ATV

Category: Lajme

  • FSK nderon viktimat e 11 shtatorit në SHBA

    FSK nderon viktimat e 11 shtatorit në SHBA

    Ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë nderuar viktimat e sulmit të 11 shtatorit, që kanë ndodhur 22 vite më parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Sipas njoftimit, “sot në të gjitha kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, u rreshtuan ushtarë, nënoficerë e oficerë të Kosovës duke lëshuar flamujt në gjysmë shtizë, për të qenë më afër familjeve e popullit amerikan siç ishin ata me ne në kohët më të vështira”.

  • Grafiti “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” shfaqet në Mitrovicë të Veriut

    Grafiti “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” shfaqet në Mitrovicë të Veriut

    Një grafit ku shkruan “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” është shfaqur në oborrin e Shkollës Teknike në Mitrovicë të Veriut. Grafiti, i shkruar me shkronja cirilike, është ngjyrosur me ngjyrat e flamurit të Serbisë.

    Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin e Veriut, Veton Elshani, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se për përmbajtjen e këtij grafiti, autoritetet e rendit janë informuar përmes rrjeteve sociale.

    Ai tha se policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po konsultohet me prokurorin për këtë rast.

    Që nga fundi i korrikut, grafite me mbishkrim të tillë janë shfaqur në Beograd dhe qytete të tjera në Serbi. Një grafit i tillë është parë në gushtë edhe në Banja Llukë të Bosnje e Hercegovinës.

    Grafiti është krijuar nga tifozët e klubit të futbollit Crvena Zvezda, pas një ndeshjeje miqësore me klubin italian Fiorentina më 26 korrik në Beograd.

    Mesazhi i grafitit është pjesë e një kënge popullore të kënduar nga mitropoliti Amfilohije i Kishës Ortodokse Serbe dhe peshkopi Atanasije.

    Në shkurt të këtij viti, aktivistët e organizatës Iniciativa e të Rinjve për të Drejta të Njeriut dhe Asociacioni Krokodili, e ngjyrosën me të kuqe këtë grafit në Sheshin Slavija të Beogradit.

    Mirëpo, ai është rikrijuar në atë vend, dhe disa vende tjera në Beograd.

  • ​Osmani në takimin Bërdo-Brijuni: Interes strategjik që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat nga BE

    ​Osmani në takimin Bërdo-Brijuni: Interes strategjik që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat nga BE

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova është e vendosur për të vazhduar me reforma dinamike që forcojnë më tej demokracinë, mbështesin sundimin e ligjit si dhe rrisin standardet e jetesës për të gjithë qytetarët.

    Derisa ka folur në takim vjetor të liderëve të rajonit në kuadër të Procesit Bërdo-Brijuni, Osmani ka thënë se është me rëndësi që Kosova të ecë përpara edhe me statusin e vendit kandidat në BE “në përputhje me zotimin e BE-së për perspektivë anëtarësimi për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor”.

    Osmani ka theksuar se Kosova ka shënuar hapa të ndjeshëm suksesi në disa aspekte, transmeton KP.

    “Kosova është një partner i besueshëm, një fqinj i mirë dhe një partner që punon shumë. Prandaj, mundësia për një lëvizshmëri më të madhe të qytetarëve tanë në zonën Schengen, është gjithashtu një mundësi e madhe për t’ua vërtetuar këtë të gjithëve në BE”, ka thënë Osmani.

    Sipas njoftimit të Presidencës, Osmani ka përmendur edhe përparimin në indekset ndërkombëtare që kanë të bëjnë me luftimin e krimit dhe korrupsionit, të drejtat e njeriut dhe fushën e teknologjisë informative.

  • ​Auditorja e Përgjithshme: Kemi evidentuar 51 raste të dyshimta gjatë vitit të kaluar

    ​Auditorja e Përgjithshme: Kemi evidentuar 51 raste të dyshimta gjatë vitit të kaluar

    Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka thënë se kanë evidentuar 51 raste të dyshimta për vepra penale gjatë vitit 2022.

    Ajo në një konferencë për media tha se të gjitha këto raste i kanë dërguar në Prokurorinë e Shtetit për hetime të mëtejme.

    Sipas saj, rastet e identifikuara janë kryesisht nga fusha e prokurimit, lidhja e kontratave dhe shpenzimet në kategorinë mallra dhe shërbime.

