ATV

Category: Lajme

  • Kuvendi me seancë plenare, të enjten

    Kuvendi me seancë plenare, të enjten

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Seancën e parë të sesionit vjeshtor, deputetët e Kuvendit do ta mbajnë të enjten.

    Kjo u vendos në mbledhjen e kryesisë, teksa u diskutuan edhe pikat që do të shqyrtohen.

    Megjithatë, në pjesën e dytë të ditës, seanca do të vazhdojë me diskutime për çështjen e teksteve shkollore, që opozita e kishe thirrur derisa ishin në pushim.
    Sidoqoftë, qysh në start vijuan kritikat ndaj pozitës, siç thanë, për mungesë vullneti për mbajtjen e seancave.

    Ndërkaq, nga agjenda legjislative për këtë sesion tashmë është hequr projektligji për zyrtarët publikë, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese se ka mangësi në këtë projektligj.

  • Në vitin 2024, planifikohet ndërtimi i tualeteve publike në Prishtinë

    Në vitin 2024, planifikohet ndërtimi i tualeteve publike në Prishtinë

    Përgatiti: Sara Shehu

    Tualetet publike në Prishtinë mungojnë prej vitesh.

    Në mungesë të tyre, qytetarët nevojat fiziologjike me raste i kryejnë në hapësira joadekuate.

    Një gjendje e tillë është edhe te mbikalimi në afërsi të shkollës së mesme të mjekësisë “Ali Sokoli”.

    Si rrjedhojë, qytetarët thonë se për shkak të kundërmimit nuk mund të përdorin këtë mbikalim.

    “Nuk e përdori mbikalimin se era është shumë e keqe, aty kryhet turlifarë nevoje personale që krijon aromë të keqe…”, thotë një qytetare.

    Mirëpo, qytetarët rrallëherë i përdorin edhe tualetet private, për të cilat duhet të paguhet 30 centë.

    “Mungesa e tualeteve po krijon situatë të keqe, sepse s’po ka ku me i kry njeri nevojat e tij fiziologjike. Nuk i përdori tualetet private, janë me pagesë, s’kom nevojë”, thotë një qytetare tjetër.

    “Duhet me pas tualete publike, sepse çështja e mungesës së tyre është bërë e bezdisshme…”, tha një qytetar.

    Por, shumë shpejt do të bëhet një zgjidhje për këtë telash të kryeqytetit. Tashmë komuna ka ndarë një shumë të mjeteve që do të adresohet për çështje.

    “Çështja e tualeteve publike pritet të zgjidhet në vitin 2024, këtë vit kemi buxhetuar 150 mijë euro për ndërtimin e tyre, megjithatë kostoja mund të arrijë deri 450 mijë, por jemi duke shikuar lokacionet se ku do të fillojë ndërtimi i tyre…”, tha drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Ilirik Musliu.

    Mungesë të tualeteve publike kanë edhe në komunat e tjera.

  • Një i vrarë dhe një i plagosur në Podujevë

    Një i vrarë dhe një i plagosur në Podujevë

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Një person është vrarë dhe një tjetër është plagosur, kur disa persona hynë në një market të Podujevës, rreth orës 12:30.

    Viktima V.B., i njohur me nofkën “Dhija”, sipas dëshmitarëve që folën vetëm prapa kamerave, mbeti i vdekur nga plumbat, që u shkrepën afër arkës, brenda marketit, ku ndodheshin edhe shumë persona të tjerë.

    Derisa, bashkë me viktimën ka qenë gruaja e tij, e cila në ikje e sipër mbeti e plagosur. Sipas dëshmitarëve, vrasja ndodhi edhe në praninë e fëmijës së viktimë, i cili më pas është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, nën asistencën e ekipeve mjekësore.

    I dyshuari për kryerjen e kësaj vepre penale, ndonëse është kapur nga kamerat e sigurisë, ende nuk është identifikuar dhe është në arrati.

