ATV

Category: Lajme

  • Ferit Idrizi kampion në realizimin e premtimeve – I realizoi 76 për qind

    Ferit Idrizi kampion në realizimin e premtimeve – I realizoi 76 për qind

    Në platformën elektronike “LETËRNJOFTIMI I KOMUNAVE”, sot Instituti GAP ka publikuar shkallën e përmbushjes së premtimeve zgjedhore të dhëna nga kryetarët e komunave për mandatin 2021-2025. Ky përditësim përfshin periudhën deri në fund të qershorit 2023.

    Nga gjithsej 1,816 premtime të 27 kryetarëve të komunave, 473 premtime (26%) janë përmbushur, 285 premtime (16%) janë gjysmë të përmbushura, 422 premtime (23%) janë të filluara, dhe 636 (35%) e premtimeve mbeten të pa filluara.

    Shkallën goxha të lartë të përmbushjes së premtimeve zgjedhore, e ka edhe kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi.

    Nga 51 premtime të tij, 27 prej tyre i ka përfunduar, 4 janë gjysmë të përfunduara, 8 janë të filluara, ndërsa 12 ende nuk kanë filluar.

    Ndër premtimet e Idrizit, ishin “Përfshirja e fëmijëve me aftësi të kufizuara në procesin mësimor, Fëmijët me aftësi të kufizuara janë të përfshirë në institucione shkollore edhe në këtë vit shkollor 2022/23”.

    “Fëmijët me aftësi të kufizuara janë të përfshirë në institucione shkollore dhe këtë vit (2022) janë angazhuar edhe katër mësimdhënës shtesë për të mbuluar mësimin për nxënës me nevoja të veçanta”.

    Premtim tjetër i realizuar i Idrizit është edhe organizimi i kuizit të diturisë në vitin shkollor 2022/23 me klasa të pesta, klasa të nënta dhe klasa të dymbëdhjeta. Kuizi është mbajtur në lëndët përfshirëse: Gjuhë shqipe, Matematikë, Njeriu dhe Natyra. Garat e diturisë për klasat e IX-ta janë mbajtur me datë: 10.05.2023 dhe me 15.05.2023, lëndët: Gjuhë shqipe, Histori, Biologji, Kimi, Teknologji. Garat e diturisë për klasat e XII-ta të Gjimnazit janë mbajtur më datë: 11.05.2023 dhe me 12.05.2023, në lëndët shkencore: Biologji dhe Kimi.

  • Stoltenberg pas takimit me Osmanin: Është thelbësore që të shmanget përshkallëzimi i mëtejmë

    Stoltenberg pas takimit me Osmanin: Është thelbësore që të shmanget përshkallëzimi i mëtejmë

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë të enjten se për aleancën veri-atlantike është thelbësore që të shmanget përshkallëzimi i mëtejmë në veri të Kosovës.

    “U bëj thirrje të gjitha palëve që t’i ikin retorikës nxitëse dhe të përmbahen, në linjë me zotimet e tyre”.

    Ai i ka bërë këto deklarata në një konferencë për media bashkë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Stoltenberg ka thënë se dhuna ndaj pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR në veri të Kosovës, më muaj më parë, ka qenë e papranueshme.

    Sipas tij, stabiliteti i rajonit varet nga të gjitha palët.

    Ai e ka mirëpritur vendimin e autoriteteve të Kosovës për zvogëlim të prezencës policore në veri dhe planet për mbajtje të zgjedhjeve të reja në atë pjesë të vendit.

    “Në përputhje me përkushtimet e Prishtinës më 2013, çdo angazhim i forcave të sigurisë së Kosovës në veri kërkon negocimin me KFOR-in. Ne presim konsultime për secilin veprim të forcave policore të Kosovës që mund të ketë ndikim në siguri”.

    Ai e ka përmendur që pas trazirave të fundit në veri, NATO-ja e ka rritur prezencën në Kosovë.

    “KFOR-i vazhdon ta vëzhgojë situatën nga afër dhe jemi të gatshëm të veprojmë nëse kërkohet për ta përmbushur mandatin e Kombeve të Bashkuara, për të garantuar ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”.

