ATV

Category: Lajme

  • Hovenier: Sulmi në veri u krye nga një grup profesionistësh

    Hovenier: Sulmi në veri u krye nga një grup profesionistësh

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se sulmi i së dielës ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit u krye nga një grup profesionistësh e mirëorganizuar.

    Në një deklaratë për gazetarët, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, Hovenier ka thënë se ka ende punë që të sqarohen të gjitha rrethanat e ngjarjes.

    “Është sulm shumë serioz. Institucionet e sigurisë së SHBA-së po punojnë bashkë me të Kosovës dhe të tjerët për t’i sqaruar gjithçka që ka ndodhur dhe motivet. E dimë që pati sulm, nga një grup i mirëorganizuar, i stërvitur, profesional dhe që pati shumë pajisje ushtarake. E dimë se sulmuesit vranë një polic të Kosovës”, ka thënë Hovenieri duke shtuar se po ashtu dihet që sulmuesit kanë shfrytëzuar fshehjen në Manastirin e Banjskës për të vazhduar sulmet ndaj Policisë së Kosovës.

    ”Ky është një grup i trajnuar dhe i organizuar dhe është dikush pas tyre që i ka pajisur me armatim të rëndë”, ka thënë ai.

  • Snajperisti gjerman komenton ikjen e terroristëve: Diçka këtu nuk shkon, po ecin si në një shëtitje të së dielës

    Snajperisti gjerman komenton ikjen e terroristëve: Diçka këtu nuk shkon, po ecin si në një shëtitje të së dielës

    Ish-snajperisti gjermano-amerikan i UÇK-së, Michael Spath, ka komentuar videon e terroristëve serbë duke ikur maleve, pamje që u transmetuan dje nga Associated Press.

    Spath ka thënë se në këtë video nuk sheh rezistencë nga Policia e Kosovës.

    Ai thotë se kryengritësit madje po ecin “si në një shëtitje të mëngjesit të së dielës”.

    “Më thuaj çfarë dëshiron, unë shoh një goditje plumbi pas kamionit dhe kaq. Ata kryengritës po ecin atje si në një shëtitje në mëngjes të së dielës me gjyshin. Përveç kësaj, ata po lënë pas miliona armë dhe pajisje. Më thuaj përsëri, por diçka nuk është në rregull këtu”, tha ai.

  • Von Cramon pas publikimit të videos nga Sveçla pyet BE-në: Kur do të sanksionohen këta njerëz

    Von Cramon pas publikimit të videos nga Sveçla pyet BE-në: Kur do të sanksionohen këta njerëz

    Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon ka reaguar pas videos së publikuar nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ku shihet nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiq në krye.

    Von Cramon ka pyetur zyrtarët e Bashkimit Evropian, duke etiketuar Josep Borrell, Oliver Varhlelyi dhe Ursula Von Der Leyen se kur Bashkimi Evropian do të sanksionojë këta persona ashtu siç kanë bërë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    “Ngrirja e aseteve, llogarive bankare dhe pengimi i tyre (ka nja dy kriminelë të tjerë) që të udhëtojnë në vende? Ky do të ishte të paktën një fillim (siç bëri SHBA disa kohë më parë).”, ka shkruar ajo në platformën X.

    Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka publikuar pamje ku shihet Milan Radojçiq, nënkryetar i Listës Serbe, po ashtu pjesë edhe e Listës së Zezë të ShBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar.

    Sveçla ka thënë se Radojçiq ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

  • Konjufca priti në takim ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili

    Konjufca priti në takim ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, sot ka pritur në takim ambasadorin e Republikës së Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili.

    Në takim, ndër të tjera, u bisedua për marrëdhëniet dypalëshe, mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, si dhe për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon.

    Kryetari Konjufca e falënderoi Ambasadorin Angili për bashkëpunimin dhe i vlerësoi të shkëlqyera marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Turqisë, derisa theksoi se ato burojnë nga miqësia e kahmotshme, partneriteti strategjik dhe respekti i ndërsjellë.

    Kreu i Kuvendit po ashtu shprehu mirënjohje për mbështetjen e palëkundur që Turqia mike i ka dhënë në vazhdimësi Republikës së Kosovës në proceset e shtetndërtimit dhe anëtarësimit në institucione dhe organizata ndërkombëtare.

    Kryetari Konjufca dhe Ambasadori Angili ritheksuan gatishmërinë për intensifikimin e raporteve dypalëshe dhe zgjerimin e mëtejmë të bashkëpunimit mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë.

  • Berisha i shqetësuar për situatën në veri: Policët po i kryejnë detyrat me patriotizëm

    Berisha i shqetësuar për situatën në veri: Policët po i kryejnë detyrat me patriotizëm

    Kryetari i Komisionit për Siguri, Bekë Berisha, ka thënë se e kanë përcjellë me shqetësim sulmin terrorist të grupit të armatosur serb të dielën në Banjskë të Zveçanit.