    “Ju njoftojmë se me të pranuar informatën nga Policia, prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, ka dalë në vendin e ngjarjes. Aktualisht, Prokuroria në koordinim me Policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, për t’i ndriçuar rrethanat e rastit, si dhe për t’i identifikuar personat e dyshuar”, thuhet në njoftimin nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

    Vdekjen e të riut në vendin e ngjarjes e ka konfirmuar mjeku nga qendra e mjekësisë familjare në Podujevë, Bedri Hyseni. Sipas tij, viktima është qëlluar me plumb në kokë.

    “Në momentin kur kemi arritur në vendin e ngjarjes, personi që ka qenë i shtrirë me gjakderdhje, i plagosur në kokë, ka pasë plagë me armë zjarri”, tha Bedri Hyseni, mjek i ekipit në QMF në Podujevë.

    Ndërkaq, e plagosura menjëherë pas ngjarjes është sjellë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku i është nënshtruar një operacioni.

    “Ajo ka qenë e plagosur në regjionin trokoabdominal, gjendja e saj ka qenë e rëndë dhe momentalisht pacientja gjendet në sallën e operacionit”, tha Avdush Bajgora, shef i Qendrës Emergjente.

    Ngjarja në Podujevë e çon në 3 numrin e vrasjeve të ndodhura, vetëm brenda më pak se dy javëve në Kosovë.

  • Përfundon dëshminë zyrtari i “Human Rights Watch”

    Përfundon dëshminë zyrtari i “Human Rights Watch”

    Përgatiti: Fitim Majkovci

    Ka përfunduar dëshmia e Frederick Abrahams, para Gjykatës Speciale në çështjen ‘’Thaçi & të tjerët’’.

    Zyrtari i organizatës ‘’Human Rights Watch’’, u konfrontua nga mbrojtja për raportimet e pakonfirmuara të organizatës rreth ndalimit të dy gazetarëve serbë nga UÇK-ja.

    Pos pohimit se informacionin e kishin marrë nga mediumi serb ‘’Tanjug’’, Abrahams, para mbrojtjes foli edhe rreth dy takimeve të tij me Thaçin në periudhat 98/99.

    Ndonëse, Thaçi e kishte njoftuar Abrahamsin për krijimin e strukturave civile, sipas mbrojtjes, kështu nuk ishte raportuar nga organizata.

    ‘’Jemi në një situatë që është bërë një gjykim, kur këta persona as nuk ishin ndaluar ende, dhe kjo është bërë nga gjykata ushtarake, sipas njoftimit për shtyp, apo kësaj komunikate tuaj, kjo ka qenë njësi ushtarake. Ndërkohë, Thaçi ju flet juve për strukturat civile dhe se kërkohej kohë që të krijoheshin ato. Për ju, a ishte e qartë para, gjatë apo pas situatës, se askush nuk e kishte të qartë çfarë po ndodhte?’’, tha avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe.

    “Kemi dy pjesë mohuese, nuk e kisha të qartë, unë po merrja informacione, po botoja materiale që na jepnin, unë nuk mund të them nëse dokumentet janë të sakta. Unë këtë nuk e di, nuk mund të them, tani në dëshminë time që janë’, tha Abrahams.

    Pas pyetjeve të mbrojtjes së Thaçit, dëshmitari është përgjigjur në pyetjet shtesë nga avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, lidhur me komunikatën për ndalimin e dy gazetarëve.

    “A është e vërtetë që ju nuk keni pasur asnjë dëshmi të pavarur dhe as nuk gjetët ndonjë dëshmi që vërtetonte ekzistencën e një drejtorie juridike, apo gjykate ushtarake apo prokurorësh ushtarakë, në shtator, tetor, nëntor 1999?
    A mendoni ju se ky është një shembull tjetër, kur UÇK-ja pretendonte se ekzistonin struktura që në fakt nuk ekzistonin në të vërtetë?!”, tha Emmerson.

