ATV

Category: Lajme

  • Begaj: Nevojitet koordinim më i ngushtë i faktori shqiptar në rajon

    Begaj: Nevojitet koordinim më i ngushtë i faktori shqiptar në rajon

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj gjatë qëndrimit në Shkup, është takuar me përfaqësuesit e partive politike kryesore shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

    Takime u zhvilluan me kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçi, kryetarin e Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, kryetarin e Partisë Demokratike Evropiane, Arjanit Hoxha, si dhe me figura të tjera të rëndësishme të politikës në Maqedoninë e Veriut.

    Sipas një komunikate të Presidencës së Shqipërisë, Begaj u ndal te nevoja e koordinimit dhe e bashkëpunimit më të ngushtë mes faktorit shqiptar në rajon.

    “Kjo do të ishte në dobi më së pari të mirëqenies së shqiptarëve, e pa diskutim edhe në funksion të përmbushjes së objektivit strategjik sa më shpejt, atë të integrimit në Bashkimin Evropian të vendeve të rajonit”, thuhet në njoftim.

  • Mijëra persona dyshohet se kanë vdekur nga stuhia në Libi

    Mijëra persona dyshohet se kanë vdekur nga stuhia në Libi

    Mijëra persona besohet se kanë vdekur si pasojë e një stuhie të fuqishme që ka shkaktuar përmbytje shkatërruese në Libi.

    Lideri i Qeverisë në lindje të Libisë, e cila nuk njihet ndërkombëtarisht, ka thënë se numri i vdekjeve mund të shkojë në 2.000, ndërsa mijëra njerëz tjerë vazhdojnë të jenë të zhdukur.

    Stuhia Daniel ka zbarkuar në Libi të dielën, duke i detyruar autoritetet që të shpallin gjendje të jashtëzakonshme.

    Shtatë pjesëtarë të ushtrisë së Libisë janë zhdukur në operacionet e kërkim-shpëtimit.

    Zyrtarët në lindje kanë nisur të zbatojnë orë policore, ndërsa shkollat dhe dyqanet janë mbyllur.

    Teksa numri i viktimave rritet, Kryqi i Kuq i Libisë ka thënë se të paktën 150 shtëpi janë shkatërruar.

    Ndonëse administrata me bazë në Bengazi është marrë me situatën në lindje të shtetit, rivalja e saj, Qeveria e njohur nga komuniteti ndërkombëtar në Tripoli, është përfshirë, po ashtu.

    Kryeministri Abdulhamid Dbeiba, ka thënë se i ka urdhëruar të gjitha agjencitë shtetërore që t’i adresojnë dëmet pas përmbytjeve, derisa Zyra e Kombeve të Bashkuara në Libi, ka thënë se është duke e vëzhguar situatën nga afër.

    Libia është ndarë në dy administrata rivale prej vitit 2014, pas vrasjes së liderit Muammar Gaddafi, më 2011.

    Të dyja qeveritë i kanë shpallur tri ditë zie, për t’i nderuar viktimat e stuhisë Daniel.

    Shkencëtarët për klimën kanë tërhequr vërejtjen se ndryshimet klimatike nënkuptojnë më shumë sasi të ujit gjatë sezonit veror, çka mund të rezultojë me stuhi intensive./REL/

  • Rohde: Takimi i 14 shtatorit vjen në një moment kritik, Marrëveshja e Ohrit duhet të zbatohet tani – s’ka më me lojëra faji

    Rohde: Takimi i 14 shtatorit vjen në një moment kritik, Marrëveshja e Ohrit duhet të zbatohet tani – s’ka më me lojëra faji

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka thënë se takimi i 14 shtator vjen në një moment kritik, shkruan Reporteri.net.

    Në rrjetin social “X”, Rohde ka thënë se është e nevojshme që të dyja palët të angazhohen në deeskalimin e situatës në veri.

    Tutje ai ka shkruar se Marrëveshja e Ohrit duhet të zbatohet tani, dhe se s’ka më me lojëra faji, pasi është koha për të vepruar për të mirën e të gjithëve.

    “Takimi i nivelit të lartë më 14 shtator vjen në një moment kritik. Ne kemi nevojë për angazhimin e plotë të të dyja palëve për de-përshkallëzimin, dialogun e ndërmjetësuar nga 🇪🇺 dhe demokracinë pjesëmarrëse. Marrëveshja e Ohrit duhet të zbatohet TANI. Nuk ka më lojëra faji. Hiqni pengesat për përparim. Koha për të vepruar për të mirën e të gjithëve”, ka shkruar ambasadori gjerman në “X”.