    “Kemi evidentuar 51 raste të dyshimit të cilat i kemi dërguar në Prokurori të Shtetit për analizë dhe hetime të mëtejme. Përveç këtyre 51 rasteve të evidentuara në prokurori janë dërguar edhe dy raporte në tërësi për shkak të çështjeve të ndërlidhura. Rastet janë kryesisht nga fusha e prokurimit publik, lidhja e kontratave, shpenzimet e në kategorinë mallra dhe shpenzime ku janë identifikuar 36 raste. Ndërkaq, tetë raste janë identifikuar në kategorinë e subvencioneve dhe transfereve si dhe shtatë raste në fushën e punësimit. Menjëherë pas dërgimit të rasteve Zyra e Kryeprokuror të Shtetit ka konfirmuar pranimin informacionit dhe ka informuar shpërndarjen e tyre në zyrat përkatëse tek shtatë prokurorit themelore”, tha ajo.

    Ajo shtoi se këto raste të dyshimta më shumë i takojnë nivelit lokal.

    “Rastet që i kemi dërguar në prokurori shtrihen në pothuajse të gjitha organizatat buxhetore, si në nivelin qendror ashtu edhe në nivelin lokal. Po ashtu edhe tek ndërmarrjen publike, por ajo çka mund të konfirmojë është se pjesa më e madhe e rasteve që i kemi dërguar tek prokurori për hetime të mëtejme i takojnë nivelit lokal”, deklaroi ajo.

    Ajo bëri të ditur se gjatë vitit 2022 kanë bërë 15 auditime të institucioneve të ndryshme, derisa përmendi efikasitetin e institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje.

    Spanca tha se në bazë të raportit final del se institucionet nuk kanë pasur rezultate të kënaqshme të trajtimit të dhunës në familje.

    “Gjetjet e këtij auditimi tregojnë se edhe pse organet përgjegjëse publike kanë ndërmarrë një sërë veprimesh për trajtimin e rasteve të dhunës në familje nuk janë arritur rezultate të kënaqshme për mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimave. Ka mangësi në angazhimin e adekuat të burimeve njerëzore, në procedurat e monitorimit dhe mbështetjen e viktimave dhe rehabilitimit. Policia gjatë intervenimit reagon në kohë optimale mirëpo janë identifikuar dobësi në angazhim të hetuesve policorë, mungesë të procedurave për urdhrat mbrojtjes, mos përcjelljes informatës tek mbrojtësit e viktimave dhe si dobësi në regjistrimin e rasteve”, përfundoi ajo.

    Raporti i Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2022 pritet të shkojë për shqyrtim në Kuvendin e Kosovës./KP

  • Ministri i Turizmit nga Izraeli, takohet me deputetët e Kuvendit

    Ministri i Turizmit nga Izraeli, takohet me deputetët e Kuvendit

    Grupi i Miqësisë Kosovë-Izrael i Kuvendit të Republikës së Kosovës ka pritur në takim ministrin e Turizmit nga Izraeli, Haim Katz, raporton Ekonomia Online.

    Takimi i këtij grupi me ministri izraelit është duke mbajtur në objektin e Kuvendit të Kosovës, përderisa mediet janë lejuar të marrin vetëm pamje.

    Gjatë ditës Katz, është pritur në Ministrin e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nga ministrja Rozeta Hajdari, me këtë rast dy ministrat gjatë këtij takimi nënshkruan Deklaratën e Përbashkët ndërmjet MINT dhe Ministrisë së Turizmit të Shtetit të Izraelit për bashkëpunimin në fushën e turizmit.

    Kjo marrëveshje ka për qëllim forcimin e lidhjes ndërmjet dy vendeve duke ndihmuar në zhvillimin e turizmit në përputhje me parimet e respektit reciprok dhe barazisë.

    Deklarata e Përbashkët parasheh edhe shkëmbimin e informacionit mbi inovacionin dhe digjitalizimin e turizmit dhe ekspertizës me synimin për të krijuar një partneritet të qëndrueshëm me theks në sipërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe sipërmarrjet fillestare që operojnë në industrinë e turizmit e po ashtu edhe shkëmbimin e të dhënave dhe statistikave që do të përmirësojnë përvojën e udhëtimit për të dyja vendet.

  • ​Mjeku tregon gjendjen e personit të plagosur në Podujevë

    ​Mjeku tregon gjendjen e personit të plagosur në Podujevë

    Bedri Hyseni nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Podujevë, tha për KosovaPress se viktima e plagosur po merr trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Ndërsa lidhur me 30 vjeçarin që ka ndërruar jetë, tha se në vendin e ngjarjes e kishin gjetur pa shenja jete.

