajtëse… Për qeset e plastikës të biodegradueshme të çfarëdo madhësie dhe trashësie me një certifikatë përkatëse që vërteton që qeset e plastikës janë nga materiali i biodegradueshëm nuk do t’i vendoset çmim shitje minimale detyrues e as tarifës prej 0.02 euro. Për qeset e plastikes mbajtëse me doreza mbi 50 micronë nuk do të vendoset çmim shitjeje minimal detyrues e as tarifë prej 0.02 euro”, tha Aliu.

    Ministri Aliu tha se me udhëzimin administrativ do të krijohet mundësia e rimbursimit të dispozitave, porse, sipas tij ky proces do të marrë kohë.

    “Sistemi i rimbursimit të depozitave është çështje tjetër, është një projekt i cili me udhëzimin administrativ krijohet mundësia fillimit të sistemit të rimbursimit dhe depozitës, por i cili nuk mund të filloj menjëherë. Për ta filluar sistemin e rimbursimit dhe depozitës duhet të ndërtohet një sistem ku do të jenë të përfshirë edhe prodhuesit, edhe shitësit dhe importuesit e ambalazhit që janë shishet e plastikës, kanaçet e aluminit, shishet e qelqit. Është projektuar që të mbajë të paktën këto shishe 0.25 litra lëngë dhe më së shumti deri në 2 litra lëngë dhe të jenë të mbyllura në gjendje hermetike dhe të pa përshkueshme nga uji në pikën e shitjes. Ato cka përjashtohen nga sistemi i rimbursimit dhe depozitave janë, ambalazhi i produkteve të qumështit, ambalazhi i pijeve alkoolike, kavanozat e qelqit dhe kuti prej kartoni”, shtoi Aliu.

    Aliu uron që deri në fund të vitit që vjen të mund të ketë rezultatet e para, që pastaj të fillohet të bëhet edhe implementimi i procesit.

    “Që të fillohet ky sistem duhet ndërtuar një sistem nëpër të gjitha marketet dhe menaxhimi i tyre duhet që të bëhet në bashkëpunim nga palët e rëndësishme, prodhuesit, importuesit dhe tregtuesit e shitësit e keture ambalazheve. Në të gjitha marketet e sidomos ato të mëdha duhet që të jenë pajisjet e rimbursimit në mënyrë automatike që i bie që qytetarët, të gjitha këto ambalazhe do të kenë shenjën përkatëse të vendosur në to e cila në mënyrë elektronike do të mund ta rikthejë depozitën ta rimbursojë përmes pajisjeve që do të vendosen nëpër markete. Këto sisteme i kemi parë dhe janë duke u aplikuar edhe në vendet e BE-së.. Dhe urojmë që deri në fund të vitit që vjen të mund të kemi rezultatet e para, që pastaj të fillojmë të bëjmë implementimin e saj”, tha tutje Aliu.

    E shefi për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë, Alessandro Bianciardi, derisa u bëri thirrje tw gjitha kompanive të zbatojnë këtë masë, shtoi se nëse do të ketë sukses në zbatimin e rregullave evropiane do të ketë ulje 33 për qind të numrit të përdorimit të qeseve njëpërdorimëshe.

    “Nëse kemi sukses në zbatimin e rregullave evropiane do të kemi ulje 33 për qind të numrit të përdorimit të qeseve njëpërdorimshme. Duam të ndajmë gjithashtu me ju përvojat tona, të asistojmë Kosovën që të gjejë zgjidhje afatgjate për punën e mbeturinave plastike përmes ricikilimit dhe përdorimit. Zbatimi i duhur të akteve të reja ligjore është para nesh dhe shpresoj që do të kemi ndikim të mirë për Kosovën”, tha Bianciardi.

    Shefja për Bashkëpunim në Ambasadën gjermane në Kosovë, Vera Baumann, tha se Kosova me këtë akt ligjor po shënon një hap për një vend më të pastër. Ajo shtoi se Gjermania do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në këtë drejtim.

    “Sot po shënojmë një hap për një Kosovë më të pastër që e kemi arritur me partneret dhe qeverinë e Kosovës. BE është rrugë drejt një shoqërie të vetëdijshëm për qeset e plastikës. Është një fillim për një Kosovë më të pastër e përgëzojmë Kosovën për këtë akt ligjor…Gjermania do të vazhdojë të mbështesë Kosovën, njerëzit e saj, në përpjekje për një mjedis të pastër e të shëndetshëm ”, tha ajo.