    “Informacionin e kemi bazuar në atë çfarë na thanë. Por, nuk më kujtohet, edhe mund të ketë qenë kështu”, tha Abrahams.

    Pas përfundimit të dëshmisë së Abrahams, seanca ka vazhduar me dëshminë e dëshmitarit të ZPS-së me kodin 3827, i cili u paraqit përmes video-lidhjes.

  • Procesi BRDO Brijuni, liderët dakordohen t’i dyfishojnë përpjekjet për anëtarim në BE

    Procesi BRDO Brijuni, liderët dakordohen t’i dyfishojnë përpjekjet për anëtarim në BE

    Përgatiti: Nora Luta

    Pas takimeve bilaterale me presidentin e Kroacisë, Zoran Milanović, dhe atë të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, presidentja Vjosa Osmani po drejtohet drejt sallës ku do t’i takojë edhe liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor.

    Liderët e këtij rajoni u bashkuan në Shkup, në takimin e përvitshëm në kuadër të procesit të Bërdo-Brijunit bashkë me presidentin e Kroacisë, dhe presidenten e Sllovenisë.

    Drejtueseve të këtyre shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, presidentja Osmani tha se u bëri të ditur për hapat e suksesshëm që i ka shënuar Kosova drejt integrimit evropian.

    Sipas saj, Kosovës duhet t’i jepet statusi i vendit kandidat nga Bashkimi Evropian.

    Ndryshe, nga viti i kaluar kur Osmani e presidenti i Serbisë, Vucic, u konfrontuan, në këtë takim Osmani tha se ishte atmosfera ndryshe, duke treguar se fokusi kryesor ishte dakordimi për çështjet e integrimit, politikave rreth ndryshimeve klimatike dhe migrimit.

    Ndërsa, rreth sanksioneve dhe situatës në veri, presidentja tha se nuk zuri shumë vend në agjendën e takimit të përbashkët, por përmendi se në takimin bilateral me Zoran Milanoviq, i kërkoi Kroacisë mbështetje në këtë drejtim.

    Se ky takim kaloi në një atmosferë konstruktive, ndryshe nga ai i vitit të kaluar, e tha edhe nikoqiri i këtij takimi, presidenti maqedonas, dhe ai i Kroacisë, i cili bashkë me të parën e Sllovenisë, dolën në një konferencë për media.

    Ata treguan se u dakorduan që t’i shtojnë përpjekjet e tyre për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, e ndërmarrjen e hapave për të ndalur emigrimin e të rinjve.

    Presidenti kroat, Zoran Milanoviq, tha se dialogu mes vendeve të rajonit është i rëndësishëm, duke e përmendur edhe Kosovën e Serbinë, si çështje të hapur në këtë rajon.

    Ndërkohë, më butë në deklaratat rreth Kosovës ndryshe nga viti i kaluar, pas samitit është shprehur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke thënë se diskutimet për Kosovën dhe Serbinë janë lënë për të enjten në Bruksel, kur edhe pritet të zhvillohet takimi i nivelit të lartë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

  • ​Një tërmet me magnitudë 6 ka goditur Indonezinë

    ​Një tërmet me magnitudë 6 ka goditur Indonezinë

    Një tërmet me magnitudë 6 goditi Indonezinë të hënën, sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS).

    Epiqendra e tërmetit ishte 38 kilometra (afërsisht 23 milje) në verilindje të Ternate në ishullin verior të Maluku, në një thellësi prej 162.5 kilometrash (100 milje), sipas USGS.

    Nuk pati raportime të menjëhershme për viktima apo dëme materiale.

    Tërmeti erdhi vetëm disa ditë pasi një tërmet me magnitudë 7 goditi Marokun, mijëra kilometra larg në Afrikën e Veriut, në jugperëndim të qytetit të Marrakech, ku la të vdekur rreth 2,500 persona. (AA)

  • ​Vuçiq nga Shkupi flet për takimin e 14 shtatorit: Sot nuk u grindëm

    ​Vuçiq nga Shkupi flet për takimin e 14 shtatorit: Sot nuk u grindëm

    Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, deklaroi nga Shkupi ku mori pjesë në Samitin e Brdo-Brionit se “nuk e di nëse do të jetë e vështirë” në takimin e së enjtes në Bruksel ku pritet të takohet me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti në kuadër të dialogut mes dy vendeve.

