ATV

Category: Lajme

  • E konfirmon Policia: Një i vrarë e një i plagosur nga të shtënat me armë në Podujevë

    E konfirmon Policia: Një i vrarë e një i plagosur nga të shtënat me armë në Podujevë

    Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka konfirmuar për Ekonomia Online se një person ka mbetur i vrarë dhe një tjetër i plagosur pas gjuajtjeve me armë zjarri në Podujevë.

    Lidhur me rastin nuk ka persona të arrestuar.

    “Sot rreth orës 12:30, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri, në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë”, u shpreh Borovci.

    “Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para të marra nga mjekët emergjent është konfirmuar se një person është pa shenja jete ndërkaq një tjetër ka mbetur i plagosur”.

    “Aktualisht policia po vijon punën me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore, me qëllim të zbardhjes së rrethanave të ngjarjes si dhe identifikimin e të dyshuarve”.

  • Hamiti i LDK-së: Edhe një huqje diplomatike e Kurtit, provokoi pa nevojë demantin e Greqisë për njohje

    Hamiti i LDK-së: Edhe një huqje diplomatike e Kurtit, provokoi pa nevojë demantin e Greqisë për njohje

    Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muhamet Hamiti e ka quajtur huqje diplomatike, deklaratën e kryeministrit Albin Kurti se Greqia është më afër njohjes së Kosovës.

    Kjo pasi sipas tij, Kurti ka provokuar pa nevojë një demant nga Greqia e ku thonë se qëndrimi i tyre për Kosovën mbetet i pandryshuar.

    “Edhe një huqje diplomatike e Kurtit. Paralajmëroi kryeministri Kurti para pak ditësh se Greqia është më afër njohjes së Kosovës. Provokoi pa nevojë demantin e Greqisë, që thotë se qëndrimi i saj mbetet i pandryshuar”, ka shkruar Hamiti në një postim në “Facebook”.

    Tutje ai tha se Greqia do ta njohë një ditë Kosovën, por se Qeveria nuk duhet të veprojë dhe të komunikoj si në këtë rast.

    “Greqia duhet ta njohë dhe do ta njohë Kosovën një ditë sigurisht. Një Qeveri e përgjegjshme e Kosovës nuk duhet të veprojë dhe të komunikojë si kjo e Albin Kurtit – në dëm të Kosovës. Prej padijes, sigurisht!”, shkroi tutje ai.

  • Të enjten seancë e jashtëzakonshme për tekstet shkollore, shtyhet interpelanca e Kurtit për Berishajn

    Të enjten seancë e jashtëzakonshme për tekstet shkollore, shtyhet interpelanca e Kurtit për Berishajn

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë të ditur se të enjten Kuvendi do të mbajë seancë të jashtëzakonshme për tekstet shkollore.

    Ajo pas mbledhjes së Kryesisë shtoi se me fillim prej orës 10:00 do të mbahet seancë e rregullt. Përderisa interpelanca e kryeministrit Kurtit për rastin e ambasadorit Martin Berishaj është shtyrë për afat të pacaktuar.

    Kur foli për mbarëvajtjen e sesionit vjeshtor, ajo tha se pret që opozita të angazhohet maksimalisht.

    “Në ora 10:00 do të kemi seancë të rregullt. Me 14 shtator mbahet seanca e radhës, në orën 14:00. Në këtë seancë do të diskutohet për situatën me libra”.

    “Interpelanca për ambasadorin Martin Berisha, është shtyrë për një kohë tjetër, në koordinim me Zyrën e Kryeministrit dhe deputetët e PDK-së”, tha ajo, raporton EO.

    “Presim një sesion të mbarë vjeshtor. Natyrisht që opozita ka format e saj, por ne presim angazhim maksimal”.

  • Tahiri për takimin e 14 shtatorit: Kosova s’do të ketë avantazh për shkak të masave, Kurti s’është transparent

    Tahiri për takimin e 14 shtatorit: Kosova s’do të ketë avantazh për shkak të masave, Kurti s’është transparent

    Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Abelard Tahiri tha se në takimin e 14 shtatorit Kosova nuk do të ketë avantazh për shkak të masave të vendosur nga ShBA-ja dhe Bashkimi Evropian, raporton Ekonomia Online.

    Duke folur për takimin e kreut të Qeverisë, Albin Kurti me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, ai shtoi se në këtë proces Serbia është në avantazh.

    Madje sipas tij, Kurti në dialog është treguar shumë jo transparentë dhe se si opozitë po angazhohen për rrëzimin e Qeverisë.