  • 35 për qind e premtimeve të kryetarëve të komunave as nuk kanë filluar të përmbushen

    35 për qind e premtimeve të kryetarëve të komunave as nuk kanë filluar të përmbushen

    Rreth 35 për qind të premtimeve ende nuk kanë filluar të zbatohen nga kryetarët e komunave të Kosovës deri në qershor të këtij viti. Ndërkaq, 26 për qind e premtimeve janë përmbushur, 16 për qind janë gjysmë të përmbushura, derisa 23 për qind prej tyre kanë filluar të realizohen. Kështu bëri të ditur Instituti GAP në një konferencë për media derisa prezantoi të dhënat e përmbushjes së premtimeve nga komunat e Kosovës.

    Aty u tha se arsimi, kultura, ekonomia dhe shërbimet publike janë në fokus të komunave me më së shumti premtime të realizuara, derisa urbanizmi dhe infrastruktura janë lënë “ pas dore” nga kryetarët në përmbushjen e premtimeve.

    Drejtori i hulumtimeve në Institutin GAP, Agron Demi tha se ndër vite janë rritur premtimet e kryetarëve, pasi sipas tij, gara për mandat është shumë e ngushtë.

    “Një tjetër që ka ndryshuar prej vitit në vit apo prej zgjedhjeve në zgjedhje, është që numri i premtimeve është rritur, edhe kjo ka ardhur si rezultat i garës së ngushtë në të gjitha komunat, sidomos nga viti 2013 e tutje. Pjesa më e madhe e kryetarëve të komunave ka qenë të rinj dhe kandidatët për kryetarë të komunave e kanë kuptuar që pa punë nuk mund ta risigurojnë mandatin, edhe se nuk e ka askush të garantuar, nuk ka më bastione. Bashkëpunimi me kryetarët e komunave ka ndryshuar dukshëm, përderisa në vitin 2009, në kërkesën tonë për komente janë përgjigjur vetëm dy komuna, këtë vit janë 24 komuna të cilat në mënyrë pro aktive edhe para se të fillojmë ne monitorimin e premtimeve na kanë dërguar informacione”, tha Demi.

    Ndërkaq, hulumtuesi nga Instituti GAP, Bekim Salihu tha se komunat e Kosovës kanë realizuar 26 për qind të premtimeve të tyre, derisa 35 për qind ende nuk kanë filluar të përmbushen.

    “Nga 1816 premtime që kryetarët e komunave, 27 komuna kanë dhënë në fushatën e kaluar zgjedhore, 473 premtime rezultojnë të përmbushura, 285 premtime rezultojnë gjysmë të përmbushura, 422 premtime janë të filluara apo janë evidentuar nisma në përmbushjen e tyre, ndërkaq 636 premtime akoma nuk ka ndonjë ndërmarrje që ato të përmbushen, pra janë jo të përmbushura. Shprehur në përqindje 26 për qind e premtimeve janë përmbushur, 16 për qind e premtimeve janë gjysmë të përmbushura, 23 për qind e premtimeve janë të filluara dhe 35 për qind e premtimeve nuk kanë nisur të përmbushën”, tha Salihu.

    Tutje, Salihu tha se numri më i madh i premtimeve që janë përmbushur nga komunat i përkasin fushës së arsimit dhe kulturës, duke lënë mbrapa më një numër të vogël ato që i përkasin fushës së infrastrukturës dhe urbanizmit.

    “Numri më i madh i premtimeve të përmbushura i takojnë fushës së arsimit, kulturës, ekonomisë dhe shërbimeve publike, Ndërkaq, numri më i vogël i premtimeve janë përmbushur në fushën e urbanizmit dhe të infrastrukturës. Në vitin 2017, përkatësisht në vitin 2019 të mandatit të kaluar në periudhën e njëjtë, kur është bërë përditësimi për mandatin e kaluar ka dalur që fusha e infrastrukturës ka qenë fusha ku ka dominuar me numrin e përmbushjes së premtimeve, përderisa në këtë mandat është e kundërta. 09:25 Nga 199 premtime që kryetarët e komunave kanë dhënë në fushën e infrastrukturës, deri në fund të qershor të këtij viti dalin të përmbushura vetëm 13 premtime në këtë fushë. Edhe në mandatet e kaluara por edhe në këtë mandat, premtimet që më së vështiri po përmbushen i takojnë fushës së urbanizmit”, u shpreh Salihu.