    Ish-ministri i Millosheviqit deklaroi se asnjëherë nuk është lehtë në të tilla takime pasi edhe Brukseli e mbështet pavarësinë e Kosovës.

    “Nuk e di se a do të jetë e vështirë, kjo është gjithçka që mund t’ju them sepse nuk është se ka qenë e lehtë, prandaj po flasim me Albin Kurtin, sepse po flasim me përfaqësuesit e Brukselit, të cilët e dini se çfarëdo që të thonë ata gjithmonë do ta mbështesin pavarësinë e Kosovës në një mënyrë apo tjetër, kështu që për ne është gjithmonë e vështirë, çfarë të bëjmë”, tha Vuçiq para gazetarëve.

    Në lidhje me takimin e sotëm në kuadër të Samitit të Brdo-Brionit, ku mori pjesë edhe presidentja Osmani, ai tha se “ka qenë ditë e qetë” pasi janë dakorduar që çështjet me Republikën e Kosovës t’i diskutojnë në Bruksel.

    Sot patëm një takim në kuadër të nismës Brdo-Brioni, falënderues për mikpritjen e miqve tanë maqedonas dhe presidentit Pendarovski, si dhe zonjës Pirc Musar, presidentes të Sllovenisë dhe Zoran Milanoviq, të cilët po përpiqen të bëjnë më të mirën për të gjetur një emërues të përbashkët, folëm për të ardhmen evropiane për disa është entuziazmi më i madh e për disa është më pak, gjithsesi mendoj se sot ishte një diskutim shumë i drejtë dhe konstruktiv, nuk pati debate dhe grindje të mëdha, pasi Prishtina dhe problemet tona i lamë për të enjten dhe me Brukselin, ndaj sot folëm më shumë për vetë rajonin dhe Ballkanin perëndimor drejt Bashkimit Evropian se për çdo gjë tjetër”, tha Vuçiq.

    Në samitin e Brdo-Brionit Kosovës dhe Serbisë iu bë thirrje që të mos ndërpresin komunikimin, përderisa takimi në Maqedoninë e Veriut u fokusua në integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor.

  • Një person aksidentalisht ndezi zjarr në varrezat ortodokse serbe në Ferizaj

    Një person aksidentalisht ndezi zjarr në varrezat ortodokse serbe në Ferizaj

    I dyshuar B.G. aksidentalisht e ka shkaktuar një zjarr në rrugën “Sali Çeku”, përkatësisht në varrezat ortodokse serbe në Ferizaj.

    Në njoftimin e policisë thuhet se është njoftuar Brigada e Zjarrëfikësve në Ferizaj, të cilët kanë dalë në vendin e incidentit dhe e kanë shuar zjarrin nga disa barishte.

    “Më herët patrulla policore kishte vërejtur një person, i cili kishte ndezur qirinjtë në tokë dhe nga aty zjarri ishte zgjeruar. Hetuesit policor të stacionit në Ferizaj i kanë marr veprimet e nevojshme dhe kanë identifikuar të dyshuarin B.G, mashkull, shtetas i Serbisë, i moshës 78 vjeçare, i cili siç ka deklaruar, aksidentalisht gjatë ritualit në varrezat ortodokse serbe ka ndezur qirinjtë dhe për pasojë është shkaktuar zjarri, ndërsa nuk janë shkaktuar dëme tjera materiale”.

    “I dyshuari është intervistuar nga policët hetues dhe sipas udhëzimeve të prokurorit kujdestar të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, ndaj të dyshuarit është iniciuar Shënim Zyrtar dhe i njëjti është liruar”, thuhet në njoftim.