    Hyseni tha se viktima që ka ndërruar jetë ka pasur plagë me armë zjarri.

    “Në momentin kur kemi arrit në vend të ngjarjes, personi që ka qenë i shtrirë me gjakderdhje prej koke ka pas plagë me armë zjarri, ka qenë pa shenja jete. Ndërsa personi tjetër, femër, është plagosur me armë zjarri në bark në anën majtë, këtë e kemi dërguar me shpejtësi në Prishtinë, me shenja jetë, momentalisht është në gjendje të rregullt, vazhdon trajtimi atje”, tha ai.

    Një 30-vjeçar është vrarë mesditën e sotme në Podujevë. Ndërsa një tjetër ka ka mbetur i plagosur.

    Rasti tragjik ka ndodhur sot rreth orës 12:30, derisa fillimisht është raportuar për gjuajtje me armë zjarri, në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë./KP

  • ​Numri i të vdekurve nga tërmeti në Marok ka arritur në afër 2500

    ​Numri i të vdekurve nga tërmeti në Marok ka arritur në afër 2500

    Numri i të vdekurve nga tërmeti vdekjeprurës në Marok është rritur në 2 mijë e 497 persona, sipas Ministrisë së Brendshme të këtij vendi.

    Në një deklaratë, ministria tha se 2 mijë e 476 persona të tjerë u plagosën në tërmetin me magnitudë 7 që goditi vendin e Afrikës Veriore të premten vonë.

    Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS) tha se epiqendra e tërmetit, i cili goditi pak pas orës 23:00, sipas kohës lokale, ishte 75 kilometra (46.6 milje) në juglindje të Marrakech, në një thellësi prej 18.5 kilometrash, raporton aa.

    Dëme masive u raportuan në Marrakech, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, nga tërmeti vdekjeprurës.

    Ekipet e shpëtimit vazhduan të hënën kërkimin për personat e zhdukur të bllokuar nën rrënoja për të katërtën ditë pas tërmetit shkatërrues.

    Një numër njerëzish u nxorrën nga ekipet e shpëtimit nga rrënojat e ndërtesave të shembura në zona të ndryshme të goditura nga tërmeti, sipas një reporteri të Anadolu.

    Disa ekipe të huaja të shpëtimit kanë mbërritur tashmë në vend për t’u bashkuar në përpjekjet e kërkimit për të mbijetuarit.

    Maroku deri më tani ka pranuar oferta ndihme nga Spanja, MB, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

    Të dielën, qeveria marokene hapi një llogari të veçantë me thesarin dhe Bankën e Marokut për të marrë donacione për viktimat e tërmetit.

    Tërmeti ishte më i forti që goditi vendin e Afrikës së Veriut në shekullin e fundit, sipas Institutit Kombëtar Gjeofizik të Marokut.

  • ​Sesioni vjeshtor i Kuvendit – opozita e ndarë rreth votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare

    ​Sesioni vjeshtor i Kuvendit – opozita e ndarë rreth votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare

    Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancën e parë plenare për sesionin vjeshtor të enjten, më 14 shtator. Përveç seancës së rregullt plenare, të zgjedhurit e popullit do të mbajnë edhe debatin parlamentar për çështjen e sigurimit të teksteve shkollore nga qeveria, seancë kjo që dështoi të mbahet javën e kaluar.

    Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të hënën, nga mazhoranca thanë se presin një sesion të mbarë vjeshtor të legjislativit, kurse opozitarët kritikuan pushtetin se ka polarizuar jetën parlamentare në Kuvend. Madje, në PDK thanë se nuk do të votojnë asnjë projektligj dhe marrëveshje ndërkombëtare. Votimin për marrëveshje ndërkombëtare e vënë në dyshim edhe nga LDK-ja të cilët thanë se do të varet nga sjellja e pushtetit sesi do ta orientojnë vendimmarrjen.

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se në seancën e së enjtes kanë tërhequr disa projektligje nga rendi i ditës, përfshirë Projektligjin për zyrtarët publikë për të cilin tashmë ka një vendim nga Gjykata Kushtetuese si dhe Projektligjin për Këshillin Prokurorial, i cili është dërguar për vlerësim në Komisionin e Venecias.

    “Ne si përfaqësues të pozitës presim një sesion të mbarë vjeshtor. Natyrisht opozita ka format e veta të opozitarizmit. Nga ana e pozitës presim që me përkushtim dhe angazhim maksimal të vazhdojmë me shqyrtimin e pikave të cilat janë bartur edhe nga sesioni pranveror por edhe të tjerat që do të vijnë në ndërkohë. Besoj se kemi shumë punë për të bërë dhe nuk kemi kohë për të humbur në shtyrjen e këtyre seancave dhe këtyre pikave”, tha ajo.

