ATV

Category: Lajme

  • Kurti në 22-vjetorin e 11 Shtatorit: Terrorizmi u godit globalisht, por mbetet kërcënim i paparashikueshëm

    Kurti në 22-vjetorin e 11 Shtatorit: Terrorizmi u godit globalisht, por mbetet kërcënim i paparashikueshëm

    Kryeministri Albin Kurti ka kujtuar sulmin terrorist të 11 Shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerkës në 22-vjetorin e kësaj ngjarjeje.

    “Si rrallë herë ndonjë epokë gjatë historisë, mijëvjeçari i tretë i erës sonë mori mbiemër duke fituar epitet qysh në fillim të tij. Cilësori “terrorizëm” u bë një nga fjalët kyçe të fillimshekullit XXI, këtu e 22 vite më parë, kur avionë civilë të marrë peng nga terroristë, u drejtuan mbi Kullat Binjake në Nju Jork, duke i shembur ato gjatë kryerjes së sulmit terrorist që shkaktoi tronditje globale dhe pati ndikimin më të shumëanshëm të kohës sonë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

    Sipas Kurtit, terrorizmi është goditur shumë në nivel global, ndonëse mbetet kërcënim i paparashikueshëm për sugiruinë botërore.

    “22 vite pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, Al-Kaida është më e dobët se kurrë më parë, ndërkohë që i është vrarë lideri i dikurshëm Osama bin Laden si dhe i janë kufizuar shumëfish mundësitë dhe hapësirat e veprimit. Terrorizmi në nivel global ka marrë shumë goditje, por ai vazhdon të mbetet një nga kërcënimet më të paparashikueshme për sigurinë botërore, një kërcënim i atillë që nuk duhet të injorohet dhe që duhet konsideruar në çdo përllogaritje të vigjilencës së institucioneve shtetërore të sigurisë”.

    “Demokracia dhe drejtësia, barazia dhe pluralizmi, liritë dhe të drejtat, thajnë çdo kënetë ku mbin terrorizmi”.

  • Nënshkruhet Deklarata e Përbashkët për Bashkëpunim në Fushën e Turizmit me Shtetin e Izraelit

    Nënshkruhet Deklarata e Përbashkët për Bashkëpunim në Fushën e Turizmit me Shtetin e Izraelit

    Ministri i Turizmit të Izraelit, Haim Katz, është pritur sot në Ministrin e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nga Ministrja Rozeta Hajdari, me këtë rast dy ministrat gjatë këtij takimi nënshkruan Deklaratën e Përbashkët ndërmjet MINT dhe Ministrisë së Turizmit të Shtetit të Izraelit për bashkëpunimin në fushën e turizmit, ka njoftuar MINT.

    Kjo marrëveshje ka për qëllim forcimin e lidhjes ndërmjet dy vendeve duke ndihmuar në zhvillimin e turizmit në përputhje me parimet e respektit reciprok dhe barazisë.

    Ministrja Hajdari, tha se ky është një shans i jashtëzakonshëm për të eksploruar shumë fusha të reja bashkëpunimi, përfshirë pjesëmarrjen në ekspozita, panaire, konferenca, dhe ngjarje të tjera që do të promovojnë bukuritë natyrore dhe kulturën e të dyja vendeve.

    Deklarata e Përbashkët parasheh edhe shkëmbimin e informacionit mbi inovacionin dhe digjitalizimin e turizmit dhe ekspertizës me synimin për të krijuar një partneritet të qëndrueshëm me theks në sipërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe sipërmarrjet fillestare që operojnë në industrinë e turizmit e po ashtu edhe shkëmbimin e të dhënave dhe statistikave që do të përmirësojnë përvojën e udhëtimit për të dyja vendet.

    Nxitja e bashkëpunimit institucional ndërmjet Autoriteteve Kombëtare të Turizmit dhe nxitja e bashkëpunimit të drejtpërdrejtë ndërmjet agjencive të udhëtimit dhe institucioneve të tjera në fushën e turizmit, është gjithashtu e rëndësisë së veçantë.