    Në selinë e NATO-s, Osmani do të ketë edhe takime të tjera, përfshirë me shefin e komitetit ushtarak të NATO-s, admiralin Rob Bauer. E para e shtetit po ashtu do të takohet me shefen e misionit të Shteteve të Bashkuara në NATO, Julianne Smith dhe me përfaqësues të shteteve të tjera anëtare të aleancës ushtarake perëndimore.

    Që kur u rritën tensionet në fund të majit në veri të Kosovës, NATO vazhdimisht u ka bërë thirrje të gjithë faktorëve në rajon që të përmbahen nga veprimet që do të rrisnin edhe më shumë tensionet dhe të bëjnë hapa për qetësimin e situatës. Aleanca po ashtu ka përsëritur se mbetet e përkushtuar që përmes KFOR-it të sigurojë qetësi dhe siguri për të gjithë në Kosovë.

    Pas rritjes së tensioneve, NATO-ja rriti edhe numrin e ushtarëve të KFOR-it. Stoltenberg në të kaluarën disa herë ka deklaruar se aleanca ka forca të mjaftueshme për të zbatuar misionin e saj në Kosovë.

    Kosova, ndërkaq, ka shprehur ambiciet e saj për të ecur drejt integrimit në NATO, së pari përmes përfshirjes në Programin e Partneritetit për Paqe e më pas të bëhet anëtare e aleancës.

    Por, në NATO kanë theksuar se për pranimin e anëtarëve të rinj duhet miratimi i të gjithëve në Aleancë. Në NATO, katër nga 31 anëtarët nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, përkatësisht Spanja, Greqia, Rumania dhe Sllovakia.

    Në një debat të enjten para Parlamentit Evropian, Stoltenberg ka përmendur rëndësinë e bashkëpunimit mes NATO-s dhe Bashkimit Evropian në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor.

    “Ne jemi dy organizata të ndryshme, por ndajmë të njëjtat vlera. Mbi 600 milionë evropianë jetojnë në vendet anëtare të NATO-së. Kur Suedia të bëhet anëtare e aleancës, 96 për qind e qytetarëve të BE-së do të jenë në NATO”, tha ai, duke nënvizuar rritjen e bashkëpunimit dhe koordinimit mes NATO-s dhe BE-së./REL

  • ​Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve vazhdon të hënën me dëshminë e zyrtarit ndërkombëtar

    ​Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve vazhdon të hënën me dëshminë e zyrtarit ndërkombëtar

    Frederick Abrahams do të dalë para trupit gjykues përsëri të hënën e javës së ardhshme ku do të flas nga banka e dëshmitarit në rastin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai ka dëshmuar për tri ditë me radhë lidhur me raportet që organizata ku ai punon, Human Right Watch, i ka publikuar në periudhën e luftës në Kosovë.

    Në pjesën më të madhe të seancës ai është pyetur nga mbrojtja e Kadri Veselit, avokati Ben Emmerson, derisa ka folur për intervistimin që u kanë bërë personave lidhur me krimet e pretenduara të luftës.

    Dëshmitari Abrahams: Ka pasur persona që kanë thënë nuk do të flasim për këtë gjë, unë e them me vendosmëri që ka pasur raste por nuk ju jap do t një përqindje.

    Avokati Emmerson: Mund jetë një rast?

    Dëshmitari Abrahams: Jo, nuk është një rast,. Nuk ka mundësi të jetë një rast.

    Avokati Emmerson: Dhjetë?

    Dëshmitari Abrahams: Nuk jam në pozicion të ju jap një shofer por po ju them në kuadër të punës që kemi kryer ne, kanë qenë më shumë se dhjetë raste.

    Avokati Emmerson: Ju hezitoni të jepni përqindjen e shqiptarëve që keni intervistuar të na jepni përqindjen e atyre që ju kanë thënë diçka relevante për një krim dhe ata që nuk e ndanin informacionin për shkak se kishin frikë apo se ishin besnik ndaj kauzës. Supozohet që nuk jeni të gatshëm të jepni një pikëpamje sa i takon numrit të personave që keni intervistuar, sa persona keni intervistuar ju dhe nga ky grup që keni intervistuar ju, sa ju kanë treguar diçka që kishte lidhje me një krim por që nuk e ndanin këtë informacion sepse kishin më shamë frikë sesa besnikëri.