    Kritik ndaj mazhorancës u shpreh shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili tha se të njëjtit nuk do të ketë asnjë lloj përkrahje në Kuvend.

    Ai shtoi se do të votojnë në Kuvend vetëm për shpërndarjen e legjislativit ose rrëzimin e ekzekutivit.

    “Jemi dakorduar që nga ky moment të mos votojmë asnjë projektligj dhe marrëveshje ndërkombëtare që do të vjen në Kuvend nga Qeveria Kurti. Çdo votim i yni do t’ia zgjaste jetën kësaj qeverie që po e mban vendin tonë të sanksionuar. Nuk ka asnjë arsye të vetme për ta ndërruar këtë qëndrim. Ne do të votojmë vetëm për shpërndarjen e Kuvendit dhe rrëzimin e kësaj qeverie. Prandaj nuk ka mundësi të tjera që ne të votojmë”, theksoi Tahiri.

    Ndërkaq, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj tha se pozita nuk ka disponim të mirë për të mbajtur seanca plenare.

    Ai përmendi nevojën për formimin e një komisioni hetimor parlamentar për çështjen e rezervave shtetërore, derisa tha se votimi i çfarëdo marrëveshjeje ndërkombëtare do të varet nga sjellja e pushtetit.

    “Ju e dini që LDK-ja ka përkrahur marrëveshjet ndërkombëtare, nuk ka përkrahur ato të cilat vetëm bëhen sa për sy e faqe. Njëra ndër to është edhe moszhvillimi i skemës sociale… Marrëveshje të tjera atëherë kur nuk kanë marrë votën e LDK-së kanë qenë sjellja oportuniste e kësaj qeverie ose sjellja demagogjike në kuptimin e të gjitha proceseve të saj, e cila ka dëmtuar edhe kolegjialitetin në kuptimin institucional dhe kushtetues. Në fund të fundit ne përfaqësojmë qytetarë të Kosovës dhe interesat e tyre. Karshi kësaj sjellje do të jenë edhe vendimet e LDK-së”, deklaroi Zemaj.

    Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se mazhoranca ka dështuar në Kuvend gjatë tërë vitit.

    Ai tha se gjatë sesionit vjeshtor do të iniciojnë një nismë legjislative për rritjen e koeficientit të Ligjit për paga.

    “Nëntë muaj të Kuvendit të vitit 2023 kanë qenë muajt dhe periudha realisht më e dështuar dhe më pak rezultate që mund të kujtohet në Kuvend. Paramendoni kemi një shumicë parlamentare e cila ka mbi 50 për qind dhe iu lus qytetarëve të kujtojnë se a dinë ndonjë ligj që ka ndiku në jetën pozitive të qytetarit…Ne si GP jemi duke punuar që për sektorin publik të iniciojmë një nismë legjislative e cila do të amendamentin Ligjin për Buxhet dhe që lidhet me koeficientin e pagave për zyrtarëve publik. Koeficienti që është tash është i zvogëlimit të pagave dhe jo rritjes së tyre”, tha Tahiri.

    Sot ka nisur sesioni vjeshtor i Kuvendit, pas pushimit veror të deputetëve që nga 28 korriku./KP/

  • Roth në Qeveri, takohet me kryeministrin Kurti

    Roth në Qeveri, takohet me kryeministrin Kurti

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim kryesuesin e Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Gjerman, Michael Roth, raporton Ekonomia Online.

    Takimi është mbajtur në ndërtesën e Qeverisë dhe mediat janë lejuar që të marrin vetëm pamje në oborrin e ekzekutivit.

    Gjatë ditës Roth, është takuar me deputetët e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, përderisa ka paralajmëruar se do të takohet edhe me kreun e Kuvendit Glauk Konjufca dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

  • Dëshmon me masa mbrojtëse dëshmitari i 23-të në Hagë

    Dëshmon me masa mbrojtëse dëshmitari i 23-të në Hagë

    Në Gjykatën Speciale ka filluar dëshmia e dëshmitarit të 23-të. Ai po dëshmon me video-lidhje dhe me masa mbrojtëse.

    Pjesa më e madhe e dëshmisë së tij do të jetë e mbyllur për publikun.

    Sot ka vazhduar me një pjesë të dëshmisë edhe dëshmitari 22, Fred Abrahams.