    Sipas raportit, Komuna e Prishtinës, nga 206 premtime të dhëna, i ka përfunduar 29 prej tyre, derisa 85 prej tyre nuk kanë nisur ende.

    Po ashtu, edhe Komuna e Gjakovës, nga 35 premtime të dhëna deri në qershor të këtij viti i ka realizuar vetëm 6 prej tyre, ndërkaq 14 prej tyre listohen si të pa filluara.

    Ndërkaq, komuna e Pejës, nga 25 premtime të dhëna, vetëm 3 prej tyre ka arritur që t’i përmbushë, e që 8 të tjera nuk janë filluar ende realizimin e tyre.

    Instituti GAP njofton se gjatë këtij viti pritet që të bëhen edhe dy përditësime të tjera, sa I përket prezantimit të të dhënave mbi progresin e kryetarëve të komunave të Kosovës në përmbushjen e premtimeve zgjedhore./KP

  • ​Aliu: Disa qese të plastikës ndalohen e disa bëhen me pagesë

    ​Aliu: Disa qese të plastikës ndalohen e disa bëhen me pagesë

    Me parullën “Thuaj Jo qeseve plastike! Ruaje mjedisin”, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës bëri të ditur se është finalizuar Udhëzimi Administrativ, me ç’rast qeset e plastikës janë bërë me pagesë e disa do të ndalohen krejtësisht.

    Në një konferencë për media të enjten ministri i MMPHI-së, Liburn Aliu, tregoi se cilat qese do të ndalohen e cilat do të bëhen me pagesë.

    Aliu tha se do të lejohen vetëm qeset që lejohen për fruta, nga 25 deri 50 mikronë do të lejohet përdorimi i tyre, e të cilat do të kushtojnë 5 centë.

    “Do të kemi ndalim të prodhimit të qeseve të plastikës. Do të lejohen vetëm qeset që lejohen për fruta, nga 25 deri 50 mikronë, do të lejohet përdorimi i tyre, do të kushtojnë 5 centë, por nuk do të lejohet të ketë logo të reklamës. Këto sisteme po aplikohen edhe në vendet e aplikimit. I tërë sistemi që ka të bëjë me menaxhimin e mbeturinave ka fokus kryesor tek ekonomia qarkore, por e rëndësishme është që ne t’i zvogëlojmë mbeturinat dhe t’i ndajmë ato”, tha Aliu.

    Zëvendësshefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Alessandro Bianciardi tha se nëse ky projekt ka sukses, atëherë do të ketë ulje të përdorimit të qeseve te plastikes për rreth 33 për qind.

    “Plastika ka efekt negativ në ambient dhe në shëndetin e njeriut, kjo ndotje është duke u rritur dhe nëse nuk bëjmë asgjë kjo vazhdon të bëhet më e madhe. Nëse kemi sukses në zbatimin e rregullave evropiane do të kemi ulje të përdorimit të qeseve njëpërdorimëshe për 33 për qind. Duam të ndajmë përvojat tona dhe të asistojmë Kosovën që të gjejë zgjidhje afatgjate në këtë drejtim. Shpresojmë të kemi ndikim pozitiv në mjedis dhe shëndetin e qytetarëve”, tha Bianciardi.

    Edhe Shefja e Bashkëpunimit në Ambasadën Gjermane në Prishtinë, Vera Baumann, u shpreh e lumtur për këtë hap.

    Baumann, derisa tha se secila kompani duhet të zbatojë këtë vendim, shtoi se shteti Gjerman do të vazhdojë të mbështesë Kosovën për një mjedis të pastër.

  • Mesatarisht 8 raste të dhunës në familje çdo ditë – Prijnë Prishtina, Peja dhe Prizreni

    Mesatarisht 8 raste të dhunës në familje çdo ditë – Prijnë Prishtina, Peja dhe Prizreni

    Që nga korriku i vitit të kaluar deri në qershor të këtij viti, janë raportuar 2,735 raste te dhunës në familje apo mesatarisht 8 raste te tilla te raportuara çdo ditë në vendin tonë, raporton Ekonomia Online.