    Po ashtu, Deklarata e Përbashkët parasheh edhe nxitjen e bashkëpunimit në kuadër të Organizatës Botërore të Turizmit (UNWTO) si dhe organizatave të tjera ndërkombëtare të lidhura me turizmin si dhe në fushën e edukimit turistik, duke nxitur shkëmbimin e informacionit përkatës me qëllim krijimin e kushteve për të mundësuar shkëmbimin e përvojës praktike në fushën e edukimit, trajnimit dhe të mësuarit, me theks të veçantë në ngritjen e aftësive dhe rikualifikimit.

    Kjo ngjarje është një hap i rëndësishëm drejt bashkëpunimit të ngushtë në fushën e turizmit në mes të Republikës së Kosovës dhe Izraelit.

    Pas vizitës që Ministrja Rozeta Hajdari, muaj më parë kishte realizuar në Izrael, Ministri Katz, po realizon një vizitë në Kosovë ku do të zhvillojë takime të ndara me krerët më të lartë shtetëror.

  • Begaj nga Shkupi: Integrimi i rajonit në BE mund të arrihet me forcimin e bashkëpunimit

    Begaj nga Shkupi: Integrimi i rajonit në BE mund të arrihet me forcimin e bashkëpunimit

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili po merr pjesë në Procesin e Brdo Brijunit në Shkup, ka thënë se integrimi i Ballkanit Perëndimor mund të arrihet vetëm me anë të forcimit të bashkëpunimit.

    Begaj potencoi që të inkurajohen vlerat evropiane, ku të rinjtë të ndihen optimistë për të ndërtuar të ardhmen në vendin e tyre.

    “Në Shkup për takimin e radhës të liderëve të procesit të Brdo-Brijunit. Përshpejtimi i procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE mund të arrihet vetëm përmes forcimit të bashkëpunimit rajonal, të udhëhequr nga siguria dhe stabiliteti”, shkroi Begaj në rrjetin social Facebook.

    “Të inkurajojmë vlerat europiane, ku të rinjtë tanë të ndihen optimistë për të ndërtuar të ardhmen në vendin e tyre”.

  • Rasti i rëndë në Podujevë: Personi tjetër që u plagos është gruaja e të vrarit, u qëllua duke vrapuar

    Rasti i rëndë në Podujevë: Personi tjetër që u plagos është gruaja e të vrarit, u qëllua duke vrapuar

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Podujevë, ku ka pasur të shtëna me armë zjarr dhe për pasojë një person ka mbetur i vrarë dhe një tjetër është plagosur. Policia tashmë e ka konfirmuar rastin, teksa vdekjen e viktimës e ka kotuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.

    Burimet brenda Emergjencës kanë bërë me dije për Sinjalin se bëhet fjalë për Valmir Breznicën, i cili nuk ka arritur t’iu bëjë ballë plagëve dhe ka vdekur.

    Sinjalizuesit e Sinjalit kanë bërë me dije se gruaja që u plagos ka qenë bashkë me të ndjerin në momentin kritik, ashtu që posa ka nisur të vrapojë kur janë dëgjuar të shtënat, është qëlluar edhe ajo.

    Lajmin tashmë e kanë konfirmuar për Sinjalin edhe nga Policia e Kosovës, me ç’rast kanë bërë të ditur se po ndërmarrjen veprimet e nevojshme për identifikimin e personave të dyshuar.

    “Sot rreth orës 12:30, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri, në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para të marra nga mjekët emergjent është konfirmuar se një person është pa shenja jete ndërkaq një tjetër ka mbetur i plagosur.

    Aktualisht policia po vijon punën me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore, me qëllim të zbardhjes së rrethanave të ngjarjes si dhe identifikimin e të dyshuarve.”