    Dëshmitari Abrahams: Nuk ju jap do të një llogaritje sasiore.

    Avokati Emerson: Po një përqindje?

    Dëshmitari Abrahams: Nuk jam në pozicion të ju jap as përqindje.

    Avokati Emmerson është ndalur edhe te hulumtimi i Human Right Watch, i redaktuar nga Fred Abrahams, i cili fliste për keqtrajtimin e serbëve dhe pakicave, në periudhën menjëherë pas luftës kur po ktheheshin refugjatët.

    Avokati Emmerson: Në këtë paragraf ju thoni që kam rishikuar dhe redaktuar raporti ne Human Right Watch që titullohet abuzime kundër serbëve dhe romëve në Kosovën e re Në këtë raport thuhet pjesërisht si më poshtë: Civilë shqiptarë kanë marrë pjesë në shumë prej djegieve dhe plaçkitjeve të pronave serbe dhe rome. Me sa e kuptuar ju, kur flitet për civilët, civilët kanë civilë apo, persona që nuk janë përfshirë në luftime. Pra, kjo nuk ka lidhje me UÇK-në, ju thoni thjeshtë civilë.

    Dëshmitari Abrahams: Po, nuk ka lidhje.

    Avokati Emmerson: A pajtoheni me mua që ka pasur shumë civilë të përfshirë në akte të tilla që nuk është se nuk ishin pjesë e UCK-së, por ndoshta ishin besnikë ndaj UÇK-së, pavarësisht kësaj nuk kishin lidhej me UÇK-në.

    Dëshmitari Abrahams: Ju keni më shumë informacion për këtë temë sesa unë, megjithatë një civil kur i merr armët, civili nuk quhet më civil. Nuk janë anëtarë të UÇK-së, nëse e ke fjalën për këtë.

    Dëshmitari gjithashtu ka thënë se vlerëson që ka pasur persona të cilët e kanë ekzagjeruar rolin e tyre në luftime.

    Dëshmitari Abrahams: Nuk ka pikë dyshimi se ka pasur individë që e ekzagjeruan rolin e tyre në luftime dhe njëkohësisht e kam besuar atëherë dhe sot se për ta bërë kështu në mënyrë të vazhdueshme të dukshme do të ishte e rrezikshme, sepse ata individë që vërtetë kishin sakrifikuar jetën e ty nuk do të toleronin pretendime të tilla të pavërteta kur njerëzit mundoheshin të përfitonin nga popullaritet i UÇK-së.

    Avokati Emmerson: Në atë kontekst, ku njerëzit pretendonin se ishin më të rëndësishëm sesa ishin, unë nuk po sugjeroj që këta njerëz ishin përgjegjës për numrin e kufizuar të incidenteve të vrasjeve, megjithatë përfundimi juaj është që kishte prova të besueshme që ishin të përfshirë ushtarët e UÇK-së, megjithatë e vërteta është që njerëzit mund të hynin dhe dilnin nga UÇK, kemi dëgjuar këtu në sallën e gjyqit dëshmitarë që na kanë thënë një ditë kyçeshin në UÇK dhe pastaj çkyqeshin, ju e dini këtë gjë apo jo.

    Emmerson gjithashtu ka shtruar pyetje rreth një deklarate që dëshmitari e ka dhënë për ZPS-në sa i përket bashkërendimit të UÇK-së.

    Avokati Ben Emmerson: Thoni që incidentet më të rënda të dhunës kanë ndodhur nga pjesëtarët e UCVK-së, megjithëse udhëheqësia e UÇK-së ka nxjerrë një deklaratë me datë 20 korrik duke dënuar sulmet mbi serbët dhe romët, ju vazhdoni që mbetet e paqartë nëse këto rrahje dhe vrasje kanë ndodhur nga njësitet e UÇK-së që kanë qenë vendore të UÇK-së, pa miratimin apo pa sanksione zyrtare. Pra, ajo çfarë thoni këtu apo çfarë doja të shpjegonit më tej për të kuptuar atë çfarë keni thënë si pjesë e deklaratës tuaj, është që nuk është e qartë nëse këto vrasje dhe rrahje kanë ndodhur pa sanksione zyrtare të UÇK-së, ose nëse përfaqësonin një politikë të bashkërenduar të UÇK-së.