    Nga këto raste, 80 për qind e viktimave janë gra. Ndërsa, regjionet që prijnë me më së shumti raste të dhunës janë Prishtina me 910 raste, Peja me 338 raste dhe Prizreni me 333 raste.

    Kështu u bë e ditur në prezantimin e raportit të punuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GSJP), “Ballafaqimi me dhunën në familje në Kosovë: Trajtimi institucional ndaj dhunës në familje” (Korrik 2022- Qershor 2023).

    Raporti po ashtu ka gjetur se rastet më të shpeshta janë në marrëdhëniet bashkëshort-bashkëshorte dhe se Policia e Kosovës mbetet institucioni i parë me i besueshëm për raportimin e këtyre rasteve.

    Drejtoresha ekzekutive e GLPS-së, Arbëresha Loxha-Stublla, tha se përveç te gjeturave dhe rekomandimeve, raporti ka monitoruar edhe punën e sistemit gjyqësor ndaj dhunës në familje.

    Ajo ka bërë të ditur se nga 2,735 raste te raportuara, viktima të dhunes ne familje ishin 2,165 gra dhe 559 burra.

    “Nga 2,735 raste te raportuara, viktima të dhunës ne familje ishin 2,165 gra dhe 559 burra. Te dyshuarit janë mbi 80% burra”.

    Ajo ka thënë se një e gjetur tjetër e raportit është se ndëshkimet për dhunuesit janë të vogla.

    “Ekziston një politikë e dobët ndëshkuese. Vetëm 11 për qind e këtyre rasteve marrin dënim me burg. Edhe aktakuzat e Prokurorit kanë mangësi”.

    Burimet e të dhënave, siç bëri të ditur prezantuesi i këtij raporti, Liridon Salihi, janë marrë nga Policia e Kosovës, Prokurori i Shtetit dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

    “Dhuna ne familje vazhdon te jete fenomen negativ ne rritje ne Kosove. Gratë vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës ne familje. Shumica e rasteve te dhunës në familje ndodhin në raportin bashkëshort bashkëshorte dhe anasjelltas”.

    “Policia e Kosovës edhe me tutje mbetet institucioni i pare me i besueshëm për raportimin e kriminalitetit përfshirë këtu edhe dhunën ne familje. Aktakuzat janë te mangëta dhe kanë probleme në aspektin e kualifikimit të veprës penale. Gjykatat vazhdojnë te trajtojnë me prioritet rastet e dhunës në familje por sfide mbeten dënimet e ultë ndaj kryerësve të kësaj vepre penale”, ka thënë ai.

    “Mbi 80 për qind e të dyshuarve për dhunë në familje janë burra, ndërsa rreth 20 për qind e tyre janë gra. Nga kjo statistikë i bie që në çdo pesë persona të dyshuar si kryes të dhunës ne familje, katër prej tyre janë burra dhe një është grua”

    E ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka përmendur disa nga veprimet gjatë qeverisjes së saj kundër dhunës në familje.

    Sipas saj, kjo është Qeveria e parë që e ka prioritet këtë çështje.

    “Raportet si ky na tregojnë edhe neve si institucione gjendjen e sistemit të drejtësisë dhe trajtimin e rasteve të cilat janë prioritet i Ministrisë së Drejtësisë. Që nga viti 2021, dhuna ndaj familjes dhe dhuna ndaj grave është prioritet”, tha Haxhiu.

    “Disa nga veprimet që i kemi ndërmarrë dhe asnjëherë në të kaluarën dhuna në familje nuk ka qenë prioritet i asnjë qeverie, e kemi votuar Strategjinë për dhunën në familje. Tani jemi të fokusuar ta zbatojmë atë. Kemi ofruar ndihmë juridike falas për viktimat e dhunës në familje. Kemi bërë ndryshime në Kodin Penal për t’i dekurajuar dhunuesit qe të ushtrojnë dhunë. Kemi përgatitur shumë fushata vetedijësuese dhe po përgatitemi për një në nëntor. Bashkë me Ministrinë e Financave po punojmë për pakon për punësimib e grave viktima”, u shpreh ajo.

    Ajo po ashtu tha se nuk mendon se janë rritur rastet, por raportimet.

    “Ju e përmendet që rastet e dhunës janë rritur, por unë mendoj se është rritur raportimi”, tha Haxhiu.

    Gjyqtari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Sabit Salihaj, ka konsideruar se Gjykata jep dënime meritore për rastet e dhunës në familje.