    “Përderisa jemi të sanksionuar kemi disa masa të vendosura nga BE e ShBA nuk mund të flasim për avantazhin e Kosovës. Nuk shkon Serbia e sanksionuar, por Kosova shkon e sanksionuar, ky është një dëm që Qeveria i ka shkaktuar Kosovës”.

    “Kurti në këtë proces e karakterizon një mos transparencë. Kosova vazhdoj rrugëtimin e saj të izoluar fatkeqësisht dhe në e kemi angazhimin që të ja shkurtojmë jetën kësaj Qeverie”.

    “Efekti si rezultat i këtyre masave di ta shohim në vitet në vijim. Pasojat ne do t’i vuajmë edhe në vitet e ardhshme”, tha ai.

  • Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme i Bundestagut gjerman takon deputetët kosovarë

    Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme i Bundestagut gjerman takon deputetët kosovarë

    Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë është takuar me kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme të Bundestagut gjerman, Michael Roth, raporton EO.

    Nëpërmjet një postimi në Twitter, ai ka përshëndetur ndjekësit e tij nga Prishtina dhe ka njoftuar që gjatë kësaj vizite do të ketë takime të shumta, përfshirë kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe ministren e Jashtme të Kosovës Donika Gërvalla.

    “Mirëmëngjesi Prishtine! Më në fund kthehemi në Kosovë. Në pritje të takimit me përfaqësues të shoqërisë civile, kryeministri @albinkurti, kryetarja e Kuvendit @KonjufcaGlauk, FM @gervallaschwarz dhe kolegë të komitetit të punëve të jashtme. Faleminderit që më pritët. #ontheRoth”, ka shkruar ai.

  • ​Kuvendi mblidhet të enjten

    ​Kuvendi mblidhet të enjten

    Të enjten do të mbahet seanca e parë plenare e Kuvendit të Kosovës për sesionin vjeshtor.

    Deputetët pritet të shqyrtojnë disa marrëveshje ndërkombëtare, derisa pritet të mbahet edhe debati parlamentar për çështjen e sigurimit të librave shkollorë.

    Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila tha se pret efikasitet në Kuvend gjatë këtij sesioni vjeshtor.

    E pyetur nga gazetarët, ajo foli edhe për takimin e 14 shatorit Kurti-Vuçiq, ku tha se pret zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit.

    Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, kritikoi Kurtin për mungesë të transparencës në proces të dialogut.

  • ​Osmani në Samitin e Brdo-Brijunit: Kosova, rol aktiv në formësimin e së ardhmes së rajonit

    ​Osmani në Samitin e Brdo-Brijunit: Kosova, rol aktiv në formësimin e së ardhmes së rajonit

    Në Shkup të Maqedonisë së Veriut po mbahet Samiti i Brdo Brijunit, në të cilën po marrin pjesë krerët e shteveve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë samit është e dhe presidentja Vjosa Osmani.

    Osmani, përmes një postimi në rrjete sociale, falënderoi presidentët nikoqirë të këtij samiti, Pendarovski, Musar dhe Milanoviq për mirëseardhjen e tyre në fillim të takimit të liderëve të procesit Brdo-Brijunit.

    “Kosova ka rol aktiv në formësimin e së ardhmes së rajonit dhe kontribut përmbajtësor për rrugën e përbashkët euro-atlantike”, shkroi ajo shkurt.

    Në sesionin e përbashkët me liderë të rajonit, është paralajmëruar se Osmani do ta mbajë fjalim, ndërkaq më pas do të zhvillojë takime bilaterale me krerët e disa shteteve pjesëmarrëse.

    Temat qendrore të takimit të sivjetmë janë përshpejtimi i procesit të anëtarësimit në BE, luftimi dhe zvogëlimi i pasojave nga ndryshimet klimatike në rajon, si dhe krijimi i kushteve për qëndrimin e të rinjve në Ballkanin Perëndimor.

    Takimi i Brdo-Brijuni është ngjarje vjetore multilaterale në të cilën takohen presidentët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor si dhe të Sllovenisë dhe Kroacisë, e ku fokusi kryesor është në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe anëtarësimin e rajonit në BE.

    Ky proces është një nismë rajonale e bashkëthemeluar nga presidentët slloven dhe kroat në vitin 2010.

    Gjatë qëndrimit të Maqedoninë e Veriut, presidentja Osmani, krahas presidentit Stevo Pendarovski dhe atij të Shqipërisë, Bajram Begaj, do të marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të bustit të Shën Terezës në hapësirën e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shkup.

  • Arabia Saudite hap urë ajrore për të dërguar ndihma për Marokun e goditur nga tërmeti

    Arabia Saudite hap urë ajrore për të dërguar ndihma për Marokun e goditur nga tërmeti

    Arabia Saudite ka vendosur të hapë një urë ajrore për t’i ofruar ndihmë Marokut pas tërmetit vdekjeprurës të së premtes, i cili la më shumë se 2,100 njerëz të vdekur.