    Dëshmitari Abrahams: Çfarë thotë raporti është kjo që në atë kohë ne e kishim të paqartë se deri në çfarë mase këto sulme, kjo dhunë, vrasjet edhe rrahjet, ishin autorizuar nga forcat vendore, ose ishin kryer nga forcat vendore, ose ekzistonte një politikë e bashkërenduar në qendër, përfshirë Shtabin e Përgjithshëm, në atë kohë ishte e paqartë, në atë kohë nuk kishim prova për të vërtetuar që këto ishin politika që vinin nga shtabi i përgjithshëm.

    Avokati Emmerosn: Psh kur ju përmendi zotin Thaçi, ajo çfarë po thoni ju mund të bëni deklarata të forta, që ata kanë bërë deklarata të forta sa i takoni kritikimit dhe sa i takon individëve që kishin shkelur ligjin, dhe duke përdorur fjalët e përdorua prej jush kishte akte që ishin kryer nga person të cilët dukej që kishin qenë të veshure me uniformë të UÇK-së.

    Dëshmitari Abrahams: Qëndrimi ynë atëherë, dhe qëndrimi im sot e kësaj dite, është shpeshtësia dhe intensiteti i krimeve që kryheshin në atë kohë duhet të çonte në një përgjigje nga UÇK-ja ekzistuese aso kohe, sepse niveli i veprimeve të tilla ishte se i caktonte barrën palëve në konflikt megjithëse konflikti kishte përfunduar në atë kohë. Pra e kishte barrën pala përkatëse që të paktën të bënte hetime siç duhej në mënyrë që të merreshin hapat e nevojshëm për të minimizuar apo lehtësuar, për të trajtuar krimet e tilla.

    Pyetje kanë shtruar edhe mbrojtja e Thaçit dhe ajo e Krasniqit, si dhe prokurori Alan Tiger.

    Gjithashtu, Fred Abrahams i është përgjigjur edhe pyetjeve të trupit gjykues rreth takimit që ai e ka pasur me Hashim Thaçin dhe Fatmir Limajn në nëntor të vitit 1998.

    Në shumë prej pyetjeve, dëshmitari ka thënë se nuk i kujtohet se ai kishte marrë përgjigjet nga Thaçi apo nga Limaj.

    Ndërsa kur është pyetur për marrëdhënien në mes të Thaçit dhe Limajt, ai ka thënë se përshtypja e tij ka qenë që Thaçi ishte epror.

    Abrahams: Kisha përhapjen që Thaçi kishte nivel më të lartë se Limaj

    “Nuk mund të flas për rangjet që mbanin ata por ne u larguam nga takimi me përshtypjen që Thaçi ishte në nivel më të lartë, kishte më shumë autoritet, ai fliste kryesisht gjatë takimit, ndonëse nuk jam i sigurt që ai ishte personi që ju përgjigje pyetjeve, por ai ishte folësi kryesor dhe kishte një pozicion me autoritet sipas përshtypjes sonë”, ka thënë ai.

    Dëshmitari ka thënë se në këtë takim nuk ka diskutuar lidhur me personat e zhdukur të cilët përmendeshin në raportin e organizatës.

    Gjykatësi Gejnor: Ju kishit informacion të hollësishëm të paktën për 138 persona të zhdukur, që ishin parë herën e fundit nën ruajtjen e UÇK-së?

    Dëshmitari Abrahams: Po.

    Gjykatësi Gejnor: A diskutuat ju me takimin që kishit me Thaçin dhe Limaj për këta 138 persona të zhdukur.

    Dëshmitari Abrahams: Jo, nuk kemi diskutuar për këtë.