    “Edhe pse jemi shumë të ngarkuar, këto lëndë janë me prioritet dhe i përfundojmë në afatin më të shkurtër të mundshëm. Çdo herë ka vend për përmirësime, por mendoj se po bëjmë një punë të mirë, siç u pa edhe në raport. Gjykata i përcakton dënimet sipas minimumit dhe maksimumit sipas Kodit Penal. Mendoj se Gjykata jep dënime të merituara”, u shpreh ai.

  • Haziri sfidon Konjufcën: A je i bindur që del i pari, pse po friëksohesh me dalë në zgjedhje

    Haziri sfidon Konjufcën: A je i bindur që del i pari, pse po friëksohesh me dalë në zgjedhje

    Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka sfiduar kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufcën për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në Kosovë.

    Ai në emisionin ‘DPT te Fidani’ në ATV, i ka bërë thirrje Konjufcës që ky i fundit ta bindë kryeministrin Kurti që vendi duhet të shkojë në zgjedhje tani.

    “Nëse zoti Konjufca beson që Kosova duhet me shku në zgjedhje, duhet me i thanë kryeministrit që Kosova duhet me shku në zgjedhje tash. Edhe nuk është i papeshë, sepse me qenë kryeministër i imi i partisë time, unë shkoj i them është bo ballë, sepse nuk po mund me de-blloku dhe me zgjidhë asnjë problem dhe duhet t’i japim një opsion zgjidhjeve. A janë opsion zgjedhjet nesër, a je i bindur që del i pari dhe po lufton kah për vendin e dytë, të tjerët po, atëherë pse po frikohesh me dalë në zgjedhje? Pse nuk po e cakton, për 40 ditë shkojmë në zgjedhje? Nesër, nëse ka vullnet politik. Ne jemi të gatshëm, edhe programin e kemi, edhe projeksionin buxhetor e kemi. Ne jemi të gatshëm ta shohim a është perceptim publik votë, a është vota perceptim publik”, u shpreh Haziri. /atvlive.tv

  • ​Emmerson: Raportet e dëshmitarit të prokurorisë janë riciklim i lajmeve serbe

    ​Emmerson: Raportet e dëshmitarit të prokurorisë janë riciklim i lajmeve serbe

    Në Gjykatën Speciale në Hagë po vazhdon të dëgjohet dëshmia e Frederick Abrahams, zyrtar i organizatës Human Right Watch, i cili në gjykatore ka dalë si dëshmitar i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në çështjen kundër Thaçit dhe të tjerëve. Ai po intervistohet nga mbrojtja e Kadri Veselit, avokati Ben Emmerson, i cili ka thënë se raportet e dëshmitarit janë vetëm një riciklim i lajmeve serbe.

    Abrahams po dëshmon për raportet që ai dhe kolegët e tij i kishit përgatitur në periudhën e luftës në kuadër të punës në Human Right Watch.

    Në gjykatore është bërë e ditur se ato raporte kishin cituar Qendrën për të Drejtën Humanitare në shkrimet ku burim ishin mediat serbe.

    Vet dëshmitari kishte deklaruar se Human Right Watch kishte të njëjtën metodologji pune me Qendrën për të Drejtën Humanitare.

    Avokati britanez, Ben Ememrson, ka paraqitur dokumentet ku shihet burimi i raporteve të Human Right Watch.

    Avokati Emmerson: Kemi një referencë për rrëmbimin e Stalentiq në Mleqan, dhe jepet një përshkrim i ngjarjeve që kanë ndodhur. Dhe mund ta shikoni se burimi nga është marrë informacioni është media e Beogradit, është e saktë kjo?

    Dëshmitari Abrahams: Po.

    Emmerson ka përmendur raportin e 5 gushtit të botuar nga Qendra për të Drejtën humanitare dhe atë të human Right Watch të botuar pastaj në tetor të vitit 1998.