  • Vrasja në Podujevë, mësohet identiteti i viktimës

    Vrasja në Podujevë, mësohet identiteti i viktimës

    Valmir B. është viktima e ngjarjes së rëndë që tronditi qytetin e Podujevës të hënën në mesditë.

    Rreth orës 12:30, Valmir B. u qëllua për vdekje me armë zjarri në rrugën “Zahir Pajaziti” të Podujevës.

    Policia e Kosovës bëri të ditur se edhe një person tjetër ka mbetur i plagosur nga të shtënat me armë.

    “Sot rreth orës 12:30, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri, në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para të marra nga mjekët emergjent është konfirmuar se një person është pa shenja jete ndërkaq një tjetër ka mbetur i plagosur”, tha zëdhënësi i policisë, Agron Borovci.

    Aktualisht policia po vijon punën me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera hetimore.

  • ​Greqia hap platformën speciale për të prekurit nga përmbytjet

    ​Greqia hap platformën speciale për të prekurit nga përmbytjet

    Greqia do të qëndrojë në krah të qytetarëve të prekur nga kushtet e rënda të motit, tha të dielën nga Larisa kryeministri Kyriakos Mitsotakis duke shtuar se platforma speciale për të prekurit nga përmbytjet do të hapet sot (e hënë).

    Kryeministri grek tha se shqetësimi kryesor është shëndeti publik, duke theksuar se fermerët dhe blegtorët do të dëmshpërblehen plotësisht. “E di sa e rëndë dhe sa e vështirë është për fermerët që humbën kafshët. Ne duam që këta njerëz të qëndrojnë në vendin e tyre, dhe dua që ata ta dinë se ne do të jemi pranë tyre në çdo hap të këtij procesi”, tha ai, shkruan ANA, transmeton KosovaPress.

    “Dua që të gjithë bashkëqytetarët tanë, pronat e të cilëve u janë shkatërruar ose dëmtuar rëndë, ta dinë se shteti do të jetë pranë tyre menjëherë, në mënyrë që të kthehen në shtëpitë e tyre me mbështetjen e nevojshme financiare për të mbuluar nevojën për pajisje shtëpiake dhe më pas sigurohen fondet e nevojshme për të riparuar dëmet e lëna pas nga përmbytjet”, shtoi ai.

    “Do të na duhet ndihma e BE-së”, tha kryeministri dhe informoi se do të jetë të martën në Strasburg si kreu i një ekipi qeveritar, për të biseduar me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen. “Është një fatkeqësi e cila sigurisht është e lidhur drejtpërdrejt me krizën klimatike dhe një fatkeqësi që kërkon gjithashtu ndihmën e Evropës.”

    “Ne kemi shumë opsione të instrumenteve financiare ku Evropa mund të ndihmojë: si fondet bujqësore dhe burimet NSRF, Fondi i Rimëkëmbjes, dhe Fondi i Fatkeqësive Natyrore. Kështu që të gjitha këto do t’i diskutoj me presidenten e Komisionit Evropian dhe jam i sigurt se Europa do të mbështesë financiarisht vendin tonë që taksapaguesi grek të mos përballojë i vetëm koston e madhe të riparimit të dëmeve që la pas stuhia”, shtoi ai.

  • ​Itali, prodhimi industrial ka rënë për 0.7% në korrik krahasuar me muajin qershor

    ​Itali, prodhimi industrial ka rënë për 0.7% në korrik krahasuar me muajin qershor

    Prodhimi industrial në Itali ra për 0.7% në muajin korrik krahasuar me muajin qershor dhe 2.1% krahasuar me korrikun e vitit 2022, thanë të hënën nga Istat.

    Shifra nga muaji në muaj paraqiti rënien e parë pas dy muajsh rritjeje radhazi, shkruan ANSA, transmeton kp.

    Agjencia kombëtare e statistikave shtoi se për shkak të rritjes së prodhimit industrial në muajin maj dhe qershor, mesatarja për periudhën maj-korrik ishte 0.2% më e lartë se në tre muajt e mëparshëm.