    Gjykatësi Gejnor: Nga perspektiva e një organizatë për të drejtuar e njeriut, ju takoheni me anëtarë të lartë të UÇK-së, a nuk ishte ky moment i përshtatshëm që të diskutoni gjëra të kësaj natyre me këta përfaqësuesit e UÇK-së?

    Dëshmitari Abrahams: Qëllimi i këtij takimi ishte që të vinim në kontakt të parëm e këtë ushtri, me këtë grup të armatosur, ne nuk e dinim e kë po takonim, qasja që kishim ne aso kohe ishte të hapnim një linjë komunikimi për çështjen e të drejtave të njeriut, që të vazhdonim që të bisedonim, të merrnim dhe jepnim me palën tjetër dhe të krijonim të marrëdhënieve që ne të vazhdonim të ndanim me ta shqetësimet tona dhe të merrnim informacion që ishte me rendësi për punën tonë. Mendoj se pjesë e arsyeve të mënyrës se si e kemi trajtuar bisedën është se e kemi parë këtë si takim të parë. Nëse do të ta dija që ky do të ishte takim i parë dhe nië vetëm deri pas përfundimit ë konfliktit, megjithëse konflikti do të vazhdonte deri në nëntor, po të dija, sigurisht që do të ishte futur më tepër hollësi.

    Ndërsa lidhur me vrasjet e pretenduara ndaj atyre që njiheshin si kolaboracionistë, dëshmitari ka thënë se nuk i kujtohet të ketë diskutuar për këtë në takim me Thaçin dhe Limjan.

    Ai është pyetur edhe rreth takimit të dytë me Thaçin, sipas tij në Prishtinë më 1999, për të cilin ka thënë se është zhvilluar kryesisht në gjuhën shqipe.

    Pas këtyre pyetjeve, kryegjykatësi e ka mbyllur seancën dhe ka bërë të ditur se dëshmia vazhdon të hënën e 11 shtatorit.

    Në çështjen gjyqësore kundër ish-krerëve të UÇK-së deri tani janë dëgjuar 21 dëshmitarë të ZPS-së, përfshirë zyrtarin e Human Right Watch. Ndërsa vetëm pesë prej tyre kanë dëshmuar pa masa mbrojtëse dhe seanca të hapura për publikun.

    Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka nisur me 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimit ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020./KP

  • Prokuroria Speciale i reagon ministres Haxhiu, deklaratat e saj i cilëson paragjykuese, të pamatura dhe të paverifikuara

    Prokuroria Speciale i reagon ministres Haxhiu, deklaratat e saj i cilëson paragjykuese, të pamatura dhe të paverifikuara

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, mbrëmë në emisionin CONTEXT në ATV, duke komentuar rastin rezervave shtetërore, tha se Prokuroria Speciale po i hakmerret qeverisë Kurti.

    “Nuk mundemi me mohu edhe me heshtë faktin që kemi një hakmarrje të Prokurorisë, kryesisht prokuroria speciale ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ne e kemi dëgjuar nga vetë zyrtarët brenda Prokurorisë, që edhe vendimet të cilat nuk kanë asnjë ndikim as financiar e as nuk janë vendime përmbajtjesore, shkojnë edhe kontrollohen nga Prokuroria Speciale, në kuptimin që ‘mos po i nxojmë diku’ që kanë shkelur diku një ligj”, tha Haxhiu.

    Lidhur me këto deklarata të ministres Haxhiu, sot ka reaguar Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK).

    Përmes një shkrimi të publikuar në ueb faqen zyrtare, deklaratat e Haxhiut, PSRK i ka quajtur paragjykuese, të pamatura dhe të paverifikuara.

    “Prononcimet e paskrupullta publike të Ministres së Drejtësisë, për, kinse, mosveprim dhe neglizhencë të PSRK-së ndaj rasteve të ndryshme, demantohen plotësisht nga aktivitetet dhe raportet zyrtare të PSRK-së që pasqyrojnë dhe tregojnë qartazi të kundërtën e asaj që predikon pandalshëm dhe përditë kjo ministre”, thuhet në reagimin e PSRK-së.