    Emmerson: Raporti i dëshmitarit ka cituar Qendrën për të Drejtën Humanitare me burime nga mediat serbe

    “Raporti i Humanitarian Law Center ishte botuar më 5 gusht, raporti i parë i Qendrës për të Drejtën Humanitare është botuar me datë 5 gusht ndërkohë që ju keni botuar raportin tuaj në tetor të vitit 1998 dhe kohë më pas, në dhjetor, ju keni botuar një tjetër raport për ndalime dhe abuzime në Kosovë në të cilin ju jepni informacionin e njëjtë, thjeshtë keni bërë një përsëritje të raportit që keni dhënë më herët, thjeshtë keni shtjelluar më tepër. Ajo çfarë duket se ka ndodhur këtu është që burimi ka qenë media serbe, nga media serbe shkonte të Qendra e së Drejtës humanitare pastaj ju e merrni citimin si bazë atë çfarë ka shkruar qendra humanitare e së drejtës, dhe më pas e citoni sikur është i juaji”, ka thënë Emmerson.

    Lidhur me këtë, dëshmitari ka thënë se kanë bërë dallim në media meqë shteti i Serbisë atëherë kishte kontroll të fortë në media.

    Abrahams: Kishim nivel të lartë besimi në Qendrën për të Drejtën Humanitare

    “Ne kishim një nivel të lartë besimi në Humanitarian Law Center, ne besonim se ata kishin arsye për të përfshirë atë çfarë kishin përfshirë në raportin e tyre, unë nuk mbaj mend në një bisedë, ose nuk mbaj mend që hulumtuesit apo autoret e raporteve të tyre të kem folur me ta për sa i takon këtyre rasteve konkrete”, ka thënë dëshmitari.

    Emmerson ka lexuar një deklaratë të dëshmitarit i cili ka thënë se hulumtimet e Qendrës për të Drejtën Humanitare kishin të njëjtën metodologji me ato të Human Right Watch.

    Emmerson-dëshmitarit: Në raportin tuaj keni bërë një riciklim të lajmeve serbe

    “Në të thuhet, të gjitha hulumtimet e kryera nga Qendra humanitare në periudhën nga 1990-1999 të gjitha këto hulumtime kishin një metodologji të përbashkët me atë tonën. Hulumtues të trajnuar dhe më përvojë kanë intervistuar viktima dhe dëshmitarë të abuzimeve zakonisht në intervista të gjatë kokë më kokë, burime të shumta me prova mbështetëse kërkohen për të bërë pretendime të besueshme dhe Human Right Watch ka qenë e kujdesshme sa i takon bërjes së pretendimeve publikisht. Kur ishte e mundur ne jemi përpjekur të marrim dëshmi ose të dhëna nga kryesit e pretenduar, do të thotë kjo është deklarata sa i takon metodologjisë për përgatitjen e raporteve tuaja sa i takon vlerësimit të besueshmërisë së burimeve apo fakteve që keni pasqyruar ju. Ne sapo pamë këtë shembull të fundit ku ajo çfarë keni bërë ju nuk është asgjë tjetër veçse një riciklim i raporteve të lajmeve serbe në raportin tuaj dhe më pas citoni vetën tuaj, me fjalë të tjera, pasi kalon koha ju nuk bëni as përfshirjen e medias as përfshirjen e Humanitarian Law Center, por thoni që burimi jemi ne Human Right Watch”, ka thënë Emmerson.

    Kjo është dita e tretë e dëshmisë së Fred Abrahams para trupit gjykues në Hagë.

    Seanca po vazhdon me pyetjet e avokatit Ben Emmerson.

    Në çështjen gjyqësore kundër ish-krerëve të UÇK-së deri tani janë dëgjuar 21 dëshmitarë të ZPS-së, përfshirë zyrtarin e Human Right Watch. Ndërsa vetëm pesë prej tyre kanë dëshmuar pa masa mbrojtëse dhe seanca të hapura për publikun.

    Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka nisur me 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimit ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020./KP

  • Haziri: Kurti nuk ka bërë asgjë që ka thënë, ka bërë gjithçka çka nuk e ka thënë

    Haziri: Kurti nuk ka bërë asgjë që ka thënë, ka bërë gjithçka çka nuk e ka thënë

    Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, në emisionin ‘DPT te Fidani’ në ATV, duke komentuar deklaratën e kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca se ’gara do të jetë për vendin e dytë’, tha se LDK garon vetëm për vendin e parë.

    Ai tha se eksponentët kryesorë të Vetëvendosjes ende besojnë se 15 shkurti nuk ka ndodh, por sipas tij, në vitin e tretë të qeverisjes, kjo parti nuk ka realizuar asnjë premtim të saj.