  • ​Begaj: Anëtarësimi në BE do të bëhet realitet për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor

    ​Begaj: Anëtarësimi në BE do të bëhet realitet për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, është shprehur optimist se objektivi strategjik për hyrjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian do të bëhet realitet. Pas takimit me liderët e shteteve në kuadër të Procesit Bërdo Brujini, Begaj tha se ky takim vjen në një moment të rëndësishëm.

    Duke përmendur situatën gjeopolitike të lidhur me agresionin rus në Ukrainë, Begaj tha se të qenurit bashkë për të diskutuar sfidat të cilat duhet t’i përballojnë vendet e Ballkanit Perëndimor, është shumë e rëndësishme.

    “Ky takim i sotëm vjen në një moment të rëndësishëm siç e dimë nga situata gjeopolitike e cila është e lidhur me agresionin rus në Ukrainë, dhe natyrisht të qenurit bashkë për të diskutuar rreth sfidave të cilat duhet të përballojnë vendet e Ballkanit Perëndimor është një gjë jashtëzakonisht e rëndësishme. Sfidat janë gati të njëjta në të gjitha vendete Ballkanit Perëndimor, dhe çështjet që u trajtuan gjatë këtij samiti kishin të bënin me procesin e itnegrimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor kishte të bënte me disa çështje sensitive për popujt tanë qe janë të lidhura me rininë, me emigrimin, dhe po ashtu me sfidat e lidhura me ndryshimet klimatike. Unë i përkas atij brezi që jam optimist dhe objektivi strategjik i te qenurit anëtar i BE për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të bëhet realitet”, ka thënë Begaj para gazetarëve.

    Në fund të takimit që u mbajt me dyer të mbyllura, krerët e shteteve të Procesit Brdo-Brijuni miratuan një deklaratë të përbashkët, duke nënvizuar nevojën e përshpejtimit të procesit të zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, bashkëpunimin dhe koordinimin për përballimin së bashku të efekteve nga ndryshimet klimatike, si dhe krijimin e projekteve dhe të programeve të përbashkëta për zbutjen e efekteve të migrimit të të rinjve nga vendet e rajonit./KP

  • Konjufca: Roli i Gjermanisë në dialogun Kosovë – Serbi jashtëzakonisht i rëndësishëm

    Konjufca: Roli i Gjermanisë në dialogun Kosovë – Serbi jashtëzakonisht i rëndësishëm

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga shefi i Kabinetit Ilir Kërçeli dhe këshilltarët, ka pritur sot në takim deputetin Michael Roth, njëherësh kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme në Bundestagun gjerman.

    Gjatë takimit u bisedua për zhvillimet politike në vend dhe rajon, proceset integruese, mundësitë e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave parlamentare, si dhe çështje të tjera me interes të përbashkët.

    Kryetari Konjufca i shprehu mirënjohje deputetit Roth për angazhimin dhe qëndrimet e tij parimore karshi zhvillimeve aktuale në rajonin tonë, si dhe për mbështetjen që Gjermania i ka dhënë dhe vazhdon t’i jep Kosovës në të gjitha fazat e shtetndërtimit e të integrimit në institucionet euro-atlantike dhe organizata e mekanizma ndërkombëtarë.

    Duke i vlerësuar të shkëlqyera marrëdhëniet dypalëshe, Kryetari i Kuvendit po ashtu theksoi se Gjermania mike është aleat strategjik dhe partner i rëndësishëm i Republikës së Kosovës. Njëkohësisht ai shprehu gatishmërinë për forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit të ndërsjellë dhe e vlerësoi shumë të rëndësishme përkrahjen e Gjermanisë kundrejt proceseve të cilat i ka përpara shteti ynë.

    Ndërsa deputeti dhe kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme në Bundestagun gjerman, Michael Roth, e falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen, duke rikonfirmuar mbështetjen e Republikës Federale të Gjermanisë për Republikën e Kosovës.