    Reagimi i plotë i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës:

    Reagim i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) ndaj deklaratave të Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të dhëna mbrëmë në emisionin “Context” në ATV

    Prishtinë, 7 shtator 2023 – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës shpreh shqetësimin e thellë për riciklimin e vazhdueshëm të deklaratave paragjykuese, të pamatura dhe të paverifikuara ndaj PSRK-së nga ana e Ministres së Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu, siç ndodhi mbrëmë në emisionin “Context” të ATV-së.

    Prononcimet e paskrupullta publike të Ministres së Drejtësisë, për, kinse, mosveprim dhe neglizhencë të PSRK-së ndaj rasteve të ndryshme, demantohen plotësisht nga aktivitetet dhe raportet zyrtare të PSRK-së që pasqyrojnë dhe tregojnë qartazi të kundërtën e asaj që predikon pandalshëm dhe përditë kjo ministre.

    Në këtë aspekt, theksojmë se deklarimet e tilla burojnë dhe artikulohen nga pasaktësitë maksimale, nuk kanë të bëjnë asgjë me realitetin dhe janë tërësisht tendencioze ndaj kësaj prokurorie, sepse të thuash se PSRK-ja kontrollon dhe mbikëqyrë vendimet e krejt sistemit prokurorial kinse për verifikimin dhe shkeljen e mundshme të ndonjë ligji, vërtet është një nonsens i llojit të veçantë publik, i padëgjuar dhe krejtësisht imagjinar, gjë që na bënë të vijmë në përfundim se deklaratat e tilla ngritën dhe shuhen në kuadër të spekulimeve, sepse servohen vetëm për nevoja të agjendave ditore politike.

    PSRK-ja bënë me dije se kompetencat dhe veprimtaria e saj në kuadër të Prokurorit të Shtetit nuk janë hartuar dhe nuk zbatohen me paragjykime nga askush dhe nuk realizohen në bazë të vullnetit të dikujt jashtë sistemit prokurorial, por përbëjnë ligjshmëri, legjitimitet dhe profesionalizëm, me anët të realizimit të bashkëpunimit dhe bashkëveprimit të ngushtë me akterët në kuadër të sistemit prokurorial dhe me të gjitha institucionet e tjera në suaza të kompetencave përkatëse, si dhe duke respektuar normat dhe standardet e funksionimit demokratik të institucioneve në Republikën e Kosovës.

    Prandaj, PSRK-ja, me këtë rast, i bënë thirrje Ministres Haxhiu që më në fund të fillojë të përmbahet nga deklaratat e vazhdueshme shantazhuese dhe nënçmuese ndaj PSRK-së dhe ndaj punës së Kryeprokurorit dhe prokurorëve të saj, sepse kjo përbën tendencë të hapur për të ndikuar në punë, për të ndërhyrë në kompetencat dhe në veprimtarinë legjitime të kësaj prokurorie dhe ndaj punës së prokurorëve të shtetit dhe nuk ka se si të quhet ndryshe përveç se si tentativë e pathemeltë dhe e dështuar.

    PSRK-ja, deklaron se do të punojë dhe veprojë fuqishëm dhe do të mbrojë me të gjitha mjetet juridike-ligjore në dispozicion punën e saj profesionale dhe njëherësh i bënë thirrje publike Ministres së Drejtësisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës që të lënë anash deklaratat dhe presionet avantureske dhe të kota, të cilat, faktikisht, janë në kundërshtim me ligjet në fuqi dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

    Rrjedhimisht, PSRK-ja deklaron se, si institucion i pavarur dhe i paanshëm në ushtrimin e mandatit të vet, do t’i shkojë deri në fund çdo rasti që është në dëm të institucioneve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës, pavarësisht se kush është, në çka beson dhe çfarë ka bërë dhe çfarë bënë.

    Puna dhe misioni ynë do të jenë jashtë agjendave të politikës ditore, sepse vlerësimi i punës së prokurorive dhe prokurorëve nuk varet nga vullneti i individëve, subjekteve dhe grupeve të caktuara.

