ATV

Category: Lajme

  • Policia e Kosovës po vazhdon hetimet në zonën rreth Banjskës

    Policia e Kosovës po vazhdon hetimet në zonën rreth Banjskës

    Policia e Kosovës po i vazhdon të martën bastisjet nëpër shtëpi dhe objekte në dhe rreth fshatit Banjskë në veri të Kosovës, dy ditë pas një përleshjeje të armatosur me një grup personash, nga e cila mbeti i vdekur një polic dhe tre sulmues.

    Hyrja në fshatin e Zveçanit vazhdon të jetë e bllokuar dhe nuk dihet kur do të hapet për qarkullim, tha më 26 shtator për Radion Evropa e Lirë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.

    “Policia ende nuk e ka mbaruar punën, nuk dihet se kur do ta bëjë, ndoshta sot gjatë ditës”, tha Elshani.

    Në Banjskë, fshatin e vogël rreth 55 kilometra larg kryeqytetit Prishtinë, mund të hyjnë dhe dalin vetëm banorët e tij me nevoja urgjente, sipas Elshanit.

    Më 24 shtator, në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup personash të maskuar dhe të armatosur derisa po shkonte për ta hetuar bllokimin e një rrugë nga dy kamionë pa targa në Banjskë. Si pasojë, u vra polici i Kosovës Afrim Bunjaku, ndërsa disa policë të tjerë u plagosën.

  • Ndahet nga jeta veterani i UÇK-së, doktor Shukri Gërxhaliu

    Ndahet nga jeta veterani i UÇK-së, doktor Shukri Gërxhaliu

    Veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, doktor Shukri Gërxhaliu është ndarë nga jeta sot, në moshën 70-vjeçare.

    Lajmin e kanë bërë të ditur familjarët, me ç’rast njoftuan se i ndjeri do të varroset nesër, në Studime të Vushtrrisë.

    “Të Allahut jemi dhe te ai do të kthehemi!

    Njoftojmë të gjithë familjarët dhe të afërmit se sot, në moshën 70 vjeçare ka ndërruar jetë më i dashuri jonë, babi, bashkëshorti, gjyshi dhe vëllau, Dr. Shukri Gërxhaliu.

    Varrimi i më të dashurit tonë bëhet nesër me kohë të drekës në Studime të Vushtrrisë.

    Me zemra të thyera,

    Familja Gërxhaliu”.

  • ​Haradinaj: Serbia ka ekzekutuar fëmijë e pleq, askush nuk u dënua për këtë

    ​Haradinaj: Serbia ka ekzekutuar fëmijë e pleq, askush nuk u dënua për këtë

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar të rënët e 26 shtatorit në 25-vjetorin e përjetësimit.

    Haradinaj ka kujtuar heronjtë Vesel Demaku, Valdet Xhemajli e Afrim Hajdari.

    “25 vjet nga rënia heroike e luftëtarëve të lirisë, Vesel Demaku, Valdet Xhemajli dhe Afrim Hajdari. Mësuesi me dy nxënësit e tij, që nuk lëshuan pozicionet deri në frymën e fundit, për të mbetur frymëzim trimërie në rrugën drejt lirisë”, ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj po ashtu ka kujtuar familjen Deliu e cila ishte ekzekutuar nga forcat serbe.

    “Po atë ditë, në Abri forcat serbe ekzekutuan familjen Deliu, duke mos kursyer askënd, nga foshnja disa muajshe e deri te plaku 94 vjeçar. Ata ishin të pafajshëm, por askush nuk u dënua për vrasjen e tyre! Të paharruar janë ata që sakrifikuan për Atdheun! Nderimi për ta do të jetë i përhershëm”, është shprehur Haradinaj.

  • Rama: Konfliktet e vogla mund të ndezin luftë ballkanike

    Rama: Konfliktet e vogla mund të ndezin luftë ballkanike

    Kryeministri Edi Rama, në Ministerialin e Ministrave të Ekonomisë, është shprehur se lufta duhet shmangur me çdo mjet, duke theksuar se përmes konflikteve më të vogla mund të ndizet një luftë jo vetëm Ballkanike, por evropiane e botërore.

    “Besoj shumë fort se sa më e mirë të jetë atmosfera e bashkëpunimit, aq më e mirë është hapësira për të trajtuar çështje të vështira. Të biesh dakord, për të mos rënë dakord, nuk na ka penguar për të gjetur fjalën e përbashkët dhe të punojmë së bashku në shumë fusha.