    “Nënkryetari i parë, është nënkryetari i Kuvendit, është më i matur në deklaratë se të tjerët, më i kujdesshëm nga njëherë, por kam besu që ka dalë prej 14 shkurtit si rrethanë e re, sepse eksponentë kryesorë të Vetëvendosjes besojnë që ende 15 shkurtit s’ka ndodhë. Ne jemi në vitin e tretë të qeverisjes, asnjë problem në këtë vend nuk u zgjedh, jo sipas premtimeve që i ka dhënë vetë. Por, nëse muj me parafrazu një mik timin, i cili e ka thanë në mënyrën më të mirë, zoti Kurti asgjë nuk ka ba çka ka thanë, ka ba gjithçka që nuk e ka thanë. Kurrgjë nuk ka realizu çka ka thanë, krejt çka ka ba është diçka që s’ka thanë”, tha Haziri.

    Ai tha se LDK tani ka identifikuar ‘fajin’ pse ka dalë si partia e dytë në shumicën e rasteve, por tani thotë se është rikuperu si parti.

    “LDK-ja vetëm për vendin e parë. Ne i dimë dhimbjet tona politike. Ne e kemi identifiku fajin tonë pse kemi dalë parti e dytë shumicën e rasteve, dhe njehërë parti e tretë. Ne i dimë problemet e tona. LDK-ja e ka fitu LDK-në, ndarja e dhimbshme, e cila nuk ka mundur me u shëru deri tash, por mobilizimi i LDK-së, anëtarësisë së LDK-së dhe dalja përtej nesh, në mobilizim ose në rikthim të besimit, sepse LDK-ja sot nuk flet për anëtarësinë e vet, ne e kemi rikthy humbjen e madhe të 14 shkurtit si votë e pakënaqësisë. Sipas sondazheve, sot LDK-ja është rikuperu nga ai ai defekt, sepse njerëzit tanë e kanë pa nëse ka pasë prej tyre që kanë thënë ‘pakënaqësi për shkak të zhvillimeve të brendshme, ose t’i provojmë edhe këta’. Janë provu tash, nuk ka nevojë ma shumë, nuk po them që dita e mirë shihet në mëngjes në qeverisje, po në vitin e tretë nuk ka asnjë problem të zgjidhur. Përveç kësajna, është kompliku aq shumë politikisht, janë prodhu shtatë kriza e që Kosovën e ka çu në kufizime ndëshkuese ndërkombëtare”, tha Haziri. /atvlive.tv

  • Blinken takohet me Zelenskyn në Kiev

    Blinken takohet me Zelenskyn në Kiev

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken vizitoi Kievin dhe u takua me udhëheqësin ukrainas Volodymyr Zelenskyy të enjten.

    Udhëtimi dy-ditor i Blinken shënon vizitën e tij të katërt në vendin e shkatërruar nga lufta që nga fillimi i luftës Rusi-Ukrainë në shkurt të vitit të kaluar.

    Gjatë vizitës, ai bëri të ditur së 1 miliard dollarë dhurohen si mbështetje nga SHBA për Ukrainën, duke përfshirë 665.5 milionë dollarë ndihmë të re ushtarake dhe civile për sigurinë, shkruan AA, transmeton KosovaPress.

    Ndihma e re përfshin sistemet e lëshimit të raketave “HIMARS”, armë antitank “Javelin”, tanke “Abrams” dhe sisteme të tjera armësh, tha të mërkurën sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.

    SHBA gjithashtu do të furnizojë Ukrainën me uranium të varfëruar për herë të parë, ndërsa Rusia thotë se do ta trajtojë këtë gjë si një përshkallëzim të konfliktit.

  • Grafitet me shkrime nxitëse në Leposaviq, policia hap rast

    Grafitet me shkrime nxitëse në Leposaviq, policia hap rast

    Policia ka hapur rast, pasi gjatë patrullimit, në muret e disa shtëpive kanë vërejtur disa grafite shkruara me përmbajtje kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.

    Për rastin është njoftuar edhe prokurori.

    Policia ka hapur rast “sulm kundër rendit kushtetues”.

    “Leposaviq 06.09.2023 – 00:40. Njësitet policore gjatë patrullimit në muret e disa shtëpive kanë vërejtur disa grafitë të shkruara me përmbajtje kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit, rasti vazhdon të hetohet nga ekipet përkatëse te hetuesisë”, thuhet në njoftimin e policisë.