  • Murati: Mbi 16 mijë familje kanë aplikuar deri tash për subvencionim të faturave të energjisë elektrike

    Murati: Mbi 16 mijë familje kanë aplikuar deri tash për subvencionim të faturave të energjisë elektrike

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka njoftuar se mbi 16 mijë familje kanë aplikuar deri tash për subvencionim të faturave të energjisë elektrike.

    Murati ka thënë se aplikimi do të jetë i hapur deri në fund të shtatort, derisa ka inkurajuar të gjitha familjet që kanë të ardhura mesatare mujore më pak se 150 euro për anëtar, që të aplikojnë.

    “Aplikimi do të jetë i hapur deri në fund të muajit shtator, dhe mund të bëhet online në formularin: https://see.rks-gov.net Inkurajohen të aplikojnë të gjitha familjet që kanë të ardhura mesatare mujore më pak se 150 euro për anëtar. Në veçanti, inkurajohen që të aplikojnë familjet që kanë anëtarë me aftësi të kufizuara, që janë prindër vetushqyes, apo që janë pensionistë që jetojnë vetëm e pa përkujdesje”, ka shkruar Murati.

  • Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Dita e sotme në vendin tonë do të jetë kryesisht me temperatura të larta dhe mot të nxehtë.

    Temperaturën minimale do e mbajë Ferizaj me 11 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prishtina me 31 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme në Kosovë pritet të jetë me kushte të njëjta meteorologjike.

    Temperaturën minimale do e mbajë Gjilani me 12 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prishtina me 33 gradë Celsius. /atvlive.tv

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • Arrestohet një person i dyshuar për vrasjen në Podujevë

    Arrestohet një person i dyshuar për vrasjen në Podujevë

    Një person është arrestuar nga Policia e Kosovës, pasi i njëjti dyshohet për vrasjen që ndodhi ditën e hënë në Podujevë, ku në vendin e ngjarjes mbeti e plagosur edhe një grua.

    I arrestuari i dyshuar për kryerjen e vrasjes është A.S.

    Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj konfirmoi se kanë lëshuar aktvendim mbi ndalimin e një personi të dyshuar.

    “Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e një personi të dyshuar, në rastin e vrasjes së rëndë në Podujevë”, tha ajo për KosovaPress.

    Mesditën e së hënës në Podujevë një 30-vjeçar me inicialet V.B. i njohur me nofkën “Dhija” ka mbetur i vrarë ndërsa është plagosur edhe gruaja e tij. Aty ishte i pranishëm edhe një fëmijë 4-vjeçar, i cili fatmirësisht ka shpëtuar pa lëndime fizike.

    Rastin e ka konfirmuar Policia e Kosovës, gjersa motivet e rastit ende nuk dihen.

  • ZKA has në “dallavere”, 51 raste të dyshimta dërgohen në prokurori

    ZKA has në “dallavere”, 51 raste të dyshimta dërgohen në prokurori

    Përgatiti: Armand Hoti

    Auditimet e rregullsisë dhe performancës për sezonin 2022-2023, rezultuan me dyshime për kryerje të veprave penale. Zyra Kombëtare e Auditimit, respektivisht, departamenti kundër mashtrimit, ka evidentuar 51 raste të dyshimta, që kryesisht vijnë nga fusha e prokurimit publik.

    “Rastet e identifikuara janë kryesisht nga fusha e prokurimit, si procesi i prokurimit, lidhja e kontratave, shpenzimet në kategorinë e investimeve kapitale dhe mallrave, ku janë identifikuar 36 raste. Tetë raste janë identifikuar në kategorinë e subvencioneve dhe transfereve, si dhe 7 raste në fushën e punësimit”, tha Vlora Spanca, Auditore e Përgjithshme.

    Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, tha se gjetjet e auditorit i janë përcjellë Zyrës së Prokurorit të Shtetit.

    “Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar ZKA-në për dërgimin e lëndëve në shtatë prokuroritë themelore të Kosovës”, tha Spanca.

    Pa dhënë shumë detaje, Spanca u shpreh se rastet e dyshimta janë kryesisht në nivelin lokal.

    “Ato shtrihen pothuajse në të gjitha organizatat buxhetore, por ato që mundem t’i konfirmoj, pra që i kemi dërguar në prokurori për hetime të mëtejme, vijnë kryesisht nga niveli lokal”, tha Spanca.