  • “Zëri Rom, Ashkali dhe Egjiptas” ndan katër çmime “Joanat e Kosovës”

    “Zëri Rom, Ashkali dhe Egjiptas” ndan katër çmime “Joanat e Kosovës”

    Në kuadër të edicionit të pestë të Festivalit multikulturor “Le të festojmë ngjashmëritë tona”, është bërë ndarja e çmimit “Joanat e Kosovës”, raporton Ekonomia Online.

    Me cmime për kontributin e dhënë për gjithëpërfshirjen e barazinë komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, u shpërblyen Elisabet Godwing, Eliza Hoxha, Lorenta Kadriu, Medin Dauti dhe Riola Morina.

    Elisabet Godwing, zyrtare politike, tha se ndjehet falënderuese për vlerësimin.

    “Kjo të shtinë me mendu për të gjithë njerëzit, për aktivistët e shumtë për fëmijët, për bashkëpunëtorët. Jam shumë falënderuese për të gjithë qe kanë bashkëpunua, un kam hala për me dhënë”, tha ajo.

    E deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, tha se ky çmim për të është vetëm një shtysë që të vazhdoj përpara.

    “Për mu kjo është një shtysë për më shumë, Kosova këtë e ka obligim dhe Kosova pa siguru të drejta të barabarta për komunitetet joshumicë, nuk është Kosova e duhur. Unë besoj në një Kosovë plot ngjyra, plot diversitet. Ne sot po festojmë ngjashmëritë, por pa i respektuar të ndryshmet, nuk mund të jemi ajo që duhet”, tha ajo.

    Lorenta Kadriu, e cila mori çmimin për arsimin e fëmijëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas përmes mësimit shtesë, tha se ajo e ka ngritur zërin për padrejtësitë që u janë bërë komuniteteve.

    “Kjo ditë për mua është një ditë shumë e lumtur, për me ngrit zërin ndaj padrejtësive. Krejt çka unë kam mundur me ba si një shqiptare e kam ngrit zërin dhe me shoqërinë time, kam avokuar në çdo dyer që herë është hap lehte e herë jo”, tha ajo

    Po ashtu çmime morën edhe Medin Dauti dhe Riola Morina, të cilat përmes artikujve gazetaresk kanë pasqyruar sfidat me të cilat përballen gratë e këtyre komuniteteve.

  • Nga 30 % në 12.2%, bie shkalla e papunësisë në Kosovë/ Hashani: Një zvogëlim kaq i madh tregon për pasiguri në ato të dhëna

    Nga 30 % në 12.2%, bie shkalla e papunësisë në Kosovë/ Hashani: Një zvogëlim kaq i madh tregon për pasiguri në ato të dhëna

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore për vitin 2022. Bazuar në këto të dhënat rreth dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë për punë.

    Por në bazë të këtyre publikimeve del të jetë që edhe shkalla e papunësisë të jetë më e ulët krahasuar me vitet paraprake. Pra nga 30 % sa ishte, numri i papunësisë ka rënë në 12.6 %.

    Por sipas ekonomisteve, këto të dhëna po del të mos jenë reale.

    “ASK po i publikon të dhënat jo të publikuara mirë. Nëse është parapa një zvogëlim kaq i madh tregon për pasiguri në ato të dhëna”, tha Medain Hashani, ekonomist.

    Medain Hashani, thotë se papunësia nuk është zbutur por vetëm se kompanitë private po I regjistrojnë punëtorët e vjetër si punëtor të ri.

    Përqindja e meshkujve të punësuar ishte 3,5% më e lartë sesa në vitin paraprak. Kurse, përqindja e femrave të punësuara ishte 1,9% më e lartë se në vitin paraprak.

  • Dogana e Kosovës nis aksionin ndaj mobi-shopëve në Prishtinë

    Dogana e Kosovës nis aksionin ndaj mobi-shopëve në Prishtinë

    Një aksion i gjerë i Doganës së Kosovës ka nisur ndaj disa mobi-shopëve në Prishtinë.

    ATV ka siguruar pamjet derisa automjetet e Doganës shihen pranë disa mobil-shopëve në lagjen Ulpiana.