    600 mijë shoqëri tregtare në Ballkanin Perëndimor kanë përfituar nga aktivitetet e tregtisë, nga heqjet e barrierave, nga panairet e përbashkëta.

    Dua të citoj pa leje mikun e dashur francez që kemi këtu, që dje më kujtoi diçka thelbësore që nuk duhet të harrohet por mbështetet në shembuj, si ai franko-gjerman. Më tha se gjyshërit e tij e kanë parë me sytë e tyre dhe pikërisht nga pamjet e tmerrshme, nga kujtesat e tmerrshme nga ajo që lufta nënkuptoi për Francën e Gjermaninë, Franca vendosi ti shtrijë dorën e bashkëpunimit Gjermanisë, ishte gjest i guximshëm në atë kohë, kjo i hapi rrugës Evropës që kemi.

    Sot që lufta është në dyert tona, në Ukrainë, është e rëndësishme mos ta shohim luftën si video-lojë, por si katastrofë që duhet ta shmangim me çdo mjet, kudo, në çdo lloj forme, edhe përmes konflikteve më të vogla që nga historia e rajonit mjafton për të ndezur një luftë Ballkanike, por edhe një luftë evropiane e botërore.

    Duhet ta bëjmë këtë rajon një terren të lulëzuar për njerëzit. Falenderoj Dhomat e Tregtisë. Çdo ditë ka nevojë për të bërë më shumë. Na duhet më shumë Evropë në Ballkanin Perëndimor dhe qasje në organizmin e BE, të shumë organizmave të tij, për këtë bëhet fjalë. Ky Saimit dhe këto hapa drejt 16 tetorit, ku të gjithë udhëheqësit mblidhen në Tiranë për këtë bënë fjalë. Pres me padurim rezultatet e këtij takimi dhe sigurisht do të bëjmë maksimumin për të dhënë më shumë për njerëzit që japin kohën, energjinë e tyre, gjithë punën e tyre për ekononimitë tona, sepse kemi shumë mundësi. Rritja e viteve të fundit ka treguar se ajo që mund të bëjmë duke u hapur kundrejt njëri tjetrit, duke shdërruar këtë rajon në këtë hapësirë që është e mirë për të gjithë ata njerëz punëtore e ndërmarrje, na bën të hedhim hapim më të rëndësishëm drejt hapësirë më të gjerë të Bashkimit Europian.”, tha Rama.

  • Polonia i shton kontrollet kufitare me Sllovakinë, për shkak të emigrantëve

    Polonia i shton kontrollet kufitare me Sllovakinë, për shkak të emigrantëve

    Qeveria e Polonisë ka urdhëruar kontrolle më të rrepta në kufirin e vendit me shtetin fqinj, Sllovakinë, për ta frenuar arritjen e shtuar të emigrantëve.

    Kjo masë vlen për minibusët, autobusët, furgonët dhe veturat, të cilat dyshohet se bartin emigrantë të jashtëligjshëm, tha të hënën kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, gjatë një fushate zgjedhore në Krasnik.

    Duke i shtuar kontrollet kufitare, Varshava synon t’i kundërshtojë ata të cilët “po na akuzojnë neve se kemi kufi të pasigurt”, tha politikani konservator nacionalist, duke shtuar se ka qenë shumë mirë e ditur se në të kaluarën emigrantët mbërrinin në Bashkimin Evropian përmes Hungarisë dhe Sllovakisë, e pastaj përmes Polonisë.

    Sllovakia dhe Polonia ndajnë një vijë kufitare 540 kilometra të gjatë.

    Të dyja, si vende anëtare të BE-së, janë pjesë e Zonës Shengen për lëvizje të lirë pa viza.

    Në Zonën Shengen, e cila ka 26 shtete anëtare, njerëzit nuk kontrollohen në pikat kufitare.

    Megjithatë, në vitet e fundit, disa shtete e kanë shfrytëzuar një përjashtim dhe në disa raste i kanë kthyer kontrollet kufitare.

    Së fundmi, fqinji i Polonisë, Gjermania, po përballet me trysni për t’i kthyer përkohësisht kontrollet kufitare në kufirin që e ndan me Poloninë dhe Republikën e Çekisë.