    Mbreti Salman bin Abdulaziz dhe Princi i Kurorës Mohamed bin Salman urdhëruan Qendrën e Ndihmës Humanitare dhe Ndihmës së Mbretit Salman të “hapin një urë ajrore për të ofruar ndihma të ndryshme për të zbutur efektet e tërmetit mbi popullin vëlla maroken”, Agjencia Saudite e Shtypit (SPA), ka raportuar të dielën vonë.

    Riadi do të dërgojë gjithashtu një ekuipazh kërkimi dhe shpëtimi për të marrë pjesë në aktivitetet e ndihmave dhe aktivitete humanitare për të ndihmuar njerëzit e prekur nga tërmeti, sipas Abdullah al-Rabeeah, mbikëqyrësi i përgjithshëm i Qendrës së Ndihmës Humanitare dhe Ndihmës së Mbretit Salman, shkruan AA, transmeton KosovaPress.

    Vende të ndryshme arabe kanë dërguar ndihmë në Marok, duke përfshirë Omanin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin dhe Bahreinin.

    Të paktën 2,122 njerëz u vranë dhe 2,421 të tjerë u plagosën kur një tërmet me magnitudë 7 goditi Marokun të premten vonë, sipas Ministrisë së Brendshme.

    Tërmeti ishte më i forti që goditi vendin e Afrikës së Veriut në shekullin e fundit, sipas Institutit Kombëtar Gjeofizik të Marokut.

  • Tragjedia shekullore e 9/11: Çfarë ndodhi më 11 shtator?

    Tragjedia shekullore e 9/11: Çfarë ndodhi më 11 shtator?

    Më 11 shtator të 2001-ës, ditë e martë, sulmues kamikazë shfrytëzuan avionë pasagjerësh amerikanë për t’u përplasur në dy rrokaqiejt e Nju Jorkut, duke vrarë mijëra njerëz.

    Sulmi mbetet si një nga ngjarjet më traumatike të shekullit, jo vetëm për amerikanët, por edhe për botën, raporton BBC, përcjell Gazeta Insajderi.

    Kush ishin objektivat?

    Katër avionë që fluturonin mbi lindje të SHBA-së u kidnapuan njëkohësisht nga ekipe të vogla rrëmbyesish.

    Më pas ato u përdorën si raketa gjigante, të drejtuara për t’u përplasur në ndërtesat historike në Nju Jork dhe Uashington.

    Dy avionë goditën Kullat Binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork.

    I pari goditi Kullën e Veriut në orën 08:46 me kohën në SHBA. I dyti u përplas në Kullën Jugore në orën 09:03.

    Ndërtesat pas goditjes morën flakë, duke bllokuar njerëzit në katet e sipërme dhe duke e mbuluar qytetin me tym. Në më pak se dy orë, të dyja kullat 110-katëshe u shembën në total.

    Në orën 09:37 avioni i tretë shkatërroi fytyrën perëndimore të Pentagonit – selinë gjigante të ushtrisë amerikane jashtë kryeqytetit të vendit, Uashington DC.

    Avioni i katërt u rrëzua në një fushë në Pensilvani në orën 10:03. Mendohet se rrëmbyesit kishin për qëllim të sulmonin ndërtesën e Kapitolit në Uashington DC.

    Sa njerëz vdiqën?

    Në total, 2,977 njerëz humbën jetën, shumica prej tyre në Nju Jork.

    246 pasagjerë dhe ekuipazhi në bordin e katër avionëve u vranë.

    Në Kullat Binjake, vdiqën 2606 njerëz.

    Në Pentagon u vranë 125 persona.

    Viktima më e re ishte Christine Lee Hanson dy vjeçare, e cila vdiq në një nga avionët me prindërit e saj Peter dhe Sue.

    Më i moshuari ishte 82-vjeçari Robert Norton, i cili ishte në një aeroplan tjetër me gruan e tij Jacqueline, rrugës për një ceremoni martesore.

    Kur avioni i parë goditi, rreth 17,400 njerëz ishin prezent tek kullat binake. Askush nuk mbijetoi mbi zonën e goditjes në Kullën e Veriut, por 18 arritën të shpëtonin nga katet mbi zonën e goditjes në Kullën Jugore.

    Në mesin e viktimave ishin shtetas të 77 vendeve të ndryshme. Qyteti i Nju Jorkut humbi 441 reaguesit e parë.

    Mijëra njerëz u lënduan ose zhvilluan më vonë sëmundje të lidhura me sulmet, përfshirë këtu edhe zjarrfikësit që kishin punuar në pastrimin e mbeturinave toksike.