  • Rohde: Procesi i Berlinit nis integrimin ekonomik midis vendeve të Ballkanit Perëndimor

    Rohde: Procesi i Berlinit nis integrimin ekonomik midis vendeve të Ballkanit Perëndimor

    Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, tha se procesi i Berlinit inicon integrimin jetik ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe lidhjen e tyre me Bashkimin Evropian.

    Në rrjetin social X, Rohde theksoi se është arritur progres, i cili përkthehet në përmirësimin e përditshmërisë së njerëzve në rajon.

    “Procesi i Berlinit nis integrimin jetik ekonomik mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe lidhjen e tyre me Bashkimin Evropian. Progresi i prekshëm i arritur në këtë rrugë përkthehet në përmirësime të rëndësishme në jetën e përditshme të njerëzve në rajon”, shkroi Rohde.

    Ai shtoi në këtë postim një grafik që thotë se tregon katër avantazhe që sjell ecuria e procesit të Berlinit, të cilat përfshijnë mundësi më të mira punësimi, krijimin e një tregu të integruar dhe konkurrues, udhëtimin, studimin dhe punën në Ballkanin Perëndimor pa kufizime dhe shtesë. Rritja e PBB-së në Ballkanin Perëndimor prej 6.7 për qind.

  • Komuna e Prishtinës fton banorët për legalizimin e ndërtimeve pa leje

    Komuna e Prishtinës fton banorët për legalizimin e ndërtimeve pa leje

    Komuna e Prishtinës ka njoftuar se tashmë Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje ka hyrë në fuqi dhe nga data 1 shtator 2023 dhe se është hapur afati për dorëzimin e aplikimeve për legalizimin e ndërtimeve pa leje.

    “Të nderuar qytetarë, ju njoftojmë se Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje tashmë ka hyrë në fuqi dhe nga data 1 shtator 2023, është hapur afati për dorëzimin e aplikimeve për legalizimin e ndërtimeve pa leje”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.

    Tutje, vazhdon njoftimi, qytetarët mund të drejtohen në komunën e tyre përkatëse, ku dorëzohen edhe aplikimet për legalizim.

    “Legalizo ndërtimin, mos e humb mundësinë”, thuhet në njoftim.

  • Dita e Kushtetutës së Kaçanikut, Haradinaj: Akti më i lartë që ndau Kosovën prej Serbisë dhe Jugosllavisë së atëhershme

    Dita e Kushtetutës së Kaçanikut, Haradinaj: Akti më i lartë që ndau Kosovën prej Serbisë dhe Jugosllavisë së atëhershme

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i ka ndarë mirënjohje nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, Ilaz Ramajli, me rastin e 33-vjetorit të aprovomit të Kushtetutës së Kosovës e njohur si Kushtetuta e Kaçanikut.

    Haradinaj ka thënë se guximi dhe vizioni i delegatëve të asaj kohe, ishte bazë e fortë e shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës.

    “Sot në Kaçanik, me konsideratën më të lartë, kujtuam të gjithë delegatët të cilët në rrethana jo të lehta me guxim e vizion përfaqësuan aspiratën e kahmotshme të popullit shqiptar për liri dhe përcaktuan bazat e shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

    Postimi i plotë i Haradinajt:

    Para 33 vjet, në Kaçanik delegatët e Kuvendit të Kosovës aprovuan Kushtetutën e Kosovës, si akti që e ndau Kosovën prej Serbisë dhe Jugosllavisë së atëhershme, e njohur si Kushtetuta e Kaçanikut.

    Sot në Kaçanik, me konsideratën më të lartë, nderuam të gjithë delegatët e asaj kohe të cilët në rrethana jo të lehta me guxim e vizion përfaqësuan aspiratën e kahmotshme të popullit shqiptar për liri dhe përcaktuan bazat e shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës.

    Nënkryetarit të Kuvendit të atëhershëm, z. Ilaz Ramajli, në respekt të angazhimit të tij dhe të gjithë delegatëve, kisha nderin t’i ndaj medaljen “ME BESIM NË ZOT, ATDHE E SHTET” për kontribut të jashtëzakonshëm në çështjen kombëtare.

    Mirënjohës përjetë për kontributin e tyre të pamohueshëm!