  • Osmani takon Pendarovskin: Kemi vizion të përbashkët për një Ballkan Perëndimor stabil

    Osmani takon Pendarovskin: Kemi vizion të përbashkët për një Ballkan Perëndimor stabil

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila krahas krerëve të shteteve të tjera të rajonit po merr pjesë në takimin Bërdo-Brione në Shkup, ka zhvilluar një takim me nikoqirin e takimit, presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

    Osmani në këtë takim, rikonfirmoi përkushtimin për vazhdimin e marrëdhënieve të shkëlqyeshme e të qëndrueshme me Maqedoninë e Veriut dhe potencoi se të dy shtetet kanë vizion të përbashkët për një Ballkan Perëndimor stabil dhe të integruar në strukturat euroatlantike, thuhet në komunikatën për media.

    Në këtë kontekst, Osmani shtroi nevojën e vazhdimit të mbështetjes nga Maqedonia e Veriut për anëtarësim të Kosovës në organizata ndërkombëtare, duke falënderuar këtë shtet për përkrahjen e deritanishme.

    Osmani tha se me mbështetjen e shteteve mike Kosova mund të arrijë avancim përmbajtësor në procesin e anëtarësimit në BE dhe në NATO dhe se ecja përpara e vendit tonë në këtë rrugë i kontribuon edhe paqes dhe stabilitetit afatgjate në rajon.

    Bëhet e ditur se presidentja Osmani e njoftoi homologun Pendarovski lidhur me hapat e ndërmarrë nga Kosova për deeskalimin e situatës në veri të vendit dhe theksoi nevojën e një përgjigjeje të unifikuar kundër përpjekjeve destablizuese të satelitëve të Rusisë si dhe kundër grupeve të krimit të organizuar.

    Në këtë takim, ndër të tjera, të dy presidentët, theksuan rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve politike, ekonomike dhe kulturore ndërmjet dy vendeve të tyre dhe shprehën përkushtimin e ndërsjellë për promovimin e paqes dhe stabilitetit rajonal.

  • Kancelari gjerman thotë se vendet e G-20 janë kundër përdorimit të armëve bërthamore

    Kancelari gjerman thotë se vendet e G-20 janë kundër përdorimit të armëve bërthamore

    Kancelari gjerman, Olaf Scholz të dielën tha se vendet e G-20 kanë bërë edhe një herë një angazhim të qartë kundër përdorimit të armëve bërthamore në deklaratën përfundimtare të miratuar në Indi.

    Në një konferencë për shtyp në Indi, Scholz theksoi se vendet e Evropës, Amerikës, Azisë dhe Afrikës kanë treguar një unitet të ri dhe samiti dha një “mesazh të qartë” mbi integritetin territorial “të padiskutueshëm” të Ukrainës, shkruan AA, transmeton KosovaPress.

    “Këto janë rezultate të mira”, tha ai dhe shtoi se ky bashkëpunim i ka treguar Rusisë se opinioni publik botëror nuk i miraton “parimet e dhunshme të politikës ruse”.

    I pyetur për mundësinë që presidenti rus Vladimir Putin të marrë pjesë në samitin e G-20 që do të mbahet në Brazil vitin e ardhshëm, Scholz tha se nuk dëshiron të jetë pjesë e një “spekulimi” të tillë.

  • ​Abrahams përfundon dëshminë kundër Thaçit dhe të tjerëve

    ​Abrahams përfundon dëshminë kundër Thaçit dhe të tjerëve

    Ka përfunduar dëshmia e zyrtarit të Human Rights Watch, Frederick Abrahams, para Gjykatës Speciale në çështjen kundër ish-krerëve të UÇK-së. Edhe në ditën fundit të dëshmisë së tij, mbrojtja e Hashim Thaçit dhe ajo e Kadri Veselit e kanë ballafaquar atë me raportet e HRW që sipas avokatëve kanë përmbajtur informacione të gabuara.