    Duke shprehur mbështetjen ndaj Policisë së Kosovës ai tha se të njëjtit me paga të vogla dhe pa asnjë privilegj po e kryejnë detyrën e tyre me patriotizëm të madh.

    “Policia e Kosovës me shumë mungesa dhe pa privilegje, me paga të vogla, pa rrezikshmëri dhe pa sigurim shëndetësor më së shumti ka patriotizëm dhe në saj të saj po i kryen detyrat për vendin dhe Kosovën. Dëshirojmë t’i falënderojmë edhe si qytetarë dhe si parlament për punën dhe përkushtimin e tyre”, tha ai.

    Megjithatë, Berisha u shpreh më i matur që të komentojë situatën në veri, pasi tha se komisioni s’ka rol aktiv në këtë ngjarje.

    “Ne nuk kemi rol aktiv në ngjarje mirëpo e shohim me kujdes zbatueshmërinë e ligjit. Ne nuk kemi rol aktiv, nuk dimë çka me iu tregu në momentin që është duke ndodhur situata. Për ngjarjen, sekuencat se çka ka ndodhur pa pasur raport zyrtar nuk mundemi me t’iu raportojmë”, shtoi Berisha.

    Derisa i konsideroi të gabueshme publikimet e fotografive të policëve të njësisë speciale që kanë marrë pjesë në aksion në Banjskë të Zveçanit.

    “Dedikimet personale duke postuar policë me snajper me fytyrë, duke thënë se ky polic apo ai e kryer detyrën janë shumë gabim. Çka iu merr mendja pse dalin Policia e Kosovës me maska, pasi ata janë në mbrojtje të rendit dhe kushtetutshmërisë së Kosovës. Nuk duhet personale me bërë me policin, ato postime që janë bërë janë gabim dhe duhet të fshihen”, tha ai.

    Këto komente Berisha i bëri pas dështimit të mbledhjes së Komisionit për Siguri, ku ishte paraparë të raportonte ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

  • Hoti tregon veprimet e nevojshme që duhet të ndërmerren pas sulmit terrorist ndaj Policisë

    Hoti tregon veprimet e nevojshme që duhet të ndërmerren pas sulmit terrorist ndaj Policisë

    Gjatë ditës së diele në Banjskë u zhvillua një sulm terrorist ndaj Policisë së Kosovës nga ana e terroristëve serbë.

    Në këtë sulm mbeti i vrarë Afrim Bunjaku ndërsa u lënduan edhe disa pjesëtarë tjerë.

    Pas kësaj ka reaguar ish-kryeministri i Kosovës i cili ka treguar se cilat janë veprimet e nevojshme që duhet të ndërmirren pas sulmit terrorist ndaj Policisë.

    Postimi i plotë:

    1. Sulmi terrorist ndaj ushtrisë së Kosovës që shkoi nuk mund të konsiderohet si sulm në një grup të armatosur të radikalizuar.
    2. Armatimi i konfiskuar dhe sjellja e grupit terrorist dëshmojnë për një sulm terrorist të profesionalisht, të cilat janë gjërat që mund të bëjnë vetëm strukturat e shtetit të Serbisë. Nëse kjo nuk qëndron, atëherë Serbia është shtet i vendosur që mbizotërojnë strukturat e armatosura kriminale.
    3. Institucionet e huaj dhe aleatët me të drejtë e kanë këtë sulm si akt terrorist, por tani duhet me ngulm të marrin nga Serbia në ndjekjen dhe dorëzimin e terroristëve.
    4. Institucionet e rendit dhe ligjit të Kosovës, në bashkëpunim me aleatët, duhet të luftojnë në operacione të gjera të kontrollit për të vendosur të gjithë rrjetin terrorist.
    5. Hetimi penal dhe gjykimi i akuzave të përfshira në këtë akt terrorist duhet të bëhet sipas ligjit vendor, në lidhje me konventave të lidhura, me transparencë maksimale, duke i informuar në vazhdimësi akterët ndërkombëtarë të amerikanëve që operojnë në Kosovë dhe duke respektuar historitë e tyre. ta përcjellin gjithë procesin e hetimit dhe gjykimit.
  • Hill: Të gjithë duhet ta dënojmë vrasjen e policit kosovar, po zhvillohen bisedime si të ecet tutje

    Hill: Të gjithë duhet ta dënojmë vrasjen e policit kosovar, po zhvillohen bisedime si të ecet tutje

    Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, tha sot në Beograd se sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjska është një “ngjarje tragjike” dhe se po shqyrtohen hapat e mëtejshëm.