    Ministrja e Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser, po mban bisedime me këto dy vende për “masa shtesë kufitare”./REL/

  • Serbia solidarizohet me terroristët, shpall të mërkurën ditë zie kombëtare

    Serbia solidarizohet me terroristët, shpall të mërkurën ditë zie kombëtare

    Qeveria e Serbisë është solidarizuar me terroristët që sulmuan Policinë e Kosovës të dielën, duke lënë të vdekur në rreshter forcave kosovare të rendit të vrarë.

    Në një mbledhje të jashtëzakonshme të mbajtur sot Qeveria e Serbisë ka njoftuar se ka shpallur 27 shtatorin, ditën e e nesërme si ditë zie, siç kanë thënë ata në “respektim të viktimave të së dielës në Kosovë”, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Qeveria e Serbisë kërkon nga të gjitha mediat dhe organizatorët e ngjarjeve publike që programin e tyre ta përshtatin ditën e zisë të mërkurën, më 27 shtator dhe në këtë mënyrë t’i respektojnë viktimat në Kosovë dhe Metohi”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Serbisë.

  • Policia e bart nga Banjska autoblindën që e përdorën terroristët serbë

    Policia e bart nga Banjska autoblindën që e përdorën terroristët serbë

    Policia e Kosovës ka sekuestruar autoblindën, që dyshohet se është gjetur mëngjesin e sotëm në malet e fshatit Banjskë të Zveçanit.

    Brenda autoblindës dyshohet se ka pasur lloje të ndryshme të armatimit.

    Autoblinda e sekuestruar dyshohet se është përdorur nga grupi terrorist serb, gjatë sulmit mbi Policinë e Kosovës të dielën, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

  • Protestojnë punëtorët teknikë të QKMF-së në Prishtinë, kërkojnë rritje të pagave

    Protestojnë punëtorët teknikë të QKMF-së në Prishtinë, kërkojnë rritje të pagave

    Punëtorët teknikë të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë kanë protestuar në shenjë pakënaqësie me trajtimin e këtyre punëtorëve lidhur me pagat dhe kushtet tjera, raporton Ekonomia Online.

    Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, punëtorët po kërkojnë rritje të pagave 300 euro bruto.

    Sipas tij, protesta e greva nuk do të ndalen dhe se nëse nuk realizohen kërkesat mund të ketë lëshim kolektiv të vendeve të punës.

    “Punëtorët duan rritje të pagës prej 300 euro pagë bruto. Protestat e greva nuk do të ndalen deri te lëshimi kolektiv i vendeve të punës”.

  • Rohde: Sulmi terrorist ndaj policëve nënvizon nevojën urgjente për vazhdim të dialogut

    Rohde: Sulmi terrorist ndaj policëve nënvizon nevojën urgjente për vazhdim të dialogut

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se është nevojë urgjente vazhdimi i bisedimeve në kuadër të dialogut, si dhe zbatimi i marrëveshjes së Ohrit.

    Sulmin e terroristëve serbë ndaj Policisë së Kosovës në veri ai e ka quajtur kriminal dhe të tmerrshëm.

    “Sulmi i tmerrshëm kriminal dhe terrorist i së dielës kundër oficerëve të zbatimit të ligjit në Kosovë nënvizon nevojën urgjente për të vazhduar bisedimet e dialogut dhe zbatimin e marrëveshjes së Ohrit tani”, ka shkruar ambasadori gjerman.

    Në orët e para të mëngjesit të ditës së diel është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa janë plagosur edhe policë të tjerë.

    Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjska të Zveçanit ku terroristë serbë kanë sulmuar patrullën policore.

    Tre sulmues kanë mbetur të vrarë ndërsa janë arrestuar gjashtë persona.

    Institucionet e Kosovës kanë deklaruar se aksioni në kërkim të sulmuesve është duke vazhduar.

  • Një nga veturat që u gjet në veri ka vlerë mbi 1 milionë euro

    Një nga veturat që u gjet në veri ka vlerë mbi 1 milionë euro

    Policia e Kosovës ka gjetur dhe konfiskuar një sasi të madhe armatimi, vetura, uniforma, dokumente, e gjësende të ndryshme, që dyshohet se janë përdorur nga grupi terrorist në sulmin kundër policisë në veri.

    Një prej veturave të konfiskuara, e cila është e tipit Mercedes Benz G63 AMG, që u raportua se i takon Millan Radoiçiqit, ka vlerën prej 1.2 milionë euro, dhe e njëjta është e blinduar, ka shkruar Betimi për Drejtësi.

    Vetura e njëjte, gjatë sulmit në veri, mbante mbishkrimin e KFOR-it, duke pretenduar kështu që i takon njësive të tyre.