    Ndërkaq, deri më tani ZKA-ja ka dërguar mbi 300 raste në Zyrën e Prokurorit të Shtetit, megjithatë Spanca tha se ende nuk ka informacione mbi epilogun e këtyre rasteve.

  • BE-ja stregon nëse do të ketë takim sy me sy Kurti- Vuçiq

    BE-ja stregon nëse do të ketë takim sy me sy Kurti- Vuçiq

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Kryeministri Albin Kurti të enjten do të qëndrojë në Bruksel, në vazhdën e dialogut me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

    Por ende nuk është konfirmuar nëse do të ketë takim sy më sy me presidentin serb Aleksandar Vuqiq, apo vetëm takime të ndara me ndërmjetësuesit.

    Një gjë e tillë nuk u bë e ditur as nga ftuesi i takimit, Bashkimi Evropian.

    Sidoqoftë, nga njohës të fushës në Kosovë ka fare pak shpresë që të ketë një takim trelateral.

    “Unë kam pritje minimale prej këtij takim, së pari nuk do të ketë takim sy më sy, do të ketë vetëm takime të ndara, e dyta takimi do të jetë sipërfaqësor, ka me qenë një tendencë për të krijuar njëfarë momentumi të ri tash pas përfundimit të pushimeve dhe kthimit në vlugun e punës, mirëpo gjendja në terren është jashtëzakonisht e tensionuar, ndonëse nuk ka trazira fatmirësisht”, tha politolog, Fitim Mulolli.

    Sido që të jenë takimet, përparim në dialog nuk besohet të ketë.

    “Nuk mund të presim një përparim të madh, ajo që mund të pritet është që të ritheksohet pajtimi për mbajtjen e zgjedhjeve, por topi mbetet në anën e Serbisë sa i përket pjesëmarrjes në zgjedhje dhe pritet që të ketë një përkushtim nga Beogradi, që subjektet serbe të marrin pjesë në zgjedhje”, tha profesori, Seb Bytyqi.

    Megjithatë, një mesazh para takimit, përfaqësuesve në dialog ua dha ambasadori gjerman në Kosovë, Jörn Rohde.

    “Takimi i nivelit të lartë më 14 shtator vjen në një moment kritik. Ne kemi nevojë për angazhimin e plotë të të dyja palëve për de-eskalimin, dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe demokracinë pjesëmarrëse. Marrëveshja e Ohrit duhet të zbatohet TANI. Jo më me lojëra faji. Hiqni pengesat për përparim. Koha për të vepruar për të mirën e të gjithëve”, tha Rohde.

    Hera e fundit që Kryeministri Albin Kurti e presidenti serb Aleksandar Vuqiq, udhëtuan për në Bruksel, ishte në fund të qershorit, por nuk patën takime sy më sy, vetëm ndaras me ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian.

  • Kosova imporon 87 milionë euro më pak nga Serbia

    Kosova imporon 87 milionë euro më pak nga Serbia

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    87 milionë euro më pak, Kosova ka importuar në vitin 2023 nga Serbia.

    Sipas të dhënave zyrtare të Doganës së Kosovës, për 9 muaj, janë shpenzuar në total 154 milionë euro për blerjen e artikujve të ndryshëm, të cilat janë importuar nga shteti fqinj.

    Në rënien e importit, vlerësohet të ketë ndikuar vendimi i 14 qershorit për ndalimin e hyrjes së mallrave serbe në Kosovë.

    “Vendimi i Qeverisë ka qenë për ndalimin e futjes së mallrave serbe në territorin e Kosovës, për produktet nga vendet e tjera jemi duke bërë vazhdimisht kontrolle në cilësinë e ushqimit”, tha zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi.

    Mirëpo, sipas njohësit të ekonomisë, Safet Gërxhaliu, ndalimi i produkteve nga Serbia nuk është zgjidhje e duhur. Ai thotë se Kosova varet shumë sa i përket lëndës së parë.

    “Në rend të parë sa më pak importe, vihet në pyetje buxheti i Kosovës, në rend të dytë për shkak se ne importojmë shumë produkte të lëndës së parë është goditje direkt dëmton edhe eksporton, po ashtu jemi duke jetuar në kohën e inflacionit çmimet janë tu u rritë e inflamacioni po eksperimentohet në dëm të qytetarëve të Kosovës”, tha Gërxhaliu.

    Gërxhaliu, po ashtu, thotë se stabiliteti politik mes dy shteteve duhet të jetë primar, pasi që, sipas tij, ngushtë lidhet me interesimin e investitorëve të huaj.