    “Ne të gjithë duhet ta dënojmë vrasjen e një pjesëtari të Policisë së Kosovës dhe gjithmonë mbajmë zi për humbjen e jetëve, por duhet të vazhdojmë me procesin politik. Po zhvillohen procese për të inkurajuar dialogun”, tha Hill në një debat publik.

    Hill tha gjithashtu se procesi diplomatik duhet të forcohet në ditët dhe javët në vijim, shkruan Danas.

    “Kjo situatë po trajtohet shumë seriozisht dhe po zhvillohen diskutime të shumta se çfarë hapash të mëtejshëm duhet të ndërmerren”, tha ai.

  • Sveçla zbulon planin e terroristëve serbë: Do të shkonin në Ibër, do shpallnin autonomi

    Sveçla zbulon planin e terroristëve serbë: Do të shkonin në Ibër, do shpallnin autonomi

    Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla zbuloi të gjithë planin e hartuar nga serbët për të nisur një konflikt të përmasave të mëdha në Kosovë.

    Sveçla tha se plani i terroristëve serbë të udhëhequr nga nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq dhe nën dirigjimin e Vuçiqit, ishte destabilizimi i Veriut të Kosovës. Sipas tij armatimi i gjetur ishte armatim i një ushtrie të mirëfilltë për 200 persona të rekrutuar.

    “Terroristët sipas ministrit do të zbrisnin më në jug në vijën e lumit Ibër dhe do të pamundësonin futjen e policisë së Kosovës në të gjithë Veriun. Më pas ata do të shpallnin autonominë, në një skenar të ngjashëm me planin e Putin për Donbasin në vitin 2014”.

    “Flitet për 200 persona potencialisht të rekrutuar të cilët do të ishin pjesë e këtij skenari. Plani ka qenë që ata të zbresin më në jug deri në vijën e lumit Ibër dhe përmes sulmeve të pamundësonin policinë e Kosovës të vepronin lirshëm dhe më pas të deklaronin ndonjë autonomi apo diçka tjetër”, tha Sveçla.

    Ministri i Brendshëm të Kosovës shtoi se aksioni po vijon dhe policia e Kosovës ka gjetur kamionë dhe bulldozer të tjerë me armatime.

    “Kjo është një logjistikë që e ka një ushtri e mirëfilltë. Numrat e armatimeve po shtohen. Kemi zbuluar dhe një autoblind tjetër. Ka kamionë dhe buldozerë të cilët kanë mbartur municione. Ka raketa hedhës më shumë, mina anti-tank më shumë, mina anti-personel më shumë. Kjo listë e gjatë po përditësohet. Ky mitroloz me nitroglicerinë as policia nuk e ka në zotërim, kjo është ushtarake dhe vjen drjtpërdrejtë nga depot e Serbisë”, tha Sveçla.

    Sipas tij terreni i vështirë dhe hapja e rrugëve të reja në kufi, ka bërë që grupi duke u kamufluar me makinat e KFOR, të sjellë armatimin në Kosovë.

    “Ai terren është i vështirë dhe në vazhdimësi kemi zbuluar rrugë të reja. Më herë kemi zbuluar 16 rrugë të reja. Ne i kemi bllokuar. Vija e gjatë kufitare dhe këto rrugë ilegale kanë mundësuar që ata të futen me këto makina. Duke qenë se jemi dëshmitarë se ka prezencë të KFOR-it, shumë lehtë këta mund të kryenin aksione në veri duke u kamufluar si personel i KFOR. Makina e Radoiçiç ka qenë e blinduar. Kanë vendosur logot e KFOR për të qarkulluar lirshëm. Ju mund të shihni dronë dhe mjete për mjekim, këta janë përgatitur për konflikt të përmasave të mëdha. Municionet janë me qindar mijëra dhe nuk kemi mundur ende t’i numërojmë”, tha Sveçla.

  • Szunyog viziton instilacionin në formë lëmshi: Të respektohen të drejtat edhe për fëmijët me aftësi të kufizuara

    Szunyog viziton instilacionin në formë lëmshi: Të respektohen të drejtat edhe për fëmijët me aftësi të kufizuara

    Bashkimi Evropian dhe UNICEF prej ditësh kanë hapur fushatën për rritjen e ndërgjegjësimit për barrierat me të cilat përballen fëmijët me aftësi të kufizuara. Në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë qëndron instilacioni në formë lëmshi përmes së cilit tregohen sfidat me të cilat përballen kjo kategori e fëmijëve.

    Sot (e martë), shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Tomas Szunyog, vizitoi këtë instilacion së bashku me përfaqësues të vendeve anëtare të BE-së dhe shefen e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Nona Zicherman. Szunyog theksoi rëndësinë e sigurimit të të drejtave të barabarta për fëmijët me aftësi të kufizuara.