    Pasi dha dëshmi javën e kaluar, Abrahams doli edhe një herë në bankën e dëshmitarit të hënën për t’u përgjigjur në pyetjet shtesë të Gregory Kehoe dhe Ben Emmerson.

    Intervistimi u bë kryesisht rreth dy takimeve që dëshmitari kishte zhvilluar në vitin 1998 dhe 1999 me Hashim Thaçin, dhe raportet që kishte hartuar në atë periudhë kohore.

    Avokati Kehoe u ndal të çështja e dy gazetarëve serbë që ishin të ndaluar ku për njërin nga ta ishte thënë se ka qenë i përfshirë në veprimtari të krimeve të luftës në Kroaci.

    Avokati Kehoe: Vet njoftim juaj për shtyp thotë që keni marrë informacion nga Tanjugu që këta persona u deklaruan të humbur më 18 tetor.

    Dëshmitari Abrahams: Duhet ta shoh.

    Avokati Kehoe: E shohim, nuk ka problem, sa herë të duash, është njoftim i juaj për shtyp, i 24 tetorit. Ju pajtoheni që Tanjgu tha që ata kanë humbur më 18 tetor?

    Dëshmitari Abrahams: Data është 18 tetor.

    Avokati Kehoe: Kemi një gjykim që është kryer dhe kjo thuhet në provën materiale 378, 19 ditë përpara kësaj, supozohet që nuk është bërë gjykimi ditën që u ndaluan, apo jo?

    Dëshmitari Abrahams: Nëse informacioni që kemi marrë është i saktë.

    Avokati Kehoe: Sa i takon këtij informacioni është komplet gabim.

    Dëshmitari Abrahams: Cili është informacion?

    Avokati Kehoe: Informacioni më i rëndësishëm për ju ishte kur u mbajtën të ndaluar këta persona.

    Dëshmitari Abrahams: Unë nuk kam nga ta di këtë, nuk e di edhe nëse ky tekst është i saktë.

    Avokati Kehoe: është një dokument që thuhet që gjykata ushtarake e drejtësisë ka bërë gjykimin dhe njëjtën kohë zoti Thaçi u ka treguar se po ngrinin strukturat civile dhe se kërkohej pak kohë për t’u krijuar këto struktura civile, apo jo?

    Dëshmitari Abrahams: Të dy bashkëbiseduesit tanë folën për vështirësitë sa u takon krijimit të strukturave, qofshin këto civile apo ushtarake në mes të një konflikti të armatosur.

    Avokati Kehoe: Personi që ka folur për krijimin e strukturave civile, dhe unë kam transkriptin që e vërteton këtë, ka qenë zoti Thaçi apo jo?

    Dëshmitari Abrahams: Nuk është nevoja të shohim transkriptin por pa dyshim foli për vështirësitë që po ndeshnin për krijimin e strukturave civile dhe mekanizmave të duhur.

    Avokati Kehoe: Jemi në një situatë që është bërë një gjykim supozohet kur këta persona as nuk ishin ndaluar ende, dhe kjo është bërë nga gjykata ushtarake sipas njoftimit për shtyp apo kësaj komunikata, kjo ka qenë njësi ushtarake ndërkohë Thaçi ju flet për strukturat civile dhe se kërkohej kohë që të krijoheshin strukturat civile. Për ju ishte e qartë para, gjatë apo pas situatës, pas faktit që askush nuk e kishte të qartë çfarë po ndodhte?

    Dëshmitari Abrahams: Kemi dy pjesë mohuese, nuk e kisha të qartë, unë po merrja informacione, po botoja materiale që na jepnin, unë nuk mund të them nëse dokumentet janë të sakta, unë këtë nuk e di, nuk mund të them në dëshminë time që janë.

    Tutje, Kehoe ka insistuar me pyetjet në këtë çështje duke theksuar se informacioni në komunikatë ishte i gabuar.