    “Si mund të rriten investimet, kur investitorët në këtë mënyrë shohin këtë situatë, pasi emëruesi i përbashkët i zhvillimit ekonomik është stabiliteti politik, kur e kemi këtë jostabilitet dhe këto masa, imazhi i Kosovës po dëmtohet me të madhe”, tha Gërxhaliu.

    Në anën tjetër, Kosova ka rritur importin me Shqipërinë, për 28 milionë euro më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

  • Kosova përkujton viktimat e sulmit të 11 shtatorit në SHBA

    Kosova përkujton viktimat e sulmit të 11 shtatorit në SHBA

    Përgatiti: Sara Shehu

    Krerët e institucioneve të Kosovës kanë nderuar viktimat e sulmit terrorist të 11 shtatorit të vitit 2001, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Gjatë homazheve te pllaka përkujtimore “Kosova Kujton”, kryeministri Albin Kurti së bashkë me Ministren e Jashtme, Donika Gërvalla, dhe zëvendësambasadoren e SHBA-së, Alyson Grunder, është thënë se që nga ajo kohë cilësori “terrorizëm” u bë një nga fjalët kyçe të fillimshekullit XXI.

    Në nderim të viktimave edhe liderët e partive opozitare kanë përkujtuar sulmin e 11 shtatorit.

    “Populli i Kosovës, misionet, të zgjedhurit e Kosovës, shqiptarët kudo që jeni, bashkëndjejmë me popullin amerikan, jo vetëm në këtë ditë. Përvjetori i sulmeve terroriste në tokën amerikane, një tokë e lirë e që mbrojti lirinë tonë dhe demokracinë në gjithë botën. Edhe unë bashkë me kolegë ashtu si të gjithë në këtë ditë vazhdojmë të qëndrojmë dhe qëndrojmë përjetë me Amerikën”, tha kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

    Veç homazheve, gjatë së hënës në Kosovë janë organizuar edhe disa aktivitete.

    “Prej vitit 2001 ne si shoqatë, jo vetëm si shoqatë, por si pjesëtarë të popullit të Kosovës, pjesëtarë të popullit shqiptar, kemi bërë veprime, respekte, solidarizime me popullin mik, aleat, me mikun tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë mënyrë, kemi dashur të dërgojmë mesazhe së pari për popullin amerikan dhe institucioneve që populli i Kosovës, në veçanti populli shqiptar, është falënderues, nuk i harron veprimet e tyre dhe presim shumë përkrahje në të ardhmen. E dimë që keni bërë shumë edhe ekonomikisht, politikisht dhe ushtarakisht, mirëpo ne në emër të shoqërisë civile kërkojmë që të bëni pak më shumë. E di që herë pas here s’kemi qenë në nivelin e detyrës, mirëpo, kërkojmë nga ju dhe nga institucionet e juaja qendrore, sepse e dimë që keni forcë dhe mundësi dhe të loboni pak më shumë dhe të detyroni pesë vendet evropiane ta njohin shtetin e Kosovës ”, tha kryetari i shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi.

    “Dua t’ju falënderoj për atë që keni bërë të gjithë këtu dhe për vëmendjen e mediave për këtë, të rinjtë, dhe përsëri ju falënderoj shumë, ju nuk e keni harruar kurrë premtimin tuaj, ndaj faleminderit”, tha Edward Anderson, drejtor i Departamentit për Sigurinë dhe Sigurinë Publike në OSBE.

    Në shenjë solidariteti zjarrfikësit në Prishtinë për disa minuta rresht aktivizuan sinjalizuesit.

    “Ne paraprakisht jemi përgatitur për këtë ditë, për 11 shtator. Në nderim të viktimave të rënë, por edhe falënderim për shtetin e Amerikës. Siç dihet një shtet i cili na ka përkrahur në kohët më të vështira, duke përfshirë këtu edhe një falënderim për ish-presidentin, Bill Clinton. Aktivitetet tona kanë qenë sot në orën 08:30 në mëngjes, e kemi bërë pastrimin e platesë dhe të shtatores të ish-presidentit Bill Clinton. Kemi bërë edhe ndërrimin e flamurit, ndërsa në orën 10:55, katër automjete të zjarrfikësve edhe me 20 trupa të zjarrfikësve kemi marrë pjesë në këtë manifestimin për 11 shtator”, tha Abdusamed Shkodra nga Brigada e Zjarrfikësve në, Prishtinë.

    22 vjet më parë, 3 mijë njerëz kanë vdekur nga sulmet terroriste, në Kullat Binjake në Nju Jork, në Pentagon dhe në një fushë në Pensilvani.