    Kjo fushatë gjithashtu synon ta rrisë ndërgjegjësimin për ligje dhe politikat për statusin dhe të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, të cilin gjithashtu e theksoi edhe ambasadori Szunyog.

    “Mendoj se është me të vërtetë e rëndësishme të sigurohen të drejta të barabarta për këta fëmijë, t’i identifikojmë ata herët, t’i lejojmë të përdorin të njëjtat sisteme arsimore si fëmijët e tjerë, por edhe t’u sigurohen atyre hapësira publike dhe mundësi publike. Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme. Ne gjithashtu duhet të shikojmë në kuadrin legjislativ dhe të kuptojmë se ka nevojë për një ligj të ri, veçanërisht që ka të bëjë me fëmijët me aftësi të kufizuara”, deklaroi Szunyog.

    Ambasadori Szunyog njoftoi se lëmshi do të shëtisë edhe në komunat e tjera të Kosovës ndërsa shpreson që fushata të arrijë qëllimin e vet për shkak të rëndësisë së saj.

    “Kjo është një fushatë e përbashkët e BE-së dhe UNICEF-it, po e nisim këtu në Prishtinë, por është planifikuar të shkojmë nëpër Kosovë, të vizitojmë komuna të ndryshme dhe të ndërgjegjësojmë për të drejtat dhe nevojat e fëmijëve me aftësi të kufizuara. Ka një lëmsh simbolik sepse besojmë se motoja e nyjës për fëmijët me aftësi të kufizuara mund të tërheqë vëmendjen e publikut. Është vërtet një çështje e rëndësishme. Ne besojmë fort për këtë. Pra, le të shpresojmë se kjo fushatë do të ndihmojë fëmijët”, tha Szunyog.

    Fushata gjithashtu avokon për të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuara me fokus të veçantë në rritjen e qasjes në hapësirat publike, zgjerimin e disponueshmërisë së shërbimeve cilësore gjithëpërfshirëse dhe luftimin e stigmës dhe diskriminimit ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe familjeve të tyre.

    Shefja e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Nona Zicherman, uron që të gjithë t’i bashkohen kësaj fushate, në këtë mënyrë të bëhet më shumë për fëmijët me aftësi të kufizuara.

    “Ka shumë faktorë që ndikojnë nëse ata mund të jenë të lumtur, të përfshirë dhe nëse të drejtat e tyre përmbushen. Por nuk ka rëndësi se cila është paaftësia e tyre, apo sa serioze është paaftësia e tyre. Rëndësi ka se çfarë bëjmë ne për ta bërë botën përreth tyre gjithëpërfshirëse, kështu që lëmshi do të thotë se secili prej nesh ka diçka që mund të bëjë, ne mund të tërheqim një pjesë të fillit dhe të ndihmojmë fëmijët me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre të realizojnë të drejtat e tyre. Dhe shpresojmë që të gjithë do t’i bashkohen fushatës që do të vizitojnë lëmshin dhe do të shkruajnë dëshirën e tyre për vendimmarrësit dhe autoritetet në Kosovë, për atë që mund të bëjmë për të përmirësuar jetën e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe familjeve të tyre, dhe i ftojmë të gjithë për t’iu bashkuar UNICEF-it dhe Bashkimit Evropian në këtë fushatë”, tha Zicherman.

    Gjithashtu, u tha se UNICEF-i, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në Kosovë, është i përkushtuar për të siguruar qasje të barabartë në arsimin gjithëpërfshirës dhe shërbime gjithëpërfshirëse për fëmijët me aftësi të kufizuara. /kp

  • Konjufca priti në takim lamtumirës ambasadorin zviceran në Kosovë, Thomas Kolly

    Konjufca priti në takim lamtumirës ambasadorin zviceran në Kosovë, Thomas Kolly

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në një takim lamtumirës Ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly, me rastin e përfundimit të mandatit të tij diplomatik në vendin tonë.

    Kryetari Konjufca i shprehu mirënjohje Ambasadorit Kolly për përkushtimin e tij në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Zvicrës, si dhe i dëshirojë suksese në angazhimet e radhës.

    Ai po ashtu i cilësoi të shkëlqyera raportet ndërshtetërore, duke shprehur gatishmërinë për forcimin dhe zgjerimin e mëtejmë të bashkëpunimit të ndërsjellë në fusha me interes të përbashkët.

    Zvicra ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik dhe fuqizimin e institucioneve tona shtetërore, theksoi Kryetari i Kuvendit teksa shprehu mirënjohje për mbështetjen e gjithanshme të këtij shteti mik ndaj Republikës së Kosovës në proceset integruese.

    Duke e falënderuar Kryetarin Konjufca për mikpritjen, Ambasadori Kolly i vlerësoi si të veçanta raportet mes popujve dhe dy shteteve tona.