    Avokati Kehoe: Por i keni kushtuar rëndësi këtyre komunikatave.

    Dëshmitari Abrahams: Ishin pjesë e punës sonë.

    Avokati Kehoe: Pra u kushtonit rendësi këtyre komunikatave, qoftë para apo pas takimit, apo jo.

    Dëshmitari Abrahams: Më duket se dhashë dëshmi javën e kaluar ku ju thash që nuk më kujtohet ta kem parë këtë para takimit.

    Avokati Kehoe: Duke marr parasysh faktin që informacioni është i gabuar, dhe duke marrë parasysh që zoti Thaçi ka folur për krijimin e strukturave civile, dhe ky artikull flet për struktura ushtarake, a nuk pajtoheni me mua që ajo që po bënte zoti Thaçi si përfaqësues politik ishte thjesht që përpiqej sa më mirë që mundej të përfaqësonte UÇK-në para komunitetit ndërkombëtar apo të krijonte struktura e UÇK-së sa më mirë për komunitetin ndërkombëtar.

    Dëshmitari Abrahams: Sigurisht që ai po përpiqej të bënte të pamundurën edhe sa i takon komunitetit ndërkombëtar sepse ajo që përpiqej të bënte komuniteti ndërkombëtar ishte shumë e rëndësishëm.

    Avokati Kehoe: Por fakt është që ju nuk e dini me siguri se ai e dinte se cila gjykatë e kishte trajtuar.

    Dëshmitari Abrahams: Është e vërtetë nuk mund ta them me siguri, mund ta them vetëm çfarë më tha në takim.

    Avokati Kehoe e ka pyetur edhe në shkresën që dëshmitari e kishte dërguar për Thaçin më 2 dhjetor të vitit 1998.

    Avokati Kehoe: A e dini ju që zoti Thaçi është larguar nga Kosova në mes të nëntorit, mesi i fundit të nëntorit, dhe është kthyer në Kosovë diku nga marsi i vitit 1999.

    Dëshmitari Abrahams: Nuk e di çfarë lëvizjesh bënte aso kohe.

    Avokati Kehoe: Pra ju shkruat këtë letër dhe nuk u përpoqët të verifikonit nëse kishte e marrë konkretisht zoti Thaçi këtë letër.

    Dëshmitari Abrahams: Ne e dërguam letrën, nuk morëm përgjigje, dhe kaq ishte komunikimi.

    Avokati Kehoe: Pyetjen e kisha shumë të thjeshtë, ju nuk morët asnjë masë të mëtejshme pasi dërguat letrën, për të garantuar që zoti Thaçi e kishte marrë këtë letër.

    Dëshmitari Abrahams: Jo, me sa më kujtohet.

    Pas pyetjeve të mbrojtjes së Thaçit, dëshmitari është përgjigjur në pyetjet shtesë nga avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson. Lidhur me komunikatën për ndalimin e dy gazetarëve.

    Avokati Ben Emmerson: A kishit ndonjë dëshmi që konfirmonte se në nëntor të viti 1998, në fakt shtator 1998 sipas njoftimit për shtyp, ekzistonte një drejtori drejtësie pranë shtabit të përgjithshëm të UÇK-së pranë së cilës funksiononte edhe një gjykatë ushtarake nën përgjegjësinë e një prokurorie ushtarake. A gjetët ju burime të pavarura për të verifikuar këtë pretendim me përjashtim të takimit me zotin Thaçi dhe zotin Limaj?

    Dëshmitari Abrahams: Informacionin e kemi bazuar në atë çfarë na thanë, nuk na lejuan t’i vizitonim të ndaluarit, pran k ishim në gjendje t’i verifikonim nëse kishte një objekt ndalimi a ku ishin këto vende, apo ekzistonte apo nuk ekzistonte një drejtori drejtësie.