    Kush e realizoi sulmin?

    Një rrjet ekstremist islamik i quajtur Al-Kaeda planifikoi sulmet nga Afganistani.

    Të udhëhequr nga Osama Bin Laden, al-Kaeda fajësoi SHBA-në dhe aleatët e saj për konfliktet në botën myslimane.

    Nëntëmbëdhjetë persona i kryen rrëmbimet, duke punuar në tre ekipe prej pesë vetash dhe në një tjetër nga katër (në aeroplanin që u rrëzua në Pensilvani).

    Çdo grup përfshinte dikë që kishte kryer trajnim për pilot. Kjo u krye në shkollat e fluturimit në vetë SHBA.

    Pesëmbëdhjetë rrëmbyes ishin sauditë si vetë Bin Laden. Dy ishin nga Emiratet e Bashkuara Arabe, një nga Egjipti dhe një nga Libani.

    Si u kundërpërgjigjën SHBA-të?

    Më pak se një muaj pas sulmeve, ish-presidenti amerikan George W Bush udhëhoqi një pushtim të Afganistanit – i mbështetur nga një koalicion ndërkombëtar – për të çrrënjosur al-Kaedën dhe për të ndjekur Bin Ladenin.

    Megjithatë, tek në vitin 2011 trupat amerikane gjetën dhe vranë Bin Ladenin në Pakistan.

    Planifikuesi i dyshuar i sulmeve të 11 shtatorit, Khalid Sheikh Mohammad, u arrestua në Pakistan në vitin 2003. Ai është mbajtur në paraburgim në Gjirin e Guantanamos që atëherë dhe është ende në pritje të gjyqit.

    Al-Kaeda ekziston ende. Ajo është më e forta në Afrikën Sub-Sahariane, por edhe tani ka anëtarë brenda Afganistanit.

    Trupat amerikane u larguan nga Afganistani këtë vit pas gati 20 vjetësh, duke nxitur frikën e shumë njerëzve se rrjeti islamik mund të rikthehet.

    Trashëgimia e 11 shtatorit

    Siguria e fluturimeve u forcua në mbarë botën në vitet që pasuan pas 11 shtatorit.

    Në SHBA, Administrata e Sigurisë së Transportit u krijua për të forcuar sigurinë në aeroporte dhe aeroplanë.

    U deshën më shumë se tetë muaj për të pastruar “Ground Zero” – vendi ku kishin rënë Kullat Binjake.

    Një memorial dhe një muze tani është i ndërtuar në hapësirën në fjalë, ndërkaq janë ri-ndërtuar, me një dizajn tjetër.

    Rindërtimi në Pentagon zgjati pak më pak se një vit, ku stafi u kthye në zyrat e tyre më gusht të 2002-ës. /Insajderi.org/

  • Drejtori i Arsimit në Pejë për përjashtimin e nxënëses me mbulesë: Ndalohet me ligj

    Drejtori i Arsimit në Pejë për përjashtimin e nxënëses me mbulesë: Ndalohet me ligj

    Përjashtimi i nxënëses së klasës së tetë, E.L nga shkolla “Asdreni” në Pejë për shkak të vendosjes së mbulesës, ka nxitur reagime.

    Drejtori i Arsimit në Pejë, Naser Gega, ka thënë se me Ligjin e arsimit fillor dhe të mesëm, nuk lejohet vijimi i mësimit me mbulesë, ndërsa ka shtuar se do të shohin sesi do të trajtohet ky rast.

    “Jam i informuar për rastin por nuk e di a ka vendim apo jo për largimin e nxënëses nga shkolla. Sidoqoftë unë nuk kam të drejtë ligjore me kërku nga shkollat që me i leju nxënësit me mbulesa. Udhëzimi administrativ 6/2014 i MASHTI neni 3 pika 1.13 thotë se nxënësit i ndalohet bartja e uniformës fetare, është e prerë”, ka thënë Gega.

    Ai ka shtuar se kjo nuk ka të bëjë me vullnetin e tij por me interpretimin e ligjit në këtë rast

    “Jemi në kontakt edhe me familjen dhe pres biseda me ta ju kam thënë që do të trajtojmë rastin. Nuk është situatë e dëshirueshme nuk jam ithtar i asaj që asnjë nxënës të largohet nga shkolla, sepse shkollat janë për nxënës. Nuk kam të drejtë ligjore të marr dhe ti them drejtoreshës ta lejojë apo jo në shkollë”, u shpreh Gega për telegrafin.

    Ai shtoi se disa shkolla raste të tilla i kanë tejkaluar me marrëveshje nëse s’ka pasur reagim nga klasa.