    Avokati Emmerson: Pra ju nuk gjetët asnjë informacion pas kësaj periudhe kohore që të tregonte se ekzistonte në fakt një drejtësi drejtësie në shtator apo nëntor të vitit 1998. Në asnjë moment ju nuk keni ndeshur një informacion që të konfirmoj faktin se ekziston drejtori drejtësi në nëntor 1998? A pajtoheni me mua që duke pasur parasysh faktin që ishte shumë e rrezikshëm organizmi, në thelb këto deklarata për synim kishin të tregonin se kishte një shkallë të lartë organizimi në mënyrë që të jepnin një imazh të ndryshëm, por ju vet ju a gjetët ndonjë burim të pavarur për të verifikuar pretendimet për të parë nëse këto që ishin thënë ishin të vërteta?

    Dëshmitari Abrahams: puna jonë është të dokumentojmë shkeljet që ndodhin në bazë të informacionit që mbledhim, struktura ishte për ne shqetësim është që të paktën këta dy persona nuk ishin objekt i një procesi të rregullt ligjor, ky ishte thelbi i punës sonë dhe përfundimi që nxorën ne ishte që në fakt nuk kanë qenë pjesë e një procesi të rregullt ligjor.

    Avokati Emmerson: Nuk po të pyes për këta dy persona, po të pyesja dhe në fakt ju qëllimisht nuk po i përgjigjeni pyetjes sime dhe po i përgjigjeni në mënyrë mohore jo pohore. Po ta bëjë pyetjen kështu, a është e drejtë që ju nuk keni pasur asnjë dëshmi të pavarur dhe as nuk gjetët ndonjë dëshmi që të vërtetonte ekzistencën e një drejtorie drejtësie apo gjykata ushtarake apo prokurorësh ushtarak, në shtator, tetor, nëntor 19998.

    Dëshmitari Abrahams: nuk më kujtohet.

    Avokati Emmerson: A mendoni ju se ky është një shembull tjetër kur UÇK pretendonte se ekzistonin struktura që në fakt nuk ekzistonin në të vërtetë.

    Dëshmitari Abrahams: Po, edhe kështu mund të ketë qenë.

    Tutje, derisa Emmerson e ka pyetur rreth çështjes së ndalimit të gazetarëve serbë, dëshmitari ka pohuar se një veprim i tillë ishte i drejtë nëse të njëjtit dyshonin për veprime spiunazhi.

    Avokati Emmerson: Nëse mund të kenë qenë spiunë siç pretendohej, të paktën për Kroacinë, a nuk mendon se është e drejt dhe e ligjshëm t’i ndalosh këta persona?

    Dëshmitari Abrahams: Nuk i di pretendimet.

    Avokati Emmerson: Pretendimet që po të them unë, a mendon që për çështje sigurie është krejt ligjshëm t’i ndalosh personat e tillë?

    Dëshmitari Abrahams: Nëse kishin arsye për të besuar se po kryenin veprime spiunazhi, po e drejtë është.

    Avokati Emmerson: Pra nuk thamë që janë keqtrajtuar, nuk e dimë faktet themelore çfarë ka ndodhur gjatë gjykimit, dhe mund të themi që faktet që ju kanë thënë janë të sakta dhe ishte e ligjshëm që këta të ndaloheshin.

    Dëshminë e Fred Abrahams e kanë dëgjuar në sallën e gjyqit Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi ndërsa Jakup Krasniqi ka marrë pjesë në seancë përmes video-lidhjes nga qendra e paraburgimit.

    Menjëherë pas përfundimit të dëshmisë së zyrtarit të Human Rights Watch, ka filluar të dëgjohet dëshmitari i radhës i Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

    Ai po dëshmon nën masa mbrojtëse dhe përmes video-lidhjes.

    Në këtë proces gjyqësor deri tani janë dëgjuar 22 dëshmitarë të ZPS-së, vetëm pesë prej tyre pa masa mbrojtëse dhe në seanca të hapura për publikun.

    Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka nisur me 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

    Ndërsa ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020./kp